Të pathënat
Poezi nga Skënder Temali
Pas “Metamorfozës së inxhinier Brunos”, autori Temali po brënda vitit 2016 paraqitet para lexuesit me vëllimin poetik “Të pathënat”. Ka gjithsejt 75 poezi. Është i ndarë në dy kapituj “Dialog me kohën” dhe “Dialog me vetveten”, çka na lë të kuptojmë se përmes tyre do të rrezatojë koha që jetojmë dhe përthyerjet e saj në unin poetik. Në ballinën e dytë të këtij vëllimi ka dhe disa konsiderata të personaliteve të fushave të ndryshme të krijimtarisë, nga Veriu në Jug të Shqipërisë, të cilët e kanë ndjekur në vijimësi krijimtarinë e poetit e që shërbejnë edhe si sintezë e poezisë së tij. Mjeshtri i Madh, Fadil Kraja (Shkodër), shkruan: “Vargje që të duket se gurgullojnë. Poezia e Skender Temalit i ka brënda të katër stinët, por më shumë lulëzon pranvera dhe besimi i thekur i autorit tek virtyti, mirësia, jeta”. Ndërsa tregimtari i njohur Shefqet Tigani (Vlorë), mes tjerash deklaron se “Libri yt me poezi ishte një befasi e mrekullueshme…”, ndërsa dr. Agim Nelaj (Sarandë) se “Poezia juaj është ujëvarë që rrjedh lirshëm”.
Ky vëllim është pritur mjaft mirë nga lexuesit dhe studiues e kritikë letrarë kanë botuar në organe të ndryshme shtypi, duke vënë në dukje vlerat dhe origjinalitetin e tij.
Please wait while flipbook is loading. For more related info, FAQs and issues please refer to documentation.
Dialog me vetvehten
JAM 17 VJEÇAR
Jam a s’jam poet
S’e mora vesh kurrë,
As shtatmbëdhjetë vjeçar,
As sot që jam burrë!
Shtatëmbëdhjetë e nisa,
Shtatëdhjetë po mbush,
Por si poezia
S’më përpush askush!
Dreq o punë si vete,
Krejt fëmijë mbeta,
I thinjur mbi vargje,
Bosh për nga kuleta!
As vilë kam n’bregdet,
As veturë të thjeshtë,
Shpirtin e kam det,
Krenarinë si kreshtë!
Në guackë të shpirtit
Perlën e mbaj fshehur,
Pa pirë, përmbi vargje,
ndjehem krejt i dehur!
Kush tha jam shtatdhjetë,
Jam plot shtatmëdhjetë,
Shtatmëdhjetë vargu
Do më mbajë përjetë!
2016
SHKRUAJ E GRIS
Para s’kam humbur kurrë,
Thjeshtë se për të humbur nuk kisha,
E as për t’i grisur,
Se i marrë nuk isha.
Po pse më thonin të gjithë,
Gruaja, fëmijët, një fis:
Këtij vëri përpara një letër
E pas pak e gris!
Atëhere po u flas më konkretisht:
Si do blesh këpucë të reja
Nëse ato që ke mbathur s’i prish?
Shkrova gjysmë shekulli,
E çfarë s’shkrova
Për njerëzit, puthjet,
Të dashurit që prehen nën qiparisa,
Dhe nga që kërkoja të pathënën
Një mal me letra e grisa!
2016