Shtëpia pa pasqyra

tregime nga Skënder Temali


Please wait while flipbook is loading. For more related info, FAQs and issues please refer to documentation.

Në vëllimin me tregime “Shtëpia pa pasqyra” autori Skender Temali vijon sërish të trajtojë temën e preferuar të tij, atë të intelektualit dhe të shoqërisë shqiptare në këtë periudhë tranzicioni të pa cak. Një inxhinier dhe një shkrimtar, në tregimet “Metamorfoza” dhe “Ftesa”, tregojnë se si kushtet ekonomike dhe ato sociale ndikojnë në shprishjen e në ngritjen e konstruksionit shpirtëror të njeriut, në përgjithësi, dhe të intelektualit shqiptar, në veçanti. Në tregimet e tjera, autori ka ardhur duke e zgjëruar rrethin tematik. Përmes tyre, sidomos tek tregimi “Shtëpia pa pasqyra” dhe “Muri” ai i thur hymne dashurisë së pastërt e të sinqertë. Të shtatë tregimet shquhen për një sondim në botën e brendshme shpirtërore të personazheve, për dialogun ekspresiv dhe frymën e kohës që i karakterizon. Libri me tregime “Shtëpia pa pasqyra” është botim i shtëpisë botuese “Shtjefni” në Shkodër. Ai ka për redaktor shkrimtarin Skender Drini

NË BRIGJET E LUMIT PO

Çapitej, siç mund të çapitet një mesoburrë. Kishte do kohë që s’mendonte tjetër gjë, veç për të. E ashtu, mes atyre mendimeve, ai kishte ardhur tek lumi Po. Në të vërtetë ai lum kish tjetër emër, po ai kështu e quante. Para shumë vitesh, në brigjet e këtij lumi, ai kishte ardhur me të dhe i kishte shfaqur dashurinë. E kish puthur fort, fort, me shpirt dhe se si e kishte pyetur në e donte. Dhe ajo i ishte përgjigjur: Po, po, po…

Pohimin e saj e kishin dëgjuar valët, shelgjet lotues, pulëbardhat që fluturonin mbi kokat e tyre…

Po më pas?…Vetëm më pas e kishte kuptuar se përse shelgjet quheshin lotues, kishte qarë ai nën ta, se edhe pulëbardhat kishin qenë të zeza, por të bardha i qenë dukur atij…

Mes dy brigjeve, kishin rrjedhur shumë vite që kur ajo iku me një tjetër. Nuk e kishte parë më. Tani për të ai lum kish tjetër emër, mbase lumi Pojo. 

Mes dilemave të jetës, ai kishte ardhur sërish, si përditë, në brigjet e lumit Pojo. E përse mendonte, tek hidhte guralecë e bënte rrathë në ujë?

Po-ja, jo-ja, rrathët e lumit, e trazonin shumë dhe përpiqej te gjente domethënien e tyre. Pyeste dhe në përgjigje i vinte fytyra e saj.

Kështu vinte përditë në brigjet e lumit të qytetit të tij. Tani Lumi Pojo i dukej si një i njohur, asnjëri nuk mund të bënte pa tjetrin. Madje nisi të vinte edhe në ditë me shi, edhe në ditë me dëborë, aq sa njerëzit që nuk e njihnin, do të kujtonin për ndonjë të rrjedhur.

Edhe këtë ai e mendonte dhe e dinte se njerëzia nuk e kishte aspak gabim ta kujtonte për të tillë. Ngandonjëherë, ai njeriu brenda vetes së tij, rebelohej dhe i thoshte “Tuaf, ajo iku me një tjetër! Përse rri rob i saj?”…

 Po, ai ka vite që s’sheh askënd për rreth! Askënd që të besojë t’i rrahë zemra për të.

Përditë sytë e saj i dalin përpara, buzët e saj çelen vetëm për të, ashtu siç çel trëndafili gjithë vesë në mëngjes!

Klubet para lumit e njohin të gjithë. Madje kanë nisur ta njohin edhe klientët e tyre. 

Edhe sot ai ka dalë, si çdo ditë. Është ulur mbi një shkëmb dhe vërshëllen një melodi. Atë melodi që kishin vërshëllyer dikur me atë që iku.

Tani vargjeve të një kënge: “Ti ike, ike me një tjetër, mes një vjeshte, në muzg”, ai u kishte ndrruar ca fjalë e rendin dhe e mërmëriste sa për ta dëgjuar vetëm valët e lumit: “Ti do të kthehesh,  dhe kurdo që do të kthehesh,  unë do të pres te ky shkëmb si një murg”. Herë-herë fjalën murg e ndrronte se s’donte t’i jepte nuancë fetare, herë e linte aty pasi murgjit i pëlqente për vetmohimin e tyre. Oh, më kot e hiqte, pasi edhe ai ishte shndrruar në një murg.

E ndërsa bariste kështu, ndjeu në zall ca këmbë, ca ofshama…

Vrik ktheu kokën…

Ishte një djalë, me flokë të shprishur. Me një cigare që gati po i digjte buzët. Fytyrë djali si prej të vdekuri.

Sytë e tij panë andej e këndej si të donin të zbulonin se ku ishte thellësia ishte më e madhe e lumit. Nuk donte mend për ta kuptuar se ai këtë po kërkonte.  Përjashtoi një borxhli, nuk kishte fytyrë të tillë borxhliu, as kumarxhiu s’e kish ashtu fytyrën, as drogaxhiu…

-Kur të la? – e pyeti djalin dhe djali u drodh si një gjethe.

-Dje?

-Pse nuk erdhe mbrëmë të mbyteshe? – foli lehtë, a kështu iu duk atij, po në të vërtetë ngaqë djali u drodh ai e kuptoi se kishte lëshuar fjalët si plumbi.

Tjetrit iu ngatrrua përgjigja. Vetëm kuptoi “Pse?”.

-Pse? Edhe pyet, pse? – bubulloi nga e qeshura.

Djali i dukej si një copë plasteline, së cilës i jepet çdo formë e trajtë.

-Sepse ky lumë është i imi! A ke dëgjuar për lumin Po? Jo për atë të Italisë, por për këtë tonin.

Plastelina mori tjetër formë.

-Ky është lumi Po. Kur dua unë ai shndrrohet në lumin Jo. Po-ja dhe Jo-ja janë përjetësia. Të mos ishin ato, jeta nuk do të kishte vazhdim.

Plastelina mori trajtën e njeriut të ngurrosur.

-Para shumë vitesh edhe unë erdha të mbytesha, kështu si ty…Dikush më shpëtoi edhe mua…Ashtu siç po të shpëtoj edhe unë ty…kam ndërtuar në imagjinatën time fytyrën e saj, çdo qënie merr formën e shpirtit të saj…Shpirti s’ka formë? Kështu thua ti? Shpirti është gjëja më me formë, po atë nuk mund ta shohin të gjithë. Lum kush arrin ta shohë!…E pra unë e kam parë shpirtin e saj…të tjerat kanë dhe s’kanë rëndësi…As buzët e saj, as gjinjtë e saj, as fytyra e saj…as…ato vijnë e mplaken, shformohen…shpirti…më shih mua…edhe pak vite e s’do të kem asnjë flok të pathinjur në kokë…po a mund të ma shohësh shpirtin? S’kam asnjë thinjë…e dua atë që kam dashur si më parë, njëqindfish më shumë…e pra fare pak e kam përkëdhelur, po e kam dashur si asnjë qënie në botë…Dhe e dua sërish…se atë e detyruan të mirrte një tjetër…Edhe pse më la, e dua…se dashuria ndërton…dhe unë ndërtoj shpresën…Nuk e beson?

Djali sikur po ngjallej.

-Hajde, hajde të pijmë një kafe a diçka tjetër.

-Ku?

-Në këto klubet këtu rrotull. 

Çapiten drejt një klubi. Po tek dera e hyrjes, dikush kishte vënë njoftimin: “Drekë për mort, mbyllur”.

Djali nuk lexoi. Në atë gjendje që ishte, edhe shqipja atij sigurisht i dukej kinezçe. Po tjetri ia përktheu: 

-S’është gjë, -tha, – ka vdekur një njeri.

-Si?! – pyeti tjetri, si të deshte ta pyeste se i vdekuri mos ishte ai vetë.

-Ka vdekur një njeri, po nuk ka vdekur shpresa…A e kupton?…

Ia vuri dorën në sup dhe ecën drejt një lokali tjetër, buzë lumit më të bukur në Botë, lumit Po.

Shkodër, 31.1.2006

METAMORFOZA

Gjithçka brënda pak kohësh u bë lesh arapi. Turnet u shprishën dhe nëpër reparte nisi vjedhja ditën për diell. Edhe roja, një ish polic që gjatë karrierës së tij kish zbuluar kushedi sa hajdutë, bëri si shumë të tjerë.

Inxhinieri Bruno Shiroka kish mbetë si i ngurrosur në dritaren e zyrës së tij dhe nuk u besonte as syve, as veshëve. Drejtuesit nuk bëheshin të gjallë t’u dilnin përpara këtyre njerëzve e t’u thonin “Po ç’bëni, o të marrë?! A do të punoni nesër këtu, ndryshe a do të hani pasnesër në shtëpitë tuaja?”.

-Bruno!

-Nazmi, po më lë zemra!

-Të lëvizim edhe ne Bruno, të lëvizim si të tjerët. Djersën tonë po marrim, në fund të fundit…

Me Nazmiun punonin ç’prej vitesh në byronë teknike. Vëlla s’kish, po e donte si vëlla. Me ç’i tha, besonte se ai nuk e kishte me të keq, në atë drejtim ku s’kish menduar kurrë.

-Vetëm unë e ti mbetëm si peshku në zall…

-Nuk po të kuptoj, – ia ktheu inxhinieri si i përhumbur.

-As unë s’e kuptoj vehten…Ia nxorrën skeletin uzinës…Po bëhet nami nga pjesa e prapme. Kanë shpërthyer murin dhe …ç’të të them…

-Mos!!! – se si i doli nga goja Brunos, i bindur se vjedhja më e madhe duhej të ishte bërë nga ofiçina, pasi në repartet e tjera kish makineri disatonëshe që vështirë të çmontoheshin e t’u hynin në punë.

Ndërkohë  inxhinieri njeh zërin e  drejtorit që sillet nepër koridor. Herë shkon, herë vjen. Ia njeh edhe hapat e jo më të folurën e tij karakteristike, me hundë. Ka nisë ai disa vartës nepër reparte, po asnjëri nuk është kthyer. Ose i kanë kërcënuar, ose…edhe ata i ka zënë nën vehte orteku i vjedhjes…Drejtori flet vetmevedi “S’ka as shtet, as komitet, asgjë…Telefoni i policisë del i zënë…”.

-Shoku Bruno!…

Derën e zyrës inxhinieri e ka të mbyllur, po drejtori e di se ai aty do të jetë. E di se Brunoja nuk e ka ngritë kurrë kokën e tij nga skicat, se s’ka dashtë me dijtë kurrë për punë të tjera, veç atyre teknike.

Drejtori e thërret e  s’i thotë asgjë. E ka humbur fare, seç flet përçart, mandej kthehet për të shkuar prap. S’mund të bëjë më tej se është muri.

Brunoja tund kokën dhe ecë edhe ai si sonambul. Nga veranda e zyrave sheh njerëz që hyjnë e dalin nga uzina me materiale në duar. 

Çon kryet e shikon. Përballë është stenda e emulacionit, portretet e punëtorëve pararojë, mes të cilëve edhe portreti i tij. Ç’prej vitesh aty…

-Ku shkon? – dëgjon një zë.

-Sa gjeta këtë kamionçinën. Po shkoj të marr tornon time ta çoj në shtëpi?

-Fryji kosit!

-Pse?

-Se tornon ta përlanë para një ore!

-Mooos!

Njerëz të tjerë të hutuar, burra, gra e vajza, që dridhen nga ç’u shohin sytë e ç’u dëgjojnë veshët. Dikush ka aq forcë sa ta pyes:

-Ç’bëhet kështu, inxhinier?!

As ai s’e di se çfarë po bëhet. S’di se ç’përgjigje t’u japë këtyre njerëzve të mirë…

…Shpesh, gjithë këto, i kalojnë tani parasysh si në një film bardh e zi. E seç iu tek një ditë dhe gjithçka ruante në kujtesë, i hodhi në një bllok. Se tash ka kohë boll. Sa s’ka patur kurrë në jetë. Tani ai, Bruno Shiroka, inxhinieri me diplomë në Çeki, është roja e uzinës, jo në kuptimin metaforik, por fizik të fjalës.

Ndodhi kështu: dikur orteku u ndal. Ai me disa të tjerë mbetën në uzinë. Si Lëkura prej Shagreni e Balzakut, edhe personeli u rrudh sa s’ka. Po falë emrit që kishte fituar, çdo drejtor që erdhi, Brunos nuk ia fshiu emrin nga organika. Deri një ditë sa s’mbeti më askush veç ai, drejtori, një llogaritare dhe disa roje objektesh. E rrente shpresa se një ditë do niste puna sërish. Se askush tjetër veç ai s’qe doktor i makinerive kryesore.

Njëri nga drejtorët ka punuar dikur me  autovinç. Fjalaman e dembel Stambolli. Pas rrokupujës, ia ndjeu emrin disa herë në një doganë, ku shpejt i doli tymi. Prej andej e bënë drejtor të uzinës. Po se çfarë të drejtonte, ec e merre vesh!

-Zoti Bruno, na shkoi thika në koc.

-Ashtu është, zoti drejtor!

-S’ka ma pare! E kam dert për ty!

Brunoja dridhet, po s’e jep vehten. E ka menduar fundin, po t’i vinte kështu!!?…Don edhe tri vjet për të dalë në pension…Me këtë uzinë kishte lidhur gjithë jetën…Sa ditë e netë kishte gdhirë mbi skica…sa gëzime…sa strese…

-Nuk e di, po s’po gjeja kurrnji rrugë tjetër, bre burrë! Po fap, doli në shteg bafti edhe për ty! Gjeka, roja e derës, po niset për në Itali tek fëmijët e s’kthen ma. Si thue?

-Për çfarë?

Drejtori e sheh mirë se mos inxhinieri po kërkon të bëjë naivin.

-Si për çfarë, inxhinier, po s’kam kurrnji rrugë tjetër, bre burrë…Dikush e jep milionin për një vend të tillë, sidomos roje…

Më në fund e kupton. E kupton e dridhet. Deri në indet e shpirtit. Asht në buzë të një humnere. Ai, inxhinieri me nam i uzinës, roje tek dera e uzinës! Si Dulla, ish polici.

-Si thue?

Mund të thoshte shumë e shumë gjëra, po…vajza në maturë, djali ushtar, gruaja me një rrogë mësueseje…

Tash ai është roje. Drejtori, që ia bëri këtë “mirësi”, është rikthyer prap në doganë. Kanë ardhë e kanë shkue dy-tre drejtorë të tjerë. Ka shkuar një vit dhe ai tek dera vret miza. Diku pranë hyrjes është një dafinë, e këput herë pas here një gemn dhe bën fresk.

Kujtimet i kanë shterrë dhe ditari ka nisë të zverdhet. Në uzinë kanë mbetë vetëm muret e makineritë shumëtonëshe që qenë blerë në Suedi dikur sa qimet e kokës. Herë herë, e kyçte derën e uzinës nga pas dhe shkonte në reparte. Veç ai e di se ç’vlerë kanë makineritë.  Ua vinte dorën mbi shpinë, si t’i përkëdhelte, por ndjente një drithërimë në gjithë qënien dhe tash nuk e bën më një veprim të tillë. Mjaftohet me një shikim të makinerive dhe i duket se shmallet. Se për to ishte specializuar, se për mbarëvajtjen e tyre s’kishte pyetur për thinjat që i shtoheshin…

Mandej vjen prap te kuvlia e rojes.

S’ka kujt t’ia çelë derën. Drejtori herë vjen e herë jo. Llogaritarja i ka rregulluar punët e saj, ka blerë një dyqan e ka punësuar dy gra që qepin gjithë ditën perde prej tyli. Ka marrë, për siguri në shtëpi edhe vulën me regjistrat e kuadrit, makinën e shkrimit dhe… Atje bëhen edhe pazaret për vjetërsinë në punë…provo të dalësh në pension…Apo s’ka pasur uzina qindra punëtorë!…Ka mësuar ta dredhë bukur…Në fakt për tjetër gjë thuhej se e kishte dredhur gjithmonë…

Kurse ai, si inxhinier, në organikën prej pesë vetash figuron si roje. S’e ka dashtë vehten për të gjallë…Ndryshe, s’do, përtej portës është rruga…

Tash ka ardhë kohë tjetër. Edhe drejtor tjetër, i cili s’e njeh fare kush ka qenë, e njeh vetëm për roje, po disi më i fismë se rojet e tjera.

Brunos drejtori i ri i duket më çallak. Më praktik, ose, e përkthyer në shqip, më bashkëkohor. 

E gjet një ditë tek lexonte një libër të Pirandelos. Çakrriti sytë.

-Di italisht? – e pyeti Brunon.

Brunoja nuk nxiton t’i përgjigjet. 

-Edhe anglisht, zoti drejtor, edhe çekisht…Prej hallit punoj roje…Jam inxhinier, i dilomuar në Çeki…

Me prakticitetin e tij, drejtori s’vonon ta pyes:

-Si s’ke hapur kurse të gjuhëve të huaja?

-Edhe gruaja më ka bërë presion, po s’mundem, zoti drejtor! Të dhënit mësim është art më vete. S’kam durim të merrem me të tjerët.

Tjetri as që e ka dëgjuar se ç’përgjigje i ka dhënë. Tund kokën e thotë lehtë “Edhe anglisht!”. Dukej që diçka bluante në kokë.

-E pata mësuar para se të vinin specialistët e huaj për të montuar makineritë…

Drejtori vazhdon si i përhumbur. Po ky është një çast, se vjen një tjetër që sytë i ndrisin. I vë dorën në shpatulla Brunos. “Do të kemi punë bashkë”, i thotë. 

Kaq. U zhduk për disa ditë. Vetëm përmes televizionit mori vesh se uzina  mund të shitej.

Mandej drejtori që vjen me turr.

-Bruno! Nesër do të vijnë disa të huaj…Ti anglishten ujë, apo jo?…

-Siurdhëron, shoku drejtor!

Drejtori i hedh një sy. E sheh si me keqardhje. Mbase nga rrobat disi të vjetëruara. Po tjetri ia ka lexuar vështrimin dhe i thotë:

-Sigurisht, sigurisht, shoku drejtor, do të vesh kostumin që kam në shtëpi.

-Jo, jo, mendova diçka tjetër.

Tha kështu dhe nxorri celularin. Eci ca hapa, po jo sa për të mos e dëgjuar se çfarë bisedonte.

-Kështu, pra, bëj një bordero në vehte…Po, po, shpërblim dy rroga për Brunon…

-Hë pra, që të mos marrin vesh se ti je roje, dreqi ta hajë! Për nesër që vijnë ata, të kesh një lek në xhep edhe për të blerë një kostum, një palë këpucë e ç’të duash tjetër…

Mbetet pak ngushtë. Se nuk e kupton dashamirësinë e drejtorit. As ky e as të tjerët s’kanë qenë kavalierë, veç me vehten e tyre.

-Do të vijë edhe një zotni nga ministria, se ku të lënë ata, Bruno…

Brunos i thahet pështyma në gojë.

-Po këtu s’ka asgja për t’u çuditë, Bruno vëllai, – shton drejtori mes një afiniteti deri në pështirosjeje, – gjithnjë ata të ministrisë na e kanë marrë pjesën e luanit…

Brunoja tash ka të qartë çdo gjë. Ato që përfliteshin, s’ishin llafe kafeshë. Ndryshe s’kish se si shumë e shumë funksionarë të kishin biznese, vila nepër plazhe, fëmijë nepër universitetet e huaja.

-E kishte me merak të madh ai i Tiranës. S’donte të merrte përkthyes. Këto punë, Bruno vëllai, s’dojnë fort dëshmitarë…Nuk e di a po më kupton?…Ai për vehte ishte me një anglishte rrape-shkrrap…Po kanë për t’u përpiluar akte e marrëveshje…Ti edhe me të shkruar anglishten, pa dyshim?…

-Si urdhëron, shoku drejtor, e kam mbrojtur edhe në Tiranë…

Brunoja përgjigjet e ndërkohë ndjen një trazim të ri në shpirt. “O Zot, mendon me vehte, a ka se si të bëhen kështu këto punë?”. 

Drejtori thotë edhe diçka tjetër, po Brunoja dridhet. S’e ka provuar kurrë të marrë një lek pa djersë. Kurse tash?! Ashiqare drejtori i thoshte se edhe ai i Tiranës që do të vinte për “traktativat” me të huajt, donte të kishte të bënte me njerëz të besuar, që nuk llapnin poshtë e përpjetë…Mandej drejtori i tregon Brunos një histori ku një përkthyes që kishte folur në një gazetë, pas ca ditësh ishte gjetur i vdekur në një kanal…

Muzgu tej qe përflakur i tëri. Nepër pemët e lulishtes së pa krasitur të uzinës këndonin zogjtë dhe tash e parë nga guva e një frashëri vinte zëri i kukuvajkës. “Ku-ku”-ja e saj e shqetësonte vazhdimisht, e pat pikasë njëherë, u gjuajti me gurë, po kukuvajka as donte t’ja dinte. Edhe tash, ajo këndonte këngën e saj, që atij i vinte si këngë mortore.

Drejtori e sheh si të përhumur dhe sigurisht i shkon gjuha ku i dhëmb dhëmbi dhe i thotë:

-Mos kij dert, bre burrë, se as ti nuk ke me mbetë pa gja…Dy rrogat që do të sjellë llogaritarja janë burnot në hundë…

Gjithsesi e tregon deri diku pazarin. Edhe pse Brunoja e di se do të jetë bira e fundit e kavallit…

Drejtori duket në formë. Sigurisht që e ka pritë këtë ditë, ndryshe pse do të vegjetonte këtu?

I bie celulari.

“Ah, zoti prefekt!”.

Tash nuk i fshihet. Bisedon me të. I tregon se përfaqësuesi i huaj vjen nesër, me atë të ministrisë…

Brunoja sheh lart në qiell, kinse nuk po don me ndi fragmente të asaj bisede. 

Drejtori mbyll celularin. Kryqëzon krahët, fshan e shan me nanë e me motër prefektin. Se, domosdo edhe ai donte pjesën e tij…

Celulari i bie prapë. E sheh në ekran kërkuesin dhe e mbyll.

-Nji mut je dhe ti komisar, shkërdhata e dreqit!

Brunoja sheh prap nga qielli. Qielli vjen e mbushet me orla. Taman siç dijnë ata të sillen mbi kërmë.

Kukuvajka ia thotë prapë…orlat, coftina, kukuvajka, drejtori, kordinatori, prefekti dhe…ai. E ka dijtë vehten se në teatrin e jetës për të s’kishte më asnjë rol, kurse tani…

Drejtori shkon. Por nuk harron pa i rënë shpatullave.

Zemra i rreh me vrull. As e ka idenë se si bëhen këto punë. Ka vite që dëgjon për pisllëqe, po…

S’ka kohë ta çojë mendimin deri në fund. Vjen llogaritarja dhe i bjen zarfin me dy rrogat shpërblim.

S’i kërkon firmë, s’sheh bordero. Merr të hollat dhe i fut në xhep. E rren vehten se drejtori e kish me tërë mend kur i thotë se ia bën për të blerë një kostum, si punë honorari për përkthimin.

Mandej mendon më thellë. Se s’ka as moshë ta rrejë vehten.

Kqyr andej nga balli i uzinës. Ka mbetë veç skeleti i këndit të punëtorëve të pararojës. Aty ka qenë edhe ai. Ka qenë…

Të hollat në xhep i djegin. I djeg më shumë gjoksi. Një si lëmsh i zjarrtë i sillet brenda kafazit të tij. 

Ndërkohë vjen roja tjetër ta zëvendësojë. 

E ai niset të shkojë…Ecë, po s’di nga të shkojë…Shtëpinë e ka tek stacioni i fundit i urbanit, ndërsa dyqanet…E ka të nevojshme të blejë një kostum të ri, edhe një këmishë, edhe një palë këpucë…Se ka një dekadë që blen veç tek firma “Gabi”…Apo më mirë të shkojë një herë në shtëpi e të dalë me të shoqen?…Ajo ka gusto…Në fund të fundit edhe asaj po ia mbyll gojën, se gjithnjë në këto vjet ka ndejtë duke e brejtë e duke i thënë “Po ec de edhe ti me kohën…”.

Hypën në urban. Paguan. Ulet. Ngrihet. Si robot. Vetja i duket e çbërë. Po sikur?…Sikur ta marrë në telefon drejtorin e të refuzojë?…T’i nxjerrë ndonjë sebep…Fjala vjen edhe të shtiret si i sëmurë…

Ulet nga urbani në një stacion të ndërmjetmë e shkon nga një kabinë telefoni…Se e ndjen se ai orteku i madh i vjedhjes së dikurshme po lëviz, do ta zërë nën vehte e do ta bëjë petë…Bën një hap, dy, tri…Po sikur?…Ndalet…Vajza do të shkojë në universitet, djali që muajin tjetër do të kryej ushtrinë ka për t’u sjellë varavingo rrugëve…Megjithatë ecë drejt kabinës ashtu turbull, si mes një mjegulle.

Tek kabina e telefonit dikush e ka zhgulë aparatin e ka mbetë vetëm kordoni.

Kthehet. Tash urbani është nisur dhe në stacion nuk ka asnjeri. Ecën në këmbë, dhjetë, njëqind, njëmijë hapa. Çdo gjë i duket e tjetërsuar, drurët në trotuare i duken si njerëz e njerëzit si drurë.

Mendon të pijë një kafe. Xhepin e ka të mbushur. Shpirtin e ka të zbrazur. Bosh i duket çdo gjë. Megjithatë këmbët e çojnë në një lokal me kondicioner. Dy tavolina janë të zëna, tjerat janë bosh. Ulet pranë dritares. Kamarieri sa e sheh me atë kostum të dalë boje sikur do t’i thotë “Zotëri a e ke menduar hapin që po hedh?!”. Po ndërkohë që i është afruar tavolinës së tij, Brunos seç i shkrep në çast dhe  i drejtohet në  anglisht. Kamarieri zihet ngushtë, se e ka të vështirë të heqë mantelin e përbuzjes. 

Në këtë lokal nuk ka hyrë kurrë. Hyn shumë, shumë rrallë në lokale. Gjithçka qe luks i vërtetë. Në një cep të lokalit dikush i binte pianofortes. Jo larg tij,  sheh një telefon…Po s’ka pse ta kqyrë atë…s’ka asnjë punë me telefonin, as me drejtorin…

Pi kafenë me nge. Mandej porosit një uiski, edhe një tjetër. Zjarri i uiskit ia rrit flakadanët në krahëror. Po dikur e sundon vehten. Ka pi uiskin e katërt dhe është bërë më trim, edhe më kontemporan. Përfundimisht nuk ka punë me telefonin…se me pasë punë me telefonin don me thanë “Baj-baj!” gjithçka…Jo, jo, do ta harrojë këtë fjalë, do ta fshijë nga kujtesa. E thërret kamarierin dhe paguan. Bakshishi e tregon se nuk është ai që duket. Këtë e ka kuptuar fare mirë inxhinieri Bruno Shiroka, pra që nuk është ai që ishte.

Kamarieri e shoqëron deri tek dera. Po ndërsa po bëhej gati të hynte në rrugën përballë lokalit, kalon një kortezh. 

Mban qëndrim gatitu, për respekt ndaj të ndjerit.

Po ky është veç një moment. Brunoja përmendet. E shikon në sy kamarierin. Mandej beftë e pyet:

-Di gjë ku është zyra e varrimeve? 

-Ja, ajo tek kthesa, – përgjigjet tjetri.

U nis andej nga i tha. Me një mendim në kokë. Do të porosiste arkivolin për vehte, do të shkruante tekstin për lajmërimet, do paguante lokalin për drekën e përmotshme…Xhepin s’e kishte bosh…Xhepin s’do ta kishte bosh…Shpirtin e ndjente bosh…

-Ngjatëjeta, inxhinier Bruno! – e përshëndet dikush.

Nuk i kthen përgjigje. Drejtohet nga zyra e varrimeve. Në derën e xhamtë është varë njoftimi “Non stop”. Bën të çelë derën, po ajo është mbyllë.

Një burrë që shiste misra të pjekur aty pranë e sheh dhe i thotë:

-Nëpunësi i zyrës së varrimeve vdiq sot! Po ty, kush të ka vdekur, inxhinier Brunoja? 

Dridhet kur i përmend emrin.

-S’më mban mend? Jam brigadieri i ambalazhimit të uzinës…Eh, inxhinier, inxhinier, si vajti kjo punë!

Këmbët i hedh siç mund t’i hedhë çdo kush që ka zbrazur disa gota.

Nuk i dha përgjigje. Po kokën pas disa hapash e ktheu edhe njëherë nga zyra e varrimeve. Lajmërimi i varur “Non stop” sikur ia bënte me dorë të kthehej se nëpunësi i ri do të paraqitej në çast.

“More, po a ishte inxhinier Brunoja, apo jo?”, dëgjoi dikë të fliste kur u kryqëzuan.

“Jo, jo, nuk jam unë!” i shungulloi në krahëror. “Nuk jam unë, ju betohem!”.

U rrëzua mbi një pellg. Një kalimtar nxitoi ta ndihmonte të ngrihej. E ngriti dhe i erdhi keq që u përbalt ashtu.

2004

FTESA

Ai ecën i menduar në rrugë, siç mund të ecë çdo shkrimtar. E shqetësojnë disi shitësit me ftesat për mallrat që kanë në banak,  po gjithësesi të gjithë duan të jetojnë dhe fati i tij që rruga për në shtëpi i përshkohet përmes pazarit të ri të qytetit.

Shitësit tashmë e njohin. Dikush i thotë “mirëmëngjesi profesor!”, dikush “mirëmëngjesi, zotni Agim!” dhe ai e kupton se sekush don që ta ketë myshterinë e tij se, ku i dihet, edhe pse e njohin si shkrimtar, është njeri dhe, si çdo qënie e tillë, edhe ai ka nevojë nesër për një palë pantallona, për një stekë me cigare a një shampo! Mbase ndonjëri edhe s’do që ta ketë myshteri, po thjeshtë t’i japë muhabet, që pas pak, t’i mburret shitësit komshi se ç’afinitet ka me një shkrimtar!

Disa edhe i njeh. Janë bashkëqytetarë dhe diku i ka ndeshur jeta. Edhe pse të gjithëve nuk ua dinte emrat, ndonjëherë i përshëndeste, por ndonjëherë edhe jo. Dhe këtë nuk e bënte për ndonjë gjë, po thjeshtë sepse, sa herë dilte nga shtëpia dhe mbyllte portën, i vardiseshin vargje të ndryshme, një motiv i pathënë e ai përpiqej t’i shkruante në kujdesë dhe pastaj o në katedër, o në kafene, t’i hidhte në ndonjë copë letre. Kështu i qe bërë shprehi pune, gjithnjë nepër xhepa mund t’i gjeje copa letrash, ndonjë fletë blloku, paketa cigaresh…

Kështu edhe atë ditë. Seç i erdhën ca vargje në kokë dhe desh të ndalej tek një shitës e t’i shkruante në banak, por e frenoi vehten. Tjetrin nuk e njihte, se mandej edhe mund të talleshin me të. Do të thonin se të gjithë shkrimtarët e kanë nga një dërrasë mangut.

Kështu, mes një hutimi e përshëndetjesh, iu duk se njohu një zë. Një zë që e frenoi. As e ftonte për ndonjë mall e as për…O Zot, pas një banaku, ishte poeti më i mirë i qytetit…diçka i theri në zemër, mbase atë çast nga shpirti i tij fluturuan ca pëllumba për të mos u kthyer më kurrë në atë kafaz, ca pëllumba të bardhë që bëheshin të zinj…

-Mentor!

Tjetri vë buzën në gaz, sigurisht me shumë sforcim, se pozicioni pas banakut është për të vënë duart në kokë.

Nuk e ka takuar prej vitesh, sa ka menduar se mos ia ka mbathur në ndonjë vend tjetër. As e ka ndeshur në ndonjë organ letrar.

-Urime, Agim! – i tha tjetri tek i shtërngonte dorën dhe ai e kuptoi se e kishte fjalën për vëllimin e tij të fundit “Dallëndyshet s’kthejnë më në pranverë”.

Agimi e ndjen vehten ngushtë. Aq ngushtë sa s’ka. Nuk di tjetrit as si t’ka kthejë përgjigjen, as për çfarë ta pyes.

E merr cigaren që i zgjat. Nuk e kupton se ia ndezi liriku i qytetit apo shpirti i tij që i qe bërë eshkë.

E kështu, pas një heshtjeje mortore, ku natyrisht është vrarë poeti dhe ka lindur shitësi, gjen ndonjë fjalë sa për të hyrë në bisedë. I vjen turp ta pyes “A po shet gjë?”, aq sa nuk di se si ta pyes “A po shkruan gjë?”, pasi tjetri, nuk ka dalë në rrugë të madhe për të shitur lirika, po detergjentë!

E ndjen vehten të vrarë, të vrarë sa s’ka. Mentori para dy dekadash ishte idhulli i tij. Dy vëllimet që pat botuar me lirika e radhisnin atë mes poetëve më të mirë, por…mandej erdhi rrokopuja…gremisja….u bë dhe kapërcimi i një shekulli mes marrinash e ai, liriku, shiste detergjente në një dyqan me qera!!…

Nuk e kuptoi se si e kapërceu ngërçin në bisedën e parë me Mentorin, po ajo ditë iu vra…Eci si sonambul nepër rrugët e qytetit, s’shkroi asnjë varg dhe, u vonua me qëllim që, kur të kthehej në shtëpi, pazarin ta gjente të mbyllur.

Po erdhi e nesërmja, e pasnesërmja…Agimi ndalet çdo ditë tek kioska e Mentorit dhe tashmë të gjithë në pazar e dijnë se ata të dy janë poetë…Po helbete, poet me nam shumica në qytet mbajnë Agim Tiranën, se ai është edhe impozant, edhe ka një çantë nga ato të kushtueshmet, se jep leksione në universitet, se gjithnjë në promovime librash e vënë në presidium, kamerat e televizioneve lokale e mirrnin si bust…

Kurse poetin që shet, “kolegët” e tij shitësa e shikojnë me mosbesim…s’ua mbush syrin e as mendjen se çoç mund të jetë…as trup ka, as paraqitje, as…Se helbete, po të ish si poeti tjetër, Mentori s’do të ish këtu, shitës detergjentesh…Mandej për Agimin këto kohët e fundit kanë folur shumë televizionet lokale…Tani atij i drejtohen “I madhi Agim Tirana!”. Aq sa, njëri prej shitësve, në ato orë ku klientela bie, tha se të ishte kandidat për deputet, poetit Tirana do t’ja jepte votën pa asnjë hezitim. Dhe të gjithë shitësit ishin të një mendje se kishte ardhur koha e intelektualëve të mirëfilltë si ai…Shihni partitë, kishte shtuar tjetri, të gjitha mbledhjet me intelektualët i bëjnë…

* *

Edhe asaj dite Agimi u ndal ta përshëndeste idhullin e tij, Mentorin. Po ndryshe nga herët e tjera, ai dukej më i çiltër, një si gaz i brendshëm ia kishte pushtuar tërë qënien.

-Ke ngut? – e pyeti Agimin.

-Aspak, – iu gjegj tjetri. 

Pazari qe çelur, po klientët qenë sorra të bardha. Kështu që mes asaj heshtjeje zeher për shitësit e aq të ëmbël për ata të dy, Agimi shijoi atë që kishte provuar dy dekada më parë, një ndjenjë të brishtë mes disa lirikave që Mentori i kishte vënë përpara, një si ujëvarë që zbriste nga një shpat i egër mali, tamam siç mund të zbriste në atë pazar shpirti i poetit. O zot, mes atyre detergjentëve të rëndomtë, fshiheshin perla të vërteta, ndriste aty këtu një lirikë si gur rubini, mes asaj guaske llamarine të valëzuar shkëlqente një margaritar. E pra ai, Agim Tirana, me aq vëllime poetike e me aq nam në qytet, e ndjen se para lirikave që kishte shkruar Mentori ishte një liliput. Një poet liliput. Pa nerv e pa gjak.  

Ecën prapë si sonambul. Ka fiksuar një takim me Dolfin tek Kafja e Madhe dhe s’ka përse ta lërë në rrenë. Tjetri e ftoi të pinin një kafe, ia dha fjalën dhe duhet ta mbajë.

Kështu, çap e çup, mes një pëshjellimi ndjenjash, u gjend para lokalit aq në zë të qytetit.

Tjetri, sa e pa, u ngrit nga tavolina dhe e ftoi të ulej. 

Shkëmbejnë pyetjet monotone të një takimi. Mandej ka një pauzë që peshon, një frenim të Dolfit në fillim të bisedës, mandej një rrjedhë që nuk di të ndalet.

Agimi me të ka qenë në maturë. Kanë shkuar mirë. Marrëdhëniet mes tyre nuk njohën ndonjë kulm, po gjithsesi qenë pranë normales. Veç kur Dolfi nisi të merrej me punë partie, pat një soj ftohjeje, pasi Agimi as që pyeste se i kujt partie ishte, për të parti mbi partitë qe letërsia dhe kolegët e letrave i respektonte pa pyetur se çfarë ngjyre e kish tjetri kostumin. Por sidomos kur afronin zgjedhjet, edhe Dolfi sikur i afrohej, sikur i tregohej më i përzemërt, e ftonte për një kafe, mandej i linte një ftesë për mbledhjen që bënte partia e tij…

Agimi as që e dinte se sa pranë qenë zgjedhjet e as sa pranë qe një mbledhje.

-Nesër? – e pyeti me mosbesim Dolfin.

-Nesër, se ashtu rrodhën punët. Lideri ynë e ka axhendën shumë të ngarkuar. Do të shkojë në Strasburg dhe…

Merr frymë e krijon një pauzë si për të parë efektin e fjalëve të tij. Mandej, si e kuptoi se tjetri as ia vari, ndrroi rrjedhë:

– Tani ftesat janë me vende…Bile ka kaq shumë kërkesa sa nuk dijmë se si do ia dalim mbanë me militantët tanë…Po intelektualët si ty hajnë bukë më vehte…

Dolfi paguan, edhe pse Agimi insiston. 

Ndahet me Dolfin. Ku të shkojë? Kafen e shijoi, por ajo ftesë i la një shije të keqe. S’ka dëshirë të shkojë askund, më mirë të kthehet në shtëpi e të lexojë një libër që e kishte lënë për gjysëm.

Ecën kuturu. Mandej vjen pazari. Ja, tek brryli i rrugës është kioska ku liriku i qytetit shet detergjenta. Hedh një hap, edhe një…ftesa në xhep i rëndon si bombë, i djeg si masë e zjarrtë.

Një ftesë për ku? Një ftesë për askund. Këmbët sikur nuk i komandon dot. Diçka e gozhdon. Hedh sytë larg nga pazari ku gjendet kioska e Mentorit. E sheh nga larg dhe i duket si arkivol në këmbë. Tamam si i vendosin arkivolet kur i sjellin nga zyra e varrimeve në hyrjen e apartamentit të të ndjerit. As kioskat e reja të pazarit të ri nuk i sheh. Janë veç arkivola. Se ai që shet metrazhe ka qenë inxhinier në pyjore, ai tjetri merceolog, ai tjetri komandant regjimenti, ai tjetri mikrobiolog, ai më tej një fonditor në zë, fqinji i tij novator në kombinat…Ka vdekur inxhinieri, merceologu, komandanti i regjimentit, fonditori, novatori…O zot, kush i vrau, kush? Mbase kjo kohë e marrë dikushët i ktheu në aksushë, askushët në dikushë.. Sa pak vetëve u dha atë që u takon!…

Sytë i erren. Megjithatë hedh edhe një hap, edhe një tjetër, e di fare mirë se Mentori e pret çdo ditë që të këmbejë një mendim, që t’i tregojë një lirikë të sapo shkruar…

Fut dorën në xhep. Ftesa është aty, e shkruar bukur, rreshti i parë, karrika gjashtë. Tamam ballë për ballë kamerave. Që t’u thuhet qytetarëve: “Ja shikoni, të madhin Agim Tirana e kemi tonin, intelektual iks-in e kemi tonin, ypsilon-in  tonin e kemi…”. Tund kokën. Po sikur t’i pyes se ç’libra të tij kanë lexuar? Tund kokën përsëri…Asnjë…Askush…Asnjë…Askush…

Edhe pse pazari është i ri, rruga nuk është shtruar me asfalt. Ka rënë shi mbrëmë e ka plot pellgje me ujë. Don një herë ta grisë ftesën e ta flakë në llucë, por jo, se s’do të lërë shije të keqe tek shitësit që shohin mirë çdo kalimtar se mos i afrohet karremave të tyre. Atëherë mendon një mënyrë më të kulturuar. E nxjerr nga xhepi, e gris dhe e hedh në një kosh plehrash. Por edhe pse veprimin e kreu me maturi, prap s’i ka shpëtuar syrit vigjilent të një shitësi. “E pe, i thotë ai komshisë ngjitur, e grisi një vjershë Agim Tirana dhe e hodhi në koshin e bashkisë”.

Ka një lehtësim në shpirt. Sot nuk mund të bënte më shumë.

2003

SHTËPIA PA PASQYRA

Rekomandimi i doktor Aleksit, shokut të babait tim, më bëri që përmes një shiut të imët të gjeja  apartamentit pesëkatësh, mu në kryqëzimin me semafor, hyrja e parë, kati i katërt. Këtë adresë si dhe emrin e zonjës së shtëpisë, Tixhe Bala, i kisha shkruar në një copë letër të shkëputur nga blloku i një kamarieri ku piva kafenë.

Me që ishte ora e kufizimit të dritave, shkallët i kapërceva nën dritën e çakmakut.

Në shesh pushimin e katit të katërt ishin dy dyer. Vetëm në njërën shkruhej emri i të zotit të shtëpisë, i cili mua nuk më interesonte. Kështu që shtypa butonin e ziles në portën përkarshi. Heshtja që krijon mungesa e energjisë elektrike, ku s’gjëmojnë televizorët e radiot, bëri që shpejt në veshë të më vinte tërheqja e një palë shapkave, po një e tërhequr energjike, çka më la të kuptoj se ishte këmba e një të riu apo të reja. Gjithsesi për mua këto kishin pak rëndësi: e rëndësishme ishte që zonja e shtëpisë të më jepte një dhomë ku unë të mund të jetoja e të ndiqja vitin e fundit të universitetit, të cilin e kisha lënë përgjysëm kur më iku truri e shkova në Itali si refugjat. Nejse, kjo tjetër punë…

Dera sa u hap dhe në gjysëm errësirën e koridorit unë dallova kokën e një gruaje të mbështjellë me një napë të bardhë, siç mbështilleshin dikur gjyshet tona.

Befasia qe e plotë, pasi nën atë napë, vibroi një zë i ëmbël, gjithë ngjyrim e pikëllim sëbashku.

-Ç’urdhëroni, zotëri?

Nuk kisha dhënë ende përgjigje kur nga brendësia e apartamentit dikush pyeti: -Kush është? 

E ndodhur përballë dy pyetjeve, u stepa. Po gjithsesi pata kohë të konfiguroja bustin e një vajze(le ta quajmë vajzë), gjoksin e saj të fryrë dhe zërin gjithë muzikalitet, me një shkodranishte për të cilën vdisja.

-Asht një zotni, nanë?

-Më falni, – ndërhyra unë, si të doja ta shpëtoja nga ajo situatë kur e pret tjetrin tek praku i shtëpisë dhe nuk je në gjendje as të ftosh brenda as t’ia përplasësh derën tek fytyra. – Doktor Aleksi, më tha se ju keni për të lëshuar një dhomë më qera.

Fërgëllimen e vajzës që fshihej pas napës së bardhë unë e ndjeva. E ndjeva, po ndershmërisht nuk e kuptova.

-Prisni një minutë, – tha ajo.

Unë mbeta në gjysëm errësirë. Vajza e mbylli derën e kuzhinës nga pas dhe veç pësh-pësheve, nuk dëgjoja tjetër gjë. Siç duket diskutonin.

Nata qe e keqe. Në Shkodër binte shi dhe vetëm duke gjetur adresën kisha rënë në dy tri gropa. Këpucët ma fusnin pak ujin dhe në atë çast një “po” e zonjës së shtëpisë për mua kishte vlerë të jashtëzakonshme. Një arsye më shumë ishte se në konvitin e djemve as që bëhej fjalë për të gjetur vend, se në Perëndim qeshë mësuar me një jetë të lirë dhe as që bëhej fjalë të duroja rregullat e konviktit, me roje te porta, me orare mencash e kudi se çfarë, jetë të cilën e kisha provuar dikur…Po tashmë nuk isha ai djali që, veç Dibrës, kishte parë vetëm Tiranën e Durrësit. Në ato vite në emigracion, sytë e mi kishin parë shumë, kishin përjetuar netë nën këmbët e urave, ngasje drogmenësh e prostitutash gjithfaresh, por dhe shpresa të gënjeshtërta, edhe ditë të bukura, domosdo…

Dikur, sigurisht pas dy-tri minutave, në mesore u shfaq një grua garamuq. Vajza me napë kësaj radhe e shoqëronte me një shandan ku digjeshin dy qirinj.

-Doktor Aleksin e kemi mik shtëpie. Po unë kte muhabet ia kam ba kur erdhi të pinte një kafe heren e fundit.

-Ashtu më tha, – vijova unë si për të vërtetuar atë që shkoqiti ngadalë plaka.

Pas ndërhyrjes time, zonja e shtëpisë nuk u ngut të fliste. Tani nën dritën e qirinjve sikur po më maste që nga flokët e qullur e deri tek këpucët, që natyrisht nuk kishte se si t’i shihte se ishin të myfatura nga ujët e rrugës.

-Vërtetë, vërtetë, po ai kafen e ka pi që në tetor dhe tash asht kallnuer). Kanë rrjedhë shumë ujna…

I humba shpresat. Dhe më e keqja ishte se atë javë në qytet zhvillohej një festival  dhe në tre-katër hotele ku kisha hyrë, tek kutizat e çelësave të sporteleve lexohej lajmërimi: “Vendet janë të zëna”. As dhjetëshet që u ofrova sportelistëve, nuk më hapën një portë.

Përderisa e mora përgjigjen, s’më mbetej gjë tjetër veç t’i kërkoja të falur dhe të shkoja s’di se ku. Mbase të thyeja ndonjë sportelist.

-Nga je? – pyeti plaka dhe unë mbeta pa e shprehur ndjesën për trazimin që u solla.

-Nga Dibra, – i thashë.

Plaka ngriti kokën, si të donte të më shihte më mirë në dritën e qirinjve.

-Jeni të pastër e sojli ju, dibranët, – tha, më ktheu shpinën dhe duke ecur ashtu garamuq e duke folur më shumë me vete se me mua, më ftoi të hyja brenda.

Natyrisht që s’mund të dilja nga lëkura e dibranit. Duart më shkuan tek lidhëcat e këpucëve. I zgjidha dhe i hoqa aty në koridor, pa u kujtuar për çorapet e lagura.

-Taman dibran, – tha sërish plaka që më shumë kish nuhatur së pari veprimin tim në koridorin e atij apartamenti 3+1, pra heqjen e këpucëve.

Kuzhina qe e thjeshtë, me ato që jemi parë të shohim rëndom thuajse kudo. Një poltron tresh, një dopjo e dy teke, përballë një televizor, një bufe me gastarina, ca portrete djemsh në mur, një abazhur, më tej në aneks bufeja…

Përballë meje u ul plaka, ndërsa vajza apo gruaja me napë vendosi qirinjtë mbi bufe.

-Ke ardhë për punë në Shkodër apo për…

-Për të ndjekur vitin e fundit të universitetit, – u përgjigja me ngut, pasi doktor Aleksi më kishte thënë t’i tregoja se isha student, edhe për faktin se kjo mund të ndikonte në uljen e çmimit.

-Shih, shih, e pra ti nuk jep për moshën e studentit…mandej tash asht kallnuer e shkollat hapen në vjeshtë- tha ajo dhe përnjëheresh kuptova se nuk kisha të bëja me një plakë të lënë.

-Kam qenë një herë student, po shkova në Itali dhe më mbetën vetëm muajt e vitit të fundit…E rregullova të hyja tani…

-Me pare nen dore…

S’kisha përse ta gënjenja.

Zonja e shtëpisë më pa edhe një herë, mandej foli:

-Kisha ba bè të mos e lëshoja ma dhomën, qysh kur ai pizevengu më hangri dy muej, – turfulloi plaka. 

-Doktori m’i ka thënë kushtet, – shpejtova unë, – jam gati të paguaj  paradhënie.

-Në Itali paguajnë 6 muej paradhanie.

Përgjigja e plakës më gozhdoi. Nuk ma mirrte mendja që ajo të ishte kaq e mirëinformuar.

-Po s’kemi hyrë në Evropë.

-Prralla dushkut! – shfreu plaka. – Ishim e jemi në Evropë, po ata na nxorrën jashtë…

Nuk kisha pse të kundërshtoja. Shiu përplasej në xhame; një zemërim sado i vogël dhe…shiu më priste përjashta, edhe pse e dija qyshkur se sa mikpritës të çartur ishin shkodranët…

-Atëherë, pra, paguej tre muajt paradhanie…- bëri lëshim plaka, ose ndryshe tregoi shpirtin mikpritës të shkodranit. – Çdo datë pesë të muejit ke për të më dhanë 100 mijë lekët në dorë, në sy të vajzës.

“Qënka vërtetë vajzë”, mendova për atë që më qëndronte përballë dhe nuk fliste asnjë fjalë.

-Nëqoftëse do edhe të hash këtu tre vaktet e ditës, do të paguesh dyfishin.

Nuk kisha se ku gjeja më lirë.

Futa dorën në xhep.

-Prit, prit se edhe për pesë dekika vijnë dritat, – tha gati në gjysëm urdhëri plaka. – Se ai, pizevengu, çypçija )- vijoi ajo, – një sirà ) ma pat hedhë me tri dhjetëshe fallco…

Sakaq kuzhina llamburiti nga dritat. Kufizimi i asaj dite mbaroi dhe tani punët bëheshin edhe më mirë.

Ndërsa unë bisedoja me zonjën e shtëpisë, vajza me napë në kokë doli nga kuzhina. Në dhomën ngjitur ndjeheshin lëvizje, spostime të gjërave dhe ishte e kuptueshme se ajo po më bënte dhomën gati.

Plaka më tregoi se jetonte me të bijën, pasi tre djemtë i kishte në Greqi.

Më bëri përshtypje fakti se si dy femra mirrnin kurajon të fusnin bujtës në shtëpi. Sigurisht që nevoja s’ka gjyq, po edhe problemet që mund të lindnin nga të panjohurit, s’kishte para që t’i paguante.

Nga xhaketa nxorra paratë e paradhënies. Jo aq për korrektesë, se sa për t’i hequr nga xhepi im. Plaka nuk i mori nga tavolina ku i lashë dhe unë nuk i thashë t’i mirrte e t’i numëronte. Sigurisht ajo priste të bijën.

Dikur plaka e kuptoi se dhoma tani ishte gati, u ngrit, dhe pas saj u vura unë.

Dhomë më të mirë nuk kërkoja.

-Kjo është dhoma e djemve, – tha plaka, – mund ta mbash dritën ndezur sa të duesh, edhe kaloriferin, sepse ne këtu në Shkodër nuk paguejmë dritat…Darkën ne e hamë në ora 8. Ti mund ta hash edhe ma vonë. Kështu e hanin edhe djemtë…

-Po shkoj të marr valixhen me plaçka, – i thashë, – e kam lënë tek një patriot në konviktin e djemve.

-Mos shko sonte, se nuk është natë për të dalë, – tha plaka. – Nëse ke ndonjë nevojë, kam ndrresat e djemve.

Fërgëllima e vajzës qe e lehtë, sikur drithëroi jo vetëm plakën, por edhe mua.

U bë një pauzë, siç bëhet rëndom kur je para gjendjeve të tilla shpirtërore. Po situatën e kapi sërish plaka. 

-Banjon e kemi të përbashkët. Dush mund të bash edhe çdo ditë…Kështu banin dhe djemtë…

Nga që isha sjellur varavingu gjithë ditën, e ndjenja nevojën të shkoja në banjo, po se si më vinte  para se të pija kafenë që po përgatiste vajza me napë.

Hyra edhe një herë në kuzhinë. Tani shquaja trupin e një vajze llastar para meje, dhe një palë sy jeshilë mes napës së bardhë. Sy të tillë kisha parë veç nepër filma dhe gjithnjë magjepsesha prej tyre. Isha i bindur se napën ajo e kish vënë ose sepse sapo kishte dalë nga banjoja, ose sepse kishte ngjyrosur flokët. Kështu bënte edhe motra e madhe.

-Numroji paret, Vali! – tha plaka në formë urdhëri.

Vajza, si më vuri përpara kafenë, zu të numëronte kartmonedhat dhjetëshe, paksa si me droje e turp.

-Në cilin fakultet je? – më pyeti.

-Në gjuhë letërsi.

-Po më vjen mirë, – tha, – sepse më së fundi do të mund të diskutoj me dikë për letërsinë.

Nisa të rrufit kafenë që më kishte vënë përpara. 

-Lexon? – se si e pyeta.

-Shumë, çdo ditë. Tani nuk e kuptoj jetën pa librat. Po edhe pa televizorin. Si të thuash, tani janë bërë jeta ime.

-Shumë gjëra më mungonin në Itali, – thashë unë, ndoshta edhe duke pohuar një të vërtetë, ndoshta edhe për të zënë muhabet, – po nga të gjitha letërsia më mungonte më shumë.

-S’kishe kohë të lexoje, – tha vajza.

Pohova me kokë. Pastaj i dhashë përgjigje ca pyetjeve të plakës.

Durova sa durova dhe më së fundi u ngrita dhe lashë të kuptoja se do të shkoja ose në dhomë ose në banjo.

Banjoja qe e punuar mirë, me gjërat më të domosdoshme.  Pas pak, tek po dilja prej saj, desha të shihesha në pasqyrë. Era e marrë që frynte përjashta sigurisht që m’i kishte përpushur flokët…Po habia ime ishte se nuk shihja pasqyrë. I dhashë karar të shihesha në xhamin e kabinës së dushit.

Mungesa e pasqyrës në banjo më bëri që ta kërkoja në koridor. Po as aty nuk kishte dhe në vend të pasqyrës së portmontosë, qe vënë një panoramë.

“Epo sigurisht që duhet të ketë në kuzhinë”, thashë me vete, edhe pse në atë orë qëndrimi aty nuk kisha parë dot një refleks të saj.

Habia ime nuk mund të fshihej. As në kuzhinë nuk kishte pasqyrë.

Plaka po përziente me një lugë druri të gjatë gjellën e darkës.

-Të pëlqen çorba? – më pyeti ajo.

-Shumë! – iu përgjigja, pasi me çdo kush doja ta kisha mirë me të,  – edhe pse nga gjërat që s’parapëlqeja ishte pikërisht supa.

-Nëna gatuan mirë, – ndërhyri vajza me napë.

-Si e ke emrin? – më pyeti dikur plaka.

-Mateo, – iu përgjigja shpejt.

-Edhe Mateot paskan hy në konakët e Dibrës? – pyeti plaka me shpoti, pasi  emri im nuk i krijoi shije të mirë.

Humorit të saj edhe unë iu përgjigja me të njëjtën monedhë, duke i thënë se Dibra kishte hyrë në Evropë  pikërisht më 14 prill të vitit 1978, atë ditë kur kisha lindur unë.

Vajza qeshi lehtë, ose kështu e mirrja unë me mend se qeshi.

-Qënkemi të dy të shenjës së dashit, – foli ajo.

Plaka bëri sikur u kollit dhe unë e kuptova se ishte një sinjal për vajzën që të mos e trashte që në fillim muhabetin.

* * *

Kjo qe nata e parë në atë shtëpi. I thamë njëri-tjetrit gjëra të sipërfaqshme, që harrohen të nesërmen. Gjithsesi m’u desh t’i tregoja plakës se isha djalë i vetëm në tri motra, se e madhje ishte e martuar, të voglat gjimnaziste. Se babai dhe nëna punonin që të dy, babai ndihmës-mjek dhe nëna në një market si ekonomiste, tek i vëllai.

Supën e plakës e shijova, historitë që më tregoi bëra sikur i shijova. Vajza me napë e kuptoi se plaka po e tepronte, hodhi diçka në koridor; plaka e mori sinjalin, siç mirrte dhe vajza nga e kollura e saj.

Nga lodhja e asaj dite, po kotesha për gjumë.

-Dhomën e keni gati, – tha vajza dhe unë mezi ç’prita. Isha i bindur se me të vënë kokën në jastek do të flija. Po për çudi, ndodhi e kundërta. Sytë e jeshiltë të vajzës, muzikaliteti i zërit, maturia në fjalë e në veprime dhe lëshimi i dhomës me qera, më bënë që si lumë të më vërshonin me dhjetra pyetje. Dera e dhomës nuk puthitej mirë, nga kuzhina dëgjohej televizori dhe hera-herës e kollitura e plakës. Dikur veshi më kapi shapkat që hiqeshin zvarrë, kuptova që plaka po shkonte ose në banjo ose të flinte. 

-Mos harro gjellën në gaz, – dëgjova plakën të porosiste vajzën dhe derën që u mbyll ngadalë.

Qeshë i bindur se tani vajza do të kishte punë me flokët e saj, se do të ishte duke hequr napën…se do të shkonte para pasqyrës në dhomën e saj e të krihej dhe të nesërmen, me ata sy ajo do t’i ngjiste një hyjneshe.

Se kur më zuri gjumi nuk e di, po bëra gjumë të rëndë. Mbase në të zbardhur më zgjoi e kollura e plakës, e cila donte të më kishte në kuzhinë e të bënte një dorë muhabet me mua.

I dhashë karar të ngrihesha. Një ditë më parë e kisha vendosur që sa të sistemohesha diku, t’i fusja një të hequr mjekrës që mbaja, po mungesa e makinës së rrojes e shkumës, mbi të gjitha e pasqyrës në banjo, bëri që të urdhëroja vehten e të shkoja si hoxhë në fakultet.

-Mirë mëngjesi! – e përshëndeta plakën.

-Nadja e mirë! – themi ne në Shkodër, – m’u përgjegj plaka. – Si fjete!

-Si qingj! – iu përgjigja.

-Thue kshtu me ma ba qejfin! Po unë e di fort mirë se s’të ka xanë gjumi. As në krevatin e mbretit nuk flë tjetër kush si qëngj!

Nuk mund t’i kundërshtoja.

-E do një kafe?

Po plaka nuk e priti pohimin tim. E vuri xhezvenë.

-Vali! Vali!

Plaka e thirri dy herë dhe në dhomën e vajzës u ndjenë lëvizje.

-Vali ngrihet vonë se bie vonë. Sheh filma natën – shtoi.

Ky fakt më zbuloi se vajza as në punë nuk duhej të ishte. Sigurisht që djemtë në Greqi mund të mbanin me ç’fitonin dy femra pa punë në Shqipëri.

-Ty të pëlqejnë filmat?

Sigurisht që nuk e prisja një pyetje të tillë nga plaka.

-Kam disa vjet që nuk shoh filma, – iu përgjigja.

-Si kështu? – pyeti plaka me një mosbesim që shprehej në tonin e pyetjes dhe në ngritjen e kokës.

-Të tregova mbrëmë, isha në Itali. Por dhe në Gjermani. Në Itali punoja në një supermarket. Kur kthehesha në shtëpi, bëja një banjo, haja darkën dhe…

-Hamall punoje?

-Si me ta spjegue, – bëra të shprehesha në shkodranisht.

-Hamall…Apo të vjen turp ta thuash?

-………….

-Të dielën që kisha pushim, dilja me shokët…

-Dhe rrush e kumbulla ato që fitoje?

-Jo të gjitha, – nxitova t’i thoja edhe për një arsye tjetër. Kisha në xhep dy mijë euro. Meqë për disa vite nuk zura libër me dorë, tani leksionet do të më ngjanin me hieroglife. Kështu që provimet më duhej t’i merrja me të holla. Po dhe për shpenzime të tjera.

Vali na uroi mirëmëngjesin. Sytë e saj qenë të butë, të ëmbël, domethënës.

-Medemek ke vënë diçka mënjanë? – pyeti ajo mosbesuese.

-Kam këtu dy mijë euro, nanë Tixhe! Do të t’i kisha dhënë të m’i ruaje, se t’i marr me vete, shkojnë si thua ti, për rrush e kumbulla…

Besimi që shpreha, por dhe fakti që s’isha trokë, sikur ma rritën “reputacionin” në sytë e plakës. I mori të hollat, dhe kësaj here pa ia dhënë Valit që t’i numëronte, i futi në një shami dhe që aty e në gjoks.

Nuk e kuptova se përse sytë jeshilë të Valit morën një shkëlqim të ri.

-Edhe djemtë e mij punonin në një fabrikë te greku, po ndodhi ajo që s’duhej të ndodhte dhe Bujari me Qemalin ranë në burg. Tani punon Titi që t’i mbajë. Duen edhe dy vjet që të dalin.

E kuptova tani pse-në e lëshimit të dhomës me qera.

Ngrita kokën dhe e pashë për herë të parë ngultas në fytyrë. Sytë e saj sikur në çast u mbushën me lot.

-Po ne këtu kemi plot nipa që më vijnë rrotull, – tha plaka, si për të më kujtuar që të mos më shkonte ndër mend të bëja ndonjë prapësi se do kisha në shpinë kushedi sa nipa, edhe pse, po vetë ajo më kishte treguar se si ia kishte punuar qiraxhiu i mëparshëm e askund s’ishin dukur nipat e saj.

-Mësues do të dalësh? – më pyeti.

-Për mësuesi e kryej shkollën, po s’ma merr mendja.

-Po atëherë pse e kryen shkollën?

-Po ja, ta kem të lartën. Ku i dihet jetës.

-E ke mendjen prap përtej detit?

-Ndofta!

-Mos je lidhë me ndonjë italiane? – Pyetja e plakës më befasoi…

Ndërsa po mendoja që t’i jepja përgjigje, sytë jeshilë të vajzës sikur ishin ngulur tek buzët e mia.

-As më është përshkuar nëpër mend, moj nanë! Kur të vijë dita, nusen do ta marr shqiptare!

Nga kjo përgjigje plaka sikur u ngroh edhe më shumë.

-E po s’ke se si të lidhesh pa përcjellë edhe dy motrat në kësmet të tyre. Veçse kohën e paske…

Vali lëshoi përdhe diçka që mbante në dorë, plaka e kuptoi se e kishte kaluar cakun.

Siç duket po i pëlqeja. Dhe mesazhin e dha:  më zgjati paketën e saj të cigareve.

-Nuk e pi, nanë Tixhe!

Plaka e ndezi për vehte. Edhe vetëm nga mënyra krejt e natyrshme e vënies në buzë të cigares, dukej se e pinte prej kohësh.

-Punë me mend! – tha ajo dhe më shikoi më vëmendje. -Më thirre nanë!

-Për moshën…

-E kuptova, e kuptova…Po nanë njeriu ka vetëm nji…Dhe ti nanen e ke në Dibër…Mund të më thrrasësh Tixhe. Emnin e plotë e kam Hatixhe, po kështu më kanë thirrë ç’se kam ra në këtë derë.

Unë desha t’i bëja një tjetër sqarim, por ajo ndërhyri.

-Mirë, de mirë, se s’bëre ndonjë hata, po ka disa gjana që i duroj, ka disa që nuk i duroj…Nuk i duroj dot disa spurdhjakë që sa fejohen, vjehrrën e thrrasin nanë?

Kafenë e piva me nge. Ajo më vërente dhe unë e kuptoja se njëfarësoj duke më parë mua, mbase shuante disi mallin që e kishte këputur për të tre djemtë.

-Për të mirë, nanë Tixhe! – se si urova unë!

Plaka ngriti kokën.

-Pra, do të më thërrasësh nanë?! Kështu? Atëhere Valin  do ta shohësh si motër!

Sërish Vali lëshoi diçka në dysheme, sa për të tërhequr sërish vëmendjen e së ëmës.

-Të dukem e rreptë? – se si më pyeti befas.

Gati u bëra t’i thoja “aspak”, por në çast e tërhoqa gjuhën.

-Sigurisht që të jam dukur e rreptë…

Unë vura buzën në gaz.

-E kam edhe nënën të sertë, – desha ta zbus unë.

-Epo, afërmendsh, s’ka si me kenë hopna-dokna një nanë me tri vajza…Unë Valin e kam dhe…

Mbase desh të thoshte se ia kishte bërë rruc-puc gjithë jetën, po sikur u pendua dhe shtoi:

-Ah, Vali!…

Nuk e di, po mbase më shumë se sa kur përmendi djemtë, fytyra e saj sa buzët i artikuluan emrin e së bijës, erdh e u pushtua një një trishtim që nuk e fshihte dot.

Nuk e gjykova me vend ta pyesja për Valin, unë aty do të isha në drekë e në darkë…

Ndërkohë në derën e shtëpisë u ndje një e trokitur dhe na e preu fillin e bisedës.

-Asht katundari i qumështit, – tha ajo dhe bëri të ngrihej.

-Dal unë! – thashë dhe me dy-tre hapa u gjënda tek dera.

Pas pirjes së kafesë, Tixhja desh të më servirte edhe muhabete të tjera, po ra kumona e një ore të vjetër dhe ajo e kuptoi se unë duhet të nxitoja për në universitet, pasi ma kishin sqaruar mirë se jo profesorët, po mungesat të përdridhnin.

* *

Kështu erdha e hyra unë në jetën e këtyre dy femrave në një familje shkodrane.

Shumë gjëra për mua u sqaruan shpejt. Vali qe djegur në njërën faqe dy a tri vjet më parë dhe fytyrën e mbante të mbuluar me napë, ditë-natë. Tre vëllezërit kishin marrë rrugën për në Greqi, për të mbledhur të holla për t’i bërë motrës një operacion plastik në Itali, që kushtonte miliona. Po ndodhi ajo që ndodhi në një klub në Janinë, i sulmuan një grup huliganësh grekë dhe…drejtësia e vendit e dha verdiktin e vet…Tani punonte Titi, vëllai i vogël për t’i mbajtur në burg, por edhe për t’i çuar së emës e së motrës diçka për të plotësuar pensionin sa për të jetuar…

“Sekretet” që ka çdo familje, erdhën e u ç’bënë pas pak. Mësova se ato mezi ç’kishin pritur ta lëshonin dhomën me qera, kishin marrë kushedi se sa e sa gjëra me listë tek dyqani i ushqimeve e ato duheshin larë, se plaka vuante nga pagjumësia dhe natë për natë ia fuste nga një valium, dhe pastaj…gërhimat e saj dëgjoheshin deri në dhomën time, se mungesa e pasqyrave e kish shpjegimin e vet – napa e Valit. Mbase pasqyrat në shtëpi i kish hequr Tixhja, që e bija të mos e shihte dot faqen e djegur, mbase vetë Vali…Unë arrita të shoh një foto me ngjyra të Valit, krejt rastësisht. Mora një libër nga bufeja që ta lexoja dhe brenda tij qe ajo…O, Zot! Si mund të ishte shëmtuar fytyra e saj! Fotografinë e saj do ta botonte në faqen e parë çdo reviste në perëndim. Atë foto e futa në bllokun ku mbaja leksionet…

Kështu jeta ime në këtë qytet erdhi e mori tjetër dimension. Hynë të tjerë personazhe, veç Tixhes e Valit. Bashkëstudentët e kursit, pedagogët, të njohur të rinj…Nga shokët e dikurshëm të viteve të para, kisha arritur të takoj vetëm Vullnetin dhe Ditmirin…

Në kursin tim djemtë ishin me pikatore. Vetëm shtatë veta. Ndër vajza kishe për të zgjedhur. Mungesat e pedagogëve na linin shpesh pa leksione dhe na mbushnin jetën me klube. Që në fillim më ndiqnin sytë e Megit. S’ishte e zorshme ta kuptoje. Nëse hynim të gjithë si kurs në klub, ajo do të bënte çmosin të ishte në një tavolinë me mua, në qoftë se shkonim në një pab do ta kisha përballë duke vallëzuar. Më joshte me vështrimin e saj me bishtin me qerpik. Kishte të holla, sepse sa herë që vinte kamarieri, nxitonte të paguante. Më pas e mora vesh se babai i saj kishte një dyqan hidrosantaresh. E shihja që e sillte shpesh me një “Bens” të zi.

Shtëpia ime e re, e nënë Tixhes, nuk qe afër qendrës, po unë nuk e di sepse nuk e ndjeja rrugën që bëja nga fakulteti. Tashmë sikur ishim mësuar me njëri-tjetrin.

Qënia e plakës vazhdimisht në shtëpi, sikur ma lehtësonte hyrjen e daljen, por edhe më krijonte frenime në shumë biseda që mund të bëja me Valin. Qe e pamundur të diskutoje me të për një libër, pasi biseda jonë do të bëhej e koduar. Një film që po shfaqej, personazhet nuk po shqiteshin dhe plaka kollitej e Vali e kuptonte se qe një urdhër për të ndrruar stacionin. 

-Edhe nëna ime kështu si ti bën, Tixhe…- i thoja unë, i ndjekur nga syri i Valit.

-Pislleqe, pislleqe që kur erdhi demokracia…

-Po ne s’kemi fëmijë këtu, moj nanë…- s’durohej Vali.

-Për mue  jeni fëmijë…Përderisa s’jeni të martuem, jeni fëmijë…

Syri jeshil i Valit sa vinte e më turbullonte. Po Tixhja që natën e parë më kishte thënë ta shihja si motër… Po se si, sa dilja nga shtëpia, vështrimi i Valit më ndiqte e më ndiqte, më shfaqej në sytë e vajzave të tjera, ma turbullonte vështrimin e Megit; kur kthehesha në shtëpi, ajo siç dukej tani ma njihte çapin dhe pa trokitur ma hapte derën, e ndjenja erën e saj, o zot, një erë sikur shprazte një çetinë lulet më të virgjëra të botës alpine, syri i saj sikur më zbriste ylberin në vështrimin tim, zëri i saj frushullonte si një pyll me mështekna në puhizën pranverore. Sa më shumë që kalonin ditët, nxitoja të kthesha në shtëpi, shpesh herë duke ia lënë edhe në mes propozimet e Megit për një takim pasdreke…

Sa larg, kilometra drite larg mbeteshin aventurat e mia në Itali e Gjermani!

Bisedoja një natë me Valin. Kisha nevojë të rrëfehesha…Dhe një natë, ndërsa Tixhja po bënte banjë, ajo më pyeti edhe për ato që unë kisha nevojë t’ia thoja dikujt.

-Ngushtë e ndjeva veten kur më pushuan nga puna në Itali, – i thashë. – I mora borxh një shoku, pastaj edhe një tjetri, me shpresë se do të gjeja punë.…Derisa një ditë…

-Çfarë? – pyeti ajo si ta dinte se pas papunësisë vinte…

-S’kisha rrugë tjetër…U lidha me Renaton, një torinez dhe një shokun  e tij, maroken…Mandej me Xhixhin…Ai më jepte drogën ta shpërndaja me qeska të vogla…

-Vërtetë? – tha ajo mosbesuese. – Vetëm me këtë punë merreshe?

-Jo, jo, për fat gjeta edhe punë. Në një piceri, që frekuentohej nga vipa. Edhe aty nuk fitoja pak, po jo si kur më furnizonte Xhixhi…

Syri i Valit mjegullohet.

-Më duhet të laja borxhet, Vali…shpërblimi për punën që bëja qe i majmë…kështu ca para të mira i vura mënjanë…për fat ia lashë gjyshit të Mersinit, një shokut tim dibran…por policia një ditë…vrapi nëpër rrugica…kyçja në shtëpinë e një patrioti në Leçe…biseda e fundit në telefon me Xhixhin…E kuptoja se kisha hyrë në një rrugë pa krye, po nuk kisha nga t’ja mbaja…Doja të largohesha nga Renatoja, marokeni  e Xhixhi, po e dija se ç’fat më priste…Një shqiptar ishte gjetur i vdekur në periferi të Barit…Atëhere i dhashë karar të ikja në Gjermani…Qëndrova dy vjet…derisa mora vesh se Renaton, marokenin dhe disa të tjerë i kishin rrasur brenda…U ktheva në Itali, po me frikë se mos policia më gjurmonte, edhe pse nuk isha askund i skeduar prej saj. Për fat, edhe kur u njoha me Renaton me shokët e tjerë, u kisha dhënë tjetër emër. Ata më njihnin për Gjon Kraja…Ia kisha frikën një italiani që quhej Xhixhi. Ai kishte mbetur jashtë dhe unë prej atij e mirrja mallin…

-E takove më? – pyeti ajo duke mos mundur ta fshihte dot frikën.

-Jo! 

-Sa fitove me atë punë?

-Shumë!

-Sa?

-Miliona.

-Ua solle në shtëpi?

-Jo, as ato, as çfarë nxirrja nga piceria…Mandej në Gjermani punova sërish në një piceri…Nuk fitoja pak…Po prindërit e mi asnjëherë nuk kanë pasë nevojë për mua! Po, si të them…

-Rrush e kumbulla,  siç thotë Tixhja, – shtoi ajo.

-Një pjesë…Tjetrën e kisha tek gjyshi i shokut, për fat…Tek ai i kam sërish… I kam më të sigurta se t’i kem në një bankë…

-Si tek Tixhja, – shtoi ajo.

Tani me Valin komunikoja lirshëm, po hynim çdo ditë në labirinthet e njëri-tjetrit. Sot zbulonim një diçka e nesër një tjetër.

-Ke patur ndonjë vajzë? – pyeti një ditë beftë, gjithnjë kur Tixhja nuk ishte e pranishme në dhomë dhe pa e mbaruar pyetjen, e ndjenja se dallgë të brendshme kish ngritur deti i shpirtit të saj.

-Si thua? – iu kundërpërgjigja unë.

Ajo ngurroi. Me pa drejt e në sy dhe unë ndjeva turbullim. Po gjithsesi, pyetja e saj kërkonte përgjigje. E kishte atë shkallë emancipimi sa të pranonte çdo përgjigje.

-Nuk jam eunuk, – thashë pas pak.

Tani syri i saj u turbullua. Po unë vazhdova.

-Gjithçka Vali qe si një ëndërr e keqe!

Në mesore u ndje e kollitura e Tixhes dhe kaq mjaftonte që ne të vijonim, unë të lexoja një leksion dhe Vali një libër me tregime.

Seç kishte Vali një magnet që më tërhiqte! Përditë e më shumë, për javë e më shumë. Mbase magneti ishin sytë e saj të magjishëm, mbase gjoksi i saj që ulej e ngrihej si deti me valë, mbase trupi i saj që kundërmonte erë myshk, mbase sinqeriteti që buronte si një ujëvarë. Ku e ku ishte ajo me ato që kisha njohur e që nuk më kishin lënë asnjë gjurmë!

Kaluan tre muajt e dimrit, po vinte pranvera. Në kopshtin e një shtëpie pranë apartamentit,  një kumbull u mbush me petalet e saj të magjishme. U trondita. Se si tek ato petale unë shihja jo një napë, po një vello të bardhë që kishte hedhur mbi supe Vali. Po ku shkonte nuse, ku? Mbase ishte ëndërr, po, po, me siguri isha në ëndër, përderisa më shfaqej edhe fytyra e Xhixhit. Po Xhixhi përse? Më ishte shfaqur edhe gjatë ditës.

Vetëm Xhixhi kishte mbetur jashtë…Në fillim, një fakt i tillë më kishte trembur…Ndërsa tani, tek ai shihja një rreze shprese…Mund të rrezikoja edhe një herë, për pak kohë…Për Valin ia vlente, ndryshe me djersë nuk mblidheshin aq sa duheshin për operacionin e saj…

…Kur hyja në dhomën time, era e Valit më tërbonte. Ma kishte thënë se  lexonte aty, pasi binte dielli paradreke kur unë shkoja në fakultet, por edhe sepse nga ajo dritare shihej njëra nga rrugët më të populluara të lagjes. Unë nuk kisha hyrë asnjëherë në dhomën e saj, po me mend e mirrja se ajo binte gjithashtu mbi një  rrugë karakteristike të lagjes. Siç duket, edhe ajo kishte nevojë për erën time, për erën e një burri. 

Fotografinë e saj e mbaja gjithnjë në një bllokun e leksioneve. Nuk e di përse, po tani e hapja kaq shpesh atë. E shihja fotografinë e saj e s’ngopesha dot.

Nuk ma mirrte mendja se ajo erë apo puhizë që kishte trazuar dy shpirtëra, do të shndrrohej në furtunë.

Ngjau thjeshtë: kur u ktheva në drekë pas leksionit, syri i Valit sikur kishte diçka për të më thënë: ishim vetëm. Nënës i kishte vdekur një kushërirë e largët, moshatare me të dhe…

-Erdhën dhe e morën nipat…

-E njihje të ndjerën? – se si pyeta unë.

-Jo, jo, s’e kisha parë kurrë, si i themi ne këtu në Shkodër, lëng stërlëngu e kishte nëna, po…ç’të të them, kur je në moshën e nënës, e duan ta vënë në raste të tilla në krye të vendit…

Ishim vetëm. Unë edhe ajo. Këtë çast, pra ikjen e beftë të nënës një ditë, ajo sikur e kishte pritur. 

Për të parën herë qyshse kisha shkelur në atë shtëpi, mund të flisja lirshëm me Valin, mund të kridhesha në detin e syve të saj.

Por…Por Tixhja më kishte kërkuar ta shihja si motër. Megjithatë në ëndërrat e mia erotike kushedi sa herë e kisha marrë në krahë Valin,  kushedi sa herë e kisha puthur me një afsh prej të marri.Fatkeqësia që i kish ndodhur i kish privuar shumë të drejta të moshës së saj, por ajo vajzë ishte e vajza është si toka, do plug që të shkriftohet, të avullojë e të të japë frutet më të ëmbla të kësaj bote.

Por dhe në zhgjëndër nuk kisha bërë pak. Natyrisht, me lejen e Tixhes, kisha arritur ta nxirrja një natë në bulevard, një natë tjetër e shoqërova në një koncert, në kinema. Propozimi im që Vali të dilte ashtu e mbuluar, si jo pak vajza myslimane të medresesë së qytetit, bëri që ajo të dilte nga burgu ku e kishte futur veten. Se, para se të shkoja unë, ajo zbriste ashtu e mbështjellë me napë vetëm në katin e parë të pallatit, ku ishte një minimarket e një dyqan fruta-zarzavatesh dhe aq. Arrest shtëpie.

Ai që i kisha dhënë lirinë isha unë. Asaj ia dhashë lirinë, vetë u bëra rob i saj. Po s’kisha guxim të hidhja një hap, t’i thoja një fjalë. I lirë isha vetëm në ëndërrat e mija erotike.

Po ajo?

Sytë e saj të jeshiltë i lexova sa hyra në shtëpi. Ose më mirë lexova shpirtin e saj.

Lashë ç’kisha për të hequr në portmontonë e mesores dhe nuk e dija se nga t’ia nisja.

-Do të hamë?

O Zot! Ajo më shumë më pyeste me sy se sa me fjalë? Jo, jo, Vali! Unë dhe ti kemi nevojë për tjetër gjë.

Sigurisht që këto m’u përshkuan nëpër mend e goja nuk më artikuloi asgjë.

Po ndërsa kërkoja të gjeja shtegun nga të hyja në atë pyll enigmash, syri i saj po më tërbonte, po ma ngrinte adrenalinën në atë shkallë që as vetë nuk e dija se si pluskonte.

Më pa dhe e pashë. Kushedi se sa gjëra që i thamë njeri-tjetrit në atë çast. Shihja gjoksin e saj – baticë e zbaticë e një deti të trazuar. Një det i vërtetë! O zot, sa do të doja atë çast të kridhesha aty, le të më fundosnin dallgët e tij e të më përplasnin në brigje të panjohura!

-Vali!

Ajo ktheu kokën mënjanë. Po nuk tha “mos”, as nuk bëri ndonjë veprim që të më frenonte.

Nuk e di se kush më komandoi veprimet e mëtejshme, mbase zemra… Bëra  dy hapa drejt saj dhe mbështeta kokën në gjoksin që i gufonte. Ia ndjeva gishtërinjtë e duarve mes flokëve të mij, mandej një palë buzë të përflakura. Se si, po mbase duart e mija kërkonin të hiqnin napën e bardhë, por vetëm atëherë ajo sikur u shprish nga ajo gjendje e pazakontë, duart e buta iu bënë si ganxha dhe unë nuk pata forcë të bëja më tej.

-Mos, shpirt, mos! Kudo, veç napën mos ma hiq! Unë s’dua të sheh veten e jo të më shohësh ti!

-Vali!

-Ti tashti e ke kuptuar. Unë kam hequr edhe pasqyrat nga shtëpia!

Kaq tha. Se mandej komandonin shpirtërat tanë dhe duart e mija mirrnin në pëllëmbë pasuri të tilla që çdo kush do t’i kishte dëshirë t’i bënte pronë të tijën. Ia çkopsita bluzën dhe para meje u shfaqën një palë gjinj që mund t’i kisha parë veç në pikturat e rilindësve italianë, një bel që këputej e pastaj…Edhe duart e saj tani eksploronin në trupin tim. Në fillim në shpatulla, më pas dhe në pjesë të tjera të trupit, po gjithnjë si më frikë e me drojtje të zbriste atje ku fillonte dhe mbaronte të qënurit burrë. Po më jepte gjithçka e nuk kisha se përse të ngurroja.

-Kaq shpejt! – se si tha.

-Kaq vonë! – qe përgjigja ime dhe tani nuk dija se ç’bëja.

Natyrisht duhet të bëja detyrën e burrit. Po në çast se si më frenoi diçka. Mbase një ndjenjë e brendshme qytetarie, mbase atë çast m’u kujtuan edhe motrat e mija. Po sikur? Sikur edhe mua  dikush të më priste në besë, kështu siç po e prisja unë plakën? Qiraxhiu i mëparshëm i kish dhënë tri dhjetë mijëshe fallco, s’ia harronte kurrë. Tani dhe unë po i dilja fallco. E kuptoja se Vali donte të shijonte diçka nga kjo jetë, mbase në vetminë e saj ajo këtë skenë erotike e kishte imagjinuar kushedi sa herë, po unë, unë a duhet ta bëja një gjë të tillë? 

-Vali, nuk mundem!

Sytë e saj nuk e besonin.

-E kam lexuar, kjo u ndodh shpesh burrave, – ndërhyri ajo, – sidomos atyre që janë të ndjeshëm. Po e provojmë prapë, nëna nuk vjen deri pas orës pesë. Kemi mjaft kohë.

Buzët e saj të përflakura, të cilat kushedi se si kishin mbetur pa u dëmtuar, më krijonin një vorbull ndjesish që më mirrnin e më fundosnin mes shtjellash gëzimi të paprovuara më parë.

-Teo, shpirt!

Nuk munda t’i rezistoj. Vali edhe të vdekurin e ngrinte nga varri! E në këtë çast në shpirtin tim u zgjua burri, vehtja m’u shndrrua në një kalë të egër që duan ta shalojnë. 

Tani gishtërinjtë e mij  mes gëmushës kërkonin të gjenin trëndafilin e egër. Po jo vetëm kaq. Kërkoja që atij trëndafili t’i shijoja gjithçka, pa çka se do ta gjakosesha duke hyrë mes ferrave.

Në vitet që kisha qenë jashtë shteti kisha patur marrëdhënie me vajza, po tek asnjëra nuk kisha ndjerë atë magnet që po ndjeja tani. Mbase atë që nuk ma jepte fytyra e Valit, ma jepte shpirti i saj, sinqeriteti i saj e më pas ma jepte qafa, oh ajo qafë mjelme, ma jepte gjoksi i saj që mbante një erë që o zot, ma jepte gjithçka, gjithçka, siç ta jep një pllajë alpine ku kanë shpërthyer mijëra lule e që s’di se cilën të zgjedhësh më parë. Ajo e kish emrin mrekulli. Dhe  ishte në duart e mija.

-Teo, shpirt! Teo, shpirt!

E përsëriste dhe e përsëriste pa fund. Edhe unë, si ajo, fluturoja në qiellin e shtatë.

Po vjen një çast që njeriu kthjellohet. E në atë kthjellim, se si m’u kujtua diçka. Se si do ia bënte ajo tani e mbrapa. Si mund të rrinte baroti e zjarri pa u ndezur në një gëzhonjë që pas pak orësh do ta kishte emrin kuzhinë.

-Do të vi natën, do të pres sa nëna të flejë. Do të vi përnatë, për natë. Për fat ajo gërhet në gjumë, për fat që pi dhe valjume. 

Kisha zhytur kokën mes gjinjve të saj të fryrë dhe s’ngopesha dot…

Mandej, mes magjisë së atij çasti, si shkreptëtimë erdhi një pyetje e saj:

-Më mëshiron?

-Si?

-E bën se të vjen keq për mua apo se më ndjen?

Mund t’u përgjigjesha kushedi dhe njëqind pyetjeve të tjera, po jo asaj. 

Unë kisha kohë që mes mëshirimit e keqardhjes, e ndjeja, e ndjeja, nuk qëndroja dot pa të. Koha në fakultet më dukej e gjatë, tepër e gjatë, koha pranë saj fluturonte. Minuta në fakultet më bëj orë e ora pranë saj më bëhej minutë. O Zot, ç’po ndodhte kështu me mua?

Gjoksi nisi t’i ngrinte tallaze. Po qante.

-Vali!

-Po s’ka gjë, s’ka gjë! – tha pas pak. – Unë të justifikoj, të justifikoj plotësisht. Se s’ka përse një djalë king si ti të ketë përkrah një fytyrë djegur.

-Vali, ç’thua!

-Edhe unë s’do ta lejoja të kundërten, Teo, kurrë! Kjo që po bëjmë ne e ka emrin aventurë. Po gjithsesi ti do të jesh i pari dhe i fundit.

Më kishte pushtuar me një forcë të re dhe unë ndjeva sërish ripërtëritjen.

Ndo nja një gjysëm ore para se të binte pesa e të kthehej plaka, u vesha dhe dola. Duhej të dilja se isha i bindur se në përballjen e parë me plakën do ta tradhëtoja veten. Ishte më mirë që ajo të mendonte se unë në mungesë të saj nuk kisha qëndruar në shtëpi vetëm me Valin.

* * *

Si shumë të rinj, edhe unë kisha klubin tim. Qe një bar modern ngjitur me fakultetin, ku mblidheshim paradreke. Hyra me shpresën se do të gjeja ndonjërin nga shokët e kursit, po Ketoja, njëri nga kamarierët me të cilin më hahej më shumë muhabeti, më tha se asnjëri nuk ishte dukur.

Më solli një ekspres dhe u zhduk pas perdes së kadifenjtë të banakut.

Nuk shkuan as dhjetë minuta dhe ia behu Megi. 

-Ua, Mateoja, – ia bëri ajo me një artificë teatrale fallco. Kjo më la një shije jo të mirë. Aq më shumë edhe kur erdhi të na shërbente Ketoja. Se si më lindi një dyshim se Ketoja e njoftoi atë në celular. O zot, po a kishte se si?

Nuk e kujtoj mirë seç mori, po pas pak në bar hyri një mesoburrë dhe Megi, pak si me frikë, tha:

– Babi!…

E shikova me sy, sikur ta pyesja: “E çfarë?”.

-Ftoje, le të vijë! – thashë unë sakaq dhe ajo, u ngrit, diç komunikoi me të, e mori përkrahu dhe e solli tek tavolina ku po rrinim.

Njohja qe e ftohtë, edhe pse Megi me ojnat e fjalëve të saj desh ta shkrinte atë shtresë akulli që zuri shpejt mes nesh.

Pas pak ata u larguan të dy, pas tyre dhe unë. Ketos ia lashë të hollat në tavolinë, si zakonisht. Nuk i thashë fare natën e mirë.

* * *

Tixhja kishte kohë që kishte ardhur dhe, pas ngushëllimit që i bëra, qeshë i detyruar ta dëgjoja fije për pe gjithë mortin e kushërirës. Ngaqë dilte rrallë, gjithçka e fiksonte deri në detaje. Po gjithsesi, lodhjen e asaj dite nuk qe e thënë ta përballonte. Shkoi më heret që të flinte.

Kur u ndje gërhima e saj, Vali erdhi dhe u fut në shtratin tim. “Më mirë kur pi valjum, tha, jemi më të sigurt”.

-Ashtu është, – iu përgjigja.

-Ti seç ke. Të dallova qëkur erdhe.

-Vërtetë?

-Pse, mendon se mund të më fshehësh diçka?

-Asgjë, ishte thjeshtë një proçkë…ndofta dhe një farë kurthi a kudi unë si ta spjegoj…është një vajzë…Megi e quajnë…

Sa përmenda emrin e saj ajo u drodh.

-Ç’pate?

-…….

Zu të qajë. 

-Mos qaj, se po zgjohet Tixhja.

-Teo, ti shko me Megin…Kurthi jam unë…

E putha, e putha fort dhe kjo ishte përgjigja më e mirë se në atë kurth ku të fusin vetëm ndjenjat e vërteta, kishim rënë të dy.

* * *

Marrja e diplomës nuk më shkaktoi kurrfarë gëzimi. Vali më kish bërë për vete dhe nuk shqitesha dot prej saj. Po dhe të qëndroja, s’kisha më motiv.

-S’rroj dot pa ty, Teo!

-As unë, shpirt!

-Si do ia bëjmë?

-Nuk e di!

Ishte nata e fundit. Të nesërmen duhej të nisesha.

-Do ta takosh Megin?

Qe një pyetje e beftë.

-Jo, i kam thënë lamtumirë.

-Përse?

-Sepse takimi në bufe atë ditë që vdiq kushërira e Tixhes ishte i kurdisur.

-Vetëm për këtë.

-Qoftë edhe vetëm për këtë. Po mbi të gjitha se je ti!

-Mua duhet të më harrosh. Ti tani do të nisësh një jetë të re. Gjithçka ndodhi këtu, qe veç një ëndërr.

E shikova. Sytë e saj të jeshiltë ishin të mbushur me lot.

-Ç’do të bësh?

-Si çdo të bësh? Po ja, do të qëndrosh në Shqipëri apo do të shkosh në Itali?

-Në Itali.

-Vërtet?

-Po. 

-Ti sikur e kishe me dyshim?…

-Tani e kam vendosur.

Gishtërinjtë e saj luanin mes flokëve të mi.

-S’të vjen keq për mua?

Në vend të përgjigjes e putha deri në marrje të frymës.

-Ku do të punosh? – pyeti ajo.

-Të shkoj një herë.

-Ç’të tha djali i xhaxhait?

Ngurrova pak.

-Po hë, dë?

-Në ndërtim.

-O Zot, po përse të mos kërkosh një punë më të lehtë? Ti pastaj më ke thënë se ia ke marrë mirë dorën picave…

E kisha pushtuar të tërën dhe ndjeja në gjoks rrahjet e zemrës së saj.

-Sepse në ndërtim paguhesh më mirë.

-Po përse ta turturosh veten? Ti më ke thënë se në familje nuk kanë nevojë për t’i ndihmuar me të holla…Diçka atje ke vënë mënjanë…Hë, përse?

E kisha pushtuar të tërën. Përgjigjen doja t’ia jepja me gjithçka të bukur më kish dhënë ato muaj. Jo me fjalë.

-Shpirt! O, shpirt, përse në ndërtim?

Mbase në atë gjendje ekstaze, nuk mund të kontrolloja më asgjë, asgjë…Ajo kish një aftësi sensuale që të nënshtronte. Dhe, si burrë, isha i detyruar të ngrija flamurin e bardhë të kapitullimit. Imagjinoni sikur të vinte ajo ditë që ajo të flakte tej napën e bardhë!…

-Sepse më duhen sa më shumë para, Vali. Ato që më ka ruajtur gjyshi i Mersinit, nuk mjaftojnë, se këtu, në Shkodër është një vajzë që pret të bëjë një operacion…

Vajza u drodh.

-Jo, Teo, jo, ti s’ke përse sakrifikohesh për mua…

-Kam kërkuar në internet dhe kam mësuar shumë për operacionet plastike, Vali. Mund të mbetet ndonjë shenjë dhe asgjë më shumë…

Ajo ish lidhur e tëra pas meje. Hovet e gjoksit të saj tani më shumë se kurrë i ngjisnin një deti me furtunë.

-Teo, në mos sot, nesër do ta bëjnë vëllezërit e mi…

E pushtova edhe më fort në krahë.

-Vëllezërit e tu duan edhe dy vite të krejnë dënimin, Vali…Pastaj mund t’i përzënë nga Greqia…Kush i mba pas burgut?…

Ajo kërkonte të gjente diçka të më mposhtëte.

-Janë afro pesëdhjetë milion, Mondi! Në ndërtim, sado të paguhesh, nuk i arrin.

-Do ta gjej një rrugë, Vali. Gjallë a vdekë!

E putha fort, si për t’i vënë vulën e ndershmërisë e të përbetimit fjalës sime.

Ajo prap fërgëlloi.

-Ti do të mirresh me drogë.

-Jo!

-Gënjen! 

S’më kishte folur kurrë me këtë gjuhë. Syri i saj më mposhti.

-Sa të bëj një grusht para për ty, Vali! Tani nuk jam më ai fillestari. Xhixhi po është jashtë…

-Kurrë!

-S’ka rrugë tjetër! 

-Po ata janë brenda!

-Kush ata!

-Vëllezërit e mi……….

-Ç’lidhje kam unë me ta?

-Se do të përfundosh në burg, si ata…Kurrë, kurrë Teo!…Nëse më ke dashur ndonjëherë…Nuk dua që për të më shpëtuar mua, ti të çosh drejt vdekjes dikë tjetër…

Më dukej se po më bënte moral. Sepse fare mirë mund të më thoshte se me këmbët e mija po shkoja drejt dyerve të burgut.

-Teo, shpirt!

-Fol!

-S’ka gjë, hyr në ndërtim! Kudo tjetër! Unë të pres!

-Beson tek unë?

-Shumë, shumë!

-Se do të kthehem një ditë?

-Po!

E putha. E putha me një afsh të patreguar.

-Po ti, beson se do të heq napën një ditë?

S’ma kishte bërë kurrë një pyetje të tillë në sy. Se ajo napë qe bërë rrjetë teli për të, kafaz hekuri ku mbahej e burgosur fytyra e saj.

-Po, Vali, po! Dhe se në fytyrë do të mbetet një shenjë…Vetëm një shenjë…

Ajo, pas çdo fjale, fluturonte vetë dhe më bënte edhe mua të fluturoja me të.

-Dhe pastaj ti do të kthehesh në Shqipëri.

-Po, do të kthehem.

-Për mua?!

-Kryesisht për ty! 

***

Romë, e hënë, më…

Mateo del nga dyqani i dhuratave me një si kornizë të mbështjellë bukur, me një fjongo. Nxiton me “Fiat”-in e tij drejt spitalit të plastikës. Edhe pse dita është e ftohtë dhe era hedh pa mëshirë mbi xhame flutura dëbore, ato i duken si petalet e një pranvere. Si atëhere kur kishte parë atë kumbullën dhe i pat shëmbëllyer me vellon e nusërisë së Valit.

Bleron shpirti i tij. Ka dy muaj që këtë rrugë e bën disa herë në ditë. Mjekët, pas  disa operacioneve, kanë dhënë shumë shpresa për fytyrën e Valit. 

Tanimë Vali nuk është e njohur vetëm si paciente për ta. Edhe pse atë nuk e kanë parë e takuar kurrë, e njohin mijëra italianë. Foton e saj, atë foto që mbante të fshehur Mateo në bllokun e leksioneve, e kanë botuar disa gazeta e revista italiane. Përmes një shoqate, djali ka sensibilizuar opinionin për mbledhjen e fondit për operacionin plastik të Valit. S’kurseu ç’kishte edhe vetë dhe ia arriti.

Është dita që do t’i heqin fashot. Janë dy zemra aty në Romë që rrahin fort. Po sido të jetë fytyra e Valit, ai e ka nda mendjen: ajo do të jetë gruaja e tij!

Hyn në spital. Tashmë Mateon e njohin infermieret e sanitaret, por edhe mjekët e pacientët e tjerë. Nuk ua ka fshehur vendimin e tij as atyre. Para altarit të dashurisë, ai e ka bërë një betim.

Sytë jeshilë të Valit  janë plot jetë e shpresë! Ajo nuk i gëzohet aq vetes, sa Teos! Një nga stafi që mirrej me fotot e pacientëve me djegie në fytyrë, ka arritur që në kompjuter t’i prodhojë fytyrën e saj të re. Vali, kur e pa veten në foto, fërgëlloi si atëhere kur ai e puthi për herë të parë.

Ka ardhur ora 9. Njëra nga mjeket operatore dhe një infermiere, Vanesa, do i heqin fashot. Zemra ka kohë që i rreh fort. Atë rrahje e ka provuar vetëm një herë, atëhere kur Mateo i tha të dua.

Ai është pas derës. Me dhuratën në dorë. Zemra e tij nuk rreh më pak se ajo e Valit. Dhe kur dy zemra rrahin me të njëjtin ritëm, diku shpërthen pranvera…

Në dhomën operatore ndjehen thirrje gëzimi. Dikush duartroket. Mateo nuk arrin ta sundojë veten. I shkojnë lotë. Lotë me ngashërime. Nga përtej dëgjohet një zë: Teo!

Vali e di se ai është pas dere. Se është brenda shpirtit të saj.

-Vali!

Dera e dhomës operatore hapet dhe dikush e merr atë përdore si të jetë një fëmijë i vogël, të cilin do ta fusin në botën magjike të përrallave. Se një magji e vërtetë shfaqej para tij. Vali kishte fytyrë si tërë njerëzit e këtij globi.

Ai s’dinte se ç’bënte. I kishte rënë në gjunjë mjekut dhe i puthte duart, pastaj dhe Vanesës, pastaj dhe disa bluzave të tjera të bardha që asistuan në hapjen e siparit të asaj jete që e kish emrin dashuri.

Dhuratën, që kishte lënë përkohësisht në tavolinë, e mori. Zakonisht në spital, në raste të tilla, sillnin lule. Po ai ish shqiptar dhe mbase për bluzat e bardha italiane ai zbatonte një rit tjetër. Vërtetë, ashtu ishte…E mori dhuratën që kishte sjellë dhe e hapi. Të gjithë ishin të bindur se diçka e kushtueshme do të fshihej pas atij ambalazhimi të shkëlqyer, të rrethuar me fjongo.

Ishte një pasqyrë.

U dëgjuan sërish duartrokitje. Vali shihte veten. Pastaj veten e saj e pa në sytë e Mateos!

Nisi t’i puthë sytë, buzët, faqet, qafën, ballin, gjithçka.

U ndjenë çapa. Ç’qenë aty, dolën nga dhoma dhe i lanë vetëm. Pas tyre dera u mbyll. Megjithatë, kishte mbetur një dëshmitare që i shihte se ata s’ishin më dy njerëz, por një: pasqyra.

Janar-mars, 2006

NATA PA FUND…

Kur babai i tij vinte  xurxull, Mondi trëmbej aq shumë sa shpesh, me t’ia dëgjuar hapat në shkallë dhe të trokiturën e tij nervoze në derë, vidhej e shkonte në dhomën e gjumit. Dikur ia kishte duruar shuplakat në fytyrë, po tani  vehten po e ndjente të rritur, kishte ëndërrat e tij…kishte edhe Stelën, për të cilën zemra i rrihte përherë e më fort…

Ashtu ndodhi edhe asaj nate…

S’kish mbaruar së ngrëni, kur ndjeu hapat e tij, dikë që përshëndeste në shkallë dhe pa pritur të trokiturën në derë, doli nga kuzhina dhe ashtu shpejt e shpejt u çvesh dhe hyri në shtrat.

U ndje bubullima e tij, një e sharje pa hyrë mirë për gruan e tij, Dafinën,  e cila e duronte, dhe pastaj një këngë jevgjitësh, strofat e së cilës i përsëriste deri në neveri:

Luti, moj, Luti moj, Luti moj,

Qaj për mua, qaj për mua e derdh lotë…

Sa herë që i ati vinte i bërë ashtu, sa të të vinte turp t’i thoje baba, veç urrejtjes e neverisë, ndjente edhe një keqardhje, edhe një ndjenjë mëshire, një dhëmbsuri që nuk e kuptonte se nga ç’guvë e shpirtit i gufonte.

Me gruan e tij, Dafinën, ai kishte do kohë të mira që sillej si tiran, me Tean e Mondin si t’i kish asgjë: as donte t’ia dinte fare. Bota e tij, familja e tij, gjithçka, tani kish përfunduar në një gotë, të cilën shkonte dhe e pinte ku tregtohej më lirë, në disa klube të qelbura anës së Bunës, me jevgjitë e qytetarë të zvjerdhur. Atje sigurisht që përfundonte edhe ndonjë orkestër e vogël popullore, pasi sa herë vinte në shtëpi i bërë tapë, i ngulej ndonjë strofë kënge si kjo e Lutit që e bëlbëzonte vetmevedi kushedi sa herë.

Kjo ishte një nga 365 netët e vitit, që përsëritej herë në një formë e herë në një tjetër, kur për Mondin…

Ajo ditë për Mondin ishte e papërsëritshme, një ditë që kishte sjellë një pranverë mes acarit të janarit dhe jetës së tij…Ditëlindja e Stelës qe shndrruar në ditëlindje të ëndërrave për jetën…As e kishte menduar se kjo ditë do të kishte veç një emër, Stela.

Pa nga ora. Ishte nëntë.

Që në drekë orën e shihte vazhdimisht, vazhdimisht. Duke e përqëndruar syrin në fushën e saj, vinte e shfaqej fytyra e ëmbël e Stelës, por … edhe një dhëmbje herë-herë…

– Mondi, po mëson apo…!? – pyeti ai të shoqen.

– Ka rënë të flërë, – iu përgjigj Dafina, e bindur se kështu ai do vinte të fashitej, derisa të binte në shtrat.

– Po Tea?!

-Është fejuar Mira dhe e kanë ftuar! Do të vijë vonë.

-Kush e përcjell në shtëpi? – pyeti ai esëll edhe pse këmbët i shkonin ku e ku.

-Nëqoftëse s’ka kush e përcjell, flë tek teze Lumi, se nën pallatin e saj bëhet banketi.

– Te teze Lumi?!

-Po, pra! Ç’dreqin ke?

– Nuk më pëlqen as yte motër, as i shoqi!…

Dafina, si gjithmonë në raste të  tilla, nuk i përgjigjej dhe ai sikur  mirrte zemër:

– Epo s’ka si të pëlqejë një familje që s’ka një shishe raki në shtëpi…Shkon për vizitë…të nxjerrin liker! Pika likerit!

– Mos klith aq fort! – mori dikur zemër Dafina. – Mbase djali flë dhe po e trëmb!

Dafina e pa që ai u step për një moment. Qeskat rreth syve i ishin fryrë, mbi vetull kish një të nxirë, mbase nga ndonjë grusht i marrë mejhaneve, dhe flokët e shpushpurishur.

Në dhomë Mondi as që kishte gjumë. 

Ndjeu se po i shkonin lotë…Po s’desh ta japë vehten…Megjithatë nuk ishte më i vogël, sa të mos e kuptonte se familja e tyre po gremisej poshtë e më poshtë.

Patën një apartament me dy e një kuzhinë afër qendrës së qytetit, babai e shiti, sigurisht i bërë tapë, për një kafshatë bukë…Gjoja për t’i shlyer borxhet që i kishte një miku…Mirë që e kapi atë punë daja i tij se apartamenti do të katandisej  në një gotë mejhaneve. Blenë një dhomë e një kuzhinë…Prandaj tani ishin të detyruar të flinin në një dhomë, burrë e grua dhe Mondi, ndërsa Tea flinte në një shtrat portativ, në kuzhinë…Tean Mondi e kishte motër nga nëna, ndërsa ai…vajzën e gruas…Kështuqë Tea flinte në kuzhinë…

Kishte kohë që babai i tij qe zënë me pronarin e një magazine veglash auto dhe ai, pa ia zgjatur, e flaku në rrugë. Njëherë u betua se do ta vriste, po pastaj siç duket hoqi dorë ngaqë  u gjet një shok fëminie i tij që e futi në punë në një bilardo. Aty edhe i dilte diçka, pasi ia mori dorën dhe u mbante bastet disa karambolistëve, të cilët kur fitonin, ia falnin ndonjë mijëshe…Po edhe këtu s’e pati të gjatë…Dikush i vodhi disa lojë, nuk ia përtoi dhe iu sul me stekë në kokë, po ai ashtu i fashuar u kthye me shokët e tij dhe…i dhanë një të rrahur sa e bënë për shkals…Më pas…Hyr në një lokal e dil në një tjetër…derisa përfundoi në mejhanat e periferisë. Që andej nuk shkulej më…Se ku gjente që pinte Dafina nuk e kuptonte e as  donte t’ia dinte…Tani ai i ngjante bujtësit në një hotel… Bashkëjetonte me të vetëm për hir të fëmijëve e të farefisit, por edhe ngaqë s’kish ku ta përplaste kokën po ta ndante…

Nëna diçka shfren mbi të, ndërsa i ati vazhdon e këndon si nëpër dhëmbë:

Luti moj, Luti moj, Luti moj…

– Moj, po sikur je ngjallur ca…Mos?…Si të ta them…se mos je gjë me barrë? – dëgjoi Mondi zërin e tij ashtu rrokje rrokje e me pauza dhe se si i erdhi.

– Pika ty! – dëgjoi Mondi zërin e nënës, të lehtë, fare lehtë. – Mos llap më, se mund të mos e ketë zënë gjumi Mondin! – Edhe këtë kemi mangut!

– Jo, po thashë, se sikur je fryrë ca…E di si thotë Nuzoja?…Nuzoja…moj…ai që i bie gërnetës…Se burrit të ligësht i shëndoshet gruaja…Hi-hi-hiii…Ti e kupton, apo jo?….

– Lahu, se të vjen era peshk!

– Peshk!?…E ç’peshk!?…Unë  kisha një gotë…Peshk nuk kisha!…M’i hidhte një jevg kokat e bishtat e gjuhcave…Ai i hidhte…unë i mblidhja dhe…nuk është turp kur t’i hedh tjetri…turp është të vjedhësh…I mblidhja…Mblidhja dhe bythçet e cigareve…se s’kisha të blija as me fishek…nga ato që i vjedhin në fabrikën e cigareve…

– Po për raki, kishe lekë?

– Idiote! Idiote e shekullit! Po Sula ka defter, moj idiote!…Unë pi, ai shkruan…Mandej Zoti e bën mirë!…Më kanë dhënë fjalën për roje në një dyqan natën…

Prej asaj që dëgjoi nga goja e të atit, Mondi u trondit thellë. S’kishte se ku të vente më poshtë…të hante mbeturinat…Të pinte veresie një gotë…një gotë që ashtu në gjendjen që ishte ai shkruhej edhe dy…

Futi kokën nën jastëk dhe nuk donte më ta dëgjonte. Veç i dhimbsej e ëma, i dhimbsej në pafundësi…Se si në këtë ças sërish i erdhi parasysh Stela…Stela, me ata sy të mëdhenj, i dilte parasysh në çdo sekondë…Po se si i dukej herë-herë se i largohej…Se nuk do të mund të lidheshin kurrë…Vërtetë Mondi qe asi i klasës, po kishte dhe gjëra të tjera kjo jetë…Ai shpesh shkonte edhe me një gotë çaj në shkollë…Stelën e sillte i ati me makinë…Diskove ku shokët e klasës shkonin gati çdo javë, u shmangej me sa mundej, se atje duhej të shpenzonte ndonjë lekë që i binte në dorë, dhe ato i ruante për ndonjë libër apo ndonjë kasetë me këngë…

Nëna, Dafina, pasi i kish vdekur burri i parë, qe lidhur me babain e tij, Tushin… Fotografitë e rinisë së saj i kish parë, mund ta krahasoje me artistet e filmave të kohës së para njëzet viteve…Po qe me Tean…dhe duhej të falte…Ta mirrte bashkëshortin pa shkollë e pa zanat, me një rrogë të vogël në kombinat…për babain i kishin folur jo keq…Pastaj nga paraqitja qe burrë i pashëm, si pa grua në moshën 40 vjeç disi i mbajtur…Duhej të falte…

Të gjitha këto nëna ia tregonte sa herë Mondi linte librin e vinte në kuzhinë.

Po vitet me të e mplakën nënën e tij. Babai qe kthyer as më shumë e as më pak në një sarahosh. Dhe sa rëndë i vinte djalit, sa rëndë! Sidomos tani…

Nuk kishte se  si të mos e mendonte se  Stela do ta mirrte vesh se babai i tij zvarritej mejhaneve, se një ditë do ta shihte rrugëve duke bërë teta…dhe sigurisht që gjithçka do të mirrte fund.

Stelën për herë të parë e kishte puthur sot, një herë, njëqind herë…Për 16 vjetor ajo s’kish ndërmend të shkonte në disko, kur kish një salon modern në shtëpi dhe ku ishe i  sigurt se nuk të vinte ndonjë vagabond nga jashtë e t’ua prishte gëzimin. Ajo vetë i tha të vinte më përpara shokëve të klasës, se kishte një surprizë për t’i bërë.

– Po mund të vish andej nga njëmbëdhjeta…Edhe të më ndihmosh ndonjë gjë…

T’i thoshte nënës se shoqja e tij më e ngushtë e klasës kishte ditlindjen, se si i vinte, nga që edhe ai ishte 16 vjeç…I dukej se nëna do e përkthente “e dashura ime ka ditëlindjen”…Nuk bleu libra atë muaj, dymijëshet që i fali daja i ruajti dhe me ato të holla mendoi dhe i bleu Stelës një orë dore…Nga ato që preferonin vajzat…me fushë të zezë…pak të madhe…Kjo do të ishte dhurata për ditëlindjen…Ashtu bëri. Shkoi një  orë para shokëve. Fiks në njëmbëdhjetë…

Me frikë i ra ziles tek porta, i bindur se pas saj do të shfaqej dikush nga të familjes së Stelës…Por ishte ajo…

“Të gjithë kanë ikur dhe shtëpia  është e jona!”.

Stela qe rregulluar e bërë yll…Se si, me sytë e mendjes, e imagjinoi se ç’mund të bënte ajo më shumë kur do të bëhej nuse?!…

E ashtu, mes një gëzimi që e kishte pushtuar të tërën, ajo iu var në qafë…dhe…Nuk e kujtonte mirë…Nëse e puthi ajo e para apo ai…Pastaj…Stela u pendua  që nuk i kishte thënë të vinte dy orë përpara…S’ngopeshin duke u puthur…Magjia e asaj puthjeje e bëri të harronte gjithçka…Nuk i bënin përshtypje as shandanët e magjishëm në koridore, as abazhurët, nga ato të shtrenjtit që ndriçonin tërë shtëpinë, as qilimat, as mermerët me damarë të kuq, as tabllotë e portretet nëpër mure…as skami i shtëpisë së tij…As babai i tij duke mbledhur bythçet e cigareve…Tani gjithçka e kish emrin dashuri, që ai po e shijonte për herë të parë…

– Shkojmë nga dhoma ime?

Ashtu, krahaqafë e duke u puthur, u ngjitën në katin e dytë. Bëri të mrekulluarin kur hyri në kuvlinë e saj, gjithë postera artistësh e relikesh të vyera.

– Po motra, ku flë? – se si e pyeti ai duke parë vetëm një shtrat tek në qoshen e dhomës.

– Oh, po ajo ka dhomën e saj!… Çdo dhomë ka edhe banjon e vet.

E shtriu mbi shtrat dhe e puthi. Erë e saj po e dehte të tërin.

– Kjo ishte surpriza?! – se si e kishte pyetur ai, më tepër duke patur parasysh dhomën dhe kënaqësinë që po ia jepte pa kufi.

– Ah! Jo vetëm kjo! – tha ajo duke u shkëputur dhe erdhi me një kuti në dorë. – Kam menduar që për ditlindjen time të të bëj një dhuratë…Të kam vërejtur se ti më pyet shpesh për orën gjatë mësimit…Nuk e di nëse të pëlqen, por dje ma dërgoi xhaxhai nga Parisi…

Ndjeu një si heshtë t’i përshkonte krahërorin dhe me rropamë të gremisej gjithë ai mal gëzimi.

Dhurata, ora që ai kish menduar për Stelën, se si erdhi e humbi…humbi…si kokrra e rërës në shkretëtirë…

Se si iu kujtua kjo dhe krahasimi që bëri iu duk se i shkonte për shtat edhe babait të tij. Edhe ai kish humbur në këtë shoqëri njerëzore si rëra në shkretëtirë.

Nga koridori vinte sërish zëri i të atit në këngën e tij monotone.

-Po ti boll, he burrë, se lë namë! Vare këtë xhaketë në banjo se ka rrezik të na sjellësh ndonjë morr!… Bër një banjo, ndrresat i ke pas derës!

Ra zilja e telefonit.

Nëna e Mondit bisedon me të motrën. Tea do të flerë nga ajo. Desh njëherë të ngrihej e të shkonte të flinte në vend të Teas në kuzhinë, por pati frikë se mos I agti kushedi ç’mendonte pastaj e mund të plaste ndonjë shamatë, si para një muaji. Nëna i kishte thënë se Mondi kishte fjetur dhe e gjykoi më mirë të rrinte aty.

S’kishte më gjumë. Futi edhe njëherë kokën nën jastëk dhe nuk donte ta besonte tronditjen e thellë që kishte pësuar atë drekë. Ora që i fali Stela e vuri në një provë të tillë që s’arrinte ta kapërcente dot. 

– Çfarë ke?! – e kishte pyetur Stela.

  – Hiç!

– Si, hiç?

– Hiç, pra!

– Jo, ti diçka ke!

– Duhet të dal pak!

Ajo kishte hapur sytë e çuditur sa s’ka.

– Si të dalësh? Po unë dua të të puth, apo?…

Ajo e shikoi me një sy të pafajshëm, por dhe pyetës.

-Apo ke ndonjë tjetër?…

Në vend të përgjigjes ai e puthi.

-Stela, je e para vajzë që puth në jetë!

-Edhe unë, Mondi! Dhe s’ka për të më puthur kurrë askush!

Të dy adoleshentët putheshin e s’dinin të ndaheshin, duke iu përbetuar njëri-tjetrit për dashuri të përjetshme.

– Stela, më kupto, unë duhet të dal! Vetëm për pak e do të kthehem prapë.

– Nuk të lë, sikur të përmbyset!

Mondit i silleshin si shtjella mendime…përfytyronte shoqet e shokët me dhurata…kurse ai…tani ora që mbante në xhep, e futur në një kuti aq të bukur…sigurisht që kishte mbetur…ishte një orë e kohës, po ku e ku me atë që i kishte dhuruar Stela!…S’mund t’i dhuronte edhe ai orë…Do të ishte diçka qesharake…Duhej të shkonte nga puna e mamasë…se mund t’i bënte diçka…apo të shkonte nga daja? … Fundja dajos mund t’ia kërkonte një dhjetëshe borxh e do t’ia lante një ditë…

– Ja, më dhuro një puthje dhe…të tjerat s’kanë asnjë vlerë për mua, Mondi! 

– Stela, shpirti im!…

Ia mbylli gojën me një të puthur të zjarrtë.

– E ç’më duhet mua më tepër se kaq, Mondi – tha ajo në ekstazë…

Me inteligjencën e saj e kishte nxjerrë nga një siklet i jashtëzakonshëm!…

Mondi nuk mund të gjente rast më të mirë të dilte nga ajo gjëndje. Nxorri nga xhepi i xhinsave kutinë me orën. Ajo e mori. E pa. 

– As ora ime, as ora jote s’kanë më vlerë tani, Mondi! – tha ajo me një ndjenjë fluturake. – Se edhe unë, edhe ti tashti s’do të kemi më rrahjet e orës, po rrahjet e zemrës së njëri-tjetrit…Ja, vëre kokën këtu…

Ia afroi kokën nën sisën e majtë dhe ai ndjeu se atë çast për ata të dy binin gjithë orët e botës dhe rrihnin gjithë zemrat e të dashuruarve…

…Erdhën shokët…Gjithçka qe fantastike…Kishte nevojë ta harronte atë jetë mizerje që bënte në shtëpi…Kur Stela fiku qirinjtë, e thirri që ta ndihmonte…Pastaj vallëzoi me të…Për shokët e shoqet e klasës nuk kishte më pikëpyetje…Mondit edhe ia kishin zili, edhe e dinin se ai e meritonte një mjelmë të tillë si Stela…

Mandej erdhi ndarja…një puthje blic tek dera, nën një fener që kushedi pse qe i ndezur…dhe pas gjithë atij pallati ëndërrash një rrugë me gropa, një apartament me një hyrje 1+1, një baba i bërë tapë…

Asi i klasës…Ka kaluar dita mes një oqeani ndjenjash, ka ardhur nata me rropamë…

…Nëna i hakërrohet babait. Ia ka sjellë shpirtin në majë të hundës.

– Të betohem, është hera e fundit! Nuk pi më!

– Je betuar një mijë herë! – i thotë ajo.

– Të betohem! Për kokën e Mondit!

– Të duash Mondin sadopak, nuk e çon vehten në këtë gradë…

Mondi dëgjonte copra dialogjesh, më pas diçka i dogji në krahëror…Ndjente edhe rrahjet e zemrës…Ora e Stelës nuk ndjehej…

Kërciti pak dera e banjos…Dëgjohej uji i dushit…Ngaqë pas tij ndjehej mirë, i ati nuk kundërshtonte të futej në banjo…

Mondi e rrasi edhe më shumë kokën nën jastëk. Ndjeu hapat e tij duke iu afruar derës, pastaj sustën e shtratit që kërciti nën peshën e trupit të tij.

– Dafina! 

– Plaç! – dëgjoi nënën ta shante dhe ato lëvizjet e fundit që bënte nëpër kuzhinë, me shpresë se i shoqi do të flinte sa të vinte kokën nën jastëk. Nuk kaloi veçse pak e ajo e lodhur nga qëndrimi në këmbë gjithë ditën, shkoi të flerë. Po, siç duket, babai e priste si një kurth i ngrehur

– Moos!…I çmendur!…

Tani Mondit nuk i dilte parasysh as Stela, askush. Nuk mund të bënte asnjë lëvizje, që t’i jipte së ëmës të kuptonte se ishte zgjuar. Padyshim zemra nuk i rrihte. Ishte gurosë i tëri. Në fund të fundit s’ishte kalama. Sa kishte lexuar e dëgjuar, një akt i tillë ishte normal mes bashkëshortëve…Edhe pse ai po kalonte përmes dhunës…

Nga dihamat e së ëmës e kuptoi se ajo nuk mundi t’i durojë mbërthimeve e epshit të tij…dhe më së fundi shpërthimin e saj:

– Kafshë!

– Jo po, Nuzoja ka të drejtë, se ndryshe…të shëndoshet gruaja!…

Kishte kaq vjet që flinte në një dhomë me ta dhe asnjëherë…Ishte e parë herë që ndjente ofshamën e tyre…Kështu ishte ndjerë edhe ai me Stelën…Në fillim qe dridhur si fije bari nga puthja e saj…Pastaj qe ndezur i tëri…Jo vetëm e kish puthur në buzë, po edhe në gjoks…mandej i pat hapur pak sytjenat dhe për herë të parë pa një palë thithka që i shkaktuan një drithërimë në tërë trupin…Mbase edhe ajo ndjeu po atë kënaqësi si ai…As mendonte të shkonte më tej..I dukej se të shtrinte dorën poshtë do të shkelte në një fushë me mina, shpërthimi i të cilave mund të ishte fatal…Një e shtyrë dore, një përbuzje nga ana e saj dhe pastaj perëndonte gjithçka…

Nëna u ngrit dhe doli nga dhoma. Dëgjoi derën e banjos që kërciti…Ardhjen e saj…duhmën e rakisë nga të gërhiturat e të atit…

Mondi ishte i sigurt se edhe nëna do të flinte. Pak nga puna që bënte si pjatalarëse në një kuzhinë, pak nga streset, sigurisht që do ta zinte gjumi menjëherë.

Ndërsa ai…O Zot! A kishte se si?…Stela të mos ishte për të?… Se nga jeta që bënte ai, ishte një kontinent larg saj…Dhe sa duhej të ecte  që ta arrinte? Ç’fliste kështu? Ai mund të ecte shumë shpejt, po edhe të tjerët nuk ngelin në vend. Kur ti mendon se ke bërë dy hapa përpara, ata bëjnë tre, pesë, dhjetë dhe kështu distanca vjen e rritet, rritet…Ecja jote kurrë s’do të thotë ngecja e të tjerëve…

Ndofta qepallat po i rëndonin…Ndofta Stela po i largohej edhe më shumë…Kështu, si ajo, kishte sakrifikuar edhe nëna e tij…Do ta ndjente vehten një jetë inferior…Dhe ç’kuptim kish pastaj ajo jetë mes shandanëve, tabllove, mermerëve me damarë të kuq?…

Nuk e dinte se…

Iu kujtua ora e saj. Nënës ende nuk ia kishte treguar dhuratën që i kishte bërë Stela…Nuk e dinte nëse duhej ta hiqte nga dora kur flinte apo edhe mund ta mbante?…Ishte ora e parë që vinte në dorë…Ishte kujtimi i saj…Tik-taku i saj…

E hoqi. Sonte donte të ndjente vetëm rrahjet e zemrës së tij.

MURI

Ishin fqinj, në një pallat.. I ndanin vetëm tri metrat e koridorit.  Dy apartamentet diku bashkoheshin dhe dhomën e gjumit të njërës familje me kuzhinën e tjetrës i ndante vetëm një mur. Një mur me tek tullë, aq sa, herë-herë, kur njëra palë ngrinte zërin, mund të dëgjoheshe edhe në anën tjetër. Një fakt të tillë ata e mësuan shpejt, pasi marrëdhëniet, sidomos mes zonjave të dy familjeve, erdhën duke u forcuar aq shumë, sa shpejt ata s’kishin më sekrete për t’ia thënë njëra-tjetrës. 

Këto marrëdhënie i habisnin të gjithë në pallat. Dhe habia qëndronte në atë se gruaja e Maksit ishte ndo nja dy-trembëdhjetë vjet më e madhe se Vitoja, e megjithatë shkriheshin të dyja, si të ishin vërsnike. Gjithnjë kishin për t’i thënë diçka shoqes. Shpesh mbrëmjet i kalonin së bashku; bënte një byrek gruaja e Maksit, vinte ta shijonte Vitoja me djalin e saj të vogël, bënte ajo një kek, ia sillte fqinjes. Këto marrëdhënie erdhën e u ftohën pak kur u martua djali i Maksit, po nuk u shkëputën kurrë, edhe pse nusja e re ishte pak hundëpërpjetë.

Po deri një ditë…

Vdekja aksidentale e gruas së Maksit dhe më pas ikja e djalit të tij me nusen  në Greqi, bënë që lidhjet mes tyre të forcoheshin edhe më shumë. Vitoja me të shoqin dilnin heret në punë. Maksi ua zgjonte djalin e tyre, Tedin dhe e përcillte për në shkollë. Në drekë e priste kur vinte. Në kishte diçka për t’ia ëmbëlsuar gojën ia jepte, nëse jo, i falte ndonjë lek sa për të blerë aty afër ndonjë çoko apo akullore.

Ngaqë kishte punuar linotipist në një shtypshkronjë, doli më heret në pension. Me shëndet mbahej mirë dhe gjithë moshatarët e tjerë kur shkonte të mirrte pensionin nuk e besonin se ai e tërhiqte atë për vete e jo për prindërit e tij.

Mbase kjo, mbase dhe se për disa vite ushtroi edhe atletikën në garat e thellësisë, e tregonin shumë-shumë një mesoburrë. Po në shpirt këto kohët e fundit e dinte edhe vetë se tregonte më shumë. Tani dhe vetëm tani ai e kuptoi se më shpejt plaket shpirti se trupi.

Vërtetë që djali i dilte shpesh në telefon, po gjithnjë e më shumë bindej se shpresat që edhe ai të shkonte pas tyre ishin flluska sapuni. E reja s’e kish dashur në Shqipëri e jo më ta donte në Greqi!

Shpesh kushërinjtë i thonin që të martohej, madje edhe vjehrra. Vetmia po e mplakte më shumë se sa ditët që rridhnin si pa u ndjerë. Ato më kot quheshin e hënë, e enjtë, e djelë. Pinte një kafe tek “Gjeli i egër”, më pas, kur koha ishte e mirë, mandej tek tregu i fruta-zarzavateve ku psoniste për vete e për komshinë, bënte një ndalesë tek furra e bukës e pastaj  kyçej në shtëpi.  E mbyste vetmia. Mbyllja e derës pas vetes e mbyste. Duhej të kalonin disa minuta që ta mirrte veten.

Një roman i Balzakut i kishte mbetur përgjysëm. Përgjysëm i kishin mbetur edhe disa libra të tjerë dhe kjo nuk kishte të bënte fare me nivelin e tyre. Kishte të bënte me zymtinë e tij shpirtërore. 

Shtrihej në divan. Vështrimin e ngulte në mur. Tek fotoja që kishte bërë në fejesë me të shoqen. E kujtonte mirë. Atëhere ishte në modë që gjëja e parë që bëhej pas shpalljes së fejesës ishte vizita tek reparti i fotografëve. Çiftet e rinj pozonin kokë më kokë, djali pak më sipër se vajza, para një sfondi blu me një zemër të shpuar nga shigjeta. 

Pas fotos, vizitën e parë e bënë tek xhaxhai i tij. Domosdo që tek ai do ta bënin. Qe pa fëmijë dhe Maksi një pjesë të jetës e kishte kaluar tek ai, sa shumëkush e dinte se qe i biri. Sa u afrua tek pallati, shitësi i kinkalerisë i tha se xhaxhai me të shoqen kishin shkuar për urim martese tek një shok; të bindur se Maksi do i bënte vizitë, i kishin lënë çelësin e shtëpisë tek ai. E mori dhe sytë e shitësit që e njihte prej vitesh sikur i thanë: “Alamet cope paske marrë!”.

Mezi ç’priti të ngjiste shkallët e pallatit. Mbase të njëjtën ndjesi provonte në shpirt edhe Greta. E çeli derën dhe e mbylli me një frymë. Nuk donte të humbiste asnjë sekondë. E ngjeshi për murin e koridorit.

-Maksi, të keqen se mos vijnë!

-Punë e madhe! Ti kujton se xhaxhai do të kthehet shpejt?

-E dëgjova shitësin kur ta dha çelësin.

-Qind për qind që e ka bërë kastile, Greta. E di mirë se s’kemi ku shkojmë!

Greta dukej se s’kish fare përvojë, ndërsa ai…E kishte gënjyer kur i kishte thënë atëherë kur i puthi se ishte e puthura e parë në jetë, se…Po edhe në e kish shkelur ndonjëherë me vajzat e ekipit, ajo tani i përkiste së kaluarës…

Mbase kjo ëmbëlsi jete e bëri që të martohej shumë më shpejt se ç’e kishte menduar …

Ndjehej i lumtur me të. Me ç’kishte mundësi, përpiqej t’ja bënte qejfin Gretës, sa duke shkuar nëpër plazhe, sa duke shetitur nëpër qytete të ndryshme…

Të gjitha këto tani Maksit i silleshin si në një kaleidoskop. Jetonte me to. Gati përditë kështu. Luftonte t’i mbante ato të gjalla në shpirt. Po kalonte një orë, dy dhe…vinte vetmia. Ajo po e mplakte. Ia fshikte ndjenjat. Madje tani e ndjente edhe gabimin që kishte bërë, kur pas vdekjes së Gretës, pat deklaruar se nuk do të martohej më. Sigurisht që e kishte bërë për hir të djalit të sapofejuar…

Po vitet rodhën më shpejt se ç’e kishte menduar. Tani jeta i dukej një gjellë pa kripë…

Mezi ç’priste të vinte ora që kthehej djali i komshisë, të mirrej me të, t’i shihte notat që mirrte në detyrat e shtëpisë, të dëgjonte ndonjë prapësirë që bënte…Ja njihte hapat e shpejtë në shkallë, vërshëllimën e tij…

-Xhaxhi Maksi, sot mora dy dhjeta!

-Vërtetë!?

-Ja, shihi!

Djali është mjaft intiligjent. E kapërcen moshën që ka.

Tedi nxiton t’i tregojë fletoret. Mirret sa mirret me të, pastaj vjen Vitoja, pastaj edhe Llazari. Shpesh ndjen që grinden me njëri-tjetrin, dyer që përplasen.

Në kuzhinë, kur s’ka energji elektrike, veç vetmisë, e mbyt dhe qetësia. Po gjithsesi nuk mbetet vetëm. Vitoja dhe Llazari harrojnë që dhomën e tyre të gjumit me kuzhinën e tij e ndan muri tek dhe, kur grinden, ai ç’farë nuk mëson. Të thëna e të pathëna. Dhe ato ynyre vazhdojnë deri kur ai kërkon ta vërë poshtë Viton me dhunë. Në këto çaste e ndjen veten keq, s’ka më keq. Në një rast ajo rezistoi shumë, dhe Maksi përtej murit sikur i jipte kurajo që të qëndronte e të mos i jipej. Me siguri që Vitoja edhe e mendonte se përtej atij muri ishte kuzhina e Maksit e ai mund të ishte zgjuar…E vejani përtej e ka të pamundur të durojë krej akull marrëdhënien mes tyre…E urren Llazarin që sillet ashtu me Viton…O, Zot, ai e kishte mbajtur Gretën e tij në shuplakë të dorës, edhe pse ajo nuk kishte ato hire si Vitoja…Kurse ky?…”Bagëti!”, shfren vetmedi Maksi, ndërsa ndjen dhimbje për Viton që mbase në ato çaste përpëlitej nën burrin e saj të dhunshëm…

-Mbrëmë babai i ka rënë mamit me shpullë! – i tregon Tedi të nesërmen.

-Çfarë?!

-Për kokën tënde, xhaxhi Maksi! Se mami nuk i jep më lekë!

-Pastaj?

-U grindën…Pastaj babi piu raki…Mua më zuri gjumi në divanin e kuzhinës…

…Një ditë Vitoja i është hapur. I ka thënë se fitimi në dyqan po rritej, po dy herë xhiron e ditës Llazari e kishte bërë trokë në kumar. Se ishte dhënë edhe pas pijes me ca hora në një lokal të periferisë. Se kur i vinte në dyqan, më shumë e ngatrronte se e ndihmonte. Kështu që e kish nda mendjen, tani i jepte një pesëmijshe në mëngjes dhe ai kriste, bridhte me ca shokë e s’e mblidhte as mesnata…

Vitoja shpesh i sillte Maksit ndonjë gjë të ngrohtë, herë një ëmbëlsirë e herë një copë byrek, si gjithmonë. Po tani sikur rrinte më shumë. I qante hallin. Mirrte ndonjë mendim prej tij.

Një ditë ajo erdhi e gëzuar. I tha se Llazari i ishte betuar se nuk do të pinte më, po ç’kishte për të pirë do të pinte në shtëpi. Sa s’fluturonte! Dhe, si për ta festuar, e ftoi dhe ua shtroi dy burrave me të gjitha të mirat. E gjatë bisedës në tavolinë, Maksi mësoi prej bashkëshortëve se shpejt do të vinin dritaret duaralumini, do të rregullonin banjon…Tregtia po u ecte dhe s’kishin se përse të mos e bënin një gjë të tillë, aq më shumë se, sa të kryenin punë mjeshtrit, për nevojat e domosdoshme kishin banjon e tij…

Maksi u tha të mos e kishin fare problem atë punë…

Kur e përcollën, e ndjeu edhe më shumë vetminë. Nga dhoma matanë, përtej atij muri, u ndje dera që u mbyll dhe ai imagjinonte çiftin të hynte në shtrat…

Trysnia e vetmisë dhe fantazia e ndezur për çastet magjike të çiftit matanë ishin si një përzierje shapi dhe sheqeri…E ndjente veten ende të ri për t’u thënë lamtumirë ndjesive te tilla…Përtej u ndje dihama e Vitos…Sigurisht ajo tani…

…Nuk e zuri gjumi deri vonë…Edhe kur përtej murit nuk dëgjohej tjetër, veçse një gërhimë, sigurisht e Llazarit…Atëhere i dha karar të pinte një valium dhe…natën e mirë! Po kujt ia tha? Kujt?

Kështu vinte e nesërmja, e pasnesërmja…

Kishte punë me vehten, kishte punë dhe me murin. Përtej ndjeheshin lëvizje, mbase të ndonjë karrikeje, mbase…

Një pasdreke bashkëshortët e ftuan për një kafe. Intimiteti i krijuar mes dy familjeve, sikur i jepte të drejtë Vitos e Llazarit t’i bënin edhe një propozim. E kishin menduar mirë që më përpara. Vitoja kishte një kushërirë të shtyrë, kishte qenë shumë e bukur dhe ngaqë nuk arriti të lidhej me një djalë të nivelit të saj, vitet e vunë përposh dhe ngeli beqareshë. Flirti me një vejan dhe zhgënjimi prej tij i qe kthyer në fiksim për të mos i besuar më asnjë burri.

Po vitet rridhnin si lumi e Vitoja kish arritur t’ia thyente mendimin.

-Më njeh mua?! – se si pyeti Maksi e me këtë Vitoja arriti të kuptojë se betimi i tij për të mos u martuar më ishte i tejkaluar.

-Po. Të ka parë kur ka ardhur tek unë.

-Unë s’e mbaj mend.

Vitoja nxiton të nxjerrë nga rafti disa foto. Mes atyre është kandidatja. E sheh si ka qenë, e sheh dhe si është. Syri e padit. I pëlqen, por vehten nuk e jep.

– Vito, e kam të vështirë…

– Hajde, gëzuar! – i cek putirin e rakisë Llazari.

Kur hyn në kthinën e tij e bluan në kokë. Nuk ka dëshirë të mendojë në dhomën e pritjes, ku është fotoja e së shoqes. I duket se po tradhëton gjithçka të bukur ajo i fali për njëzet vjet të jetës bashkëshortore.

Del në balkon. Seç ndjen një trazim në shpirt. Nuk e ka të lehtë të thotë po. Madje “po” nuk i tha edhe propozimit të Vitos për të pirë një kafe me kushërirën e saj.

Atë natë nuk e zuri gjumi. Edhe kur ai e rrëmbeu ndonjë çast, pa ca ëndërra të çuditëshme. Të frikëshme. 

Të nesërmen e kuptoi se ndërgjegja i qe bërë një lumë i rrëmbyer që ecte mes brigjeve të po-së dhe jo-së.

* *

Vitoja nuk e ngacmoi më muhabetin e nisur. E dinte se Maksi qe natyrë e ndjeshme dhe kishte nevojë për bashkëbisedim me vetveten. Mbase bisedën e lënë përgjysëm e shtyu dhe nisja e punimeve në apartament.

Tani marrëdhëniet mes çiftit dhe Maksit u shtuan. Një njeri i panjohur as që mund ta kuptonte se ato s’ishin një familje. Maksi i dha Llazarit një çelës të shtëpisë së tij, që ta kishin për banjon. U tha se mund t’u lëshonte edhe njëren nga dhomat, po ai nuk pranoi. Se nuk ishte e nevojshme.

Mjeshtrit e nisën me turr dhe i dhanë fjalën se për dy javë mund të përfundonin banjon e koridorin, ndërsa dhoma e çiftit qe riparuar kur ishin martuar dhe do t’i linin siç ishte, me përjashtim të vendosjes së dritareve.

Maksi kishte me se të merrej. Llazari, natyrshëm që shumë nga punët e ndërtimit do ia besonte atij. Dhe Maksi nuk kursehej.

Tani kishte nisur t’ua bënte edhe pazarin. Blinte për vete, blinte edhe për ta. Djalin ua mirrte pasdrekeve që të bënte mësimet tek ai. Seç ndjehej më i gjallëruar.

Dhe një të premte, kur po kthehej nga xhiroja, nxorri çelësin që të hapte derën, po ajo ishte e çelur. Vinte një erë e qelbur. Ndjehej një gërhimë. La trastat në koridor. Edhe pa e parë, e kuptoi fort mirë se çfarë kishte ndodhur: Llazari ishte bërë tapë, kishte nxjerrë ç’kishte pirë e ç’kishte ngrënë dhe tani gërhiste si derr në divan.

Gati sa s’nxorri zorrët tek e pastronte stomakun e komshiut, që për fat nuk kish arritur deri tek tapeti.

Furtuna erdhi më pas. Maksi as që kish ndërmend t’ia tregonte Vitos.  Po atë që s’e bëri ai, e bëri Tedi. I tregoi gjithçka së ëmës. E kishte gjetur Maksin duke pastruar dyshemenë dhe s’ishte hera e parë që e shihte babain  në atë gjendje.

-Ti je, ti je një maskara! – dëgjoi Maksi Viton tek shpërthente.

-Mos klith si e çmendur, gjithë burrat sot pijnë!

-E ç’burrë zeza je ti?! Del që pa zbardhë dita e humb me fundrrinat e qytetit.

-Më lehtë, se çove peshë pallatin!

-Të njohin të gjithë se çfarë malli je, të shohin për ditë të bërë tapë! Ndërsa unë drobitem gjithë ditën në dyqan! 

-Takova një shok të fëminisë…

-Kështu më the dhe pardje e ta fala, dje takove një shok të fëminisë, sot takove një karrocier…

-Të betohem, s’ishte karrocier…

-Mendova se do të bëheshe tjetër, siç më premtove…E di se ç’ke bërë tek Maksi?

-Tek Maksi? Ç’desha unë tek Maksi?

-Pyet gotat që ke kthyer. Burri i botës të bën nder, të jep çelësat e shtëpisë e të lëshon banjon dhe ti nxjerr një damixhan raki e peshk të qelbur në koridorin e hyrjes së tij. Ç’do më tepër?!

-Ti shpif! – iu suall Llazari, që ose s’mbante vërtetë mend gjë, ose ashtu luante pjesën.

-Mirë për mua, po s’të vjen keq as për Tedin…E ke tmerruar fëmijën kur të ka parë në atë gjendje, i ka ikur nga duart Maksit dhe ka ardhur në dyqan…Po ti s’ke shpirt, ti s’di as se ç’është gruaja, as se ç’është fëmija, as se ç’është komshija…M’u hiq sysh!

Ai tenton ta mbërthejë, po s’ia arrin. Mbase ende s’është përmendur nga ç’ka pirë, se ndryshe do ta vinte përposh e do ta shalonte si në ato ditë kur iu betua se nuk do të pinte më…

-M’u hiq sysh, ik nga të duash, flej nepër lokale! Ku të duash! Të paktën ta di se nuk kam burrë! Ik, të thashë, thyej qafën! Ma ka nxirë jetën tash tri vjet, po t’i kam mbuluar, me shpresë se një ditë…

Maksi që nga apartamenti i tij ndjen zhurmë, të shara dhe më së fundi derën e fqinjve që përplaset e tund gjithë hyrjen.

-Dhe dëgjo mirë, po u ktheve sërish, do të njoftoj vëllezërit!

Këtë kërcënim të saj e kisha ndjerë edhe herë të tjera, po siç duket asaj i kish shkuar thika në kockë dhe s’kishte pse u fshihej më atyre.

Nuk arrin ta kuptojë Llazarin, nuk e deshifron dot. Para disa javësh, kur e ndërpreu pijen, u bë tjetër njeri, tani, sërish ai që kish qenë…Ndjen një keqardhje të madhe…Është lidhur kaq shumë me të tre, sa e ka të vështirë ta kuptojë jetën pa ta; shkurt ata kanë hyrë pa u ndjerë në jetën e tij dhe i kanë dhënë një farë kuptimi asaj. Veçanërisht Vitoja me Tedin.

Sigurisht që lidhjet e tyre mund edhe të forcohen më shumë, nëse ai dhe kushërira e Vitos…Seç i krijohet një ngërç që nuk e liron lehtë sa herë që i vjen ndër mend propozimi që i ka bërë Vitoja…Mbase është i vonuar, mbase një hap të tillë mund e duhej të kishte bërë më përpara…

Nuk e kuptonte se nëse do të bënte më mirë që si burrë të lidhej pas jo-së, ndërsa si mashkull një “po” do e çlironte nga një soj sikleti që e kapte gati përditë, përderisa e ndjente nevojën të masturbonte. Tek e fundit, nuk qe pa një lek në xhep, mund të shkonte një herë në javë edhe në Tiranë, pasi një ish-oficer që tani mirrej me tregtinë e bananeve me shumicë i kishte treguar se shkonte në një motel mu në zemër të Tiranës ku për një skenderbeg, s’e kishte për gjë të tradhëtonte të shoqen…Po ai?…Edhe tani që e mendonte një version të tillë, i dukej se e ndotëte kujtimin e Gretës…Ngrinte kokën nga fotografia dhe…Nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë…

Qe e shtunë. Zakonisht në këtë pasdreke dhe të djelave, Vitoja nuk e çelte dyqanin. Bënte punët e shtëpisë, mirrte Tedin e shetiste me të, po siç duket, nga përplasja e saj me Llazarin, po dhe nga punët më të shumta që i kishin dalë nga riparimet, e mbylli derën me aq forcë, sa u ndje çelësi në rrotullimin e tij dy herë dhe shuli pas derës. Qëkur e kish përzënë të shoqin, s’e linte më derën të hapur.

Megjithëse nuk kish ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me atë çka ndodhi në familjen përballë, gjithsesi e ndjeu vehten të trazuar. Nuk e dinte se çfarë të bënte. Të trokiste në derën e Vitos, nuk do të qe diçka e peshuar. Si ai, edhe Vitoja kish nevojë të qetësohej. Megjithatë, në raste të tilla, e dinte se njeriu ka nevojë të shfrejë me dikë, qoftë ky edhe një komshi.

E ndrroi kanalin e televizorit. TV Klani jepte një film. Nuk e kishte parë dhe në raste të tjera do të ngulej para ekranit, po këtë herë se ç’kishte një shpërqëndrim. Ishte i bindur se Vitoja do të vinte, në mos ajo, për Tedin që shkonte tash e parë në banjo…Apo kishte harruar…Sot ishte e shtunë…Edhe të shtunën tjetër ajo kishte ardhur për të bërë një banjo për vehte dhe për Tedin…Llazari kish nisur rrugën e tij nga lokalet e liqenit dhe vinte kohë e pa kohë…Kur pat ardhur Vitoja me Tedin për banjo, Maksi  nxorri një sebep dhe doli nga shtëpia. Shkoi në një lokal për ballë apartamentit dhe meqë dritaret e shtëpisë binin mbi të, arriti të kuptonte se në fillim ajo lau Tedin, më pas…

Tek gjerbte kafen në vetminë e tij, se si i erdhi një si frushullimë në tërë trupin. Desh ta frenonte vehten, po nuk mundte dot. Se nuk kishte asnjë të drejtë as dhe të mendonte se ajo në atë çast ishte duke hequr këmishën, pastaj sytjenat, pastaj…O zot, Vitoja i shfaqej si një miss…me flokët e lëshuar mbi gjinjtë e saj të fryrë, me belin e këputur e këmbët e drejta si të një balerine…Po mes fantazisë së tij vinte e hynte dhe Tedi…”Xhaxhi Maksi, xhaxhi Maksi!”…

Kjo kishte qenë e para herë që ai pat menduar për të…

Është sërish e shtunë. Është pasdrekja që ai nuk mirret me Tedin, pasi djali e ka nënën në shtëpi. E ka parë duke luajtur me disa shokë të tij futboll, në sheshin para lulishtes në mes të apartamenteve. Se si vraponte, si përleshej, si grindej…

Mandej u ndje Vitoja ta thërriste, lutjet e Tedit për ta lënë edhe pak…

Është i bindur se Vitoja do ta sjellë për të bërë dush, mbase edhe ajo vetë…Po kalon një kohë dhe nuk ndjehen. Dëgjon zërat e mjeshtrave që japin e marrin me Viton…E kanë gënjyer…I kanë premtuar se çdo gjë ia përfundojnë për dy javë, por…sot eja e nesër mos eja…Kishin zënë ndonjë punë tjetër dhe…S’donin të humbisnin asnjërën… Sigurisht që Vitoja s’ka se si të vijë për banjo pa i përcjellë ata…

Tani rri në divan dhe nuk e di se si të veprojë. Kopjen e çelësit të shtëpisë së tij  nuk e di nëse e ka Llazari apo ajo. Gjithësesi nuk do të zgjasë shumë dhe Vitoja do të vijë…Po sikur të kthehet dhe Llazari e ta gjejë atë në shtëpi dhe Viton në banjo? 

“Hej, dreq se si u koklavitën gjërat kështu?”-mendoi me vehte dhe ndezi sërish televizorin.

Jashtë filloi të bjerë një shi i rrëmbyer. Doli në dritare. Për pak minuta, kryqëzimi para apartamentit erdhi duke u bllokuar nga uji. Ca vetura kalonin ngadalë, të tjera me vrik e fshikullonin me ujë kalimtarët e paktë.

Kishte me se ta kalonte atë orë…

Qëndron ashtu pas dritares. Shiu i rrëmbyer përplasej pas xhameve dhe ia shformonte pamjen. I vjen keq për një plak që ishte i detyruar të mbyllte çadrën, për një grua që mallkonte, për dy të rinj që talleshin nga një strehë me kalimtarët e pashpresë.

Ndërkohë troket dera.

-Xhaxhi Maksi, xhaxhi Maksi!

Tedi i tregon se e ka çuar mami për të parë në ishte në shtëpi. Si vjen, me nxitim, ashtu edhe ikën.

Për Maksin është e qartë se duan të bëjnë dush. E ashtu siç e kishte riprodhuar skenën e dushit një javë më parë, ashtu e riprodhon sërish. Po tani me xhiro të shpejtuara. Nuk e don një përfytyrim të tillë, po nuk ka forcë ta sundojë veten. Ky mossundim krijon një pushtet të ri dhe ky pushtet i ri ia mposht ndjenjat e tjera.

Dera troket sërish.

-Xhaxhi Maksi!

Nuk është zëri i Tedit, po i Vitos. Ka kohë që ajo e thërret si i biri. E ndofta vetëm këtë çast ai nuk do ta thërrasë kështu. 

-Hajde, Vito! Dera është e çelur.

E kupton se çelësi që i ka dhënë, ose ka humbur, ose është diku në xhepat e rrobave të Llazarit. Po ai ka ditë që s’duket…Tedi i thotë se ka hyrë roje nate në një lokal…Ku edhe ha, ku edhe pi…

Ka mbetur aty në mes derës së kuzhinës. Nuk ka përse ta ftojë brenda, kur tjetra është me ndrresa në duar dhe dihej se përse kish ardhur. Nuk ka as se t’i thotë si heren tjetër se po del për një kafe, kur jashtë bubullon e vetëton dhe rrugët ishin bllokuar cep më cep.

-Thashë të bëja një banjo.

-Epo mirë, – thotë ai nga që s’ka tjetër ç’të thotë dhe afron derën e kuzhinës.

Në banjo ndjehet ujët e dushit. Kukurisjet e Tedit.

Mandej dera e banjos. Maksi është i vëmendshëm se mos ka ndonjë problem.

-Mirë, mirë, po shkumosu, more vesh!

Vitoja del nga banjoja dhe troket në derën e kuzhinës. Maksi e kupton se diçka nuk shkon si heret e tjera.

-Çfarë ka, Vito?! – pyet ai.

Ajo vë buzën në gaz. Buzëqeshja e saj ka diçka magjike, që veç burrat dijnë ta lexojnë.

-Më thotë se dy shokë të tij lahen vetë e vetë do të lahet edhe ai, se ndryshe të quajnë “çun mamaje”.

-Pra, po rritet Xhino-ja, – bën humor ai.

Vitoja provon të buzëqeshë, po s’ia arrin dot. Është ulur në njërin nga poltronat dhe ndjen ngrohtësinë e mikpritjes.

-Ta bëj një kafe?

-Pasi të bëj dush, – i përgjigjet ajo e kjo e ndez përbrenda Maksin. Se ka kohë që nuk ndjen erën e femrës pas dushit. Kur femrës i vjen era ujë. E kjo është një magji në vehte.

Don ta pyes për Llazarin, po është i bindur se me të përmendur emrin e tij, asaj do i ikë ajo buzëqeshje, ajo dritë që i binte në ballë e ia pushtonte fytyrën, se buzët e saj, si një trëndafil kur çel në mëngjez, do të rrudheshin e mbase do të gjakoseshin prej dhëmbëve.

-Po bëhet hataja jashtë, – thotë Maksi.

-E pashë nga dritarja, – pohon ajo.

Po është grua. E sytë i shkojnë atje ku diçka nuk është në vendin e duhur, ku një punë ka zënë tjetrën.

Nuk e zgjat. Ka parë kapicë disa pjata dhe shkon nga lavamani.

-Mos i trazo, dreqin, se s’kam me se të merrem më vonë.

-S’po bëj ndonjë punë të madhe.

-E di, e di, po…

E sheh nga pas. Vitoja i ka lëshuar flokët, ato i kanë rënë mbi supet e zbuluara dhe i lëkunden si kreshtë dallge. Duke lëvizur sa në të majtë, sa në të djathtë duke larë pjatat, vithet i shkojnë në atë ritëm duke i dhënë një sensualitet të veçantë.

Maksi turbullohet. 

-Unë po shoh një herë Tedin se ç’bën! – thotë ai dhe gjen mënyrën më të mirë për të dalë nga dhoma.

Vitoja nuk i kthen përgjigje, sa kthen pak kokën nga ai dhe e shoqëron me sy.

Maksi bën humor me Tedin. Djali e ka mbyllur kabinën dhe llokoçitet.

-Tedi, se mos e harxhosh të gjithë ujin!

-Ka plot, ka plot xhaxhi Maksi!

-Hajde tani, dil! – e këshillon ai.

-Edhe pak, xhaxhi Maksi, edhe pak!

Kthehet në kuzhinë. Vitoja i ka larë enët dhe rrugullon poltronin, jastekët, dy-tri plaçka të tjera.

-Ka tri ditë që nuk është bërë i gjallë, – thotë ajo pa ia përmendur emrin të shoqit.

-Ç’thua moj? – e pyet ai.

-Ma vuri ferren, unë ia vura kryqin, – thotë ajo.

-Mos i ka ndodhur gjë? – se si pyet Maksi.

-Nuk bie rrufeja në hale! – shfren ajo, mbase dhe duke e lidhur atë padreke të tmerreshme me furtunë, shkreptima e bubullima.

Ndërkohë i bie një zile celulari. Vitoja dridhet. Sheh në ekran, ngurron po më në fund e hap. Dëgjon në sfond thirrje, zëra. 

-Vito! Shpirti im! Na foli kësaj kurvicës që kam në prehër!

Ajo skuqet e zverdhet. E mbyll celularin.

-Përse ia mbylle? – pyet Maksi edhe pse është i bindur se nuk ka asnjë të drejtë ta bëjë një pyetje të tillë.

Gruaja hesht një çast, pastaj si të kumtojë diçka me një peshë të veçantë, thotë:

-Sepse e kam mbyllur përfundimisht çdo kapitull me të…Edhe unë kam një jetë e dua ta gëzoj, Maksi! Dua të kem përkrah një njeri me të cilin të këmbej një bisedë, ta dëgjoj e të më dëgjojë…Ai tani e ka kalbur konopin…Ka tri vjet që ma nxin jetën…Që s’kam parë një ditë të mirë…

Ai dëgjon shfrimin e saj dhe i beson. Po është Tedi në mes dhe…

-Nuk e dëgjove se ç’tha?

-Jo!…-përgjigjet ai.

-Se kishte një femër në prehër…

-Çfarë? – pyet e nuk don t’u besojë veshëve…

-Ma ka bërë edhe herë të tjera…Kushedi se ç’i thotë mendja…

-Duhet të jetë tapë…

-Gjithsesi të jetë, mund të thotë diçka tjetër…

Maksi don t’i bëjë moral, t’i thotë këtë e atë, por është i pafuqishëm para vështrimit të saj.

-Mami! Mami!

Vitoja merr jetë e del në koridor. 

-Ma sill peshqirin!

Vitoja nxiton ta mbështjellë me peshqir.

E vesh dhe e sjell në kuzhinë.

-Hajde, jepja faqen xhaxhi Maksit! – i thotë e ëma dhe djali edhe pa atë urdhër e ka përqafuar komshinë.

Mbi tavolinë janë disa kokrra molle dhe disa banane.

-Do? – e pyet Maksi.

Djali nuk jep përgjigje, po zgjat dorën dhe pa teklif zë e qëron njërën banane.

-Tani lahem vetë, xhaxhi Maksi, se edhe Keli lahet vetë, edhe Mondi, edhe Turi…Tani edhe unë jam rritur…

Seç ka një lloj krekosje Tedi.

Merr si në shtëpi të tij telekomandën. Ndrron stacionet. Ndërkohë bie zilja e celularit.

Ai nxiton dhe Maksi nuk ka kohë t’i thotë të mos e trazojë telefonin e Vitos. Po djali sheh ekranin dhe thotë:

-Qënka babi…Po s’do t’i përgjigjemi…Ai s’më ka më djalë, as mami nuk e do më…

Maksi tronditet.

-Tedi, të kam thënë edhe njëherë, këto janë biseda për të rriturit. Ti atë e ke baba!

Tedi e shikon me habi xhaxhi Maksin.

-E kisha baba, xhaxhi Maksi, po ai na ka mohuar. Unë nuk jam i rritur për t’u larë vetëm. Jam i rritur tani sa për të kuptuar se ai na ka lënë në mes të katër rrugëve…se ai e ka tradhëtuar mamin…

Maksi sërish nuk donte t’u besonte veshëve. 

-E kam dëgjuar nënën të bisedonte sot me gjyshen. Unë bëja sikur flija dhe i dëgjova të gjitha. Dhe të gjitha i kam kyçur këtu, – tha ai, duke treguar kokën e tij.

U bë një pauzë. Ndjehej uji që derdhej nga dushi dhe tek-tuk vetëtima të largëta.

-Madje di dhe dy sekrete.

-Vërtet? – pyeti Maksi, tani i bërë kurioz nga Tedi, që kishte kapërcyer çdo hamendje të tij për të.

-Mami do ta çojë tek gjyqi. E ka mbushur kupën!

Fëmija kishte regjistruar çdo gjë si një sizmograf i ndjeshëm.

-Ky është sekreti i parë, – tha Maksi, i bindur se Tedit nuk i kishte shpëtuar asnjë fjalë nga bashkëbisedimi i Vitos me nënën e saj, edhe pse ishte bërë gati t’i thoshte djalit se nuk ishte mirë që nxirrte sekretet  e shtëpisë.

-Sekreti i dytë ka të bëjë me ty! – tha fëmija dhe Maksit iu duk se një shkreptimë nuk vinte nga qielli i nxirë, por nga thellësia e shpirtit të tij.

-Me mua? – pyeti instinktivisht, por edhe kurioz.

-Betohu se e mban sekretin?

-Betohem!

-Gjyshja i tha nënës diçka për ty…

-Për mua? E çfarë?

-Besën e burrit se nuk ia thua mamit!

-Tokma dorën! – i thotë Maksi dhe djali gjallërohet.

-Gjyshja i tha se do të qe mirë të bashkonit hyrjet…

-Çfarë?

-Të betohem xhaxhi Maksi, të betohem…Unë do të dua edhe më shumë nëqoftëse e heqim këtë mur…Tani unë e di se vetëm ky mur na ndan…

Djali është ngritur në këmbë dhe ka mbështetur dorën e tij tek muri tek.Pastaj, si të donte ta bindte se ai ishte në favor të atij propozimi, u shkëput nga mesi i dhomës dhe iu hodh në gjoks Maksit, zemra e të cilit po rrihte me një shpejtësi të pabesueshme. 

Ndërkohë në banjo nuk ndjehej më uji i dushit. Sigurisht Vitoja po mblidhte ndërresat. Për pak dhe do të vinte në kuzhinë, se kishte lënë pa pirë kafenë, me të cilën do ta qeraste Maksi. Po gjërat kishin precipituar në një mënyrë të tillë, sa Maksi s’dinte se ku ishte fillimi dhe mbarimi i gjithçkaje.

Vitoja po vonohej dhe djali u shtri në divan. Mbase avujt e ujit, mbase dhe lodhja e ditës, ia mbyllën qepallat.

Maksi e mbuloi me një batanie dhe po priste të vinte Vitoja.

Ishte një mur që i ndante. Tek tullë. Po në këtë rast i dukej si një mur kështjelle, me gurë qiklopikë.

A shembeshin mure të tillë?

Vitoja dikur hyri në dhomë. Disa sumbulla uji i kishin mbetur në ballë dhe në faqe. E shikoi atë dhe pastaj vështrimi iu gremis mbi djalin nën batanie. Seç qe i bindur se ai nuk flinte. Se donte të mësonte edhe sekretin e pathënë…

Maksi instintivisht i bëri vend Vitos në poltronin tresh dhe vetë u ngrit, mbase për t’i bërë kafenë. Po këmbët e çuan tek muri që i ndante dy apartamentet. Se si, e vuri dorën në të. 

-Do ta pijmë bashkë kafenë, – tha ai.

-Mirë, – u përgjigj ajo.

-Tedi, po flë? – pyeti ai.

-Po, xhaxhi Maksi, po flë! – u përgjegj djali me një lloj sinqeriteti që është pronë vetëm e fëmijëve.

-Kur të zgjohesh unë do të them një sekret, po vetëm ty, ama!

-Mamit nuk do t’ia themi.

-Mbase dhe mund t’ia themi.

-Është sekret?!

-Sekret është.

-Ka të bëjë me murin?

-Ndoshta edhe me murin.

Djali fërgëlloi nga gëzimi. 

-Ç’janë këto sekrete? – pyeti Vitoja, duke dyshuar se propozimin e murit e kishte bërë e ëma dhe askush tjetër veç Tedit nuk mund ta kishte dëgjuar. U bë prush në fytyrë.

Jashtë bubullonte e vetëtonte.

Ai bëri kafetë. Desh të mirrte tabakanë e t’ia servirte me të filxhanin Vitos, po u duk se ashtu sikur po e largonte. 

-Tedi?

Maksi kërkon të bindet nëse djali përgjon apo po flë? Tani edhe Vitoja diçka ka kuptuar. Ia largon pak batanien me të cilën qe mbuluar dhe bindet se djali po flinte në krahët e ndonjë ëndërre te bukur.

-E kam menduar propozimin! – thotë Maksi.

Vitoja fërgëllon. Tani dyshon dhe më shumë se më parë se bisedën me nënën e saj djali jo vetëm e kishte dëgjuar, por edhe ia kishte thënë Maksit. Se ç’prej ditës që Vitoja i kishte treguar se do të ndahej me Llazarin, ajo i kishte thënë se do të ishte gjë e mirë të lidhej me Maksin…

Fërgëllimi i saj seç ka diçka tepër femërore.

-Për çfarë? – pyet ajo dhe ngrë sytë e saj të mëdhenj e të magjishëm.

-Për kushërirën, pra! Në këtë moshë nuk mund të lidhem me një njeri që nuk e njoh…

Ato fjalë duken se shkrijnë akujt. Vitoja nuk ka forcë ta sundojë veten. 

Ajo shikon nga i biri që tani flë i qetë. Se si e çon dorën nga supi i tij, po ndërkohë të njëjtin veprim ka bërë edhe Maksi. Duart e tyre rastësisht u takuan.

Shumë gjëra në këtë botë ndodhin rastësisht…

Rastësisht, tani ishte edhe ai mur para tyre…

2006

B E T A

Në lagjen ku banonim ndodhi një defekt i rëndë në ujësjellës dhe me kuç e me maç, me gjyma e me shtama, u dynden tek pusi i vetëm në lagje, i cili ndodhej në oborrin e shtëpisë së Abaz Tullacit. Abazi ishte një burrë që mbahej me të madhe, nga gjyshi trashëgonte zanatin e argjendarit dhe gratë bënin ç’bënin e tek Abazi e zbraznin kuletën; kush prej tyre lakmonte arturinat po s’ia kishte takatin, ai thuhej se gjente një gjuhë të përbashkët që aman o zot! Kështu ishte endur vit më vit derisa erdh e u fishk, në fytyrë iu ravijëzuan ca rrudha të thella dhe flokët që i mbante si rrallë kush, i ranë aq sa e bënë të humbëte edhe mbiemrin e njerëzia të mos e thërriste me llagapin e vërtetë, por Abaz Tullaci. Kjo për Abazin qe si një heshtë vdekjeprurëse. Megjithatë ai erdh e u mësua dhe tani ky mbiemër i dukej më i lezetshëm dhe që e veçonte nga mbiemrat emra që mbanin gjysma e qytetarëve.

Kështu që ato ditë që njerëzia mbetën pa ujë, në oborrin e Abaz Tullacit u bë parada e grave e vajzave të lagjes dhe ai, beqar i stazhionuar, ato ditë mori raportë mjekësore që të mos dilte në punë dhe erdh e u ngul pas perdes së dritares. Pa zbardhur drita, mori një fshesë, e pastroi mirë e mirë vendin për rreth pusit, vendosi një stol dysh me ballë nga dritarja, la derën gjysëm të çelur dhe priti se kush do të bënte këmbë e para. Vetja i dukej si atëherë kur kishte lënë takimin e parë; edhe pse vjeshtë e tretë e jetës së tij, një pranverë e vogël, i gjallonte përbrenda.

Pesë, pesë e pesë, pesë e dhjetë. Rrake-tak, rrake-tak. Një herë iu duk se i bëri zemra. Por jo. Në atë heshtje të thellë u ndjenë gjyma. Zemra ia donte të mos ishte ndonjë plakë role, po ndonjë nuse e re ose ndonjë vajzë punëtore. Ai do të donte të vinte Gjyla, e cila para dy ditësh i kishte kërkuar një unazë të larë me ar, i kishte thënë se do të vinte e ta bisedonte, po çuditërisht s’ishte ndjerë më.

Një dorë hapi me kujdes derën e lënë përgjysëm dhe Abazi nga dritarja ku po priste pa siluetën e një gruaje. Ajo, si të mos donte të trazonte të zotin e shtëpisë, hyri në majë të gishtërinjve, hodhi vlagun në pus dhe bëri të çlironte çikrikun. Po ai për dreq nuk jepte më poshtë. Iu suall disa herë, por pa dobi. Se Abazi nuk ish aq trutharë sa të mos ishte në gjëndje të ngatrronte litarin e vlagut që mbushte ujë. Ndërkohë gruaja si të donte të kërkonte ndihmë, hodhi sytë nga dritarja e shtëpisë, perdja e së cilës iu duk se lëvizi pak. U bind se Abazi ishte zgjuar. Madje dora e tij ndjehej edhe për rreth pusit. Ishte dita e tretë që vinte të mbushte ujë dhe ambienti ndriste nga pastërtia dhe se ku ishin fshehur ca rraqe e rrangalla të vjetra që i kishte zënë syri ditën e parë.

Desh njëherë ta thërriste të zotin e shtëpisë, se dhe ashtu e kishte një punë, po se si pat një stepje. Ishte ende heret e drita s’kish dalë plotësisht. Tjetri boll që kish deklaruar se nuk do ta mbyllte derën e shtëpisë ditë-natë, derisa të rregullohej ujësjellësi e s’ua kish borxh të rrinte dhe zgjuar për ta. Kapi gjymat dhe bëri të largohej kur ndjeu se diçka krisi nga pas…

– Prit, moj nuse, prit, – dëgjoi një zë dhe zemra iu drodh.

– Më fal, ndofta iu çova nga gjumi, po vjehrra…

– Ngatrrohet shpesh i mallkuari. Po helbete, kur futen njëqind duar…

– Ashtu është, – mezi iu përgjegj ajo, e bindur se e pat fjalën për litarin e çikrikut të pusit.

Tani Abazi në gjysëm errësirë pa në profil një nuse  që ishte për t’u pirë në kupë. O Zot, ç’kishte bërë natyra! Po si ishte e mundur që ai të mos e kishte vërejtur më parë, apo ishte ajo nusja…

– Moj, po mos je ajo e Laverit?

– Mos qofsha më mirë, e tija jam.

Abaz Tullacit se si i bëri zemra. Laveri qe një sherrbudallë. Një ditë, ashtu më kot, u zu me biçiklistin e lagjes, i këputi një të rrahur sa e la shuk në vend. Ngaqë i shkaktoi një plagë, ngjarja mori tjetër drejtim dhe i rrasën pesë muaj burg. Që atëherë pat dëgjuar se kish lënë një nuse të bukur, e cila po atë ditë që atë e morën policët, shkoi tek i ati në Laç. E ndofta kthimin e  saj  Abazi e lidhi me të vjehrrën; të hënën e kaluar i kishte ardhur në shtëpi t’i mirrte një mijë lekësh borxh. Po ai e kish gënjyer duke i thënë se nuk kishte e të dukej pas dy-tri ditësh…

– Si heret të paska çuar, moj nuse…

– Po ajo vetë s’vinte, se e ka mbërthyer reomatizma. Më çoi edhe për ujë, edhe për diçka që të ka kërkuar…

Abazit iu duk e pabesueshme, megjithatë s’ishte prej atyre që e linte zogun t’i ikte nga duart. Kishte menduar të kënaqej ato ditë duke qëndruar pas perdes së dritares, për të parë gratë e nuset e sidomos pulpat e këmbëve të tyre që merrnin një trajtë të përsosur sa herë tendoseshin për të nxjerrë vlagun mbi rrasën e pusit.

– Hajde brënda të t’i jap paratë që më ka kërkuar jot vjehërr…

Tha kështu dhe bëri nga hyrja e shtëpisë, i bindur se nusja nuk do të rezistonte gjatë.

Ajo bëri sikur u zu ngushtë.

– Hajde, moj nuse, hajde…

– Zotni Abaz…

– Mund të vijë ndonjë grua tjetër e s’kam qejf të jap e të marr të holla në sy të tyre. Njëshi bëhet dhjetë…- tha ai si marifetçi që ishte.

Nusja mbeti më dysh. Sigurisht që ato të holla i duheshin patjetër, po edhe…

– Si e ke emrin, – ndjeu ta pyes i zoti i shtëpisë.

– Beta, – u përgjegj ajo.

– Hajde, hajde, se shpejt zbardh e fillojnë e vijnë gratë njëra pas tjetrës.

Si për çudi nusja u bind dhe  si një pulë hyri në shtëpinë e Abaz Tullacit.

Abazi, që ia dinte hallin, por edhe vlerën e parasë kur s’e ke, ia udhëhoqi rrugën për në dhomë dhe menjëherë mori nga xhepi i brendshëm i një xhakete portofolin dhe që andej nxorri një njëmijë lekësh.

– Jepja vjehrrës. E di që jeni hollë.

– Faleminderit, – tha Beta tek merrte kartmonedhën, po në çast ndjeu gishtërinjtë e tij në të sajtë.

– Këtë po ta jap ty, – i tha ai duke i dhënë një pesëqindëshe, – po ta fal!

Ajo bëri sikur kundërshtoi, po dora e Abazit ia kishte rrasur brënda pëllëmbës së dorës.

Kartmonedha duket se e theu. Dhe këtë Abazi e nuhati në çast, sa dora tjetër duke e ndjerë mesazhin e thyerjes, kaloi ashtu  si pa qëllim mbi vithet e saj.

Në të vërtetë, qëkur e nisi e vjehrra, ajo e nuhati se po i hapte rrugë për tek Abazi, po ngaqë ai s’ish për të as i pari e s’do të ishte as i fundit, nuk ishte pishman kur s’ndaheshe keq.

Dora e tij tani u mbështet mirë e ajo bëri sikur s’desh.

– Zotni Abaz, se mos vjen kush, – tha ajo duke i hapur rrugë.

Abazi, nga kjo u ndez edhe më shumë,  dhe e shtyri drejt shtratit.

Beta s’i bëri fort naze, veç iu lut të mbyllte derën. Abaz Tullaci kishte pirë ujë në shumë kroje, po erë myshk të tillë s’kishte ndjerë kurrë. Kjo nuse po e rinonte. Po edhe Beta e ndjeu se ai ishte shumë më i ri nga ç’paraqitej.

– Do të vish përditë, – tha ai triumfues, më shumë në formë urdhëri. – Do të të laj në ar.

– Po, po, po – pohoi ajo si e dalldisur. – Do të vij përditë, mund të vij edhe të flë. Tek babai nuk shkoj më se jam zënë me vëllain, vjehrrës do t’i them se do shkoj të flë tek babai. Po kam frikë se mos më sheh kush.

-Veç meje dhe Zotit në qiell, askush, Beta! Veç ti mos fol me askënd mbi dhé!

***

Beta vinte gati çdo natë. Erdhi madje edhe kur i shoqi doli nga burgu. Ai e niste shpesh të mirrte borxh. Abazi borxhet që i jepte Betës i harronte, po kënaqësinë e saj nuk e harronte kurrë.

***

Thonë se pas një viti Beta lindi djalë. Dhe që nga ajo ditë ajo nuk erdhi më kurrë të lypte borxh tek ai. Po ç’rëndësi kishte…

Abazin një ditë e gjetën të vdekur tek puseta qëndrore e ujit të lagjes. Ai s’ishte hidraulik. Atëhere ç’kishte dashur natën tek puseta me një trastë me vegla hidrauliku? 

Hetuesit që u morën me atë çështje nuk qenë në gjendje ta deshifronin gjurmën e lënë…Pyetën shumë njerëz, po asnjëri nuk dha diçka të saktë…

Sikur të kishin pyetur Betën, vetëm ajo mbase do të thoshte se ai kishte shkuar që të shkaktonte një difekt, që prapë gratë e lagjes të shkonin e të mbushnin ujë te pusi i tij…