• Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • Mainbody Dark Theme
  • Mainbody Light Theme
  • Layout: 2 Left columns + Mainbody
  • Layout: Mainbody + 2 Right columns

UNË, BALLKANI DHE EUROPA

E-mail Print PDF

(Poemë )

Ballkani
Vullkani,
Homeri,
Skenderi,
Ylberi,
Shtërngata,
Dhe dita,
E nata,
Dhe kripa,
Dhe mjalta,
Dhe pena,
Dhe shpata!

Ballkani
Zhegani,
Stuhia, kallkani,
Fuçi e barotit
Dhe pika e lotit,
Gadishull pa ujë
E keqja e kërkujë,
E keqja e vetes,
Greminë e ndërgjegjes!

Qyq mbeta me shekuj
Tek portë e Europës,
Porsi muhaxhir
Unë biri i Shkodrës,
I lashtë
Sa ç’është
Çdo bir i Romës.

Për ty, Europë
Gjëmova n’beteja,
Se kur Azia
T’afrohej si reja,
Kur përtej detit
Do t’ishe ti  preja,
Mburojë t’u bëra,
T’mos binte n’ty ploja,
T’mos kishe at fat
Që pat dikur Troja!

Kush erdhi
Më la
T’zharitur,
T’përgjakur,
Po kurrë Europë
S’ma dha mua hakun!
Se haku është gjaku,
Është praku, oxhaku,
Është fisi, është lisi
Është bari dhe plisi,
Është Drini dhe Buna,
Qeleshja dhe guna,
Është A-ja
Dhe B-ja,
Dhe S-ja dhe Zh-ja,
Buzuku
De Rada,
Dhe pena
Dhe shpata!

Eca e eca
Mes territ
E natës
Në shekuj
Kryelartë
Mbi tehun e shpatës,
Në shkallë të mjerimit
Që s’njohën kurrë zbritje,
Me zjarret e ndezur
Në treqind kryengritje!

I mbrapshti Ballkan,
I miri Ballkan,
E keqja
E mira
Na mblojnë me jorgan,
Sa herë vehten çove
Në buzë të varrit
Kur kulmin e dogje
Me unat e zjarrit.

Në epin tënd
Pi ujë e gjithë bota,
Mbi djep të këndoi
Ninullë Evropa,
Edhe pse shpesh
T’ofroi këngn’ e vdekjes,
Se t’pau deri sot
Me syrin e njerkës!

Më ndau me vëllain,
Me vllain tim dardan,
Andej më ndau
Me vëllain tim çam,
Liqenin e Shkodrës
Ma ndau me shpatë,
M’i vrau agimet,
Më la vetëm natë!

Dhe shekujt vinin,
Dhe shekujt shkonin,
Kufinjtë kongreset
Si qentë m’i kafshonin,
Më mblonin n’barot,
S’më dilte kush zot,
Veç gishti i pushkës
E gryka e hutës!

Rrojta,
S’u shova,
Ashtu i përgjakur,
Me shpatë e me hutë,
Me flamur t’përflakur,
Një pllëmbë qiell
Një pllëmbë dhé,
I mbrojta
Me jetë
Se quhej atdhe!

U treta,
Por mbeta
N’shkëmbinjtë e thepisur,
Nga erërat, furtunat
Me gjoksin e grisur,
Me ftyrën nga deti
E kokën në male,
Me hutën e mbushur
E torbën me halle!

Që nga dardanët
E der’ nga Preveza,
Pesë shekuj qëndroi
Nanlokja n’të zeza,
Pesë shekuj,
O Zot,
Pesë shekuj n’zinxhirë,
Pesë shekuj pa dritë,
Pa ngrënë e pa pirë.

Kaptova sa shekuj,
U enda mbi dete,
M’u shprish gjak i arbrit
Në pesë kontinente,
Një ditë
Të bukur
Në jetë nuk e pashë,
Ku vllezër
E motra
Të mblidheshim bashkë.

Dhe eca e eca
E s’dija se ku,
Shpesh shkjau ma vuri
Dhe kokën në hu,
Fashisti, esesi,
Sovjeti,
E dreqi,
Dhe eca e eca
E mbrrita këtu!

Tek portë e Evropës
Kam ardhur, trokas,
Se jam europian
E ty të përkas,
Kam flakur tej torbën,
At torbë lypsari,
Hej, bëjini zë,
Ka ardhur shqiptari!

Po s’jam i vetëm,
Me plot
Shtatqind breza,
Na prin Skenderbeu,
Na prin Nënë Tereza,
Luftarë, shkenctarë,
Puntorë,
Shkrimtarë,
Me duart e bardha
E zemrën si ar.

Tek port’ e Evropës,
Tek portë
E shpisë sime,
Më presin
Më ftojnë
Të dritshmet agime,
Në brazdën e çelur
Me mijra mundime
T’pikojë
E të ndrijë
Dhe djersa e ime!

Kjo rrugë e Evropës
T’tatpjeta,
T’përpjeta,
kjo rrugë e Evropës
e shtrenjtë
sa jeta,
në shekuj e humba,
në shekuj e gjeta,
unë Arkimedi
që thirra
Eureka!

Trokas e trokas,
Në der’ të Evropës,
I lashtë sa ajo
Unë biri i Shkodrës,
Trokas
Edhe pres
T’ma çelin ktë portë,
Të rrjedh
Ashtu vrullshëm
Si gjaku n’aortë.

Nuk dua mëshirë,
Mëshirën s’e njoh,
Unë dua mëngjesin
Në sy që ta shoh,
Unë dua në udhë
Ku ecën im bir,
Far’ e urrejtjes
Kurrë të mos mbijë!

Jetoj n’ Europë,
Jetoj në Ballkan,
N’ktë tokë
Të stërlashtë
Që quhet atdhe,
Fuçinë e barotit
Që shekujt përgjaku,
E ruaj fort,
Ta çoj në muze.

Ballkan-djepi im,
Atdhe-varri im,
Ti s’shitesh
As blihesh
As ndahesh më dysh,
Tapi e përgjakur,
Me gjysh, katragjysh
Të dua pa pytur
Si edhe qysh.

Shqipëri e lashtë,
E lashtë sa bota,
Rrethuar me mite,
Stuhi edhe shqota,
Me rrënjë futur thellë
Ku nisin vargmalet,
Pranverën paç stinë,
Dhe shtrat paç petalet!


Shkodër, 2009

UNË,  BALLKANI  DHE EUROPA