Vajza që nuk putha

lirika, satira, balada, kushtime nga Skënder Temali

“Vajza që nuk putha” i Skënder Temalit, botim i Shtëpisë Botuese “Fiorentia” në Shkodër, liston vëllimin e 20-të në prozë e poezi të këtij autori. Përmes 68 poezive (lirika, satira, kushtime) e 8 baladave, krijime origjinale të kohëve të fundit, ndjehet një shpirt i trazuar poeti, ku ka shtjella që nga rinia e deri në moshën e tretë.  Tek vargu i tij bashkëjeton peisazhi me mesazhin, pulson koha jonë me plus minuset e saj, përballë të cilave autori nuk qëndron indiferent, po mban qëndrimin e tij, si poet qytetar. Në poezi, ashtu dhe në balada, vargu mveshet me figura letrare gjurmëlënëse, rimar dhe leksik poetik të pasur.

Përveç lirikave, satirave e kushtimeve, sidomos ato për disa nga figurat qëndrore të letërsisë shqiptare e jo vetëm, si Skënder Drini, Dritëro Agolli, Rexhep Qose, Ali Podrima, Mentor Quku, Njegoshi, Moikom Zeqo tërheqin vëmendjen 8 baladat, një zhanër aq i parapëlqyer dikur e thuajse i harruar tani.

Please wait while flipbook is loading. For more related info, FAQs and issues please refer to documentation.

VAJZA QË NUK PUTHA

Sot, ngeshëm në vatër të pleqërisë
Me mashë të kujtimeve përpush gacat,
Përtrihem si dikur në pik të rinisë
Kur me një vështrim trazoja gjithë vajzat.

Ah, njëra, veç njëra s’ma vari fare,
Edhe pse më e bukura e vajzave nuk ish,
Po mua më dukej se qe si sorkadhe,
Që pas si langoi përhera më kish.

Për gjithë jetën për të m’u tha buza,
Si burimi në gusht u shterrova,
Dhe nëqoftëse në të ri plot vajza putha,
Veç atë që s’putha kurrë s’e harrova…!

2017

GËRSHETI

Me të në bankë qeshë në maturë,
Lëshonte mes gjinjve një gërshetë,
Veç korniza i mungonte si pikturë
Dhe si Motra Tone, mua m’jepte jetë!

Gjashtë orë mësim e gjashtë orë torturë,
Gjashtë orë mësim s’ia thosha një fjalë,
Aq sa babai i saj, zotni burrë,
Për mua kish thënë “xhevahir djalë”.

Por erdhi një ditë, kujtoj një të djele,
Dhe mua, “xhevahirit”, më doli kallaji,
E patën fejuar, shpërndanë karamele
Gjer të hënën në mëngjes s’më pushoi vaji.

U ul në bankë, futi duart në çantë,
As urime s’i thashë, bëra prap memecin,
“Merre, – tha, – për fejesën time të ngratë
për ty kam prerë e po t’dhuroj gërshetin!”.

Shtator, 2017

BEATRIÇJA

Beatriçe nuk pat veç Aligeri,
Një Beatriçe e ka gjithkush
Dhe për këdo është hark ylberi
Me spektër ngjyrash si askush.

Pa Beatriçen shkretëtirë je,
Se ajo mes dunash është oaz,
Me Beatriçen pleqëri s’ke
Po shpirti të gjallon si deti me tallaz.

Beatriçja ime, në gjunjë të bie
Se ti më mëkove gjithë jetën
Qumësht poezie!

Janar, 2018

ITAKA IME

Po i sillem globit si pelegrin
Si dikur Trojës nepër flakë,
Në llohë e shqotë e dallgës që përpin,
Por pa mbrritur kurrë në Itakë.

S’jam Odiseu i poemës homerike,
Po shtegtar me një trastë me vjersha,
Të mbushur me pikëllime e dashuri,
Me muzgjet që digjen nepër vjeshta.

Ku është Itaka? Më humbi si kometë.
Dhe çfarë jam unë? Orbita e saj.
Le të më quaj kushdo dhe të metë,
Veç vjershat t’më çelin bozhure në maj!

Vendlindja ime është Shqipëria,
Itaka ime është poezia!

Prill, 2016

QËNDRESË

N’kasollen time, në pranga të vetmisë,
Kur shtërngata rreh dritaren me kamxhik,
Ende pyes në prag të pleqërisë
Mos vehten time e pata armik?

Dimri i jetës e dini, është makth,
Bora në këtë stinë bjen e zezë,
Një pulë këndon si gjel mbi gardh,
Se pránë duhia aspak nuk ke shpresë.

S’u dhashë as do jepem prej llohës e erës,
Prej bishës së jetës me maskë t’Luçiferit,
Do ec e do ec në shtigje t’pranverës,
Me kokën lart, nën hark të ylberit!

Shtator, 2017

SHPIRTI NË ÇDO SHKRONJË

“Pa kokëçarje pata shkruar,
Jo për para, për frymëzim…”

Dita e sotme për mua është natë,
Sekondi ka jetë sa një xixëllonjë,
Nuk kris një pushkë e as feks një shpatë
Përderisa në letër nuk lind një shkronjë!

Ç’po ngjet me mua kështu nuk e di,
Aq sa lirika-mjelmë u bë buf,
N’qivurin e metaforave jam shtrirë
Dhe në kokë më këndon kukuvajka
Ku-ku, ku-ku Isuf!

Po më mirë kukuvajka në kokë t’më këndojë
Se sa për lekë ta shes
Shpirtin në çdo shkronjë!

Tetor, 2017

KRENAR!

Si krenar Danteja më la në Purgator
Po as dje, as sot s’e kuptoj dënimin,
E pse të mos jem krenar
Kur për fjalën e lirë bie dëshmor
Dhe natën përbuz e dua agimin?!

Si të mos ndjehem krenar kur me djersë të ballit
Fisi im gur pas guri ngriti një kështjellë,
Se ua dhashë dorën njerëzve n’greminë të hallit
Edhe pse koha më hodhi në një hon më të thellë?!

Kushdo që shkon në parajsë t’më shkelin pa u ndalë,
Veç n’ferr të mbeten kuislingë, vrasës, diktatorë,
Ata që i rrëshqitën giotinës porsi ngjalë,
Gjithë soj-sorollopi i tyre shkërdhatorë!

Pse të mos jem krenar që “Puthjet” dikur botova,
Kur çdo filmi puthjeve u këputeshin sekuencat,
Jo se më trimi nga të gjithë u tregova,
E s’pyeta as fare për konseguencat!

Le t’jem përjetë banor i Purgatorit,
Pra as engjëll, as mestar e as dreq,
Krenar se në deje më rrjedh gjak arbënori,
Krenar se në jetë askujt s’i bëra keq!

E di, krenar jam e krenar do të vdes
Dhe tjetër fat në jetë unë nuk pres!

11 qershor 2016

POET QYTETAR

Kurrë nuk këndova maje plehu si gjel,
E dija se kish të tjerë që këndonin më mirë se unë,
Natyrisht, nuk qeshë rebel
Dhe si zgalem nuk çaja në furtunë.

S’qëndrova në bisht asnjëherë,
Por as në mes,
Mesin e urreja,
Mposhta dimra jete, luftova për pranverë
Duke çarë mes reve ashtu si çan rrufeja!

Natyrisht dhe shumë plagë mora,
Më rodhi gjak e s’u gjunjëzova
Si mund t’më gjunjëzonin ca hora
Që hosona s’u bëra e vrik u çova.

Kuptohet, s’jam hero legjendar,
E ngrita zërin kur të tjerët bënin memecin,
Thjesht se jam poet qytetar
Dhe poetët qytetarë e di, në këmbë vdesin!

8 maj 2016

EKUILIBRIST

Një jetë në tel kam ecur si Ali Xhixha
Pa m’bërë syri tërr se do rrëzohesha,
Po asnjë sekondë nuk më mposhti frika,
I bindur, sërish në këmbë do çohesha!

Eca mbi tel në llohë dhe në shi,
Furtuna që frynte s’ma humbte ekuilibrin,
Tek porta e pritjes nëna në shtëpi,
Lutej dhe për mua e jepte shpirtin!

Le ta mësojnë të gjithë se pas vitesh epike
Ekuilibristi Ali Xhixha isha unë,
Që eca jo mbi tel, po mbi një teh thike
Në llohën e kohës, në shi e në furtunë!

12 korrik 2016

KOHË TJETËR…

Bëra një prapësi, më dha një shpullë babai atbotë,
Unë ula kokën dhe i putha dorën,
Ai u rënqeth, i shkuan lotë
Futi dorën në qostek dhe më fali orën.

Një proçkë bëri im nip tani, i zura veshin pak,
Ndërsa ai kapi telefonin, njoftoi në polici,
Erdh policia dhe që “krimit” tim t’i vinte kapak,
Më dënoi me kusht: të shkruaja një poezi!…

Po kujt t’ia kushtoj atë: ndjestë pastë, babait,
Nipit të kohës apo sot gjysh qerratait?!…

Prill, 2016

DUA TË MBES

Kur pleqëria të kap për veshi,
S’ke përse habitesh, o njeri,
Vjen dimri i jetës, vish shtat leshi,
Shpejt mund të vdesësh, s’je perendi!

Thashë mund, jo do të vdesësh,
Do të trokasë vdekja, lëre pas derës,
Korracën mbi gjoks të veshësh,
Endur me petalet e pranverës.

Le të trokasë, të trokasë, të trokasë,
Ti ktheje përgjigje:”S’jam në shtëpi!”,
Prap le të trokasë e të këlthasë
Gjersa të besojë se ti je perendi.

Dhe kur të ikë, një pash nxirrja gjuhën,
Tallja, veç tallja vdekjen e vdes,
Vetëm atëhere e ke fituar luftën
Dhe mbi Olimp të jetës gjëmo: Do të mbes!

Prill, 2017

ÇFARË SHOH?

Unë shoh atë që s’e sheh askush,
Kam parë diellin të lindë nga Perëndimi,
Një sheik cullak mes dimrit rus,
Dasma ku këndoheshin këngë trishtimi.

Se nëqoftëse do të shihja
Çfarë shohin të tjerë,
S’do isha as më shumë,
As më pak
Poeti më i pavlerë!

19 maj 2016

KURRË!

Nuk është mjegull, por pulëbardhë
Ajo që krahët shtrin mbi liqen,
Dhe nga që s’ka një degë shelgu
Në supin tim folenë e gjen.

Si pushon pak, ngrihet përsëri
Duke klithur si falnderim,
Ç’kënaqësi t’mos ulet një korb i zi
Kurrë, kurrë në shpirtin tim!

Maj, 2017

MISTERI

Misteri është zoti im:
Ngrë kokën nga qielli: Mister,
Shoh njerëzit për rreth: Mister,
Dua ta shoh të nesërmen: Mister!

Po jeta?
Një kupë me mjaltë dhe zeher!

Këtë kupë gjatë jetës e pi
Kushdo i thotë vehtes: NJERI!

Shkurt, 2017

ATË QË DUA

Më ndodh shpesh,
Nuk arrij atë që dua,
Qoftë se në kopësht më harliset shtogu
Dhe s’më japin frute një mollë a ftua.

Më ndodh shpesh,
Ato që s’dua më mbrrijnë peshqesh,
Në vend të pulbardhave korbat më vijnë
Dhe në supe të jetës
Krra-krra më krrakëllijnë!

Një herë më erdh një tufë mjelma,
Po u tha liqeni e ikën butësisht,
Jetova dhe pse rrahje s’kish zemra
E ato që desha më ikën sërish!

O Zot! Ç’mëkat kam bërë, a s’më thua
Që s’arrij kurrë atë që dua!?

Tetor, 2017

NJË KOKËRR MISRI

Një kokrre misri t’i ngrëmë çdo ditë një vjershë,
Të isha skulptor do i ngrija dhe monument,
Rrethuar me petale djerse verë e vjeshtë
Dhe një plis dheu të fortë për bazament.

Mëkat për poetët, për të shkruajnë rrallë,
Mbase frigohen se do të quhen poet-fshatar,
Po a s’është ajo kokërr misri që na mba gjallë
Dhe mbi shpatulla planetin mbarë?

16 prill 2016

TOPONIMI

Çerek shekulli më parë, kur qeshë mësues,
Pranë shkollës ra motosega n’ahishta,
Po unë si dashnor i mjedisit gjelbrues
Me nxënës ne nesre mbolla njëqind pisha.

Askush s’më lavdëroi, s’më dhanë dekoratë,
Qoftë s’më dhanë as fletë nderit,
Po për çudi, me pishat mori jetë
Toponimi “Pylli i mësues Skenderit”.

Kaluan vite, kaluan dekada
N’një përvjetor shkolla
Më ftoi të marr pjesë,
Po veç motosegës dhe spata
Kish bërë që për pyllin
Të thonin: “Pastë ndjesë!…”.

Më respektuan si mësues veteran,
Më ftuan në podium të nderit,
Po tek shkoja të zija karriken
Më dukej se shkelja mbi toponimin
“Pylli i mësues Skenderit!”.

2017

LAJKATARI

Më lahet, më lyhet,
M’fërkon e më lpihet,
Sa zili ia kanë
Të gjitha lesbiket!

S’kam ndot nga një ndyç,
Mbase s’ka sapun,
S’duroj dot njeriun
Të bëhet majmun!

Ah, lajkatar,
Të shoh, nuk jam qorr,
Të mbështyj në surrat,
Të shtyp dhe si morr.

Më mirë kushdo
Kur m’del përballë,
Se ninull t’më shndrrohet
Prej teje çdo fjalë!

Specia e jote
Krupën më ngjallë,
Tek t’shoh baltovinash
Të rrshqasësh si ngjalë.

E si shumohesh
Kudo në planet,
Të shuhesh fare
Diagnoza s’tu gjet.

O Zot, ardhtë një ditë
Për fare u shofsh,
Në Had, veç në Had,
Atje mbretërofsh!

21 shkurt 2016

DEMONËT

Ti më thua se jam yll
Unë të përgjigjem nuk ndriçoj,
Po ti s’ha që nuk ka pykë
Dhe më ngulesh me çapoj.

Unë, nga të gjithë frymorët
Kam urryer llustraxhinjtë,
Se ata janë demonët
Nga demonët, më të këqinjtë!

2017

SHKARRASHKRUES

Një lejlek që ha në pjatë
Do të mbetet krejt barkthatë,
Don Koshit me shakuj t’verës
Me krahë si mullinjtë e erës!

Si lejlekë mendjelehtë
Njoh përditë ca poetucë,
Që e mbushin një gazetë
Edhe pse janë shkarrashkrues.

Plot lajthitje poetike
Kokëposhtë e kthejnë imazhin,
Po krijime krejt komike
Ku n’qivur fusin mesazhin.

Zot i madh-poet ndriçues
Bëji “zap” kta sharlatanë,
Këta mostra shkarrashkrues
Që gjithçka veç poetë s’janë!

14 mars 2017

ROBOTËT

Pasi bënë shkëlqyeshëm të famshmen piruetë,
Një ditë shumë askushë u gdhinë deputetë.

Më tej, tek “Flugeri”, universiteti me namë
Mësuan ta kalonin dhe detin në kambë.

Lavjerës këndej, lavjerës andej
Një fushë betejë trojanë dhe akej!

Robotë të po-së, robotë të jo-së,
Ku kallam hyn e del porsi dosë.

Për popull rreh gjoksin, i thua je zot,
Dhe sa ta jep votën, i thua idiot!

Në flamurin tuaj të bërë zhele-zhele
Unë shoh kokën time që do at’ kapele!

2016

FRIKË

Mes pyllit të frikës unë ec i vetmuar
Në shtigje ku ecin veç bishat,
Ndërkohë që dëbora e zezë ka mbuluar,
Gëmushat, lisat dhe pishat.

Askund një kasollë, askund jo një dritë,
Veç frika si ujk që dhëmbët skërmitë.

Por jo, jo kurrë s’do të kthem pas
Derisa frikën në zemër ta vras!

Shkurt, 2016

EKONOMI TREGU

-Satirë-
Më trokiti porta e shtëpisë
Dhe natyrisht dola që ta hap,
I thashë të urdhëronte komshisë
Një biznesmeni sa një zdap.

Nuk pyetet pse ka ardhur miku,
E qerasa me kafe e raki,
-E di, tha, m’ka vdekur baxhanaku
E dua t’mi thurësh një poezi.

Një shuk euro la mbi tavolinë,
I bindur se kështu paguante hakun,
Unë nën gjuhë futa trinitinë,
Se hor-horit e pat ai baxhanakun.

I thashë qetë, dëgjo o babush,
S’e paske njohur aspak komshinë,
Mua deri më sot s’më ka blerë askush,
As ky shuk me euro s’ma ble dot poezinë.

Sigurisht t’ia thoja e pata pak pisk,
Po pata kurajo, e pashë mu në sy,
Ai qetë më tha “nuk i pate rrisk
Se gjej më të mirë njëqind si ty!”

Dy fjalë të tjera m’tha kur e përcolla,
Deri tek prak i derës zdap-komshinë,
“Po shkoj, tha, tek poeti Dul Berxolla,
Me poezi për t’vdekur ai ka bërë shtëpinë!”

Janar, 2018

GUACKA QË S’DUA

Mbesat e mia mbledhin shumë guacka deti,
I mbledhin dhe m’i bëjnë mua dhuratë,
Dhuratë të tillë s’ka marrë as mbreti:
Se me guackat më vijnë mijëra dallgë,
Klithjet e pulëbardhave e prendimet e zjarrtë,
Më vijnë nimfat, sirenat, yll’ i detit më vjen,
Amforat me gjuhën e tyre të padeshifrueme,
Duke çarë dallgët edhe unë bëhem zgalem
Mes mijëra stërkalash në perla të shndrrueme.

Shtator, 2018

DRITARET I LË HAPUR

Dritaret e shtëpisë i lë gjithnjë hapur
Se i kyçur si mund të end poezinë?
Le të hyjnë dallandyshet e jetës
Me cicërimat fole të thurin simfoninë.

Mirë se erdhët dallandyshe, arkitekte gëzimi,
Që fole ngritët në qosh të shtratit tim,
S’çaj kokën se gruas i çthuret arredimi,
Se foletë tuaja kanë emrin frymëzim!

Dyer e dritare lë hapur pranverë, verë
Dhe pse vjeshtë-dimër kam miq të frymëzimit,
Me shira e shtërngata ju trembin ju përherë
Dhe u tregojnë rrugën e mërgimit.

Oh, ç’më bëni o stinë kështu, pse?
Pse cicërimat m’i bëni shtegtare,
Mbase s’do gjejnë një poet atje
Dhe as të hapur të gjejnë një dritare!

2018

KUR KRASITNI…

Duke krasitur, një hardhi
Ajo zu të qajë me pika loti:
“Po çfarë më bëre, o njeri
Që më shkurton ç’më fali Zoti?!”

Nuk di, po dhe mua më shkuan lotë,
Lotë që buronin nga dhëmbshuria,
Se një dorë vrastare në këtë botë
Më kishte krasitur dhe vitet e mia!

O vëllezër, para se të krasitni
Pse-të
Dhe vetëm pse-të
Në ndihmë i thërritni!

1 mars 2016

UNAZA

Ndër mashtrimet më të mëdha të njerëzimit
Është unaza,
vargoi i gishtit,
Por as më shumë e as më pak
Dhe rrena e shpirtit!

Jo miliona,
Por miliarda burra e gra,
Sa s’kanë të numëruar
Me unazat e arta në gisht
Njëri-tjetrin kanë tradhtuar.

Nuk kam unazë,
Diku në rrangallat e shtëpisë e kam flakur,
Si dje i ri
Edhe sot që jam plakur!

Thjeshtë askund në trup e dua një prangë,
Se dhe me unazë
S’ka shpirt që s’ka një dangë…

10 mars 2016

ATË DITË

Atë ditë kur të mos shkruaj më,
Qoftë mbrëmje,
muzg
apo agim,
Ejani dhe më hidhni një lule artificiale mbi varr,
Edhe pse ai s’do të ketë emër
E do të jetë:
Anonim!

Atë ditë që s’do të dashuroj më
Ejani dhe më hidhni sa të mundni
Ferra të kanaleve tek varri, përherë,
Dhe në përvjetorin e parë të ditëvdekjes sime
Ato do të jenë shumfishuar
Mijëra herë.

Po atëherë do të jetë vonë,
Shumë vonë,
Dimrin e jetës ta kthej në pranverë,
Për të kuptuar ç’ka s’kuptova
Se jeta
Jetohet vetëm një herë!

30 Korrik 2016, në 70-vjetorin tim

DËSHIRË

Kam dëshirë të vdes në pranverë,
Mundësisht në muajin maj,
Një dëshirë të shprehur kaherë
Dhe që atë ditë askush të mos qajë.

Do ngrihem vetë e të derdh lotë:
Nëse s’e lashë një varg të më mbajë gjallë,
Se jeta ime në këtë botë paska qenë
“Na ish…”, si çdo përrallë…

2 prill 2016

MË MIRË SE ASGJË…

Nëqoftëse e ke kokën me morra
Mos bli krehër të imët
Po qethu tullë,
Dhe kur të ngrihesh nga karrika e berberit
Prano një të dalshin me shëndet
Dhe një shpullë.

Nëqoftëse një jetë ke ecur kuturu
Dhe s’ke lënë qoftë edhe një gjurmë,
Duhet të kuptosh çka s’kuptove
Se ç’se ke lindur ke fjetur gjumë…

Mars, 2016

GJUMË

-Satirë-
Gjumë, gjumë, vetëm gjumë
Sepse gjumi të rrit shumë,
As do libra, as do punë,
Vetëm gjumë, gjumë, gjumë.

Le t’këndojë sa të dojë gjeli,
Ai në gjumë ngelet se ngelet,
Ndaj o burra, hymn madhshtor
T’ngremë që sot për dembelët!!!

2016, mars

KUR TË VDES…

-Satirë-
Kur sytë të mbylli,
Në arkivol, më fusni, me radhë,
Gjithë librat që nuk i lexova,
Një penë dhe një fletë të bardhë.

Mos harroni më fusni sërish:
Pushkinin,
Sadiun,
Shekspirin,
Gëten,
Eseninin,
E mbase më jep dritë në atë terr
Dhe Danteja i madh, me Ferr!

Kolegë të sotëm të më sillni në varr?!
Bëni ç’të doni, i dua a s’i dua,
Se kë s’do marr
Do klithë:
“Idioti, përse s’më mori dhe mua?!”

3 maj 2016

SURRATI I DREJTËSISË

-Satirë-
Bollëk në tavolinë
Ku ka dhe qumësht dallndyshe,
Rreth saj shpirtëra të zbrazur,
Si mund të ishte ndryshe?!

Gangsterë-milionerë,
Që firmë hedhin me gisht,
Sot bëjnë bé për Muhamet,
E nesër bëjnë për Krisht!

Mes tyre krekoset një gjyqtar,
Një prokuror atij i rri përbri,
Nga seanca për djalin e Nelit kanë dalë
Ku dhanë më të shenjtën “drejtësi”!

Rreth tyre sot sillet e sillet bota,
Po dje? Dje ishin hollë sa s’ka,
E po kështu është shkruar të sillet rrota,
Bie t’flesh mbi rrecka, zgjohesh mbi para.

Po zbardh agimi pak nga pak,
S’ka zot që ata t’i ndali,
Flë kamarieri, mbi banak,
Bosh prej orësh është lokali.

Dikur i thrrasin, kërkojnë faturën,
Nga gjumi zgjohet kamarieri,
Gjyqtari kinse sheh në mur pikturën,
Prokurori bën sikur portofolin do nxjerri!

Dhe kamarieri vjen e flet si bëlbak,
Me sytë përdhe si gjynahqar,
“Zotërinj, tavolinën tuaj e pagoi ka pak
Babai i Nelit…që dy vetë ka vrarë!!!”

Më la dhe dhe dy palë çelësa,
N’pallat nga një kat,
E ka mbuluar djersa
Ka frikë se aq e pat.

“Unë dua katin e dytë thotë prokurori,
Gjyqtari, kuptohet, katin e tretë e mori.

O njerëz, ju besoj këta i njihni,
Ktë skortë, ktë prokuror e ktë gjyqtar,
Në e daçi vehten, mos bëni se s’i shihni
Ata që shtetin e tërheqin zvarrë!

Janar, 2018

UDHËKRYQ

Ecim, po në ç’rrugë s’e di,
As se ku mbrrijmë s’e di,
Injoranca shitet si mënçuri,
Dhe dituria flë,
Siç flë në dimër një ari.

Unë i hutuar
Në udhëkryqe rri e pres,
Në këmbë më zë gjumi
Dhe kryesorja
Në vend mbes!

Dhe vetëm atëhere e kuptoj se po vdes!

Më 9 maj 2016

KOHË E PARADOKSEVE

-Satirë-
Nga që prej kohësh
Në qytetin tim s’qeshte një njeri,
Teatri vendosi
Të ngjiste në skenë një…tragjedi.

Para se të hapej perdja
Një zë femëror qante me oi-oi,
Po sërish në sallën plot
Nuk qeshi asnjë njeri.

Atëhere në vend të oi-oisë
Lëshuan një zë burrëror si piskamë
Tragjedinë, kuptohet
E shndrruan në dramë.

Sërish heshtje mortore nga salla,
Hej, bërtitën spektatorët,
Boll me këto përralla!!!

Atëhere regjisori e ktheu në komedi
O Zot,
Në sallë s’mbet pa qarë asnjë njeri!

S’kish më shami për të fshirë lotët
Edhe pse thonë se asnjëherë
Nuk lotojnë robotët!!!

10 maj 2016

KOMPROMIS!!!

Në mejhanet bregut të lumit gjithë zgjyrë,
Me kuçkat në prehër ai bënte orgji,
Gënjente këdo se punonte në zyrë
Dhe kish forcë të zgjidhte çdo hall në bashki.

S’bënte xhiro bosh, tendera milonësh mori,
Si pak kush me një hap e kapërcente batakun,
Askush s’guxonte t’i thoshte hor-hori
Kur dilte në xhiro dhe me kryebashkiakun!

Tani më thoni, mos vallë ai u bë pis
Se dhe me kryebashkiakun botën e gjezdis?!

11 maj 2016

RUBIN

Nga që jeta më ka buzëqeshur pak
Më ikën lirikat si mjelmat, aq larg,
Tash as puthje ka, as drithërima,
Veç zhul të jetës çdo natë nën vetëtima.

Po dhe në zhul të kohës do e gjej një rubin,
Si e gjeti liriku i botës “Letrën e nënës”,
Duke pritur shtigjesh një agim,
Shkujdesur si gjithnjë mbi krahë të të pathënës!

13 maj 2016

PIROMAN

A quhem piroman se vehtes zjarrin ia vë
Në natën sterrë njerëzve t’u bëhem pishtar?!
Sigurisht që për këtë ideal jetën e lë
Si n’Komunë të Parisit e la çdo komunar!

S’kam rrjedhur ende,
Qeshë në ëndërr,
Piromanë të tillë
S’gjen sot një në zhgjëndër!

Prill, 2017

URREJ SE DASHUROJ

Jam i pastër se nuk urrej!?
Jo,
Po u gënjej!
Urrej ata që urrejnë,
“Miqtë” që kur je në zgrip të jetës
Shpinën ta kthejnë,
Llafollogët që kur u do puna hiqen memecë,
Kriminelët
Që pasi vrasin kërkojnë ndjesë!!!

Nëqoftëse nuk urren ç’është për t’u urryer
O miku im,
Kurrë s’ke për të dashuruar!

15 maj, 2016

NË DREJTIM TË PADITUR…

-Satirë-
Meqë s’arritën të më vidhnin në shtëpi,
Më vodhën plot figura nga një poezi.

Edhe pse që i ri e gjer u bëra burrë
S’kisha bërë denoncime kurrë,
Trokita me një frymë në portë të drejtësisë,
Po qeshën e më thanë “ktheu nga je nisë”!

Atëhere s’më mbet tjetër, provova në polici,
Më dëgjuan dhe thanë po pyesim n’ministri!

Dhe përgjigja erdhi, s’vonoi një dekikë
“Thirrnia psikologun, poetit lirik!”

Atëhere e kuptova se ç’tha ministria:
“Këtu po na vidhet e gjithë Shqipëria
Dhe n’drejtim t’paditur ka ikur…ndershmëria!”

28 maj 2016

PËR FJALËN E LIRË

Saramango qe ateist dhe i majtë
I besoi Fjalës e shpirtit të njeriut,
Për të s’ekzistonin engjëjt as djajtë,
Dhe në jetën tokësore pat fatin e qiriut:

Po më mirë për Fjalën e lirë të shkrihesh
Se sa si kukuth një jetë e të mos ndihesh!

Maj, 2017

GJELBËRIMI I JETËS

Mes dallgëve të gjelbërimit u mbyta,
Vesa e gjetheve më shndriste në çdo shkronjë,
A jam në Parajsë, vehten e pyeta,
Dhe gjelbërimi ma ktheu: Jo, je në Bolonjë!

Si krahë shqipesh tundnin krahët pishat
Kur në një stol pranë një plaku me libër u ula,
Edhe të pushoja, se do shkoja te shtatë kishat,
Mos u ngjitsha, do bëja foto në dy kulla!

Në granilet mes kolonash, drejt në një vijë
Komuna kish shkruar: viti dymijë,
Pra Bolonja ka njëzet shekuj në erën e re,
Ne jemi më të hershëm, po sot si jemi ne!?

Kur u ktheva në Shkodër
Më mbyti vala e trishtimit,
Pishës-shqiponjë përballë shtëpisë, në kodër,
I kishte rënë sopata e pastrim-gjelbërimit!

S’e mposhta atë dallgë, s’e mposhta atë tallaz,
Një pishë e prerë me çoi një shekull pas!

Eh, si jemi kështu ne shqiptarët,
Më të vjetër se bolonjezët në trojet tona të ngulur,
Po jemi mësuar, që kohë pas kohe,
Të presim degën e pemës ku jemi ulur!

Bolonjë-Shkodër, fillim qershori, 2016

“AGJËRIMI” IM

Se ç’është agjërimi fort mirë e di,
Mbase më mirë se çdo njeri
Dhe si kali i egër që s’i duron frerët,
Agjërimin e kam të veçantë,
S’e kam si të tjerët:

Pesë ditët e para s’kaloj një kafshatë,
Pesë ditët e dyta ha veç bukë thatë,
Pesë ditët e treta ha hoje me mjaltë,
Pesë ditët e tjera një pikë ujë nuk pi,
Haram ditët e pesta, verë dhe raki,
Dhe e prish agjërimin, pesë ditë me dashuri!

4 qershor 2016

MIQ DHE ARMIQ

Armiq m’u krijuan gjithë jetën.
Arsyeja?
Se në sy u thashë të vërtetën.

Po më mirë të kisha të tillë “armiq”
Se sa me shumicë miq për fiq!

Kujt i bëra nder
S’ia kërkova borxhin kurrë
Se ndryshe
S’kisha fytyrë
Të quhesha burrë!

Këndej armiq,
Andej një kosh me miq,
Po askush prej tyre nuk doli lakuriq.

Sidoqoftë,
Mosmirënjohjen për ndaraxhinjtë vehtes s’ia fali,
Quhem:
Skender Temali!…

15 qershor 2016

SHPIRTI

Kur në xhep kam plot para
Kcej si gjeli tra mbi tra,
Por kur xhepi mbetet bosh
S’ka as tra e as kaposh!

Sigurisht kjo ka një bazë,
Siç kam dashtë unë kah mot,
Shpirti xhepit t’mos i ngjasë,
Por ta kem gjithmonë plot!

17 qershor 2016

PARADOKS

Flas se s’mund të hesht,
Mokra e dhëmbëve bluan turli fjalësh,
Fjalë që s’i mba një elefant e jo një plesht,
Që shpesh shpërthejnë në bomba skandalesh!

Flas se s’mund të hesht,
Heshtja kushton shtrenjtë, fjala është krejt lirë,
Por edhe pse e tillë
Shpesh është e ëmbël si shëllirë!…

Të hesht e kam të vështirë!

2017

ARMIKU I HOTELEVE

I urrej hotelet,
Çarçafët ku një natë më parë fjeti një kriminel,
Më i sukseshmi drogmen
Edhe pse e shoh: çarçafi është i larë,
Këllefi i jastekut,
Mbulesa e dyshekut,
Megjithatë kur aty flë,
Shpesh gjumi natën më del
Dhe më fanitet vehtja-
Drogmen e kriminel.

Ndaj dhe vendosa,
Një natë u bëra burrë,
Mora vendim n’hotele t’mos flë kurrë!

Do bëj një prokçë sa policia të më rrasë në paraburgim,
Ose nën një urë do flë gjer në agim,
Mes njerëzve të rrugës, të larë e të palarë,
Pranë një zjarri ku bie një kitarrë.

S’ka ç’më duhet hoteli me ajr të kondicionuar,
Me pesë yje,
Le t’më quajnë endacak e kokëshkretë,
Do flë mbi bar në male e pyje
Ku n’vend të hoteleve zogjtë kanë foletë!

9 korrik 2016

KOPJAC I KOHËS

Kam qenë kopjac gjimnazist,
Fallsifikova dhe një biletë teatri,
Tentova të bëhesha imazhinist,
Po ç’e do, askund s’më eci fati!

Atëherë vendosa të ec në rrugë të jetës,
Të ecja në rrugët ku s’kish ecur askush,
Për dreq u bëra kopjac i së vërtetës
Si dje i ri e sot që jam dikush.

Se të jesh kopjac i së vërtetës
S’ke bërë gjë tjetër
Por shoqërisë ia zgjate vitet jetës!

12 korrik 2016

TOKA DHE QIELLI IM

Mrëmë piva një kafe në Pragë,
Sot mbi Tiranë, në Xibrakë,
Njerëzit ishin njëlloj, si ngado,
Toka dhe qielli njëlloj,
Me të vetmin ndryshim:
S’kishte si toka dhe qielli im!

Xibrakë, nëntor 2018

FUNERAL

-Satirë-
Pasi hapa agjensinë funerale,
Arkivolët kërkonin një risi,
Kërkonin diçka të re, origjinale,
Që të mos e kish asnjë agjensi.

Ngaqë urimin e parë ma bëri një artist,
N’agjenci vura tabelen: “Për njerëzit e artit”,
Më erdh një poet, një dramaturg e peizazhist,
Gjysmë të vdekur të ngritur prej shtratit.

Arkivolet qenë ndryshe, askund të parë,
Për poetët rrethuar nga metaforat, similitudat,
Pentagrame e shkumë birre për këngtarë,
Për aktorët gërmova tek batutat.

Ngaqë vetë ndonjë varg zhgarravisja,
Vendosa për artistët çmimet t’i zbrisja,
Për kritikët bëra përjashtim,
Falas do varroseshin nga funerali im!

Po çuditërisht asnjë kritik nuk vdiq,
Qe specie në zhdukje e një për bé nuk kish!!!

14 korrik 2016

MISRA TË PJEKUR

Shet misra të pjekur në plazh përditë,
Skelet i gjallë, i denjë për kadavër,
Dielli dhe tafti i qymyrit e përzhitë,
Edhe pse detin e ka tek këmbët, afër.

S’durova dot më, nga shezlongu vrik ngrihem,
Misra blej edhe pse asnjërin nuk e ha,
Atij i shndrisin sytë, unë në shpirt përtrihem
Edhe pse fort mirë e di se do mbetet fukara!

E deti flë. E dini çdo të thotë kur flë deti,
Më së paku, në shpirtin tim një vragë,
Se kur kreshtë dallgësh s’bëhet poeti,
Nuk quhet det ai det që nuk ka dallgë!

Shëngjin, 13 korrik 2016

ZIFT

Ky që në rrugë po kalon
Dje ka qenë komunist,
Ndërsa ai xháxhi që çepon
E ka pasë gjyshin fashist.

Kjo që tund vithet-putanë,
Ai në bordurë-fajdexhi,
Kjo shitësja s’di ke ka nanë,
Më fliste një thashethemexhi.

Sapo qemë njohur, as emrin s’ia dija,
As nëse besonte në hoxhë a në prift,
Po deshët që emrin atij t’ia vija
Do e pagëzoja me emrin: Zift!

18 korrik 2016

DILEMË

Një pulbardhë në shpirt,
Si gjithë pulbardhat jam unë,
E pres zgalemin mbi valë lozanjare,
Po ai s’vjen,
Do furtunë…

25 korrik 2016

TUNGJATËJETA VJESHTË!

Vjeshtë tungjatëjeta,
Vjeshtë, moj biondinë,
Mos i përze zogjtë,
T’marrin arratinë!

Vjeshtë, vijnë retë,
Mbi supe të rrijnë,
Tek arat dhe vreshtat
Në pazar po vijnë.

Sot dhe vogëlushët
Ja, shkojnë në shkollë,
Ti u fal një dardhë,
Një kumbull, një mollë.

Mes gjethesh që bien
Muzgun e kam parë,
E kam pritë mëngjesin
N’Theth nën një ujvarë!

E harrova vajzën
Që më ndriti jetën,
Se u dashurova
Marrëzisht me vjeshtën!

Vjeshtë tungjatëjeta,
Vjeshtë, moj biondinë,
Dashuritë për ty
Ikin edhe vijnë!

Veç unë si poet
Rob i yti mbeta,
Bashkë me urimin:
Vjeshtë tungjatë jeta!

1971-2016

MEDET!…

-Satirë-
Shkruan, shkruan pa pushim
Nga mesnata në agim,
Herë prozë, herë poezi,
Po s’e ç’janë as vetë s’e di!

S’di me shtëpi ku rri metrika,
Vargu i lirë fare s’e di,
Se në gjumë flë kritika,
Ndaj mbret vehten ndjen ai.

Domosdo dhe shumë lodhet,
Shtrihet n’shpinë që të çlodhet,
Vehten pa ia nda lexon,
N’qiell t’shtatë fluturon!

Vaj medet për këta mundqarë,
Vaj medet për këta krijues,
Sot ka t’tillë më shumë “shkrimtarë”
Se ç’ka patur dje lexues!!!

2018

URIM PËR DITËLINDJEN

(Satirë)
Më uruan për ditëlindje nga anë e anës,
Kuptohet me celular,
Veç e veç,
Që nga Amerika e n’zemër të Tiranës:
“Profo,
U bëfsh 100 vjeç!”.

Sikur urimi i tyre të zinte vend
I takonte të jetoj
Dhe tridhjetë vite,
Ma mbuloi shpirtin një gazmend,
Shekulli më dukej larg,
Mijëra vite drite!

Po dikur, si u lodh celulari së rëni,
M’u dukën krejt pak dhe tridhjetë vite,
O dashamirë,
Një urim tjetër a s’gjeni,
Që nga ana kuptimore të jetë më praktike?!

Pse s’më uruat: “Rrofsh e qofsh,
Dhe sa të rrofsh,
Poezi krijofsh
Vetëm kështu mes nesh do të rrosh!”

2 gusht 2016

SIZMOGRAF

Ra vedi e ma kputi shpirtin – shprehje popullore shkodrane
satirë
Ju mendoni se quhem Skënder Temali kah mot,
Herë lirik, herë i sertë, herë çelik e herë kaf,
Në gjendjen civile kush e shkroi emrin tim qe idiot
Se unë kam lindur me emrin Sizmograf!!!!

Nëntor, 2018

BASHKISË DHE BASHKIAKËVE

Edhe pse për vendlindjen
Një shekull shkrova,
Një fjalë të ëmbël nuk ma thatë,
Kur ndonjë laskeri titullin qytetar nderi
Ia vutë në gjoks
Si dekoratë.

“S’kaloj para bashkisë”,
Më tha një humorist,
“Se të kaloj para saj më kap tmerri,
Do dalë kryetari e të më kapë prej krahu
E të më japë titullin:
Qytetar nderi”!

E unë kaloj përditë para bashkisë
Dhe asnjë ashkël vehtes nuk ia heq,
Krenarë shetis në pedonalen e re,
Mbi një punë të mirë të bërë keq!

Më besoni:
Në të kur ecën nuk çepon njerëzia,
Me gjithë punët e saj topallon bashkia!

29 shkurt 2016

Balada

KUR BOTOVA TË PARËN BALADË

Dekada më parë botova një baladë,
Qava me lotë nga gëzimi,
Kur me të dytën pësova “disfatë”
Mësova se vëllai i gëzimit qe trishtimi.

Shkrova të tretën, kërkova të tjera shtigje,
Nxitova me postë ta nis,
Si mandatë më erdhi një përgjigje:
“Shkruaj dhjetë balada e nëntë i gris,
Personazhet e tua janë veç silueta
Shkurt, djalosh, në to mungon jeta!”

S’lashë libër pa lexuar e rrugë pa kaluar,
Kryq e tërthyer vendit i rashë,
Më njohën qytetet e katundet,
Vetëm atëhere e pashë
Sitën që ndante miellin nga krundet!

1972-2016

CIGANKA

S’qe Tanusha, bij’ e krajlit,
As sorkadhe zbrit’ prej malit,
Hën’ e plotë në mes të natës
M’u shfaq vajza e kurbatkës
Sa m’i luajti mendt e kresë
Léjla, kjo panter’ e zezë!

N’një rrasë guri rrobat lante,
Her’ këndonte e her’ qante,
I këndonte dashurisë,
I vajtonte varfërisë,
Këndo e qaj, qaj e laj,
Herë janar e herë maj!

Jetë e saj si çdo cigan
Herë puhiz e herë tufan,
Pa themele të një shtëpie,
Përplasur si zog stuhie,
Vilë mbi vilë një sharabajkë,
Léjla, Léjla moj kurbatkë.

Léjla, Léjla, Léjla, Léjla,
Sy jeshilja, kaçurrelja,
Seç u çmenda prapa saj,
Si ajo: këndoj e qaj!

Dhe një ditë, si çmos kurrë,
I dal para, bëhem burrë,
“O moj Léjla, Léjla, Léjla,
Ka një javë pas teje ngela,
Ma ke ngritur zemrën peshë,
Robi yt jam, o princeshë!

Moj cigankë, si yll drite
Jetën time seç ma ndrite,
Ç’ma rrëmbeve dashurinë,
sy jeshilja si rudinë,
M’le pa gjumë e më harbove,
Re puplore n’qiell m’ çove.

N’vend të shtratit bërë me thupra
Të afroj një shtrat me pupla,
N’vend t’karrocës shtegëtare
Një “Ferrari” shigjetare,
Për ty krejt do zbras kuletën
Sa n’avione ta çosh jetën”.

Por ti qesh e qesh me mua:
“Më gënjen kur m’thua t’dua,
Në më daç, vjen në breg lumi
N’krahë të mij të të zërë gjumi.
Gjithë ç’ofrove s’vlejnë sa unë,
Se ku linda do të vdes,
S’rron zgalemi pa furtunë,
Tjetër fat në jetë s’pres!
Se n’kaçore kam jaranin,
Një xhambaz e trim me fletë,
Ku me arna kam jorganin
Po nën të parajsën vetë!
Prandaj ik, o çun qyteti,
Çup’ mamaje shko e gjej,
Se të ishe dhe djalë mbreti
Me xhambazin s’të këmbej!”

Léjla, Léjla, Léjla, Léjla,
Rob i yti qeshë e ngela!

Prill, 2016

ZGJIDHJA

Në mejhanen nxirë nga bloza
Me një grup shokësh ai pi,
U shërben një grua sa dosa
Verë nga shakujt dhe raki.

Askush këtu nuk ta qan hallin,
Halle s’ka ku ka orgji,
Po s’u toçe të gjithë tallen
Me biberon të mkojnë si fmi.

Vjen çengia, në prehër t’ulet,
N’lug të gjinjve eurot zbresin,
E dredh belin e t’përkulet
Gjer ta zbrazësh të gjithë “thesin”.

Vjen një çast, aromë e saj
Një lëndinë në botë s’e ka,
Ajo dimrin ia bën maj,
Merr hua përmbi hua!

Gjoksi shpejt i bëhet furrë,
Po s’ka zot ta mposhtë çenginë,
“Hajde!”, e josh, “në qofsh burrë,
Hidh prap euro, m’a mbush gjinë”.

Në jelekun një përçik
Ka zbërthyer dhe dy sumblla,
Gjinjtë e saj dalin açik
Dhe mes tyre nja dy kumblla!

Që t’ia hajë, ai e hap gojën
Po s’i zë, është bërë xurxull,
Çengia e vazhdon lojën,
E zbërthen dhe t’fundmen sumbull.

Para sysh i fanitet gruaja,
Duke klithur sa më s’ka,
“Mjaft lërove n’toka t’huaja,
Duam t’hamë, na jep para!”

Hap e mbyll t’shkretat qepalla
Ajo shfaqet edhe ikën,
Si dikur zanat në prralla,
Kur n’prehër ka Amerikën.

Dhe një dhjetshe merr hua,
Nesër lan pesëmbëdhjetë,
N’gjinj t’çengisë erë ftua
Fluturon si zog mbi retë.

Është shkurt, po shkunden plakat,
Po në shpirt ka flakadan,
Mejhana rrah fort shuplakat:
“Def, je njish, askush s’të ngjan!”

Ia shformojn’ emrin në Def
Shokët si ai të bërë tapë,
“Kemi ardhur këtu për qejf,
Qejfin kemi nënë e babë”

Vjen pronari, hap defterin,
Dhe dy gota shpejt i mbush,
Ia peshojnë shokët karakterin,
“A je Defi a askush?!”

N’prehër më s’i vjen çengia,
Se n’lug t’gjinjve euro s’ka,
Në defter prrua rakia,
E bën pasha përmbi pasha!

Xhepat bosh e bëjnë esëll,
S’ka çengi, nuk ka as shokë,
Që borxhin ta laj ai nesër,
Do shesë ç’ka e t’mbesë trokë!

S’qëndron n’këmbë, pronari vjen,
Hedh n’defter firmë me gisht,
“Tash shko n’shpi, more legen,
Def, ke qenë e mbete n’bisht!”

“O, s’jam Defi, jam Defteri,
Jam Defteri në pijetore,
Jam defter te bukëpjekësi,
Me defter dhe në rrojtore”.

S’mbeti kush pa e rruar,
E rroi koha – punë nuk ka,
Me kanaçe t’grumbulluara
Me bukë thatë familjen mba.

Po shkon n’shpi, po gjeti shtëpinë,
Duke hequr këmbët zvarrë,
Lamtumirë t’i thotë varfërisë:
Do ta lërë gruan me barrë!!!

HASAN RIZA PASHA

Dita që të solli
E zezë, e martë,
Ajo që t’përcolli
Qe ditë e artë.

Gjysmë hëna yte
Ish në të prenduar,
Agimi shqiptar
Sapo kish aguar.

Ç’mendon në kala
O Hasan Riza?
Të qëndroj si burrat,
Me Shkodrën kala!

Malazeztë me topa
Gjuajnë ledhet tona,
Klithin porsi bisha
“Shkodra është e jona!”.

Vijnë edhe serbët
Se i thirri gjaku,
Shkodra shekullore
Vdekjen ka tek praku.

Po në prush tek zjarri
Masha zbulon gaca,
Me dor’ të tradhtisë
T’vritet Hasan Pasha.

Shkodranë dhe turq
S’ lshojnë istikamet,
Për lirinë kanë bashkë
Pashkët dhe bajramet.

Që nga Gjuhadoli
N’Ndocej a Dërgut,
Ecën arkivoli,
Andej një tabut.

Po kjo Shkodër locja
Një traditë e ka,
Nuk bie në gjunjë
O Hasan Pasha!

Deri n’kupë të qiellit,
Shkodra ndrit e shndrit,
Nuk ka një konak
Pa dhënë një shehit.

Ndaj valiu Hasan
Një mendim e ka,
Flamujt turk-shqiptar,
T’ngrihen mbi kala!

Qytetarë, malcorë
Kjo seç i ngrë peshë
Do bien therorë
Burra e hyjneshë.

Po dor’ e tradhtisë
Të qëlloi pas shpine,
Hero i Shqipërisë
Dhe i Shkodrës sime!

…Dita që ti erdhe
E zezë, e martë,
Por shekulli kaloi,
Mbete yll i zjarrtë!

Ndaj Shkodra t’ka n’zemër,
Lapidar të ka,
Mbrojtja të dha emër
O Hasan Pasha!

20 prill 2016

MBRETI I RIMËS

-Mbi motive të Ndre Mjedës-

Mbi tryezë, n’letra përpushë,
Mbi mbulesën reda-reda,
N’odë tue ndejë me nji arushë,
Nji andërr po gdhend Ndre Mjeda.

Jashtë kadalë nata zbret,
Yjet ulen mbi parvaz,
Cicrojnë zogjt në pyllin mbret
Sa pa ra rob në kafaz.

Bashkë me yjet paska zbritë
Edhe Tringa, bujt’ tu Zoja,
Mbase Zogen për ta pritë
Me fjal’ t’ambla që qet goja.

Si agimi seç shprazë shendi,
Kur kërthini lot në djep,
Kur pingron mes rrezesh shpendi,
Tek natyra qesh cep m’cep.

Sillen n’odë micat e dacat,
I fërkohen nepër kambë,
Lokja n’votër përpushë gacat,
Tue lutë morden nepër dhambë.

Luej o Ndre, thotë vetmevedi,
Bota ka kso andrrash plot,
Ka katundi e qyteti,
Jeta asht gaz e lot.

Ka që flenë e ka që s’flenë,
Shko dhe ti se erdh mesnata,
Hidhe tej atë dreq penë,
Boll na tjerre kso makllata.

Mirë e di, ora ka ngelë,
Mërdhin pak, s’ka mbetë nji gacë,
Por n’tryezë ka mbetë nji perlë,
Perla mbetet në guackë.

Asht nji andërr, o Ndre Mjeda,
Që veç Ti jetë i ke dhanë,
Asht nji hymn ç’asht e vërteta,
“Dy qershija lidh m’nji rrfanë”.

Lidh n’nji rrfanë, në t’shkreten nanë,
Ku n’nji bulë kërthini qeshet,
Po shpraz dita për matanë
Me pranverë Ndre Mjeda veshet.

Derdhen prrenjtë, shkëlqejnë currila,
Nji qen larg leh në katund,
Çdo pranverë ka shumë bilbila,
Po si Mjeda s’ka askund!

Përmbi Kukël rrezja bjen,
Tue i dhanë jetë bimës,
Por nji rreze aty gjen,
Ndre Mjedën, Mbretin e Rimës!

OH, Ç’MË BËRE, NATALI!

“Fort të desha, lirë të shita…”
-Nga një këngë ahengxhinjsh-

N’një mejhane ku s’ka gra
Unë po pi një gotë raki,
Fitova një thes para,
Se një thes të shita ty,
Natali, Natali!

Eks nga t’gjithë ktu kthehet gota,
Nuk është burrë kush duhan s’pi,
Jashtë rreh shiu e fryn shqota,
Tek unë pi një gotë mërzi,
Natali, Natali!

Dallga rreh klubin në shkallë,
Shpirti im shfren si furtuna,
Më kuptojnë, se s’janë të marrë,
M’qasen pranë katër burra,
Më ofrojnë një gotë raki,
Natali, Natali!

Unë në hon të shpirtit zbres,
S’ka ç’më duhen kto para,
Burrat mbajnë sytë në thes,
Dhe zgërdhihen ha-ha-ha,
Me kto pare që ke ti
T’sjellim njëqind Natali!

Kur të kisha nuk të çmova,
Si pulbardhë ike ti,
Shkoi gomonja, u pendova,
Më mbet shpirti, zift i zi,
Natali, Natali!

Me thas n’shpinë dal nga klubi
Dhe nga ura n’ujë e flak,
U rrek pak e mandej humbi
Unë u ndjeva dhe më plak,
Ike larg në Itali
Natali, Natali!

QIELLI I PUTHJES

Vijnë pulbardhat dallgë-dallgë
Ulen tek burimi,
Aty pari vjen një vashë
I çoi fjalë trimi.

Vijnë pulbardhat edhe ulen,
Ulen mbi një degë,
Po ka turp, ka shum’ turp vasha,
Skuqet porsi shegë.

Klithin dhe sikur i thonë
Dhe ne çifte jemi,
Le të puthemi gjithmonë,
Qiell puthjen kemi.

Do vijë trimi që ta marrë,
N’krahë ta sjellë si shtregull,
Mandej me afsh do ta puthë
Si gjithnjë nën pjergull.

I rreh zemra, ia njeh hapin,
Fëshfërinë pylli,
Seç i ndrin shtegu i ballit
Si ndrin natën ylli.

Puthja jonë, o pulbardha,
Yll mëngjesi mbeti,
Një burim tjetër kërkoni,
Tej u pret ju deti!

E sheh djalin duke ardhë
Zjarr ftyra prej skuqjes,
Bëhet dhe ajo pulbardhë
N’qiellin e puthjes!

Ç’THA POSEIDONI

Vijnë dallgët valë-valë,
Pulëbardhat kanë për vela,
Kridhen n’to një vajzë e djalë
Në të shtuna dhe të djela.

Nimfë s’qe, po nimfë prej reshë,
Shkrihej krejt n’krahë të djalit,
Dhe në fund, një dorë kesh
Lekë a euro merr prej hallit.

Qanin pishat e bregdetit,
Lot n’qerpikë të halave,
Qanin dhe yjet e detit
Gjithë vajzat e valëve!

Një të shtunë ato nuk erdhën,
Pyesnin dallgët vallë pse,
Dhe rrufetë heshtat derdhën
Një këtu e një atje.

Pritën dallgët, prita unë,
Pritën pas reve rrufetë,
N’vend të çiftit erdh furtunë,
Dhe zgalema përmbi detë.

Poseidon, ty trafikanti
Të rrëshqiti, valët thanë,
Djali vajzën rrugës ia shiti,
Për një grusht eurosh matanë!!!

Poseidon, në qofsh prap mbret,
Rri vëzhgo, ai prap do kthehet,
Ngrija mal dallgët në det,
Një vajzë tjetër mos t’rrëmbehet!

Qeshet, ngryset, Poseidoni,
Everest u bë dhe deti,
“Ktë mua mos ma kërkoni,
Se mbret n’tokë është pushteti”.

KUSHTIME

SHKODRËS SIME

Kam dalë buzë liqenit pa zbardhë
Tek agu nga malet po zbret,
Varg më shndrrohet çdo pulbardhë
Dhe në shpirt e ndjej vehten poet.

Liqeni i Shkodrës është djepi im,
Jastek kam Taraboshin, Ruminë,
Për ninull jaret, kto arie n’shkëlqim
Dhe nanëloken, Rozafen, mëmsinë!

A ka kund në botë më t’pasur se unë,
Me liqe, me lumenj e me detë,
Me flamur t’shpalosur në luftra-furtunë,
Me fusha e male me kokën tek retë!?

O Shkodër, të falem, në gjunjë të bie,
Kaq pak kam bërë për ty në dekada,
Qytet hijërandë, me nur perendie,
Në jetë të jetës mbi ty mos raftë nata!

Tetor, 2018

TIM VËLLAI, BEQIRIT

-Me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta-

Më mungojnë petalet e pranverës,
Muzgjet e vjeshtës,
Puhiza e detit në ditët e verës,
Flokët e dëborës e shkulmet e erës,
Në vargje të mia ka kohë që për ta vend s’ka,
Do më mungojnë gjatë,
Se më mungon ti, vëlla!

Vesa e mëngjesit nga buzëqeshja yte shndriste,
Zili ta kish shtatin dhe trungu i lisit,
Bilbil-goja jote, veç tinguj t’ëmbël qiste,
Shkodra të njohu si ndera e fisit!

Vij shpesh aty ku prehesh, me përmallim,
Pranë një qiparisi që shpejt do marrë jetë,
Edhe pse e dij,
Ti nuk je aty,
Por nga Parajsa ngrohtë më përshëndetë!

Fundkorriku, 2017

PLANETI I LODHUR

Kushtuar shokut tim, Skender Drini
në 3 vjetorin e ndarjes nga jeta

Planeti i lodhur ra të flerë
Me kokën mbështetë në një vegim,
Ylli i mëngjesit ende s’kish lerë
Tek ai planet që s’pat kurrë gëzim.

Qe i lodhur nga pesha e jetës
Edhe pse qe gjysmë perendi,
Barti gurin e Sifizit të së vërtetës
Se e vërteta rron në përjetësi!

Thonë kështu, ashtu, çfarë s’thonë
Liliputët e dashakeqësisë,
Sa të dojë le të bjerë kjo kumonë
Se planeti flë në shtrat të pavdeksisë!

Në kozmosin letrar ka vendin e tij,
Njerëzor, i sertë, luftëtar antivlere,
I rrëmbyeshëm si Drini përshkon një shqiptari
Skender Drini i jetës pa ylbere!

DRITËRO AGOLLIT

Drita e mëngjesit i tha je imi, të dua,
Është yni thotë bari, një gjeth,
Një jele kali, një kumbull, një ftua,
Një katarakt që si lirika rrjedh!

Je imi, thotë bujku tek thyen tokën në arë,
Një puthje që për beben hedh farë,
Një poet me fletorken e parë,
Një veteran që e heq këmbën zvarrë.

Dritëronë ma morën të gjithë
E ai këtë fort mbase nuk e dëshiron,
Por një tungjatë jeta
Nga liriku i shekullit mua më mjafton!

13 tetor 2016

TË ISHA…

-Rexhep Qoses, në 80-vjetorin e lindjes-

Të isha mëngjes
Do të çoja një tubë rreze,
Të isha mesditë,
Diellin do të çoja, o vëlla,
Të isha natë,
Një grusht yje do të çoja unë ty!

Ti je mëngjesi
Edhe mesdita,
Edhe nata qëndisur me yje.

Të isha nënë,
Fëmijën do ta vija në prehër, për kumbarë,
Të isha dhëndër
Ty do të çoja krushk të parë,
Të isha çetë luftëtarësh
Ty do të caktoja flamurtar!

Ti je edhe ninull
Edhe gaz,
Edhe fitore!

Të isha mbret
Do të thoja: na skeptrin, mbretëro,
Të isha poet,
Do të thoja: na lirën, këndo,
Të isha shqiponjë
Ty do të thoja: është yti qielli, fluturo!

Shkodër, 4 prill 1999-25 qershor 2016

HAMALLI I MENGJESEVE

-Ali Podrimës-
Kush qënka ky, moj loke,
Që vika kështu me gjithë malet mbi supe,
Me gjithë malet e me gjithë hallet,
Me yje, me stuhi e me rrufe,
Ky hamall me mëngjese e miliarda pikla vese,
I paepur si lis,
I brishtë si bima,
A mos është moj loke, Ali Podrima?

E njoha në Shkodër, në vitet shtatëdhjetë,
Unë letrar i ri e ai poet!

Shtetitëm në pijacë, si dy anonimë,
Unë që s’dija ç’isha e ai vetëtimë.

Shkuan kaq vite, vite e dekada,
Herë na mbuloi drita,
Herë na ngrysi nata.

Po Ali Podrimën nuk e zuri gjumi,
Profka se ai shterri
N’shtratin e një lumi.

E kërkoi Lumi a e kërkoi Lumin,
Dashuroi Kosovën,
Po e urreu gjumin!

Dhe sa herë në letrat shqipe shkrepin vetëtima,
Shikoni se si na shfaqet ai,
Ali Podrima!!

Prill 1999-qershor 2016

LAMTUMIRË, PROFESOR!

Kushtuar Mentor Qukut, shterruesit
të jetës e veprës së Ndre Mjedës

Heshti dhe bilbili i Mjedës,
Tani kafaz për të do jetë një varr publik,
Po gjithnjë do më shfaqet si bukuri e mjelmës
Mësuesi im i gjimnazit që e pata dhe mik!

E pata mësues, na quante shokë
Gjithë djemtë që ishim në një klasë,
Natyrisht ai s’e kish vendin në tokë,
Prandaj dhe iku e prehet në parajsë!…

Lamtumirë mësuesi im, miku im!

Shkodër, 31 maj 2014

TE NJEGOSHI

Në qendër të Cetinës në Mal të Zi
Është një pus i vjetër, pa ujë, krejt bosh,
Më tej, nën freskun e çinarëve,
Shtëpia-muze e të madhit Njegosh.

Është vapë, kam etje, dua të pi,
Po ku ka ujë të freskët aty afër s’e di,
Këmbët me çojnë drejt muzeut të Njegoshit,
Besoj do shuaj etjen me poezitë e tij!

Cetinë, qershor 2018

RIMAR PËR MOIKOM ZEQON

Moikom,
Metaforë,
Moikom,
Nënujorë,
Palimpest dhe amforë,
Moikom
Në Alpet e letrave shqipe:
Mal me borë!

2018

LAMTUMIRË, GUERRINO!

-Burrit të motrës, Guerrino Stanzani-

Sot në varreza përcolla një mik,
Ai bolonjez e unë shqiptar,
Që të dy Danten-shok të pandarë!

Si deshe jetove, si deshe dhe shkove,
Në ditën e fundit të pranverës
Miku i im, kompjuterit, uiskit dhe verës!

S’të këndoi prift tek koka,
S’ranë për ty as kambanat,
Më erdh keq mes tjerash
Se lamë të pathënat…

Bolonjë, varreza Certoza, 31 maj 2016