• Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • Mainbody Dark Theme
  • Mainbody Light Theme
  • Layout: 2 Left columns + Mainbody
  • Layout: Mainbody + 2 Right columns

DISA FJALË PËR VEPRËN “TANAGRA”, HISTORIA E GENIT DHE E GJUHËS E DR.NAIM LAÇEJ

E-mail Print PDF

Si shkrimtar e kam të lehtë të rendis disa fjalë për të, siç e kam edhe të vështirë të jap mendime të pakontestueshme rreth vlerave të tij, pasi, që të jem realist, në këtë që po them e në ato që do të parashtroj, kjo vepër të kërkon që të jesh edhe gjuhëtar, edhe historian, edhe gjeograf, edhe arkeolog, edhe folklorist, edhe sociolog, edhe etnolog e biolog, me një fjalë të kesh atë kurajo që pat autori për të eksploruar deri në embrion, vetëkuptohet edhe me ndihmën e njëmijë e sa referimeve e të një shumësie bibliografie vendëse e të huaja, që do të lakmonte çdo studiues. Për mua, kjo vepër, veçse e një rëndësie krejt të veçantë shkencore, është edhe një vepër atdhetare, që më bën të rikujtoj një strofë timen: “Tani jam plak e më kanë rënë dhëmbët/ S’hyp dot tek degët, por preferoj rrënjët”. E thënë ndryshe kjo vepër shkencore e mirëfilltë nuk është një vështrim horizontal i prejardhjes sonë e pozicionimit tek rrënja e evropianizimit, por një sondim vertikal, duke sjellë argumente e kundra argumente, me ftohtësinë që i sheh studiuesi serioz, duke shmangur fluturimet që mbesin në erë, pa lënë gjurmë e pa ta ngrohur zemrën. Kur them se ai gjykon me ftohtësi, nënkuptoj atë se autori ka punuar shumë për të na bindur për ato që thotë, se kush jemi e pasi e thotë këtë me bindjen e tij të palëkundur, lexuesi e padyshim edhe autori e ndjejnë krenarinë e të qënit shqiptar në kontinentin e vjetër të botës.

Sot, kur pseudoshkencëtarë të huaj, apo shkencëtarë me qëllime të mbrapshta, më shumë të huaj e më shumë komshinj, bëjnë çmosin me veprat e tyre të na largojnë sa më shumë nga rrënjët e civilizimit europian, “Tanagra-Historia e genit dhe e gjuhës”, hedh dritë të plotë rreth një problemi shumë të debatuar, siç është ai i etnogjenezës së shqiptarëve. Lexuesi i vëmendshëm i kësaj fushe nuk ka se si të mos kujtojë librin e  parë të Naim Laçejt “Pellazgët flasin”, të botuar vite më parë e që pat zgjuar jo pak polemika për tezat që hedh e mbron. E nëse, në librat e tjerë, artistikë apo të fushave të tjera, ka plot dedikime për prindër, motra e vëllezër, për mësues e shokë e kudi unë, Naimi në faqen e parë të librit të tij të parë ka këtë dedikim domethënës: “Ja kushtoj atyne që më trashëguan genomën bio-sociale të shqiptarëve”. “Pellazgët flasin” qe si parathënie e “Tanagrës”, ose, e shprehur në mënyrë metaforike, ky libër qe prolog, ndërsa “Tanagra-Historia e genit dhe e gjuhës”, është epilog shkencor i një niveli të tillë që do ta ëndërronte çdo kush që udhëton edhe shekuj para Krishtit, duke zbritur deri tek rrënjët e së vërtetës. Kjo është një vepër që të bën të mendosh thellë për të vërtetat e të pavërtetat rreth genit tonë e të gjuhës.

Pasi e lexova veprën “Tanagra”, impresionet e para i hodha në letër e më pas edhe në një paraqitje të shkurtër në adresen time të facebook-ut. Klikimet dhe komentet, jo vetëm në adresën time, por edhe faqen elektronike ëëë.albacenter.it, që fatmirësisht e kuron motra ime, Albana Temali-Stanzanni, me një jetëgjatësi disa vjeçare e që ka mijëra vizitorë, shqiptarë e të huaj, pasi paraqitet në tri gjuhë: shqip, italisht e anglisht, qenë edhe më impresionuese, sepse autori kishte arritur jo vetëm të zgjonte interes shkencor, por edhe të linte gjurmë, sa shumë shqiptarë janë shprehur se presin që kjo vepër të njohë edhe përkthim në anglisht, që bota shkencore ta marrë vesh se kush është te rrënjët e kush te degët.

Përmes një aparati shkencor e bibliografisë, atë që thotë e shtron, tek “Tanagra” autori e argumenton. Për të bërë më bindës hulumtimin e tij disavjeçar, po sjell një shembull: Vetëm kapitulli “Dardanët”, me 100 faqe, ka 322 referime nga vepra të ndryshme të autorëve tanë e të huaj. “Në këtë studim, dardanët përbëjnë elementin më të rëndësishëm gjenetik dhe filologjik dhe në të njëjtën kohë studimi tregon se ata ishin ura lidhëse në mes të civilizimit perëndimor dhe atij lindor... “Tek kjo racë pellazgësh, siç pohon autori, mbështetet ky studim për të provuar edhe origjinën monogjenetike të gjuhëve, si dhe lashtësinë e genomës biosociale të shqiptarëve”.

Ky libër, me 420 faqe, hapet me “Harta e foto” dhe  mbyllet me “Tregues të njerëzve dhe vendeve”. Mendoj se zemrën e veprës e përbën kapitulli “Dardanët”, edhe për faktin se autori dardanët i konsideron si kolonën vertebrore të kombit të sotëm shqiptar, duke argumentuar se ata kanë qenë banorë të rajonit të Mesdheut e më gjërë, të dëshmuara nga historiografia pesëmbëdhjetë shekuj para Krishtit, njëri nga fiset kryesore pellazge, gjuha e gjenezës të të cilëve ishte dhe është pellazgjishtja njërrokëshe, ndryshe gegërishtja e sotme e shqipes.

Dr. Naim Laçej, na ka dhënë një vepër që të bën të mendosh thellë për hapat që ka hedhur njerëzimi që nga gjeneza dhe për rolin e dorës së parë që kanë luajtur të parët tanë, pellazgët e veçmas dardanët, në themelimin e civilizimit europian.

 

SKENDER TEMALI,

Shkrimtar

(Nga fjala e mbajtur në Prishtinë, më 13 prill 2013, në promovimin e librit të Naim Laçejt)
DISA FJALË PËR VEPRËN “TANAGRA”,  HISTORIA E GENIT DHE E GJUHËS E DR.NAIM LAÇEJ
 

Poezi te autorit

Sample image
Kur vuaj-shkruaj

Kur vuaj
shkruaj;
Shkruaj
kur vuaj.
E nëse Kamja
më mbështjellë si zhguall,
do më gjeni në llucë,
si buall.

3 shtator 2010

Who's Online

We have 121 guests online