Nga: SKËNDER TEMALI
Mbase jo të gjithë ju që po lexoni këtë shkrim e dini se në Europë jeton një qytet që lëviz mbi dy rrota: është Shkodra, një qytet verior në Shqipëri. Shumë i lashtë, sa daton XXV shekuj më parë. Ka qenë kryeqytet i mbretërisë ilire, por që kur lindi e u zhvillua, unë do të thosha, edhe kryeqytet i mrekullive natyrore: ka fusha, kodra e male, ka tre lumenj Drini, Buna e Kiri që i qëndrojnë si brerore. Kështjella me gurë ciklopik e që sundon tërë relievin, që nga bregdeti Adriatik e deri në Alpe, ka në “themel” një legjendë impresionuese të nënës që muroset në mënyrë që të mos shembet kurrë! Mbase këto burime natyrore patën shtuar në rrjedhë të shekujve edhe lakmitë e pushtuesve.
Por ne në këtë shkrim nuk do të merremi me aspektin historik e gjeografik, por dhe të asnjë fushe tjetër gjurmëlënëse; do u paraqesim një dukuri të rrallë, mbase dhe në Ballkan, pasi Shkodra është një qytet që lëviz mbi dy rrota. E kuptueshme tani për lexuesin, një qytet që lëviz mbi biçikletë, edhe falë faktit se ku ai popullohet është i sheshtë, 12 km i gjatë dhe rreth 6 km i gjerë, e kështu mjaft praktik për pedalim, aq sa jo pak kronistë, shkrimtarë e gazetarë e kanë quajtur atë “Qyteti i biçikletave”, një model i transportit ekologjik, sidomos tani kur mbi qytete nuk enden retë që sjellin shi, por retë e smogut që të asfiksojnë.
E ka kaluar shekullin që kur në Shkodër u pa të lëvizte rrugëve të saj, sa me kalldrëm e sa gjithë pluhur, një i huaj me një mjet që s’e kishte parë asnjë vendali i padalë jashtë shtetit. Kalendari fiksonte vitin 1907. Ai qe konsulli i nderit i Suedisë, ndaj edhe kush e dëgjoi, u dynd andej nga rruga kryesore ku ai lëvizte që ta shihte me sy atë mjet që ecte mbi dy rrota pa u tërhequr nga kafshët. Me kaq, kurioziteti u shua, po s’u shua lakmia për ta pasur një mjet të tillë udhëtimi dhe kush qe më i kamur e më i dalë jashtë Shqipërisë, nuk ngurroi të sillte biçikleta të markave të ndryshme, më së shumti italiane. Por në kuadrin historik na duhet të përmendim edhe një foto të dy burrave me biçikleta, të nxjerrë nga fototeka “Marubi” e vitit 1897, me veshje kombëtare shqiptare, por që nuk janë të evidentuar se kush janë për t’i dhënë më vërtetësi kohore asaj. Fillimisht biçikleta në qytetin tonë u quajt “Velisipet”, por edhe dyrrotullake.
Shkodra, ky qytet që besonte në tri fe: myslimane, katolike dhe ortodokse, Shkodra – kjo pioniere e thuajse të gjitha fushave të artit e të kulturës në Shqipëri, pati edhe anën tjetër të medaljes: gruaja qe e mënjanuar nga jeta e shoqërisë, fanatizmi bënte punën e tij, ndaj dhe një ditë, si pas një kushtrimi, qytetarët u dyndën sërish nga rruga kryesore ku po kalonte… një grua mbi biçikletë. Dhe ajo nuk qe shqiptare, por një grua e konsullatës austriake. Edhe pse biçikleta nuk kishte fituar “qytetarinë” e plotë, ajo po kuptohej sikur ishte krijuar enkas për këtë qytet, aq sa policia vendore që në vitin 1915 u pajis e nisi të pedalojë me biçikleta. Me shtimin e numrit të biçikletave, një grup qytetarësh shkodranë vendosën të krijojnë sportin e çiklizmit që në vitin 1920. Rrethi i parë çiklistik, që është edhe i treti në Europë për nga vjetërsia, pas Francës e Italisë, është organizuar pikërisht në qytetin tim. Ndaj dhe në vazhdimësi Shkodra ia ka dhënë tonin këtij sporti, aq sa jo vetëm të rriturit, por nuk ka fëmijë që të mos dijë të ngasë biçikletën. Duke pasur parasysh se deri në dekadat e para të shekullit XX shtëpitë shkodrane ishin një dhe dykatëshe e rrallë trekatëshe, se shumica prej tyre kishin oborre e haure, mundësia e mbajtjes dhe e lënies së biçikletave ishte e jashtëzakonshme. Ato erdhën nga viti në vit duke u shtuar, por si gjithnjë, deri në çlirimin e Shqipërisë nga nazifashistët më 29 nëntor 1944, biçikleta qe privilegj i burrave e djemve. U arrit deri atje sa të kishte dhe një “konkurrencë” se kush të kishte biçikletën më të bukur.
Zhvillimi i Shkodrës, krijimi i një zone industriale jashtë vijës së verdhë të qytetit, e bëri biçikletën një mjet pune të domosdoshëm, jo vetëm për burrat, por edhe për vajzat e për gratë, aq sa, në aneksin e stadiumit të qytetit e në fusha të periferisë shihje vazhdimisht me dhjetëra femra duke mësuar pedalimin në biçikletë.
Qe një kohë kur qarkullimi nga shtëpia në qendrën e punës nuk përballohej dot nga 2-3 autobusë urbanë, kur askush, veç pushtetarëve të lartë vendorë e qendrorë, nuk kishte mundësi të udhëtonin me vetura, biçikleta qe zgjidhja e vetme, edhe pse kërkesat në rritje nuk plotësoheshin dot nga importimi i tyre (fillimisht nga vendet e Lindjes e më pas nga Kina). Me biçikleta dilnin në punë mjekët e mësuesit, mjeshtrit e çirakët, inxhinierët e artistët, nëpunësit e ushtarakët, etj.
Nga fundi i viteve ’50 të shekullit të kaluar, kur Shkodra kishte kund rreth 60 000 banorë, ka të dhëna të plota se në qytet numëroheshin mbi 10 000 biçikleta. Ishte koha kur edhe biçikletat regjistroheshin dhe çdo qytetar, ndaj një pagese simbolike merrte një llamarinë me fushë të bardhë sa një celular mesatar ku kishte të stampuar numrin, që ishte i detyruar ta vendoste nën shalën e biçikletës. Pat njerëz të fiksuar pas numrave, aq sa në Shkodër dihej se violinisti Kolë Vjerdha kishte gjithnjë numrin 1, se Nazmi Mandia e Kel Temali qenë ndër të parët që pedalonin mbi biçikleta, se ai që e mbante “Bianchi-n” e tij edhe pse e përdorte prej disa vitesh si të kishte dalë atë ditë nga fabrika, se Faik Quku, instrumentist i njohur i ahengut shkodran, se Fadil Kruja e Ragip Curri qenë ndër të parët që futën në Shkodër biçikletën dyshe, se Mark Mirashi, sapo mori diplomën si kirurg bleu një “Mifa” e me të doli në pension, etj. Shkodra kishte më shumë se çdo qytet tjetër shqiptar reparte e dyqane të riparimit të biçikletave, pasi nevoja për to, edhe në kushtet kur jo të gjitha rrugët qenë të asfaltuara, qe e madhe. Janë të njohur në Shkodër mjeshtrit biçiklistë, si Qazim Damnori, vëllezërit Kallugjeri, Sadetin Ulqinaku, Enver Kosova e shumë të tjerë.
Një dekadë më pas, ndërmarrja e re e punimeve artistike, me afro 3 000 punëtore, kishte në sheshin para zyrave e reparteve çdo ditë mbi 1 000 biçikleta, ku vajzat e gratë shkodrane shkonin e dilnin nga puna.
Pas përmbysjes së sistemit të kaluar, në vitin 1991 e deri më sot nuk mund të themi se është e njëjta statistikë, edhe pse qyteti për nga ana demografike ka shënuar rritje të ndjeshme. Kjo për arsye se zona industriale që numëronte dhjetëra mijëra punëtorë u asfiksua dhe shumë ndërmarrje u mbyllën. E nëse deri dje qyteti ecte plotësisht mbi dy rrota, sot ai ndoshta në të njëjtat raporte ecën mbi katër rrota, mbi makina të markave të ndryshme, aq sa sidomos në rrugët kryesore veç në mesnatë mund të gjesh vend për parkim. Por gjithsesi, Shkodrës askush nga qytetet shqiptare nuk ka mundur t’ia heqë nga koka kurorën e kampiones së biçikletave. Sërish me mijëra të tilla qarkullojnë arterieve të tij. Autori i këtij shkrimi, aq i dashuruar pas zhvillimit e së resë, nuk ka bërë “kompromis” e as ka provuar të marrë patentën e makinës, pasi siç them sot me humor, “nuk kam ndërmend ta ndërroj “Benz”-in tim, që është një biçikletë e markës gjermane, as me “Benz”-in e vitit 2013!”. Të impresionon fakti që Jozef Zualleart, një njohës nga më të azhurnuarit e pedalimit me biçikleta në Europë, në një studim të vitit 2011 e dallon Shkodrën si qytet rekord në Shqipëri, madje në Europën Juglindore dhe atë Qendrore, me një përqindjeje të lartë pedalimi prej 29%. Ajo renditet mes qyteteve europiane të njohura për kulturën e lartë pedaluese, të tilla si: Bolzano, Ferrara, Fraiburg, qytetet e Vendeve të Ulëta dhe Vendeve Skandinave. Krijimi në Shkodër i një organizate jofitimprurëse, e quajtur ‘GO2’ [shko me 2 këmbë dhe mbi 2 rrota] me fokus lëvizjen urbane të qëndrueshme, ndër të parat në llojin e vet në Shqipëri dhe mbështetja që ajo ka gjetur nga pushtetarët vendorë e banorët, flasin se pedalimi me biçikleta do të fitojë terren e do të vijë duke e pasuruar përvojën e saj të hershme me elementë bashkëkohorë. Lëvizja e Shkodrës mbi dy rrota ka inspiruar edhe poetin Mehmet Gucia, lëvruesi i parë dhe më i suksesshmi i hajkut japonez në këtë qytet. Ai ka në dorëshkrim një vëllim me 100 hajke, kushtuar biçikletës në Shkodër. E për të shuar kureshtjen e lexuesve të këtij shkrimi, po sjellim dy hajke, njëra prej të cilave i kushtohet poetit më modern të shekullit të kaluar, Migjeni, i cili sa qe mësues në Vrakë, rrugën nga Shkodra në këtë fshat e kthim disa kilometra e bënte përditë me biçikletë: Përballë murlanit/Nuk ndalet biçikleta./Është Migjeni dhe: Shoh nga Rozafa/ Udhën nga valon Buna: Lumë biçikletash! Sot përditë e më shumë pranë institucioneve e ndërmarrjeve, ndanë pazareve, stadiumeve e fushave të sportit sheh jo me dhjetëra, por edhe me qindra biçikleta të parkuara; në ditët pa shi, me biçikleta, plot familje apo grupe shoqërore bëjnë ekskursione deri në Shirokë e Zues e tek Ura e Mesit, disa kilometra larg qendrës së qytetit. Dashuria për pedalimin mbi biçikletë u rrënjoset fëmijëve që të vegjël, aq sa kush është familjar, para biçikletës do të ketë edhe një kosh ku vë fëmijët e moshës 2-5 vjeç dhe me të shëtit rrugë më rrugë.
Sot në Shkodër ka disa markete ku shiten biçikleta të tipeve të ndryshme, por edhe pjesë këmbimi për to, ka një lëvizje sociale për të shtuar numrin e përdoruesve të biçikletave, aq sa u arrit deri atje sa të tërhiqej vëmendja e opinionit e në prefekturën e Shkodrës të organizohej simpoziumi i parë ndërkombëtar mbi lëvizjen e qëndrueshme, më tetor 2012. Por kjo lëvizje merr përmasë e kuptim të ri, kur që nga kryetari i bashkisë e deri tek presidenti i një firme, që nga deputeti e drejtori i gjimnazit, që nga nëpunësi e ushtaraku të shkojnë në zyrë me biçikletë, jo sa për të dalë në një foto. Pse jo, në një shesh kryesor, biçikletës t’i ngremë një monument, pasi ajo ka qenë bashkudhëtare e jetës që prej një shekulli e këndej e të mos mjaftohemi me vendosjen e një skeleti të saj në një rrethrrotullim të qytetit.
SKENDER TEMALI
Shkrimtar, Shkodër
FOTO Marubi, 1897 Shkodër
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb 12 Qershor 2013)