S’DI TË URREJ…

poezi nga Skënder Temali


Please wait while flipbook is loading. For more related info, FAQs and issues please refer to documentation.

“S’di të urrej”- përmban një kolazh të zhanrit letrar poetik e reklektime me poezi, satira, lirika e balada. Në cdo varg poetik, mbizotëron dashuria për jetën, për dashurinë e vërtetë e për Shkodrën. E po në vazhdën e vargut, vallëzon rima, epiteti, metafora, që harmonizohen me mesazhin me tema sociale, që si edhe në vepra të tjera, poeti Temali, kujdesohet me aq mjeshtëri e me aq mrehtësi pene, që bëri për vete lexuesin, për vite me radhë. Figura e femrës është e skalitur me të gjitha ngjyrat, virtytet, dritehijet si nënë, si motër e si grua. “S’di të urrej” – pasqyron shpirtin e pastër të poetit, që vërshon si një ujëvarë, që pranverën ia veshi cdo poezie, që dimrin më të ftohtë e lulëzoi me flladin e ëmbël poetik.

 “BANKA” E SHKODRËS

Shkodrën në shuplakë të dorës e kam,
Shkodra më ka në shuplakë të dorës,
Jam denbabaden i kshtenë dhe mysliman,
Lindun në rranjë të historisë e t’luleborës.

Lindun në rranjë të lisit të lirisë
Në degët e t’cilit s’pushon korbi, por shqiponja,
Ku mësova me gjak t’vadis tokat e Ilirisë
Rrethue nga malet plot mite e gëzhonja.

Edhe pse gjysh, tamlin e Rozafës përditë e pi,
Si pinjoll i Barletit e idhull i Migjenit të sjell një risi,
Do kem djep Liqenin që më përkundë me valë,
Jaret si arie që ma mbajnë shpirtin gjallë!

U mplaka, u zbardha, kuletën s’e kam plot
Ti Shkodër më ban ma të pasunin në glob,
Sa askush, jo-jo askush s’më ban karshillek
Se kam Banken tande plot me zotnillek.

Shkodër, 4 janar 2020

UDHËKRYQI IM

Në udhëkryq të jetës
Kam mbetë e s’di nga të shkoj,
Si murg i ulur në një stol guri
Një libër jete ngeshëm e shfletoj.

Më vorbullojnë shtjella mendimesh,
Rrufetë si Krishtin më mbërthejnë në kryq,
Rrenë vehten, o endacak rrugëtimesh
Nëse ke udhëtuar pa e pasë një udhëkryq.

Udhëkryqi jetonte pikëpyetja pa u shpikë,
Para se Xhordano Bruno tokën ta rrotullonte,
Para se të zbulohej kontinenti Amerikë
Para se padrejtësia botën ta pushtonte.

O udhëkryqi i jetës sime
Pas teje mbeta marrëzisht,
Dhe siç desh Romeo Zhulietën
Dhe unë do të dua përjetësisht.
Se ndryshe, në rrugë me një kah në eca,
Besomëni: Vetëm atëhere në vend ngeca!

Shkodër, 16 gusht 2019

GJUHA IME

Në tastierën e makinës së shkrimit
Zanorja ë nga përdorimi është e fshirë,
Tani edhe në atë të kompjuterit, gjithashtu,
Zanorja e pazëshme ë, e zëshme, e dëlirë,
Nga gjuha amëtare më thotë: jam këtu!

Unë si gegë, me rrënjë e me degë,
Vehten bëj fli mos të më ndajë një zanore,
Që Shkumbini të bashkojë toskë e gegë
E gjuhën ta ushqejë fort një paskajore.

O gjuha ime shqipe, në gjunjë të bie,
Unë pellazgu, iliri, arbërori e shqiptari,
Se çdo fjala yte ka nur perendie
Sa edhe të vdekurin e ngrë vrik nga varri.

Ke nur perendie, je gjuhë perendie,
Në fron e me skeptër n’Europë për mua,
Ndaj të kam rënë e në gjunjë të bie
Se ti gurgullon siç gurgullon një krua.

Në këtë krua me grushte ujin e pi,
Se pa ty gjuha ime nuk ka Shqipëri!

PUTHJA E PARË

Doja t’mos e humbisja vjeshtën kur ty të putha,
Ndaj e ruajta gjithë jetën një gjethe të saj
E s’kam pse bëj të virgjërin as sot mbushur me rrudha
Dhe me njerëzit e dashuruar atë të mos e ndaj.

Ka një Everest kujtese puthja e parë
Që s’ka ekuivalencë me një milion të tjera,
Që shkojnë e vijnë si zogjtë shtegtarë
Ca që përzë dimri, ca që sjellë pranvera.

Kam rënë në gjunjë veç para flamurit kuq e zi
Kur bëra betimin si çdo ushtar,
Por as kur buzët vura mbi palët e tij,
Pse t’u gënjej, s’më shijoi si puthja e parë!

Ajo puthje, ajo gjethe në herbarium të dashurisë,
Është rubin që shndrit edhe në netët e poetit,
Dhe m’i ka dhënë e m’i jep jetë poezisë
Nga gurra e pashterrshme e sinqeritetit…

RRUGICA IME

Rrugica ime është brenda vehtes time,
Aty janë strehët që pikojnë herë gëzim,
Herë trishtim
Herë dhe lotë burri,
Aty janë portat e mëdha me qemer guri,
Kalldremi ku shekujt kanë ecur,
Portat e lulevileve,
Oborret e trendafilave,
Gurët ku kam vrarë gjunjët sa herë në to kam ngecur.

Nga kjo rrugicë, më e hershmja që ka qyteti
Kam përcjellë nanalocet e katragjyshët tek Zoti,
këtu ka hyrë edhe Krishti edhe Muhameti
se i buronte shpirti margaritarë loti.

Te kjo rrugicë, i vogël, putha një vajzë për të parën herë,
Kjo rrugicë s’ka emër
Që ndrron sa herë ndrrojnë pushtetet,
Le ta quajmë dimër,
Në daçi pranverë
Se më shumë se të pasurit
Ka pritur të pastrehët e poetët.

Se vinin tek ne dhe të hapur e gjenin portën
Erdh edhe poeti që m’kërkoi të falur për një epitet,
Për atë figurë s’e ndrronim gjithë botën
Se ai që s’fal s’e ka emrin poet!

Po kjo rrugicë e pat një portë që s’u çel kurrë,
Një portë çeliku, kalitur nga të parët,
Kanatet e saj s’i hapi asnjë burrë
Për atdhemohuesit, spiunët dhe tradhtarët.

Te kjo rrugicë je ti, o Shkodë loce,
E vogël, e magjishme, si lulebora në boçe !

Shkodër, 2014-2020

PA TITULL

Sot s’ka për të ndodhur asgjë e jashtëzakonshme,
Do zgjohem pa zbardhur
Dhe në respekt
Diellin
Tek shtegu i shpresave do dal që ta pres,
Ndërkohë
Fshesarët e natës,
Hjekakëqinjtë e ditës,
Do përshëndes.

E zakonshmja, me emrin rutinë do më shtypë me tokmak:
Pasqyra e shtypit dhe dhe lajmet flesh,
Historia rozë e një balerine në kuinta
Dhe dy politikanë që zihen porsi desh.

Se në botë si unë ka miliona lirikë,
Ku e jashtëzakonshmja një herë në jetë shfaqet si mjelmë
Dhe të zakonshmet,
Një breg plot leshterikë!

Sot s’ka për të ndodhur asgjë e jashtëzanshme…

PAS VIZITËS NË MUZENË E KRAJL NIKOLLËS

Pas vizitës në muzetë e Njegoshit
E Krajl Nikollës, në qendër të Cetinës,
Në kthim, rrugës u ndala
Në kështjellën muranë të Vraninës.

Aty gjeta Gjergj Fishtën me lahutë
Dhe Oso Kukën tue pastrue një hutë,
N’kuvend 15 burra me armë në dorë
Rreth fuçisë së barotit të rënë dëshmorë.

M’u venit shkëlqimi i shtëpisë-muze të Nikoll Popit
Para kështjellës muranë të Oso Barotit.

Cetinë, maj 2018

PERLA

Është si guackë shpirti im,
Nis me boshësi, si një shpellë,
Po mos u stepni në eksplorim
Kur në fund mund të gjeni një perlë!

GRACKA

Vijnë dallgët e detit, vijnë,
Dhe në breg më lënë guacka,
Vijnë dallgët e jetës, vijnë,
Dhe më sjellin qindra gracka.

Kaloj një, po tjetra vjen,
Si idiot n’udhëkryqe mbes,
E vërteta më gënjen
Po fat tjetër jo nuk pres.

Kah t’ja mbaj e nga të shkoj,
Nuk jam shpend të fluturoj,
Më krrakllijnë një tufë laraska
T’më kujtojnë se janë gracka,
“Krra-krra-krra e krra-krra-krra,
Kjo jetë vetëm gracka ka,
Se pa gracka nuk ka jetë,
As teposhtë e as përpjetë”.

Jeta është ballo me maska,
Rrugë mundimesh plot me gracka!

Gusht, 2019

NË DREJTIM TË PADITUR…

Kam një jetë që ec në drejtim të paditur,
as konstelacioni i yjeve se ku jam nuk më tregon,
asht rrenë se e nesërmja do të jetë e ndritur
se sot e vërteta nuk lind, por perendon.

Kam ditë që shkruaj e shkruaj për udhëkryqe,
Se busulla e jetës ende nuk është shpikur,
Në pastë një bilbil, këndon si qyqe
Dhe ndriçon diku ardhmëria-kandil fikur.

Ec si qorr e si qorr me një shkop trokas,
Me shpresën e qorrit-errësirën ta vras,
Po qorr kam qenë e kam për të mbetë qorr,
Se n’ vend të djepit paskam arkivol!

Kritikët eunukë do m’gjuajnë me shigjeta,
Sikur jam i vetmi pesimist në planet,
Duan hosanna kur n’sofër mungon e vërteta
Dhe në lustraxhi ta shndrrojnë çdo poet.

Kam një jetë që ec në drejtim të paditur…

NË SHKOLLËN E SHURDH-MEMECËVE

Edhe pse dëgjoj e flas
Në shkollën e shurdh-memecëve u regjistrova,
Kuptohet, e kam një shkas:
Se ç’po ndodh tek ne
Asgjë të dëshmoj se ç’pashë e çfarë dëgjova.

Punë e madhe fort se unë qënkam poet,
A se ti je zyrtar, bojaxhi a tregtar,
Kjo shkollë krahë hapur të pret
Se jetojmë në një kohë që s’do dëshmitarë!

“Mirë se erdhët nxënës të dashur!”
Kjo shkollë një popull shurdh-memec ka për të pasur!

14 shtator 2019

S’DI TË URREJ…

Më shumë se rrokaqiejtë
Më pëlqejnë foletë e zogjve,
Vjollcat e mbrojtura prej ferrave,
Stalaktidet dhe stalakmidet e shpellave,
Simofonia e klithmave të pulëbardhave,
Petalet e kumbullave dhe të dardhave,
Gjelbërimi dhe fëshfërima e pyjeve,
Doçkat e mbesave drejt konstelacionit të yjeve…

Çdo gjë të bukur mbi këtë dhé e pëlqej,
Po mbi te gjitha
Se s’di të urrej!

BROÇKULLA POETIKE

Një ditë zhgarravita një broçkull poetike,
U binda më pas se shkrova në rërë,
Se fjalët m’u sollën në mënyrë kaotike,
Ndryshe në ujë e hapa një vërë.

E bëra shok letrën, e hodha at’ strofë,
I bindur se vendin e kishte në kosh,
Se qe si një arrë pa thelb e krejt bosh.

Dikush e kish marrë,
E nxorri n’gazetë,
Një mjeshtër promovimesh
E ngriti tek retë!!

Vehtes i thashë, ku vajte, medet,
Një kosh mbeturinash të bëka dhe mbret!

KUR DIMRI BËHET MAJ

E di se s’do më besoni aspak
Kur t’u them se po më çmendin sytë e saj,
Se ndonjë do më shajë “o pusht plak”,
Je në dimër të jetës e jo në maj.

Po ejani, mirrni sytë e mi
Dhe me ato shikoni sytë e saj,
Mos besofshi, do besoni në perëndi
Kur dhe ju dimri i jetës do u shndrrohet në maj!

Shtator, 2019

POETI

Askush s’ka arritur ta deshifrojë sekretin e gjuhës time:
Unë flas me diellin që shfaqet në maje të kreshtës,
Me retë, me zogjtë pas fletëve të vjeshtës,
Me bebet që s’dijnë asnjë fjalë,
Me zgalemët që kridhen e klithin nepër valë,
Me magmën e zemërimit të popujve të globit,
Me shpirtin e zi të një pulëbardhe e të bardhë të korbit,
Me observatorët të bërë rob nga yllësia,
Me verbërinë pa parë krejt pranë kush vdes nga uria,
Me galopin e kuajve nën shkulmet e erës,
Me puthjet që mbulojnë dashuritë si petalet e pranverës,
Jam mikrokozmosi pa emër e mbiemër,
I lindur dikund e askund, as mashkull e as femër,
E sa për statistikë më vini një numur rendor
Dhe një simbol: thjeshtë Meteor!

PLASTELINA

Mund të korr grurë aty ku mbolla elb,
Me lëvozhgat të bëj një thelb,
Yjet të marr në duar, si fëmijët xixëllonjat,
Të bëj të vajtojnë e të ligjërojnë shkronjat,
Dhe në tragjedi të mos mbetet pa qeshë një spektator,
Maxhordomët të ulen në fronin mbretëror!

Krijoj çfarë ëndërroj,
Se për mua
Jeta e bota janë një plastelinë,
Formoj e shformoj si të më vinë,
Arrij të nënshtroj zotat e perenditë
Veç që njerëzimi të ketë më shumë dritë!

Më 30 qershor 2020

GËSHTENJAT E KRAJËS

Gështenjat në Krajë ngadalë po pikojnë
Dhe gjethet e kuqrremta bien lehtë si kartvizita,
Për festën e tyre bujarisht na ftojnë
Që nga Shkodra. Saranda e gjer nga Amerika.

Zhgualli i gështenjave e ka një magnet,
Na ther në bulë të gishtit sa del një pikë gjak,
Si për të na thënë se në këtë tokë jemi mbret,
Në ninulla, në mite, në huta e në prak,
Këtu ku shqip flet Shtegvasha, Ostros e Skje,
Ku jemi ç’prej shekujsh me degë e me rrënjë,
Ku jemi motra e vëllezër e kemi një atdhe
Ku historinë e shkruan në Krajë çdo gështenjë.

Një gështenjë mora nga kashnjeti dhe e shijova,
Edhe pse krejt flokëbardhë, më besoni: u rinova!

Krajë-Mali i Zi
Shkodër, më 6 nëntor 2019

S’DUA TË MË GËNJEJË PRANVERA

Nesër, sot, dje,
Së prapthi çdo gjë,
Po pse, pse?

Dimër, vjeshtë, verë, pranverë,
Së prapthi dhe ktë herë,
Si përherë.

Lumturohem, i mjeri unë,
Meqë në fund qënka Pranverë!

Asgjë të mos jetë si dje,
Pranverë, mos më gënje!

11 dhjetor 2019

BALADË E SYVE TË JESHILTË

Kjo vajzë me sy të jeshiltë
Më harbon e drithëron,
M’zgjon pranverën, poezitë,
Po seç ka që më shikon!

Çelë e mshelë t’bukurat qepalla,
Teksa prap i shfaqen sytë,
Bëhem fëmi, si në përralla,
Si ajo s’njoh një të dytë!

Po ndërsa krejt kam humbur
Vjen një “Benz” me turr e merr,
Unë në rrugë mbes si vulëhumbur
Dhe gjithçka më bëhet terr.

Qe një çast, se targa më feksi,
M’u bë shpirti xhevahir,
Në timon të atij “Benzi”,
S’qe kush tjetër, veç im bir!

23 dhjetor 2019

PASI TË VDES

Pasi të vdes, oh, pasi të vdes do ua them ca fjalë,
Ca fjalë të idhta që s’ua thashë dot në të gjallë,
Se e dija fort mirë, pas së vërtetës sime
Shtat pash nën dhé do më kishit kallë.

Ndaj i thoja vehtes, duro sa të shuhem, edhe pak,
Se çdo gjë vjetërohet e vdes, por kurrë e vërteta,
Dhe në s’e thashë në të gjallë qeshë frikacak
Sa qe frikacak dhe Akili në luftë nga shigjeta!

E kam fjalën për ju shpifarakë, mosmirënjohës, puthadorë,
Intrigantë, mediokër me diploma zyrave shtetërore,
Ju që kriminelë shpallni sot qindra dëshmorë
Dhe çdo krimineli i ngrini përmendore!

Ju që kombin tonë e bëtë rjepacak,
Ju që shitët e shisni nëntokë edhe mbitokë,
Lumenj, liqej, det, veç ajr na ka mbetur dhe pak
Se për xhepat tuaj dhe nderin e bëtë trokë!

Ju që dhe beben e lindët borxhli ngahera,
Sa borxhin s’mund ta shlyej as fëmija i tij,
Ju që me paratë tona ngrini vila kudo nga Riviera,
Ju xhambazët e më të pasurës, nanlokes Shqipëri!

Për ju s’mjaftojnë litarët, burgu është pak,
N’udhkryq t’historisë Shqipëria mbet gërdallë,
Ndaj që prita sa të vdes e pata doemos një shkak,
Mbase dhe do rilind sa t’ua them këto fjalë!

26 dhjetor 2019

SHPIRTMADHI DIELL

Dielli ndriti edhe sot si dje,
Si për miqtë
Dhe për të liqtë.

S’ka më shpirtmadh në kozmos se ai,
Ndaj i kam besuar
Dhe i besoj atij!

Zot, në qofsh kund, mos e le diellin të shuhet,
Për ne po se po, kjo dihet,
Por dhe për të na ndriçuar të ligun se ku fshihet!

GJITHNJI

Sa herë
Asht rrethu,
Pushtu,
E qindru pa u gjunjëzu Shkodra?

-S’e di.

Sa herë
Nga hini
Si Feniksi asht ngritë
E qiellin ka pushtu?

-Gjithnji!

Shkodër, 1 maj 2020

MARSHI I TRIUMFIT

Sa herë dëgjoj Marshin e Triumfit të Verdit
Në shpirt ndjej ekstazë e gulf,
Edhe pa arritur asnjë fitore
Vehten e ndjej: Triumf!

Ndofta u ka ndodhur edhe ju,
Po unë në këtë rast për vehte po flas,
Më përplasen dallgët e këtij marshi
Si përplaset mbi shkëmbinj një tallaz.

Çdo notë si stërkala që me rubinët ngjajnë në muzg,
Tek kridhen mes tyre një zgalem a pulbardhë,
Në manastirin e vetmisë e ndjej vehten murg
duke lutur agimin sa më shpejt për të ardhë.

Se unë e di mirë, pas muzgut vjen nata
Plot me strese e tmerre e yjet të shuar,
Siç e di se jeta ka triumfe e disfata,
Ndaj i thërras Triumfit: mos fli po rri zgjuar!

Mbi kurrninë e kohërave Verdi gjëmon e triumfon,
Thyen ligjet e natyrës e me Aidën përjetë agon!

Maj 2020

PA ADRESË

Nëse vjen sot në adresën time që di e s’më gjen
Kjo s’do të thotë se nuk jam aty,
Mungesa fizike gjithnjë të gënjen:
Jam në një varg, në shpirt, në zemër, në sy.

As nesër po erdhe s’ke për të më gjetur,
Jam në rrugicat me kalldrem e shermashekë,
Ku bashkë me shokët kam qarë e kam qeshur.
Kur vërshëlleja këngët e paqes me fishekë.

Adresën time në Shkodër askush nuk e di,
As se jetoj në një pallat a kasolle me kashtë,
Adresa ime është: jeton në një poezi,
Në një kodër me kripë e në një mal me mjaltë.

Pra, askush të më gjejë ka shpresë,
Në qofsha poet kurrë s’do kem adresë!

Qershor, 2020

PUTHE, PUTHE, PUTHE

Puthe, puthe, puthe, puthe!
Klithnin në dasëm të gjithë një gjuhe,
Më kërkonin një puthje publike, anemike,
Thjesht për kamerat, për pamjet filmike!

Idiotë! S’kemi lënë milimetër në trup pa puthur,
Pusit të epsheve u kemi shkuar në fund,
Me qindra netë ka fjetur në trupin tim e strukur,
Deri një natë gushti nën një mullar n’katund.

Po ju mbase s’e dini, as provuar e kini
Se puthja s’është kontakt i buzës, po shpirt,
Dyshoj në univers të dashurisë fare të jini,
Ku dielli dhe në natën më të zezë ndrit e përndrit.

Pa shpirt puthja është shkretëtirë ku s’ka një oaz,
Siç thosh në pazar Majakovski, zero e fyl,
Ajo është det plot dallgë e tallaz,
E vjedhur rrufeshëm si një bandil.

O miq të mi dasmorë, s’ju dua kaq idiotë,
Kjo puthje që m’kërkoni s’është vulë noteriale,
Ka miliona të tilla këtë moment në botë
Dhe mos më kërkoni në kor skena teatrale.

Unë s’jam aktor, pra s’di as të aktroj,
Si askush në botë: di të dashuroj!

Maj, 2020

E VËRTETA

Këtë të dielë po u njoftoj pres ngushëllime
(Tashmë ju e dini thelbin e mandatës),
Pres për ditët e mia që m’u shuan në duar
I veshur me kostumin e zi të natës.

Rrita më shumë ditë të trishta se të bardha,
T’u them të kundërten fyej të vërteten,
Se ditët e mia me diell qenë det pa pulbardha
Që i ëndërrova e luftova për to gjithë jetën.

Mos shpërvilni buzët, të më quani pesimist,
Kështu jam gatuar, së zezës të bardhë s’i them kurrë,
Se kush thotë veç të vërtetën ka emrin Optimist
Që në betejat e jetës i prin lart si flamur.

Një libër përshtypjesh në odë të pritjes do gjeni aty,
Se çdo shkruani, askush do e lexojë,
Të vërtetën time shiheni drejt e në sy
Që nesër në akrepa mos t’u shndrrohet çdo shkronjë.

Besoj që flas kështu s’dua të fyej të vërtetën,
Për të cilën e kam shkrirë dhe do ta shkrij gjithë jetën!

Qershor 2020

KOKËULUR E BORXHLI

-Sipas një motivi të Xhevahir Spahiut-

Si poet do të shkoj në botën tjetër edhe unë borxhli,
Borxhli ndaj aedit të ciklit të kreshnikëve,
Që vargjet i gshendi me daltën e fjalëve
Në lahutën e gurtë e të përgjakur të maleve.

Borxhli i përjetshëm ndaj Budit
Që më mësoi se si yll bëhet fjala shqipe,
Ndaj De Radës që nxirrte mjaltë prej kripe,
Ndaj Naimit e Fishtës, si dy koka shqiponje,
Që vinin lulkuqet shqiptare në guvë të çdo gëzhonje,
Ndaj Migjenit që u binte fort këmbanave të mjerimit,
Ndaj Kadaresë-nobelist e “Korbit” të Skënder Drinit!

Borxhli ndaj kohës që çfarë më dha s’i dhashë,
Po krenar se në dorë të horhanes s’u bëra mashë,
Si bujku me plug, me penë çela shumë vlagë
Edhe pse pas shpine mora jo pak plagë.

Po më mirë në botën tjetër të shkoj i plagosur
Se sa puthadorë, me jargë e i njollosur!

Shkodër, 29 gusht 2020

BALADË DASHURIE

Varka jonë
Fshehë në kallamishte
Më e mirë
Nga shtrat mbretëror ishte,
Aty të prisja,
Aty ti vije,
Më zgjoje në shpirt
Afsh dashurie.

Fort të pushtoja,
Fort më pushtoje,
Nuk qe gjë Troja
Me bedena e troje,
M’jepje lirinë,
T’jepja lirinë,
Se liri kishim
Veç dashurinë.

29.6.2020

BALADË E RE PËR HUMANIZMIN

Asht një familje me emër në Shkodër
Që strehoi çifutët kur në vatër u ra ploja,
Ku çifutes qytetari shkodran i tha motër
Dhe ndau me ta kafshatën nga goja.

Ajo s’qe familje e lidhun me komunistët,
Çfarë thonin e do bënin s’kish fare uzdajë,
Urrente der’ n’asht fashistët, nazistët,
Dhe jetën e shtynte n’pazar me dugajë.

Tregtinë e kish pasë që heret në gen,
Si ia thonë në Shkodër, den-baba-den…
Për komb, nder e gjuhë qe gati të vdiste,
T’pranonte në vatër kushdo n’derë trokiste.

Dhe erdh një natë e dera trokiti,
Të zotit të shtëpisë fytyra i ndriti,
Dhe pse shtetrrethim, aspak nuk pat tutë
Kur në prak ia bëhen plot katër çifutë.

Një çift i drobitun, dy fëmijë të reckosun,
Nga gjermani-pushtues keq të damkosun,
“S’ka gja për ne, mund t’mos na pranoni,
Po fëmijët tanë ju lutem shpëtoni”.

Ua hapi derën i zoti i shtëpisë
Edhe pse qe nën sy të kojshisë,
Që s’vonoi e i tha “Ç’po ban o i marrë,
Gjermanët dhe djepin ta marrin zvarrë”.

E dinte fort mirë se s’fliste më kot,
Por miku për te ish e qe zot,
Mbi shpinë at’çast hodhi një mal me halle
Po kurrë nuk i nxirrte në rrugë të madhe!

U lëshoi një dhomë, i ftoi shpejt të hanin,
Shtroje e mbloje me ta do i ndanin,
Dhe në ato ditë kur fliste baroti
Me miqtë çifutë çfarë kish shkrue Zoti.

Komshinjtë s’bëzanë, as Shkodra s’bëzani,
Gjersa në luftë fitoi partizani,
Po ndryshe nga të gjithë kqyrej ajo derë,
Që tue hapë zemrën shprazi lavd e nderë.

Dhe erdh një ditë, tek ajo portë dolën,
Çiftin çifut me dhurata përcollën,
Me përqafime, mall e lot,
Me fjalën e artë “T’gjithë kemi nji Zot!”.

…Në Shkodër është një familje e thjeshtë
Që s’ka qitë një pushkë e s’ka ba një heroizëm,
Po që në emër të traditës e shpirtit të bardhë
I dha përjetësi emnit HUMANIZËM!

Shkoder, 2020

UDHËKRYQET E JETËS

Kam shkruar shpesh për udhëkryqet,
I kisha në gen, në provë më vinin,
Duke mbajtë si hamall mbi shpinë pikëpyetjet,
Që prej meje, udhëtarit, kahun donin të dinin.

Çdo busull tregon Lindje-Perëndim, Jug-Veri,
Punë e madhe se as yje ka, as far që bregun tregon,
Unë duhet të çaja përpara në zheg e në stuhi,
Edhe kur dëbora e zezë udhëkryqet i mbulon.

Një ditë vendosa nga ecën turma të mos ec,
Turma s’ka kokë, veç turr të marrë si orteku,
Se dikur hesht rropama e ai ngec
Dhe unë gjej kahun, çapitem ndaj një shtegu.

Sikur të mos kish udhëkryqe glob i jetës
Do mbetesha si kukuth a gur varri,
Se udhëkryqet më çojnë drejt së vërtetës,
Drejt ëndërrës së dritëshme të çdo shkrimtari!

Më 5 tetor 2020

NËN URË

Të gjithë poetët e botës, që i kam aq shokë
Shkruajnë për vjeshtën në Nju Jork,
Thojnë se është peisazhI magjiplotë,
po s’thonë se dimrin e ka të ftohtë.

Thonë se ka urat më të bukura në botë,
se për të janë shkruar dhe uvertura,
Habitem se si nuk shohin se si nën to
Flejnë e zgjohen mijëra gra e burra!

40 VJET MARTESË

40 vjet më parë në oborr të shtëpisë plasi kënga,
Dasmorët të gjithë në këmbë u ngritën,
Si gjethe dafine dridhej nëna
Kur në krah më pa me Afërditën.
Babait, vëllait, motrave, tek dhjetra dasmorë
Nga gëzimi u ndriste shteg i ballit,
Kur përshkoi zemrat kënga “Lule borë”
Nga violina bilbil e Mark Kaftallit!
Si shkuan kështu katër dekada,
Nën shkulme të jetës, pa u ndjerë,
Se prej saj përgjithnjë u arratis nata
Dhe me gruan pata veç një stinë: Pranverë!

Shkodër, 6 gusht 2018

NGA BLLOKU I KORONAVIRUSIT

MBI KOBIN 19

Vdiqën 1000 veta në Bolonjë.
Këmbanat e kishave ranë për ta 1000 herë,
Vello të zezë hodhi për ta çdo zonjë,
Në këtë vit të trishtë pa pranverë!

Po nesër sa këmbana do të bien në botë?

Gjer kur të shfaroset KOBI nëntëmbëdhjetë,
Që të mos kemi më detra me lotë
E fitimtarë të dalim nga Lufta e Tretë!

Shkodër, 25 mars 2020

VOTRA

Kumbulla e egër e kopështit tim
Hodhi e para vellon me petale të bardha,
Si për të sfiduar gjithë pemët pa lulëzim,
Një qershi, një kajsi, një mollë e dy dardha.

Kohë e egër hodhi një virus si vello të zezë,
Këtë virus vrastar që unë e quaj kobzi,
Pa armë bërthamore një luftë ka ndezë,
Në mbarë kontinentet, zi e më zi.

Nëna, baballarë, fëmijë, vëllezër e motra,
Nuk është thirrje për në frontin e parë,
Istikami ynë sot është vetëm votra,
Dhe këtë pranverë do jemi fitimtarë!

26 mars 2020

MARSHI I NGADHNJIMIT

I përhumbur shikoj në dritare
Siç kurrë s’e kam parë rrugën bosh,
Vetëm një burrë çapitet, thithë një cigare
Dhe tej në sfond malin Tarabosh.

Burri kollitet, teshtin e teshtinë,
Me një teshtimë që rreh si kamxhik,
O idiot i idiotëve, futu në karantinë,
Se do vrasësh sa s’vrau asnjë armik.

Po unë? S’jam hero që sodis nga shtëpia,
S’ka hero n’histori të shtrirë në bark e shpinë,
Qëllimisht jam kyçur, se kështu më do Shqipëria
Dhe nga bunkeri im qëlloj me karantinë!

Në saksi të dritares çeli zambak i bardhë,
Është pranverë, stinë e lulëzimit,
Ia ndjej hapat fitores duke ardhë
Dhe jonet e marshit të ngadhnjimit!

Shkodër, 10 prill 2020

MALL

Më ka këputë malli këpucët të vesh
E si djalë i ri me biçikletë të dal,
Me shokët të pi kafe, të grindem e të qesh,
Dhe pse s’kam staturë, ta bëj ndojë skandal!

Më ka këputë malli për nusen me djalin,
Për mbesat si mjelmat në Drilon,
Se vajza m’vjen përditë e më bën pazarin,
Dhe te dera e shtëpisë trastat m’i shkarkon.

Më ka këputë malli për motrat tej Shkodrës,
Për miliona poetë e miq në glob,
Po ç’tu bëj ligjeve, magnetit të votrës.
Armikut që përgjon pas derës me emrin Kob!

Më ka këputë malli për rrugët që zhurmonin,
Deri dhe për shitësit që m’vidhnin në kandar,
Për qentë që bri pemëve këmbëngritur shurronin,
Dhe për të blerë spinaq e kunguj n’ katundarë.

Më ka këputë malli të shoh një brigadë
Që tullë pas tulle e ngrë një godinë,
Që me gruan të shetis natë për natë
Dhe të gëzojmë në paqe pleqërinë.

I rëndë qënka malli, më i rëndë halli,
Nga frëngji e kullës së ngujimit me qëndresë godas,
E di, mos sot, nesër, në t’zbardhur t’agimit,
Bajlozin virus pa mëshirë do ta vras!

Shkodër, 11 prill 2020

RRUGA E GËZIMIT

Qyteti im ka marrë fytyrën e pikëllimit,
Pikëllim bëlbëzojnë muret me gurë Kiri që kanë mbetur,
Mbi ta lulevilet me koka të ulura të pendesës,
Pallatet e reja si gra të veja,
Çiftet që po shtyjnë vadat e martesës.

Pikon pikëllimi në strehë durimi,
Dhimbja për ata që humbëm bëhet gur midis nesh,
Uturimat e makinave i zboi cicërimi,
Ca filma të zvjerdhur dhe ca lajme flesh.

Në luftë krisma e armës s’dëgjohet kur ka topa,
E keqja e këtij virusi na u bë ortek,
Në gjunjë ra Bota mbarë, e gjithë Europa,
Po kam besim se do ta gjejmë një shteg.

Është një shteg, është një kryestrateg,
Që vjen nga shekujt me emrin Karantinë,
Që në furtunë na shtyn të dalim në breg,
Dhe si Feniksi të ngjallim ardhmëninë!

Lamtumirë pikëllim,
Nesër do ketë gëzim!

Shkodër, 13 prill 2020

VELLO ME LULEVILE

Rrugë e Shirokës sot të dal më grishë,
Të rend me biçikletë pa frena e pa zile,
Po n’një kthesë më ndal një pishë
Me një vello endë me lulevile.

S’e kisha menduar kurrë se me biçikletë
Tek muskujt si pensionist po shkriftoja,
Do më shfaqej mrekullia e tetë,
Rrëzë mali me një vello si zonja.

Lulevilet në margaritarë gjithë vesë
Në ktë kohë pandemie më mbushën me shpresë,
M’i dhanë erëmirë çdo vargu
Dhe më thanë se fitorja dhe pak është te pragu!

18 prill 2020

PULËBARDHA

Qeshë mësuar, çdo ditë në breg të Bunës
Ulesha nën një shelg e zhgarravisja,
Vinte një pulëbardhë në vlag të punës
Pa e ditur se unë atë me padurim e prisja.

Mbushja me ushqime për të xhepat në xhup,
Gjersa u miqësuam, në pëllëmbë më çukiste,
Më pas ngrihej e më ulej mbi sup
Dhe si falnderim klithte edhe klithte.

Oh, ajo klithmë më vjen në karantinë,
E di, si shelgu lotues, edhe pulbardha loton,
Me klithmën e saj unë end sot poezinë
I vrarë në shpirt se s’ka kush e mëkon.

I bie telefonit eme bijë sa pa ardhë,
Si përditë që na sjell ushqimet,
Të shkojë tek shelgu ku sillet një pulbardhë
Dhe në tokë ngadalë ajo t’i hedhë thërrimet.

E di se tek ai shelg pulbardha rri e pret.
Siç më priste e dashura në takim dikur,
Se dashurinë nuk e tradhton kurrë një poet
Se pa të s’ka as atdhe e as flamur.

Shkodër, 17 prill 2020

RRIPI I MESIT

Luftë e tretë na gjeti në gjumë të tretë,
E morëm lehtë e si ëndërr,
S’ka top, tank, as pushkë e raketë,
Po Luçiferr tinzar e në zhgjëndër.

Si uji që vjen nën rrogoz pa u ndjerë,
Thamë njëherë si erdhi do të ikë,
Po prognoza na gjeti, me nder, të dhjerë,
Që nga Kina e gjer në Amerikë!

Eh ç’na zu këtë pranverë ky KOB,
Tërmet i dytë për ne më shkatrrimtar,
Edhe pse Atdheu im një pikë në glob
Si gladiator në arenë u bë më qëndrestar!

Çdo shtëpi vatrën e shndrroi në një llogore,
Ngujuar natë ditë pa kuje e ulërima,
Qëndronte me qëndresë e bindur në fitore
Duke i shtuar rripit të mesit dhe ca brima!

MONOLOGU I CIGANIT
(baladë)

Pi cigare, s’e zë gjumi,
Lodhë nga jeta, bërë fërtele,
Shiut rreh, kreshpohet lumi
Struken fëmijët tej ndër zhele.

U gëzua sot sa s’ka,
Mblodhi kanaçe e hekur,
Solli një trastë ushqime,
Dhe u shtri n’minder i vdekur.

Porse radio “Iliria”
Gjetë n’kazanat që trazonte,
Dha një gjamë se qeveria
Të dilte më nuk e lejonte.

Politikan, të raftë flama,
Kujtuam se t’kishim tonin,
Të dhamë votat jo për skama
Dhe në duar ta lamë timonin.

Unë jetoj me hedhurina
Dhe po s’dola do të vdes,
S’kam TV, as arturina,
Pra as dhjamë pa punë ta tres.

Unë e di, ndihma do sjellësh,
Do më shndrrosh në gjynahqar,
Domosdo, ti s’do të vjedhësh,
Se kush vjedh, i kemi parë!

Veç për ne ciganët hap shtigje,
Pash t’ madhin Baba Janus,
Kemi lindur e jetojmë pa ligje
E s’na zë asnjë virus!

Flejnë fëmijët, gruaja flë,
N’llamarinë breshëri kërcet,
“Iliria” s’ka më zë,
Vetmevedi veç ai flet…

16 prill 2020

BALADË CIGANE

Të qënë e të paqënë,
Të ngrënë e të pangrënë,
Herë pa baba, po me nënë,
Herë pa diell e pa hënë,
As liliput e as vigan,
Jam cigan!

E dua pranverën se më jep shpresë,
E dua verën, se s’do mbulesë,
Bistakë rrushi dua në vjeshtë,
Po jo dëborën që zbardh mbi kreshtë,
Se s’kam çati e as jorgan,
Se jam cigan!

Vdes për një vile rrushi
Se prej saj pikon rakia,
Po s’piva përditë jam askushi
Dhe si qen më zbon shoqëria,
Cigan mavria!

Jeta ime mjaltë-zeher,
Si hamall unë jam gorillë,
Shkarkoj një vagon sheqer
Me një copë bukë me shëllirë,
Jam zemërdlirë.

Po sa herë bosi më rrah páret
Në mejhane frymën e mbaj,
Ku një kuçkë me def çaparet
M’tund sa dimrin ma bën maj,
M’jep uzdajë.

Pa mbrritë n’ shtëpi më del Havaja,
Ish-dashnorja n’klasë të shtatë,
Me bythët topçe e cica t’mëdhaja,
Me burrë t’lodhun, hollak, të gjatë,
Cigan i ngratë!

I lë një teke e marr një kthesë,
I hedh nje dhjetshe e hyj n’shtëpi,
Por me fshesë në but të kresë,
Ma rras gruaja si stuhi,
O qen, shpirtzi!

Njëqind herë ta bëfsha nënën
M’shan kur bosh ma sheh kuletën,
E marr me të mirë, ia kam zënë anen,
Se unë me të e ngrysa jetën,
Po s’ha t’përpjetën.

I them nesër vjen treni tjetër,
Do t’shkarkoj plot dy vagona,
Njëqindmijshi nga bosi Pjetër
Dhe Amerika është e jona,
Shpirt, e jona!

Përpara saj jam burrë i pjerdhur,
Dal marr borxh, si t’bëja ndryshe?
Një kanistër gati në t’derdhur
Ku ka qumësht dallëndyshe,
Veç ta rreja!

Ia marrim këngës fëmijë e grua,
Fqinjët tej bëjnë gallatë,
Gurgullon jeta porsi një krua
Dhe kap ngadalë qiellin e shtatë,
Kështu përnatë!

Gazmend të tillë s’ka bosi Pjetër,
Ëndrra të frikshme sheh mbi miliona,
Ktë jetë s’e blen tregtar i vjetër
As dhe të japë njëqind vagona,
Jetë e ciganit s’njeh kurrë shtrat,
Liria e shpirti-njëqind karat!

Jam, po jam cigan,
As liliput e as vigan.

SAJESA
(Satirë)

Në bar ku pi kafe bota më ka parë,
Koviti lëshoi thirrje, iu bëra ushtar,
Kuptohet, vura maskë e dorezë,
Po klientela më shihte si dele të zezë.

Kolegëve në zyrë u thashë me elegancë,
T’largonim tavolinat, të mbanim distancë.
N’respekt të moshës, s’më thanë idiot,
Po vehten e ndjeva taman Don Kishot!

Njëri m’futi krahun, më ftoi për kafe,
E m’tha se Koviti s’ka punë me ne!

-Çfarë thua koleg, pra më merr për budalla,
Ka muaj që s’përqafi motër e vëlla!

-Unë s’çaj kokën, me nipër e me mbesa,
Se të gjitha çfarë thuhen, koleg, janë sajesa.

Po sa hyra në kafe, si tip sportiv,
Klitha me maskë: Miq, jam POZITIV!

Teshtita, kollita, kollita-teshtita,
U shndrrova në bombë, gjë tjetër nuk prita.

Vrikthi dolën jashtë trimat e kafesë,
Sa për t’u treguar se KOVI s’është sajesë.

27 Qershor 2020

TË DUA ME ZHURMË

Ecja përditë në të zhurmshmen rrugë
Po sot shoqëri më bën vetëm vetmia,
Një furrë që për lagjen prodhon bukë,
dielli që lindi dhe n’shpirt poezia.

As zogjtë ende nuk janë zgjuar,
Veç nga një dritare ndjej muzikë, Bahun,
Më shohin të kotur ca të ngujuar,
Mbase dhe një muezin që fal sabahun!

Rebelohem dhe vitet e thinjat tej i flak,
E thërras, hap dritaret kat më kat, o lagje,
Ta mposhtim këtë luftë pa krisma e gjak,
E ardhmëninë ta mbrujmë të gjithë në magje.

Ndizni radio, televizorë nga jugu në veri,
Thuaja këngës o lab, malësorë e qytetarë,
S’do ketë rubë të zezë për nënën Shqipëri
Dhe nga Luftë e Tretë do dalim fitimtarë!

Kjo rrugë e vetmisë e ka emrin Fitore,
Me flamurin e ngritur të gjithë në llogore!

Shkodër, 19 prill 2020