Nesër do të them mirëmëngjes

Ky vëllim, sjell para lexuesit me art e vërtetësi jetën e ditëve tona, zig-zaket e dy grupeve shoqërore: të maturantëve të një shkolle dhe të disa vagabondëve që bëjnë rolin e të fortit e përpiqen ta mbajnë peng qytetin. Duke qenë novelë e formës mozaik në pasqyrimin e këtyre realiteteve, autori ka dijtur të depërtojë në botën e brendshme shpirtërore të të rinjve. Autori Skender Temali, tashmë i njohur për trajtimin e temave të ditës e sidomos të fatit të intelektualit shqiptar në këtë periudhë të vështirë tranzicioni, përmes kësaj novele ka arritur të hedhë më shumë dritë tek e ardhmja, e përfaqësuar nga një grup vajzash dhe mësuesi i tyre-shkrimtar. Ata, kush më shumë e kush më pak, guxojnë t’i bëjnë sfidë grupit të vagabondëve, duke e prezantuar veten edhe si bij të së ardhmes. Linja e dashurisë, mes Odetës dhe Fisnikut, edhe pse fluide, është shpresë e dashuri më tepër për të nesërmen.