Zë i përveçëm në poezinë shqipe moderne

Skënder Temali*

Gjysmë shekulli më parë, rrethi letrar i klubit të rinisë “Heronjtë e Vigut” vendosi të botojë almanakun “Shtigje të çeluna”, i cili pati vazhdimësi në disa vite. Numrin e parë si redaktorë e mora përsipër sëbashku me Hasan Lekën (Teriku), më pas atë e vazhdoi Hasani me përkushtim.

E si të mos e vazhdonte e të ndjente ngazëllim kur në këtë rreth bënin pjesë letrarë nga Shkodra e studentë të institutit pedagogjik 2 vjeçar nga e gjithë Shqipëria, mes të cilëve spikatën Skënder Rusi, Mehmet Gucia, Dodë Kaçaj, Arben Shehi, Agim Spahiu, Xhahid Bushati, Kujtim Dashi, Shyqyri Mollaj, Visar Zhiti, Mustafa Tukaj, Kolec Traboini, Burhan Kurti, Tonin Shtjefni, Alfred Çapaliku e sa e sa të tjerë, që në vitet e dekadat e ardhëshme do të çanin me sukses në rrugën e krijimtarisë me vëllimet e tyre në prozë e poezi, duke ecur hap më hap me letërsinë bashkëkohëse shqiptare.

Edhe një lexuesi të zakonshëm në korpusin e “Shtigjeve të çeluna” s’kishte se si të mos i binte në sy emri i Bedri Zenel Islamit, i cili me ciklet poetike që botoi, dëshmoi se talentin e tij letrar do ta farkëtonte në kudhrën e jetës, duke kërkuar në shtigjet e çeluna shtigje të reja, larg steriotipeve poetike, larg folklorizmave, duke bashkuar në një imazhin me mesazhin, liriken me epiken, dhimbjen me dashurinë. Herë me varg të lirë e herë të matur ai përcolli që në rininë e tij poetike ndjesi shpirtërore të mveshura me një tis filozofik e historik, që të linin gjurmë e të bënin të besoje se letrave shqipe po i  vinte një emër i përveçëm.

Ndofta u zgjata pak për të mbrritur aty ku dua: tek evoluimi i tij poetik, tek pjekuria e vargut dhe e mendimit, tek fjalori i pasur, tek depërtimi përmes fjalës e figurës në shpirtin e lexuesit. Këto risi u hasa tek dy vëllimit të Bedriut, botuar së fundmi: “Vetmi akujsh” dhe “Itaka e munguar”.

A është rastësi që për të dy këto vëllime me qindra poezi parathëniet i kanë bërë dy Mjeshtra të Mëdhenj, Moikom Zeqo e Petrit Ruka? Janë dy emra të ndritur të letërsisë e poezisë shqipe që s’e thonë një fjalë për një tjetër, që ata shok e mik s’kanë autorin e për shoqëri e miqësi t’ja thonë një fjalë mikluese e përkëdhelëse, por kanë mikeshë e mik fjalën e vargun e kur ato kanë peshë, e thonë, siç edhe e kanë thënë, me kompetencë e dashuri.

S’kam ndërmend të perifrazoj çfarë kanë thënë dy miqt e mi të penës, Moikomi e Petriti, por thjeshtë e vetëm kur poezitë e këtyre librave, në dorëshkrim, Bedriu m’i nisi përmes emailit disa muaj më parë, që t’i jepja ndonjë mendim e mbi të gjitha në ia vlenin apo jo t’i përfaqësonte në dy vëllime.

Thashë janë qindra poezi, që duan edhe kohën e tyre për të mos i kaluar në mënyrë sipërfaqësore. Të them të drejtën, me keqardhje, janë të pakët ata poetë e prozatorë sot që më imponohen e ndër ta ma krenari them se është edhe poeti Bedri Islami.

Po e shpërfill privatësinë time e të Bedriut në email-in që i dërgova si i lexova këto dy vëllime, ndaj meqë krijojnë një lidhje, po e lexoj fjalë për fjalë ashtu si ia dërgova muaj më parë:

“I dashur Bedri: Nuk më kishte ndodhur prej kohësh të mos shkëputesha nga një libër. Aq më shumë nga dy librat e tu në dorëshkrim. Me ndodhi sot. Duke i lexuar e ndjeva se kishte ardhur pranvera. Ma solli “Itaka” jote, Shkodra e munguar,  akujt që i shkrive me ngrohtësinë e vargut. Disa prej këtyre poezive i kisha lexuar e po ashtu edhe skicat, po i  rilexova dhe sërish më ngjalle emocione. Poezia jote, Bedri, ka shumë ndjenjë, shumë shpirt, shumë lirizëm, shumë mirënjohje, shumë dashuri, shumë brumë jete. Thuajse tek të gjitha gjeta bulëza filozofike. Në pjesën dërmuese ke lëvruar poezinë-mesazh, të cilën e kam pas hasur qysh heret në ciklet e tua poetike.

Ka kohë që në rrjetet sociale bëj selektime. S’i duroj dot do shkarrashkrues, që gjithçka mund të jenë, por jo poetë. Tashmë i njoh se kush di të shkruaj poezi. Mes tyre je edhe ti.

Një libër me poezi, edhe nëse ka që sa gishtat e dorës të mbetën në mendje e të lënë gjurmë e vragë në shpirt (edhe ata me pesimizëm të përkoshëm), them se ia ke arritur qëllimit. E ke kaluar këtë prak. Deti ka shumë perla, po ec e gjeji në guackat e tij.  Ti ato i ke gjetur te Nëna, te shtëpia, te Shkodra, tek Kosova jote, te halla, te mbesat, nga Montreali tek Shtutgardi, kudo ka poezi. Janë dy libra dhe kanë plot perla, që mund të shndrisin në gjerdanin e poezisë shqipe. Malli dhe dhimbja në të dy librat janë male që di t’i kapërcejë vetëm një hark ylberi poetik. Fytyra e dhimbjes dhe fytyra e gëzimit – baticë dhe zbaticë e jetës njerëzore. Dhe s’kishte se si të ndodhte ndryshe e nga shpirti yt të mos rridhte si ujëvarë, me thjeshtësinë që të karakterizon, historia e lavdishme e familjes heroike të Gjylbegajve në Shkodër, pinjoll i së cilës je, kjo e identifikuar dhe e paidentifikuar-shprehje e modestisë poetike, historia e lavdishme e Kosovës, ku ti qe një ndër themeluesit e udhëheqësit kryesorë të UÇK-së, Puka, ku uragani i letërsisë moderne shqipe, Migjeni, e përjetësoi babain tënd me figurën e Zenelit e të Lulit të Vocërr, të gjitha së toku, me kushedi sa të pathëna nga ana ime do i bëjnë librat e tu, Bedri që t’i rimarr herë pas here nga biblioteka ime personale për t’i lexuar e për të freskuar shpirtin.

Mbizotërimi i unit, si tek “Vetmi akujsh” e ashtu dhe tek “Itaka e munguar” është shparndarë te bashkëkohësia e kjo nuk është pak, por shprehje e një pjekurie poetike.

S’ke nevojë me të miklue, po ke arritë një nivel të admirueshëm të poezisë shqipe.

Të uroj suksese! Do ta shohësh se si do të pritesh e nëse do të konvergojnë edhe të tjerët me mendimet e mia. Më poshtë ke disa shënime që mbajta gjatë leximit”.

Ky ishte emaili që unë i nisa Bedriut përmes postës elektronike më 6 prill 2018, në ora 23, plot gjysmë viti më parë. Kur edhe ju, nëse i mirrni në dorë e i lexoni, kam bindjen se do të jeni në një mendje me mua, se Bedri Islami është zë i përveçëm në poezinë moderne shqiptare e kjo nuk është pak!

*Shkrimtar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *