KËPUCËT E TURPIT

tregime nga Skënder Temali


Në vitin 2002, Enti Botues Poligrafik “Gjergj Fishta” boton vëllimin me tregime te Skender Temalit, “Këpucët e turpit”, që ka për redaktor shkrimtarin dhe publicistin e mirënjohur, Nikolla Spathari. Në këtë vëllim autori ka përfshirë 8 tregime, tematika e të cilëve fokuson jetën e përditshme shqiptare dhe në mënyrë të veçantë atë të rinisë e të intelektualit në udhëkryqet e jetës. Titullin vëllimi e ka marrë nga tregimi me të njëjtin titull, me të cilin autori pat fituar çmimin special të jurisë në Konkursin e 7-të Ndërkombëtar të shoqatës së artistëve dhe shkrimtarëve “Cristalide” në Padova të Italisë, mes 462 shkrimtarëve nga Italia dhe shumë vende të botës. Juria e këtij konkursi për tregimin e “shkrimtarit Temali nga Shqipëria” është shprehur se “…ai është një tregim thesar për dy arsye themelore: thjeshtësinë e leksikut dhe dramën psikologjike”

KËPUCËT E TURPIT

Kqyr majtas. Kqyr edhe djathtas. I duket se ai që po vjen përballë e njeh. Përderisa e sheh si me vëmendje, me siguri që e njeh. Duhet ta ketë patur nxënës. Vërtetë ishte ashtu. Ai e përshëndeti. I tha mirëmëngjezi profesor.

Profesor zeza ecën edhe pak. Mandej një prapa ktheu. Tash duhet të jetë më i vëmendshëm. Po edhe më i shpejtë.

I afrohet magjypit që shet këpucë të përdorura dhe prap, sapo ishte bërë gati të vendoste të ndalej e t’i drejtohej që ta pyeste për këpucët me qafa e me pushin përbrenda, një tjetër përshëndetje. Dreq o punë ! Po aniçka. Do të bëjë edhe një xhiro të vogël deri tek kthesa e radios lokale e mandej patjetër që do të pyes magjypin për ato këpucë. I ka parë që dje dhe i kanë pëlqyer. “Firma Gaba, firma Gaba po gjithë qyteti po vishet me mallrat e tyre” – i kish thënë e shoqja dhe ai e dinte se nuk ishte taman-taman ashtu. Kishte plot njerëz që preferonin rroba e këpucë të kushtueshme, tepër të kushtueshme, aq sa rroga mujore e tij.

Teksa po mirrte kthesen tek radioja dëgjoi që dikush e thirri. Njohu zërin  e redaktorit të radios. E thërriste që nga dritarja. Ndjeu një si turbullirë. Dreq o punë, edhe ky na duhej tani!

Polici i shërbimit e lejoi që të afrohej e të komunikonte tek dritarja. U kujtua që kishte bërë një shkrim dhe me siguri që redaktori i radios do t’i thoshte diçka për të. Mbase dhe ndonjë vërejtje. Mbase.. Po jo. Shkrimi ishte transmetuar dhe ai nuk e kishte dëgjuar nga që kishin plot një javë që dritat herë vinin e herë shkonin. E thërriti që të mirrte honorarin. 

Hyri në radio me shpresën se së paku diçka do të përballonte me atë honorar.

– Pak, janë, profesor – i tha arkëtarja, – po më mirë se aspak. Sa për të blerë diçka tek Gaba, – desh të bënte humor ajo, kur diçka përbrenda i preku profesorit.

Tek Gaba…Po ec e afrohu tek Gaba, që shet këpucë përballë radios…Se të ishte ndryshe, për një fanellë apo një triko, do të vinte e shoqja…Po këpucët duhen provuar aty, se ndryshe magjypi nuk të njeh si ka futur të hollat në xhep…

Bën sikur e ka kuptuar humorin e arkëtares, hedh firmën pa e parë mirë se sa lekë ishin dhe si i ka futur ato në xhep mendon të shkojë diku në ndonjë si rrugë qorre e t’i numrojë. Po, jo, s’do ta bëjë një budallallëk të tillë e të tërheqë vëmendjen e ndonjë hajduti…

Më e mirë do të jetë të presë sa të dalin ata të redaksisë për të pirë kafenë dhe ai t’u afrohet këpucëve. Në fund të fundit le ta shohin, po të mos e shohin ata që e njohin…

Kështu bën. Rri si në skaj të rrugës, medemek se po lexon një artikull gazete. Dy-tre të rinj qeshen me të… 

“Ej, xhaxho, je duke e lexuar për së mbrapshti…!”.

O Zot! Ku të futej nga turpi…Ata ikën me mendimin se ai nuk dinte të lexonte…Djersë i kullonin tek sheh me vërejte sa majtas-djathtas se mos e njohu kush…Por jo…Askush nuk e ka parë as e ka njohur…E ndofta të rinjtë që qeshën me të, këtë vit shkollor do t’i ketë studentë…

Ja, vjen edhe çasti i shumëpritur…redaktorët dalin duke u fjalosur e futen me disa bashkëpunëtorë në kafenë përballë…E si për fat të tij, një “Benz” frenon me të shpejtë, përplaset me një tjetër, po pa ndonjë dëm të madh, veçse gjithë ç’qenë erdhën e u mblodhën tej mizë lisi…Kaq desh…Mori zemër dhe iu afrua togut të këpucëve…

Magjypi e sheh…Është bërë edhe ai profesor në punën e tij…Prandaj dhe rrogën ia ka rritur pronari me dy mijë të reja në muaj…E kupton se karremi është hedhur…

“Hë, zotni!”.

Atij i ther fort në zemër! E din fort mirë se përderisa është këtu, nuk është zotni. Se zotnitë nuk blejnë këtu. Për zotnitë është një dyqan përballë universitetit, edhe një në pijacë, edhe tek firma “Fishta”…

Po ky kodosh magjypi përse i flet kështu si ta ketë nën vehte?

“Sa kushtojnë, këto këpucët, zo…”

Nuk ia qet goja fjalën “zotni”, për magjypin…Po pa e nxjerrë mirë as fjalën e parë, magjypi e ka kuptuar mirë thelbin e gjithçkaje dhe si një artist ia ka sjellë sa çel e mbyll sytë këpucët e lakmuara…

“Merri, profesor, se i ke lirë falë, vetëm pesëqind lekë…”.

Magjypi nis të flasë me të madhe dhe ai e ndjen peshën e turpit. Është hera e parë që ble tek firma “Gaba”, kur e dinte fort mirë se ç’ishin ato rroba. Po s’kishte rrugë tjetër…E bija do të shkonte në gjimnaz dhe donte një palë këpucë…Po ato bënin sa gjysma e rrogës së tij…Pra ai dhe e shoqja do të vishen nga “Gabi”…E di fort mirë se ato këpucë i ka veshur disa herë një kolegu i tij në Vjenë, në Stokholm, pastaj i ka hedhur se ka dalë një model më i mirë…

“Më lirë, pak më lirë…” – sikur i mirret goja, si rëndom nxënësit në provim, duke iu lutur magjypit që t’ia ulë pak çmimin.

Magjypi e lot pjesën që i ka mbetur. Bën sikur i thotë se kaq dhe  janë falas, mandej sikur don t’ia tërheqë, po profesori…Jo, duhet t’i marrë, se ndofta nesër vjen dhe i merr dikush tjetër…Tek e fundit këtë dimër e shtyn me ta…Mandej sikur i sillet rruga…Përballë shefi i katedrës…Ai dhe e shoqja mbaheshin aman o zot!…Shpesh ai vishte rroba të jashtme, sidomos nga Italia ku kishte një baxhanakun e tij…S’dinte ku ta fuste vehten…Do ta gënjente…Do t’i thoshte se po blinte një palë këpucë për të punuar në kopësht…

Shefi i afrohet togut të këpucëve të firmës “Gabi” pa shikuar as majtas e as djathtas. Është i sigurt në çdo lëvizje, si çdo shef…Profesorit i kanë mbetur këpucët në duart që i dridheshin…Është i bindur se shefi nuk do ia hajë gënjeshtrën…

“More, po kam parë dje një palë këpucë me qafa, me push” – thotë sakaq shefi dhe magjypi pa një e pa dy ia merr profesorit dhe ia vë në duar shefit.

“Sapo i la ky zotniiiaaa – sikur u tall magjypi. – Urdhëro e merri.”

Shefi, s’kishte si ta shihte profesorin. Ai, si çdo shef, shihte mallin që do blinte, këpucët.

“Aq sa më the dje?!”.

“Aq. 500 lekë”.

“Epo, mirë!”

Shefi paguan,  i merr këpucët dhe niset në punë të tij.

Nesër ai do të tregojë se i kishin ardhur nga baxhanaku i tij në Itali.