NJË DET PA DALLGË S’ËSHTË DET
Aforizma dhe sentenca nga Skënder Temali
E ka thënë vetë autori në parathënien e këtij vëllimi me aforizma e sentenca se më tepër kjo është një sprovë e tij dhe nëse e ka kaluar apo jo atë do ta vendosin vetë lexuesit. Pra ka lëvruar në një zhanër të pa provuar më parë, në përcaktimin e tyre jashtë konteksteve letrare, duke synuar që të jetë sa më origjinal, që ato të mos burojnë as nga ky e as nga ai autor, vendës apo i huaj, me gjithë respektin e jashtëzakonshëm për ato. Mbyllja me përcaktimin e aforizmave të Mark Tuenit se “Janë diçka minimale me kuptim maksimal” përbën kuintesencën e vëllimit.
Autori i ka renditur qindra aforizmat e sentencat e tij në bazë të alfabetit të gjuhës shqipe, pra vëllimi nuk është tematik. Nga paraqitja grafike ai është doracak, për t’u krijuar mundësi lexuesve që ta marrin edhe në xhep e ta lexojnë ku e kanë të mundur, në një radhë, në automjet (jo në timon), traget, avion, etj.
Please wait while flipbook is loading. For more related info, FAQs and issues please refer to documentation.
Nuk ishte fort e lehtë, madje e vështirë, që të përgatisja një vëllim të veçantë me aforizma dhe sentenca jashtë një konteksti letrar. E vështirë, sepse nga leximet e shumta të mijat, doja që asnjëra prej tyre të bënte “rikoshetë” me mendimin e shkrimtarëve dhe filozofëve të djeshëm dhe të sotëm, vendës e të huaj, që lexuesi as të mendojë e të thojë “po këtë e ka thënë ky autor, këtë ai autor”. I kam respektuar dhe i respektoj të gjithë sa s’ka, por përmes këtij vëllimi dua të jem unë dhe askush tjetër.
Është më shumë një sprovë. Nëse e kam kaluar apo jo me sukses, këtë do ta vendosni ju. Modestësisht përmes aforizmave e sentencave të mia, do të isha i lumtur t’i jem afruar sadopak thënies brilante të Mark Tuenit “Një zë minimal me kuptim maksimal”.
Autori
A
- Aforizma pa filozofi jete mund të ketë aq sa ka detra pa ujë.
- Atë që ti sheh nuk e shoh as nuk mund ta shoh ashtu siç e sheh ti.
- Arsyeja dhe forca mund të bashkëjetojnë, kur forca, në shenjë respekti, i puth dorën arsyes.
- Askush nuk është më skeptik se skeptiku.
- Atdhemohuesit janë specia më e nevertishme e racës njerëzore.
- Aktor të madh komik unë quaj atë që ngjitet në skenë pas një tragjedie familjare dhe i bën të gajasen të qeshuri të gjithë spektatorët.
- Ateizmi është feja e të pafeve.
- Ai që mburret se në jetën e tij nuk ka bërë asnjë gabim, mashtron vetvehten.
- Ajsberologët, pas kërkimesh të gjata, arritën që në krye të listës në familjen e ajsbergëve të vendosin Njeriun.
- Alienët janë miq të paftuar dhe, si të tillë, më parë ikin se sa vijnë.
- Autonomi nën diktat as ka patur e as do të ketë.
- Ajka intelektuale del nga deti plot dallgë i shoqërisë njerëzore.
- Atdhe pa mëmëdhe nuk ka.
- Askush deri më sot nuk e ka njohur vehten e tij, madje as në shekujt që do të vijnë s’ka për ta njohur atë.
- Alfred Nobelit, shpikësit të dinamitit, i përkulen me respektin më të madh kokat më të mëdha të njerëzimit, edhe pse përmes zbulimit të tij kanë gjetur vdekjen me miliona vetë në mbarë globin.
- Ata që s’urrejnë ka shumë gjasa që këtë pasuri t’ua trashëgojnë bijve të tyre.
- Altruizmi është çvendosje e ndërgjegjshme nga uni tek të tjerët kur janë në zgrip të jetës.
- Ata që më turli manovrash politike përpiqen të justifikojnë kolaboracionistët gjatë Luftës II Botërore, nuk janë as më shumë as më pak kolaboracionistë të së keqes që i kanoset njerëzimit.
- Ai që s’ka vuajtur nuk di se ç’është gëzimi.
B
- Borxhlinj të përjetshëm mbeten: fëmijët ndaj prindërve, detrat ndaj përrenjve e lumenjve, dielli ndaj dëborës dhe tradhtia ndaj besnikërisë.
- Bota pa idiotë do i ngjiste një arene cirku pa palaço.
- Busulla e jetës s’ka katër pikat e horizontit, por vetëm mendim dhe veprim.
- Bariu me fyellin e tij duartrokitjet për interpretim i merr përmes blegërimave të bagëtive, dhe kur i bie në një vrimë, përmes kakërdhive.
- Bejtexhiu Hasan Zyko Kamberi është profeti i parë poetik shqiptar i degradimit të njeriut nga paraja.
- Bustet pa emra tregojnë se atë e njohin të gjithë.
- Biblioteka më e madhe s’ka qenë ajo e Aleksandrisë, s’është as ajo e Kongresit Amerikan, por ajo e mendjes tënde.
- Bashkimi i të kundërtave është revolucioni më i madh i emancipimit të mendimit njerëzor.
C
- Cmirëziun e mba gjallë cmira.
- Cicërimat e zogjve s’njohin stonatura.
- Ciganët, edhe kur s’kanë bukë të shtrojnë mbi mbulesë, nuk qajnë, por ia marrin një kënge dhe ajo është akuza më therëse ndaj pabarazisë njerëzore.
- Cen trupor mund të kesh, i lumtur cen mendor të mos kesh.
Ç
- Çdo njeri mund të bëhet Promete, përveç frikacakut.
- Çudia njerëzore me petkun e dyftyrësisë arrihet kur edhe një braci i vishen në arkivol epitetet e xhentelmenit.
- Çdo gënjeshtar ka prirje për t’u bërë shkrimtar, por kurrë shkrimtar i vërtetë.
- Çekiçi i gjyqtarit nuk është kurrë si çekiçi i farkëtarit.
- Çelësi shërben për të hapur bravën e një porte a kasaforte, por s’arrin të hapë portën e botës shpirtërore njerëzore.
D
- Dashuria është “sëmundja” më e përhapur në botë.
- Dimri i jetës është stina që nuk e don askush.
- Demagogëve besoju vetëm kur flenë.
- Dinjiteti në disfatë është vlerë njerëzore që duhet çmuar.
- Do pranoja shurdhërinë, nëse do të bëhesha Bethoven.
- Dy gabime të rënda bën njeriu në jetë: kur zgjedh gruan dhe profesionin. Ka fatkëqinj që gabojnë në të dyja.
- Dashuria me përdhunë është e mundur sa liria nën pushtim.
- Dy brigjet e një lumi nuk i bashkon ura, por uji.
- Dinakëria është hija e tradhtisë.
- Don Kishoti pa Sanço Pançon mund t’i ngjasë karikaturës së Servantesit me njërin krah.
- Dashuria në robëri i ka rrënjët më të forta se sa në liri.
- Dashuria për gruan në rini u ngjan petaleve, në pleqëri fruteve të arrira.
- Dashurinë e meritojnë ata që besojnë tek dashuria.
- Dashuria e vërtetë është një e përpjetë pa të tatëpjetë.
- Diturakët i ngjajnë lulediellit: gjithnjë qëndrojnë kokëulur dhe e ngrenë atë vetëm kur thonë diçka që u ndrin rrugën të tjerëve.
- Dua të jem kamikaz, por kamikaz i së keqes.
- Dinaku dhe kurthet e tij janë të barazvlerëshme me paburrërinë.
- Diktatorët “gabojnë” vetëm kur vdesin.
- Dështakët kanë arsye të mbulojnë dështimet e tyre.
- Disfatisti ka për motër Disfatën.
- Dostojevski sa herë humbiste në bixhoz, fitonte letërsia, pasi mllefin shpirtëror të humbjes ua përcillte personazheve të tij.
- Dora e djathtë është më e gjatë se e majta edhe për arsye pasi me të zgjatesh të japësh dhe me të majtën pret ç’të marrësh.
DH
- Dhurata që përmendet s’ka kurrfarë vlere.
- Dhëmbët e ingranazheve të kohës bluajnë si të mirën ashtu edhe të keqen.
- Dhuna në demokraci nuk ka emër tjetër.
- Dhia bishtpërpjetë është e para në emancipimin seksual.
- Dhjetori në Europë pa qyrkun e dëborës nuk e ka emrin dhjetor.
E
- Edhe pulëbardha fundin e ka të zi.
- E bëra çbëhet kur rreh gjoksin për atë që ke bërë.
- Epërsinë e saj femra e shfaq kur e ndjen se s’ka për të humbur.
- E paarritshmja është shtysë për të arritshmen.
- Edhe njëqind djem të kisha asnjërit s’do t’ia ngjisja emrin Fluger.
- E vërteta nuk e humb kurrë rrugën.
- Edhe pse kameleon e me njëqind fytyra, askush s’i thotë as kameleon, as njeri me njëqind fytyra, për faktin e vetëm se është aktor.
- Ethet në dashuri s’kanë nevojë për doktor.
- Edhe pse ëmbëlsira lihet për në fund, e tillë ajo s’është aspak në fund të jetës.
- Ende s’ka lindur një nihilist që të mos e dojë vehten e tij.
- E vetmja gjë që nuk ka njësi matjeje është kurbatura e ndershmërisë.
- Ende nuk është zbuluar ditari i së nesërmes.
- Edhe pse rend pas simbolesh, kjo s’do të thotë se një ditë do të shndrrohesh në simbol.
- Eutanazia është njerëzore kur të aplikohet ndaj së keqes njerëzore.
- E pa parashikueshmja buron nga miopia e së shikueshmes.
- Edhe pse të verbër, mund ta shihni botën më mirë se miliona njerëz me dy sytë në ballë.
- E pranoj një shkrimtar me flokët e pakrehur, por s’kam si ta pranoj kur s’e krehë frazën në prozën e tij.
- E rrezikshme s’është gjithaq skena ku luhet një dramë, po kuintat e saj.
- Edukata mbi të gjitha është sjellje.
- Edhe sikur t’ua ndrronim veshët, lepuri do të mbetej frikacak dhe gomari-gomar.
- Eskimezët s’kanë nevojë për kostume banjoje.
- Edhe pse qypat bosh në përmasa të mëdha në teatrin antik grek luajtën rolin e altoparlantëve të sotëm, prap se prap qypa se qypa mbetën.
- Edhe cmira për të mirë e ka një të mirë: të nxit për të arritur e kaluar atë që e ke cmirë.
Ë
- Ëndërra është paradhoma e çdo shkrimtari të ardhshëm.
- Është lehtë t’i bësh gropën tjetrit, vështirë të dalësh po re vetë brenda.
- Ëmbëlsira e pranon kripën aq sa të mos e cënojë atë.
F
- Fati është hija e çdo njeriu.
- Fraku nuk të bën zotëri.
- Falju çastit që të bëri dikush, por mos harro se mëpasja mund të bëjë askush.
- Fëmijës që nuk i kanë kënduar ninulla ka gjasa të rritet i sertë.
- Fjalët e mëdha janë mjegulla e së vërtetës.
- Frikacaku ka të transplantuar zemrën e lepurit.
- Frika dhe trimëria janë të mëkuara, po jo nga e njëjta nënë.
- Fukaraja nuk ka kuletë.
- Fjala e rëndë është shumë më e gjatë në shërim se plaga e plumbit.
- Fitimtari gjykohet vetëm kur vishet me pushtet.
- Fan Noli në rini qe sufler teatri, më pas e gjer sa mbylli sytë u bë sufler i kohës.
- Filantropët anonimë janë filantropët e vërtetë.
- Finok nuk është kurrë një leshko.
- Fatalistët janë nata e jetës.
- Fashizmi dhe nazizmi ndërtuan shumë rrugë, po në to u përshkua arkmorti i popujve dhe urrejtja botërore ndaj tyre.
- Fëmijëria e pranon mistrecin, burrëria e përjashton me neveri.
- Fshesazhinjtë mallkojnë mitingjet politike për papastërtitë që lënë nga pas, por më shumë rrenat që bëhen mal në tribuna e që s’ka fshesë t’i pastrojë.
- Femrën, këtë kryevepër të natyrës, nuk e bën të tillë bukuria, por mëmësia.
G
- Gu-guja e pëllumbit s’ka nevojë as për përkthyes e as për koment.
- Gënjeshtari e ka për zili hipokritin për jetëgjatësinë e aktrimit.
- Guximi në paburrëri është atribut i tucëve ndaj së vërtetës.
- Gruan gabimisht e akuzojnë për llafazane. Llafazan i mirëfilltë ështe burri që nuk u lë radhë të tjerëve të thonë mendimin e tyre.
- Grindavecët gjejnë sebepin të grinden edhe me xhaketën që mbajnë veshur.
- Grerëza, edhe pse kandër nga familja e bletës, nuk bën mjaltë.
GJ
- Gjenerali i vërtetë e konsideron vehten ushtar të thjeshtë.
- Gjeneralin e shquan nga spaleta, në orkestër violinistin spalë nga virtuoziteti.
- Gjaknxehtësia në drejtësi është djepi i padrejtësisë.
- Gjahtari pa zagarin është si një njeri pa shqisën e të nuhaturit.
- Gjimnazistët janë shtresa shoqërore me më pak komplekse.
- Gjaku blu është gënjeshtra më e madhe në shekujt e kaluar.
- Gjërat troç mund t’i thonë vetëm njerëzit kurajozë.
- Gjithkush e di se kuota zero është fillesa, por askush s’e di se ku është mbaresa.
- Gjurmët e krimit mund t’i mbulojë vetëm pluhuri i harresës së qëllimshme.
- Gjithçka kam dëshirë të bëj përveç palimpestit, pasi përmes tij do të më zbulohen disa ndodhi të së djeshmes që s’kam dëshirë të më ngjasin më.
H
- Hero Kombëtar çdo komb ka vetëm një. Nëqoftëse rendit më shumë, s’ka asnjë.
- Heroi kurrë nuk thërret “po bie heroikisht”.
- Hajdutja më e madhe e të gjitha kohërave është vetë koha.
- Harmonia ka lindur në udhën e dis-harmonisë.
- Homoseksualët i bien fyellit në një vrimë.
- Harresa është si ajo gruaja që lind në moshë të shtyrë.
- Historia përsëritet vetëm në libra, që nga Herodoti e deri në ditët tona.
I
- Isha i ri kur u bëra baba, po më i ri kur u bëra gjysh.
- I vetmi që nuk ka varr është Deti i Vdekur.
- Idea është shpirti i mendjes.
- Inkompetenca shpesh paraqitet me fytyrën e kompetencës.
- I vdekur je edhe në një sarkofag madhështor, edhe në një arkivol me dërrasa të pazdrukthuara.
- Idetë progresive lindin pas regresit të zhvillimeve kohore.
- Indiferenti ka lindur dhe jeton si qorr e si memec.
- I pamoralshmi fiton terren kur atë e humbasin normat morale.
- Instikti i mbijetesës rri zgjuar edhe tek 100-vjeçarët.
- Inferioriteti është shtiza e flamurit të kapitullimit.
J
- Jago nuk të bën vetëm xhelozia, por pamundësia për të arritur dashurinë.
- Jep se merr: merr falnderime dhe urime. Koprac tregohu në urrejtje.
- Jetimorja e kafshëve është një nga indekset e lartësive njerëzore.
- Jo për të gjithë njerëzit minuta ka 60 sekonda.
- Joshja është kripë e sheqerosur.
- Jo çdo gjarpër është helmues e vdekjeprurës, madje ai në logon farmaceotike me “helmin” e tij të shëron.
- Jam dyshues nëse para ekzekutimit një pijanec si dëshirë për t’i plotësuar do të kërkojë një gotë raki, pak djathë dhe një spec djegës.
- Jo çdo bukinist që e nxjerr jetën nga e vjetra mund të jetë i vjetër.
K
- Kaosi ka rregullat e veta të çrregullta.
- Kurrë e vërteta nuk mbetet strehë e maskarenjve.
- Kush s’ka provuar vorbulla në jetën e tij zëre se s’e ka jetuar atë.
- Kallami i kënetës kurrë nuk mund të bëhet kallam sheqeri.
- Kripa në gojën e pronarëve të kriporeve shndrrohet në mjaltë.
- Kur s’ke kërçik të mbash peshën e kohës, kjo s’do të thotë se fajin e ka koha.
- Kur ndershmëria merr të përpjetën ecën me hapin e breshkës, po nëse merr të tatëpjetën i ngjet ortekut të bjeshkës.
- Ka zë më të bukur se i bilbilit: është zëri i shpirtit.
- Kush lavdëron vehten, nuk u lë radhë të tjerëve për ta lavdëruar.
- Kritiku letrar që e fillon dhe e mbaron analizën me superlativa, çdo gjë mund të jetë, por kurrë kritik.
- Kacafytjet e të ashtuquajturve intelektualë të sotëm për hiçmosgjë, më kujton “epokën” e kacagjelave të dikurshëm.
- Ka njerëz me zemrën në krah të djathtë, por edhe pa zemër fare: ata janë tiranët dhe diktatorët.
- Kurvari rrënjën e fjalës e ka të gjinisë femërore.
- Kush n’karrierë hidhet me trampolinë, rënien e ka në udhën e theqafjes.
- Kali është kafshë fisnike, por e humb fisnikërinë kur e kalëron një harbut.
- Karrikja e pushtetit është barometri i karakterit.
- Ka ndodhur që edhe në një gotë me ujë të jenë mbytur njerëzit më të mënçur.
- Ka rrugë qorre që s’të çojnë askund, por ka dhe plumba qorr që të çojnë në botën tjetër.
- Kriza+anarki=apokalips.
- Kaleidoskopi është kopje pa shpirt e ngjyrave të natyrës.
- Kafazet me hekura të ndryshkura dhe kafazet me hekura ari kryejnë të njëjtin funksion.
- Kush ka provuar prangat në duar e di se ç’peshë ka liria.
- Kurani dhe Bibla nuk mbahen në shtëpi për të zbukuruar bibliotekën.
- Krimi, si i vogël e si i madh, emrin e ka krim.
- Ka plot raste kur më mirë të të udhëheqin të vdekurit se sa të gjallët, pasi mendimi i tyre jeton e s’pyet për kohën.
- Kush sot pret që sorrat të bëhen të bardha, nesër do të presë që të bjerë dëborë e zezë.
- Kundërshtari që me sinqeritet i shtërngon dorën rivalit fitues, meriton të respektohet po aq sa fituesi i trofeut.
- Kultivimi i pasionit, dëshirave dhe vullnetit është ndër më të vështirët, por më i domosdoshmi për karakterin e njeriut.
- Kush i kërkon privilegjet dhe titujt, nuk i meriton ato.
- Kulmin e saj një poezi hermetike e arrin kur atë s’e zbërthen as vetë autori.
- Kurnacët janë banorë të të gjitha epokave.
- Krijuesi artistiko-komercial është aliazh i talentit dhe nevojës, ndaj dhe s’dihet ku fillon njëra e ku mbaron tjetra.
- Kozmosi është ende injoranca e shkencave të natyrës.
- Kurioziteti i tepruar, po qe burrë, të bën grua.
- Kur një inxhinieri elektrik i digjet shtëpia nga një defekt elektrik, uroj të shpëtojë ai vetë, familja dhe diploma.
- Kripa shitet më shtrenjtë atje ku nuk ka det.
- Kopraci i Molierit ka miliona vëllezër më shumë se ç’ka bamirës gjithë globi.
- Kërcënuesi është shfaqja e paburrërisë për të dalë përballë.
- Kur arti shartohet me politikën, fruti ka për të qenë ose i hidhur, ose i athët, po kurrsesi art.
- Kush i braktis të rënët për liri, shpejt liria do ta braktisë atë.
- Kush e ka provuar urinë e puth dhe e vë në ballë edhe një kafshatë buke.
- Kur në një vend monark është ligji, edhe lulja e tharë lulëzon.
- Korraca e së vërtetës është e papërshkueshme në çdo epokë.
- Konflikti mes brezave është logjika e kohës e shprehur mes së ngjashmes së sotme me të pangjashmen e së nesërmes.
- Kur përrallat besohen si të vërteta, jemi pranë apokalipsit mendor.
L
- Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve, sjell vetëm palumturinë e të gjithëve.
- Lufto për atë që beson.
- Luftënxitësi e ka të hapur në çdo kohë derën e ferrit.
- Letërsia pa erotizëm është si shkretëtira pa një oaz.
- Letërsia që ka vetëm shkrimtarë të mëdhenj nuk është letërsi.
- Lulet artificiale mbi varre tregon se sa artificialë jemi.
- Liria e plotë do të arrihet kur në botë të mos ketë asnjë kufi.
- Lumturia nuk shijohet në vetmi.
- Liria e plotë e individit është thjeshtë një iluzion.
- Liria nuk fitohet me deklarata.
- Le të të mungojë paraja, por të mos mungojë dashuria.
- Liberalët e shijojnë kupën e verës deri në fund, konservatorët e ruajnë për nesër, edhe pse ka gjasa t’i shndrrohet në uthull.
- Lavdërimet e tepruara që kapin edhe kupën e qiellit, shpejt mund të zënë edhe diellin.
- Limfa e së resë çan drejt jetës më me vështërsi se vetë limfa e jetës.
- Lindja, jeta dhe vdekja janë imitacion i mëngjesit, ditës dhe natës. Jashtë këtij trekëndëshi as ka natyrë e as ka jetë.
- Lentet zmadhuese nuk duhet të shërbejnë për të zmadhuar si të mirat e ashtu dhe të këqijat.
LL
- Llastimi i tepruar në fëmijëri, ka derivatet e tij në pjekuri.
- Llafollogët kur ua do puna shtiren memecë.
- Llava e vullkanit të shuan jetën e të zharitë, fjala e rëndë të lë gjallë duke u përpëlitë.
M
- Mullizeza spikat më shumë në dëborë.
- Mund të shkruash vargje gjithë jetën, por mund të mos bëhesh poet asnjë ditë.
- Mes miliona shkrimtarëve në botë ka pak fabulistë, sepse të shkruash një fabul alla La Fonten, zëre se ia vure pikën e fundit një romani.
- Mos shfletimi i librave të çon në shkretëtirë ideshë.
- Mjelmat e Çajkovskit janë të vetmet shpend pronare të pahipotekuara të një liqeni.
- Mëso nga gabimet e tua, por mos prit që ato të bëhen turrë.
- Munafiku është ndër qëniet njerëzore më të shpifura: ai buzëqesh vetëm kur të tjerët qajnë e lëngojnë dhe kur para tyre ka hapur gojën gremina e jetës.
- Më mirë të ecësh mbi prush e gastare, se sa të mos ecësh fare.
- Mashtruesit janë aktorë të lindur: ata s’kanë nevojë për skenë, u mjafton vetëm një partner për t’ia hedhur.
- Me teleskopët e observatorëve gjigandë mund të shohësh në distanca të paimagjinueshme, me përjashtim të shpirtit të njeriut që e ke në distancën më të afërt.
- Marksit me një truk mund t’ia heqësh mjekrën, por Teorinë e Mbivlerës s’mund t’ia heqësh dot as me institutet më të famshme ekonomike të botës.
- Madhështia e Bonapartit nuk pat përmasat e shtatit të tij.
- Më mirë të amnistosh se sa të ekzekutosh. Amnistia është giotina shpirtërore e gabimeve të bëra.
- Miqësia kalitet në kudhrën e mirëkuptimit.
- Mirësia është shprehje e koncentruar e kulturës individuale. Kur atë ua bën të tjerëve, për ty pastë jetë sa flluskat e sapunit, mirësia që të bëjnë të tjerët pastë peshën e gurit.
- Memecët kuptohen më shumë se llafazanët, sepse memecëve disa shenja u mbahen mend, kurse nga lumi i fjalëve të llafazanëve asgjë s’të mbetet në kujtesë.
- Minierën më të pasur të kulturës e civilizimit të kombit tim unë e gjej në thellësitë pellazgo-ilire, tek eposi, ninullat, vajet, mitet, përrallat e kashelashat. Mjerë ai komb që ato i ka të huazuara nga të tjerët!
- Mos u dëshpëro kur humbet e as mos u dorëzo, pasi vetë ke pranuar dy alternativat: fitoren dhe humbjen.
- Më mirë të mos jem se sa figurant.
- Mëso edhe nga e keqja, që ajo të mos marrë përmasat e epidemisë.
- Më mirë të dëgjosh një kukuvajkë se sa një orkestër të çakorduar. Kukuvajka të paktën nuk stonon.
- Miku që të vjen në shtëpi duhet t’i ngjasë baticës dhe zbaticës.
- Mjeshtër nuk bëhesh për një ditë, por mund të mbetesh çirak edhe gjithë jetën.
- Moralistët shpesh i ngjajnë një gjelle që të serviret çdo ditë.
- Mikun mos e vlerëso nga lajkat që të bën në jetën tënde normale, prit të të ndodhë një fatkeqësi që t’ia shohësh ballin apo shpinën.
- Mëshira është atribut i njerëzve me zemër të madhe.
- Miqësia me interes e ka bishtin prapa.
- Maska s’është gjë tjetër veçse paftyrësi.
- Maska e ideve nuk shitet në asnjë treg.
- Mjeshtria në justifikim ecën rrallë në rrugën e besueshmërisë.
- Mjegulla e fjalëve është më e rrezikshme se ajo e natyrës pasi, pas saj, gjithnjë përgjon rreziku.
- Mes dy vlerash të barabarta të përjashtosh njërën vetëm e vetëm se duhet të mbesë tjetra, tregon se edhe vetë s’ke vlerë e se ajo të ka thënë lamtumirë ngaherë.
- Mes pijanecit dhe pijetarit është një lumë që i bashkon dhe i ndanë: I bashkon kënaqësia e mbushjes së gotës së zbrazur dhe i ndan ajo se pijaneci s’di sa gota pi, ndërsa pijetari edhe një gote i thur poezi.
- Mediokrit për nga shkathtësia e momentit dijnë të çajnë në ato rrugë ku të diturit mbesin në udhëkryq.
- Mitomanit pretencën ia bën alibia.
- Më mirë një shuplakë turinjve se sa një puthje e refuzuar.
- Mistreci është i dënuar të mos bëhet kurrë burrë dhe në u bëftë, do të quhet burrë-mistrec.
- Më mirë të jetosh në një kasolle në bregdet, se sa në një nëndetëse mes gjithë të mirave. Në të parën je zgalem, në të dytën i vetburgosur.
- Mbi varrin e demokracisë gjithnjë demonët vendosin lule të freskëta.
- Miku i paftuar e ka një problem: s’gjen vend ku të ulet.
- Mungesa e idiotëve prish ekuilbrin mes dramës dhe komedisë.
- Mirësia t’u bëftë ujvarë, ligësia shkretëtirë e paparë.
- Misteri të rrit imagjinatën, po s’ta zgjidh dot atë.
- Mos harro të tatpjetën pas së përpjetës.
- Mes dorështërnguarit që fiton me djersë dhe dorëlëshuarit që i hedh të hollat badihava, ekziston një det i tërë.
N
- Narcizmi kalon nga njëra epokë njerëzore në tjetrën pa evoluime.
- Në një det me gënjeshtra e shpifje nuk mban mend asgjë.
- Nuk besoj tek ajo që s’e kam parë, s’e kam prekur e që s’e kam shijuar.
- Nxjerrja e së keqes nga vehtja është më e vështirë se bonifikimi i një kënete.
- Nëqoftëse nuk e vlerëson kundërshtarin, humbjen e ke pas veshit.
- Në një det të mbushur me egoizëm, do të mbytej dhe vetë egoisti.
- Nuk ecet kokëulur nën Harkun e Triumfit.
- Nga sorra dhe sorrani nuk mund të lindë kurrë një pëllumb.
- Nuk bëhesh i huaj pse gënjen, por pse nuk të besojnë.
- Në një luftë të përgjakshme, fitorja më e madhe është mbarimi i saj.
- Nëqoftëse kauza për të cilën lufton është e drejtë, mos u beto. Betimi në kauza zgjon dyshim.
- Nëse ka ekzistuar apo jo Homeri ka disa hipoteza. E rëndësishme është se ekziston “Iliada”.
- Në bankete, dreka e darka gratis as më ka zënë buka e as më ka rënë në kokë rakia: ato i kam provuar kur më është dashur të paguaj nga xhepi im.
- Në mes të një fjalamani dhe inteligjentit është një “ndryshim i vogël”: Fjalamani veç llap për çfarë do të bëjë, ndërsa inteligjenti përmes realizimit e tha çfarë pat për të thënë.
- Naivët kanë shkallën më të lartë të sinqeritetit.
- Në vorbullat e ujit ajo që nuk fundoset është fija e kashtës, ndërsa në vorbullat e jetës njeriu bosh.
- Nën çadër je i mbrojtur nga shiu, por jo nga rrufetë.
- Ngatrrestari përpush gacat dhe ngrohet nga tafti i tyre.
- Në një galeri arti të vërtetë gjuha mëmë është ajo e memecërisë.
- Nuk mund të fitosh statusin e fisnikut me fjalorin e vulgut.
- Në art miku është i përkohshëm, talenti i përjetshëm.
- Nëqoftësë dëshiron të arrish një kuotë më të lartë, mendo jo atë që lë pas, por atë që ke përpara.
- Në mplakjen e popullsisë së botës, armiku i infiltruar është prezarvativi.
- Në detrat dhe oqeanet ku s’ka ajsbergë, akullthyesit s’e shijojnë kurrë lundrimin.
- Nata e Bardhë Ruse shpesh ka ndriçuar errësirën e ditëve ruse.
- Nëqoftëse një njeri është antife, kjo s’do të thotë se është Galile.
- Në çdo kopësht zoologjik ka vend edhe për kafshët njerëzore.
- Në emitacion të zbulimit madhështor të rrotës, rrotacioni politik është shpikur që të mos zënë kallo bythët në karriken e pushtetit.
- Ndërtuesit e urave janë humanistët e të gjitha kohërave.
- Nata, edhe pse më e shkurtër, ka më shumë mistere se dita, për të vetmen arsye se ato duhen zbuluar në errësirë.
- Nuk mund të arratisesh nga e keqja kryelart.
- Nëqoftëse Everestit ia dijmë lartësinë dhe Atlantikut thellësinë, askush s’ka mundur t’ia përcaktojë nënës për kërthinin dashurinë.
- Në një cep të jetës sime do të doja të shndrrohesha në qukapik, që me sqepin e tij të shuaja gjithë krimbat që fshihen nën lëkurën e trungut të jetës.
- Nudistët e sotëm janë më kurnacë se njerëzit e epokës së gurit, pasi kursejnë edhe gjethen e fikut.
- Ndershmëria s’ka nevojë as për pasarel e as për sfilatë.
NJ
- Një det pa dallgë s’është det.
- Njënashmëria përjashton barazinë.
- Një djep me dru lisi nuk është e thënë se do të rrisë një lis të fisit.
- Njerëzit më fatkqinj janë ata që s’patën rini.
- Njerëzit nuk ushqehen me utopi, është utopia që i ushqen ata për të arritur ëndërrën.
- Një nga fatkeqësitë më të mëdha të artit është kur artistët e dështuar bëhen kritikë.
- Njohja e metrikës nuk të bën poet.
- Njeriut pa ndjenja meriton t’i ngrihet një statujë akulli.
O
- Orteku mund të krijohet edhe nga një top bore, zjarri mund të vijë edhe nga një shkëndi, kurse një kryevepër arti mund të vijë vetëm nga një Mbinjeri.
- Orteku i turmës ua kalon për nga forca shkatrrimtare të gjitha ortekëve natyrorë.
- Orator nuk të bën goja, por mendja, pasi goja artikulon atë që i thotë mendja.
- Ortakëria ka jetë aq sa ka jetë interesi.
- Orgjitë janë shpikur jo vetëm për të shijuar atë që s’e ke provuar, por edhe për ta pirë kupën e perservitetit që e ke ëndërruar.
P
- Poqese pas një fitoreje flë gjumë, mëngjesi do të gjejë mbi shtratin e humbjes.
- Pas pordhacëve kurrë mos prit gjëmimin e topave.
- Plotësia e përjashton boshësinë.
- Pleshta në akull nuk ka.
- Palaçot e skenës janë njëmijë herë më të sinqertë se sa palaçot e jetës.
- Parlamenti më i qëndrueshëm në historinë e njerëzimit është ai i gërmave të gjuhës amëtare.
- Pëllumbat e zinj e kanë zemrën si të pëllumbave të bardhë.
- Pasuria ekstreme rrit lypsarët.
- Paraja e shumtë të shlodh, të lodh, të bën të flësh në një krah, por edhe të lë pa gjumë.
- Pse dua të bukurën me shpirt kudo që më shfaqet, kjo nuk do të thotë se tradhtoj gruan.
- Peshorja e drejtësisë është si bazoreliev në fasadën e çdo ministrie drejtësie, por ama një instrument që nuk kolaudohet kurrë, statik.
- Pasioni i çfrenuar në penën e historianit e çon të vërtetën në honet e saj.
- Parimet ose mbrohen, ose rrëzohen.
- Pasioni i fshehtë është Everesti i pasionit të vërtetë.
- Profesioni i lustraxhiut arrin majat kur ka për mjeshtër servilin.
- Për shumëçka e me këdo mund të bëj kompromis në të mirë të së mirës, me përjashtim të atyre që zotërojnë piruetën.
- Pishmani dhe lavjerësi janë sinonime: nisen dhe kthehen, kthehen dhe nisen.
- Përmes puthjes, unë hyj në shpirtin e së dashurës.
- Pena e shkrimtarit të vërtetë nuk ndryshket kurrë.
- Paqartësia është bijë e konfuzionit, ndërsa konfuzioni-bir i diturisë së cekët.
- Pëlqej më shumë një vajtojcë se sa një poet që shkruan për para.
- Problemet me vehten janë më të vështirat për t’u zgjidhur.
- Pasqyra e ndërgjegjes është shumësia e mendimeve dhe e veprimeve të çdo individi.
- Poetët lirikë janë sizmografët e shpirtit të dashuruarve.
- Profanët u ngjajnë kritikëve të muzikës që s’dijnë t’i bien asnjë vegle muzikore.
- Pushtues të përjetshëm nuk ka.
- Për fatalistët ka vetëm rrugë qorre.
- Politologu që ngatrron gjuhën e nënës s’di asnjë gjuhë.
- Pulla e parë postare e emetuar ka vlerën e një zbulimi të madh shkencor.
- Profet quhet ai që sheh atë që s’e ka parë askush: diellin të lindë nga perëndimi.
- Para pasqyrës njeriu ka një fytyrë e po ta thyej atë, do të shfaqet në njëmijë fytyra.
- Protesta është dufi ndaj padrejtësisë.
- Poeti që lexon vetëm vehten, vetvendosë lajmërimin e vdekjes së tij.
- Peng mund të lë shtëpinë, po kurrë dashurinë.
- Për të mirën komenti është i thukët, se ajo flet vetë, për të keqen edhe një natë dimri nuk mjafton.
- Po erdhe nga hiçi, hija e tij do të ndjekë nga pas.
- Pas një humbjeje, shpreso se vjen “Eureka”.
Q
- Qyqja nuk këndon në dasëm.
- Që të ndjek hija, mos u shqetëso, shqetësohu nëse të ndjek poshtërsia.
- Qejfmbetjet për humbjen e një gare tregojnë se ende je i paformuar dhe se atë humbje e paske merituar.
- Qurravecët me thinja dëshmojnë se nuk janë shkëputur ende nga fëmijëria.
- Që të harroj pleqërinë çdo ditë lexoj përralla.
- Që nëpunësit e shtetit të mos marrin rrushfet, kostumet zyrtare duhet t’i kenë pa xhepa.
- Qymyrxhi të pandotur nga pluhuri i zi nuk ka, por zemra e tij mund të jetë më e bardhë se e atij që bën tellallin e zemërbardhit.
- Që nuk kthehet e djeshmja këtë e di gjithkush, po si do të jetë e nesërmja këtë e di pak kush.
R
- Rubinson Kruzo pa ishull nuk ka.
- Ritmi poetik s’është gjë tjetër veçse rrahja e pulsit të poetit.
- Ruhu nga ata që kur flasin nuk të shohin në sy dhe prej atyre që gjatë gjithë jetës nuk e patën një shok.
- Ruletat e mbyllura të të gjitha dyqaneve pas punës, tregon se në qytet ka shumë hajdutë.
- Relievi i vlerave artistike s’është gjë tjetër veçse imitacion i relievit gjeografik.
RR
- Rrufeja-zemërimi ekstrem i qiellit, nuk godet kurrë në të njëjtin objekt.
- Rrëfimi para priftit nuk është i barazvlershëm me katarsisin shpirtëror të vetvehtes.
- Rrënja është më e parapëlqyera e moshës së tretë.
S
- Sahanlëpirësit kurrë s’mbeten pa gjë. Tek e fundit u mbetet cilësori sahanlëpirës.
- Strategët e luftërave janë varrmihës pa kazma e lopata.
- Sozi më të përkryer se zhgualli i gështenjës me gjëmbat e iriqit nuk ka.
- Saktësia gjermane është sahati i Grendviçit i kohëve moderne.
- S’mund të jesh poet pa një tufë me poezi kushtuar nënës.
- Sekreti përtej një njeriu është thjeshtë iluzion.
- Sekser të ndershëm dhe politikan të paanshëm nuk ka.
- S’do të kishte yje po të mos kishte natë.
- S’është fatkeqësi kushediçë të jesh Kuazimodo në paraqitje, por të mos e kesh shpirtin e bardhë si ai.
- Sëmundje e pashërueshme është kur ke probleme me vehten.
- Skeptiku nuk lind kurrë nga fara e optimizmit.
- Sikur të ekzistonin duelet, do të pranoja të ndeshesha me këdo, edhe me Sikur të më vriste ai, do të përmendesha në shekuj.
- Similituda është monumenti i krahasimit.
SH
- Shkapërcim pa vrull nuk ka.
- Shakaja është silueta e një të vërtete.
- Shkrimtari edhe pse qënie njerëzore si gjithë të tjerët ka dy shpirtëra: një për vehte dhe tjetrin për lexuesin.
- Shpesh shkrimtari krahasohet me një fabrikë që prodhon, por s’duhet të harrojmë se prodhim pa skarcitet nuk ka.
- Shkencëtari dhe gjeologu sekondare në punën e tyre kanë sipërfaqen.
- Sheqerosja e mollëve tregon se molla vetë s’ka ëmbëlsinë e as aromën karakteristike të saj.
- Shahistët me koefiçentin ELO të lartë e që parashikojnë disa lëvizje të detyrueshme të kundërshtarit, në gen kanë ngjashmëri me Nostradamusin.
- Shënja e barazimit nuk është shpikje e asnjë matematicieni, por i ekuinoksit të vjeshtës.
- Shiu i mërzitshëm i ngjet njeriut të mërzitshëm.
- Shemrat shkojnë mirë kur njëra nuk lind dhe, në rastin më ideal, kur burri u vdes.
- Shoqëria që përbuz homoseksualët do të thotë se ka nevojë për emancipim.
T
- Të mos ekzistonte kaosi nuk do të ekzistonte as harmonia.
- Të keqardhur s’më bën ajo që s’arrita, por që s’bëra përpjekje maksimale ta arrija.
- Të pranosh diellin (xhuxhin e verdhë), si yllin më të madh të kozmosit, do të thotë se kozmosin s’ke për ta njohur kurrë.
- Teza dhe antiteza shpesh ngjanë si vjehrra me nusen.
- Të jesh i bukur nuk është aftësia yte. Të jesh i ditur po.
- Talenti as blihet, as shitet. Ai lind dhe vullneti i jep jetë.
- Të jesh mirënjohës është veti e çmuar, mosmirënjohës i paskrupull.
- Të kënaqurit me pak i tkurr njerëzit, sa mund t’i kthejë deri në liliputë.
- Tinzari t’a fut ujin nën rrogoz, po kurdoherë pa lagur të ndenjurat e tij.
- Të përbuzësh çdo gjë, do të vijë radha të përbuzësh edhe vehten tënde.
- Tangoja për një kohë të gjatë ka qenë mbretëreshë e vallzimeve, e megjithatë, edhe në shekullin tonë më mirë tango me dy hapa para e një mbrapa se sa të qëndrosh vendnumro.
- Toponimet mbartin me vehte peshën e shumë shekujve.
- Të stonosh një herë si solist është “lapsus” skenik, të stonosh në vazhdimësi mendo që të futesh në kor me një mik, ku stonatura jote mund të humbasë në intonimin masiv.
- Të vetmes mbretëreshë që s’i bëhet asnjë ceremoni mortore madhështore është ajo e zgjoit të bletëve.
- Ta japësh jetën për shokun quhet humanizëm, ta japësh atë për Atdheun-heroizëm.
- Të marrësh për burrë një krijues është sakrificë, të rrish gjithë jetën beqareshë është vetëflijim.
- Të jesh mendjemadh do të thotë se ke mend pak.
- T’u thuash lamtumirë zakoneve të mbrapshta nuk është e kollajtë, por jo e pamundur.
- Tromba e Louis Armstrongut është gurgullima e shpirtit njerëzor.
TH
- Thuhet se gjarpërit nuk i shihen këmbët, edhe pse ai nuk ka fare këmbë.
- Themelet e historisë janë dokumentat.
- Thashethemet mbulojnë shumë të vërteta.
- Thatësira e shpirtit është ku e ku me atë të savanës.
U
- Utopistëve, në shenjë nderimi u duhet hequr kapelja, sepse ëndërruan si pak kush e guxuan që me mendimet e tyre të sillnin të nesërmen në të sotmen.
- Uriah Hipë ka pasë e do të ketë çdo shoqëri njerëzore, por kjo e konsumit i ka shumuar si hithërat.
- Unë s’do të mirrja kurrë pjesë në një betejë ku s’ka as të humbur, as fitimtarë.
- Urithët dhe minatorët e provojnë varrin gjatë gjithë jetës së tyre.
- Ushtari edhe në shah është në vijën e parë të frontit.
V
- Viagra është pafuqia që të jep fuqi.
- Velat e çojnë anijen përpara vetëm kur ka erë.
- Vetmia të vret më shumë se plumbi dhe është më vdekjeprurëse se sa liria e munguar.
- Vullnetar quhet ai që fal edhe jetën pa kërkuar kurrfarë kompensimi.
- Vesa, kjo perlë e natyrës, meqë e ka jetën e shkurtër derisa lind dielli, bëhet pronë vetëm e poetëve imazhinistë.
- Vdekja thonë se është e hidhur, edhe pse askush s’e ka provuar në të gjallë që të na bindë.
- Veprimi prej budallai i diturakut shkruhet në kujtesën e një populli, ndërsa një mijë të budallait shkruhen në akull.
- Volumi i një libri nuk është ai që përcakton volumin e ideve të tij.
- Varfëria nuk ka nevojë për soditës. Soditja flet se sa i varfër je në shpirt.
- Vigan nuk të bën trupi, por truri.
- Vetëm nëse i bëhesh barrikadë së keqes e ke të hapur rrugën drejt së mirës.
- Vejushat u ngjajnë plazheve jashtë sezonit.
- Vetëpërmbajtja është tipari bazë i një karakteri të qëndrueshëm.
- Virusi i artit të krijimit po të zuri s’ka doktor që ta shërojë, edhe pse lehtësisht i verifikueshëm.
- Vdekja e shtetit regjistrohet kur një tradhtar shpallet hero.
XH
- Xhepistëve do u vijë fundi kur të modelohen veshje pa xhepa.
- Xhelati, si me maskë, si pa maskë, xhelat mbetet.
- Xhuxhët e Borëbardhës, edhe pse banorë të një përralle, janë burra fisnikë e besnikë më shumë se ata që e mbajnë vehten të tillë.
Z
- Zbritja është kurdoherë më e shpejtë se sa ngjitja.
- Zëri i arsyes është busulla më e pagabueshme se çdo thuash dhe çdo bësh.
- Zvetënimi i shpirtit është parathënia e zvetënimit të jetës.
- Zanorja A është violinë e parë në orkestrën e alfabeteve të Europës.
- Zotëri nuk të bën pasuria e as posti që zotëron, por edukata që ke dhe që e demonstron në jetën e përditëshme.
- Zonjë të parë të një vendi nuk të bën qënia grua e presidentit.
ZH
- Zhvillimi rrit cmirën, cmira rrit zhvillimin.
- Zhuli nuk del kurrë nga një njeri zemërbardhë.
- Zhelan nuk dëshiron askush që të jetë.
- Zhul Verni është Nostradamusi i evolucionit teknologjik.
- Zhivën e mba robinë vetëm termometri.