Licencë për pandershmërinë

Roman nga Skënder Temali

Please wait while flipbook is loading. For more related info, FAQs and issues please refer to documentation.

Është publikuar romani i fundit i shkrimtarit Skënder Temali me titullin “Licencë për Pandërshmërinë”. Ky roman paraqet një rrëfim tërheqës dhe plot emocione për kapërcyellin e jetës në tranzicion në cilin jetojmë duke eksploruar sfidat dhe kthjellimet e saj. Me stilin e tij karakteristik, Skender Temali na sjell një ngjarje tërheqëse dhe një univers të veçantë letrar. Kjo krijimtari do të lërë gjurmë në letërsinë shqipe dhe do të jetë një trashëgimi e çmuar për lexuesit e sotëm dhe të ardhshëm.

Kapitulli i parë

  Një mbledhje urgjente   Hoteli i ngritur në vitet shtatëdhjetë, nga tarraca e të cilit sundoje tërë qytetin, deri në rrethina, tani i ngjante një lisi të goditur nga rrufeja. – Uf! – çfreu vetmevedi edhe njëherë Dyl Parruca. – Boll, se na çmende! – Mos na çaj trapin, ti Lem! – iu suall tjetrit, duke dalë nga natyra e tij e përmbajtur e pa shpërthime të tilla, pasqyrë edhe e jetës vetmitare, një Robinson Kruzo pa ishull. Nuk kishte vdekur njeri, po dukeshin si në një mort. Kush pinte cigare, e ndizte me cigaren tjetër, kush nuk e pinte, shikonte tavanin si idiot apo hapte me kë kish në krah ndonjë bisedë sa për të mos e marrë të tjerët për memec. Ora kishte mbetur për të gjithë. – E dinim se ishte i egër, po të na  godiste edhe ne! E kur pa, sot, që jemi edhe zot, edhe shkop, – tha më  së fundi Alush Begzadi. Të gjithë kthyen me shpejtësi kokat nga folësi, siç i kthejnë tifozët majtas-djathtas pa komandë andej nga vete topi i pingpongut në një ndeshje. Tek ai kishin shumë shpresë se do të gjente një rrugëzgjidhje. Si më i shetitur e më praktik e jo për gjë tjetër… – Më mirë të mirresha me politikë, – shtoi Marengleni. – Ja, shikoje komshiun tim, deputet, sapo ngriti një pikë karburanti, hodhi themelet e një vile në bregdet… – Spiun! – shau dikush mbytur dhe ai që mbante emrin e formuar nga bashkimi i gërmave të para të klasikëve të marksizmit, Marenglen, bëri sikur s’e dëgjoi, pasi e dinte se këtë të sharë s’mund ta lëshonte kush tjetër posë Bato Ahmetagës. Në të vërtetë kështu ishte. Batoja këtë njeri nuk e honepste dot, mbase thjesht nga emri. Ajo çfarë tha, qe e vërtetë. Edhe ai vetë gaboi në zgjedhje. Më mirë t’i hynte një tregëtie, se sa hodhi letrat me vlerë e një grusht të mirë parashë për të blerë hotel-turizmin e qytetit bashkë me të tjerët. Sigurish sot shumica ishin të penduar si ai. Në fillim nuk qe keq. Si i vetmi hotel me ashensor në qytet, njëshin ta bënte dy. Të gjithë ua kishin zili. Të huaj: gazetarë të gazetave me tirazhe modeste, ish-diplomatë të rangut të ulët që s’kishin bërë prokopi as në shtetet më të humbura afrikane, tregtarë të falimentuar të shteteve fqinje, idealistë pa forcë reale e as monetare,  mashtrues profesionistë, spiunë gjithfaresh, putana të zbuara bordelesh të huaja, futbollistë stoli të serive inferiore  e kudi unë, u dyndën edhe në hotelin e tyre. Në vitet e para të pas 90-ës qëllonte që mezi ta përballonin fluksin. Sigurisht shumica prej tyre në fillim shiheshin si perendi, po ngaqë askund nuk kishin bërë përpara, shpejt u dilte kallaji dhe zhdukeshin pa u ndjerë e pa lënë asnjë gjurmë, veçse të disa lidhjeve me binjakë jo biologjikë, njerëz të dështuar, që si kudo, gjetën edhe në këtë qytet. Shfrimet e bujtësve të huaj për kushtet disi i harronin sa fusnin dollarët e markat e tyre në xhep, pa menduar se mund të ishin të fundit. Vetëm kur shkuan që të gjithë aksionerët në një ekskursion tri ditë në Itali nën siglën e dhomës së tregtisë, e kuptuan se hoteli i tyre s’meritonte asnjë yll. Krahasuar me ta qe, siç pat thënë Batoja, jo vc, madje as nevojtore, po qenef a dhe më keq, nezyrhane! Pastaj nisi zbatica. Ngritja e moteleve të tjera aty-këtu, sidomos bregut të liqenit, në fillim as i trëmbi, as i tundi. Dimri i biznesit të tyre erdhi më shpejt se ç’e kishin parashikuar. Javën e fundit të vitit bujtën njëzet vetë, disa prej të cilëve që kishin kujtime me këtë hotel. Njëri prej tyre, një nostalgjik i thekur, vinte natën e Vitit të Ri. Dy vjet më parë, pat një flirt me pastiçieren e vetme në kohën kur po ndrroheshin vitet. I bënte dhuratë njëqind dollarëshin mbi një pako me tanga, dhe nga që s’kishte takat, kryente punë duke e parë tek ajo i provonte… Shkurt klientela po shkonte drejt zeros. Bashkëpronarët, këtë realitet e kuptonin, por s’donin që ta besonin dhe asnjëri nuk i lëshonte radhë tjetrit të ishte përpara, qoftë edhe sikur t’i nxirrte nga situata. Edhe pse tok, qenë të ndarë. Si shkronjat e alfabeteve, edhe ata patën një rend të caktuar. Si në shumë alfabete latine, printe A-ja, por ajo nuk bënte pa B-në e as pa Zh-në;  renditja e tyre qe rastësore. Edhe pse më të përdorshmet, E-ja e Ë-ja në alfabetin shqip, s’vinin para A-së. Ndryshe qe me aksionerët e hotelit “Pionieri”: secili e njihte vehten të parë, shumë prej tyre s’ia kripnin tjetrit e të hapnin rrugë, të jepnin pro-në e tyre, po mundësisht të shfrytëzonin pauzat e të kcenin si kacagjelë për ta treguar vehten, edhe pse mund të mos kishin kërçik për një gjë të tillë. Bie fjala të gjithë e dinin se Alush Begzadi, siç e njihnin të gjithë qe më i zoti  në gojë e më praktik për të gjetur rrugëzgjidhje, po deri atë natë që u mblodhën për t’i dhënë dum hotelit të tyre s’ia kishin lëshuar frerët, se ia kishin frikën mos nesër kalëronte edhe mbi ta! Vetëm njëherë, në fillim, aksionerët e hotelit qenë mbledhur të gjithë, më pas, në mbledhjet e tjera, nisën të delegonin nipa e stërnipa, madje njëri pat guxuar të dërgonte edhe një fqinjin e tij meqë shkonin mirë, pasi nuk fliste me të vëllain. Mbase dhe nga kjo zotni Alushi, si origjinal, kishte rastin më ideal të shfaqte epërsinë e tij, pse jo edhe të mirrte frerët në dorë. Qe mjeshtër i pauzave, dinte të fliste lehtë, me fjalë të shkokluara, duke i bërë të gjithë veshë lepuri, pipëz. Kështu bëri edhe kësaj radhe: – Si thoni? – Çfarë, çfarë?! – pyetën thuajse gati njëzëri të gjithë, origjinalë e kopje. – Sikur hotelin ta bënim merkato?! – Merkato?… – Pardon, lapsus, jo merkato, por supermarket… – Këtë ka një vit që e themi, idiot – sekush mërmëriti me kokën e ulur, pa u identifikuar, pasi e artikuloi atë fjalë edhe nepër dhëmbë. – Kam parë në Shkup, – tha sërish Alushi, – një sipërmarket, ku çdo kat ishte një nevojë njerëzore! -Lapsus, profesor? – pyeti Dyli që hiqej si asnjëjës, por që kuptohej se mirrte e nuk jepte, që blinte e nuk shiste dhe në raste kur e gjykonte të arsyeshme, ta fuste ujin nën rrogoz si pak kush. -Në kuptimin që marketet qenë sipër njëri-tjetrit…shkurt, sipërmarket! – u përpoq të bënte një sqarim ai e që Dyli me shpoti e quajti profesor. Zotni Alushi në të vërtetë s’kish qenë as mësues, por një copë normisti në kombinat të drurit, ngaqë pas shembjes së sistemit komunist vuri kapele republika dhe një palë syze me skelet të trashë që të binin në sy. Në qytet, kuptohet ata që s’e njihnin, nisën ta thërrisnin profesor. Pas disa vitesh në demokraci edhe ai arriti ta besonte se qe i tillë dhe kërkonte t’u imponohej të tjerëve kur jepte ndonjë mendim. -Ky është një kontribut i zotëri Alushit. As, për besë, As është. Ka gjuhëtarë e shkrimtarë që gjithë jetën s’kanë arritur të krijojnë një neologjizëm, ndërsa ai, me prakticizmin e erudicionin e tij, e krijoi çëk-fëk…Sipërmarket… Tha kështu dhe Isa Krymi ia pat zili, pasi e shihte si perëndinë e inteligjencës, por edhe si më të shetiturin nga të gjithë. I dha të drejtë një hallës së tij që shpesh thoshte se më mirë të ishe i shetitur se sa i ditur. -Nevojë njerëzore…nevojë njerëzore, – përsëriti Isai, duke tundur kokën, pasi gjithnjë kur përmendej fjala nevojë, ai kish parasysh shkuarjen në vc. – Po ne nevojtore kemi në shumë nga dhomat e në fund të çdo kati, madje veç për burra e veç për gra! – shtoi me naivitetin e tij. – Idiot! – artikuloi sërish i paidentifikuari që për këdo në të gjitha mbledhjet bënte këtë cilësim. Dhe gjithnjë me kokën e ulur, edhe pse tanimë të gjithë e dinin se fjalori i tij rrumbullakosej në atë fjalë. Po për habinë e të gjithëve, kësaj radhe nuk u mjaftua me të, iu zgjidh gjuha e vazhdoi: – Zoti Alush nuk po flet për vc-të, por për supermarkete europiane, që në çdo kat kanë produkte e mallra ushqimore, elektroteknike, rroba firmato, këpucë të kohës për gra e burra, argjendari, pije, detergjente. Ku tregtohen që nga gjilpërat e deri tek veturat. Këto quan ai nevoja njerëzore e jo nevojtoret e zotërisë sate! Prandaj ia fute kot, plako! Isa Krymi, mbeti si i ngurrosur, nuk e kapërdiu dot talljen, dhe ia ktheu: -Plaku i satëme! S’dihet pse mori zemër,  madje dhe duke u krekosur si gjeli maje plehut, i bindur se ata që kishte më të afërt në atë rend do të ngriheshin për t’iu vënë në mes se mos ziheshin me grushte. Po askush s’lëvizi prapanicat nga karrika…Kur të djeg s’ke kohë të mendosh se nga erdhi zjarri, por se si të shpëtosh prej flakëve të tij. Kështu dhe tek aksionerët mendja u shndrrua në vorbull, saqë atë çast në hinkën e shtjellës së saj sillej fjala supermarket, si të qe salvaxhento në një det të trazuar kur të është mbytur anija. -Supermarket, mendim arit! Vetëm ai mund të na bëjë ta kalojmë hendekun…- tha duke u ngritur në këmbë Fran Fani, që fliste rrallë e për mallë e nga që dhe fliste pak, mbahej mend se çfarë kishte thënë qëkur qe krijuar shoqëria aksionere. Mbase të gjithë e kishin menduar një zgjidhje të tillë. Po kjo kërkonte investime, të rrezikoje. Ç’kishin vënë mënjanë, as mendonin t’i preknin. Si shumica e tregtarëve të kahershëm, donin të luanin me qarin…Në Mal të Zi e në Kroaci kur kishin shkuar privatisht, disa edhe në Itali, panë shumëçka u interesonte e s’u interesonte…Zakonisht hotelet ishin disakatëshe, me sipërfaqe të bollshme  së paku për parkimin e 50-60 makinave, e rreth tyre një rrugë me dy korsi…Krahasuar me hotelin e tyre, ku lulishta ishte pa lule, veç me do lëgusta që aman o zot, përbri një mejhaneje prej së cilës tash e parë dilnin duke zbërthyer komçat e pantallonave pijëtarët e birrës dhe që nga shurra e tyre edhe ato pak lëgusta po përcëlloheshin… Si papritur në bisedë hyri një i ri, që s’dallohej për asgjë, veç për kokën e qethur zero e për paratë me fajde që jepte. Meqë kokëzero, për shumë aksionerë më përpara u vinte ta thërrisnin qeros se sa me emrin e tij të vërtetë, edhe për faktin se e dinin se i ati e kishte zbuar nga shtëpia sapo mori vesh që jepte para me fajde e kur ai, edhe pas këshillave të tij. nuk u tërhoq nga rruga e nisur. Mbase këtë herë tha diçka për të qënë. – Unë, domethënë jo vetëm unë, por edhe im vëlla, e mbi të gjitha daja Hasan që na ka dërguar në këmbë të tij këtu, mendojmë se një bingo do të na nxirrte në damë…Përbri një kazino, sipër dhomat me qera për avoketër, noterë, dentistë, shkurt për njerëz parelinj. Disa dhoma bosh…dihet se për çfarë…n’daç për kumarxhinjtë e në daç për… – Mbesin dy katet e sipërme… – Gjëndet, gjëndet! – sekush tha. – Kush kërkon, edhe gjen! – Po shtohen partitë, do t’u duhen ambiente…Është qendra e qytetit…Ashensori punon si në ditën e parë që u montua… U hodhën edhe mendime të tjera, po siç dukej askund nuk po ngjisnin. Mes gjithë aksionerëve, binin në sy dy zotërinj në fillim të tavolinës ovale, të thyer në moshë e që qëndronin si të murrosur. Thyenin gishtërinjtë dhe me vështrimet e tyre sikur pyesnin njëri-tjetrin: “Po ne, çfarë duam këtu?” Binin në sy për veshjen me shije e njiheshin nga të gjithë si të dënuar politikë: Xhevat Drini dhe Salvator Pali, por që dukej qartë se të gjithë i respektonin. Hidheshin mendime nga më të fandaksurat. Dikush tha diçka, dikush diçka tjetër, sa s’e mirrte vesh i pari të dytin. Fjalë, fjali pa pikë e pa presje, pikëpyetje e pikëçuditje sikur e ftonin njëra tjetrën në duel. Ndërkohë ra në sy dalja nga salla e mbledhjes e dy zotërinjve që qenë të ulur në cep të tavolinës. Në të tilla mbledhje gjithnjë qëndronin bashkë, pasi siç dukej u hahej shumë muhabeti, apo dhe mos kishin ndonjë gjë tjetër që i lidhte ashtu. Kjo lidhje pat rënë në sy edhe kur shkuan jashtë si grup. Dukej qartë se e plotësonin njëri-tjetrin, ç’kish njëri s’kish tjetri. Kështu që edhe në gojën e aksionerëve nisën të quheshin Njëri dhe Tjetri, edhe që t’i identifikonin pasi mes aksionerëve kish disa me emra të njëjtë. Psh kish tre hasanë, dy markë, dy eljazë. Mes hasanëve, markëve e eljazëve qenë edhe dy zotërinjtë në fjalë, kështu që t’i identifikonin më mirë, mbase dhe spontanisht, që të mos i ngatrronin, nisën t’i quanin Njëri dhe Tjetri. Ndërkohë, ndofta dhe krejt rastësisht, dikush, një person kot, hodhi një gur në ujë: -More, po ne kemi probleme edhe me emrin e hotelit. Ende  me pionierë të kohë së Dullës ne? Ndrrimi i emrit të hotelit qe përmendë edhe herë të tjera, u patën tjerrë shumë biseda, po askush nuk e lëvizi dorën të bënte dy gisht letër në këshillin bashkiak për t’i vënë një emër tjetër. -Kunj ka qenë e kunj ka mbetë! – e tha edhe fjalinë si me kunj doktor Xhela, por ama duke shprehë edhe një të vërtetë se kur u ndërtua si 9-katësh qe godina më e lartë në qytet, por edhe nga ana humoristike e bashkëqytetarëve të tij, që kush hynte në atë hotel i hynte kunji, për çmimet e larta  në raport me të klubeve të tjera e të ardhurat e njerëzisë. -E dini se përse ia vunë emrin “Hotel Pionieri”? -E ç’na duhet sot se përse ia vunë dje…-sekush tha dhe shikoi nga ata që kishte më pranë. -Po ja, se edhe unë e kam vuajtur në kurriz ndërtimin e tij…Qeshë punëtor krahu…E ndërtuam me një vinç “Pionier”, që ngrinte veç dy thasë çimento e një lamë llaç…U shkrua dhe një artikull gazete e dikush nga sundimtarët e kohës që e kishte lexuar dha mendimin që meqë qe ndërtuar me një vinç “Pionier”, të quhej “Hotel Pionieri”. Kaq. -Jemi bërë si shportë karavidhesh, – i tha lehtë në vesh Xhevat Drini mikut të tij, Salvatorit, me synimin e një ftesë për t’u ngritur e për t’u lënë shëndenë. Po ngaqë shumica qenë bedelë, pat bindjen se të vepronin ashtu, në mënyrë demonstrative, nuk ia kuptonin domethënien veprimit të tyre, ndaj të dy shikuan granilin e dyshemesë dhe prisnin se kush do ta thyente heshtjen. Pas asaj stuhie thëniesh e kundrathëniesh, ra një heshtje, siç bie natyra pas një rrebeshi vere. Dikush i foli shokut përbri: – O Zot, ky po më çmend! – Kush? Dhori? – Jo, mor, po kush ia var atij. Shihe këtë përballë që flë si qëngj. – Është beqar! – Beqar?! Është i biri i … – E ç’më duhet se i kujt është…As ka folur qoftë një fjalë tash tri vjet. – As ka për të folur. – Ku e di ti? – E di. – Dokrra! – Është pagojc. – Atëhere i paska thënë të gjitha. Ai që flinte, siç duket u zgjua. Atë e zgjonte qetësia. Ngaqë vuante nga pagjumësia, sa herë mblidheshin ortakët, ai vinte. Zhurma, bërtitjet, sharjet i krijonin një ndjesi të mirë dhe…flinte. Prandaj qetësia që binte tasheparë si në mort, atë e zgjonte si të trembur dhe nuk e ndjente vehten rehat. Në çast u dëgjua një si piskamë: – Erdhi! – Kush, kush erdhi?! – Erdhi grupi i xhirimit të TV Pasnesër. – Edhe gazetari Mu-mu? – Po. – Gjithnjë kur vjen ai, diçka  do të ndodhë në qytet. – Atëhere kontrolloni fjalorin, – dha mendim Alush Begzadi dhe rregulloi kravatën e zezë me shqiponjë të kuqe, i bindur se si dhe herët e tjera, kamerat do ta fokusonin atë…Mbase edhe për ndonjë intervistë…Një grup xhirimi me Mu-munë në krye i pat ftuar njëherë në shtëpinë e tij dhe ua pat shtruar me pula e verë “Kallmeti”, duke zbatuar kështu porosinë e një italiani se kush kishte mend në kokë, më mirë ta kishte dhjamë me TV-në se me  me partitë politike…Falë një reportazhi, zotni Alushi fitoi një reputacion jo të vogël, kur TV Pasnesër qe i vetmi kanal televiziv që mbulonte me valë tërë Veriun. Lajmi i ardhjes së TV Pasnesër e ktheu sallën ku po rrinin në një fole grenzash, aq sa s’mund ta besoje se ishe në pazarin e Roskovecit! Nga tollovia që u bë, memeci e ndjeu vehten mirë dhe e zu sërish gjumi. Po sa arriti pika e vlimit, dikur iu hoq kapaku bisedave, u krijua një tjetër pauzë dhe u dëgjua një zë: – Po sikur?! – Çfarë? – pyetën thuajse të gjithë njëherësh. Ai që foli qe një mesoburrë, i gjatë si kallam, me pak mjekër, pak si Don Kishot e më shumë Servantes, se qe me një krah, impozant e që tërhiqte vëmendjen e kujtëdo që e shihte për herë të parë, pasi dukej se vinte nga shekulli i kaluar. U pat përmendë me gjimnazistët e ndëshkuar për shoqatën antikomunistë të krijuar, por jo të dënuar. Megjithatë, qe përfshirë në listën e aksionerëve dhe askush nuk ia mori për keq, si i pamundur që ishte. Më tepër e mëshironin se sa e donin, edhe pse askujt s’i kishte bërë mirë e as keq. Dhe pse qyshkur u krijua shoqëria aksionere s’kish thënë qoftë edhe një fjalë, ra një heshtje në formë ftese për ta dëgjuar: pasi në në kushtet që ishin, mbase edhe carcamini pillte vezën e pulës e ku fjalët ishin pa doganë. -Po sikur…- përtypi pështymën, – po sikur ta shndrrojmë në disa degë… -Për shembull, – s’iu durua Njërit… -Po ja, njërin kat e shndrrojmë në muze, të dytin në galeri artesh…Ju e dini fort mirë se sa të ndjeshëm janë turistët e huaj ndaj tyre…Të tretin me punime të vajzave e grave të zonës, që nga tentenet e deri tek qilimat… -Po katet e tjera? – sekush pyeti. -Po kjo është e qartë – tha Maksut Mehmeti me shpoti. – Me qindra turistë që do të hyjnë në muze e në galerinë e arteve, do të darkojnë e flejnë në katet e sipërme… Shpërtheu një gaz që e theu atmosferën, ndërsa Don Kishoti, emri i vërtetë i të cilit ishte Ali Kapedani, i fyer e ndofta dhe i mërzitur ngaqë fjala e tij e parë nuk ngjiti, u ngrit në mënyrë demonstrative dhe doli nga salla. -Na u prish gjiza! – krisi Lemi diku mes të tërëve. Ra sërish heshtja. Pagojci u zgjua i trembur dhe u ngrit në këmbë, por sa nisi llap-llapi, e vari kokën në sup e nisi të gërhiste lehtë. Duke folur korr e mos lidh u harxhuan të gjithë fishekët e kishin mbetur vetëm gëzhonjat e propozimeve pa asnjë vlerë. Por për çudi u krijua një pauz, u ngrit në këmbë njëri nga aksionerët. Ai, i bindur se e njihnin dhe pa prezantim, e nisi kështu ligjëratën e tij: – Zonja dhe zotërinj! Unë, Zyhdi Çeku, i biri i … -O zot, mos ka këtu ndonjë shef kuadri?! – bëri sërish humor Lemi…- E dijmë e dijmë fort mirë se kush është zotëria juaj, se ne këtu të gjithë jemi buka e një mielli, po na e thuaj se për çfarë e ke fjalën? Mos na e tirrni kot muhabetin, se po na zë mesnata këtu! -Unë, zotërinj, përsëriti sërish Zyhdi Çeku, – mendoj se qyteti ynë ka nevojë për një universitet privat. Fjala universitet, e shqiptuar në emfazë, s’do të kish  shkaktuar përpushje më të madhe e përqëndrim tek mimika e fytyrës së Zyhdi Çekut, se sa njëri prej tyre të ulte pantallonat dhe, me nder jush, t’u nxirrte bythën të gjithëve. -Kush është ky? – pyeti Maksut Mehmeti. -Lëre, shihja surratin e po të them sifatin!…Pse nuk e njeh ti Zyhdi Çekun?…bira e fundit e kavallit. -I fundit? -Po, i fundit? -Më mirë i fundit. Se kur je i fundit s’ka se kush të ta fusë nga pas… -Gojëndytë! – tha seriozisht e gjysmë me shaka duke i kthyer shpinën bashkëfolësit, si të donte të distanconte qytetarinë e tij me fjalorin e harbutëve. -More, po lëreni tjetrin të shprehë mendimin e tij. -E tha ç’kishte për të thënë: ta shndrrojmë hotelin tonë në universitet… Xhevat Drini, i vetmi me laurë në Grac, kjo fjalë e ky propozim i shkaktoi një ndjesi të mirë, jo aq si ta konsideronte zgjidhje, por duke i hedhur një urë drejt kujtimeve të një jete rinore që nuk i kthehej më. Megjithatë arriti ta frenojë emocionin e parë dhe të dëgjonte se si do ta argumentonte propozuesi, të cilin, edhe për distancën moshore, e njihte sa për fytyrë, madje as e dinte në ishte origjinal apo i deleguar origjinali. -Profesor, si thua? – dëgjoi një pyetje. Xhevat Drini mendoi se iu drejtuan atij, por shpejt e kuptoi nga sytë që u përqëndruan tek normisti i kombinatit, atij me skelet syzesh të trasha, se nuk e kishin fatmirësisht me të. I ashtuquajturi profesor, ndërsa po bëhej gati t’i përgjigjej pyetësit, dikush nja dy karrika më tej, ngaqë për vehte e quante gjithnjë vehten figurant në dramën që po luhej, doli nga roli dhe shpërtheu: -Kësaj i thonë hedh një budallë një gur në ujë, zhyten njëqind të tjerë e nuk e nxjerrin dot… – Si? – Çfarë? – Kush e tha? Pyetjet e kundrapyetjet mbinin si këpurdhat pas shiut. S’pyeste kush as për moshë e zotnillëk. E shprehur ndryshe, qe mosaprovim. Alush Begzadi, si gjuajtës momentesh, kuptohet që s’kishte se si të qe dakord me atë propozim, pasi binte poshtë i tiji e nga kush pa, nga një aksioner që s’kish bërë gjë tjetër veçse kishte nxehur karriken. Po, siç duket, Zyhdi Çeku po ndrronte rendin dhe po e kalonte Alushin në fund. Arriti ta kuptojë se propozimi i tij në pak sekonda i përpushi të gjithë. Se la zogun t’i ikte nga dora: – Hoteli ynë, – vazhdoi me pompozitet, – me asgjë kthehet në universitet. Dhomat po janë për të fjetur ata që mund të vijnë nga qytetet e tjera, trevat shqiptare e nga diaspora; restorantet e baret, sallat për leksionet po. Çfarë na mungon? Të hapim dyert për specialitete që s’i ka shtetërori i qytetit tonë, si bie fjala dhe për dentistë e juristë…ku vlon paraja. Amerika është me ne në të tilla raste… Do të ftojmë pedagogë nga Kembrixhi e Lomonosovi… -Ku e kam dëgjuar unë këtë të fundit…Mos është pronari i “Lemon Sodës”? -Mos fol makllata! Është shkencëtar rus… -A thua pranon të vijë për leksione!? – Ai ka themeluar universitetin e Moskës… -Aq më mirë, ngrihu e propozoje…mund të na ndihmojë edhe ne me përvojën e tij… -Ke qenë e mbete idiot!…Ka shekuj që ka mbyllur sytë… -Mos!… -Shëëëët! -Çfarë? -Aman, shikoje Zyhdi Çekun, paska ardhur i përgatitur…Me letër…Madje edhe të daktilografuar… Folësi u kollit, me një gëk-gëk karakteristik, duke të kujtuar gongun e një ringu boksi, që të gjithë të mirrnin pozicionin e një dueli. Mandej e kroi zërin, hodhi një hap përpara që të mos qëndronte statik dhe nisi ta lexojë atë që kishte të shkruar, duke ngrënë gërmat e deformuar fjalët, shumicës të të cilave me siguri që as ua dinte kuptimin. Dikur e mbylli letrën më dysh dhe, në heshtjen që ra, ndërsa ai po falnderonte ortakët për vëmendjen, u ndje një pordhë. Kuptohet se shpërtheu një gaz që s’e mbaje dot! -Yf, po vjen edhe erë! E ndërsa gazi po shuhej, Dhori Dhimitri përfitoi nga rasti dhe u ngrit në këmbë. -Zonja e zotërinj! -Zonja? Po ku po i sheh zonjat, o kokëtul! -Se që zonjat janë në shtëpi, këtë e di edhe bufi,  po në daç ti e në daç unë, në daç Njëri e në daç Tjetri, këtu kemi ardhur me mendtë e grave… -Dhic! -Më fyeve edhe qëparë, bëra sikur s’të dëgjova…Po të paktën dëgjo propozimin e zotëri Çekut..Se si po ma kanda…Sapo ai e lexoi letrën, në imagjinatën time u ngritën në qiell me dhjetra, jo me dhjetra, po me qindra kapele diplomimi… -S’e kam dëgjuar kurrë se paska kapele diplomimi… -Se s’ke shkollë, prandaj…Nuk i ke parë nepër filma? Se kush ia kishte dhënë atë mendim e shkruar atë letër, në një qytet me shtatëdhjetë mijë banorë s’ishte e vështirë të zbulohej. Zyhdi Çeku pesëdhjetë vjet jetoi në bodrumin e shtëpisë së vet. Katin e sipërm e banonte familjarisht prof. Kasem Koti, me të cilin, me mirëkuptim, e këmbeu pas shembjes së komunizmit. Megjithëse njëri poshtë e tjetri lart, marrëdhëniet i patën dhe i kishin të mira dhe të dyja palët ndjenin kënaqësi, Zyhdiu se u ngjit lart, ndërsa prof. Koti se nuk i pau një ditë plaçkat e shtëpisë të flakura në rrugë e vehten dyerve të bashkisë si i pastrehë. -Propozimin tim dua ta depozitoj! – tha më së fundi Çeku, paksa triumfator, tek shihte se  zgjoi kureshtje e interes dhe se askund nuk dihej të kishte një dosje apo të ishte mbajtur një procesverbal për mbledhjet që bënin sa herë u vinte veza për të dalë. Pritej se kush do ta mirrte fjalën pas tij. Shikimet e aksionerëve u  kryqëzuan dhe pësh-pëshet u bënë ortek. Po askush s’po thoshte as po e as jo. Dukej sheshit se të gjithë i gicilonte ideja e fitimit, edhe pse përpiqeshin të mos e jepnin vehten. Mbase këtij dyzimi, Zyhdi Çeku ia gjeti rrëfanen, pasi shikimin e tij e përqëndroi tek Xhevat Drini, si më i shkolluari e më autoritari mes tyre e që mbase peshonte sa të gjithë ata. Prof. Koti e kish porositur në mënyrë të veçantë që ta miklonte, sepse e dinte se kështjellën e ngritur edhe një fjalë e tij mund ta shembte si të qe prej rëre. -Si thotë zotnia jote? Juve këtu u kemi me laurë europiane që e ka pak kush në qytetin tonë,– iu drejtua ai Drinit plot respekt. Nga i ati kishte mësuar se me të mbaruar universitetin në Austri, Xhevat Drini s’e pat ushtruar asnjë ditë profesionin, pasi sa kreu shkollën u rreshtua me antifashistët e Shqipërisë në vitin 1939 dhe pushtuesit nuk ia zgjatën pas botimit të një shkrimi në njërën nga gazetat e kohës, duke e internuar me qindra të tjera në Ventatone të Italisë. -Unë? – pyeti ai si i përhumbur. -Zotnia jote e di më mirë se kushdo tjetër prej nesh se si funksionojnë universitet private dhe… Drini ngriti kokën siç mund ta ngrejë kokën luani. Flokët e tij, tashmë në formë perçeje të burrave të fillimshekullit të njëzetë, dallgëzuan si krifë. Madje as vetë nuk e kuptoi se si në përjashtim nga rregulli e mundësia fizike veproi me aq energji. -Ndigjo, more lum djali!…Je i gabuar në kohë…Unë e kam ditur se si funksiononin, por jo si funksionojnë…Europa ka ecur me hapa galopante përpara!…Mandej asgjë nuk ngrihet nga asgjëja…Supermarketin që dëgjova këtu e mbush edhe me vajza bukuroshe e mallra e për to po e hapim kuletën, se nuk e kemi bosh, kurse universiteti don staf akademik, don laboratore e fonde, të njohësh e zbatosh sistemin ligjor që të çon drejt tij…E ç’kemi ne? Kemi disa kacidhe në krahasim me milionat që duhen për të ngritur një universitet të vërtetë që të kenë fytyrën e shekullit të 21-të ku po hyjmë… Fjalët e tij shembën çdo kështjellë të ngritur çëk-fëk në imagjinatën e aksionerëve. Por i kishin dy pare mend në kokë sa të dinin se edhe ai si ata, donin t’u linin trashigimtarëve diçka nga ajo që patën humbur e që nuk u kthehej më, një jetë ku të mos i mungonte mirëqënia. Nën diktaturë të gjithë u rritën me dromcat e jetës e s’ua dëshironin bijve një gjë të tillë. Madje baballarëve s’u skuqej faqja edhe të bënin ndonjë shkelje. Të shfrytëzonin klasën që i përkisnin, miqësitë e krushqitë, shoqëritë e një “njatjeta”, nënkambcat e stërkambcat, mjafton të arrinin të dilnin në atë breg ku kërkonin. Këtë lloj specie Drini s’e honepste dot. E shihte fort mirë dhe madje me përbuzje gjithë ata që qyshse ia bënë djalin drejtor dogane, i serviloseshin sa majtas-djathtas, po ai s’u hapte shteg e të tjerët, më së fundi, e kuptuan se ai kish mbetur ai që kish qenë dhe i tillë do të sosej deri në frymëmarrjen e fundit. Po gjithsesi qe prind e si i tillë edhe ai një ditë do të shkonte ku s’kthehej më e nuk donte të kishte as atje mallkimin e të birit se nuk i la asnjë pronë të patundshme, kur të tijat ia kishin marrë e rrafshuar me ndërtimet e reja që qenë bërë, do dykatëshe si kaçorre pulash e jetonin me shpresën e kompensimit në bregdet. Njëra dorë pat nisur t’i dridhej, lodhej për hiçmosgjë dhe natën nuk e bënte të qetë. Të gjitha këto ai i shihte si kartvizita që i vinin nga bota e përtejme, ndaj dhe nuk e refuzoi qënien në grupin e aksionerëve për të qenë edhe ai bashkëpronar i hotel-turizmit të qytetit, që t’i linte të birit një portofol që mbushej. Qe fillimi, kohë kur idealizmi e qytetaria qenë zgjuar e po zinin kryet e vendit. Por partitë që u krijuan, brrylat, frikërat nga ata që të bënin gjëmën, hatëret e allishverishet erdhën duke i shtyrë dhe do halabakë ditë pas dite zunë zyrat e postet kyçe. E qytetarët bënin sehir, se s’mund të bënin më shumë. Disave prej tyre u ra në hise të zinin ca karrike pushteti, po atyre që kishin poshtë vehtes ua kishin frikën dhe u hapnin udhë. Mbase ato ishin këmbët e karrikeve ku qenë të ulur. Pat zënë kokën me duar kur një nip i së shoqes, me një copë mature nate e pa kurrfarë talenti, gdhiu student për gjyqtar tek plepat e Durrësit dhe pas 6-muajsh u diplomua e nisi të gjykojë fakirët e qytetit. I qe kujtuar vehtja: para pesëdhjetë vitesh, tre partizanë të ngrefesur në një tavolinë të pazdrukthuar e patën dënuar në emër të popullit, edhe pse kur ia dhënë vendimin, dy nga firmat e tyre ngjanin me këmbë pulash, ndërsa e treta qe e vënë me gisht nga xha Jahoja, siç e thërrisnin të gjithë e që u pat përfolë se qe atentator. Mbase pas përmbysjes së komunizmit nuk u orientua drejt, ndaj dhe tani ndjente pezm. Po ky çorientim sikur po e rrethonte edhe sonte. S’donte të gabonte në këtë jetë. I hodhi një sy gjithëve përreth. Kishin pak vjet që mblidheshin rrallë, që njiheshin më nga afër. Në fillim i qëndruan ftohtë, pasi ai ishte ku e ku me ta e s’gjenin muhabet të hapnin, po sa i biri u bë drejtor, secili prej tyre kishte dëshirë t’i afronte shoqërinë, pasi në mos ato, bedelët, prindërit e tyre i kish njohur qysh heret. Po çuditërisht në atë det të trazuar, ai formonte një ishull ku nuk mund të ankorohej interesi i paskrupull, rushfeti,  injoranca e pabesia. Po s’qe i vetmi me karakter dinjitoz aty. Mund të rendiste edhe Salvator Palin si të papërlyer, me dy pare mend në kokë, falë edhe gjuhëve të huaja që kishte mësuar në mënyrë autodidakte. Me keqardhje kujtonte edhe Faik Myftinë që s’e kishte në krah në ato tubime, një nga familjet më fisnike të qytetit, i cili pat zënë shtratin prej muajsh, por që i shkonte javë për javë ta shihte, të pinte një kafe me të e të kujtonin shumëçka nga koha e gjimnazit të shtetit. Kur ai mungoi e kërkoi me sy dhe ngase nuk e gjeti, pyeti dhe i thanë se në këmbë të tij kishte ardhur i nipi, po që s’ish as kopje e zakonshme e zotërisë në fjalë. Pra, se kush qe Xhevat Drini e njihnin të gjithë. Ftohtësia e tij në atë zagushi që u krijua, i trembte shumë prej tyre. Jo se qe njeri pa temperaturë, por se ndershmëria tek ai qe me rrënjë e me degë familjare, edhe pse gjatë gjysmë shekulli diktaturë mbi shpatulla iu desh të përballonte dënimin e rëndë të pamerituar që iu dha fill pas çlirimit. Burgun e vuajti për dhjetë napolona e disa xhevahirate të së shoqes që ia gjetën gjatë një kontrolli të beftë që iu bë në shtëpi, po më shumë sherrin në dënim ia pa një kobureje, trashëgim nga gjyshi dhe, meqë qe trofe e luftës së tij me malazeztë, e pat ruajtur të futur në një peshtaft nusesh në fund të një arkeje druri të rrethuar me pafta hekuri. Për sa kohë qëndroi në burg, shtratin me dërrasa e dyshek sane e pat bri një prifti françeskan. Xhevati qe mysliman dhe mbeti i tillë. E respektonin sa s’ka njëri-tjetrin. Ngaqë françeskani s’kish njeri të afërt të lirë, pasi u rrit jetim, Xhevati qe me një rreth familjar e shoqëror të gjërë, me vëllezër e motra, kush ish i dënuar e kush i padënuar. Ata që ishin të lirë, ia hiqnin nga goja vehtes e fëmijëve kafshatën dhe bënin ç’bënin, nga racionet e triskave i sillnin një herë në muaj ushqime. Gjithçka e llogarisnin për dy gojë, pra edhe për vëllain e tij françeskan. Çdo gjë e kishin bashkë, me përjashtim të besimit: njëri bënte kryq tinës të tjerëve e thoshte uratë, tjetri falej sa herë që e kishte të mundur, pa rënë asnjëri në sy të spiunëve vullnetarë të kampit, që, për të zezën e tyre, edhe pse të dënuar si ata, qenë ndotur në atë farë feje për ndonjë privilegj a kockë të vogël që u hidhnin ata të komandës. Këtyre s’ua falte që mbrritën deri atje sa të dëshmonin se si Xhevati e ashtu franceskani po agjitonin kundër partisë e pushtetit popullor, duke bërë të mundur ridënimin e tyre. Kur u patën hapur burgjet, Xhevat Drini e mori me vehte në shtëpi të tij vëllain françeskan, ku u rrethua me një ngrohtësi që ia pat dhënë dikur vëllazëria e tij kishtare. Por një ditë…françeskani i tha se e thërriste besimi i tij…E përcolli deri tek dera e kishës me dy nipa e një bohçe me rroba të reja, dhuratë nga fisi i tij dhe i tha të mos harronte e të shkonte pas një jave tek ai për Bajramin e Vogël… Ndoshta nga edukata e tij familjare, ndoshta nga që prifti qe burrë me një palë mend e me shkolla të kryera nepër Europë, Drini veç gjermanishtes së Grac-it, mësoi edhe italishten e shumëçka nuk dinte, madje edhe nga Kur’ani, pasi françeskani zotëronte shumë sekrete të tij, po edhe atje ku nuk binte dakord, kurrë nuk i ranë ndesh njëri-tjetrit për bindjet. Edhe Xhevat Drini i dha atij ç’zotëronte. Kështu, ditë pas dite e vit pas viti, u bënë vëllezër. Aq sa, për çdo ngjarje që ndodhte në kamp, apo dhe jashtë tij, të dy e ndoshta Xhevati më shpejt si tip më ekspresiv e më i ri në moshë se françeskani, por dhe me një njohje njerëzore më të dendur, arrinte të bënte konkluzione që s’i kish arritur më parë. Mbase kjo i dha atë ftohtësi, mosngutje e mprehtësi në gjykimin e problemeve që i dilnin përpara. Qysh pas daljes nga burgu ai mbase ndër të parët arriti ta kuptojë se e djathta e nisi shtrembër dhe prej ish të burgosurve e të përndjekurve politikë  kërkonte kapital. E majta qe strukë. Shumë  komunistë hiqeshin si të djathtë e kjo e irritonte sa s’ka! Si të djathtët që shpejt morën frerët e pushtetit e ashtu dhe të majtët që fshiheshin pas gëmushave të së djeshmes, atij i dukeshin si dy binjakë të përkundur në një djep. Se si i fanitej nganjëherë që Ajkuna e eposit, këndej i këndonte ninull njërit e në krahun tjetër vajtonte tjetrin. A kishte se si t’i kishte lindur të dy një Ajkunë? Eposi i përkiste periudhës së matriarkatit e këtë e dinte mirë, po këto dy partitë pjellë e kujt ishin e cilës periudhë i përkisnin? Zgjohej, kthjellohej e kur kishte turbull diçka shkonte andej nga kisha françeskane, ku dera i hapej si një frati të shtëpisë. Po tani, tani që edhe ai ishte aksioner i hotelit e ku mendimi për ta shndrruar atë në universitet peshonte shumë, ish e domosdoshme të këshillohej me vëllain e tij françeskan dhe të mos thoshte asaj nate në atë tubim as po e as jo. E ndjente peshën e gabimit kur pranoi të ishte aksioner e në një rresht me disa fytyra që nuk i pëlqente, edhe për faktin se nuk ishin persekutuar asnjë ditë, por që kishin zënë ndonjë karrike e bënin ligjin. Kështu ishte një me mbiemrin Gemi. Të gjithë e dinin se e kish sjellë partia në pushtet dhe kur dikush e kish pyetur ndofta edhe për t’ia zbuluar petët lakrororit se përse ndodhej aty, i qe përgjegjur se e kishin persekutuar duke e lëmë gjithë jetën mësues në një fshat të periferisë, derisa e patën nxjerrë në pension… Po kjo s’qe pesha që i rëndonte në shpirt…E quante vehten fajtor se u nxitua si çmoskurrë në “po”-në e dhënë kur e pyetën në donte apo jo të ishte aksioner i hotelit. Madje këtë pohim Xhevati e konsideronte si një nga gabimet e jetës së tij, kur ai e jo vetëm, e dinte se ai hotel ishte ngritur mbi pronën e disa qytetarëve të ndershëm, që mbetën me gisht në gojë, por dhe të institucioneve fetare të qytetit. Kjo ishte arsyeja që tani që u hodh ideja e kalimit të hotelit në universitet,  po-në dhe jo-në do ta thoshte pasi ta pleqëronte punën me fratin.  Me siguri që ai do i jepte një mendim. Le ta peshonte e të vendoste. E njihte pak Zyhdi Çekun që bëri propozimin për ta kthyer hotelin në universitet, por më mirë njihte e kish dëgjuar ndonjë ligjëratë të prof.Kotit. Qenë takuar në simpoziumet e seminaret që organizoheshin sa nga universiteti shtetëror e aq nga muzeu historik i qytetit. Prof. Koti fluger kish qenë e fluger kish mbetë. Nuk qe komunist, po, siç thoshin, kish qenë më marksist se Marksi. Vëllai i tij françeskan i pat treguar se kur qe bërë demaskimi i tij në auditoret e një fakulteti para qindra studentëve e aktivistëve të lagjes Gjuhadel, prof. Koti diskutoi i pari. Po frati e kishte falur, siç dinte veç ai të falte ata që bënin faje e gabime dhe s’kishte përse të hidhte një hap, të shkonte në rektorat e të thoshte se si e kish rënduar dje, apo t’i thoshte një të njohuri të tij gazetar t’ia qëndiste një artikull në gazetën lokale… Gjithsesi mendimi i Zyhdi Çekut, alias i prof. Kotit, Xhevat Drinit nuk i dukej pa vlerë e mbase mund të ishte edhe salvaxhentoja në atë det të trazuar pse-shë. Nëse shteti me ish pronarët e truallit të hotelit i kishte larë duart e u kishte ofruar ndonjë kënetë për kompensim, ai me refuzimin e tij s’mund të bënte asgjë. Sidoqoftë qytetar i ndershëm do të tregohej. Shikoi nga Salvator Pali, të cilin pat përballë. Ai mund të jepte një mendim të pjekur, që të mos pendoheshin nesër për vendimin që do të mirrnin, edhe për faktin se vajzën e kish mësuese në gjimnaz e djalin asistent profesor në universitetin shtetëror. Tjetri e kuptoi se miku i tij, Xhevat Drini, e kërkonte mbështetjen e tij. -Zotërinj, – kërkoi ta mirrte fjalën Salvatori me aksentin aq karakteristik sa mund të veçohej në mes të një kori burrash, – që duhet të gjejmë një zgjidhje, askush nuk është kundër. Por duhet të mendojmë edhe pengesat burokratike. Me sa kam dëgjuar nga fëmijët e mij, në Tiranë po rreken do paralinj të hapin shkolla private 9-vjeçare. Nesër kena me ia ndi kumonen edhe shkollave të mesme. Thonë se dy universitete shpejt po hapin dyert…Po, veç atyre që tha zotni Xhevat Drini, është dhe një mal gati i pakapërcyeshëm për ne që e di fortmirë: liçensa. S’është aq e kollajtë e për këtë zotni Zyhdi Çeku nuk tha asnjë fjalë. Çeku u përtyp. Orteku i pësh-pësheve ndërkohë po rritej e po mirrte me vehte çdo shpresë. -Unë hodha një ide, bëra një propozim. Them ta miratojmë në parim, të tjerat vijnë mbrapa. -E po nuk erdhën? – sekush pyeti. -Unë për vehte abstenoj! – u ngrit me vrull në këmbë Din Plaku, pasi dihet se propozimi vjen nga një kojshi 40-vjeçar i  prof. Kotit, komunist pa teserë partie, dhe kuptohet se të flesh në një kotec me pula do të zgjohesh me pleshta. -Ndërsa unë kundërshtoj, – tha duke u ngritur në këmbë Lemi. – Përse t’i besojmë prof. Kotit! -Mos më fyeni, zotëri Lem… -Mos deshe të thuash mos të fyej komshinë tënd? Bythë e brekë me të e tash s’ke përse i bjen mohit e të na thuash se këtu ke ardhë me mendt e tua…Unë tek ai dyshoj…Ju e dini se… -Aman, prap ky me biografinë e tij? -S’e ke vuajtur ti, por unë…Dyshoj tek ai dhe tre të tjerë të më kanë paditur dje…Ju e dini historinë e emrit të tim biri e për të cilin e pësova aq shumë. Dyshoj se edhe ai… Tha dhe shumë fjalë të tjera, po për aksionerët nuk kishte nevojë ta dëgjonin deri në fund, pasi s’ish hera e parë që ai e hidhte një dyshim të tillë për prof. Kotin. Pallati ku banonte Lemi qe përballë shtëpisë së Zyhdi Çekut. I ndante vetëm një rrugë. Kati i tretë i pallatit të Lemit sundonte mbi pullazin e shtëpisë së tij. Qenë në atë distancë sa edhe të ngrije zërin e radios në pallat, dëgjoheshe në oborrin e shtëpisë së Çekut, ku banonte prej vitesh prof. Koti. Lemi, duke marrë mendt e kunatit, përgjegjës në një fabrikë e së shoqes, me qëllimin për të larguar ca re në biografi, vendosi dhe djalit ia vunë emrin Stalin. Një rrugë më tej qe një djalë tjetër i quajtur Molotov. Pushtetarët i pëlqenin emra të tillë. Asaj dite…eh, asaj dite!…Lemi erdhi i lodhur nga puna dhe në sheshin para pallatit gjeti të bijën përdore me Stalinin…Ta largonte lodhjen e ditës, desh ta përqafonte të birin, por…si dy vjeç, ende e bënte në brekë dhe asaj dite kundërmonte një erë që aman o zot! I thirri së shoqes: “Ije, Ije…”. E shoqja dikur e ndjeu e doli në balkon. “Po dil moj të daltë brenga, se ka dhi Stalini në brekë…”. Ngaqë aty pranë kaloi një makinë e shoqja i bëri me shenjë që s’e dëgjoi se çfarë thoshte. “Po u dhí në brekë Stalini…”. “Çfarë?”…”U dhi në brekë Stalini…”. Kaq u desh. Pa ia pastruar prapanicën e shoqja, Lemin e thirri operativi i lagjes…Të tjerat erdhën më vonë.  Retë puplore në biografinë e tij u bënë të zeza, kërcënuese, aq sa edhe Lemi ndjeu ftohtësinë e hekurave në duar. Sakaq kameramanit i ra diçka nga torba që mbante në sup dhe shpërqëndrimi i aksionerëve qe i njëkohshëm. Përbri, Maksut Mehmeti, i kërkoi fqinjit një  cigare. – O, kënaqësi për mua, zoti president! – i tha tjetri me shpoti, tek i zgjati cigaren. – President në letra, – saktësoi tjetri. – Mjafton, mjafton i dashur! Unë kam një kushëri që po e shkrin pasurinë e tij pas klubit të futbollit “Gol aut”, vetëm e vetëm se në kronikat televizive e quajnë president. Maksut Mehmeti, e dinte se shoqëria e tij kulturore  “M.M.” s’ekzistonte asgjëkundi, veçse në letra, megjithatë i  dha vehtes pak përpara e kokës lart, si për të thënë se aksionet e tij në hotel i kishte sa për  sport. – Doni dhe t’ua ndez? – O, po, natyrisht! Ndera quhet e tillë kur çohet deri në fund… Tjetri gjeti rast t’i afronte kokën në intimitet: – Do t’u thosha diçka, po, nuk e di nëse… – E di se çdo të më thuash, – e ndërpreu Maksut Mehmeti. – Atë që unë do të them? – Po atë e thonë të gjithë, natyrisht armiqtë tanë, se shoqëria M.M. mund të përkthehet ndryshe dhe Mut Mutit… – Taman!… – E sheh që e gjeta? Me kaq biseda e tyre u mbyll. – Ti e ke universitetin? – u dëgjua një tjetër dialog pak më tej. – Jo. – Po ti? -Po, e mora sivjet, falë edhe një xhaxhai tim në senat. -Po zotëria juaj, e ka diplomën e së lartës? – As unë. – Pse pyet? – Ashtu kot. – Ehëë!… – Çdo të thotë kjo ëhëë? – Do të thotë se e kuptova hilenë. – Ma thuaj. Edhe Njëri me Tjetrin po bisedonin telegrafikisht, mandej  seç thanë vesh më vesh, i bënë me shënja  njëri-tjetrit dhe u vodhën nga dhoma. Kur u gjetën vetëm, në koridor, Njëri tha: – Ky zotëri Zyhdi Çeku ka bashkëjetuar një gjysëm shekulli me prof. Kotin. Prof. Me pushtetarët e djeshëm e pat vaj. Sigurisht që e ka mësuar Çekun të na e fusë nga mbrapa. – Ma thuaj, se  plasa! Pranë tyre kaloi një vajzë e kolme. Ata harruan krejt përse kishin dalë fshehur të tjerëve në koridor dhe ia kishin ngulur sytë kofshëve të zbuluara të recepsionistes. Buzëqeshja e saj i çarmatosi. – Ti s’e kishe universitetin? – pyeti Njëri. – Jo, më duket se nuk e kisha, – u përgjigj Tjetri, duke futur e nxjerrë duart nga xhepat sikur të kërkonte ta gjente atë që i kishte humbur. – Atëhere do të dalësh jashtabeg! – S’të kuptoj. – Pasi të na e marrin firmën për ta shndrruar hotelin në universitet, do të përgatitet ndonjë amandament që do t’i kesh të drejtat e kufizuara,  s’do të jesh as në bord, do të japin ç’të takojnë në formë lëmoshe e për vehte, inisiatorët e ata me të lartën, pjesën e luanit. Tjetri u mvrejt. -Komunista jo, specialista po! Komunista jo, specialista po! – përsëriste si i çmendur, me sytë që i nxirrnin xixa. -Duhet të lëvizim sa nuk është vonë. Ta kemi edhe ne një kartuç… – Ta marrsha të keqen ma spjego se nuk të kuptoj! -Unë e njoh rektorin e universitetit shtetëror, fut napolonat në betejë dhe diploma të vjen në shtëpi! Ky është kartuçi, karabush! Kështu edhe ne vihemi në një rresht me të tjerët e me nder, mandej, të na e rruajnë bythën…- nxitoi të thoshte në formë talljeje intime. Ia turbulloi mendjen Njërit, por dallga mes tyre erdhi e u fashit, pasi pa e mbaruar fjalën,  bukuroshja shalëjashtë e përshkoi edhe njëherë koridorin, duke bërë naze si misset në tapetin e kuq në pasarelë. Njëri dhe Tjetri ia ngulën sërish sytë. Buzëqeshja e saj kishte diçka enigmatike, një ftesë për… Tjetri i shkeli syrin Njërit. -Veç kjo punë s’do universitet, as diplomë e as kartuç, por karabush – pohoi Tjetri, si të donte të tregonte epërsinë e tij seksuale ndaj Njërit. Tjetri e kishte hetuar mirë atë punë. Sa herë që i hapte bisedën Njërit për punë femrash, ai lëngëzonte, po ky ishte veç një çast, se pastaj kujtohej se në këtë luftë e pat ngritur me kohë flamurin e bardhë dhe hidhej në biseda degë më degë romapërtoma! Po Tjetri s’ia kish ngenë të dëgjonte makllatat e tija dhe i drejtoi një pyetje sa e hutoi: – A ke me vehte? – Sa don? – Idiot, jo  dollarë, prezervativa. – Jo. – Të lartën jo, prezervativa jo, çfarë ke ti, zotëri t’i përgjigjesh zhvillimeve të shekullit të njëzetë që po vjen? – Të cilit? – Të njëzetit? – Pse, ky që jemi nuk është i njëzeti! – ………… – Hë, pra, ke apo s’ke? – Po ti, a ke? – Tani si ti nuk jam i krimbur në florinj, por edhe pa gjë nuk jam, se në fund të fundit – tha Tjetri – kam edhe këtë si martel, – u krekos teksa vinte pëllëmbën nën vete, duke e ditur se e shoqja e Njërit, Ljuba, flitej se e dridhte me një postjer, i cili për hir të detyrës nuk dyshohej sa herë trokiste në shtëpinë e tij, kinse i sillte letra nga motra e saj në Malin e Zi. Tjetri mezi ç’priste t’ja jepte këtë goditje, në shenjë hakmarrjeje pasi Njëri e pat lënë në baltë në një biznes që desh të niste në Turqi, i premtoi një borxh e s’ia dha. Po s’u mjaftua me kaq e vazhdoi: – Ti je qytetar i vjetër, zotëri, dhe e di fort mirë fjalën e hershme “Më mirë një shul të fortë se sa një rresht dugajë” – dhe tregoi me dorë atë mikun e tij, që Njëri vërtetë pa kur ia tregoi nën pantallona. Po indirekt e ndjeu goditjen që i dha. Njëherë desh t’i përgjigjej, po gjuha iu lidh. S’kish më dëshirë ta zgjaste atë bisedë. Recepsionistja kaloi sërish si karrem. Tjetri i buzëqeshi, diçka i tha, iu vu pas duke biseduar me të dhe humbi pas kthesës së koridorit. Njëri nuk pati çfarë të bëjë i vetëm në koridor dhe hyri sërish tek ortakët. Mes spiraleve të duhanit, si në gjëmba ndjehej Hodo Mustafa. As fliste, as donte të dukej. Nuk desh të vinte, po s’mundi të përballonte të shoqen. “Ti s’shkon atje si bedelat e shumicës, merhum, ti shkon si ish pasanik! Po s’shkove, ta hodhën, po s’shkove të vodhën!” – i tha ajo duke vargëzuar e duke iu ngjeshur pak. S’mundi t’i rezistonte. U bë gati të dilte dhe tek qoshku i koridorit mori bastunin. – Po atë, ç’e do në dorë? – e pyeti ajo. – Hiç, kot! – Idiot! Tani më shumë se kurrë e ndjente se kishte gabuar që e  kishte shfaqur vehten në këtë sallë mbledhjeje aksionerësh. Qe i vendosur që në asnjë rast të mungonte, edhe pse indirekt një i afërm i kish vënë në dispozizion të birin që ta përfaqësonte, pasi sa më shumë kohë kalonte e aq më pak origjinalë kishte. Ndofta edhe nga motnimi i pjesës më të madhe, ndofta edhe pse hoteli qe shndrruar në pemë pa kokrra. Hyrja në sallë e Mu-musë, gazetarit të TV-së, shkaktoi mërmëritje. – Po ky, me kë është? – Me një operator. – Gomar! Të pyeta në është me ne apo me ata? – Ëëëë? – E sheh? Paska jakën e këmishës të kuqe… – Është në modë… – Më fa-fa-lni, zo-të-rinj, – tha më së fundi Mu-muja, – ku-kujt mund ti, ti, drej-to-hem!? S’u desh përgjigje. Për një çast, të gjithë kthyen kokën nga Zyhdi Çeku, të bindur se ai e kishte fjalën për propozimin për të cilin po diskutohej e jo për kreun e aksionerëve. Zyhdi Çeku u krekos pak, sidomos kur pa se operatori pas Mu-musë i drejtoi objektivin. – Kam tre muaj që po studioj zhvillimet në qytet e më gjërë, – i mëshoi zërit Çeku, i cili këtë frazë e kishte mësuar përmendësh nga intervistat që jepnin deputetët e mazhorancës. – Qyteti ynë është me tradita të hershme i … Sigurisht që e kish harruar frazën e plotë të artikuluar kushdedi sa herë para Kot Kotit… -I kulturës…- plotësoi një i paduruar… -Jo, djepi i kulturës… Po se kush do ta lërë në djep, e dijmë të gjithë…Shkurt duan ta lënë në bisht. Po në bisht s’mund të jetë koka. Tani biseda e tij u bë shatrapatra, megjithatë, ngaqë kush s’ndërhyri, vazhdoi: -Se në kokë ndodhet truri. Truri i një kombi është intelektuali, si puna jonë, e fëmijëve tanë, e sërës tonë e  universiteti privat do të jetë djepi i tij. Të lihet qyteti ynë me një universitet çyryk shtetëror, është si një kafkë, e thënë shqip si një koke t’i heqësh trurin. – Bah! – tha dikush në ekstazë, ndofta ndonjë bedel. – Shkoni zotërinj tek çdo kasap i qytetit tonë, – vazhdoi më me pasion Zh-ja kur pa efektin goditës të fjalëve të tij, – të jep kofshë, brinj, eshka, mushkëri viçash qumështi, zorrë qëngjash për të bërë kordha, po tru s’para sheh asgjëkundi të tregtohen. Edhe në të dhashtë, janë tru gomari… – Pse, ka tru gomari? – sekush tha në atë tollovi… –  Bagëtia s’është si njeriu – ndërhyri një i pa emër. – Ju, zotërinj që po flisni, e dini se sa tru ka njeriu, keni hapur ndonjë kokë njeriu? – pyeti Çeku dhe në gjithë sallën fluturoi një murmurimë. Dhe ngaqë pa që i shokoi të gjithë, vazhdoi: – Kështu, pra, zotërinj truri, truri është ndera e kombit tonë. Këtë tru e kemi në qytetin tonë, në rininë tonë. Kjo është e ardhmja e jonë! Ndjehej veç filmi që sillej në kasetën e operatorit. – Pra, uni-ver-si… – ndërhyri Mu-muja, po ngaqë siç dukej nuk mundte të shqiptonte dot fjalë me mbi tri rrokje u mjaftua me universin e tij, sa për t’u kuptuar. – Po, po – se kush tha. – A ka, a ka, stu-di-me për këtë? Marrë, marrë, marrë-veshje me qe-ve-ri…- vazhdoi Mu-muja. – Nëqoftëse nuk ka, kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë. Pastaj kjo qeveri, me nder me thanë, është si ato të bordeleve, tregoji dollarët, t’i hapin shalët! – tha Madem Taraboshi, që shquhej si gojështhurur. – Hë, më të lumtë! – uroi Fran Fani! – S’jemi mbledhur këtu për politikë! Protestoj! – u dëgjua një zë i mekur, siç duket me prirje të SP-së. – Kush përmendi këtu ndonjë parti, zotëri? – pyeti si me shpoti Din Plaku, që njihej si ulta i djathtë, përfaqësues i DP-së. Çuditërisht, sa herë që mirrte guximin të fliste Din Plaku, Xhevat Drinit i vinte parasysh Din Paku e Din Shumi të Mark Tuenit. – U përmend qeveria! Dihet që kjo qeveri është e SP-së, e specialistëve të partisë. – E spiunëve të partisë!…- ndërhyri dikush. – E sigurimsave të partisë!… – vazhdoi doktor Xhela. – E tmerrshme! E tmerrshme! Të mos ishim ne, s’do të ishit ju! O DP, djemtë e partisë! – Përse lozni me fjalët e me inicialet?! – pyeti dikush. – Këtu po luhet me fatin tonë. Atëhere, askush tjetër, veç Mu-musë, nuk mund të vendoste qetësinë. – Zo-të-rinj! Zooo-të-rinj! – vazhdoi ai duke ndarë çdo fjalë në rrokje. – Mendimi për ta shndrruar hotelin në universitet mua më duket një humanizëm i madh shkencor! Të dhurosh gjithçka, për të fituar trurin e kombit, ky është më shumë se humanizëm! Në sallën e mbledhjeve u ndjenë duartrokitje. – Ah, sikur mos të bëlbëzonte! Sigurisht që s’do të ishte gazetar, por së paku prefekt! – Ul, Mushak! – Orator, burrë i botës, taman si presidenti që i ndan fjalët në rrokje… – Ke mbetur gomar! – Ndoshta! Por dudum si ti nuk jam! Njëri u tkurr dhe e kuptoi se Tjetri, që ia dinte impotencën, e kishte biseduar edhe me të tjerët dhe tashti i rrofshin dyqanet që kishte dhënë me qira e napolonat në dhè se rrisk tjetër nuk priste, edhe pse pat shpresë të vakët që në ato raste të rralla, sidomos në mëngjes kur e ndjente vehten mashkull e vinte poshtë të shoqen e ia penetronte, mund të ndodhte mrekullia e të mbetej me barrë. Por ditët kalonin e impotenca ia kish hequr edhe atë buzëqeshje karakteristike që kishte që në rini. E ndërsa po mendonte kështu, në sallë hyri Tjetri, duke mbërthyer pullat e pantallonave. Në fakt ia pati zili. Do t’i jepte të gjitha aksionet, veç që ta kishte shul si të tijin, e jo si një zorrë…Me siguri e kishte palluar recepsionisten diku në ndonjë qoshe dhe tani vinte si Bonaparti pas betejave të fituara, me kokën në shpinë. – Zotërinj! Zotërinj! – u dëgjua zëri i njohur i Alush Begzadit dhe atë çast operatori e drejtoi kameran nga ai. – Para nesh shtrohet një  alternativë e madhe. Të mbijetojmë me nder, apo të kthehemi në zvarranikë. Por jo. Të guxojmë. Perëndimi do na mbështesë. Shekulli…shekulli… – I njëzetë! – ndërhyri dikush. – Pra, shekulli i njëzetë që po afrohet, na fton… -O këta po ma plasin shpirtin, – bëri të diturin njëri nga ata, mbase ai që ndërsa të tjerët mbllaçiteshin, ashtu si Zyhdi Çeku e kish kollofitur një diplomë universiteti me dollarë. – I një-zet-e njëëë-ti – ndërhyri si me politesë Mu-muja. – Pardon! Lapsus! Ajo kuptohet, se pasi po kalojmë të njëzetin, po hyjmë në të njëzet e njëtin…Pra ky shekull na fton të lëmë mënjanë pësh-pëshet, se ky nuk është shekulli i pësh-pësheve, të lëmë mënjanë dallaveret, se ky është shekulli i… – dhe nga që s’dijti të gjejë ndonjë krahasim, bëri sikur u kollit keq… – Një gotë ujë! O, po këtu ka mbaruar çdo gjë! S’ka as një gotë ujë! Dikush doli nga salla t’i jepte urdhër një pastrueseje të  sillte një gotë ujë, po sa doli në  koridor ndjeu zërin e Alushit dhe e kuptoi se e kishte gëlltitur pështymën. Ndërkohë në sallë hyri korrespondenti i “Zërit të Kombeve” dhe kokat e të gjithëve u kthyen nga ai. Siç dukej kërkonte dikë dhe as që e dinte se përse ishin tubuar aty. – Të thashë! Qënka e lidhur! – S’të kuptoj! – As ke për të më kuptuar ndonjëherë, – tha Dyl Parruca, duke harruar rolin e tij të asnjëjësit që interpretonte mes të tjerëve sa herë që mblidheshin. – Këta gazetarët e “Zërit” u ngjajnë nëndetseve, shihen kur hyjnë, s’dihet se ku do ta dalin… – Dihet…dihet. Ndryshe do të ishte korrespondenti i “Zërit të Amerikës” dhe jo korrespondenti i “Zërit të Kombeve”. -S’të kuptoj… -Dhe as ke për të më kuptuar ndonjëherë…Dmth që Amerika ne na konsideron komb të saj… -A ka se si? – S’ka ndonjë gjë të paqartë, më duket. Gjërat janë të lidhura. Se nga e mori vesh ai se këtu diçka po lëviz e të vinte? Hë, këtë ma thuaj?! Shkurt prof. Koti duhet të jetë Kot Ploti. – Domethënë ti e sheh me interes punën e universitetit? – Ma do mendja më shumë se gjithçka…Por duhet të shohim më thellë…Mbase për një hap të tillë janë të interesuara edhe… Nuk e tha, por të gjithë ia kuptuan nëntekstin: agjenturat e huaja. -Përderisa këtu u përmend se mund të ftohen edhe profesorë të huaj… Sa u përmenden të huajt, sytë e të gjithëve, në vend që të drejtoheshin nga Xhevat Drini që i pat ngjitur shkallët e universiteteve të huaja, u drejtuan nga Suat Kordha që më shumë se gjysmën e jetës e pat kaluar në Francë. Te kafja e “Legalit” shumë herë nepër tavolina ishte biseduar se nuk mirrej vesh kush hynte e kush dilte në Shqipëri dhe interesat e kujt përfaqësonin. Por mandej sytë e tyre u shpërqëndruan nga ai. Ky qe vetëm një moment, pasi u hoq dorë dhe u duk gomarllëk me brirë që ai, si njeri pranë oborrit në kohën e naltmadhnisë së tij e në ekzil, të mirrej me zhbirilimin e agjenturave të huaja sot, që tash ishin aq të sofistikuara sa për trurin e ntrashur të një tetëdhjetë e kusur vjeçari si Suat Kordha ishin si ufot për një fillorist. Megjithatë ai e kuptoi se i kishte ardhur radha të fliste. U fry si kaposh, u dha mustaqeve spic me trinën e dorës herë majtas e herë djathtas dhe kur u bind se vështrimet e të gjithëve qenë përqëndruar tek ai, filloi: -Zotërinj. Themelet e universiteteve private u patën hedhur që në kohën e naltmadhnisë së tij: u krijuan gjimnazet dhe shkollat e mesme private. Pse, ç’është shkolla e mesme? Themeli i si naltës…Kur jetoja në Francë, më me kimet ishin profesorët e të mesmeve… -Prralla me mbret! – ia këputi dikush! -Mbreti i fesë tytet! – ia priti ai pranë legalit sapo u përmend emri mbret. -A e kemi ne themelin? – pyeti më shumë vehten se sa të tjerët Suat Kordha. – A kemi profesorë që të mbulojmë specialitetet? -Unë njoh disa specializantë që kanë kryer në Francë, – tha Njëri dhe të gjithë mbetën të habitur nga ky informacion, por më i habituri mbeti ai që po parafliste, Suat Kordha, aq sa u duk sikur edhe gjuha iu lidh. Por një shtysë e brendshme ia zgjidhi atë, kur profesioni i dikurshëm, shumë i një shërbëtori besnik e më shumë i një informatori, ia donte të kundërtën: -Që të pihet uji, duhet kontrolluar burimi. Nga vjen ky ujë?! – pyeti me gojë e me sy të gjithë, por sidomos Njërin, të cilin e konsideronte më shumë sllav se sa shkodran, përderisa vjehrrën e kishte serbe. Përmendja e specializantëve të Parisit nga ana e tij i kujtoi një ngjarje të hershme kur jetonte atje, ngjarje e cila kish ndejur e fjetur dhe zgjimin e pat në atë çast kur as e mendonte e as e pandehte se nga kush. Qe një ngjarje që e ruante si guaska perlën. Ishte i bindur se do t’i vinte dita ta përdorte edhe pse pat arritur vjetërsinë e verës së kantinave të Bordosë, të cilat i pat vizituar vetëm një herë. -Bo, bo, ç’profesionist vizionar! – pohoi ai më pranë legalit. – Ky ia di vlerën burimit. Tha këtë e para të gjithëve, si për çudi, në vend që të niste ndonjë debat me Suat Kordhën apo dhe me ndonjë tjetër, sytë u përqëndruan sërish tek ai që kish hedhur gurin në syprinën e ujit, tek Zyhdi Çeku, që në çast u shndrrua në prof. Koti. Gjithsesi Suat Kordha hë për hë nuk pat nevojë ta vazhdonte më tej ligjëratën e tij. Alush Begzadi, i mësuar të qe i pari, po e shihte se kish zbritur disa shkallë më poshtë renditjes e kjo e vriste. Ndaj s’iu durua më e tha: -Zoti Suat, megjithë respektin që kam për ju, më lejoni t’u kundërshtoj. Ç’rëndësi ka burimi, rëndësi ka uji. E respektoj vehten që tërhiqem nga propozimi im, por ky i zotit Çeku më duket se ia vlen të vihet në rendin e ditës. Ai që s’ka parë kurrë me sy një koshere bletësh e t’i jetë afruar asaj, s’ka për të arritur të krahasojë zhu-zhunë e aksionerëve e bedelëve të gjithë në një kohë, kur dihet se në koshere është një që i bën sus të gjithë, mbretëresha. Mes tyre, asnjëri nuk i lëshonte radhën tjetrit. Bashkoheshin në një pikë, se shihnin ëndërra me sy çelur. Zhgjëndërr u bë propozimi i Zyhdi Çekut. Me përjashtim të atij që flinte nga zhuzhitja, propozimi për ta shndrruar hotelin e tyre të zvjerdhur në universitet, zgjoi një shpresë se mbase asgjëja do të bëhej diçka. -Propozimi i bërë këtu, – foli dikur Dyl Parruca, qëllimisht pa e përmendur autorin e atij propozimi, – duhet shënuar mes propozimeve të tjera. -Pse, ka të tjera? -Ka, si s’ka. Ka sa të duash. Po ku është sot levërdia aty është mënçuria, po jo të jetë dredhia e papastërtia – vargëzoi Hodo Mustafa, mbase nën ndikimin e së shoqes në rimim. – Unë për vehte nuk e duroj atë lloj tregtie që e blen një mall një lek dhe e shet dy…Kuptohet, si njeri besimtar që jam… – tha ai, pa arritur të shihte nënqeshjet e disave që u kish dhënë para me fajde. – Kjo puna e universitetit po më duket diçka me vlerë… -Kërkon programe, me sa di unë, – se kush tha. -Programet i kemi gati! – nxitoi të thoshte Zyhdi Çeku. -Si? – pyetën të gjithë. – Kaq thellë paska shkuar puna? Dhe ai, që të hiqte çdo hamendësim e të largonte mjegullën, nisi t’u shpjegojë pa e fshehur se me ndihmën e fqinjit të tij, prof.Kotit, ia kishte arritur të siguronte disa programe të universiteteve private, t’i harmonizonte dhe të krijonte profilin e një universiteti me nuanca kombëtare e ndërkombëtare. Dikush duartrokiti, dikush përplasi këmbët, dikush duke u ngritur në këmbë në shenjë proteste rrëzoi karriken. Por një shkreptimë rrufeje jashtë qe aq e fuqishme sa i bëri puc të gjithë, pasi hoteli u drodh që nga themelet. -Zotërinj, zotërinj, – u përpoq Alush Begzadi të mirrte komandën. – Mos u tutni, se ne nuk na ka trembur diktatura e jo një koqe rrufeje! Ka në tarracë rrufepritës! Mendoj se më shumë se rrufeja, këtu po hidhen shashka. Po hidhen shashka e s’po thuhet ajo që duhet, më kryesorja e kryesoreve, liçensa. Na duhet leja shtetërore për të shndrruar destinacionin e hotelit, na duhet liçensa, liçensa zotërinj! -Mbase aspiron për drejtor – i pëshpëriti  njëri nga aksionerët MM-së. -Drejtorit të universitetit i thonë rektor. -E di mirë? -Si buka që ha përditë…Janë punë të thella këto, zoti president! Kështu, me pësh-peshe, thënie e kundërthënie, universiteti duket se u vu në rendin e ditës. Këtë e pohuan të gjithë, derisa Fran Fani bëri një korigjim e tha se universiteti nuk ishte në rendin e ditës, por në rendin e natës, pasi ora po shkonte 21 e sipas sinoptikanëve pritej rrëbesh. Theksimi prej tij i fjalës rrëbesh u muar me shumë kuptime. Tundja e disa kafkave boshe, sidomos të bedelëve, nuk pat nevojë për ndonjë vendim, pasi gjithçka u nënkuptua që çështja e propozimit të Zyhdi Çekut të vihej në rend të ditës në një kohë tjetër që do të gjykohej e përshtatshme. Mundësisht sa më parë, pasi një ditë e humbur qe për ta tani një kuletë e zbrazur. Kalimi në pronësi të tyre i hotelit shtetëror, pompoziteti që iu bë këtij akti si një nga më humanët e qeverisë në fuqi për shtresën e vuajtur të të dënuarve nën diktaturën komuniste dhe pasqyrimi e reklama në televizor, thithën si një magnet gjithë udhëtarët vendës e të huaj, të cilat tashmë kishin mbetur si kujtim i largët i një kohe që nuk kthehej më. Kështu  dy e nga dy e tre e nga tre u ngritën në këmbë dhe morën të dilnin, duke  e shprishur mbledhjen pa asnjë vendim “tronditës”.

Kapitulli i dytë

Retrospektivë: Kafe “Vip”   Ngjarja që vijon tani në dukje ka qenë krejt e parëndësishme për disa personazhe jo të parëndësishëm: zonjën 1 dhe zonjën 2, edhe pse as njëra e as tjetra nuk kishin ndonjë post që të ndikonin në zhvillimet e vendit, por meqë ndanin të njëjtin dyshek me zotin 1 dhe zotin x, fjala e tyre hera-herës kishte edhe peshë më të madhe se të vetë zotërve të tyre. Ajo ka ngjarë pak kohë para se të mblidheshin aksionerët e hotelit në natën që përshkruam, në atë që quhej kafja “Vip”, pasi tash e parë ajo kish klientë vipa të pushtetit të kohës, biznesmenë, bankierë e kudi unë, shkurt njerëz  me depozita në banka të vendit e më shumë të huaja, që një firmë e tyre ose të ngrinte në qiellin e shtatë e po shtatë kut mund të fuste nën dhè. Skena është e thjeshtë: Në mes të tavolinës së një ndarjeje që të mos kishte të bënte në afri me mjedisin e lokalit luksoz, në një dorë porcelani, kundërmonin dy karafila, asnjëri i kuq, pasi as ato e as bashkëshortët nuk ishin të kuq. Më përpara se ato të hynin në lokal e të kishin zënë vend në karriket me shpindore druri të daltuara, patën ardhë badigardët e tyre, seç biseduan me kryekamarerin, i cili i siguroi se çdo gjë ishte në perfeksion e shpejt do të lëshonte një muzikë të lehtë. Dikur dy zonjat erdhën, varën çantat e vogla të dorës  në priftin pranë tavolinës e pas pak zunë të gjerbnin kafenë. Këtë e bënin shpesh, duke shprehur edhe në sytë e atyre që arrinin t’i shihnin tek hynin e dilnin në kafe se edhe bashkëshortët e tyre qenë si dy shina të një treni që çante përpara drejt Europës së bashkuar. Zonja x: -Mendimi i zotit tënd qe gjenial kur i tha burrit tim: jepuni të parëve të persekutuarve letra me vlerë, mos u kurseni se letra po jepni…Sigurisht po u jepni një pjesë të hakut që u takon e që ua mohuan kriminelët komunistë… Zonja 1: -Ma tha edhe mua dhe e kuptova se kishte gjetur zgjidhjen e duhur…Në fillim e pata një pikëpyetje se mos të persekutuarit forcohen aq sa t’u trondisin karriket zotërve tanë…por shpejt më sqaroi se kjo manovër do t’i ndante, t’i dobësonte e t’i shprishte sa të mos e mirrnin më vehten…T’i nxirrnin zorrët e barkut njëri-tjetrit, të tregonin pseudonimet në shërbim të sigurimit të shtetit…Të fusnin në listën e aksionerëve edhe bij të militantët tanë, që dje ishin as këndej e as andej, ndonjë të tatuar që e kishte dredhur… Zonja x: -Të gjithë vrapuan t’i merrnin letrat me vlerë…jo mua më takuan kaq e ty aq…mua më dhanë hakun…filani nuk ka bërë aq burg sa unë…fisteku ka qenë spiun birucash…po për internimet s’na dhanë gjë…unë po nxitoj të blej një repart…unë një ofiçinë…po s’na dalin letrat…hyr mik për një kredi ose mirr para me fajde…Këto ia lexoja vjedhurazi zotit tim në informacionet që ia rreshtonte me aq sistem sekretari i paradhomës së zyrës së tij kur vinte i lodhur në shtëpi dhe e linte çantën e punës mbi tavolinën e dhomës së pritjes…Rrëmoja sa nisa të harroj edhe telenovelat…Një ditë lexova dhe letrën e një anonimi…E kam regjistruar në kujtesë… Zonja x: Aman, ma thuaj se unë vdes pas anonimëve… Zonja 1: Ai që thua ti, anonimi, me emra e mbiemra, me adresa të sakta si të qe kompjuter, rreshtonte që nga A-ja deri tek Zh-ja emrat e aksionerëve të hotelit “Pionieri”. Se kush qe i persekutuar real e kush kallp, kush pat pseudonime dhe kush me emrin e vërtetë që në djep…Çfarë të të them, fliste për njërin aksioner me pseudonimin “Bishtagypi”…gallatë fare… madje një tjetër kish arritur deri atje sa të padiste edhe vëllain e tij se dëgjonte nën një batanie radion “Zërin e Amerikës” dhe e kish ngrënë sa krahu…Ai, anonimi, që e klasifikonte vehten pastër të dënuar politik, qe i lënë jashtë listës ku kishte filluar lufta e brrylave e ku vendimi se kush do të ishte përfundimisht aksioner u bë jo siç i patën orientuar zotërit tanë edhe zyrtarisht, në komitetet e të përndjekurve të rretheve, po në zyrat tona të DP-së, në fshehtësi ilegale… Zonja x: Mos u beso akuzave të opozitës… Zonja 1: Jo, moj, “PZ”-në e tyre unë s’ua lejoj as sherbëtoreve ta përdorin në vc…po ai anonimi s’qe i vetëm…erdhën edhe anonimë të tjerë nga çdo rreth…aq m’u bë fiksim, që sapo e përcillja në zyrë tim shoq, mezi ç’prisja të hyja në studion e tij e të shfletoja gjithçka ai linte në një dosje…derisa që një ditë ai u kthye papandehur dhe më gjeti në studion e tij…m’u hakërrua e më tha të mos bëhesha kurioze, se s’ishin punë për mua…Po kur ma tha këtë? Kur arrës ia kisha thyer lëvozhgën dhe ia kisha ngrënë  thalbat…Kur i kisha lexuar të gjitha…E di çfarë? Zonja x: Gjithnjë ti më surprizon…edhe pse im shoq e ka për detyrë funksionale, më shumë nën rrogoz ka yti///po hë të keqen se zëre se erdhën… Zonja 1: Besoj e ke lexuar edhe ti atë që i raportonte matufi Bezh për të rekrutuarit nga shtresa jonë në radhët e sigurimit të shtetit… Zonja 2: Oh, të atij që në një skeç estrade ia thonin se ka një emër humoristik, Naziq…medemek se që në fëmijëri bënte naze…me atë llagapin në formë epiteti, Breshka… Nga këndi më i largët i lokalit filluan të vinin jonet e një muzike nga kori i “Aidës” së Verdit, çka për ta ishte sinjal se zotërinjtë e tyre mos paçin ardhur, po vinin. Zonja 1: Që thua ti, ai dërgoi një informacion tepër sekret, se nga shtatë anëtarët e kryesisë së DP-së sonë, tre rezultonin bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit dhe nga këta, dy  ishin të persekutuar politikë… Zonja x: Jo, të betohem jo, këto nuk i vijnë tim shoqi…O zot, çfarë po më dëgjojnë veshët… Zonja 1: Po këto të mbeten mes nesh, se ndryshe… Zonja 1 e tha atë që pat për të thënë dhe mandej, mbase dhe u pendua kur shtoi: “Se ai nuk është si yt shoq, po ma këput kokën si zogut të pulës…” Zonja x: Të betohem në kokë të fëmijëve që… Zonja 1: Aty qenë edhe pseudonimet e tyre “Sqepari”, “Trëndafili”, “Hutini”, “Dezdemona”, “Pashtriku”… I shoqi i pat folur për historinë e hapjes dhe të mos hapjes së dosjeve, po ajo mendoi se bashkëpunëtorë të tillë mund të ishin fundrrina të shoqërisë së djeshme e jo qëndrestarë të vërtetë kundër regjimit hoxhist sa të arrinin deri në kupolën e DP-së. Habia e saj qëndronte në faktin se përse ai nuk vepronte me këtë kategori e t’u tregonte vendin…Ç’frikë e mbante nën fre? Ndaj dhe një natë, se si duke dëgjuar në televizor një llafo opozitë tek e ngrinte si çështje e madje dhe duke përmendur ndonjë pseudonim nga radhët e të përndjekurve dhe të qeverisë, i shoqi shfreu me një fjalor që e përdorte jo rrallë ndaj kundërshtarëve… Zonja 1: Vetëm ty e askujt tjetër në botë se ç’më tha, as fëmijëve: “Do t’ua thyej kokën gjithë gazetarëve që llapin mbarë e mbrapsht…Neron do të bëhem ndaj redaksive të tyre…Guxojnë të shpifin edhe kundra meje, se gjoja u paskam shërbyer dhe u shërbej sllobodanëve…po do ti që nga shpifjet e poshtra të tyre ka rrezik të rrëzohet edhe një kolonë jona, ajo e të persekutuarve dhe e të përndjekurve politikë…Prandaj duhet menduar diçka për t’i shprishur. Opozita po hiqet sikur ua qan hallin, se këtë shtresë e kemi braktisur, se po i gënjejmë me dëmshpërblimet… E studioi, vuri në punë trutë e këshilltarëve, madje lexoi edhe horoskopin japonez dhe si sinoptikan arriti të kuptojë se ata të persekutuar që qenë më të shkathët, ndryshe të dënuarit ordinerë të konvertuar më pas në burg në të dënuar politikë, si më pelivanë, arritën të mirrnin ndonjë thelë, ndërsa të persekutuarit e vërtetë politikë mbetën me gisht në gojë dhe arritën që letrat me vlerë t’i shkëmbenin në lekë me një përqindje sa më mirë ishte t’i përdornin në vend të letrës higjenike… Zonja 1: -Dhe pikërisht në këtë çast që të hiqeshim sa më shpërblyes me këtë shtresë që kishte vuajtur aq shumë e që na dha votat, im zot hodhi në treg efektin hotel. Zonja x: Çfarë? Zonja 1: Po ti e di…dha urdhër që hotelet shtetërore t’u jepeshin të persekutuarve politikë, sa më shumë vetave një hotel, njëzet, tridhjetë, dyzet, pesëdhjetë vetëve, që të kishte një rezonancë humane sa më të gjërë, të linte gjurmë në qytete…Po edhe… Zonja x: Edhe çfarë? Zonja 1: Kuptohet që në listën e aksionerëve të hoteleve shteti nuk do të kishte gisht, gjithçka ua la në dorë atyre…Lindën grindjet, hatërmbetjet, padrejtësitë, brrylat hynë në punë si rrallë herë, madje në një qytet jugor kishte krisur grushti, në fillim për listën, pastaj gëloi rrushfeti…e drejta shkrihej si kripa në ujë… Zonja x: -Edhe xhaxhai im qe aksioner, madje edhe administrator i një hoteli…po shpejt u zu me disa ortakë, pasi ata këmbëngulnin që fitimin e saponxjerrë e që s’qe i paktë po as i shumtë, ta ndanin…i viheshin mbrapa tek banka kur shkonte të kryente veprimet…e detyronin të tërhiqte fitimin e ta ndante…në vend që të investonin e të garantonin vazhdimësinë…U zu me ta…Aksionin e tij ia shiti një miku që vdiste të qe aksioner…Po jo vetëm ai veproi kështu…Një ditë në nerva e sipër më pat thënë se ata që mbetën aksionerë ishin kopje të këqia të tyre sa as u thoshte tungjatëjeta… Zonja 1: -Tranzicioni ka dhimbjet e veta…po më vjen keq për xhaxhain tënd, edhe pse e di se ai e ka sot një lokal të mirë tek blloku…Po ky qe dhe kurthi: që shtresa e të persekutuarve të mos e kishte mendjen tek pushteti ynë, të grindeshin me njëri-tjetrin, t’u hynte dreqi në mes…të mos mund të bashkoheshin e të organizoheshin…që të krijonin sa më shumë organizata mes vedi…se ashtu të shprishur ishin më pak të rrezikshëm… Ata të hoteleve, këndej kërkojnë pronat e tyre me myhyre të sulltanëve e andej as duan t’ia dijnë për pronarët e tokave ku u ngritën hotelet…Qyfyre me pronarët e trojeve: as u dhanë ç’u takonte, madje as i përfshinë në listat e aksionerëve…Dje kishte ardhur të takonte tim shoq një shkencëtar që kishte pasë shtëpinë në themelet e hotelit “Pionieri”…E njihte prej vitesh… nuk e priti, po i nxorri një nga sekretarët dhe ai kish ikur i inatosur… Zonja x: -Erdhën. Tha kështu dhe të dyja u ngritën si me sustë në këmbë. Zonja 1 i dha dorën zotit x dhe zonja x-zotit 1. Zoti 1: -Po kompllotoni të na rrëzoni, – tha teksa një buzëqeshje ironike i lulëzoi në buzë. Zonja x hodhi sytë nga goxilla që qëndronte tek ndarja dhe me shenjë i la të kuptonte që të largohej në atë distancë ku nuk dëgjohej bashkëbisedimi mes tyre. Si i sigurua se urdhëri i saj i zbatua, vijoi: – O zoti 1, çfarë po thua…S’arritën tua mirrnin pushtetin ata që u takonte, të persekutuarit politikë e jo të na akuzosh ne për komplot, dy gra të përkushtuara ndaj familjeve. Zoti 1: -Mos deshe të thuash se komunistët e patën pushtetin dhe komunistët e kanë?! Kështu shkruante njëri në një nga gazetat para pak ditësh duke aluduar për mua, por shpejt ia mori zoti mendtë dhe e theu qafën me një mikun e tij në një kthesë të një rruge malore…E ndihmova, natyrisht, se s’jam hakmarrës; e nxorra një vendim për një fond të veçantë dhe i dërguam jashtë shteti për një trajtim më të specializuar… Zoti x nuk foli. Zakonisht kur dyshonte në thëniet e 1-shit, heshtëte. Mbase mund të fliste në një kohë të mëvonshme. Pasi ngjarje të tilla tragjike po ndodhnin tash e parë. Le t’i shtresonte në kujtesë e mund t’i hidhte edhe në  ditarin personal impresionet e mendimet e tija. Se mund të vinte një ditë që t’i zbulonte, siç i zbulohen petët lakrorit. Kafeja e asaj dite me zonjat nuk shënoi ndonjë të veçantë tjetër. Zoti 1 dhe zoti x shkuan secili në zyrat e tyre, ndërsa dy zonjat iu drejtuan një flokëtoreje, kuptohet pasi aty kishin shkuar më përpara  badigardët.

Intermexo

Një manovër e tillë me të persekutuarit jo se kish kaluar pa u vënë re e pa ia kuptuar hilenë, madje eksponentë të opozitës edhe tentuan të gjenin mbështetje tek të persekutuarit e  pakënaqur. S’piu ujë as një shkrim i gazetës “E vërteta”. Askush nuk u besonte sa në atë det hileshë të çonte tallaz.

Nuk u besuan as aksionerët e hotelit “Pionieri”, edhe pse po e shihnin teposhtën. Në këtë rrëshëqitje drejt honit, menduan atë që e mësuat: ta shpëtonin pronën e dhënë, t’i jepnin tjetër fytyrë, ta gjallëronin dhe…më në fund të mbushnin xhepat si shumë kush që po dilte mbi të tjerët. Propozimi i Zyhdi Çekut, për ta shndrruar hotelin në universitet, edhe pse nuk u kthye në vendim, i shprishi të gjithë, kë më shumë e kë më pak dhe thuajse të gjithë në vetminë e tyre e lanë mbledhjen për t’iu drejtuar shtëpive. As u shkonte në mendje se po vinte mesnata. As pyesnin për vetëtimat e bubullimat që drithëronin edhe themelet e qytetit të tyre të lashtë. I trembeshin mesnatës së tyre e jo pagjumësisë që i përfshiu të gjithë si një sëmundje ngjitëse.

Kapitulli i tretë

Natë me shi e pagjumësi

 

Jashtë zu të rigonte shi. Ata që patën parkuar makinat në oborrin e hotelit, më së shumti bedelët e aksionerëve si më të rinj në moshë, përcollën miqtë e tyre dhe si për koincidencë nën strehën e zgjatur të hyrjes mbeten Njëri, Tjetri dhe Zyhdi Çeku.

Tjetri që gati e kish harruar ç’ish thënë aty po jo ç’mbresë i la recepsionistja kur ia mbështolli një teke tek tualeti i grave, sillte në mëndje gjithçka tjetër flitej mes raporteve të Çekut me prof. Kotin. Kur profja banonte në katin e sipërm të shtëpisë, domethënë në kohën e monizmit, thuhej se me Zyhdi Çekun, pronarin, kishin marrëdhënie të tilla sa profesori jo vetëm gruas, po edhe vajzës së tij i jepte leksione e përmes të cilit me korrespondencë e shpejt e shpejt edhe ai e mori të lartën për histori, ndërsa tani që kishin ndrruar katet, Çeku lart e Koti poshtë, në dyqanin e këpucëve italiane  si për t’i shlyer borxhin, i punësoi part taim vajzën e vogël sa për të përballuar shpenzimet e shkollës që ndiqte.

Shiu siç dukej nuk do të pushonte. Madje rrebeshi sikur po shtonte fuqinë. Diku përtej, mbi shpinat e maleve bubullonte e vetëtonte.

Minutat kalonin e ata mbetën aty nën strehën e hyrjes së hotelit, kur në çast ia behu recepsionistja. Pa se kush kishte mbetur aty dhe pak me sy e pak me fjalë i bëri me dije Njërit se e kërkonte gruaja në telefon.

Tjetri sikur këtë priste, që të vërtetonte sesi Ljuba e kontrollonte në çdo hap. Nga holli i hotelit vinte kumbimi i zërit të Njërit, me ca po-po të zgjatura e të frikëshme. Pastaj e mbylli telefonin dhe u bashkua me shokët. Edhe pse me Njerin shpesh gjuheshin me kunja, mes të tjerëve muk kish gjetur më të përshtatshëm për shoqëri, edhe për faktin se i dukej se e kish përposhë.

-Hë, çfarë të tha ministri i brendshëm? – e gjuajti Tjetri sa Njëri iu afrua.

-Kush?

-Yte shoqe, pra!

-Ëhë, po si puna e grave bre burrë, po kush ia var…

-Si? – pyeti Zyhdi Çeku që ndodhej përbri tyre, ngaqë Njërin e njihte si njeri të rregullt pasi nuk nxitoi si disi t’i bënin rrush e kumbulla ç’u kishin mbetur nga të parët dhe se pëshpëritej për të se zotëronte një thesar si pak kush prej tyre, natyrisht të paprekur.

Tjetri veçsa vuri buzën në gaz. Njëri e kapi. Dhe si për çudi sytë i shkuan tek kopsat e pantallonave të çkopsitura të Tjetrit. Nuk e dinte se pse krijonte tash e parë lidhje mes Tjetrit, martelit të tij dhe së shoqes. Shumë e shumë vite më parë, kur ua kish përmendur në familje se kujt ia kishte vënë syrin për nuse, vajzën e një shitësi bulmeti dhe e një nëne serbe, hasi në jo pak kundërshtime, madje një xhaxha i pat thënë se vajza e shkinës do ua prishte racën, po atij i qe ngulur gozhdë në tru, tha “po” dhe e mori për grua këtu e njëzet vjet më parë. Madje s’desh t’ia dinte as kur u përfol se një shtangist e kish ngritur hopa nja dy vjet me radhë, por siç i tha një mik, birat e gardhit e fjalët e hallkut nuk mbyllen kurrë. Kështuqë sa ia panë Njërit përkrahu, të gjithëve u shkonte lëng nga goja kur e imagjinonin se ç’margaritar kishte shtënë në dorë! Në vitet e para s’i la gjë mangut hamshorit, po ngopej ajo?! Dhjetë vitet e para kaluan me ha-ha-ha e hu-hu-hu, por përditë e më shumë që e shoqja kërkonte, aq më shumë ai e ndjente se ishte kujtuar vonë për t’u martuar dhe, mbase kjo etje e saj për seks, sikur e thyente atë shpirtërisht. E një natë, krejt befas, si mik i paftuar, ia behu impotenca. Hë e s’ka, hë e s’ka, më në fund u dorëzua. Dhe një ditë nxorri nga jasteku i minderit një napolon ar dhe pa i thënë gjë së shoqes shkoi në shtëpi të doktor Xhelës. Gjeti momentin më të përshtatshëm, kur në hyrjen e tij në apartament nuk kishte njeri. E njihte që në vitin e parë të martesës, kur ngaqë nuk mbetej me barrë, e çoi tek ai që të vizitonte Sllavkën e tij. Doktor Xhela e rroi mirë Njërin, pasi ia dinte xhepin, ia dinte nga një njeri i afërt thesarin e artë të paprekur. Shpresa që i pat dhënë e mbushi me gëzim, nxituan me të shoqen të shkonin në shtëpi, të bënin seks oral fillimisht, siç i porositi doktori, po gjithçka shkoi nul.

Shul-nul, nul-shul. Diçka i sillej prap në mendje Njërit. Po sikur…Gjithë ato prona që kishte, ato napolona që i flinin prej dekadash në qoshe të ndryshe të shtëpisë e brenda teneqes së vojgurit te shega devedishe e bahçes e kërkonin një trashigimtar dhe nuk donte kurrësesi që nesër…larg qoftë, t’i mirrte i pamunduari…një nip i tij kokoroç apo një mbesë fyçkë e së shoqes që po linte kokrrën e namit nepër pabet e Titogradit.

Ishte një çast tepër i volitshëm për të bërë diçka.

-Natë e keqe! – tha Tjetri.

-Natë me pi raki, – plotësoi Njëri.

Mbi kokën e tyre vetëtoi sërish.

-Si thua?

-Çfarë?

-Hë pra, ta kthejmë nga një gotë?

-Ku, – pyeti tjetri, më shumë i befasuar, pasi Njëri nuk shquhej si njeri i gotës.

-Sot për drekë ime shoqe na përgatiti tavë krapi, po na thirrën nga e ëma dhe mezenë e kemi gati. Apo s’ka edhe ndeshje ndërkombëtare. Është Juventusi me Lacion. Si thua?

Propozimi i Njërit sikur i ndillte diçka që ia dëshironte zemra: gruan e tij. E kush nuk e lakmonte atë!? Pat qenë ndër femrat më të bukura të qytetit, po sërish disa hire nuk i kishte humbur, edhe pse po i afrohej të dyzetave.

Njëri ia futi krahun Tjetrit dhe të dy u drejtuan nga një taksi e përgjumur.

Taksistin që flinte, Çim Qenin, si Njëri edhe Tjetri e njihnin si paren e kuqe, madje edhe pasionin e tij të marrë  për bastet e garave të qenve aq sa kish humbur edhe mbiemrin e vërtetë, por edhe se kish “Bencin” më të mirë mes gjithë taksive të tjera. Shoferi, duke e ditur se do të peshkonte ndonjërin nga aksionerët e hotelit në atë natë të trazuar e me shi që s’dinte të prante, kishte qëndruar deri në atë orë të vonë, pasi, si për dreq ajo ditë i pat qëlluar ters e veç një rruge deri në breg të liqenit, nuk kishin bërë asnjë kilometër tjetër. U gëzua kur pa dy fytyra që për të nuk ishin të panjohura dhe nxitoi të ndizte “Bencin”.

-Për ku, zotërinj?

-More hape derën se po bëhemi qull, – tha Tjetri.

-Në shtëpinë time, – tha shpejt e shpejt Njëri, i bindur se taksisti nuk ia kishte harruar adresën, pasi e kishte marrë dhe disa herë të tjera. Qe i bindur se vajtja e tij në atë orë të vonë në shtëpi me një mik jo të panjohur si Tjetri nuk do të ngjallte pakënaqësi nga e shoqja. Qyshkur njëherë ai i pat treguar së shoqes se ai bëri namin në një motel të Kroacisë, ajo e përmendte atë si një zotëri që meritonte respekt.

Taksia i la tek dera e shtëpisë së Njërit, për fat në atë çast edhe rrebeshi e kish pra turrin e tij, kështuqë i shpëtuan një të laguri të mirë.

-Paret, zotëri! – tha shoferi, kur pa se as e kishin mendjen të paguanin shërbimin që u bëri.

Njëri e pa si me inat.

-Rregullohemi nesër, ti përditë para universitetit je…

-Çfarë?!

-Pashë Zotin se s’po mirremi vesh…A je Çim Qeni ti? – iu drejtua në formë hakërrimi shoferit, teksa nxirrte çelësin e derës së jashtme të oborrit dhe shtypte butonin e ziles, më shumë që t’i tregonte se shoqes se ai ia mbrrini. Qe një e shtypur si kod, dy pi-pi dhe mandej tri të tjera.

-Çimi jam, po unë s’e parkoj kurrë “Bencin” tim para universitetit…-vazhdoi në hallin e tij shoferi.

-Turizmit, – saktësoi Tjetri.

-Hajde, se rregullohemi nesër! – premtoi Njëri dhe i ktheu shpinën shoferit, madje as pa i thënë natën e mirë!

Taksia bëri indijetro, ndërsa ata të dy tani si xhentelmenë po i drejtoheshin hyrjes, të shoqëruar nga ndezja e dritave të të gjithë shtëpisë.

Zonja e Njërit ia behu tek dera. Me një buzëqeshje që në këtë rast i lulëzoi si trëndafil tek shtegu i ballit. Tjetri nuk kishte se si ta dinte se për të, sidomos pas tregimeve të Njërit të historive hamshoreske të tij në Kroaci, ai ish i njohur për Sllavkën. Mbeti i befasuar nga ngrohtësia që i priti ajo. As pyeti fare se përse i shoqi teksa po afronte mesnata kish ardhur me mik pas vedit, po si i dha dorën dhe i uroi mirëseardhjen, u priu përmes koridorit të gjërë drejt një dhome të cilën me siguri e përdornin si dhomë pritjeje.

-Të më falësh zonja Ljuba që erdha në këtë or po ç’ti bëja tënd shoqi…Përfitoi nga rasti se zona e qytetit ku unë banoj, ju besoj keni dëgjuar nga lajmet në televizor, ka dy ditë pa energji elektrike pasi na është djegur transformatori i lagjes…Unë e yt shoq jemi edhe tifozë të thekur të Juves dhe…ai më propozoi të vija e ta shija ndeshjen tek ju.

-Oh, ç’është ajo fjalë, miku është zot në këtë shtëpi, – tha ajo dhe ai do ta dëshironte sa s’ka të ishte vërtetë zot i gjithçkaje, i frymorëve mbi të gjitha.

Shtrimi i tavolinës përmes një buzëqeshjeje të shpenguar, ndonjë shikim si më kot, për Tjetrin qenë sinjale se tava e krapit do të krijonte një shije të mirë në atë tavolinë.

Ndeshja sa kishte nisur dhe rezultati qe i bardhë.

Biseda kalonte sa tek lojtarët e aq nga shiu që vazhdonte të binte me gjyma, deri tek politika. Tjetri i dha shpesh të drejtë asaj për mendimet e pjekura që jipte, teksa shtronte tavolinën. Njëri iu afrua dritares.

-Bobo, uji ka pushtuar rrugën!

-Nami u bëftë! – tha e shoqja. – Zotnia s’ka pse shqetësohet! Apo s’kemi dhoma!

Nuk thoshte diçka të paqenë. Njëri kishte tri vjet që kishte marrë vilën e tij dykatëshe të trashëguar nga i ati, një tregtar i regjur e të ndërtuar në kohë të Italisë, e cila, për fat, gjatë monizmit qe zënë dorë më dorë nga organizata masash, që në bahçen pas shtëpisë, frutat e pemëve ia hanin, por një lopatë nuk e hidhnin të mbillnin qoftë edhe lule, se për zarzavate as bëhej fjalë pasi quhej zhvillim i pronës private. Pat edhe një fat tjetër: një pus i hershëm me ornamente e me vija të thella të krijuara nga litari i vlagut të ujit, një lug uji më tej e një rrasë guri me damarë të zinj ku qenë gdhendur ca shkronja të padeshifruara u patën bërë postobllok shkatrrimi apo ndërtimi të ndonjë objekti a pallati, pasi nga ata të monumenteve të kulturës qe shpallur objekt që mbrohej nga shteti, i paprekshëm. Erdhën e shkuan disa arkeologë dhe nga përmasa e madhe e rrasës në mes të bahçes së vogël pas shtëpisë, frigoheshin se duke e çvendosur për ta çuar në muzeun arkeologjik, do të shkërmoqej e do të humbëte shumë nga vlerat e saj.

E fotografuan, e skeduan, e paraqitën në disa albume dhe aq. Me këtë status udhëtoi në vite. Në vitin 91 për herë të parë në jetë u tregua trim e i shkathët, ose më mirë e shoqja, Ljuba. Fat pat që organizatat e masave dhomat i shndrruan në zyra e s’i morën në kohë të tyre familjet e oficerëve që t’ia shkatërronin me ardhjet e ikjet e tyre. Po si ia thonë, fati sjell fatin, se fat pat që ndër të parat që u shprishën pas ndrrimit të pushteteve qenë organizatat e masave. Nxitoi ta mirrte sa pa ia zënë partitë e reja, s’kurseu të paguante ca halabakë ta ndihmonin për bartjen e mobiljeve, madje në oborr, në freskun e një nate, ua shtroi në oborr me gjithë të mirat, që edhe njerëzia rreth e rrotull t’i shihnin duke hyrë e dalë e t’i kish si korracë në ndonjë ditë të vështirë. I futi një të restauruar me shpresë t’ia jepte një shoqate të huaj, po s’pati fat dhe ngaqë i rrodhën ca të ardhura të tjera, nuk e gjeti me vend të fuste tjetër kënd në shtëpi.

-Më duket se para derës sonë mbeti një “Benc”, – tha Njëri dhe Tjetri, për korrektesë të asaj që tha, u ngrit dhe iu afrua dritares.

-Ky ujë nuk ikën për tri orë, edhe sikur të pushojë shiu, – tha Tjetri.

-Të bëhet merak gruaja? – se si pyeti ajo. – E ke xheloze?

Tjetri e shikoi me mirëdashje.

Ajo shkonte e vinte dhe nga dhoma tjetër zu të vinte era e tavës së krapit që po ngrohej në sobën me korent.

Ndërkohë ra zilja e telefonit dhe Njëri as luajti nga karrika. Siç duket e kishin të përcaktuar që telefonin ta ngrinte ajo. Seç tha nuk e dëgjoi mirë, por që ia kapi disa herë fjalën karburant, këtë nuk e vuri në dyshim dhe vertetoi atë që përflitej se ajo qe një ndërlidhëse mes shqiptarëve që kalonin matanë karburant ilegalisht për malazeztë e ata përtej ku makina e luftës ua kërkonte. Sigurisht që pat pjesën e saj. Do ta donte edhe ai një thelë, kish ca miq buzë liqenit…

Dikur ajo e ndërpreu bisedën me ca fjalë në gjuhën malazeze, prej të cilave Tjetri nuk kuptoi asgjë.

Hyri në dhomë edhe më e gëzuar seç doli. Me siguri që pazari që bëri ia shtoi edhe më shumë energjinë. Me ca veprime të shpejta e elegante vendosi mbi shtronjën e tavolinës tri gota rakie e tri vere, një shishe rakie, një shlive e një vere të shtrenjtë.

-Ç’të kesh qejf, zotëri!

-Ju çfarë do të pini, zonjë? – se si i iku Tjetrit ta pyeste, duke shmangur kështu dëshirën e të zotit të shtëpisë, që më sy miratonte atë që thoshte e shoqja.

-Verë të bardhë! Mbase dhe një putir shlivë. Vera është për zotërinjtë, rakia më shumë për lumpenin. Nëna ime preferonte shlivën, se i kujtonte vendlindjen e saj, Beogradin, po sikur këtu s’ia dijnë vlerën e as ia pëlqejnë shijen. Seç e ka një rahá që s’e ka asnjë pije tjetër…

-Saktë! Saktë, zonjë! Thojnë se krajl Nikolla një pijetari që i dhuroi për ditëlindje një shishe shlivë kumbulle, ia ktheu me një qese florinj.

-Kurse në Shkodër thuhet se për një krye krapi është dhënë një arë sa me jetue një mundqar, – shtoi Njëri, sa për të mos qëndruar mumje në bisedë.

-Kur shkova vjet në Francë tek djali i tezes, – vazhdoi Tjetri, –  më bëri përshtypje kur më tha se s’do më çonte tek Kulla Ejfel, pasi atë e shihnin të gjithë, por tek një kantinë me verë shekullore në Bordo, ku pat punuar tri vjet! Kam mbetur pa mend, zonjë!

Ai fliste dhe ajo e shikonte, si të donte ta përpinte…

-Ju mbase u duket e pabesueshme po një shishe verë Bordoje që datonte në vitin e largët 1788 ka arritur të shitej rreth 3 mijë euro!…Mos vdeksha pa e bërë kantinën, jo si ajo, se më duhen shekuj, po simbolike…

Natyrisht që i shoqi do ta hiqte vështrimin nga ajo e Tjetri, duke mbushur gotat me verë.

-Epo, mirë se erdhe, zotëri! – uroi ajo dhe e ceku gotën me të tijën e me të shoqit.

-O Zot, ke ardhë me këmbë të mbarë, Juvja shënoi…

U përqëndruan tek goli që po përsëritej dhe tek futbollistët e zonjës së madhe të futbollit italian që nga gëzimi i hidheshin njëri tjetrit si në një kala dibrançe.

Po si gjithnjë, mes mikut e pritësve krijohen pauza. Një pauzë të tillë e mbushi Ljuba:

-Më ka treguar im shoq se sa mirë e keni kaluar në Kroaci, madje edhe se keni ndarë së bashku një dhomë moteli, – e futi bisedën në një hulli aq të dëshuruar për Tjetrin zonja e shtëpisë.

Tjetri e kuptoi domethënien. Qe i bindur se Njëri ia kishte treguar historiçkat e tij në atë motel.

Jashtë shiu po bënte hatanë.

-Si thua, ta përdor pak telefonin tënd? – iu drejtua të zotit të shtëpisë.

-Oh, edhe më pyet?! – tha Njëri i lehtësuar, pasi mendoi tjetër gjë e s’donte që ajo të vinte kaq shpejt.

E ndërsa u ngrit nga tavolina dhe formoi numurin e telefonit të shtëpisë së tij, ia shkeli syrin zonjës së shtëpisë. Njëri e pa dhe vuri buzën në gaz.

-Hë, shpirti?…Jo, jo, mbledhjen e kemi mbaruar…po…po…e shohim që janë bllokuar rrugët dhe disa prej nesh kemi vendosur të flemë këtu në hotel…Apo s’kemi dhoma!…Klientë s’po flenë, së paku të mos i dëshirojmë ne!…Kuzhinieri nuk kishte ikur dhe darkën e hëngrëm këtu…Po, po, ti fli…Hajde shpirti, natën! Futja shulin derës…

Lirshmëria në të folur me të shoqen  jo se i bëri gjithaq përshtypje asaj, por Njëri e kuptoi se nuk ishte gabuar që kishte zgjedhur për të kaluar këtë natë me shi një shok si Tjetri, i bindur se zgjidhje më të mirë për të kaluar natën aty nuk kishte.

-Zotëri, lirohuni pak e hiqni këpucët, – tha ajo, përderisa ai e ndau mendjen për ta kaluar natën aty. E teksa ai po zgjidhte lidhësat e pushtonte me sy trupin e saj të mbushur. Njëri mori telekomandën e televizorit në dorë dhe në pushimin e ndeshjes e çoi në kanalin e “TV Pasnesër”, me shpresë se aty do të jipej lajmi i mbledhjes së aksionerëve dhe në mënyrë të veçantë propozimi për ta shndrruar hotelin në universitet.

-Edhe shohim televizor, edhe pijmë, – tha i zoti i shtëpisë. – Verën e kam të mirë, ma ka sjellë një miku im nga Kallmeti.

-Unë po preferoj t’ja nxjerr fundin shishes së zonjës, – tha Tjetri me sytë nga ajo, sikur donte ta përpinte.

Ajo e kuptoi se për çfarë fundi e kishte fjalën, ndaj dhe nxitoi që nga një dritare e kundrabanakut të nxirrte një shishe tjetër shlive nga Beogradi, çka e tregonte edhe etiketa dhe mbyllja e grykës në mënyrë hermetike, me një dizenoi estetike.

Tjetri e ndiqte Ljubën me bisht të syrit dhe ngaqë nuk e kish kundruar kurrë nga aq pranë, i dha të drejtë për herë të parë Madem Taraboshit kur i kish folur për të e për shkinat që s’kishin të ngopur. Mbase raca trupore madhoshe ua kërkonte pallimin pa cak, apo mbase një gjë të tillë do ta dëshironte t’i vinte sa më shpejt, madje tek ia shihte linjat nën rrobdashëmërin e hollë ngjyrë lejla, s’po e sundonte as vehten dhe fatmirësisht që ishte i ulur e nën mbulesën e tavolinës së ngrënies se s’kishte si ta fshihte grykën e kundërajrorit të tij që po kapte koordinatat e dëshiruara.

Ajo shkonte e vinte me piata në duar dhe ai donte që sa më shpejt t’i ulej përballë e t’ia kundronte lugun në mes të gjinjve…

Ndërkohë që i zoti i shtëpisë, ndofta për kortezi, i ndërpreu mendimet e tij fluturake, duke cekur gotat. Tjetri, si aventurier që ishte, po dhe njeri i shoqërive, qe mësuar me gotën, ndërsa Njërin, edhe një dopje e paloste. Gjithsesi nuk mund të dorëzohej aq lehtë, do të përpiqej të rezistonte sa të mundte.

-Shliva që u ofroi zonja ime është safi kumbull,  e jo rrush…

Plasi gazi. Një gaz në dukje pa ndonjë domethënie, po jo për Tjetrin e zonjën.

-Hajde, gëzuar, – uroi edhe njëherë i zoti i shtëpisë, kur pasi e rrufiti një hurth të mirë, si pa vetëdije pyeti: -Ku e lamë?

-Te rrushi, – vijoi Tjetri, që i kish aq mend në kokë sa ta çonte ujin në arën e tij.

Njëri tundi kokën në shenjë pohimi, me buzën në gaz e me sytë nga e shoqja që shkonte e vinte duke tundur vithet.

-Të mos ishte rrushi, nuk do të ishte Bushi, – shtoi Tjetri.

-Kush është Bushi? – pyeti Njëri.

-Bushi është im bir. Po jam edhe unë.

-Ku e paske gjetur atë emër për djalin?

– Oh, jo, ai e ka emrin Visar, po që i vogël mua me thërriste Bushi, Bushi, edhe unë ia ktheja Bushi, Bushi…E kuptove…Të mos ishte rrushi, s’do të ishte Bushi!

-Haaaa! -Je i madh, – i pohoi Tjetrit.

Tjetri shikoi nga Ljuba.

-Po, jam i madh dhe…

-Dhe çfarë? – pyeti ajo, e bindur se sjellja e mikut asaj nate në shtëpi nga i shoqi nuk kishte qenë rastësore.

Ai e shikoi me një sy gati në të përpirë.

-Jam i madh dhe…

-Çfarë pra?

-Jo, ty, s’ta them…

-Thuaja! – këmbënguli Njëri.

-T’ja them? Vërtetë t’ja them?

-Kur ta them unë, thuaja! – bëri një veprim me duar Njëri, përmes të cilit linte të kuptonte se vera i kishte rënë në kokë dhe nuk i komandonte dot të gjitha veprimet.

Tjetri iu afrua Njërit tek veshi dhe i tha, po jo aq lehtë sa për të mos e dëgjuar ajo: “Gomar! Nuk mund ta them se është jot shoqe këtu. Jam i madh dhe e kam të madh! Kuptove tashti!”.

Njëri sikur u kthjellua, po sërish e lëshoi dorën.

-Epo këtë e dijnë të gjithë, bre burrë! Ky s’është sekret as për time shoqe!

Ajo bëri sikur e pat mendjen gjetkë, i dha pak gjoksit përpara, për të nxjerrë më në pah plotshmërinë e gjinjve të saj. Mandej, si për të hyrë në një akord me të, u përkul t’i servirte një meze, u përkul aq shumë sa ai ia pau mirë atë që ia donte syri qëkur e takoi, lugun mes gjinjve dhe ndjeu erën e saj që e tërboi fare.

-Je i madh dhe… – lëshoi mes bëlbëzimeve Njëri, si gjithkujt që i trashet gjuha nga të pirët…

-Dhe çfarë?

-Kështu e ka ky, – tha Ljuba – shliva e bën pusht! – Të kam thënë njëqind herë, – iu drejtua ajo edhe në formë qortimi edhe humori. – Ti je për musht!

Njëri e ngriti sërish gotën.

-Pusht…musht…gusht…grusht – rimoi ai dhe Tjetri e zonja e shtëpisë, duke u shikuar sy më sy, ia dhanë gazit.

-Pi! – e cyti ai Tjetrin duke ia trokitur gotën dhe ndërsa miku sa e vinte gotën në buzë, ai edhe pse s’e mbante, e kthente si të qe me ujë, derisa sa erdhi një çast që koka iu këput si fik puc mbi supe.

Tjetri e ceku edhe njëherë gotën me të tijën. Cekja e zgjoi turbull. E zgjoi dhe bëri përpjekje ta sajdiste:

-Çoje, se pa e çuar me fund këtë, unë s’të quaj mik kryekreje!

Në koridor ra sërish zilja e telefonit dhe Ljuba nxitoi ta mirrte. “Hajde, hajde, mos u tut se është e lidhur puna…qar për ne e qar për ta…po të doli shefi përpara, afroju dhe bëji të fala prej meje. As më shumë e as më pak dhe trau i doganës do të ngrihet për autobotin…Hajde, rrugë të mbarë…”

Tjetri po skiconte se si edhe ai të bëhej pjesë e këtij trafiku ku paratë nuk numuroheshin, por peshoheshin me kandar e ku dhe ai të arrinte të hapte një biznes si ato që kish parë jashtë shtetit.

Juvja shënoi golin e dytë dhe të tretë dhe interesi për ndeshjen erdh e u shua. Ndërsa “ndeshja” në tavolinë po mirrte të tjera dimensione.

Njëri pa turbull nga Tjetri, rrëklleu ç’i kish mbetur në gotë, tundi kokën dhe mezi mundi të ngulte pirunin në një kurm krapi, po s’po ia arrinte.

-Ej, kujdes ti se mos të mbetet ndonjë halë në fyt! – e këshilloi e shoqja, po ndofta edhe për ta qortuar se sa shpejt po dorëzohej. Ky qortim, pak në formë përbuzjeje e pak të një urdhëri, sikur i dha shtysë t’i ofronte sërish mikpritjen Tjetrit:

-Ti pi, miku im, pi sa të toçesh! Kemi ardhur për qejf, bëj qejf sa të kesh zogun e qejfit!…Harusha ime, – i drejtua ai së shoqes, – pi me mikun, pi edhe për mua, se ti e di…ti e di fort mirë se unë…

E teksa ajo iu ul përballë, Tjetri i shkeli syrin me vështrim nga televizori. Ajo e mori mesazhin, e ndrroi kanalin dhe e përqëndroi tek një koncert vjenez. Ljuba e shikoi të shoqin si të donte të mirrte miratimin e tij, e kapi për dore Tjetrin dhe nisën të vallëzojnë, ndërkohë që Njëri u largua nga karrika dhe u shtri në divan.

-Ka kohë që s’kam vallzuar, se ky – tha ajo me mospërfillje si të mos fliste për të shoqin por për një lolo, – as do t’ia dijë se në cilin shekull jetojmë e mendon se gjithçka në jetë është paraja…

Ajo ndjeu kofshën e tij mes të sajave.

-O Zot! – tha ai, dhe sytë nuk ia ndante Njërit, i cili, siç duket, nga ngrohtësia e verës dhe e divanit, apo se dhe thjeshtë e dëshironte një gjë të tillë, mbylli sytë.

Rrotullimi që i bëri Ljuba i krijoi një ndjesi të paprovuar qëkur ishte në gjimnaz. Njëri në divan siç duket po zbriste drejt zeros. Flinte si qëngj. Atëhere nuk kishte më kuptim vazhdimi i vallëzimit. E drejtoi nga aneksi, ia rrasi dorën poshtë dhe e mbështeti për mur.

-Kaq shpejt? – tha ajo mes një nazeje e kundërshtimi që s’dihej se përse e përdori.

Ngjala që nxorri nga koshi e bëri gruan të shndrrohej në amazonë e të mos pyeste se ç’ishte frika as dhe tri metra më larg bashkëshortit të saj. E afroi perden që ndante aneksin nga dhoma e pritjes. Ai po fluturonte në qiellin e shtatë.

E ndërsa Ljuba nisi të klithte, nga oda ndjehej gërhima e rëndë e Njërit.

Nuk e zgjati. E kapi hopa, para duarve, dhe e drejtoi nga dhoma ku dukej një shtrat dopjo dhe aty nisi të kryej detyrën e burrit.

Magjia e tij i kalonte parashikimet. Ljuba pat shpresë dikur tek shtangisti e nga trupi i tij muskuloz, pa ja që zoti nuk t’i falka të gjitha: atë mikun e kish normal e jo aq sa e kish imagjinuar ajo. Pompimi i Tjetrit ishte i vrullshëm, e jo si ai i të shoqit që më parë mbaronte se fillonte. Po mirë që erdhi një ditë që ai ta kuptonte se kjo ishte zgjidhja më e mirë. Këso zgjidhjesh ajo kishte dëgjuar kushedi sa herë këto kohët e fundit. Lidhje shoqërore. Ku shoku në thonjëza ftohej në shtëpi herë me një sebep e herë me një tjetër. Që fqinjët ta shihnin tek hynte kohë e pa kohë me të zotin e shtëpisë, që edhe kur ta shihnin vetëm, të fashitej çdo thashethem i mundshëm.

Tjetri vijoi me kapitullin e dytë e të tretë. Nëse ai ish unik, e tillë qe edhe partnerja që i ra në hise si t’i binte telebingoja. As e kish menduar se ajo farë femre, që  s’linte burrë pa ia marrë vështrimin, të ish një tokë aq e zhuritur. Tani, me mendjen e tij, jo vetëm ai, por edhe ajo po mendonin se si do të vijonte në ditët e ardhëshme leximi i kapitujve të tjerë.

Jashtë bubullimat e shkreptimat vazhdonin më me intensitet. Bubullima e shkreptima të tjera vijuan edhe në shtratin dopio derisa u ngopën të dy dhe ajo e shoqëroi në dhomën e miqve ku e priste një dyshek me çarçafë të bardhë.

 

+++

 

Kur ende s’kish zbardhur drita, Ljuba erdhi ta zgjojë.

-Po ai? – e pyeti Tjetri.

-Ende s’i ka dalë pija e flë.

Sakaq një rreze dielli depërtoi përmes grilave. Dora e saj, si një shermen hardhie, e qarkoi me nje elegancë që s’e kishte hasur tek asnjëra që kishte pasur të bënte.

U ndje një e trokitur e fortë në derën e shtëpisë.

Tjetri në këtë shtëpi kishte ardhur disa herë vet i dytë a i tretë për urim në ditët e bajrameve dhe i kishte bërë përshtypje se dera e jashtme e shtëpisë kishte edhe një dorë të hershme hekuri ku mund të trokisje, edhe një buton zileje. Binte në sy doreza për ata që vinin si pari, ndërsa butoni i ziles në anësore të derës dihej nga ata që kishin ardhur kushedi sa herë.

U ndjenë hapa në shkallë. Pra, kuptohej që Njëri qe zgjuar e kushedi se përse qëndronte në katin e dytë, kur në katin e parë kishin edhe dhomën e ndejes, edhe atë të pritjes.

Gruaja, domosdo që e ndjeu goditjen e fortë të derës dhe iu afrua dritares që binte mbi oborrin e shtëpisë.

Tjetri ndjeu një shqetësim të madh se mos ajo e trokitur kishte të bënte me të apo me diçka tjetër që mund ta dekonspironte ardhjen e tij e fjetjen asaj nate aty.

-Kafsha! Zgjoi tanë lagjen me atë të trokitur – tha ajo dhe ai e kuptoi se syri i saj, më parë se i tiji, e kishte njohur të sapoardhurin.

-Bishtagypi! – se si i iku atij.

-Çfarë? Si the? – pyeti ajo.

-Ah, flitet se kështu e ka pasur pseudonimin.

-Si është e mundur. Ky karabushi im s’ma ka përmendur kurrë…madje e veçonte si burrë të mirë që mund t’i besonte edhe çelësat e shtëpisë…Po më habit…E kemi pritë e përcjellë si njeri të shtëpisë…Dmth edhe ai?

-Jo të gjithë si ai, shpirt – tha ai dhe ngase i tillë, siç edhe përflitej për shërbimet e tij vullnetarisht në shërbimin e sigurimit të shtetit. – Ky ka qëndruar në hije e qëndron në hije, – tha Tjetri duke iu ngjeshur edhe më shumë nga pas.

-Mbase janë shpifje – tha dikur, pasi ende jetonte me gjurmët e respektit e veneracionit të të shoqit, si një tip që dilte në damë edhe në pozicionet më të vështira.

– Thonë se e ka kaluar detin në këmbë dje dhe sot po i ha kumbullat pa iu mpirë dhëmbët…- e portretizoi Tjetri, pa menduar fare se Vlora, ose “Bishtagypi”, qe me proteza dhe mpirja e dhëmbëve përjashtohej.

Sakaq Tjetri kishte dalë në oborr dhe ajo e pa tek i hoqi shulin derës dhe t’i printe të sapoardhurit drejt shtëpisë.

-O zot, – çfreu ajo, – ky imi i rri gatitu si ta ketë gjeneral…apo mos edhe ky?…

-Unë flas për vehte, – tha stoik Tjetri. – Për asnjë tjetër në botë nuk e vë dorën në zjarr…

-Më duhet të vishem! – tha ajo. – T’u bëj kafenë!

Ajo mbase dhe qëllimisht, mbase dhe nga nxitimi, e la derën e hapur dhe ai s’pat arsye t’i bënte veshët pipëz për të dëgjuar dialogjet mes tij dhe Njërit.

-S’më ka zënë gjumi fare, – tha Bishtagypi.

-Fol se çfarë ka ndodhur, or burrë? – e pyeti Njëri, në vend që mund t’i thoshte se ç’dreqin të solli tek unë pa rënë drita mbi tokë.

-Pse, nuk e kupton?

-E si mund ta lexoj atë që ti ke në mendje?

-Se po na e fusin sa krahu. Se kjo botë është me të futur.

-Këtë e di.

-E di dhe nuk vepron? Ti që ke edhe gurin edhe arrën në dorë?! Të kisha unë pasurinë tënde i bëja të gjithë të rrinin sus para teje…

-Çfarë të bëj?

-Atë që duhet. Të mos i lëmë komunistët e konvertuar në demokratë të marrin frerët.

Ndërkohë në dhomën e pritjes ku po rrinin të dy, Njëri dhe Bishtagypi, hyri zonja e shtëpisë, e veshur me një rrobdeshambër të çkopsitur në gjoks.

-O, mirëmëngjesi! – përshëndeti ajo pa ia përmendur emrin, edhe pse si shumë kush nuk ia dinte emrin e vërtetë, pasi të gjithë e thërrisnin “Vlora” “Hë, Vlora  ç’kemi? Si je, Vlora?”. Kur për rreth kishte të tjerë të panjohur, sillnin kokën të shinin ndonjë femër dhe vonë bindeshin se frymëmerrnin dhe burra me emra femrash. Dekada më parë, kur shkarkoi plaçat e shtëpisë tek një mik i të atit, e ujdisën të thirrej me emër tjetër, që të humbëte sa më shumë gjurmët, pasi vëllai i madh i tij kishte qenë ballist i njohur. Për fat, mbiemri i tij përkonte me atë të një Heroi të Popullit, kështu që sa nga dyndjet e ardhacakëve  në këtë qytet e sa nga llagapi i heroit, arriti t’i shpëtonte persekucionit e ingranazheve të luftës së klasave, madje edhe të siguronte të drejta studimi e bursa për dy fëmijët e tij. Napolonat që i pat lënë i ati, në ilegalitet të plotë që të mos diktohej, arriti t’i këmbejë me lekë të thata e të blinte mu në zemër të qytetit një shtëpi karakatinë, ose e thënë ndryshe bleu vendin. I doli për hajr sa u ndrruan portat, pasi ta kish pranë vendit ku thuhej se do të ndërtohej një pallat i madh. Pallati i madh qe hotel turizmi i qytetit dhe, pas ndrimit të portave, arriti ta fusë emrin me ata që do të ishin bashkëpronarë.

Ljuba i afroi tabakanë me kafenë që nxirrte avull.

-Ku e lamë fjalën? – pyeti Njëri  si për të shtyrë muhabetin.

-Nuk kam fjetur gjithë natën! S’durova  të hapej dita e  erdha tek ti…

-Ma the njëherë. E kuptoj shqetësimin tënd, po ende se kuptoj se ku do të dalësh, Vlora! Ma thuaj pash të lumin zot se po ma lot çekerkun e kresë.

Vlora e shikoi nga lart, si të donte t’i thoshte se ai posedonte një të vërtetë apo të fshehtë që do të trondiste botën!

-Aty, mes nesh, unë dalloj një grupazh. Shkurt një grupazh që don të na e shtyjë bythën ne, të krijojnë diçka, në mos të ushtrojnë ndaj nesh edhe presion sa të na bëjnë të nxitojmë për të shitur aksionet…Mbrëmë, pas mbledhjes, e kuptova më mirë se kurrë se kokrra është tjetërkund…Ai universiteti që propozuan është me qitje të largët…Pra edhe njëherë po ta them, të gjejnë një sebep e të na shtyjnë bythën, në mos sot, nesër, ndofta edhe nën preteksin se stafi duhet të jetë me të lartën…Dhe këtë s’do ta bëjnë tubë, po kokrra-kokrra, sot njërin e nesër tjetrin, mbase edhe duke paguar do të hurit e të litarit që të na detyrojnë të tërheqim aksionet e t’ua shesim s’di se kujt…Do të hapin fjalë se u larguan ngase nuk kishin harmoni mes njëri-tjetrit…

Njërit kjo i dogji. Edhe e besonte, edhe nuk e besonte se si mund t’i shmangnin ato vetëm e vetëm se s’e kishin të lartën, pasi dinte jo me dhjetra, por me qindra me tetëvjeçare që po bënin prokopi edhe si ortakë. Madje ata me shkollë më së shumti mbeteshin kërtollë, të varur tek rroga mjerane e shtetit. Një nip i tij, edhe pse kreu për kimi-biologji me nënta e dhjeta, edhe pse mësues në zemër të qytetit, të mos kish marrë i ati nga pronat një dorë para të mira kur shiti një truall për ndërtim apartamenti një biznesmeni ndërtimi, me rrogën mjerane që mirrte mezi e mbyllte muajin.

-E përse do ta bëjnë këtë? – se si i erdh ta pyeste Njëri.

-Thjeshtë për imazh, se nëse do të vendoset që hoteli të kthehet në universitet, ka rrezik të mos ecë përpara po të mirret vesh se nga ortakët, vetëm tre kanë të lartat e Europës e vetëm pesë e kanë marrë në këto viteve të fundit. Dhe mos e bënin tanët, do ta bëjnë ata që na e kanë smirë, do derdhin para dhe do të nxisin opozitën të trillojë këtë e atë dhe kaq duhet, që njerëzit të irritohen, të shtohen pikëpyetjet dhe…

-…Dhe çfarë?!

-Shut bythëve…

Njëri e shikoi. Mbase ai kishte të drejtë, apo dyshimet e hidhnin në krahët e pesimizmit e të dyshimit.

-Dmth kundërshtarët tanë do të hapin fjalë se ky kështu, me këtë ortakëri, do të jetë universiteti i unikeve? Kështu?

-Unikeve? Nuk e kuptoj?! – tha mes habisë Vlora, i cili edhe pse prej dekadash në këtë qytet, shumë nga fjalët e rralla të gegnishtes ende nuk ua dinte kuptimin.

-O Vlora, universiteti i tetëvjeçares…Mbase të na qindisin edhe ndonjë barcaletë…

Vlora e pa njëherë me vërejtje dhe që t’i jepte kohë vehtes të mendonte më gjatë e më thellë gjerbi një hurth kafe, po se si ajo i erdhi e hidhur, mbase se e zonja e shtëpisë, kushedi se ku e kishte pasur mendjen dhe s’i kishte hedhur as dhe një gjysmë luge sheqer, edhe pse e dinte se ai e pinte me shumë.

Njëri ndërkohë pat kohë, edhe ai, ta psikologjiste me mënyrën e tij Vlorën. I hollë në kokë e i hollë në fund, gjallë bishtagyp, me bark të fryrë si callik, po si bishtagyp, tue e ngjye sqepin tash e parë e germë pas germe. E pat njohur me kohë, dikur djalë të ri të sapoardhur nga bregdeti, që binte copë t’u gjëndej njerëzve e sidomos të moshuarve që i pat komshinj e që i njihte. S’përtonte tua hiqte trastat nga duart e t’i ndihmonte për t’i çuar në shtëpi, u shkonte për urim e ngushëllim të njohurve e të panjohurve, sigurisht duke e ruajtur vehten për të mos shkelur ditën në portat e të deklasuarve më në zë…Ia kishte gjetur vjegzën: u shkonte natën e ata, fakirët, e ruanin në kujtesë si një akt heroik që bënte për ta një vlonjat, madje nga një rrem familjeje me llagap heroi!

Pat dëgjuar të përflitej se qe në shërbim të sigurimit të shtetit, madje qarkulloi edhe pseudonimi i tij, “Bishtagypi”, po dolën të tjera ngjarje, dosjet s’u hapën dhe gjithçka mbeti në kuadrin e thashethemeve e të shpifjeve për të sulmuar këtë e atë.

I besonte dhe s’i besonte e jo vetëm atij, por shumëkujt. U besonte disa shokëve kur i tregonin diçka, po sa ndahej prej tyre, e rrethonin pikëpyetjet, pendohej që u pat thënë po për këtë apo atë, pse nuk kish sqaruar më hollësisht ndonjë detaj. Shkurt Njërin mund ta thërrisje kur të doje edhe haxhi pishmani. E sa herë kishte mëdyshje, i kujtohej një brigadier i tij që kur i raportonin se kishin prashitur kaq e aq dynym, thoshte gjithnjë: “Shoku Stalin na ka porositur: Beso e kontrollo” dhe me kompast bënte sikur do të zbulonte pluset që kërkonin në norma, po sa bënte disa kacafikë, e flakte tej kompastin dhe thoshte me inkompetencën që e karakterizonte “Në rregull!”.

E pa Vlorën me një sy pyetës:

-Si pate mbete pa të lartën ti, Vlora?

Vlora e shikoi, më shumë për të kuptuar se ku donte të dilte Njëri.

– Më përpara kishin nevojë dhe nuk mbeti kush pa shkolla korrespondence. Kaq e stimuluan këtë, sa për çdo provim që jepje në universitet, të paguanin jo pak! S’e beson?! Pyet po të duash edhe profesor Idrizin, që e ke komshi. Ka pas qenë mësues katundi, lër nxënësit pa mësim e shko e jep provime! Më ka thënë se ka marrë një dorë të mirë me para…Ka qenë e ka mbetur gjahtar i lekut…

-Po ti, pra, edhe nga Vlora…

– Atë vit kur desha të vazhdoja të lartën, nisën të gërmonin nëpër biografira…S’do të maskohesha pas një mbiemri heroi gjithë jetën…U ruajta, për hir të fëmijëve, pasi e llogarita sa sa më shumë vite të kalonin e aq më larg burimit shkoja.

-Eh, si vajti kështu kjo punë! – tha Njëri.

-Vajti si vajti, po s’duhet të rrijmë duarkryq! Tani jo vetëm të ruajmë prapanicat tona, por edhe të mendojmë për fëmijët.

Tha kështu Vlora dhe u pendua, pasi e dinte se Njëri nuk kishte fëmijë.

-Më fal, nuk e kisha për ty…Vërtetë sot nuk ke, po kjo s’do të thotë se nesër s’do të kesh…Unë njoh një nga krahina ime që zoti i fali fëmijë pas njëzet vitesh martesë…Gruan e kish të re, siç edhe ti…Shkoi burri i botës jashtë…Më duket në Itali…Dy javë bashkë me gruan, klinikë më klinikë gjinekologjike…shkenca mjekësore bën mrekullira sot e jo më të barsojë një grua…

Vlora fliste dhe Njërit i shkonin e i vinin mornica, një valë e ngrohtë ia pushtonte të gjithë trupin…A kishte se si edhe ngjarja që tregonte Vlora të përkonte me atë që dëshironte Njëri…Me imagjinatën e tij Tjetri, lart, i  ushqente mëmësinë së shoqes.

Ngaqë Njëri u përhumb, Vlora, duke kërkuar në rragvimin e mirëmenduar mbështetjen e tij, erdhi duke ia ushqyer ëndërrën për të patur fëmijë.

-Qyteti im i lindjes, Vlora, është i ngrohtë, miku im…Në daç ndihmën time, mos më kurse…E kam një shtëpi në Skelë…Xhaxhai ballist ka kohë që na ka lënë shëndenë, po më takon të jem trashigimtar i shtëpisë së tij, se ne s’patëm as vëllezër e as motra të tjerë që të më hynin në rrisk …Kam besim të plotë tek ti, ndryshe nuk do të vija në këtë kohë e të hapja zemrën…Të jap çelësat, se unë atë shtëpi e përdor vetëm në tre muajt e verës për plazh…Në daç shko vetëm e në daç gjej kohë e të shoqëroj unë…Vlora është rekord në lindje…Apo s’është shtëpia ime me shkallë në breg të detit…Dykatëshe…Ia patën dhënë një oficeri ushtrie katin e sipërm, ndërsa të poshtmin një agronomi të ardhur nga Llogoraja…Vëllain e lodhur nga burgu e vitet nuk e zbuan krejt, e lanë në një dhomë të ndërtuar e ku ime më mbante zahiretë e dimrit…Po zoti qe me mua pasi shpejt të dy u transferuan në Tiranë në ditët e fundit të sundimit të tyre dhe me ta marrë vesh, pak me dredhi e shumë me të drejtë të hakut tim, me do kushërinj çuam shpejt e shpejt disa dyshekë e jorgana sa ish-këshilli i lagjes të çonte ndonjë të pastrehë…

Tregimi i Vlorës për qiraxhinjtë, njëri në kat të parë, tjetri në të dytin, vëllai i tij në dhomën ngjitur shtëpisë e të ndërtuar me tek tullë, se si i sollën parasysh Zyhdi Çekun e prof.Kotin. Ashtu turbull iu fanit ngjarja e mbrëmshme, Çeku dhe propozimi i tij që me siguri kishte lënë pa gjumë aksionerët.

. – Po puna jonë si do të vejë?

-O Zot, po ti mos u tut kështu, bre burrë i dheut! Ne mposhtëm një diktaturë e të mos arrijmë t’ia dalim mbanë!

-Nuhata se disave u pëlqeu propozimi për univeristet. Dëgjoheshin pësh-pëshe…Mandej ardhja e Mu-musë dhe e korrespondentit të “Zërit të Kombeve”…

-Mbase ka paguar Zyhdi Çeku që të vinin, – tha Njëri, duke e ditur se tani gazetarëve u tundje paranë, ata tundnin dynjanë.

-Korrespondenti i “Zërit të Kombeve” ka një rrogë marramendëse…Nuk bie ai në grackën e askujt!

-Atëhere kush e solli?

Njëri u step. Vërtetë, kush ta kishte sjellë, pyeti vehten. Ata s’kishin bërë asnjë njoftim, as në gazeta, as në radio e as në TV për mbledhjen e aksionerëve. Ja, ta zemë se atë e solli rastësia, po Mu-munë kush e solli?

Mendimi i shkonte tek prof. Koti. Mbase ishin përzi edhe partitë në këtë mesele, mbase edhe ata kërkonin ndonjë thelë po të shndrrohej hoteli në universitet. Mos donin pjesën e luanit? Apo për imazh? Tani edhe në qytetin e tyre hotelet po shtoheshin, universitet privat asnjë. Vetëm në Tiranë sapo qe hapur i pari e flitej se kish edhe të tjerë në radhë…

Njëri bëri të menduarin. Kjo i pëlqeu Vlorës. Gishtin tregues e vuri në tëmtha, ashtu si paraqiteshin mendimtarët nëpër foto. Kështu ishte impozant. Të impononte më lëvizjet e matura e me veshjen e tij. Qe ndër të rrallët fisnikë që si vishej sot nuk vishej nesër dhe thuhej se në garderobën e tij numronte më se njëzet kostume, sipas stinëve. Ai s’e ndotëte vehten të futej në lokale të tjera veç turizmit, kjo edhe për mundësinë financiare që kishte, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, se kush t’ia shpenzonte të hollat, fëmijët që kishte?! O Zot, si nuk i bën të gjitha tok!? Ah, sikur ta kishte edhe ai atë që kish shumica e burrave të kësaj bote, potencën!…Desh ta provonte një herë një viagra që i pat dhuruar një kushëriri i tij, emigrant në Itali, po ngaqë hera-herës ndjente aritmi në zemër, ia pat frikën dhe që të mos i ndrrohej mendja për ta përdorur pa ia treguar së shoqes, e hodhi në bide…E qysh atë çast as i shkoi mendja  të mirrte ndonjë kokërr sa për provë…

Vlora qe i bindur se Njëri po mendonte për të gjetur një zgjidhje që t’u interesonte të dyve për universitetin, e që propozimi i tij të mos ishte kopje e keqe e propozimeve të ortakëve të një nate më parë. Me marifet e mbante “asin” nën mëngë, kushëririn e tij deputet që i dinte më mirë se askush se si funksiononin këto punë e që duke mos ia ngrënë honorarin, të kërkonin prej tij që t’u hapte rrugë, me prezencën e tij, qoftë edhe me anë të telefonatave, për atë që s’bëje dot pa të-licencën.

-Si thua? – E pyeti dikur.

-Për çfarë?

-Po, ja pra, për një zgjidhje…- tha më shumë për t’i tatuar mikut pulsin.

-Ëëë…

-Çfarë, ëëë?!

-S’e di, – vijoi Vlora si i përhumbur. – Po sikur unë e ti, po vetëm unë e ti e pa e marrë vesh veç Zoti i madh, të nisemi tinës të tjerëve e të shkojmë në Tiranë…E kam një bazë të fortë atje…

Njërit i pëlqeu sa s’ka propozimi i tij dhe një fllad i ngrohtë i përshkoi çdo qelizë të trupit. Vlora, si më i rrahur me vaj e uthull këtë e nuhati në çast, pra e futi në valle dhe atë do ta hiqte ai…

E Njëri, si të mos mbeste pas në ndërmarrjen që propozonte Vlora, tha:

-Të marrim të dhëna se si funksionon një universitet privat…E shkelim ndonjë profesor a sekretar të atjeshëm me pare…Sekretarët i kanë rrogat e vogla, po syrin e madh…

-More, po lëri sekretarët, se ata janë bira e fundit e kavallit…Të thashë se e kam një bazë të fortë, ndryshe nuk do të trokisja në derën tënde që pa zbardhur drita. Punën e bëjnë të vegjlit, po urdhërat i japin të mëdhenjtë…, – tha Vlora, që t’i jepte Njërit të kuptonte se nëse ai kishte paratë, Vlora kishte një nga të mëdhenjtë e kryeqytetit që s’guxonte kush t’i thoshte “jo”.

-Je gjeni! – shpërtheu Njëri, a thua se Vlora kishte bërë ndonjë zbulim që do të trondiste botën. E që të mos mbeste si pa të njohur atje ku duhej të njihje, i shkau goja e tha:

-Të them të drejtën, unë njoh një drejtor drejtorie në ministri të transportit, po ai nuk e nxjerr qimen nga qulli.

Vlora, si praktik që ishte, ia ktheu se e njihte personin që përmendi Njëri dhe të lidheshin me të ishte si të rrihje ujë në havan…

-Po si t’ja bëjmë, Vlora?

-S’kam pse ta mbaj sekret emrin e atij të madhit që të përmenda. Ti e di se unë e kam një kushëri deputet… Shpejt do të ulet në një nga postet kryesore të ministrisë së jashtme…

-Lum si ai!

Vlora e kuptoi se me karremin e hedhur po e zinte Njërin, ndaj dhe zu ta rrethojë me brerore, shkurt të krijonte për të imazhin e një porti ku të dy të ankoronin shpresat e tyre.

-Ti beson se na hap rrugë? – e pyeti Njëri.

-Rrugën na e hapin portofolet tona, – tha tullë Vlora.

Meqë e futi edhe vehten brenda në hapjen e portofolit, Njëri nxitoi t’i thoshte:

-Kush po pyet për ato veç të dalim në damë…Them të nisemi…- tha me një besim e vendosmëri të tepruar Njëri.

-Kur mendon?

-Kur?!…Po ti pse ke ardhur pa zbardhë drita? Që të mos humbim minutën…Kështu?! Pra, të nisemi qysh tani…Ti rend në shtëpinë tënde e vish kostumin më të mirë, me krevatë e xhamadan, po atë qostekun e sahatit mos e vër sot, se dukesh pak anakronik…Edhe unë po vishem… portofolët po i mbushim dinga, se ku i dihet!…Dollarë më mirë…

-Ti e di, – iu drejtua Njërit, – duke i lënë të nënkuptonte se ai nuk e pat portofolin e tij plot, se po jepte lidhjen me kushëririn-deputet, mend e mundësi dhe…kjo do të ish e barabartë me ato që do të vinte Njëri në lojë.

-As mos çaj kokën, – nxitoi Njëri, duke iu përgjegjur me sinqeritet, – veç të jemi ne të parët e shpëtimtarët…

Njëri u shkëput nga biseda dhe ngriti receptorin e telefonit në koridor. Vlora dëgjoi:

-Alo! Alo! Familja Qeni?

-Kush? – u përgjigj një zë femëror, po me përbuzje edhe pse e dinte pse kërkuesi nuk kish gabuar adresë, po e thirrte në pasionin e tij për bastet e qenëve…

-Zonja e Çimit jeni?! Më falni që po u shqetësoj kaq heret, po kam nevojë të komunikoj me Çimin…E kam taksistin tim…

-Si të të them, zotëri, po ai…

Po në çast ngurrimit të saj i erdhi fundi, pasi me siguri që Çimi qe zgjuar dhe i doli në telefon, duke ia marrë telefonin nga duart së shoqes:

-Zotëri…Oh, po, po, po si të them…Në timon ditë-natë, po zotërisë tënde nuk mund t’i them jo…se të ishte kushdo tjetër s’do ta ngrija kokën nga jasteku…Për dhjetë minuta më ke aty…

-Do të lutesha të vish i veshur si për dasëm, me kostum e kollare…

-Unë me kollare?

-Ashtu e do puna, zoti Çim…

Pas një ngurrimi, Çimi pranoi, edhe pse ato nuk i kishte hedhur në shtat qëkur mori pjesë si krushk në dasmën e nipit të gruas.

Vlora e mori atë që desh dhe nxitoi të ngrihej, duke qenë në një valë me  energjinë e Njërit e që binte ndesh me veprimet e tij të matura…

Njëri, si përcolli Vlorën, hapi raftin e rrobave, nxorri që andej kostumin më të mirë, një këmishë të bardhë me pulla sadefit, këpucët me thurje që e nxirrnin edhe më elegant dhe një çantë zyrtarësh, edhe pse nuk kishte punuar asnjë ditë në ndonjë zyrë…E dinte nga të tjerët se aparenca i verbonte njerëzit më shumë se ç’kishte brenda kafka e tyre…Qe e habitshme se si situata e re që u krijua ia davariti shumë re në mendimet e qëndrimet që mbante.

E mendoi shpejt e shpejt edhe paraqitjen në takimin me deputetin, e më pas, mbase edhe me ndonjë kapo tjetër…Taksisti, në të gjitha rastet, do të luante edhe rolin e badigardit…Vlora të ndihmësit…Përderisa ai erdhi të kërkonte ndihmë e mend…Plus që kish edhe portofolin më plot…Pra frerët i takonte t’i mbante ai në dorë…Po sikur?!…U drodh…Mos Vlora kish ardhur për t’ia futur?… Mos…Mos Vlora do ta bënte edhe atë pjesë dhe vetë të ishte primar falë kontributit që do të jepte kushëriri i tij deputet? Mornica i përshkuan trupin. Iu shfaq deputeti, me reputacionin e tij të padiskutueshëm, që do u hapte rrugë e ku me siguri matematike për vehte e për kushëririn, Vlorën, do të ndante pjesën e luanit. Më qartë s’kishte se si të ishte: shpejt do të binin në “prehërin” e deputetit, t’u rruante ai çfarë të deshte që t’u siguronte informacionet e programet që duheshin, duke vendosur edhe ndonjë kusht të tij për të ardhur një ditë në javë për të dhënë leksione…Do të hiqeshin si triumfatorë…E atij, çdo i mbetej? Bishti. “Ah, Vlora, Vlora!…Ti paske ardhur të ma fusësh!”, – tha vetmevedi dhe dyshimi iu var vath në vesh. E ky dyshim i ngriti dhe një pyetje tjetër e për të cilën u pat folur ashtu si rrëshqitasi në mbledhjen e aksionerëve: Po liçensa? Liçensa në emrin e kujt do të ishte?

I largoi mendimet dyshuese. Ato do t’i ruante si napolonat në një kasafortë të vogël nën këmbën e dytë të shkallës, një grusht tek jasteku i poltronit tek dhe atje ku nuk i shkonte mendja askujt, në teneqen e vajgurit të djeshëm pranë shegës devedishe.

Kështu, Njëri, shpejt e shpejt i ra një brisk mjekrës, hodhi një parfum nga ai më i shtrenjti dhe si u vesh e u pa në pasqyrë, nuk deshi të ikte si hajdut…Kuptohet që Tjetri lart s’kish se si ta mirrte vesh se ai dhe Vlora po kompllotonin, duke i trilluar si shoqes ndonjë histori për të mbuluar hapat që po hidhte, edhe pse në atë dalldi as e mori me mend se telefonaten e tij me familjen e taksistit Ljuba dhe Tjetri e dëgjuan.

Dikur u bë burrë e i thirri së shoqes nga shkallët e para që të ngjisnin  në katin e dytë…U desh ta përsëriste thirrjen edhe një herë, edhe një herë…Dikur u ndjenë hapat e saj…

-Po ti? – pyeti ajo sa e pa të shoqin të veshur si për xhiro në pijacë.

Njëri i bëri me shenjë që të mos bëzante, ndërkohë që me zë i tha:

-Ka ardhur miku im prishtinas nga mesnata, paska fjetur mbrëmë në hotelin tonë dhe po më pret të pij kafenë e mëngjesit me të…Mund të shkojmë edhe nga Shiroka…s’di se nga mund të më zërë edhe mesdita…Mbase ia mbathim edhe nga hoteli i gjuetisë në Lezhë, pasi ai ia ka vënë syrin një vendi nga Rana e hedhur…

-Po ti e di, miku që solle mbrëmë ende po flë…Ta zgjojmë e të dalë me ty?

-Me mua? E përse me mua? Për të vë duart në zjarr se është ar…Bëhet fjalë për jetën, shpirt, edhe minuta është flori…Lëre sa t’i dalë gjumi vetë…

Jashtë u ndje një buri makine.

-Ja, erdhi dhe po më pret, – i dha përgjigje ai dhe buria që s’prante së rëni.

Tjetri e priti gjysmë i ngritur në shtrat. Ardhja e Vlorës i pat ngritur disa pikëpyetje dhe qe i bindur se ato lidheshin me universitetin. Kujtoi “Bishtagypin” e dikurshëm dhe çfarë pëshpëritej në konvertimin e tij në strukturat inteligjente bashkëkohore, dhe iu fanit ndonjë kurth a dredhi që mund ta cënonte edhe atë, po ëmbëlsia e zonjës të Njërit e tjetërsoi dhe harroi gjithçka, gjithçka…

Ndërkohë që në shtëpinë e Njërit ka këto zhvillime të nxituara e plot nerv, Vlora nuk ishte prej atij soji që të priste se ç’ti binte e nesërmja, po përpiqej ta ndërtonte atë vetë, edhe pse disa herë nuk ia arrinte. Këmbëngulja dhe kërkimi i shtigjeve për t’i dalë rrethimit të jetës, qenë jo pa sukses në dekadat që e bënë dhelpër. Kështu që teksa shkonte drejt shtëpisë për të veshur kostumin, mendoi që t’i fuste një telefon kushëririt të tij deputet. Le ta zgjonte nga gjumi! Siç thonin vendësit këtu, s’duhet të zihej “gafil”, po t’ia tregonte qëllimin e takimit me të dhe se Njërin e pat futur në kllapë e zbërthimi prej saj do të derdhte të hollat vu… “Alo…alo…me zotin Detar flas!…Ah, më njohe?!…Jo, jo s’ka vdekur kush të të njoftoja kaq heret, po dua të vi të të takoj sot…Nëse mund të më presësh…Jam me një zotëri që…”

Ç’pat për t’ia thënë ia tha telegrafikisht, por thelbin e theksoi dy a tri herë. Ai, sido të vinte puna nuk do të ngelej duarbosh e do të mirrte pjesën e luanit. Ia kishte borxh. Kushëriri i qe gjetur në një moment kritik të jetës së tij, shkurt ia pat hequr litarin nga qafa, më konkretisht pas skandalit ku qe përfshirë në eksportin e gështenjave, e shpëtoi nga burgu që hëngrën të tjerët…

 

+          +

 

Zef Selimi, njëri nga aksionerët e hotelit, u pendua që nuk u nis për në shtëpi sa pa nisur shiu. Se si ia pat kanda të dëgjonte llogjet e kavajës të disave prej aksionerëve apo bedelëve të dërguar në mbledhje. Priti se mos Dhori Dhimitri po ia paguante kafenë, po ai kurnac si i ati, pesë minuta bëri duke kruar xhepat deri sa nxorri ca kacidhe, edhe pse qe i bindur se në portofol duhej të kishte shumë dhjetëshe. E ndjente erën e lekut njëqind metra larg. Arrinte të qiste dhjamë edhe prej pleshtit. “Po mos më bëftë Zoti për të!”, tha lehtë më vehte, ndërkohë që si për inat të tij porositi edhe një teke raki.

-Të baftë tul e vjamë! – dëgjoi ta uronin.

Qe Alush Begzadi. Po që pas zhvillimeve të fundit s’po printe si më parë në tubime të tilla. Jo se donte të ishte kurdoherë i pari, por s’donte të mbetej as në mes e as i fundit. E pat amanet prej të atit: t’i ngjiste krrabës, që tërheq vetëm nga vehtja. Kështu, vit pas viti interesi iu bë magnet. Shtëpinë e tij dykatëshe ua lëshoi me qera disa praktikantëve; ata gjithnjë  dilnin në mëngjes e ktheheshin pa rënë nata, dy e nga dy, me ca libra në duar që nuk ishin “Bibla”, e që shetisnin qoshe më qoshe të qytetit. Me siguri që ishin nga vendet nordike, përderisa edhe në temperaturën minus shetisnin me këmisha e me kollare të zeza. Alushi, si qiradhënës nordikët i rruante mirë. E lëshoi shtëpinë me qera dhe bashkë me të shoqen e një hallë vejushë, shkuan në një fshat të periferisë, në tokën e tij. Këtu ferma e dikurshme bujqësore pat ngritë një kaçorre, ku punëtorët e brigadave linin veglat e punës e në ditët me shi, fusnin kokën brenda. Ai u tregua më i shkathët e më trim se pronarët e tjerë të tokave, nxitoi të shkonte sa u  ndrruan portat e pushtetit te kjo kaçorre, t’i fuste një dorë sherbet e të dërgonte atje një shtrat tek me sustë të bërë gropë e një dyshek me peca e lastikë kamardaresh makinash për suspacion, dy karrike, një tavolinë të brime  teje, një radio italiane “Minerva” që për mungesë llampash nuk punonte prej 30 vitesh, një rrotull telash istiqameje që e zgjati nepër do hunj e degë foljetash, që t’u tregonte të sapozbriturve nga malet se ajo godinë e ajo tokë e kishte një zot që nuk ishte shteti. Dhe me ta çuditërisht gjeti gjuhën e mirëkuptimit, pasi babai i tij kishte pas qenë i njohur dikur si mik kryekreje i bajraktarit të një krahine të malësisë. Dhe përkohësisht mbeti aty, ku në një distancë jo fort të vogël erdhën duke u hedhur themelet e shtëpive të të zbriturve, që, nuk i gllabruan pa faleminderës asnjë pëllëmbë tokë. Për këtë, më shumë se atyre, ia diti për mirënjohje kodit të miqësisë së hershme me bajraktarin.

Dhe Alushi aty mbeti. Nuk e trazoi askush, madje, në të kundërt, e respektonin, mbase edhe ata e donin një mbështetje qytetare, përderisa ai kishte begenisur të vinte e të jetonte mes tyre.  Iu lezetua më shumë kur për arsye elektorale, deputeti i zonës nuk la gur pa lëvizur derisa ua shtroi ardhacakëve rrugën me asfalt, në këmbim të votave që që do i jepnin.

Mbas vdekjes së hallës vejane, Alushi trashigoi prej saj një shtëpi në Tiranë, diku pranë ambasadës jugosllave e cila ende qe e zënë prej një ish funksionari. Se me ndonjë të ardhur që s’dihej se nga i vinte, se me arturinat e hallës, ndër të parët bleu një “Fiat” e me të shihej të shkonte e të vinte nga qyteti në fshat, jo shpesh, por rrallë, se helbete makinat nuk na eckan me ujë! Kështu edhe sonte ai ka preferuar të kursejë karburantin e të vijë me biçikletë në mbledhjen e aksionerëve, duke hapur fjalën se po bënte përpjekje të ulte pak barkun që i ishte fryrë si kacek, ndryshe do të quhej i marrë kryeministri holandez që del në punë me biçikletë.

-Kolë, si thua?

-Kam ardhur me biçikletë…

-Po kush po të pyet se me çfarë ke ardhur…

-Jo, thashë mos mendon se kam ardhur me makinë për të përcjellë deri në shtëpi, se jashtë po bjen shi si strehë.

-U përmbytë dynjaja! – shfreu Zefi dhe Alushi, edhe pse nuk shquhej për ndonjë intiligjencë në zbërthimin e mesazheve, e kuptoi se ku e kishte fjalën.

-Pra, si thua? – pyeti sërish Zefi.

A-ja e shikoi. Kola s’ish trokë, por në kamje e kishte nën vedi. Se Zef Selimi, gjithkush e dinte se kafërtisej me një dyqan në pijacë e aq. Cica e lopës-hotel pat shterrë e tash s’po dinin se çfarë tjetër të bënin e si t’i jepnin dum e të ndanin qarin si tjetërpardje.

-Nuk m’u duk pa interes ai propozimi i Zyhdi Çekut për universitet…

-Nuk është i tiji, por i profesor Kotit…

-E ç’rëndësi ka…

-Ka, si s’ka…

Kaq tha Zef Selimi dhe fitoi një soj epërsie ndaj Alushit. Kinse dinte gjithçka e do t’i jepte rrugë ndonjë zgjidhjeje me interes. Megjithatë A-ja e shikoi si me dyshim. Dyshonin të gjithë tek njëri-tjetri.

-Po shkrepë shumë andej nga livadhet…

-Prit kur të fiken dritat…

-Mos he t’u thaftë goja, se edhe ato pak klientë të hotelit tonë tash po marrin valixhet e fusin kokën tek motelet që po hapen e që kanë vënë gjeneratorë të fuqishëm…

-Të kishim blerë edhe ne një gjenerator si të furrave të bukës…Na rrejti i biri i Halil Plisit, që punon në elektrik, kur na premtoi për të shtrirë për hotelin një linjë të veçantë…Madje e hëngri edhe kaparin…

-Gjithsesi, s’jemi në valë shpenzimesh, por të zgjidhjes…

-Pra, edhe ti qënke për universitet?

-Shkoi vonë…Si thua, takohemi nesër e bisedojmë më gjatë?

-Takohemi…

-Epo, natën!

-Natën!

 

+          +

 

Kështu si ata, dy e nga dy e rrallë më shumë, u shpërndanë si vaji ndër lakra në damarët e atij trupi që quhej qytet, mbi qiellin e të cilit kryqëzoheshin rrufetë.

Disa sosh, si më besnikë që ishin, i qëndruan konspiracionit që duhej të ruhej në të tilla raste, pasi kishte ardhur një kohë që aman o Zot, edhe në ajër ta kapnin “sekretin” dhe pastaj prite kur paralel të dëgjoje lajmin se iksi dhe ypsiloni, të mbështetur nga alfa dhe beta në Tiranë, në kryeministri e në ministrinë e arsimit, jepnin lajmin e regjistrimeve në universitetin më të ri që do të hapej e që do të mbante kushedi se ç’emër impozant, pasi kishte perenduar koha e pionierëve. Në këtë universitet, sipas gazetarucëve që njëshin e bënin dhjetë, do të jepnin leksione profesorë e doktorë shkencash, të njohur në tërë vendin për kontributin e botimet e tyre. Por do të ftoheshin kohë pas kohe edhe pedagogë të huaj, që nga Amerika e trillime të tjera për të rritur tirazhet e gazetave.

Tashmë pak kush nuk e dinte se t’u përmendje bashkëqytetarëve të tyre Amerikën ishte si t’u zije në gojë perendinë. Një refleksion të tillë ekuivalent e pat trajtuar në një simpozium shkencor edhe prof. Kot Koti, prandaj edhe Zyhdi Çeku, që hodhi në tavolinë propozimin për ta kthyer hotelin në universitet, i mëshoi fort këtij fakti, pasi ai do të ishte karrem për pinjollët e atyre që vdisnin për pak Amerikë.

Ndërsa thuajse të gjithë asaj nate ose biseduan me njëri-tjetrin, ose në monologje në dhomat e tyre të fjetjes, Maksut Mehmeti, alias MM, sa mbrriti në shtëpi i futi një telefonatë nënprefektit. Me të që në fëmijëri kishin ndarë të mirën e të keqen. Nëqoftëse nënprefekti qe më stoik dhe i qëndroi besnik klasës nga vinte edhe në kohën e diktaturës, hap e çel kanal në stacionin e zooteknisë, mbill e korr misër foragjer, pastro bajgat e lopëve e gadumet e kuajve, MM s’e pat atë “fat” të jepte kontributin e tij në frontet më të vështira. Arriti ta fusë kokën si normist, edhe pse nja dy a tri herë e kaluan punëtor. Po  sot largoje e nesër vinte urdhëri për ta rimarrë. Ec e gjeje pse-në! Po nëqoftëse pse-në nuk e gjeje, pësh-pëshet e hamendjet e njerëzve e bënin punën e tyre. Aq sa erdh një kohë që edhe ata të sërës së tij ia kishin frikën e nuk bisedonin të thëna e të pathëna me të për probleme të ndryshme të ditës, po ul e ço ekipin e futbollit e të volejbollit femra të qytetit që rivalizonin për titullin kampion kombëtar.

MM, si pjesë e administratës dhe jo e familjes së lopatës si shokët e tij, nënprefektit të sotëm, le ta quajmë NP, pra nënprefektit të ardhshëm të një kohë te re, si shokë fëmijërie, i krijoi ndonjë lehtësi. Fjala vjen, në disa ditë të fundmuajit arrinte  ta shkëpuste nga puna e rëndë dhe ta mirrte në një kthinë në formë zyre pas stallës së lopëve, ku hidhnin sëbashku ditët e punës dhe normat e punonjësve. NP-ja s’kishte se si të mos ia dinte për ndër e jo vetëm atij, por edhe drejtorit të stacionit, që e dinte këtë gjë dhe bënte sikur s’e dinte. Arsyeja qe e thjeshtë: nga krahu i tij qe familje intelektuale, me babain arsimtar të vjetër e të respektuar në qytet, por thuhej se një xhaxha i tij pat qenë i thekur pas mbretit Zog. Rrah këndej e rrah andej, dhe me punën që bënte krijoi profilin e të pazëvendsueshmit. Askush nuk kishte arritur që t’ia hidhte me ndonjë raportim fiktiv norme, veç në ato raste kur ai e mbyllte njërin sy.

Edhe pse akrepi i sahatit i qe afruar njëmbëdhjetës, Maksut Mehmeti nuk ngurroi dhe e mori në telefon NP-në.

-Hë, moj dushë, – iu përgjigj NP-ja si zakonisht me përkëdheli folklorike, – vazhdon të bësh jetë nate? Ende s’ke fjetur gjumë?!

Maksut Mehmeti u kujtua se po afronte mesnata dhe, helbete, qe në limitin e një kohe kur dikush e aq më shumë një nënprefekt nuk duhej të shqetësohej në telefonin fiks në familjen e tij. Po s’kishte përse ta linte punën e sotme për nesër.

-As kam fjetur e as kam për të fjetur sonte?

-Vërtetë? Epo diçka e rëndësishme të paska ndodhur!

-Aq sa po më helmon edhe gjumin, – foli në mënyrë të figurshme Maksuti, duke vënë në pah edhe njëherë prirjet e tij letrare, të shfaqura deri në maturë, pasi më tej i pat të prera rrugët. – Po helm sot e mjaltë nesër…

Tjetri në skajin e linjës telefonike heshti. Maksut Mehmeti e kuptoi se e futi në valle. NP-ja, edhe pse nën ombrellën e prefektit, për do punë qe prefekt e shkuar prefektit. Vërtetë që posti që mbante e vetë prefektura në krahasim me bashkinë ku lulëzonin tenderat e projektet qe pemë pa kokrra, kishte arritur t’i shtrinte fijet e influencës së tij në disa drejtime, me të njohur e të panjohur, mjafton që për një ndërhyrje që bënte të mirrte hisen e tij, hise që i bëri të mundur të blinte në Tiranë një apartament diku pas Muzeut Historik në emrin e një djali tezeje e t’ua lëshonte me qera disa të huajve që punonin për OSBE-në, zyrtarë të regjur, që edhe nëse ta thyenin një gotë qelqi, të blinin dy kristali.

Shkurt, në nuhatje NP-ja, qe qen kufiri.

-Atëhere takohemi nesër në mëngjes e pijmë një kafe tek “Iksi”.

-E kuptoj, e kuptoj, – iu përgjigj Maksuti. – Po të pres nga teta pa një çerek…

Së paku një herë në javë e pinin kafen së bashku në të njëjtin klub e në të njëjtën orë. Nuk qe puna se Maksut Mehmeti tregohej më i shkathët e hapte portofolin gjithnjë jo vetëm aty por edhe në klubet e peshkut bregut të liqenit, por ajo që s’paguhej as me lekë e as me dollarë ishte se të gjithë kuptonin se ata të dy s’e kishin tradhtuar lidhjen e kahershme e padyshim që kjo, sidomos Maksutit,  i shërbente për të çarë brenda dite në disa punë që dikujt tjetër do i duheshin edhe javë e muaj për t’u dhënë dum.

Si uli receptorin e telefonit në koridor, hyri në dhomën e pritjes. I biri po ndiqte një ndeshje ndërkombëtare futbolli. Bëri prapaktheu dhe hyri në dhomën e ngrënies ku e shoqja shihte serialin e 1012 të një telenovele.

S’ia tha mendja të hynte në dhomën e gjumit. Gjumin ua kishte vrarë Zyhdi Çeku me propozimin e tij. Nuk e shihte vehten askund. Të ishte ndonjë grackë? Nuk përjashtohej mundësia.

Se si, shikoi orën, edhe pse para se të fliste me NP-në e kishte parë akrepin që të shkonte njëmbëdhjetë e pesë. Po çfarë i shkrepi sërish? Mbase të zhbirilonte diçka tjetër.

Doli sërish në koridor dhe ngriti receptorin. Nga të gjithë aksionerët, me Njërin i hahej muhabeti. Meqë ai qe i çangazhuar nga edukimi i fëmijëve, pasi, siç edhe e dijmë dijmë, kishte kohë më të lirë t’i vihej nga pas. Mund të lidhej edhe më shumë me të, duke e ditur edhe sa shumë i peshonte kuleta.

Se si ndërsa mendonte ta mirrte në telefon i erdhi parasysh e shoqja e Njërit, hiret e së cilës s’kishte burrë t’u bënte ballë.

Mbase ky fakt qe tjetër shtysë që të formonte numurin e telefonit të Njërit.

Zilja e telefonit në shtëpinë e Njërit, jo vetëm për të, por edhe për Tjetrin, qe e lexueshme. Sapo kishin kthyer gotën e parë, pra qenë esëll dhe s’e patën të vështirë të kuptonin se dikush nga aksionerët donte një konsultim, ndaj dhe të dy u ngritën tek aparati, që të mos u ikte presja dhe të kishin mundësi të konsultoheshin qoftë edhe me shënja, nëse ai duhej në atë çast.

-Alo! Alo!

-O, zoti Maksut! Po ti në këtë orë? – pyeti Njëri, ndërsa i shkeli syrin Tjetrit, duke i dhënë të kuptonte se vallja kishte nisur dhe lum ai që do ta udhëhiqte!

-Kot, krejt kot të mora, më shumë të të pyesja se a i shpëtove rrëbeshit, se unë për vehte u bërë spirilang!

-Morëm një taksi tek hoteli…- i iku Njërit.

-Pse, më ke ishe?

-Vetëm.

-Sikur fole në shumës…

-Njëjës-shumës, s’po mirret vesh më  asgjë. Lesh arapi është bërë gjithçka, – i dredhoi me një finte presidentit të futbollit.

-Aaaa, thashë se mos u bëre bashkë me ndonjë tjetër…

-Fillikat, deri tek dera e shtëpisë…Po ti?

Maksut Mehmeti, armën e tij, tani më shumë se kurrë nuk kishte se si të mos e përdorte:

-Rastësisht, krejt rastësisht, ndërsa po qëndroja e po prisja nën strehën e hyrjes së hotelit se mos prante shiu, kaloi andej NP-ja me makinën e tij dhe…kuptohet…edhe pse qemë disa nën strehë, e hapi derën e saj dhe vetëm mua më thirri…

Njëri, edhe pse me një gotë të kthyer, pat aq koshiencë sa ta kuptonte triblimin që po kërkonte t’i bënte me NP-në dhe s’e hëngri atë kokërr ulliri. Desh t’i jepte një goditje e t’i thoshte mbase se kush e çante trapin për NP-në, por u rezervua se ku i dihej…Nesër mund të bëhej për ndonjë problem nevoja e tij.

Ia hodhi heshtën:

-Sikur ke diçka për të më thënë…

-Ashtu kot…Po mbase e lëmë për nesër të pijmë një kafe nga dhjeta tek “Iksi”, aty ku unë e pi me NP-në e të shkëmbejmë ndonjë mendim…

-A, për këtë më paske marrë! – se si i iku Njërit.

-Të betohem që s’do të flas për universitetin, – ia zbuloi petët lakrorit Maksuti. – Mbase të jepja ndonjë mendim për lidhjet e rinisë studentore me lëvizjen sportive e ekipin e futbollit që unë drejtoj nëse…

Para se t’i kthente përgjigje, shikoi nga Tjetri që mezi ç’po priste Njërin të largohej e ai të kalonte një natë të veçantë, nga ato netë si të njëmijë e një përrallave që të vijnë një herë në jetë. Shenja që ai i bëri për t’ia këputur tjetrit bisedën, qe sinjal më shumë urdhërues se sa mirëkuptues…Nga ana tjetër e telefonit dëgjohej alo-ja e Maksut Mehmetit, por nga që nuk mori më përgjigje, aloja ia lëshoi radhën pi-pisë. Zëre se u këput linja. Me siguri që ai e mori mesazhin, pasi nuk e përsëriti më thirrjen.

 

+          +

 

Pësh-pëshe nën strehën e hotelit në pritje të rënies së rrebeshit, përpjekje për lidhjen e miqësive të këputura, nëntekste, sinqeritete. Hoteli qe shndrruar në një pajton ku frerët kërkonte t’i mirrte secili e secili të ishte në pupe.

Siç sillej dikur dollapi që kafërtiste kafenë, ashtu silleshin edhe bisedat e aksionerëve, sa para, mbrapa. Shumë pikëpyetje e pikëçuditje. Halli i aksionerëve të hotelit tashmë i ngjiste një piramide egjyptiane ku hyje, po s’arrije të dilje.

Atë natë, në shtëpitë e tyre u konsumuan shumë valium, u thyen tre-katër termometra duke matur temperaturën e trupit disa herë, pasi tash kishin zagushi e tash mornica në shtat, pra hiq e vër e ajo e shkretë dihet se jeton përmes delikatesës, një cikje në kokë, ajo thyhet dhe zhiva humbet s’dihet se ku…Mbase ashtu po humbisnin edhe ato…Ec e kape zhivën!…

Mes ortakëve, që me gjuhën moderne quheshin aksionerë, për nga ndershmëria e formimi, Xhevat Drini me siguri që nuk përkonte me asnjërin e mund të peshonte sa të gjithë të tjerët. Ai mund ta kishte vendin në ndonjë akademi, po jo aty. E megjithatë, i marrë në fillim nga vala e më pas i cytur nga i biri se sa nga ndërgjegja e formimi i tij, s’kundërshtoi të qe mes aksionerëve të hotelit, me qëllimin e mirë që të birit t’i linte atë që ai nuk e gëzoi: pasjen.

Tollovia që shkaktoi propozimi i Zyhdi Çekut për ta kthyer hotelin në universitet, sikur atij i zgjoi një ëndërr të kahershme, pasi ia njihte potencialet shkencore qytetit të tij dhe një brezi të ri nga shtresa e të burgosurve e të përndjekurve politikë që po kryente në Europë shkolla të larta në profile të ndryshme. Nuk i pëlqente nxitimi që kërkohej. E dinte se pas nxitimit mund të vinte rrëzimi. Ishte rrëzuar një herë në jetë dhe s’donte të rrëzohej më.

Për fat që asaj nate i biri nuk qe në punë në doganë dhe në atë hata shiu që shpërtheu, erdhi dhe e mori me makinën e tij.

As pesë minuta dhe nusja e të birit i vuri një filxhan të madh çaji me limon përpara dhe ai e falnderoi me sy për trajtimin e veçantë që i bënte. Avulli bënte spirale. Spirale i bënin edhe mendimet. Mbase pa vetëdije, Xhevat Drini  u ngrit nga poltroni dhe shkoi tek aparati telefonik në koridorin e shtëpisë dhe formoi numurin e kishës françeskane. Edhe pse qe vonë e shiu përplasej mes vetëtimash pa pra, dikush iu përgjegj në kindin tjetër.

“Po, po, – dëgjua mbytur, siç mund të jetë zëri i një të përgjumuri, – e di kush je zotnia jote, se kena bisedue edhe herë të tjera bashkë…të njoh nga akcenti hundor e nga g-juha…Po ta thrras vëllain, se e lashë në bibliotekë tue rrmue në një libër të dom Ndoc Nikajt…

Mbet në këmbë tek e priste vëllain e tij françeskan, ndërkohë që në koridor ia behu nusja e të birit.

-O ba, të sjell një karrike e të mos rrish në këmbë!

I bëri me shenjë që nuk ishte e nevojshme, po ajo përkujdesje e saj ia ngrohu shpirtin. Ia kishte ngrohur shpirtin qëkur i biri u fejua me të. Zoti nuk i pat falë vajzë, po ajo i doli bijë e shkuar bijës. Edhe pse e dinte fort mirë se mes brezash ka diferenca perceptimesh realiteti e ato aty-këtu shfaqeshin edhe mes të birit e nuses së tij, përsëri e ndjente se në familjen e tyre nuk ishte hendek i pakapërcyeshëm. Harmonia mes çiftit, djalit dhe nuses, sikur e rinonte atë e të shoqen, e bënin t’i gëzoheshin jetës që u kishte ardhur sa pa rënë për ta sipari i jetës.

-Alo, alo, – përsëriste ai në pritje të atit, vëllait të tij.

-O babë, hiqe atë dreq receptori nga veshi, a je tuej ndigjue se çfarë po bëhet jashtë? – e këshilloi i biri, po ndërsa atij nuk iu shterren këto fjalë, nga ana tjetër e linjës i doli ati. Xhevat Drini i  tha shkurt se përse e kishte marrë.

-Zbardh dita nesër, o vëlla!

-Atëhere po të pres në shtëpi.

Desh t’i thoshte se nuk ndjehej aq mirë sa të takoheshin tek Kafja e Madhe, si zakonisht ku edhe qytetin e kishin si në shuplakë të dorës, po atë që s’ia tha Xhevati, ia kujtoi françeskani:

-Paç faqen e bardhë, e di se shtëpia yte është edhe e imja, po tek Kafja e Madhe edhe unë çel sytë, se mbeta mbi libra në kuvend.

S’ia kish prishur asnjëherë vëllait katolik e s’do ia prishte as në këtë rast, pasi e dinte se zhgunin françeskani kishte të vetmen ngjyrë të zezë në tërë qënien e tij.

Pasi uli receptorin, shkoi në odën e pritjes. I biri po ndiqte një bisedë politike në televizor. Telekomanda qëndronte në një tavolinë rrethore mesi. Ndrroi kanalin.

-Babë!

E shikoi të birin. Ngrohtësinë e atij shikimi e kish rrallë njeri. Ajo gjunjëzonte edhe atë që mendonte kundër.

-Ia kemi pa sherrin politikës trashë, o bir! Ky që të ka trullosur ty si shumëkend është i konvertuar në demokrat. Tek çdo engjëll gjatë gjithë jetës flë një djall…Mos e zgjo atë kurrë me ndonjë mbrapshti, se  shndrrohesh vetë në djall sa askush s’mund të fusë më në shishe…

-Po ti vetë më ke thënë se çdo njeri ka të drejtën e ndryshimit.

U përtyp lehtë.

-Po, ashtu të kam thënë e ashtu po të them, por pasi të jetë pastruar në shpirt. S’ka ujë të kulluar në një kënetë.

-S’po të kuptoj, ti ia ke dhënë edhe votën këtij…

-Po, po, edhe kjo është e vërtetë…Më mori orteku i revoltës edhe mua…Po jo vetëm mua…E di si një e një bëjnë dy se votën DP-së ia kanë dhënë edhe mjaft komunistë të thjeshtë e familjarë të tyre, se u kishte ardhë edhe atyre thika në asht e s’kishte ç’ka me u hangër mica mbas darke e se dilnin si gjithë të tjerët që menatë për të marrë një shishe qumështi sepse mbarohej shpejt…

-Ky ndryshon, – vazhdoi i biri. – Ka dhe mbështetjen e Amerikës e të Europës…prej tyre Shqipëria do të bëhet Zvicër…

E shikoi të birin me dashamirësi, me atë brishtësi ndjenje që mund të shohë ati birin që e kishte lënë në djep dhe e kishte gjetur të burrëruar e me fëmijë në prehër.

-Ai që ti po dëgjon ka qenë komunist i thekur…

-S’mund të çante ndryshe…

-Edhe kjo s’përjashtohet…Siç nuk përjashtohet se ai ka bërë një nga dëshmitë më tronditëse të një komunisti të kohës së tij…të çohej në litar një njeri që në mes të Tiranës shpërndante trakte kundër diktatorit…

-O ba, po përse t’i zëmë besë një të lajthituri…Ti vetë më ke treguar se edhe në kamp kishte spiunë nga radhët tona, ngatrrestarë, intrigantë, shpifarakë, paditës…Përse të mos mendoj se atë të trakteve sot e ka përpunuar SP-ja për t’i hedhur baltë një udhëheqësi të DP-së?

-Me atë unë kam qenë në një kapanon…kemi mbushur e kemi shtyrë një vagon…Ma ka pas treguar në mirëbesim…E kujtonte fort mirë njeriun që këmbëngulte para trupit gjykues të thoshte mendimin e tij…kushedi se atë propozim për ta çuar në litar të pandehurin do ta përdorte si pasaportë për të kaluar postobllokun e bllokut, për të siguruar specializime jashtë shtetit…

-Atje e çoi aftësia e tij…thonë se ka qenë i jashtëzakonshëm në profesionin e tij…

-Jemi duke folur për të sotmen, o bir. S’jemi duke folur për fatin e karrierën e një individi, por për fatin e një populli. E kupton, për fatin e një populli.

-Babë, ta marrsha të keqen, as unë e as ne s’e patëm keq prej tij, më bëri drejtor në doganë…Dogana po lëviz e kur lëviz dogana, lëviz jeta, puna, tregtia. Dogana është barometër në kapitalizëm, ba!

-Mos deshe të thuash lokomotiva? – nxitoi të thoshte Xhevat Drini. – Lokomotivë është dija…Ke dëgjuar ti se ç’investime kolosale bën perëndimi për shkencën, për shpikjet…

I biri nuk ia përçmoi mendimin, por as nuk e kundërshtoi, siç edhe bënte këto kohët e fundit ç’se qe bërë drejtor. Mbase herë-herë harronte se nuk ishte në zyrë ku ndeshej me gjithfarë fundrrinash, të cilët po bëheshin pasunarë e që kërkonin me rrushfete të kalonin maune me mallra pa paguar një kryq leku ose për të paguar sa për të mos thënë se dolën të palagur. Të atin e respektonte si perendi për çfarë kishte vuajtur. Në fund të fundit, edhe postin që ia dhanë, e kishte prej së kaluarës së babait të tij e jo prej asaj copë mature me korrespondencë që pat marrë.

E shikoi të atin në shenjë pendese. Sakaq, i zoti i shtëpisë, pas asaj që i tha të birit, sikur erdh e u përqëndrua më shumë dhe e rrethoi sërish propozimi për universitetin, pasi ai mund të bëhej lokomotiva e mendimit elitar të qytetit të tij. Një universitet  jo si ai i shtetit, për të cilin romancieri S.D. i pat thënë se ai nivel ishte i barabartë me atë të shkollës 8-vjeçare të djeshme, ndryshe, në mënyrë të figurshme, ai e quante universiteti i shkollës 8-vjeçare…

Mendoi kështu dhe shikoi nga i biri…Nuk desh ta zgjaste më me të, pasi e dinte se nuk mundi t’ia siguronte jetën siç edhe e meritonte. Këstet e ish të burgosurve ku bënte pjesë po jepeshin vetëm nepër lajme gazetash e premtime elektorale. Ishte njësoj si dje, të ngopeshe me lugën bosh. Tek e fundit, i biri me postin që i dhanë,  mori një diçka të mohuar dje, pasi ia njihte inteligjencën e mprehtësinë në gjykime, edhe pse këto kohët e fundit, qyshkur u vesh me pushtet, po bjerrte disa nga cilësitë që e karakterizonin.

Diku shkrepi. Po më përpara një tjetër mendim. I biri, atë post nuk do ta kishte të gjatë nëse nuk mirrte diplomën e së lartës…Në shkollë të mesme eci rryeshëm, pasi e dinte se me barrën e njollës biografike mbi shpinë, me baba ish të dënuar politik e që hapte kanale në fermën bujqësore, edhe shkëlqyeshëm të dilte në mësime, s’do i jepej një e drejtë studimi në asnjë fakultet…I hyri një profesioni…mirë bëri se nuk do i hiqej lopata nga dora në ndërmarrjen bujqësore ose në stacionin e zooteknisë. Po kjo i takonte së djeshmes. Edhe pse kur takohej me babain në burg ai e këshillonte t’i hynte një gjuhe të huaj në mënyrë autodidakte e të mos e hiqte librin nga dora, i ranë në kokë aq halle sa s’mundi t’ia plotësonte dëshirën e tij të kahershme dhe mbeti gjysmak, me atë të mesme korrespondence. Fatmirësisht mësoi italishten e rrapa-shkrap serbokroatishten, falë një fqinji moshatar, me të cilin shoqërohej derisa e morën ushtar dhe e dërguan në repartet ushtarake të punës, pa pushkë.

Shkrepi prapë. Sikur ajo shkreptimë i formuloi edhe pyetjen:

-Goni, ti do të vazhdosh shkollën e lartë? – e pyeti me zërin e tij me ton të ulët, edhe pse vazhdimisht në biseda përpiqej t’i injektonte të birit domosdoshmërinë për të vazhduar të lartën, po hë sot e hë nesër dhe afatet e regjistrimeve mbylleshin e pritej viti tjetër. Shkurt ai po i bënte konçesion të birit me moskëmbënguljen e tij.

-O ba, – iu përgjegj i biri si gjithmonë me respekt, – mos i fut vehtes siklet. – Sa të jemi ne në pushtet, s’ka bulodoz që na shkul prej vendit.

Xhevat Drini u përhumb. Ia dinte hilenë e vërtetësinë asaj përgjigjeje. Po pse i biri e dashuronte vendnumronë? Për rrogën e mirë që mirrte? As mendonte se do të bënte shkelje, siç përflitej për shumë pushtetarë. Diploma do ta mbronte pas një dekade, pasi e dinte se më shumë se pushteti, koha përmbys të papërmbysurën. Filizi i ri zëvendson trungun e stërlashtë.

E teksa mendonte kështu, iu fanit sërish propozimi i  Çekut. Universiteti i tyre që mund të hidhte shtat në vend të hotelit të zvjerdhur. Kishte ndodhur ç’kishte ndodhur dhe nëse nesër universiteti do të hapte dyert në godinën e hotelit, edhe i biri mund të regjistrohej e ta fuste diplomën në xhep. Me siguri që për bijtë e aksionerëve do të kishte lehtësi në pagesat e regjistrimeve e mbase dhe në përzgjedhjen e degëve.

Desh të thoshte diçka, po u frenua. Seç ndjeu një si shtërngim të lehtë në zemër. Mbase të krijuar edhe nga fakti se e kish ëndërruar të birin me diplomën e së lartës shumë më përpara e jo sa dikush të mendonte se nuk i bënte ballë universitetit shtetëror.

-Sikur deshe të thuash diçka, ba!? – e pyeti i biri.

-Po, vërtetë…Ti e di se diploma yte është pengu im…

-Po ç’i fut kasavet vehtes, o ba! Mos jeto më me frikë, se ka perenduar koha e tyre…

Drini u ul në poltron. Foli:

-Më kujtohet libri i një poeti të ri që na e pat sjellë një shok qelie. Si shumë libra të tjerë të realizmit socialist. Po se si çensorëve u kishte shpëtuar një poezi. Nuk e kujtoj të gjithën, po dy vargje nuk i harroj: “E ku i dihen rrugët kësaj jete/kushedi ku përgjon fundi si kusar…”.

I biri e dëgjoi, po nuk i ktheu përgjigje, i bindur se i ati dinte çfarë thoshte, ndërkohë që Xhevat Drini ndezi një cigare.

-O babë! – iu drejtua i biri, si për t’i kujtuar këshillën e doktorit të zemrës që të mos e vinte më në buzë.

Megjithatë ai e ndezi dhe nuk e zgjati. Donte ta kishte një shok në atë trazim shpirtëror. Por zilja e derës së shtëpisë binte pa ia nda dhe ajo ia davariti mendimet.

Me sy e pyeti të birin se kush mund të ishte në atë hata që bëhej përjashta, pasi ai nuk priste askënd. Iu përshkua nepër mend një kushërirë e tij që pritej me sot e me nesër të mbyllte sytë, por shpejt u kujtua se djali i saj kishte telefon. I dogji. Mos ndofta ndonjëri nga aksionerët vinte të konsultohej për propozimin e bërë? Nuk përjashtohej, pasi, në çastin kur Zyhdi Çekut e pat bërë atë, gjithë vështrimet u  përqëndruan tek ai.

I biri nxitoi të çelte derën.

Çërr-çërrat që vinin nga koridori, disa zëra burrash e bënë të hidhte hapin e një sy. Dy alamet zdapash, që kullonin currila uji mbi mushama nga koka tek këmbët sa edhe këpucët kur hidhnin hapat u bënin plluq-plluq, lanë në mes të koridorit dy batanie të lidhura si bohçet e dikurshme. I biri futi dorën në xhep që t’u jepte diçka, po njëri sosh nuk vonoi të thoshte: “Na e ka dhënë hakun zotni Vili…”. Kaq u desh që Xhevat Drini të kuptonte se i biri i kish hyrë një rruge qorre, që s’të nxirrte askund. Në sy të dy hamenjve bëri sikur u përshkua nepër koridor për të hyrë në banjo, por vështrimi i tij i foli të birit më shumë se çdo fjalë.

Si u mbyll dera e të sapoardhurit shkuan në punë të tyre, as pa iu dhënë një karamele, Xhevat Drini nuk u durua dhe e pyeti të birin shkurt e prerë:

-Ç’punë ke me Vilin?

Mbase i biri, Goni, priste ta pyeste se çfarë kishin brenda ato dy batanie, por siç duket ajo do të ish një pyetje retorike, ndaj dhe iu përgjegj:

-O ba, gjyshi një herë më ka pas thënë se peshqeshin e pranon edhe mbreti…

-Peshqesh? Nga Vili? Batakçi i ati e batakçi i biri! S’e kam dëgjuar një fjalë të mirë për të. E ke pasë shok fëmijërie në 8-vjeçare, po ç’dreqin të lidh ty sot me të?

Goni u përtyp. Nuk e kish gënjyer kurrë e nuk do ta gënjente as tani.

-S’kam çfarë të të fsheh…Sot e ndihmova të kalonte disa materiale…Don të çohet në këmbë edhe ai, të hapë të parin supermarket për qytetin…Për qytetin baba gjithkush e ka për detyrë të bëjë diçka që qyteti të mos ia harrojë…Tregtia është edhe ndershmëri, edhe dredhi…Fiton ai që di të dalë në breg…Ba, kanë ardhë kohë të reja…

I ati e shikoi të birin, edhe me habi, edhe në formë qortimi. Po s’kishte përse të heshtëte.

-Tregtar ka qenë edhe im atë dikur, por për kokë të tij bënte gjithë Pazari i Vjetër, edhe pse jo si shumë të tjerë ia paguante taksat shtetit kokërr më kokërr. Dhe e di pse? Se duke ia dhënë shtetit të tij, ia jepte vehtes e klasës së tij…Se s’ta shiste sapunin për djathë…Se nuk të bënte hile…Blinte me shumicë e shiste me pakicë…Mirrte nga barbullushasit që punonin në tokat e tij çfarë i sillnin, pa ua vënë kurrë litarin në fyt…Kur fitonte më shumë se ç’mendonte, u bënte pajën edhe vajzave të familjeve të këputura e dasmën pa e ditur askush se ai ishte autori, apo donatori siç ia thoni ju sot…

-O ba, me atë që fitoi sot prej meje Vili, një televizor e një shporet me korent janë burnut në hundë…Sot kështu funksionojnë gjërat…

-Çfarë? Po ç’të thashë deri tash për gjyshin? Ato të holla që do të paguante Vili yt në doganë, pra që do të futeshin në xhepin e shtetit tonë, shkuan në xhepin e tij…

-Ba!…

-Dhe këtë ti ma tregon si një barcaletë…

-Ba! Të lutem…

-Ti ma thua këtë? Ti, i biri i …

Nuk arriti ta zgjasë, pasi e kapi një shtërngim zemre, mundi të ulej në poltron dhe disa sumbulla djerse ia mbuluan ballin.

I biri u trondit, e mbajti që të mos rrëzohej, ia hoqi cigaren nga dora dhe ashtu i zverdhur, si shkaktar i asaj gjendjeje, s’dinte se çfarë t’i thoshte, pasi ishte i bindur se do ta thellonte edhe më shumë gabimin e hapin që kishte hedhur duke i hapur një shteg Vilit, shteg ku nesër mund të kalonin edhe të tjerë…

Nxitoi t’i sillte një gotë ujë, po më përpara i ati mundi të fuste një trini-trin nën gjuhë.

Teksa bënte të tilla veprime, Goni mendonte edhe diçka tjetër, atë që i kish propozuar Vili: të linin shtëpinë e vjetër dhe të mirrnin atë që u kish ofruar ç’prej një muaji, ai që në përpjekje për të mbledhur fonde për supermarketin,  vilte taksat e dyqaneve që po shtoheshin përditë. Një për shtetin e dy për vedin, – siç e ngacmonin sa herë rrinin si shoqëri Dulla, shef i kulturës në bashki, pra në një vend ku puna hupte si vaji në lakra. Kështu që gjente kohë të mendonte e të stërmendonte, por dhe të bënte humor me këdo, edhe pse shpatullat i kish të ngrohta, falë dhëndrit të tij në komisariatin e qytetit.

Vili u tregua më praktik se të tjerët: nuk u muar as me pësh-pëshe e as me punë direkte politike, mori tokën e tij në zemër të qytetit dhe aty me ndihmën e një arkitekti e të një shoku shkolle që pat ngritur një shoqëri ndërtimi, nisi të hedhë themelet e një 10-katëshi, që për kohën ishte “qiellgërvishtës”. Remitanca qe rritur koxha, fëmijët emigrantë në Europë e Amerikë u dërgonin thuajse çfarë fitonin jashtë dhe që pa hedhur themelet, duke lakmuar zemrën e qytetit, i blenë hyrjet dhe kjo i dha një dorë të mirë Vilit për përshpejtimin e punimeve. Ndërkohë bashkia e qytetit i akordoi titullin e mirënjohjes për mbi njëqind të punësuar. Tani, me të hollat e emigrantëve dhe të artat e trashiguara nga familja e nënës që nuk qe prekur nga pushteti popullor, në katin e parë të pallatit konceptoi një supermarket, të cilin nuk e shiti, siç bëri me shumicën e apartamenteve. Por disa në katet më të mira, me nga dy balkone e me sipërfaqe bosash, i kish ruajtur për një ditë më të vështirë, kuptohet për të çarë përpara. Njërin prej tyre, mbase më të mirin, ia ofroi me marifet Gonit të Xhevat Drinit. Me pamje nga një shetitore e nga dy lulishte që s’kishte gjasë të ziheshin me ndërtime as sot e as mot. Insistoi e shoqja që të shkonin e ta shihnin, por më shumë insistoi Vili. Insistimi i tij e kish bishtin pas. Supermarketi mund të ishte ndër të parët në qytet, po ai duhej mbushur me mall, kryesisht elektronike, ku dhe uria qytetare qe më e madhe për kohën e ku trau i doganës  mund të bëhej bllok graniti apo re puplore.

Vili me të shoqen i ftuan një të djelë si çift për një kafe dhe prej andej shkuan të shihnin “qiellgërvishtësin” e tij.

“Shtëpinë e moçme e shihni edhe nga balkoni, – se si pat thënë Vili teksa ata hapnin sytë nga kurbatura dhe drita e dielli që rrihte qoshe më qoshe shtëpinë ç’se kur lindte e deri kur perëndonte… – Nënën e ke ende të fortë, zotni Xhevati mbahet…” – i qe drejtuar ai Gonit, me sytë nga e shoqja.

Gjithnjë Vili e linte një nëntekst, të lexuar thjeshtë e dukshëm, për t’i lënë pleqtë në shenjtërinë e tyre!…Të rinjtë me të renë, të vjetrit me të vjetrën…Një ngacmim që në mënyrë të pakuptimtë s’po i pëlqente gruas së kryedoganierit, se kish edhe ajo prindër që i donte si shpirti, edhe pse ai apartament  mund t’i jepte lirinë e munguar nga moralizimet e vjehrrit, i cili, edhe pse e donte dhe e hatronte, përsëri nuk mund të ishte në një valë me ëndërrat e saj për të shijuar jetën çdo ditë…çdo natë…Se Vili qe i bindur se karremi duhej t’i hidhej gruas së Gonit, pasi për shokun e tij të fëmijërisë e dinte se ai perendonte pas të atit.  Fjala e tij për të ishte ligj. Ndërsa, e shoqja e Gonit, edhe pse sa për sy e faqe mund të dukej se qe si bijë e vjehrrive, në nënndërgjegjen e saj nuk mund t’i duronte ato që rrinin “roje” sa herë mblidheshin si shoqëri e ktheheshin në shtëpi pas mesnate, kur nga magnetofoni tek koka e shtratit të vjehrrit jehonin veç këngë të moçme popullore dhe valse vieneze, kur më shumë e djeshmja se e sotmja mbizotëronte në biseda…

E ndërsa i biri u qetësua pasi e pa të atin ta mirrte vehten, ra zilja e telefonit. Goni mendoi se duhej të ishte Vili, si për të pritur një faleminderës prej tij, që atë natë të stuhishme kishte mbyllur jo një, por të dy sytë, për të kaluar elektroniket.

-Po, po, familja e zotit Xhevat Drinit jemi? Po zotëria juaj, kush jeni?…Ah, po, po, si nuk u njoh, po në fillim qe shumë zhurmë në linjë…por momentalisht babai është në tualet…ju e keni emrin në numeratorin telefonik…Besoj se për pesë minuta do ta keni në linjë…

I ati e shikoi sërish me qortim, po pastaj ai erdhi duke iu zbutur, pasi e kuptoi se i biri e bëri për të, që t’i jepte edhe disa minuta kohë sa të ngrihej nga poltroni e të vinte e t’i përgjigjej në telefon zotëri Salvator Palit, që njihej nga të gjithë si njeri serioz. Goni e dinte fort mirë se sa shumë e vlerësonte i ati Salvatorin, edhe pse me të rrallë e tek ishte takuar.

Në koridor hyri nusja e Gonit. Ngaqë djalin dhe vajzën i kishin nisur në Tiranë tek daja, ajo ç’prej një jave s’kish lënë film televiziv pa parë, madje ajo çuditej se si vjehrri i nënçmonte filmat serialë dhe qe aq i dhënë pas filmave të autorëve klasikë.

Interpretimi i saj para dy thasëve të mbështjellë me batanie nuk i pëlqeu aspak të zotit të shtëpisë, madje i la një shije të keqe. “O Zot, tha me vehte, është kjo nusja që njoh unë apo tjetër?”. Për nga natyra, e reja, inteligjente e kurioze, s’kish se si mos ta dinte se Vili po sillte haraçin e maunes pa doganë.

E dinte sa sa zët i kish vjehrri shtirjet, ndaj kur u ndesh me vështrimin e tij e la rolin që nisi dhe e pyeti direkt të shoqin, pa i bërë syri tërr:

-“Filips”, Goni?

-Besoj, – tha i shoqi, gjysmë me indiferentizëm…

-Edhe lavatriçja nga ato që bën italiani reklamë?…

-Besoj…

Xhevat Drini qe ngurrosë. Ç’dëgjonte poshtë e përpjetë, se rushfeti kishte plasur sheshit e qe bërë ortek, këtë nuk e vinte më në diskutim, por që edhe kontrabanda e karburantit, nga këndej-andej, bëhej nën hundën e policisë e të forcave kufitare, ku secila kish pjesën e tij…Madje dhe se gruaja e njërit prej aksionerëve, Ljuba, i mbante fijet e së keqes që ushqente një makineri lufte me naftë…

E ndërsa mendonte kështu, nusja vazhdoi:

-Atë që kemi në dhomën tonë, ia kalojmë gjyshit, në tonën kalojmë atë të odës së pritjes dhe të gjyshit ia dërgojmë një kushërirës sime në Lezhë se ende e ka bardh e zi…

Lavjerësi i orës së murit nisi të bjerë me atë tingëllimin e tij gati me nota muzikore. Qe relikja e vetme që i pat shpëtuar sekuestrimit të dikurshëm. Mbase nga që kontrollorët rrëmonin nepër arka, dyshekë, jastekë e nën dysheme dhe nuk e ngritën asnjëherë kokën lart e të shihnin se sa ishte ora. Mbase vjetërsia e mobiljes së tij nuk ua mbushi syrin ta rekuizonin. Kishte ardhur ora e tyre dhe ora e vjetër e tij nuk u interesonte.

Po tani, ora e kujt kishte ardhur? Koha e tyre apo ajo e batakçinjve? Ku dreqin i erdhi në mendje  kjo fjalë që përdorej rrallë e më rrallë, e jo si relike, por si një nga fjalët bazë të një poezie brilante të Ali Asllanit që e pat lexuar në burg e sidomos të dy strofave që ai i kish shkruar për batakçinjtë e dallaverixhinjtë kombëtarë të kohës së Zogut, po që i përshtateshin aq shumë ditëve tona:

 

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjve,
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve!
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

 

E donte dhe e çmonte poezinë…si tonën dhe të huajën…Poezia për të qe aristokracia e letrave…Atë që Balzaku kish gjasë ta përshkruante në një kapitull si askush para tij, Pushkini e shprehte me një strofë, me një varg…

Ra sërish zilja e telefonit. U ngrit mengadalë, si të kishte frikë se do e humbëte drejtpeshimin.

Vetëm me Salvator Palin i hahej muhabeti në tollovinë e aksionerëve. Në ato pak raste kur mblidheshin, rrinin pranë njëri-tjetrit, këmbenin mendime e qanin hallet së bashku. Edhe kur qenë jashtë shtetit në mënyrë të organizuar, me të pat fjetur në një dhomë. S’e thoshte një fjalë për një tjetër, nuk mirrte askënd nepër gojë, shikonte tymin e tij dhe qe i dhënë shumë pas nipërve e mbesave.

-O, zotni Xhevat, më fal se të mora në këtë orë të papërshtatshme, po desha të di se si e mendon zotnia jote si do të na shkojë kjo puna jonë…A s’të duket pak si aventurë kthimi i hotelit në universitet? Një turravrap…Sapo dëgjova lajmet…E dha edhe stacioni i “Zërit të Kombeve”…Prit nesër edhe gazetat, edhe opinionistët ta fryjnë si tollumbace.

Xhevat Drini kishte përpara dy bataniet e mëdha, që, me sa dëgjoi nusen e djalit, fshinin brenda tyre një televizor e një lavatriçe të kohëve të fundit…Se si për një moment iu shndrruan në dy arkivola…Mbase në arkivolat e së sotmes dhe të së nesërmes…Varrmihësi, rrushfeti, dallaverja  trokisnin në derë…Mbase dhe mashtrues si Zyhdi Çeku, edhe pse ai propozimin e tij nuk e quajti si një zgjidhje të gabuar, por jo në kohën e duhur. Në fund të fundit, hoteli i tyre ngjante me një lopë të plakur, me gjinj të shterruar. Ai, mbase më shumë nga të gjithë që ishin në hollin e hotelit ku po rrinin, e dinte se universiteti ishte univers. Lum kush di ta kthejë në teleskop dijesh. Ashtu siç e kishin kthyer shumë shtete, madje shekuj më parë…Edhe pse diploma e tij e marrë në Austri, s’i kish hyrë në punë asnjë ditë…Dinte shumë e më shumë për të se të gjithë sëbashku…Po s’kishte përse të bënte pesimistin as të mos thoshte atë që mendonte e të lozte rolin e optimistit.

– Oh, zotni Salvator, një universitet sipas konceptit tim është një hap përpara, por nuk ngrihet një shtëpi pa themele. S’kemi shumëçka duhet për një shkollë të lartë…E kam thënë dhe po e them….Mbi të gjitha s’kemi staf akademik…Në qytetin tonë bëhen a s’bëhen katër-pesë vetë me titullin profesor, por edhe ata janë nën strehën e shtetërorit…

-Po kanë rroga sa mezi mbyllin muajin…

-Ashtu, ashtu vërtetë…po kjo edhe mund të kapërcehet me një vullnet të përbashkët…Në këto vite demokraci secili prej nesh ia ka hedhur themelet së nesërmes së tij, ka ripërtërirë lidhjet e vjetra me Italinë e disa shtete të tjera europiane, ku baballarët e tyre kanë pas bërë tregti apo dhe kanë ndjekur e braktisur ndonjë shkollë…Ja, unë kam krijuar lidhje me dy shokë të mij të fakultetit, tek njëri në Austri qeshë vjet për vizitë me ftesën e tij…Ai djalin e kishte asistent-profesor…I pëlqente eksplorimi…Sidomos i vendeve për të cilët s’kishte shkallë njohjeje..Jam i bindur se një ftesë timen ai do ta pranojë dhe s’do ngurrojë të vijë e të japë leksione…Po është djali i një kapitalisti…dhe ti e di fort mirë se atje edhe një ciu-ciu e zogut duhet paguar…Ku kemi ne takat të paguajmë profesorë të huaj me peshë…

Pat një shkreptimë dhe linja elektrike dhe ajo telefonike u ndërprenë. Uli receptorin dhe duke tundur kokën, u plandos në poltron, pastaj u kujtua për diçka, mori në errësirë një qiri nga një qoshe e kontrabanakut dhe e ndezi.

Sakaq i biri me të shoqen kishin bërë zëvendsimet e duhura elektronike.

-Ba, si ndjehesh?

-Hapin e piu, – ktheu përgjigje nëna e Gonit, si të donte ta qetësonte të birin. Mandej, si më vehte i tha pranë bulës së veshit: “Kështu e ka saherë shqetësohet më shumë se ç’duhet…”.

Xhevat Drini edhe pse nga një shikim i turbullt e kuptoi se po “kompllotonin” kundër tij, nuk e prishi terezinë e as e dha vehten, por me një çakmak, ndezi edhe një qiri tjetër.

-S’kanë për të ikur gjatë dritat, o ba…

I ati e shikoi. Ai shikim gjithnjë kishte qenë qortim për të birin më shumë se çdo fjalë. Fjalët në raste të tilla nuk kishin kurrfarë vlere. Megjithatë nuk mundi të heshtëte:

-I ndeza në kujtim të ndershmërisë së djeshme…

Xhevat Drini shikonte nga flaka e zbehtë e qiririt dhe mendonte. Ishte ai që s’e kuptonte kohën apo koha nuk e kuptonte atë? S’dinte t’i jepte përgjigje një të vërtete: dje, klasa e tyre e shtypur, pra nën diktaturë, qe me e lidhur kurse tashti, tashti që ishte në pushtet, qe shprishur si mos më keq. Mes saj qe e vendosur bomba e pronës. Dosjet e padive nepër gjykata po bëheshin pilë e po i zinte pluhuri, shumë shtëpi të ish pronarëve po u binte çatia ngaqë vëllezër, motra, nipa e mbesa s’binin dakord për këtë e atë, për një pëllëmbë tokë a një avulli firmosnin edhe dëshmitarë të vdekur para njëzet vitesh, kuptohet nën një zarf me para që i çohej një plepisti[1]

Qyshkur pat dalë nga burgu, e pat vendosur të mos mirrej asnjë minutë me politikë, po virusi i saj s’e kish mëshiruar as atë. Megjithatë shpresonte ta nxirrte të keqen përjashta e atë kurrsesi, kurrsesi nuk donte t’ia linte në gen as të birit.

 

+++

 

Kështu ngjiste gjithnjë në këtë qytet me një kala të stërlashtë, me gurë qiklopikë e portale të daltuara që puthiteshin sa s’mund të fusje as tehun e thikës. Fryheshin lumenjtë, mbysnin tokat e shumë shtëpi katundarësh të ngritura pa asnjë konsulencë brigjeve. Pas netëve të tilla me rrebeshe e shkrepëtima, gjithnjë gdhinte një ditë e bukur, me qiell të hapur, uji largohej si hajdut, duke çliruar tokat e pushtuara, ndërsa në qytet duke lënë dhera, qese plastike e zhumile të tjera anëve të rrugëve të asfaltuara, që siç duket ishin produkt i bllokimeve të pusetave.

Dritat u kthyen, edhe pse nuk kishte zbardhur e qyteti nuk qe zgjuar, aty-këtu kishte shtëpi që llamburisnin.

Pronarët e hotelit s’bënë gjumë. Dikush ia kishte frikën propozimit të Zyhdi Çekut për ta shndrruar godinën në universitet, dikush qe entusiazt, dikush më i ftohtë, por të gjithë qenë të pagjumë asaj nate.

Me sytë kapuç, shumë prej tyre futën kokat nën rubinetet e lavamanëve për të hequr sëkëlldinë që i kishte pushtuar, sikur ftohtësinë e ujit e konsideronin aleat në mendimet e veprimet që do të mirrnin.

Këshillat e grave pas rrëfimit të mbledhjes e të propozimit të beftë të Çekut, ishin të lëviznin, të mos rrinin si zagarët e gjahtarëve në fermë të fllanzave.

Me idenë e lëvizjes u ngrit edhe Dyl Parruca. Në fakt ai nuk u ngrit, se në këmbë qëndroi gjithë asaj nate, me mendjen tek një mik i tij, që kish dhëndrin në ministrinë e arsimit. Ai do t’i tregonte më shkoqur se si e qysh. Madje një mendje ia tha që të bëhej bashkë me doktor Xhelën, pasi dhe ai kish plot njerëz në Tiranë që mund t’i hapnin rrugë, po sa ia tha së shoqes, ajo u hodh si ta zinte zekthi, pasi doktori njihej si Don Zhuan në rininë e tij. Më tepër kundërshtimi i gruas së Dylit vinte pasi ai asnjëherë nuk ia kishte hedhur sytë, shkurt e kishte shpërfillur. Vërtetë ajo nuk hynte në rrethin e vajzave bukuroshe të kohës, por trupin e kishte si pak të tjera e këtë konstatim e kish ndjerë prej kohësh, sidomos kur me grupe shoqërore sa qe gjimnaziste shkonin në miniplazhet e lumenjve përreth qytetit.

-Mos ma përmend atë pedarast! – se si iu shkëput ky shfrim së shoqes.

Ky etiketim sikur i zgjoi një instinkt vetëmbrojtje Dylit, që për forcë të zakonit, çoi dorën pas.

-Idiot ke qenë e idiot ke mbetë! – iu suall e shoqja. – S’e kisha për ty! Nuk e di se si më erdhi, po t’i ç’se ke ardhë nuk ke përmendë gjë tjetër veçse “të gjithë sot kërkojnë me ta futë…” Ku ta fusin ty, përveçse prapa?

Që kishin ardhë ditë të vështira, këtë Dyl Parruca e kuptonte. As duhej ta kujtonte karshillekun që i bënte mospasjes e as të kompensimit të pronave me tapitë me myhyret e turkut, po ashtu dhe hiset që i takonin së shoqes nga pjestimi i pronave me dy të vëllezërit, të cilët kishin tri vjet që nuk i flisnin njëri-tjetrit dhe që takoheshin vetëm në zyrat e gjykatës.

-Do ta marrësh? – e pyeti e shoqja, pasi Dyli në bisedë e sipër i tha se do të kishte ndeje në Tiranë dy-tri ditë.

-Nuk diskutohet, – tha ai me vendosmëri, madje në formë qortimi për të shoqen, e cila nuk duhej të vinte në diskutim gjërat e fiksuara e të domosdoshme për të.

-Arkaik! – shfreu ajo duke hyrë në dhomën e gjumit.

Dyl Parruca shikoi orën. Donte edhe një orë të zbardhte. Të nisej sa pa rënë drita. Nuk donte ta shihte dikush që e njihte e pastaj të qarkullonte fjala se…

“Ta marr apo të mos e marr?” – pyeti vehten si shikoi edhe njëherë portofolin, për të bërë llogaritë nëse i dilnin lekët e dollarët që zakonisht mirrte me vehte kur udhëtonte.

Po nuk i kishte dhënë përgjigje vehtes, kur e shoqja erdhi me jastekun e tij në duar, të futur në një celefon ngjyrë gri, që do të shërbente si maskim sa për të mos u bërë gazi i botës, pasi nga të gjithë të njohurit, madje edhe përtej, Dyl Parruca po linte nam me bredhjen e tij me jastek sa herë dilte jashtë qytetit e i duhej të flinte diku tjetër. “Nuk më zë gjumi në asnjë jastek tjetër, as me pupula pavodash”, i kish thënë njërit nga shokët me të cilët pat ndarë dhomën e hotelit kur gjithë aksionerët bënë vizitën e tyre turistike në Kroaci, “dhe bëra një gabimet më të mëdha që nuk e mora jastekun tim me vehte”, pat thënë.  Kaq qe dashur qe historia e jastekut të tij të mirrte dhenë.

Pas disa minutash, me jastëk nën sqetull, Dyli doli nga shtëpia. Dhëndrrin e mikut në Tiranë mund ta ftonte diku nga mesdita, të tre sëbashku mund të shkonin në një restorant ku drekonte vazhdimisht e ku servireshin meze të shtrenjta e të mira. Do ta zgjidhte kuletën, se kush zgjidh kuletën, dhe nuk e zbraz kot, e mbush më shumë se ç’e zbraz! Se kush ia kishte thënë këtë, nuk e kujtonte, megjithatë ai e mbante vath në vesh. Mbase një mësues që mbahej në dispozicion dhe që mirrej me mbledhjen e folklorit. Madje prej tij ruante në kujtesë edhe një thënie tjetër të urtë se “Kush jep, merr”, në kuptimin filozofik dhe etik, se psh i dhe një lypësi një pesëdhjetëshe, merr urimin e tij për fëmijët, s’i dhe bakshish një kamarieri, herën tjetër do të stërbythë dhe do ta vonojë porosinë edhe sikur tri tavolina të ketë në lokal. Pra, shkurt, duhej të mos kursehej, që të mirrte një mendim të pjekur prej dhëndrrit të shokut e mbase…mbase të bëhej edhe nisiatori i marrjes së licencës. Prandaj çfarë pat në portofol iu dukën pak, ndaj futi dorën në një libër të trashë ku mbante vetëm dollarët në qindshe, nxorri që andej pesë prej tyre dhe i bëri vëllezër me ato që kishte brenda në portofol. Mandej seç u kujtua, hoqi dy qindëshe prej andej dhe i futi në qafën e çorapit, pasi jo njëherë diku në rrugën nacionale, dilnin tash e parë si cuba ca njerëz që plaçisnin udhëtarët dhe zhdukeshin gjithnjë në drejtim të paditur.

-Ti e di, – porositi të shoqen Dyli, – askujt një çerek fjale. Sidomos po të doli kush nga aksionerët. Ata punën e tyre, unë timen.

Skuthllëku i tij e neveriste të shoqen. Po dhe individualisti që i shfaqej në çdo hap që hidhte në jetë. Sytë i kishte për të parë. Dilnin vetëm, rrinin nepër lokale vetëm, në plazh shkonin gjithnjë nga jugu që as të njihnin e as të mos i njihnin, shtëpisë nuk i bëri ndonjë restaurim që të binte në sy, vetëm se mbylli me një murator pikat e pullazit e ndërtoi derën e jashtme që desh po binte brenda. Askund me të tjerët. Qe njeri pa një shok dhe kjo nuk vinte se kishte frikë se në një shoqëri si shumëkush në ato vite dikush mund t’ia vinte syrin së shoqes, pasi ajo njihej për karakterin e sjelljen korrekte, po ai pat disa fiksime me të cilët edhe do të vdiste.

E shoqja e pa ashtu në gjysmë errrësirë duke dalë nga dera e jashtme e shtëpisë, se si iu shmang ca gropave të ujit e dritave të rrugës dhe mori kthesën për të mos u parë më.

 

+++

 

Ndërkohë Njëri, pas rënies së burisë së “Bencit” të Çim Qenit, doli nga shtëpia. Para se të hipte në taksi, mendoi se ku të rrinte, në sediljen para, pranë shoferit, apo edhe ai, edhe Vlora, te qëndronin pas. Se si i shkrepi dhe u rras në sediljen e parë, edhe me mendimin se ishte derë e madhe dhe se vendin nuk e kishte asnjëherë pas të tjerëve.

Për rrugë morën dhe Vlorën. Në llambushkën e brendshme të taksisë, hetoi se Vlorës nuk i la shije të mirë rezervimi pas, si më i moshuar që ishte. Po nuk e dha vehten, edhe pse ai që kishte nevojë për të sot ishte Njëri. Qe i bindur se në kthim do të ndrronin rolet, ai do të ishte përpara e Njëri pas.

Sakaq që po linin qytetin ende pa zbardhur drita, tek një kthesë në qendër, fashot e dritës së taksisë zbuluan Dyl Parrucën me një çantë plastike në duar.

-Pasha të lumin zot ky ka jastek brënda! – tha instinktivisht, i bindur se Vlora duhej ta dinte maninë e tij, pasi edhe pse i ardhur vonë, kishte mundur që si magneti të thithte pluset e minuset e secilit dhe t’i përdorte kur t’ua ndjente nevojën.

Dritat neon të rrugës i identifikonin në makinë si s’ka më mirë dhe s’kishin mundësi t’i fshiheshin ortakut të tyre, që me siguri ose priste dikë, ose të hipte në ndonjë makinë të rastit.

-Asnjë fjalë me të, se është skuth i madh, – e porositi Njëri dhe Vlora, që të mos e jepte vehten si bashkëpunëtor në këtë marrëveshje në sy të shoferit, veçse tundi kokën në shenjë pohimi, me dinjitetin e një bashkëpunëtori që ecte në një shinë me të. – Hiqet si naiv, por është skile.

Pas një shenji në sup, shoferi e ndali makinën bri rrugëtarit që pat ngritur dorën.

-Mirëmëngjesi, zotni Dyl! – e përshëndeti Njëri si kishte çelur xhamin e derës.

Tjetri, i zënë gafil, ia ktheu përgjigjen me gjysmë zëri, po s’e deshte vehten që ia bëhen ashtu papritur pikërisht ata që s’donte ta dinte se ai po lëvizte.

Tha diçka mbytur, sa të mos dëgjonte as vehten e tij.

Gjithsesi për Njërin e Vlorën nuk kish më hamendësime se përse ai gjëndej në atë orë e në atë vend ku shumëkush priste për të shkuar në Tiranë që menatë, kur kishte ndonjë nevojë të ngutshme e kur nuk kishte ardhur ende orari i lëvizjes së autobuzëve drejt kryeqytetit..

-Hajde, pra, dreqin e mos e zgjat, se Vlora ka një njeri të afërt të sëmurë, – sajoi në çast Njëri. Të dy, ai dhe Vlora e dinin se Dylin, me atë jetë të mbyllur që bënte, mund ta triblonin sa herë të donin, pasi jeta e bërë ia kish mbyllur dhe horizontin, nuk shihte përtej hundës së tij. Po ama, kur dyshonte për diçka ose kur e fiksonte se donin t’ia hidhnin, tjetërsohej sa askush nuk e njihte në ishte ai apo sozia e tij. Kështu kishte ngjarë edhe në 24 orët e fundit, kur ngjarjet morën një rrokopujë që në brendësi të shpirtit u bënë ortiqe në greminat e ndërgjegjes së tij.

Sa për të hapur muhabet, por dhe për të testuar se përse Dyli po shkonte të qëndronte disa netë diku jashtë Shkodrës, Vlora, si më i gojës, habi bisedë:

-Nuk e di po mbrëmë nuk kam bërë natë të qetë, fjeta a s’fjeta nja dy orë…

Sigurisht që Njëri s’kish përse përzihej në këtë bisedë, që e kuptoi se qe një karrem për të zënë udhëtimin e Dylit.

-Ti qënke nda mirë, bre burrë, ka të tjerë që s’fjetën gjithë natën…

-Çfarë? – pyeti instinktivisht Njëri.

-S’të besohet? Rreth mesnatës më mori në telefon Maksut Mehmeti. Medemek donte të dinte se nëse kishin nisur të lidheshin kontratat për futbollistët. Ju e dini se djali i vëllait është futbollist me “Çlirimin” e Tiranës”…

-Me “17 nëntorin”, – e ndërpreu Vlora, si më i lidhur me sportin.

-Ti quaje si të duash, unë e quaj kështu, se ka tre muaj që nuk ia japin rrogën.

-A, dmth edhe zoti Maksut?! – pyeti Njëri më shumë vehten se dy bashkëudhëtarët.

-Si ta kuptojmë këtë pagjumësi? – pyeti Dyli.

-Po ti aty ishe, Dyl Parruca, – sikur imponoi Njëri, – duke e shndrruar atë fjali në pyetje retorike.

Në të vërtetë, pa e ditur fare se ç’është pyetja retorike, Dyli e theu rregullin me përgjigjen që dha:

-Epo ai Zyhdi Çeku na e trazoi gjumin të gjithëve…- shfreu pa e mbaruar ende ai fjalën e tij.

U bë një pauzë e mbase për ta thyer të paekzistueshmen, shoferi nisi të vërshëllejë.

-Të lutem, – iu drejtua me politesë Njëri.

Taksisti e ndërpreu vërshëllimën, ndërkohë që pyeti:

-Po radion, ta ndez?

-Bëj ç’të duash, – iu përgjigj Vlora, – veç lajme jo. Na është ajë koka me to, – tha ai në gegnishten e tij të përzier me toskërishten, sa herë ia lypte nevoja.

Nga radioja erdh zëri i një këngëtari të njohur.

-Këtë këngën e babait e ka qarë! Dhe fill pas saj e hëngri sa krahu. S’di se sa vjet bëri brenda!…Monument t’i bëhet! Edhe se si pakush i ka kënduar babait, edhe pse pat klas së kënduari…

Dyli në sedilje u trazua keq. Madje dhe shfreu, në përpjekje edhe për të mbështyrë, po ngaqë xhamat e makinës qenë të mbyllura, s’pat rrugë tjetër veç ta kapërdinte atë që desh të nxirrte përjashta.

Vlora, si më i stërvitur në zbulimin e botës së brendshme të të tjerëve, jo vetëm që e hetoi mosaprovimin e tij, por edhe e pyeti:

-Po ti, ç’pate kështu?!

-Hiç!

-Këtu s’po ka të huaj, – ndërhyri Vlora duke tentuar ta zbirilonte, siç bënte gjithnjë çfarë fshihte tjetri, pa treguar kurrë qoftë edhe një të fshehtë të tijën.

Mbase mospështyrja, ia zgjidhi gjuhën Dylit:

-E kam timin, mutin!

Njëri i ndërhyri me zhargonin që rrallë e përdorte:

-Mutin, të gjithë e kemi tonin…

-Pash të lumin Zot mos ma hiq dreckën…Se si ti kemi menduar edhe ne…madje për t’i ngritur një monument të bronxtë…Se kemi sakrifikuar për të kafshatën, që ta mbanim brenda si pashá…

-Futja kot!

-Futja kot ti, – iu drejtua Njërit dhe dy bashkëbiseduesit e tjerë e kuptuan se broka po e derdhte ç’kishte brenda me yrysh.

-Dyl Parruca, kam menduar se na njeh…Ti e di se ç’thuhet këtu, këtu mbetet. Sa për shoferin, ai është gur varri.

-Jo, bre burrë! – u ndje i fyer taksisti.

-Në kuptimin figurativ – ndërhyri për të zbutur gjakrat, Vlora. – Që nuk flet çfarë dëgjove e do të dëgjosh…

-E, kështu po, – tha me naivitetin e tij shoferi, që përgjithësisht njihej si njeri babaxhan e që kish pritur e shetitur me qindra e mijëra njerëz të kallepeve të ndryshme.

-Si pashá jetojnë vetëm pashallarët, – tha Njëri, jo aq për ta kundërshtuar Dylin, por për ta bërë që të tregonte diçka që nuk e dinin.

-Idiot! – shfreu taksisti, teksa i dha një të prerë timonit nga e djathta.

-Janë të pirë! – tha Dyli, si për të dashur t’i bënte bisht bisedës e të sqaronte tetat që bëri makina me të cilën u kryqëzuan.

Njëri e shikoi drejt e në sy. Ai vështrim i thoshte se edhe e besonte, edhe jo. Afërmendsh të trillonte, se nuk e zotëronte atë talent. Pra, mund të tregonte një diçka që edhe mund t’i shërbente për nesër. Universiteti për të cilin ia bënë haram gjumin asaj nate, s’do kish vetëm leksione e provime, por edhe të ftuar të fushave të ndryshme e pse jo edhe kantautorin e babait. Por kur gati u bind se Dyli s’do ta shterrte tregimin e tij, e ngacmoi:

-Unë për vehte e kam pasë idhull të muzikës! Kompozimet dhe interpretimet që u bënte këngëve të tij më linin pa mend…Ka në botë njerëz që nuk e pëlqejnë as Klaudio Vilën e as Domeniko Modunjon.

-Ka perenduar koha e muzikës së tyre, – ndërhyri Vlora, jo aq për ta kundërshtuar sa për ta ngacmuar Dylin, si për t’i thënë se e bukura kurrë nuk vjetërohet e aq më shumë të vdesë. -Mandej një hymën për babain…

Dyli nuk duroi. Mendoi se e keqkuptuan. Kaq ia priste, ndaj dhe ndërhyri:

-Se kam për babain, por për atë pizevengun…Më dhemb kur flas këtu se pështyj përpjetë e me bie në syrrat…se është imi…

-Të gjithë kemi pasë njerëz të familjeve tona nepër burgje e internime dhe të gjithë kemi sakrifikuar për ta…

-S’e kam fjalën aty e as jam penduar për çfarë ka bërë fisi im për të në ato vite që qe në burg…Racionet tona të mishit, të gjalpit, të djathit, të kafesë, gjithë fisi ynë, me një grafik, ua hiqte fëmijëve e pleqve që kishim nepër shtëpi që t’ia dërgonim atij…Dhe e gjitha në një konspiracion të plotë…Se edhe atij mund t’i pritej burimi, edhe ne mund ta pësonim, në një formë a në një tjetër…

-Këto kemi bërë edhe ne, – këmbënguli edhe njëherë Njëri. – Ka qëlluar që me time shoqe të mos hanim mish një muaj të tërë për t’ia dërguar një kushëriri nga nëna në burg që të përballonte me kalori edhe sëmundjen që kishte…Dhe nuk ma harroi as mua e as fisit…Madje vëllait të tij që u robtua aq shumë për të, ia shërbleu shumëfish. Meqë pas vdekjes së gruas e të djalit të tyre në aksident, me t’u liruar nga burgu, sa qe gjallë e me mendje të shëndoshë, nxitoi tek noterët, në kadastër e hipotekë dhe gjithë ç’i takonte, të tundshme e të patundshme, duke qenë i bindur për ditët e numuruara që i kishin mbetur, ua la me testament.

-Këtij i them burrë, unë, – nxitoi të fliste Dyl Parruca, edhe pse e dinte fort mirë si shumëkush se personin për të cilin po rrëfente Njëri e patën njohur dhe e dinin se ai s’pat trashëguar veç një shtëpie krevet, edhe do rraqe që mund të shërbenin për rekuizitën e teatrit, pasi ç’pat me vlerë e shoqja i shiti për të përballuar jetesën e tij e sepse nuk donte të rëndonte më tej të afërmit nga krahu i saj dhe i të shoqit.

– E jo ai pizevengu ynë, – shfreu sërish Dyli për kushëririn e tij kantautor, – që kur u lirua nga burgu erdhi edhe në qytetin tonë e dha një recital…Jo më që bileta s’i dërgoi askujt në fis, po as mori të paktën në telefon, edhe pse e dinte se të gjithëve na kishin dhënë numurat telefonikë të ish-partiakëve e pushtetarëve të djeshëm…

-Artistët të gjithë janë me huqe dhe e kanë një trill, – u përpoq të zbuste gjakrat Vlora, teksa me sy shihte Njërin si të donte edhe mbështetjen e tij.

-Huqe ka mushka, njeriu ka virtyte, – tha me kompetencë Dyli, duke u dhënë të gjithëve të kuptonin se ajo, që dikush mund ta quaj edhe aforizmë, nuk ish e tija po e qepur keq në kostumin e memorjes së tij.

Po binte drita. Dita dukej se pas gjithë asaj hataje të një nate më parë, edhe dhjetra kilometra larg qytetit të tyre po vinte e paqtë. Një erë e lehtë kish shtyrë tufat e reve nga jugu duke i lënë vend diellit të shfaqej i plotë mbi malet e verilindjes. Sigurisht që kjo qe një plus në hapat që po hidhnin. Që të tre, si çdo bashkëqytetar, e kishin zët shiun, pasi ai ua zinte gjysmën e vitit. Të udhëtoje drejt kryeqytetit me një ditë të tillë ishte luks. Jo vetëm se nuk kishin marrë çadra me vehte, se ato edhe mund t’i blinin, por se mund të bëheshin qull edhe nga këpucët italiane me shtroje të holla që ishin aq në modë atë vit e që thuhej se qenë destinuar atje për të vdekurit, por ngaqë u ish afruar skadenca, i patën kaluar në bregun tonë.

-Ditë e bukur! – tha taksisti, si të shprehte mendimin e të tërëve, kur nuk ke ndonjë gjë të veçantë për të thënë.

-Shumë e bukur! – thanë gati të tre me një gojë.

Po i afroheshin Tiranës. Dy policë të rrugores, qëndronin në ballë të rrugës së Zogut të Zi. Shiheshin që nga pallati i sportit. Taksisti uli shpejtësinë, edhe pse nuk tregoi ndonjë shenjë frike prej tyre se ishte në shkelje të ndonjë neni të rregullores së qarkullimit rrugor. Mbase e njihnin taksistin që e bënte shpesh atë rrugë, i dhanë shenjë të kalonte dhe ai i ra burisë dy herë në shenjë falnderimi që s’e ndalën për të paguar “gjobën” e zakonshme. Po ndërsa Dyli priste që të mirrnin kthesën e rrugës që të çonte nga spitalet, taksisti preu në të kundërt. Kjo e habiti dhe si i padjallëzuar, pyeti:

-Po ju sikur ishit nisur për spital…Ti Vlorë…- bëlbëzoi, si një nxënës që s’e ka mësuar mësimin apo i zënë në faj.

-Unë?!…Unë çfarë? – pyeti Vlora, i cili edhe pse shquhej për zgjuarsinë që e karakterizonte për t’i dalë çdo rrethimi a situate, gaboi në ngurrimin e tij, pasi harroi se çfarë i kishin thënë Dylit kur e morën në makinë.

Sqarimi i mëvonshëm i Vlorës, rrethuar me një rrenë të re, nuk bëri as më shumë e as më pak veçse, edhe pse qojle, Dyl Parruca e kuptoi se e kishin gënjyer si Njëri e ashtu dhe Vlora e se me siguri si ai, edhe ata po shkonin për të vjelë informacion e për të hedhur spirancën e shpresës tek ndonjë i njohur që kishte haber nga universitetet.

-Mua më ndalni këtu, – tha Dyl Parruca, po shoferi bëri me shenjë që aty ndalohej vendqëndrimi, dhe do ta ndalte sapo t’i krijohej mundësia e parë. Ajo erdhi shpejt, por përpara se të hapte derën e taksisë, Dyli që s’donte ta shiste vehten për koprac, hapi kuletën dhe nxorri që andej një kartmonedhë, po s’po dinte se kujt t’ia jepte, shoferit, Njërit apo Vlorës që mund të kishin bërë pazar me taksistin.

-O Dyl Parruca, një taksi për mua deri në Tiranë është burrnut në hundë…- tha Njëri, duke bërë kavalierin.

Se u dha apo s’u dha dorën bashkëudhëtarëve, nuk e kujtonte mirë, po atë fjalinë e fundit të Njërit e regjistroi dhe ia zbërtheu kuptimin, pasi tani mendja e tij punonte me një intensitet si kurrë më parë. Njëri tha “një taksi për mua”, pra taksia ishte e prenotuar prej tij dhe se Vlora qe shoqëruesi për…po, po, jugorët si më të gojës i kishin pushtuar me kohë universitetet shtetërore e do të pushtonin edhe ato private që do të ngriheshin e me siguri që Njëri kish gjetur njeriun e duhur për të mos dalë i humbur nga ajo çfarë i priste.

Taksia u fut pas disa makinash të tjera, njëra më e bukur se tjetra, po tanimë Dyl Parrucës nuk i bënte përshtypje më asgjë. Duhej të nxitonte të takonte mikun e tij, t’ia tregonte fije e për pé që edhe dhëndri i tij në ministrinë e arsimit, nëse ishte e nevojshme dhe e kish të mundur, të lozte të gjithë gurët. Sigurisht që nuk do të mbetej pa gjë, madje…Se si iu kujtua ajo çka ish diskutuar një natë më parë mes aksionerëve dhe një fjalë që s’ish e panjohur për të e për të cilën dy a tre veta prej tyre, si më të këndueshëm e të lidhur me arsimin, “licencë”. Sikur ajo ish një mal i pakapërcyeshëm. S’ishte aq buf sa e merrnin shumë prej tyre të mos e kuptonte se atë mal e kapërcente…Instinktivisht futi dorën tek portofoli që mbante në xhepin e brendshëm të xhaketës…Kish mbrritë me kuptue se licencë të ndershme e të pastërt nuk kishte. Si kandari që ka dy krahë, edhe liçensa në njërin krah ka firmën, në tjetrën…në daç dollarë e në daç euro. U dha këmbëve në drejtim të Selvisë, ku kishte shtëpinë miku i tij…

[1] Autori aludon për gjyqtarët e dalë si të tillë pas shembjes së diktaturës për 6 muaj në një godinë shtetërore tek plepat e Durrësit.

Kapitulli i katërt

Mëngjes i trazuar

 

Shumë prej aksionerëve të hotel “Pionierit” gjumi asaj nate u kish thënë lamtumirë. Një siklet i pat pushtuar të gjithë. Në raste të tjera pagjumësie shihnin televizor derisa i kapiste gjumi nepër poltrona, ndërsa sonte…Dukej se një dorë e padukshme t’u kishte bërë magji…Nuk mund ta përqëndronin vështrimin as një minutë në një kanal…I vetmi që e pa një film me 10 puntata që nga ora 12 e natës e deri në mëngjes qe pagojci. Zhurma e aksionerëve një natë më parë e pat hedhur në një gjumë të thellë sa nuk pat marrë vesh se çfarë qe thënë, ndërsa qetësia që ra pas rrebeshit të shiut, e la gjithë natën zgjuar. Ai qe përjashtim. Por jo vetëm ai. Edhe Zyhdi Çeku. Meqë u kthye vonë në shtëpi dhe pa se dritat e prof.Kotit qenë të shuara, e la që gjithçka qe thënë e stërthënë një natë më parë ta rezervonte për të nesërmen në mëngjes, duke e ditur se profesori nuk shkonte heret në punë e leksionet i jepte diku nga 10-ta.

E shoqja dhe i biri po shihnin një film dhe ai, si rrufiti shpejt e shpejt ç’i kishin lënë mbi tavolinën e kuzhinës, bëri hap drejt dhomës së gjumit, po…s’kish hedhur as dy hapa kur ia dha zilja e telefonit. Dhe sa ia ulte receptorin njërit, i dilte iksi e ypsiloni, shumica e aksionerëve që ishin informuar prej bedelëve të dërguar prej tyre, gjoja për të sqaruar këtë apo atë problem, aq sa iu duk vehtja si centralist. Dhe vendosi. E shkëputi linjën. S’kishte luajtur mendsh të rrinte gjithë natën duke tjerrë muhabetin me ta. Nëse ata s’kishin gjumë sonte, atij po i rëndonin qepallat. Thjesht se në atë tallaz që ngriti propozimi i tij, ai bënte përjashtim, e thërriste një gjumë i thellë, i bindur se betejën e kishte fituar pa e nisur dhe se propozimi i tij pat mposhtur gjithë propozimet e tjera, që silleshin si kali në lëmë rreth propozimit për ta kthyer hotelin në supermarket, pa pyetur fare se sikur ta hidhnin një hap të tillë, do të shpartalloheshin fare, pasi po flitej se supermarketi i ri i Vil Jerevisë e kish binjakun në Athinë.

Bëri një gjumë aq të thellë sa s’kish ndjerë jo vetëm hyrjen e bashkëshortes në shtresa, por pas disa orësh as daljen nga shtëpia e të djalit. Ai që ia trazoi atë qe zilja e hyrjes së tij që binte pa ja nda. Hapi sytë dhe mbeti i befasuar kur pa orën e dorës që po shkonte 9-të. Ashtu me pixhama doli tek dera, i bindur se duhej të ishte katundari që u sillte qumështin. Po sa e hapi derën, pa qiraxhiun e tij, profesor Kotin, me një buzëqeshje në buzë, i bindur se propozimi i tij të kishte zënë vend mes aksionerëve.

-Mendova se ke dalë, – tha ai dhe hyri si në shtëpinë e tij, pa pritur as për kortezi ftesën e mirëseardhjes të të zotit të shtëpisë.

Po se si po i dukej sot profesor Koti. Si i trembur, edhe pse përpiqej ta fshihte.

Qe e kuptueshme për Zyhdi Çekun se përse kishte ardhur. Prandaj i hyri drejt e në temë:

-Që thua ti, i dashur profesor, propozimi im, dmth propozimi yt për ta kthyer hotelin në universitet i ka lënë pa gjumë thuajse të gjithë. Në daç besoje e në daç jo, po mbrëmë, deri nga mesnata, s’mbeti kush prej tyre të mos më mirrte në telefon e të më pyeste jo për këtë e jo për atë. Po ia gjeta dermanin: e shkëputa telefonin. Diçka ju djeg, dyshojnë e ngurrojnë, s’marrin guximin të fusin dorën në xhep pa qenë të sigurtë se po dhanë një s’do të marrin dy. U dogjën një herë kur pranuan t’i ndrronin të gjitha dritaret e hotelit e t’i bënin duralomini, pasi klientët avulluan sikur dikush t’u kishte bërë magji e të kishte ngritur mbi tarracën e hotelit flamurin e piratëve…

Sigurisht që profesori gjithë sa tha ai i kishte parashikuar e nuk përbënte ndonjë risi, por më shumë donte të mësonte nëse kish folur apo jo aty Xhevat Drini, pasi ia njihte formimin e peshën, Salvator Pali që gjithnjë vitet e fundit shfaqej konseguent e jo puthadorë, Bato Ahmetaga fjalëpak e që njihej se shihte tymin e tij, por, në raste të veçanta, kjo nuk e pengonte të shihte edhe atë të të tjerëve. Për aksionerët e tjerë gjithnjë pat rezervuar zeron. Vetëm një njeri e veçonte, Suat Kordhën, por emrin e tij as e zuri me gojë. Kordha qe ngarkuar për një farë periudhe të shkurtër në grupin e punës të hapjes së dosjeve të pushtetarëve e partiakëve të sotëm dhe qe i bindur që për nga natyra e punës së dikurshme, të kishte rrëmuar edhe në dosjet e tjera të bllokuara të bashkëpunëtorëve të sigurimit. Të ishte ai që ia bëri telefonatën anonime sot në mëngjes?! Po përse i druhej hijes së tij, kur e dinte se sa strikt pat qenë kryetari i grupit të hapjes së dosjeve e se asnjë fletë prej andej nuk mund të nxirrej pa lejen e tij?! Suat Kordha qe shumë plak për aventura të tilla që ai më mirë se askush e dinte se sa të kushtonte, por dhe për faktin tjetër se nuk kish përkrahje politike, pasi partia e tij qe hija e së kaluarës, të cilën pushteti i sotëm nuk e pyeste më as për osh e as për balosh, por që e mbante nga pas si kone dhe e bënte sus me një vështrim? Mbase mund ta mësonte pas ikjes së tij në botën tjetër nëse i kish lënë të birit ndonjë fletë a informacion nga dosjet e bashkëpunëtorëve të sigurimit e nëse mes tyre mund të ishte edhe e tija, pasi Suati qe në moshë gjyshi i aksionerëve. Prandaj me të birin e tij në një mënyrë a në një tjetër duhej të krijonte lidhje.

Edhe pse qe mëngjes, anonimi i telefonit iu shndrrua në një fantazëm. I druhej se një ditë dikush do ia zbulonte petët lakrorit. Edhe tani, pas kaq orësh, ndjente mornica në shtat.

-Alo, familja e profesor Kotit? – i vinte jehona e zërit të fantazmës.

-Po, profesori jam…urdhëroni…kush jeni ju?

U bë një pauzë e shkurtër.

-Ke të fala nga profesor Plot Ploti! – vazhdoi anonimi.

Në një tjetër rast edhe mund të mendonte se dikush po bënte humor, por parulla e thënë pas shumë e shumë vitesh e gati e harruar e drithëroi si një gjethe që mezi i rreziston erës së fundvjeshtës?

Profesorin e mbuluan djersët. Fatmirësisht në atë moment në koridor ku mbanin aparatin e telefonit nuk qe asnjë nga pjestarët e familjes, pasi s’i mbet fije floku pa iu qullur nga djersa e ind pa iu dridhur nga sikleti, sa desh e humbi ekuilibrin. Rrethoi kokën me duart që i dridheshin dhe ndjente se zemra i rrihte aq shpesh sa sikur donte t’i dilte nga krahërori.

Meqë pas ndrrimit të sistemit kishin kaluar disa vite, pat menduar se kontributi i tij jashtë shkencor qe mbuluar nga pluhuri i harresës, ose dhe më mirë, denoncimet e tij t’i kishin përfshirë flakët ose të ishin hedhur në brumatriçen e ministrisë së brendshme, siç flitej poshtë e lart për të shpëtuar bashkëpunëtorët e dikurshëm. Por përmendja e parullës dhe e pseudonimit të tij nga anonimi i telefonit tregonte se ai qe ende i skeduar, diku me një dosje, që po të hapej s’i mbetej alternativë tjetër veç të lidhte një gur në qafë e të hidhej nën këmbët e urës së lumit. Dhe teksa rrinte ashtu si i mpirë, truri i tij riprodhoi çastin që s’do t’i shlyhej kurrë nga kujtesa:

“Shokët e udhëheqies kanë një mendim shumë të mirë për ju, profesor…sidomos gjatë demaskimit të grupit të priftërinjve ju treguat se jeni komunist pa triskë partie…Dhe si i tillë shpejt do të jepet një specializim për jashtë shtetit…por sa të plotësohen dokumentat, duhet t’i bësh sytë katër e veshët pipëz në katedrën tuaj…Kemi një të dhënë se dy pedagogë, kolegë tuaj, G-ja dhe Gj-ja, jo vetëm që kanë mendime antiparti, por në mënyrë të kamufluar ato po i përçojnë edhe tek studentët në këmbim të një note kaluese…Pra ti atje do të jesh syri dhe veshi ynë, profesor Koti. Që sot e tutje ti do të kesh pseudonimin profesor Plot Ploti…Një herë në muaj, rreth orës 9-të të mbrëmjes, do të shkosh në shtëpinë e folkloristit H. Hyrjet e daljet në shtëpinë e tij do të jenë të motivuara, si të një linje, pasi ai njihet si bashkëpunëtor shkencor i katedrës tuaj…Si vejan që është, për hyrjet e daljet në shtëpinë e tij të mos kesh asnjë frikë se dikush do iu përgjojë. Atij do ia japësh të dhënat, me shkrim, me datë e me firmë…çdo dekonspirim nga ana yte e kësaj detyre e ka sinonimin: Spaç!..Mirë e thashë profesor Plot Ploti?!”

Vizita e nënkryetarit të degës së brendshme në zyrën e katedrës së tij u motivua me humbjen e një arme në stërvitjen e çetave vullnetare të studentëve dhe gjithkush e njihte dhe e pa të hynte e të dilte në fakultet e kuptuan se ardhja e tij lidhej me karabinën e humbur.

Edhe pse atë njeri, që me siguri mbulonte sigurimin e shtetit në degën e punëve të brendshme, nuk e takoi më kurrë, takimet mujore me folkloristin në shtëpinë e tij e bënin të mos harronin e të shpërblente specializimin që i dhanë në Itali, por edhe fjalën e tmerrshme: “Spaç”. Rrugë të mesme nuk kishte.

Të gjitha këto iu sollën në kujtesë si të kishin ndodhur atë çast. Gj-ja, pas informacioneve të detajuara që dha për të, e hëngri: në fillim demaskim e më pas edhe dënim me burg, ndërsa G-ja, falë një dhëndrri të tij, shfaqi pendesë, bëri një autokritikë bolshevike dhe e hodhi lumin pa u lagur. Dërgimi i tij mësues katundi në rrethina qe zgjidhja më e mirë e përkohëshme, pasi, më pas, e degdisën diku nga humbëtirat e malësive.

Të fshehtën e bashkëpunimit e në vitet e tranzicionit e mbajti të fshehur si gjarpëri nën rrasë guri. Iu shmangej kafeneve, xhirove të dikurshme, ekskursioneve, herë me një sebep e herë me një tjetër. Derisa erdh një çast që u bind se e djeshmja e tij kish rënë në gjumin letargjik, me shpresën se s’do të zgjohej kurrë. Fat qe dhe folkloristi pat vdekur e nënkryetari i degës thuhej se ia pat mbathur jashtë shtetit. U ruhej oficerëve të degës që pat njohur e që ende shetisnin qytetit me kapelet e rrasura deri mbi vetulla. Po ngaqë nuk pat ndonjë zhvillim, erdhi duke e bërë gjumin më të qetë, me përjashtim të mbrëmjes së kaluar, kur dhe u shfaq anonimi i telefonit. Priti pas perdes së dritares së dhomës së tij të shihte gruan e djalin e Zyhdiut të dilnin nga porta e oborrit e të nxitonte të takonte të zotin e shtëpisë, propozuesin. Madje, tek i bënte restrospektivë të djeshmes së tij,  u bë pishman për propozimin për universitetin, të cilin e konsideronte si një lloj shpërblimi ndaj Zyhdi Çekut, që nuk ia kishte flakur rrobat në rrugë në muajt e parë të rrokopujës së ndrrimit të sistemit. E se si, tek qëndronte me ballin e mbështetur mbi xhamin e dritares, i erdhi parasysh Suat Kordha. Tani edhe zëri i anonimit i ngjante me zërin e tij pak të gërvishtur, megjithëse në akcent jo. I thirri kujtesës se kur e kishte parë për herë të fundit dhe iu kujtua. Në një intervistë televizive, pas shefit të komisionit të hapjes së dosjeve, tek Suati bënte karshillëk duke qëndruar pas shpinës së tij e sikur i lozte syrin atij e mbase dhe Plot Plotëve të tjerë e u  thoshte: “Ju kam në dorë”.

Profesor Koti seç e kish një nxitim e pa u ulur mirë në poltron, i drejtoi pyetjen e parë:

-Pa hë, si vajti mbrëmë?

-Propozimi i përpushi keq.

Profesori si të donte ta hiqte vehten krej neutral, vuri këmbën mbi këmbë dhe me sytë e tij e zbiriluan si zakonisht Zyhdi Çekun.

-Xhevat Drini si reagoi? – pyeti.

Çeku nuk qe aq leshko sa të mos e priste një pyetje të tillë ndër të parat për Drinin. Mori një herë frymë dhe që të fitonte pak kohë në përgjigje, u kollit dy a tri herë.

-Si të të them, profo, as kundërshtoi e as miratoi. Qe as kështu e as ashtu. E kujtoj që përmendi stafin akademik e bashkë me të dhe fondet që mungonin…M’u duk se desh të kundërshtonte, se njëherë fjala i erdh në maje të gjuhës, po nuk e kuptova që pat një stepje dhe heshti.

-Kaq?

-Vetëm kaq.

-Duhet të mendojmë një zgjidhje për të.

-Psh?

-Për shembull ta miklojmë e ta propozojmë për president nderi të universitetit.

-Pse kanë presidentë universitetet?

-Mos pastë, e krijojmë. Kështu është kudo në botë, kur nuk e kanë diçka, e krijojnë. Në fund të fundit ai do të jetë një universitet privat. Programet i marrim andej e këndej, ua ndryshojmë kokat, hyrjet e firmëtarët. Të tjerat janë çështje të brendshme.

-Se mos na has në ministri sharra në gozhdë, profo. Salvator Pali atje tha se për licencën e  shkollës 9-vjeçare një mik i tij kishte paguar qimet e kokës, qe zhytur deri në fyt në kredi në dy-tri banka…Merre me mend se sa lart do të jetë steka për universitetet!

Prof. Koti nuk qe aq axhami sa të mbytej në një filxhan me ujë. Vuri buzën në gaz, e shikoi Zyhdi Çekun me epërsinë e atij që është lart, edhe pse me banim ishte poshtë. Po kështu kishin funksionuar e funksiononin gjërat, mendoi vetmevedi. “Në ato maja rripa-rripa, herë ma hipe e herë ta hipa!”, solli në kujtesë një këngë të krahinës së tij nga kish ardhur. Edhe pse qe i kujdesshëm në vetëvlerësim, bindjen e pat të patundur se me propozimin që u kish lënë në sofër të muhabetit Çeku për ta shndrruar hotelin në universitet, ai kish formuluar propozimin më joshës, më trazues dhe, edhe pse nuk ish aksioner e nuk kish qenë asaj nate aty, për të gjithë Zyhdi Çeku u shndrrua në prof. Koti.

-Ta mbush një uiski? – pyeti Çeku, që qyshkur profoja i pat mbushur mendjen për propozimin, e ndjente se ai po ia mirrte terrenin e humbur. Madje jo vetëm atij, por edhe shoqërisë e kjo nuk ishte pak.

-Uiski? Jo, jo, i nderuar, se kam leksion.

-Një të vockël, – propozoi e këmbënguli Çeku, duke e ditur se sa e pëlqente, por edhe që të mirrte opinionet e tij rreth atyre që ishin thënë e stërthënë mbrëmë, i bindur se nesër do të përballej me të tjera e të mos ia fuste kodra pas bregut, po të ishte në një valë me profesorin.

-Epo, mbushe të flamosurën. S’kam forcë të refuzoj.

Kaq u desh. Putiri i vogël u zbraz e u mbush disa herë. Prof. Koti pinte me nxitim, si ai që ka një hall e pret zgjidhjen. Zjarrin që ia ndizte uiski erdhi duke e ndjerë dhe mendoi që t’i fuste një telefon asistentes së tij e t’ua jepte ajo leksionin studentëve. E kish aq kredi sa të tjerët ta mirëkuptonin se një pengesë e madhe, mundet edhe shëndetësore, ta pengonte për leksione.

-Nuk më the, – iu drejtua Çekut, – ai Suat Kordha ishte mbrëmë? – se si i rrëshqiti kjo pyetje, të cilën, si e bëri, u pendua, pasi nuk donte t’i linte shkas tjetrit të dyshonte se përse ai, pas Drinit, pyeste për Suat Kordhën. Ku njëri e ku tjetri!

Ishte Çeku tani ai që ia ngulte vështrimin. Shigjetat e tij i ndjeu profesori, pasi uiski ende nuk kish arritur ta pushtonte të tërin. Që t’ia zbonte dyshimin, shtoi:

-Ashtu, ashtu më kot se si më erdhi në mendje…mbase nga mbiemri, që mbart një nuancë pexhorative, por edhe si një person i ndërlidhur zorrësh qingjash.

Çeku e kuptoi se as përmendja qe e rastit e as krahasimi i goditur, pasi Suat Kordhën kush nuk e njihte si spiun, po ama si spiun i naltmadhnisë, zyrtar, me gradë e me rrogë dikur e jo si informatorët vullnetarë e me rrogë plus  të sigurimit të shtetit, që të fiknin derën.

-Më duket se ishte, – bëri të menduarin Çeku, si të donte t’i thoshte se ai njeri qe i shpërfillur prej tij e, si i tillë, as profesori nuk kishte se përse ta vinte në kandar. – Po po, tani u kujtova, madje që edhe…

Desh të tregonte të vërtetën, dyshimin për burimin se nga kish ardhur propozimi që bëri mbrëmë, por u tërhoq. Le ta kishte si rezervë se ku po u diheshin fundet disa punëve dhe ia futi kot një muhabeti për rrebeshin e mbrëmshëm.

Kështu, qit e prit, akrepat e orës ecnin. Mu në mes të bisedës, ra zilja e telefonit. Prof. Koti qe i bindur se askush tjetër veçse njëri nga aksionerët të ishte.

-Zefi, Zefi jam, – u dëgjua dhe profesori e kuptoi se me sa i kish thënë deri atë çast Çeku, kandari po anonte nga propozimi i tyre. S’i kish telefonuar mbrëmë e atë mëngjes ai qe i pari.

-Oh, të njoha, të njoha, zotni Zef.

-U lage mbrëmë?

-Mbrëmë? – bëri të habiturin Zyhdi Çeku, kur nëse nuk donte ta zgjaste bisedën fare shkurt mund t’i përgjigjej se i shpëtova, siç dhe kishte ndodhur në të vërtetë.

I shkeli syrin profesorit, si të donte t’i thoshte se një në dorë.

-Po zotëria juaj, i shpëtuat si unë?

-Për fat po.

Pat një ngërç në bisedë, derisa më së fundi akullin e theu Zefi, se ai ishte nevojtari:

-Nuk e di, mbase jam edhe gabim, po propozimi juaj m’u duk interesant…më bëri përshtypje të madhe se…

-Se çfarë? – e ndërpreu Çeku, me një nxitim të papërligjur, si të deshte t’i thoshte tjetrit se nuk ia kishte ngenë bisedave të gjata, mbase nga ndonjë ngarkesë familjare.

-Se mes nesh kishte shumë frikacakë…Me disa origjinalë  që më hahet muhabeti, më kërkuan mbrëmë në telefon si shkova në shtëpi. Po ti e di se aty kishte shumë kopje, bedelë siç ia thoshin turqit. Gati të gjithë më përgjigjeshin se po e bluanin me kujdes propozimin e bërë…E kuptova se të gjithë i tremben faktit se me ta shndrruar hotelin në universitet, të ta them troç, do të gjëndet vjegca ku të kapeni ju që e keni të lartën e të na zbythni ne të tjerëve.

-Egoistë! – shfreu Zyhdi Çeku. – Frikacakët e mutit! Mbase dhe kanë shfaqur mendimin të tërheqin aksionet e tyre se ç’punë ka shkolla këtë hajde e merre vesh? Siç duket dikush po e trazon prushin, mbase dhe i paguar. Po duket se kokrra është tjetërkund. I tremben dështimit.

-Si të të them, me ata që këmbeva dy fjalë, as të falin e as të vrasin. Këndej kam nxehtë e andej të ftohtë.

-Po le të ikin! – bëri trimin Çeku. – Kalaja nuk shembet nëse i heq disa gurë.

Prof. Koti e çoi edhe një gotë dhe ishte ai që ia shkeli syrin Çeku, në vend të okej-t. Gjithnjë për të sulmi kishte qenë më i mirë se mbrojtja. Madje një tërheqie të disave edhe duhet ta kishin menduar. Po nuk ishte vonë. Zefi, veçse njeri i mirë, njihej pak si llafazan. Siç thoshte shpesh për të Fran Frani, nuk i mbante goja arra. Nuk trillonte të paqëna, po të qënat i bënte tërkuzë.

Në çast, si nuk kuptoi një shenjë të profesorit, ia vuri dorën receptorit dhe e pyeti se çfarë t’i thoshte. Thuaji “Se qysh mbrëmë që e dha televizioni lajmin, kanë mbrritur shumë kërkesa që nëse kthehet hoteli në universitet, të bëhen aksionerë”.

-Isha i bindur, – iu përgjegj Zefi si dëgjoi Çekun t’i thoshte atë që i artikuloi profesori. – Këtë ua thashë edhe unë…

Se ç’dialoguan më tej, ka dhe s’ka rëndësi. Gjetën një altoparlant, Zefin dhe e vunë në punë. Me siguri që efekti do të jepte frutet e veta. Mjafton që aksionerët që ishin të rrinin në pritje se ç’po bën Xhevat Drini e Salvator Pali, por edhe doktor Xhela, Vlora e Njëri, që thuhej se kishin shumë lidhje në Tiranë. Pa lidhje nuk ka zgjidhje. Për këtë profesori dhe Çeku nuk kishin dyshim. Po le të krijonin dhe një imazh tjetër, ta amplifikonin sa më shumë idenë e tyre.

Si uli receptorin, zilja e telefonit ra sërish. Një sekretare në TV Pasnesër i kërkoi mendim nëse ishte dakord që zoti Zyhdi Çeku, të shkonte e të fliste direkt në një nga emisionet e mbrëmjes, ku të shpaloste idenë.

U bë burrë dhe e lëshoi po-në, kësaj radhe pa marrë miratimin e profesorit, i cili, në avujt e uiskit falte edhe hapa që hidheshin jashtë komandës së tij.

Pa e ulur mirë receptorin, ia dha zilja e tretë.

-Madem Taraboshi jam, – u prezantua tjetri, që nuk ish kopje, por origjinal aksioner. – Ke qenë e je zog kurve, – ia nisi ia bisedës pa i lënë tjetrit as t’a pyeste se kush ishte, edhe pse Çeku, nga fjalori që përdori e kuptoi se ai qe e askush tjetër.

-O, zoti Madem! – e mikloi Zyhdi Çeku, duke e njohur si gojështhurur, i bindur se çfarë i tha mund të ishte më e vogla nga ato që do ta pasonin.

-Ka ndonjë interes ai profesori yt që na përpushi me atë propozimin që bëre në emër të tij?

Zyhdi Çeku dyshoi se mos e dëgjoi profesori, po ai vazhdonte të ishte rob i uiskit.

-Kam folur në emrin tim, por edhe tëndin, – u bë trim në përgjigjen e tij Çeku, si të donte t’i thoshte se në atë vathë i kishte mbledhur të gjithë interesi i fitimit. -S’po bëjmë ndonjë shpikje, veçse po aplikojmë një model të kahershëm europian. Profesori është e vërtetë, më ka hapur horizont. Këtu s’ka asgjë të keqe!

-E njoh unë atë, – vazhdoi Madem Taraboshi. – Është zog kurve ai, ta fut para e mbrapa dhe s’e merr vesh se kush ka më shumë kënaqësi ai apo ti që e hëngre…Nuk bën xhiro bosh ai…

-O zoti Madem, – u përpoq t’ia zbuste tonin e t’ia krihte fjalorin Çeku, po tjetri as që donte t’ia dinte nëse ai e respektonte apo jo duke i thënë veç zoti Madem, zoti Madem…

-Të betohem që gjithçka thashë mbrëmë është për të mirën e përbashkët! – arriti të krekosej, duke harruar se disa sekonda më parë i kishte pohuar se profesori i pat hapur horizont.

-Ti më njeh, zoti Zyhdi, – ia ktheu me të njëjtën armë Madem Taraboshi. – Ta ka dhënë të lartën jo vetëm ty, por edhe tënd biri se donte t’i mbeteshe borxh që s’e zbove nga shtëpia. Më dëgjo mua, është bir kurve, do të të përdorë si karrem. Po kë do të zësh tutkun me grepin e tij, ne, vëllezërit e tu? E di ti se ai profesori yt, veç shkencës që nuk ia mohon askush, zemrën e ka sterrë…

-O zoti Madem…

-Lëre, more se ç’të lahet e të lyhet ty! Shumë u pat përfolë se ai profesori yt ka qenë bashkëpunëtor i rregullt i sigurimit të shtetit, atij sigurimi që mua për një fjalë goje më vuri byzylykët në duar…Ai që i pari foli në gjyqin publik kundër priftërinjve françeskanë e mikut të Xhevat Drinit…Mandej e struku kokën si struci e tash kalon rrugëve si hije…

Zyhdi Çekun po e mbulonin djersë të ftohta, jo aq për sa po thoshte Madem Taraboshi, por nga ato se mos profesori arrinte të dëgjonte qoftë edhe ndonjë fjali e mandej gjithë ajo ngrehinë universiteti që qe kontoruar prej ditësh në imagjinatën e tij e që thuajse mori viston një natë më parë, po shembej. Po binte si gur në humnerë edhe ëndërra e tij për të qenë dikushi, por edhe i biri, ashtu siç dhe e kish programuar prof. Koti, pasi dihej se kush mes aksionerëve pat mbetur me 7-vjeçare për arsye moshe, kush me të mesmen naten, kush me gjimnaz të kahershëm e as sa gishtat e njërës dorë me të lartën, edhe pse në këto pak vite në demokraci e patën mundësinë të fusnin një diplomë në xhep, siç edhe e futi ai dhe i biri me ndihmën e prof. Kotit e ndonjë tjetër me zarf.

“Zoti Madem,…zoti Madem” – pëshpëriste pa farë lidhjeje Çeku, ndërsa tjetri shfrente kundër profesorit, por akuzat ai i ndjente se i binin mbi kurriz pa mëshirë, derisa Madem Taraboshi e tha kuintesencën e gjithçkaje, kësaj here në formë të një kërcënimi që vetëm një buf nuk e kuptonte:

-Mendoji mirë hapat që je duke hedhur, zoti Zyhdi Çeku…

Sigurisht që kishte edhe të thëna të tjera, të cilat qenë jashtë edukatës së tij, po që për Madem Taraboshin ishin të zakonshme e që më së shumti u adresoheshin njerëzve që nuk i honepste e me hije në të kaluarën e tyre. Askënd nuk rëndonte më shumë se ç’i takonte.

-Kush m…qe – tha me gjuhë të ntrashur profesor Koti. – Si shumë ia zgjate…

Çeku u bind se profesori nuk kish dëgjuar qoftë edhe një gjysmë fjale nga dialogu telefonik me Madem Taraboshin, kështu që ndjeu në shpirt një farë lehtësimi.

Megjithatë, çfarë i tha Mademi për profesorin i vari vath në vesh. Nuk e përjashtonte mundësinë që të kishte diskutuar në gjyqin publik kundër françeskanëve, pasi ata që do të diskutonin përcaktoheshin që më përpara, madje edhe çfarë të thonin; të kundërshtoje do të thoje t’ia bëje gropën vehtes…ndërsa për atë tjetrën, të bashkëpunëtorit të sigurimit, e vinte në diskutim me vetvehten, pasi me botimet e bëra e titujt shkencorë s’ia mirrte mendja që të zbriste aq poshtë sa të padiste shokët e tij të katedrës e të universitetit…Mbase moshatarët e tij, duke kujtuar diskutimin  në demaskimin e priftërinjve, në duf e sipër e klasifikonin si bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit.

U ul përballë profesorit.

-Profo, – tha ai kur pau shishen e lehtësuar të uiskit,  duke i lënë të nënkuptonte se e pat kaluar çdo cak. Po tjetri nuk e kish humbur deri në atë limit që të dilte nga koshienca e tij.

-Pi, pi edhe ti, fqinji im besnik! – artikuloi me vështërsi profesor Koti.

Cilësimi “besnik” i dogji Çekut. Qe hera e parë që e dëgjonte prej gojës së tij. Pastaj, për çfarë besnikërie bënte fjalë?

E shikoi me syrin e atij që është esëll. Ai vështrim i foli shumë profesorit; qe vështrimi i një superiori që po fitonte terren të ri.

Tani Zyhdi Çeku po ia shihte sytë e mufatur nga një pagjumësi që s’donte kallauz. Lëshimi i frerëve me aq revan drejt uiskit, krejt jashtë natyrës së tij që e pinte me masë e tangarllëk, i la të kuptonte Çek propozuesit se një hall ai e kishte e atë donte ta ndante me të.

-Mbrëmë më mori një anonim në telefon, – arriti të mbledhë rrokjet me sforco ai. – Më mori në telefon dhe më shantazhoi.

Zyhdi Çeku u përqëndrua.

-Çfarë thua? Po kush? – pyeti pa arritur të zbërthente kuptimin e anonimit.

-Anonim, pra…më kërcënoi se do më nxirrte ca sekrete të mia që vetëm ai i dinte…dhe…

-Dhe çfarë? – pyeti me nxitim Çeku.

-Nëqoftëse unë, dmth ti nuk e tërheq propozimin për ta shndrruar hotelin në universitet, do ia hapë petët lakrorit…- trilloi, mbase për të justifikuar shantazhin.

-Cilat petë? – tha Çeku duke e shikuar drejt e në sy. Instinktivisht e mbushi një putir me uiski dhe e çoi me fund sa flakën e tij e ndjeu thellë si rrallë herë. Qe i bindur se dalja fiks e anonimit në telefon pas mbledhjes së aksionerëve, ishte e lidhur me propozimin për ta shndrruar hotelin në universitet, një lloj kritike e ashpër e pa shprehur, që të mos e hidhte më tej atë hap, po t’i linte aksionerët të zhyteshin edhe më thellë në falimentin e tyre. Sipas profesorit ata qenë kontigjent armiqsh që s’duheshin nxjerrë nga bataku ku kishin rënë. Se edhe dhënia e hotelit një grumbulli aq të madh aksionerësh qe sintezë e shprehjes popullore: “Gjëja bashkë e bytha jashtë”. Dikush nga lart e pat llogaritur një fund të tillë dhe nuk qe i gabuar, edhe pse bota e zhvilluar e lozte me sukses kartën e aksionerëve për ndërmarrje të mëdha.

E vështroi mikun që sa më shumë kohë kalonte, aq më enigmatik i dukej. Dukej sheshit se një lloj frikë i kishte hyrë në palc, po se çfarë e përse Zyhdi Çeku nuk arrinte ta zbërthente.

Përballë prof. Koti nuk fliste, po dridhej. Ndofta edhe nga uiski që kishte pirë pa fre, ndofta edhe nga frika se diçka e tmerrshme do i ngjiste, bëri atë që as imagjinata e Çekut mund ta perceptonte: i ra në gjunjë papritur, siç bien besimtarët para perëndisë së tyre.

-Mos shko!

-Ku?

-Mos shko sonte tek TV Pasnesër, ose…ose shko dhe tërhiqe propozimin…argumentoje si të parakoshëm, mbushi me besim aksionerët se mos sot, nesër aksionet e tyre do të kenë tjetër vlerë…

Zyhdi Çeku u vu mes dy zjarresh. U plandos në poltron. Vështrimin e përqëndroi në një pikë të caktuar të dhomës, mandej pa vetëdije, shtypi një buton telekomande të televizorit. Tv Pasnesër jepte programin…Në orën më të shikuar bisedë me intelektualin Zyhdi Çeku. Me titra. Njoftim që përsëritej në vijimësi…

 

+++

 

Xhevat Drini nuk ndjehet mirë atë mëngjes. Tash e parë shkon e i vjen një dhimbje në gjoks.

Para se të nisej për në punë, i biri hyri në dhomë dhe tek e pa ashtu me fytyrë të verdhë si një të vdekuri, u tremb. U tremb aq sa vendosi të mos dilte në punë.

-Ba! – tha me dhëmbsuri adoleshenti.

Xhevat Drini e shikoi. Me dashuri atërore. Pa e bërë atë shkaktar të gjendjes së tij me veprimin e mbrëmshëm. As me dredhitë e Vilit për ta futur në kllapa.

-S’është hera e parë që ndjej shtërngim në gjoks, – ia tha më shumë për ta qetësuar Gonin.

-Ba, duhet të marr një mjek, veç një telefonatë dhe do ta kesh këtu…

E shikoi sërish me dashuri. Tundi kokën, në shenjë mohimi.

-Do ta kaloj edhe këtë herë, – tha me vendosmëri aq sa i biri krijoi një bindje se pas atyre fjalëve edhe fytyra erdhi duke i marrë tjetër ngjyrë, ngjyrën e jetës normale. Megjithatë nuk mund t’ia kthente shpinën ashtu, për hir të një dite pune.

-Më bëj një nder, – iu drejtua të birit. – Merre në telefon kishën françeskane dhe ma kërko vëllain tim. Kam lënë sot një takim me të, po e shoh se në gjëndjen që jam…

Qe pa e përfunduar kërkesën e tij, kur i biri u lidh me kishën, se çfarë bisedoi me shokun e pandarë të babait të tij Xhevat Drini s’kish si ta dëgjonte nga shtrati, po s’ia fshehu gjendjen e atit të tij. S’kaloi shumë, ra zilja e derës së shtëpisë dhe ia behu prifti françeskan.  Shtëpia nga kisha nuk ishte as një vrap pele. Sigurisht i shqetësuar sa s’ka për vëllain e tij, me një hap të nxituar që s’ish i përligjur për vitet që mbante mbi shpinë e për vuajtjet që pat kaluar burgjeve.

-Ma bëj hallall, o vëlla, – iu drejtua Drini, teksa i lëmonin duart njëri-tjetrit. – Po të thirra ngase sot s’ia arrija dot të vija si e lamë te Kafja e Madhe…

-S’vjen sot, do të vish nesër, – u përpoq t’i jepte kurajo françeskani, edhe pse qe i tronditur nga ajo thirrje e beftë e të birit, por edhe nga duart e ftohta akull të vëllait të tij mysliman.

Xhevat Drini e shikoi me ëmbëlsi. Se ku e gjetën sytë e tij atë, vështirë të zbulohej, po me siguri që ai e kish rrënjën në thelb të shpirtit të tij të bardhë.

-Ulu, bre burrë e mos më rri në këmbë, – iu drejtua i zoti i shtëpisë, – se dua të të kem përballë.

Françeskani bëri si i tha e po ashtu dhe i biri që nxitoi të porosiste të shoqen të nderonin mikun me diçka.

Mandej, si gjithnjë, i lanë të vetëm e të mos u ndërhynin në bisedat që bënin.

Françeskani u rehatua në poltronin përballë shtratit. Qëkur djali i vëllait të tij e mori në telefon, nga zëri e kuptoi se nuk duhej ta shtynte ardhjen në shtëpinë e drinëve, pasi me siguri, ato kriza që iu patën shfaqur që në Spaç, tani, edhe me rëndimin e moshës, e kujtonin tash e parë. Gjithsesi nuk donte ta pyeste nëse i qenë përsëritur dhimbjet në gjoks, ndaj dhe hodhi sytë në atë dhomë ku pritej gjithnjë e ku bisedonin gjatë me njëri-tjetrin e të pashqetësuar nga askush. Në këtë vështrim i zuri syri një ndryshim, që padyshim binte në sy:

-E gëzofsh televizorin! – e uroi ai, tek pa aparatin me një ekran më të madh nga ai që kishte qenë herën e fundit, para një jave kur po i bënte reçensën kujtimeve në dorëshkrim të Drinit me titull “Pas natës vjen mëngjesi”.

Xhevat Drini u drodh. “E drodhi ndonjë tjetër dhimbje gjoksi apo?” – pyeti vehten françeskani…S’po kuptonte asgjë, edhe pse qe i bindur se ai nuk e kish thirrur kot, po mbase t’i mirrte ndonjë mendim a t’i qante një hall, mbase edhe të mirrte ndonjë vendim për të cilin donte ta kishte edhe atë bashkëautor.

-Kam bërë një gabim të rëndë, vëlla, – arriti të shqiptojë, më shumë me një notë pendese, se sa rrëfimi.

-S’ma do mendja se ti ke shkelur ndonjëherë në jetë në dërrasë të kalbur, – iu përgjegj françeskani. – Mos e zmadho, bre burrë e mos iu dorëzo një gabimi kështu…

-Ah, të isha më i ri, edhe do të kisha kohë ta korigjoja, por mosha jonë nuk na premton…

Françeskani nuk i bëri më moral, veçse e shikoi siç qe mësuar gjithnjë, siç mund të shikohet vëllai i lindur nga një nënë.

-Më mori Zoti mendt e kresë dhe më joshi paraja…më joshi e nesërmja e Gonit dhe e familjes së tij…Doja t’i lija diçka që t’i përjashtonte atij e pasardhësve emrin skam. Boll e vuajtëm skamin…Ti e di se e rreshtova vehten me aksionerët e hotelit…U nxitova si riosh…S’më falej…E mendova gjithçka të pastër…por edhe kur e mësova se nuk qe ashtu, nuk e hodha atë hap që kam ndërmend ta hedh tani…Na bënë pronarë mbi pronën e dikujt tjetër…të disa familjeve qytetare…Qarkulloi një fjalë se ato i kishin kompensuar në bregdet…dhe e besova…Më pas e mora vesh se  u kishin dhënë çelësat e kashtës…Madje dhe që një aksioner, pa izën e askujt, i kishte shkuar njërit prej pronarëve në shtëpi dhe i kishte propozuar të hiqte dorë nga një padi e bërë dhe kjo t’i shpërblehej me një post që nuk pikonte, por rridhte…

Ndjeu një shtërngim tjetër në gjoks, po nuk e dha vehten, veçse sërish ca bulëza djerse i shndritën në ballin e gjërë.

Françeskani e hetoi. Diçka e shtërngoi edhe atë. Dhimbja e Xhevat Drinit ishte dhe dhëmbja e tij. Siç ndodh tek binjakët.

-Mos e mundo vehten më shumë, vëlla, e djeshmja nuk kthehet më.

-E di, – e ndërpreu i zoti i shtëpisë. – E bash për këtë të kërkova…Se më ka rënduar sa s’ka një bisedë që dëgjova dje tek pija një limonatë në kafen e hotelit. Dikush po bisedonte në telefon dhe i tha shokut të tij se po të pres këtu, tek kafja e hotel turizmit “Ali Baba dhe 40 hajdutët”…

Françeskani heshti. E ndjeu peshën e atyre fjalëve. As ai nuk i bartëte dot. Madje ai dinte edhe tjetrën, se një pjesë e hotelit qe ngritur edhe mbi një pronë të myftinisë e të orthodokësve të qytetit…

-Si thua…mos të duket se po i pres në besë aksionerët e tjerë të jap dorëheqien? – e pyeti priftin.

Nuk e kishte mbaruar ende pyetjen e tij kur në dhomë hyri i biri, Goni. Ndjehej  një shqetësim jo se po u hynte në dhomë, pra që po bënte një veprim që nuk e bënte kurrë kur ata qëndronin në dhomën e të atit, se sa të një veprimi që do të kryente e që mbase në sytë e françeskanit do të dukej shumë i pakuptimtë. Pas tij qëndronin dy burra. I pa dhe s’e kuptoi se ç’po ndodhte. Si në një  teatër absurd.

-Më falni, – kërkoi ndjesë i biri, – se po ua prish muhabetin, po veç një minutë, sa të spostojmë televizorin.

Kaq tha dhe dy burrat e morën televizorin dhe në vend të tij sollën aparatin që kishte pasë një ditë më parë. Sigurisht që çfarë ndodhi për françeskanin qe dhe s’qe e kuptimtë. Gjithsesi për nga natyra e zhguni që mbante ai nuk ndërhynte kurrë në punët e të tjerëve, shumë-shumë jepte ndonjë mendim a këshillë dhe tjetër qe nëse njeriu që e mirrte atë e zbatonte apo jo.

I zoti i shtëpisë ndjeu lëvizje të tjera në koridor. E kuptoi se ç’po ngjiste. Goni po i thoshte lamtumirë Vilit dhe qind për qind i sigurtë se ç’i kish sjellë po ia kthente mbrapsht. Qe i biri.

Në dhomë hyri nusja e Gonit për të qerasur mikun. E shikoi drejt e në sy. Se mos veprimi i të birit lëkundte marrëdhëniet mes tyre. Mirë se po rregullonte marrëdhëniet me ndërgjegjen e tij, po me ëndërrat e resë së tij? E shikoi drejt e në sy. Vajzë nuk i pat falë Zoti, po e donte si bijën e tij dhe ajo shpesh edhe ia puthte dorën e nuk ish si shumë e shumë nuse që i bënin vjehrritë të dilnin nga shtëpia. Syri i saj nuk shprehte asnjë pikëllim, as nën strehën e qerpikëve të saj të mëdhenj ndonjë pikë loti për vendimin që kish marrë i shoqi.

-Ba, -iu drejtua e reja, – Goni dhe unë jemi një, Goni, unë dhe ti jemi një…

Kur hyri me tabaka në dorë, pat menduar t’i thoshte edhe më shumë, por e gjykoi se me aq i kishte thënë të gjitha.

-Si thua? – e pyeti vëllain e tij françeskan.

Prifti pohoi me kokë, me një ngazëllim që i kish pushtuar çdo pore të shpirtit e që nuk fshihej dot. Po s’e kish ngritur ende kokën, kur Xhevat Drini, tek koka e shtratit mori telefonin e tij sekondar dhe formoi numurin e administratorit të hotelit e t’i shprehte vendimin e tij të pakthyeshëm për t’u tërhequr nga grupi i aksionerëve të hotelit.

Pasi tha ç’kishte për t’i thënë, e uli receptorin, sikur shkarkoi një barrë të rëndë. Vehtja iu duk pendë e lehtë. Shpirti qelibar.

-Në vitet e para, o vëlla, – iu drejtua sërish françeskanit, – hoteli nxorri jo pak fitime. Po qysh se nisa të dyshoj tek vendimi që kisha marrë për t’u bërë aksioner, çdo fitim që na pjestonte administratori nuk e futa në shtëpi, por e rezervova në bankën e thesarit. Vit për vit e nuk duhet të jetë shumë e vogël…E tani, ato nuk janë më të mijat…E mendova gjatë mbrëmë, kur nuk më zinte gjumi…Do t’i them tim biri të shkojë e të rregullojë gjithçka që depozita ime t’i kalojë azilit të pleqve të qytetit…Jemi në atë gjendje ekonomike të mirë që si me to e si pa to, asgjë nuk bëhet më mirë…Na erdhi dita të mos dëshirojmë asgjë…Por na erdhi dita të jemi të pastërt në shpirt e jo si ata që na gllabruan dje prona e katandi…Si thua?

-Të vërtetën? – e pyeti françeskani.

-Si gjithmonë…

-Teksa ti më flisje për depozitën e parave tek thesari, mendja ime shkoi që ato t’i përdorje për një mirësi…të vërtetën për shtëpinë e fëmijëve…Po më mirë për atë të pleqve, se për fëmijët jetimë ka ndjeshmëri më të madhe nga organizatat ndërkombëtare e shteti.

Të dyve u shndrisnin sytë. Xhevati e ndjente se tani nuk ishte një vetëm me të birin, Gonin e renë, por edhe me vëllain e tij françeskan.

Kapitulli i pestë

Drejt licencës

 

Në trotuaret e Tiranës pastrueset nuk kishin arritur të mblidhnin gjethet e rëna, edhe pse piktorët e donin një peizazh të tillë.

Qe ora e rrugëve me zhurma makinash e zërash njerëzish. Tufa-tufa vajza si misse kukurisnin trotuareve pas romuzeve të djemve dhe nxitonin me çantat në shpinë, duke lënë të kuptoheshin se ishin gjimnaziste, ndërsa të tjera, mbase me një fletore në çantë, të kapnin leksionet në fakultetet ku studionin. Kuptohet se prindërit e tyre në një orar më të hershëm kishin dalë në punë dhe rrugët në ora 8 i pushtonte rinia.

Vlora dhe Njëri i thanë Çimit që ta ndalte makinën diku pranë ndonjë kabine telefonike. Ishin pranë liceut artistik, ndofta pesëdhjetë metra larg shtëpisë së deputetit. Se Vlora nuk qe aq i pagndendur sa t’i shkonin tjetrit aq heret në shtëpi. Do ta mirrte në telefon, të linin një orë takimi kur ai ta kishte të mundur…

Njëri habitej se sa praktik ishte Vlora dhe me sa çpengim foli me deputetin, kur atij mund t’i ishte lidhur gjuha. Në kabinën telefonike, edhe pse zinte dy veta, nuk e gjykoi të arsyeshme të hynte. I besoi ç’se u nisën e s’kishte përse t’ia regjistronte bisedën Vlorës.

-Fillimi i mbarë, gjysma e punës. Deputetin do ta presim në një nga kafetë e bllokut, ndërsa drekën mund ta kalojmë tek “Sofra e ariut”.

-Duke parë e duke bërë! – tha Njëri e la të kuptohej se nëse deputeti angazhohej në ndërmarrjen e tyre, atëhere do të dinte se si t’ia lynte rrotën e qerres. Sigurisht që Vlora nuk qe leshko sa të mos e kuptonte mëdyshjen e Njërit, ndaj dhe nuk i hapi më shteg hamendësimeve të dyshimta të tij.

-Njeri i jashtëzakonshëm! – tha në emfazë Vlora dhe Njëri e kuptoi se në përgjigjen tek kabina, deputeti i kish thënë sa të  arrinte të kuptonte se gjithçka po shkonte sipas parashikimit të tyre.

-Çim Qenit po i japim duart e hakun e punës si të na çojë tek blloku. Kushedi se si na vete puna e s’kemi se përse paguajmë dispozicionin, – tha Njëri.

Vlora e shikoi me një sy sikur t’i thoshte: “I lirë në miell e i shtrenjtë në krunde”.

-Pse, thua ta mbajmë? – pyeti më shumë vehten se sa Vlorën dhe i dha dum gjendjes ekzistuese. Sakaq i ishin afruar taksisë dhe u habitën sa s’ka kur Çimin e gjetën në kokërr të gjumit.

-As ky nuk paska fjetur mbrëmë, – se si i erdhi të thoshte Vlora, pa e ditur se Njëri kish fjetur si qingj, ndërsa Tjetri sipër tij.

-Çim, çohu bre burrë se nuk kemi ardhur për të fjetur.

Po tjetri nuk tundej. Gërhiste si derr. Vlora, që zu sërish vend në sediljen pas tij, e tundi prej supesh dhe vetëm atëhere shoferi u zgjua si i trëmbur.

-Po ti, ke fjetur a s’ke fjetur mbrëmë? – se si i erdhi të pyeste Vlora.

-Jo, për fjalë të nderit, asnjë minutë…

-Siii? – pyetën të dy të trembur se si kishin udhëtuar me një të pagjumë.

-Po ç’të bëja…Pas dhjetës mbrëmë më doli në telefon kushëriri im e m’u lut të sillja në Tiranë një fqinjin  e tij…nuk e di në e njihni ju apo jo, Medin Plakun…

-Din Plakun?! – saktësoi Njëri.

-Po, atë…seç kishte një punë urgjente…Dola në atë shtërngatë…U ktheva në shtëpi diku nga treshi, se rruga qe krejt bosh…E lashë tek rruga e Elbasanit, ku kishte shtëpinë një motra e tij dhe u ktheva menjëherë, po as dy orë gjumë dhe më doli zotëria juaj në telefon…Besoj se u kujtohet që ngurrova pak…Po a mund t’u thoja ju jo?!

“Din Plaku, Din Paku, Din Shumi…Shumë më tepër se ata, shumë më i shpejtë se ata…Menduan se do të ishin të parët…po Dyl Parruca me jastekun e tij qe sinjal se të gjithë po lëviznin, Madje se nga Tirana nuk do të zhguleshin pa i sqaruar gjërat e pa u siguruar se universiteti i tyre do u jepte të gjithëve diplomën e fitimit marramendës.

Vlora dhe Njëri shikuan njëri-tjetrin në sy. U morën vesh. Le ta zgjidhnin kuletën e të mos e lëshonin Çim Qenin, ta mbanin në dispozicion, pasi me atë “Benc” e rrisnin pazarin në sytë e të tjerëve, edhe të deputetit, që thuhej se kishin rrogat ende të vogla e shumica shkonin në këmbë në parlament a kishin nga një veturë 3-4 veta të të njëjtit krah e zone elektorale.

Si hapi gojën nja dy a tri herë, taksisti u vu në rrugë si somnambul, përderisa as Njëri e as Vlora nuk i thanë se ku do të shkonin.

-Si shumë kioska paskan mbi anës Lanës, – tha Njëri, që me sa dukej nuk kishte ardhur në Tiranë prej dy vitesh.

-Duan të jetojnë, – saktësoi Vlora. – Edhe unë e kam hapur një andej nga ekspozita “Shqipëria dje”, satirizoi ai.

-Si e ke hapur? – bëri të habiturin Njëri.

-Më ndihmoi një mik. Unë i rraha të hollat, ai më zuri vendin e më bëri punën. Gjysma me mur e gjysma me llamarinë.  Edhe ai e ka fitimin e tij, edhe unë timin. Mot do ta bëjmë dykatëshe. Do zoti të na ndihmojë me universitetin dhe…

Njëri e ndjeu vehten inferior, edhe pse verdhushkat e paprekura e bënin fitimtar pa marrë pjesë në asnjë betejë.

-Për ku? – pyeti dikur taksisti, kur u bind se po silleshin sa në njërin krah e sa në tjetrin në bulevardin kryesor, si kali në lëmë.

-Tek blloku! – e orientoi Vlora, që dukej sheshit se tani ishte ai që drejtonte.

Lokali ku hynë nuk u linte gjë mangut atyre që kishin parë në eksursionet e tyre jashtë shtetit. Njëri nga kamarierët i udhëhoqi drejt një tavoline në cep të lokalit, ku edhe sundoje gjithë pamjen, edhe të tjerët nuk kishin mundësi të dëgjonin se çdo të flitej. Mbase një kërkesë të tillë atij ia bëri Vlora sapo hynë, po kjo s’ka pikë rëndësie. E rëndësishme ishte se në tavolinën e tyre do të vinte një deputet dhe kjo peshonte më shumë.

Deputeti qe korrekt. As një minutë më vonë nga fiksimi i takimit dhe ai ia behu tek dera, me një çantë në dorë, nga ato të mirat, që edhe për kë s’e njihte, të jipte pamjen e një zyrtari me rëndësi.

Njërit i bëri përshtypje thjeshtësia me të cilën ai i dha dorën, si të ishin miq të kahershëm, ndërsa Vlorën e puthi në faqe, gjë që shihet rrallë tek burrat.

-Pa hë? – pyeti ai më shumë Njërin se sa Vlorën, – qënkeni nisur heret. Me siguri që një punë të rëndësishme paskeni marrë përsipër.

Vlora dhe Njëri u shikuan sy më sy, si të deshnin të mirrnin leje tek njëri-tjetri se kush të printe në muhabet. Më së fundi Vlora e kuptoi se Njëri ia lëshoi radhën:

-Po, ja, zoti…

Tjetri qe më i shkathët:

-Aman, m’i lër zoti ky e ai…Ne jemi kushërinj…Më thirr në emër, Detar dhe i ke thënë të gjitha.

Njërit më shumë se sa emri i pëlqeu atmosfera që ai kërkonte të krijonte. Madje, në këtë rast, edhe iu duk vetja disi tutkun përderisa qenë nisur ta takonin dhe as që pat pyetur Vlorën se si e kish emrin kushëriri deputet, pasi në parlament kishte aq shumë anonimë sa s’numuroheshin dot, dmth prej asaj specieje që veç dëgjonin e ngrinin kartonat. “Është mbushur kjo botë me anonimë, – mendoi Njëri dhe sakaq iu shfaqën aksionerët anonimë, alias bedelët e tyre”.

Kamarieri solli kafetë, megjithë insistimin e Njërit për të marrë edhe nga një uiski.

Vlora parashtroi nismën që ai dhe Njëri po mirrnin për ta shndrruar hotelin e tyre në universitet dhe, bash për këtë, kishin ardhur ta takonin që t’u hapte horizont, që t’u jepte ndihmë ai vetë e deri në dikaster për licencën.

Kaq bukur në pak minuta nuk mund ta shtronte problemin askush tjetër si Vlora. Detari, deputeti, dëgjonte si i përhumbur dhe kjo përhumbje sikur e zmadhonte në sytë e Njërit. “Njerëzit që e kanë kokën plot, flasin pak”, – iu kujtua atij të dëgjonte një herë të thoshte zotin Xhevat Drini dhe ngaqë e çmonte shumë si mbarë qyteti, edhe e pat fiksuar thënien e tij dhe e përdorte kur ia lypte nevoja. Tani me të portretizoi deputetin, i cili nuk kishte folur ende asnjë fjalë, por që dukej se po e peshonte atë çfarë do të thoshte.

-Miqtë e mi, – shkokloi dikur ai fjalët e para, ngadalë, me një theks disi të veçantë, pak fshataresk e pak aktoresk, lehtë, sa për ta dëgjuar vetëm ata të dy. – Nisma juaj meriton vëmendje të veçantë dhe, për mua, është shprehje e emancipimit tregtar. Dy fjalët e fundit “emancipim tregtar”, Njëri nuk e kish dëgjuar asnjëherë ndaj dhe e fiksoi në kujtesë. – Pra, – vazhdoi deputeti, – nuk keni mbetur në guackën e provincës, por po dilni jashtë saj dhe po ecni në një hap me zhvillimet tona kontemporane e si metropolitanë. Ju e paskeni kuptuar më mirë se askush filozofinë e partisë sonë,  futjen e së resë në çdo qelizë të jetës shoqërore.

Bëri një pauzë, teksa shihte se sidomos Njëri gati e shihte si i hipnotizuar. Me siguri, si i tha ashtu shpejt e shpejt Vlora sot kur e zgjoi nga gjumi me telefonatën e tij, personi pas Vlorës edhe t’i thoshte të hidhej në greminë do ta bënte një gjë të tillë, pa iu tutur syri e pa e vrarë mendjen se atje ishte fundi i gjithçkaje. Sigurisht që atij nuk i interesonte jeta, por kuleta e tij, pasi as kuvendi nuk i kish dalë siç përflitej se të krimb në para, mjafton të nxehësh atje një karrike. Në shtator do ta niste vajzën për studime në Itali e dihej se çfarë duhej. I kish ardhur gjahu në shteg. Për këtë, domosdo që i ishte mirënjohës Vlorës, por ama edhe ai i rregulloi të birin në gjykatë, kur shokët e tij me fakultet të drejtësisë bënin varavingu rrugëve të qyteteve. Pra u barazuan. Natyrisht që Vlora edhe këtu do të kishte pjesën e tij, po duke ia njohur karakterin, si njeri që mjaftohej me pak, qe i bindur se kërkesën e tyre do ta vinte në vijë, falë edhe njohjes që pat me njërin nga zv.ministrat e arsimit.

Njëri vazhdonte të ndodhej nën efektin e hipnozës, kur deputeti lëshoi premtimin e tij se ai do të vinte bashkë me dy shokë të tij me tituj shkencorë të jepnin leksione e të rrisnin reputacionin e universitetit, edhe pse në parashtrimin që bëri Vlora askund nuk u përmend ftesa as për të e jo më për dy shokët e tij. Njëri shikoi Vlorën e Vlora Njërin. Për një çast ai vështrim fliste, brënda tij kish pikëpyetje të njëpasnjëshme. Vlora, si më i afërt me të, domosdo që duhej të shprehte miratimin apo mismiratimin e tij edhe në emër të Njërit, si të dërguar të një përfaqësie aksionerësh që aspironin për një rrugëtim të ri, siç edhe e paraqitën vehten.

-Ky do të ishte një nder për universitetin tonë, – e bëri fakt të kryer Vlora, – po sigurisht që të mbrrijmë në këtë cak janë për t’u hedhur dhe shumë hapa të tjerë, pasi…ne dëgjuam…ne dëgjuam…- aktroi ai në përsëritjen e fjalëve e sikur po i kërkonte leje që ta shprehte atë që mendonte e që përflitej…

-Po thuaje të shkretën! – e qortoi deputeti.

-O Vlora, thuaja zotëri Detarit, se ne për këtë kemi ardhur…

Vlora do ta çonte lojën deri në fund. Do të mbrrinte atje ku duhej.

-Vëllai im, – iu drejtua kushëririt të tij, – mbase edhe gjetkë, po në qytetin tonë po përflitet shumë se për licencën e një shkolle të mesme njërit i kishin marrë qimet e kokës…

-Si ia kishin marrë? – bëri të habiturin deputeti.

-De fackto nuk ia kishin marrë, madje as ia kishin kërkuar…po hajde sot e hajde nesër…hajde sot e hajde mot dhe asgjë në torbë…Kur u bind se nuk çante dot, e hapi vetë kuletën…Një milion këtij, dy atij, dhjetë firmës së fundit…

-Dokrra! – shfreu deputeti me pozat e një njeriu që nuk e pranon degradimin e dikastereve që u kish dhënë votën. – I trillojnë vetë këto histori, që të përligjin taksën e lartë të shkollave të tyre…Epo, nëse ai iksi i gjimnazit që po flet ato ia ka çuar dhuratë një të njohuri të tij, kjo është tjetër punë, dhuratën e pranon edhe mbreti…

Tha kështu dhe vështroi nga Vlora. Mesazhi u përcuall. E teksa Njëri po nxitonte t’i thoshte se nuk do të kurseheshin as ata për programet e licencën, deputetit i ra zilja e telefonit celular. E la të binte dy a tri herë, sa të tërhiqte edhe vëmendjen e tavolinave më të afërta, pasi celularët sapo qenë futur në përdorim e sigurisht që të parët ato do t’i kishin vipat e jetës politike, artistike e shoqërore.

-Po, Detari, detari jam…O, ç’koincidencë, zoti zëvendësministër…Sapo të përmendëm me dy miq të mij të ngushtë…jo, jo…janë intelektualë të vërtetë dhe që i kanë hyrë një rruge ku mund të na duhet dhe ndihma juaj…Qeshë i bindur se do më ndihmosh…Atë që kam bërë unë për ty as mos të ma zësh më në gojë…Do vish nga kafeja e kuvendit? Edhe më mirë…bisedojmë atje më gjatë…

Kaposhi nuk fryhet më shumë se ç’u fry Vlora atë çast, ndërsa deputeti bënte të thjeshtin, sikur ai me të cilin bisedoi, pra zëvendësministri të mos ish as më shumë e as më pak se një vartës i tij, kur dihej se deputetët e formatit të tij kishin çelësat e kashtës në dorë.

Krenari për një mik të tillë ndjeu edhe Njëri. As i qe përshkuar nepërmend se ngjarjet do të mirrnin  kaq për mbarë.  Edhe rastësia sot qe me ta. U përkund në djepin e një ëndërre, sa, siç bënte edhe herë të tjera, e pickoi vehten që të bindej se qe në zhgjëndër. Ai dhe Vlora…Vlora dhe ai…Cili do ia bënte ftesën për të drekuar sëbashku? Po sikur? Sikur çfarë, – iu duk se e pyeti një zë i brendshëm…sëbashku edhe me zotin zv.ministër…Siç quheshin në gjuhën diplomatike: drekë pune…para një shisheje vere disa vjeçare e një fërliku, problemet mund të dilnin edhe më shkoqur, mund të mirrej një premtim nga burimi dhe askush tjetër, veç ata do të ishin “pronarët” e liçencës, ku me të zezën mbi të bardhë do të shkruheshin veç emrat e tyre…

-Po sikur…sikur zoti deputet, – mund të shqiptojë ai, – sikur, sikur meqë jemi që jemi në Tiranë, të drekonim të katërt sot…Kam qenë edhe njëherë tjetër tek “Sofra e ariut”…Thjesht një drekë pune…- guxoi të shprehej sikur Njëri të qe  përfaqësues shteti që përballë të kishte të një rangu.

-Po ja, besoj e dëgjuat se zv.ministri sot paradreke do të gjejë kohën e të pijë kafen e dytë me mua në bufenë e kuvendit…Juve “Bencin” e paskeni e dukuni nga ora 3 e drekës…Besoj se ai do pranojë…Nuk më ka thënë “jo” deri më sot…

Tha ç’pat për të thënë dhe u ngrit të dilte nga lokali.

Njëri dhe Vlora e përcollën deri tek dera dhe nxituan edhe ata të dilnin. Çim Qeni, siç edhe kuptohet, gërhiste në sediljen e pasme. Ta zgjonin apo ta linin? I druheshin policisë se mund të vinte, jo vetëm t’i këpusnin ndonjë gjobë, po edhe t’ia mirrnin makinën me karrotec. Ndryshe ata s’kishin përse të udhëtonin me automjet: të dy fluturonin, po më shumë Njëri. Nëse Zoti deri më sot e pat dënuar të mos ish baba, me çfarë po bënin qe një tjetër lindje…le të mos kurseheshin…veç që licencën ta siguronin…e t’ia mbrrinte asaj dite që t’i shihte gjithë të tjerët pas tij, si varg gështenjash, ai e Vlora të ishin koçi…pas të kish edhe Tjetrin…Tjetrin apo dhe të shoqen…

Vendosën me Vlorën që të shmipnin këmbët rreth e rreth qendrës, ndërsa Çimit t’i thonin t’i fuste një të larë “Bencit” dhe ta parkonte pas muzeut historik, të bindur se s’do i lozte çekerku i kresë e t’u humbiste në ndonjë kompani bastesh,  duke ndjekur garat e qenve në televizor. Sigurisht dhe e porositën që t’i priste aty, derisa të ktheheshin. Nga mënyra urdhërore e porosisë, Çimi, si i rrahur me vaj e me uthull me pasagjerë të këtij formati, veçse vuri buzën në gaz dhe me “Bencin” e tij brenda pak sekondash u pa të vihej në rresht pas disa veturave të tjera, por pa harruar më përpara t’ua kujtonte se edhe dispozicioni paguhej.

-Mirë ia bëre që ia the rreptë! – e komplimentoi Vlora Njërin. – Madje edhe kur të shkojmë tek “Sofra e ariut” se mos vjen e fut hundët tek tavolina.

Thanë kështu e nisën të shetisnin bregut të Lanës…U ishte hapur qielli dhe, e dinte edhe nga të parët e tij, në çastin kur ai hapet, shpreh një dëshirë dhe…Bëri disa hapa e pa lart. Qielli qe i qëruar. Me bisht të syrit shikoi nga Vlora. Dhe ai dukej se fluturonte. Kur pa nga qielli, iu bë se dikush i foli: “Shpreh një dëshirë, po vetëm me një fjalë!”. “Lindje”, se si i erdhi dhe e shqiptoi lehtë. Mandej erdh duke e zhvilluar: lindje e universitetit, lindje e…së shoqes…lindje e fitimeve marramendëse…e reputacionit të munguar…

Sa shetitën me Vlorën? Mbase dy a tri orë sa s’i ndjenë pulpat e këmbëve. Dikur iu afruan muzeut. Çimi ende flinte në ndejsen e pasme të “Bencit”. Taksisti sa i dëgjoi se hapën derën ku qe i shtrirë, u ngrit me vrik sa desh e përplasi kokën për tavanin e makinës.

-Çim Qeni, ti ma bësh gjumin e dekës! – se si i shkrepi t’i thoshte Njëri.

Ndërkohë shoferi sheh orën e dorës dhe nuk don ta besojë.

-Hajde, Çim, tek rruga e Elbasanit! – urdhëroi Vlora, kuptohet sepse tani ai po mirrte frerët.

-Ku? – pyeti taksisti.

-More, të ka dalë gjumi ty apo je ende në gjumë? Kemi një takim në kuvendin popullor! – u krekos Njëri, pa hyrë në detaje, veç edhe nëse nesër Çimi si shofer taksie rrëfehej me udhëtarin e rradhës, të tjerët le ta mirrnin vesh se fijet e tyre ishin të lidhura fort me karriket e ligjvënësve.

 

+++

 

Ora 14. “Benci” i Çim Qenit, i larë në një nga lavazhet më të shtrenjta të Tiranës, shkëlqen. Shkëlqejnë edhe fytyrat e Vlorës e të Njërit. Domosdo, pasi kanë marrë përgjigjen e deputetit, ata kanë shkuar një çerek ore më përpara se miqtë e tavolinës së tyre tek “Sofra e ariut”. Bënë kujdes të paguajnë edhe një tufë me karafila  e të rezervojnë një nga tavolinat më në sy të lokalit, edhe pse kryekamarieri këmbëngulte se i kishte dhënë fjalën disa klientëve të tjerë, të cilëve s’guxonte kush t’u thoshte “jo”. Dhjetë dollarëshi që i futi në dorë Njëri e bëri kryesherbëtorin që me dy punëtorë të lokalit të bënin disa spostime tavolinash e t’u hapte  vend edhe atyre.

Presin. Janë të kënaqur sa s’ka. Edhe t’i rregullonin punët me duart e tyre e s’do të bëheshin më mirë.

Po çfarë ka Njëri që ngryset, pse Vlora, ashtu i shkurtër siç qe nga shtati, po i dukej siç pat thënë njëherë Maksut Mehmeti për të, si shtypës hudhrash? Shohin Dyl Parrucën të vijë me një makinë, të cilës i hapnin rrugën të gjithë, tek zbriste prej saj i shoqëruar me dy burra që s’kishte ditë të mos shiheshin në ekranet e televizorit.

Ai i përshëndeti dy bashkëqytetarët e tij me kokë dhe la të kalonin dy burra, njëri më i sertë se tjetri. Dukej sheshit se në atë përshëndetje kish diçka të veçantë, superiore, edhe pse nuk arriti ta fshihte kënaqësinë, por edhe pakënaqësinë që u përball në të njëjtin lokal, pa e ditur se edhe Njëri e Vlora prisnin dy burra po të sertë, mbase të të njëjtit nivel e po për të njëjtin problem, që të çanin udhën drejt licencës së universitetit të tyre.

Temenaja e kryekamarierit dhe i kamarierit që i shoqëroi tregonte se dy burrat e sertë të Dylit qenë klientë të përhershëm, mbase që dinin edhe preferencat e tyre në tavolinë e natyrisht edhe bakshishet që në gjuhën e shërbyesve të lokalit quheshin viktima, pasi ishin ata që gjithmonë paguanin e jo të sertët.

-Kishte ngjala? – pyeti si më kot Vlora, tek pa Njërin që po i hidhte një sy menysë.

-Ngjala? – pyeti ai mes një mëdyshjeje në ajo pyetje kish të bënte me menunë apo me një pyetje që nuk donte përgjigje, pasi e ndjente se ngjalën e kishin ngrënë si ai dhe Vlora, përderisa Dyli hyri me të sertët dhe kamarierët u silleshin rrotull si mizat në qull. Mos ishin të vonuar, mos miqtë e Dylit të kishin më shumë potencë se zëvendësministri sa të çanin më përpara se ata për licencën?

-Ngjalat i lëmë kur t’i ftojmë e t’i çojmë në një nga lokalet buzë liqenit tonë, – tha duke parashikuar se “negociatat” mund të vazhdonin edhe një herë tjetër. – Këtu unë njëherë me Ljubën time kemi ngrënë mish dreri…

Bisedonin dhe qafat e tyre zgjateshin si të xhirafave duke parë nga hyrja se mos vinin të ftuarit e tyre. Sytë u silleshin si të trembur dhe duart herë i vendosnin mbi tavolinë e herë nën syprinën e saj. Por vështrimi i tyre shkonte edhe tek tavolina e Dylit, që çmos asnjëherë më parë u shfaqej si kokoroç apo mbase ashtu u dukej në këtë çast pritjeje, ku minuta po u bëhej orë?! Ishin kuriozë të mësonin se si do ta përcillte Dyli ardhjen e të ftuarve të tyre. Qe si një duel pa sharjet që këmbesheshin para se të ndesheshin me shpata. Mbase në ato çaste vehtja u dukej si Gjergj Elez Alia, me nëntë plagë në trup dhe tavolina përtej shndrrohej në bajloz të zi! Kishte gjasa të dy të bënin një krahasim të tillë, dëshironin që si Gjergj Elez Alia edhe ata të triumfonin, por fundin nuk e donin të kishin si të tijin.

E ndërsa shihnin me cmirë se si po u shërbenin kamarierët atyre të tavolinës së Dylit, ia bëhu deputeti me një tjetër që i vinte nga pas, një burrë po i sertë si të sertët e tavolinës së Dylit. Ndërsa deputeti në ecjen e tij pas kamarierit që i printe shpërndante buzëqeshje, si ato të elektoratit në mitingje, tjetri që e pasonte kokën e mbante në shpinë dhe as u frynte në sy klientëve që ndodheshin në klub. Mbase se dhe ata nuk ia varnin. Por erdhi një çast që deputeti i hapi rrugën dhe e bëri atë të printe, për kortezi apo për postin e lartë në ministri. Mbase se ashtu ia donte në atë çast puna.

Si Vlora e ashtu dhe Njëri, tek i panë, u ngritën si me sustë në këmbë, me një veprim disi qesharak, por që për momentin edhe mund të dukej i përligjur, pasi në traditë ishte se sa miku të bënte hapin e parë drejt tavolinës ku i kishe ftuar, të ngriheshe në këmbë, të vije buzën në gaz, të hidhje ndonjë hap e t’u dilje përpara, edhe pse ku veprim mund të kuptohej shitje lirë e vetvehtes.

Vlora, si më i çliruar, i përcolli veprimet e tij më me elegancë, pavarësisht se në paraqitje Njëri jepte fisnikun e gjysmë shekulli më parë. Si i tillë edhe priu një hap para Vlorës, pa arritur ta kuptojë se me një veprim të tillë ai do të ishte i zoti i tavolinës, pra që do të shlyente edhe faturën.

I dha dorën zëvendësministrit e pas tij deputetit, duke i ftuar të zinin vend, kuptohet bashvendin. Megjithatë pat kohë sa të hidhte një sy nga tavolina e Dylit, i cili kishte mbetur si i ngrirë në tavolinën e tij. Mbase edhe mund ta kishte marrë me mend se ata dikë po prisnin, por portreti i deputetit dhe të zëvendësministrit të parë nepër ekrane, sikur e trembi dhe përpjekja e bërë me miqtë e tij iu duk se do të kishte jetë sa flluskat e sapunit.

Këmbyen fjalët e zakonshme të mirë se ardhjes, edhe pse për Njërin ato do të ishin pesë me hiç ndaj thelbit, që sigurisht do ia thyente lëvozhgën deputeti, pra pa e përmendur, por duke e lënë të nënkuptuar kërkesën për licencën e universitetit si dhe…

-Kanë ardhur ditë të vështira! – tha Vlora sa për të thyer heshtjen që u vendos pas përshëndetjeve të para. – Mbase ju nuk e ndjeni gjithaq, po ne në provincë i vuajmë më shumë pasojat e tyre…

Zëvendësministri shikoi nga deputeti, si të donte ta pyeste se për çfarë vështërsishë e kishte fjalën, kur si përfaqësues i lartë pushtetar i një partie, propagandonin sukseset që mbinin përditë si këpurdhat pas shiut. Gjithsesi nuk tha ndonjë gjë sa të prishte atmosferën miqësore të mikpritjes e t’i binte ndesh deputetit që i kish folur për bindjet dhe pozicionin e tyre klasor.

-Nganjëherë, – ndërhyri si me marifet Njëri, – insani hutohet dhe e humb kontrollin para semaforit dhe harron se pas shfaqjes së cilës ngjyrë të tij duhet të bëjë përpara.

Orientalizma e përdorur prej tij dhe fill semafori, miqve nuk u  la ndonjë shije të mirë, ngjau me një arrën të qepur keq, jo me të njëjtën ngjyrë të cohës, por me spango që lëshonte edhe fije përreth. Arriti ta portretizojë Njërin, si një njeri që vinte në kohën që jetonin nga një botë tjetër dhe nuk orientohej dot. Gjithsesi, me çfarë i pat përshkruar tek pinin kafen e dytë, deputeti i pat folur për kryesoren: atyre t’u jepnin licencën e në këmbim – verdhushkat. Do ta tragjedizonin sa s’ka: vërtetë një firmë do të ishte mbi vendimin për licencën, po ai që do ta hidhte atë firmë ishte si ai kali që s’sheh as majtas e djathtas, por vetëm drejt, pasi e pengojnë pallaskat ngjitur me veshët.

Biseda nisi shtruar dhe pa kaluar as pesë minuta, gjuha vajti atje ku dhëmbte dhëmbi. Deputeti qe dirigjent dhe violinë e parë, spalë orkestre, pritej të ishte zëvendsëministri. Mbase Njërit dhe Vlorës i takonin të bënin pjesë në këtë orkestër gazmore, që nisi të thajë njërën pas tjetrës gotat kristali të verës dhe të shijojë mishin e drerit. Dihet që ajo e mallkuar verë të zgjidh gjuhën e për ata që s’ia thonë, të ntrashë gjuhën. Të ntrashur gjuhën po e ndjente edhe Njëri. E ndërsa notonte mes qënies e mosqënies, se si i erdhi në kujtesë mbrëmja e kaluar, vera e mbrëmshme dhe…

Desh të mos e kujtonte as Ljubën e as Tjetrin atë prag mesnate në shtëpinë e tij, por qe e pamundur. Qe fat për të të kishte në krah Vlorën, që si me deputetin e ashtu dhe me zëvendsëministrin po gjenin gjuhë të përbashkët. Dhe ashtu, në mjegullën që i zinte hera-herës pamjen e sallës së restorantit, arrinte të dallonte shikimet e Dylit.

Kllapia i kaloi kur Vlora tha:

-Edhe unë, po sidomos zotëria me të cilin kam ardhur, jemi të përgatitur të mos kursehemi, mjafton që licenca për universitetin të ketë emrat tanë.

-Ju e kuptoni, – ia kapi në ajër fjalën deputeti – se sikur të jetë gjithçka në dorë të zotit zëvendsëministër, e keni licencën që tani në dorë, po ajo dreq firme është në dorë të ministrit…dhe ju e kuptoni…e kuptoni se si funksionojnë sot gjërat…jo se ai kërkon e do gjë për vehte, por përpara janë zgjedhjet e ato duan shuma të mëdha për mitingje, spote, angazhime militantësh, postera, koncerte me këngëtarë të huaj…Kush e ka vënë në atë karrike, pra partia, ia kërkon që kontributi të jetë sa më i madh, ndryshe nuk ruhet posti…

Edhe pse vera po e bënte të veten, Njërit iu tha gjuha në gojë, megjithatë nuk u dha, arriti të tundë kokën në shenjë pohimi.

-Këtu nuk është puna për cikërrima, – tha më në fund zëvendsëministri, – ato mund të jenë për kopshtet parashkollore e 9-vjeçaret, por për një universitet…kuptohet…sa më e lartë steka, aq më i madh vrulli…

Teksa ai fliste, Njëri hodhi vështrimin nga tavolina në skaj e Dylit me miqtë e tij. Edhe ai jepte e mirrte me duar e me këmbë. Shfaqte një energji të patreguar më parë. Iu shndrrua në jastekun e  tij emblematik. Po sakaq ballin ia mbuluan djersët. “A ka se si…a ka se si?”, pyeti vehten. “A ka se si që ai jastek të ishte i mbushur me maceta bankënotash? Dhe jastekun ta kishte maskim në sytë e gjithë atyre që e njihnin. Në Tiranë do të jepte për një familjar që po ia dërgon jastekun një pacienti në spital, pasi qenë kohë mungesash ku ata që kishin të tyret në spitale, u dërgonin jastekë, çarçafë, batanie…

Gjithçka iu turbullua. Kthjellimi erdhi kur deputeti, tha:

-Për mua, zëvendsëministri do bëjë të pamundurën që të mos e çojë stekën më shumë se njëqind milionëshi…të vjetra, kuptohet…

-Sa? – se si i shpëtoi Njërit.

Dy miqtë e tij të tavolinës çakërritën sytë.

-S’e përballoni? – pyeti deputeti me sytë nga Vlora, i cili e kishte siguruar se Njëri ishte pareli dhe bashkëemrin me të në licencë do ta krimbte me verdhushka. Mandej sytë e tij, u kthyen në lutës nga zëvendsëministri, i cili nuk pat nevojë për ta ulur atë, stekën, pasi ai e mori inisiativën e tha:

-Zotëri, ju mbase nuk jeni në korent të asaj çfarë po kërkoni…Drejt jush do të ketë një fluks të paparë studentësh…Unë kam disa miq italianë që janë të interesuar që fëmijët e tyre të kenë një diplomë…

-E kemi menduar edhe këtë, – nxitoi të thoshte Vlora, që të mos e linte të vetëm në atë mëdyshje Njërin. – Katet e sipërme të hotelit, do të jenë dhomat e tyre, me të gjithë kushtet.

Ai vuri buzën në gaz.

-Zotëri, ju jeni miqtë e deputetit, pra jeni dhe miqtë e mi. Mos u tregoni kaq naivë, ata s’kanë përse të vijnë në Shqipëri…mjafton të paguajnë, ju të kryeni detyrën tuaj e t’i regjistroni dhe diploma është e sigurtë…

Njëri bëri shpejt e shpejt një përllogaritje me mend, po s’po i dilte hesapi, pasi shuma që kërkohej për një firmë qe dokumentari; filmi vazhdonte kur të kthehej, me të tjera shpenzime, për stafin e mjediset. Njëherë desh të ngrinte flamurin e bardhë, por hasi në vështrimin e Vlorës. Ai qe i vendosur t’i shkonte deri në fund.

-Zoti deputet, – tha ai me një zë të lehtë, që të shprehte intimitetin e tavolinës, – sikur të bëni një përpjekje e ta ulni qoftë me 20 milionë?!

Dy miqtë e tavolinës u shikuan sy në sy dhe u duk se e bënë një lëshim. Megjithatë nuk e dhanë vehten:

-Përpjekjen tonë ne do ta bëjmë, – tha zëvendsëministri sikur të fliste për çmimin e një kostumi firmato, – po si të thuash, jo çdo gjë varet nga unë. Kam përsipër zotërinj të tjerë, që nga  ministri e sidomos në kryeministri. Siç edhe ua spjegova, ato bëjnë jetë sedërtare, s’kërkojnë asgjë për vehte…

-Kuptohet, kuptohet, – iu bë mbështetje Vlora dhe me marifet i shkeli këmbën Njërit, i cili e mori atë sinjal si një fitore në marrëveshjen që po lidhnin.

-Do të bëj të pamundurën, të pamundurën, – definoi zëvendsëministri dhe e ngriti gotën e verës e një llokëm mish dreri.

Tej, Dyli po përcillte dy miqtë e tij.

“Sa do ta keni ngritur ata stekën? – mendoi Njëri dhe nga rrahja e shpatullave që u bëri Dyli ai kuptoi se kishin rënë në ujdi, nga e cila patrioti i tij kishte mbetur i kënaqur. Pastaj, si i përcolli deri tek praku i derës, u kthye për të shlyer tavolinën, gjë të cilën do ta bënte edhe ai pas pak.

Teksa po largohej, e pa me bisht të syrit. Dyli u ngriti dorën. Jo, s’qe ngritje dore, por ngritje e gishtit të së djathtës: ok! Shikoi nga Vlora. Edhe ai e kishte parë mirë veprimin e Dylit. Mesazhi i fitores së tij nuk kishte nevojë për koment.

Deputeti vështroi orën, mandej sytë i kaloi nga Vlora, miku i tij, sikur t’i thoshte se atyre u kishte ardhur koha për t’u ngritur, në pritje të punëve të mëdha që kishin.

Por para se të ndaheshin desh ta pyeste edhe njëherë zëvendsëministrin se me sa e përcaktuan, me njëqind apo më poshtë, por sakaq ndjeu sërish këmbën e Vlorës mbi të tijën.

Deputeti me zëvendsëministrin u ngritën, duke marrë pas vehtes vështrimet e lokalit dhe kjo për Njërin qe një shpresë më shumë se punët me ta e vetëm me ta viheshin në vijë.

Dy miqtë i rrahën shpatullat si Njërit e ashtu dhe Vlorës e kjo në sy të të tjerëve, por edhe për vetë ata, qe si vula që i vihet një shkrese pas firmës së titullarit.

Si ikën, Njëri dhe Vlora u kthyen tek tavolina e tyre, ku gjetën faturën. Njërit s’i kish takuar asnjëherë të kishte paguar një aq të kripur, pasi me Ljubën qenë më të kujdesshëm në porosi, thjeshtë për t’ia plotësuar dëshirën asaj porositën mish dreri e një sallatë, kurse sot?…Nuk e dha vehten, madje as iu drejtua ndopak Vlorës për të bërë pjestimin, pasi mendja i shkoi tek turra e milionëve; aty, po, Vlora s’do të ndahej pa gjë, mbase jo aq sa Njëri, po gjithsesi puna do të rregullohej në mënyrë të tillë që kush të jepte më shumë dhe emri i tij të figuronte i pari në licencë! Punë e madhe fort se raporti do të ishte 51 me 49!

Kur dolën nga lokali desh harruan që taksisti po i priste, madje Njëri  ishte kaq i hutuar sa e pyeti “Po ti, Çim?!”.

Taksisti, mbase nuk e dëgjoi mirë pasi vinte fare pranë zhurma e këndit të lodrave të fëmijëve, u hapi derën siç dhe e kishin porositur, por kësaj here duke e paguar tangarllëkun e tyre me çmimin më të shtrenjtë që mund të imagjinohej.

Vlora jepte për triumfator, kurse Njëri dukej sheshit që i kish humbur koordinatat, pasi qe i çvendosur nga “Sofra e ariut” në kohë e vend dhe e ndjente vehten në prehërin e së shoqes tek i rrëfente rragvimin e tij në Tiranë, pazarin e bërë e…padyshim për duke ia përgjysmuar ç’i kishin kërkuar dhe për të gjetur rastin kur të largohej ajo nga shtëpia për në flokëtore apo për të pirë kafe me shoqet e saj dhe për të marrë në bythë të shegës devedishe verdhushkat e lëna nga i ati e që s’qenë prekur që gjysmë shekulli më parë.

Nuk e kuptoi as se si hypi në makinë, apartamentet e kioskat anës Lënës i silleshin si në karusel, ndërsa Vlora fluturonte.

-Ia arritëm, ia arritëm më në fund, – tha ai dhe i shtërngoi dorën Njërit, pasi të dy tani po qëndronin në sediljen e pasme, në mënyrë që të mos hynte në detaje në sy të Çim Qenit.

-Steka qe e ngritur lart, – s’mundi pa e shfryrë dufin e tij Njëri, i bindur se nëse Vlora e quante fitore, ajo qe si e Pirros.

-Megjithatë, ia vlen, ia vlen, – tha me bindje Vlora, sikur me atë lehtësi të mirrte lopatën e të zbulonte në arën e tij ç’i kish lënë i ati të fshehur. Vetëm se e tha një gjë të tillë me aq lehtësi, e Njërit iu shpif. Si ia mori ashtu Zoti mendt e kresë e të binte në pezhishkën e tij?! Ç’po fliste kështu? Do të rrahte paret e do të ishte i pari. Vlorën pas, si kumbarë që ishte. Do i rreshtonin si varg gështenjash gjithë aksionerët.

Mendja nisi t’i punojë si kurrë më parë. Pas një muaji e shoqja mbushte 40-vjetorin, le të shtronte një banket e në krye të vinte kushëririn e Vlorës, deputetin e mikun e tij, zëvendsëministrin. Iu duk si një gjetje gjeniale e tij. Kjo do të rriste pazarin.

Mendoi kështu dhe parasysh i erdhi Tjetri. A kishte se si ai të vegjetonte, kur ia dinte fort mirë se sa i shkathët qe në do punë.

-E pijmë një kafe tek “Sheratoni”? – propozoi Vlora dhe taksisti s’priti urdhër tjetër e parkoi diku pas një veture me xhama të zinj, sigurisht pa harruar porosinë që të nxitonte e t’u hapte derën e makinës, me një veprim teatralesk që binte në sy e që të vinte buzën në gaz.

Kjo qe ana folklorike, pasi tragjikja do të përjetohej brenda kafiterisë së hotelit të kohës, ku në një vend të dukshëm doktor Xhela dhe Fan Fani po hapeshin duke pirë kafe me dy xhentelmenë, ikona të televizioneve kombëtare. Njëri këtë fillimisht e konsideroi rastësi, kurse Vlora u pre në fytyrë dhe si tip më inteligjent e që i kapte zhvillimet në ajër e kuptoi se veç Dylit, edhe doktor Xhela me Fan Fanin qenë dy peshkaqenë të tjerë që po u silleshin rrotull duke ckërmitur dhëmbët.

Zunë një tavolinë, po më përpara i kishin zënë ethet dhe Njëri u kthjellua dhe i bëri me shenjë Vlorës në kishte sy për të parë. Po qe tepër vonë, pasi në sytë e bashkëluftëtarit të tij për licencën, gjithçka qe e qartë, madje me sytë e mendjes ai po shetiste dhe në mjedise të tjera të Tiranës, ku kushedi edhe të tjerë aksionerë kishin hedhur grepat për të peshkuar atë që e ëndërronin edhe ata.

-Këtyre dy gazetarëve ua kam frikën më shumë se gjithë të tjerëve, – tha Vlora.

Njëri u pre në fytyrë. Me siguri si ata që kishin përtej, edhe të tjerë gëlonin në forma e rrugë të ndryshme. Mezi ç’priste të niseshin një minutë e më parë. Të kapte shtëpinë, të kyçej në dhomën e tij dhe do t’i qëndiste një letër anonime zotit 1. T’i shprazte të gjitha ç’dinte për këtë dhe atë, sidomos për ata që po i vinin shkopinj nën rrota synimit të tyre final. Epo dy duar për një kokë. Le ta përpushte zjarrin se s’kishte derman pa kërcyer gacat andej e këndej. Le të përcëllohej kush të përcëllohej! E dinte se zoti 1 letrën mund ta hidhte në kosh, po në memorien e tij të tilla informacione për iksin e ypsilonin regjistroheshin e arkivoheshin, sa nuk shqiteshin kurrë që andej. Apo ta ftonte edhe Vlorën e ta qëndisnin së bashku? Ai qe më i shprehur. Shumë-shumë deri të nesërmen e kjo punë duhej të ishte e mbaruar. Të priste orën dhjetë kur e shoqja të shkonte tek parukjerja dhe t’ia qëndisnin me të parë e të mramë, madje t’i tregonin se shumica e tyre s’ia kishin dhënë kokrrën e votës në votimet e vendorëve. Mandej, si të përcillte Vlorën, do të shkonte tek shega devedishe. Kjo punë s’donte dëshmitarë. Të nxirrte disa napolona ar, si kapar, t’i bënte fishekë aq sa t’i vinte punët në vijë me deputetin e zëvendësministrin.

-Për çfarë mendon? – e pyeti Vlora në intimitet, teksa po përpiqej të regjistronte edhe grimasat më të vogla të fytyrës së doktor Xhelës e Fan Fanit gjatë komunikimit me dy vipat e ekraneve.

Pa i kthyer përgjigje Njëri solli një kujtesë një detaj që në rrëmujën e ditës i pat ikur: doktor Xhela gjatë një bisede arriti të shfryjë ndaj zotit 1, me të cilin kishte qenë student e dy vjet pat fjetur në një dhomë konvikti me të, se si nuk e shuante dritën deri andej nga ora një e natës duke konspektuar rresht për rresht veprat e Dullës. Do ia thoshte atë që pat deklaruar doktor Xhela se po t’i bëhet ADN-ja zotit 1, do të shfaqej në çdo qelizë Dulla.

-Hë, pra, m’u përgjegj, për doktor Xhelën apo për Fan Fanin?!

-Një okë e pak e një okë pa pak janë të dy, ka gjetur tenxherja kapakun. Kurvarë të dy. E ç’mund të presësh nga mostra të tilla? – pyeti më shumë vehten Njëri se sa Vlorën.

-Ne andej nga anët tona i themi “moj kasolle ku na mblodhe”. Na mori vala dhe u bëmë bashkë të gjithë për hotelin.

-Thuaje troç, bre burrë: A u besohet këtyre që veprojnë me shpejtësinë e vetëtimës pas krahëve? – pyeti Vlorën, pa e llogaritur edhe vehten që veproi me shpejtësinë e  dritës!

Kafeja që pinë këtu iu duk e hidhur të dyve. Aq të trullosur qenë, sa harruan edhe të paguanin.

Ecën drejt daljes, kur pa e kapërcyer prakun e derës, Njëri u kujtua, i ra ballit me pëllëmbë, e kapi për mënge Vlorën dhe me nxitim i tha:

-Prit bre burrë, se desh u turpëruam, kemi harruar pa paguar faturën…

Nxitoi të kthehej, po ndërkohë u përball me njërin prej kamarierëve që po i shoqëronte, siç e kishin edhe detyrën deri në dalje për të gjithë klientët:

-Ah, zotëri, më falni, sa u detyrohem për kafetë? – pyeti ai me politesë.

Kamarieri, i mësuar me situata të tilla, me sytë nga dora në xhep e klientit, i tha duke bërë me dorë nga tavolina e doktor Xhelës dhe e Fan Fanit:

-Kafetë ua paguan zotërinjtë! – tha ai dhe nuk e refuzoi kartmonedhën që nxorri nga xhepi Njëri e që ia la si bakshish, ndërkohë që doktor Xhela dhe Fan Fani kishin çuar duart lart për t’i përshëndetur e kjo përshëndetje si Njërit dhe Vlorës i erdh më e hidhur se kafeja. Por ama edhe bakshishi që i la kamarierit, qe një gjetje e bukur e tija, pak edhe për të shitur pordhë në sy të doktor Xhelës e Fan Fanit që nuk ia ndanin sytë e që ishte në atë gjendje sa paratë t’i shpërndante havadan.

Po ndërsa po dilnin, tek dera që sillej në formë rrethore, desh u përplasën me tre persona të tjerë, Kokëzeron, Marenglenin dhe kancelarin e shtetërorit. Bar-kafeja, një ndër më elitaret, si magneti kish mbledhur gjithë të ardhurit nga i njëjti qytet. Pas përshëndetjes së momentit, Njërit i erdhën trutë në qafë.

-Po këta, çfarë duan këtu? – pyeti më shumë vehten se sa Vlorën.

-A ka se si edhe ata po lozin gurët? – pyeti ai, i bindur se pyetja e tij qe retorike.

-O Zot, mos jemi të vonuar? – pyeti më shumë vehten se sa Vlorën Njëri dhe u pendua që humbi aq orë pas Tjetrit, kur që mbrëmë duhet t’i binte telefonit e të joshte këdo që mund t’i ofronte diçka të sigurtë.

Çimi, sa i pa të dilnin Njërin dhe Vlorën ndezi “Bencin” e tij dhe zgjati dorën e djathtë për të hapur derën e ndejëses së parë. Po mbeti i habitur kur si Njëri e ashtu dhe Vlora u rrasën të dy prapa, pa folur asnjë fjalë, edhe pse kur dolën nga lokali iu dukën si luftëtarët e plagosur keqas pas një beteje që e mendonin të fituar.

-Për ku, zotërinj? – pyeti ai, siç bënte rëndom me pasagjerët.

-O kokëtyl, – shfreu Njëri përmes një nervozimi të paspjegueshëm. – Në shtëpitë tona, ku tjetër!

Çimi tundi kokën, pasi me atë epitet Njëri po dilte jashtë natyrës së tij të tërhequr. Por atë shfrim, taksisti e përktheu në një dështim të tyre.

Si kaluan “Zogun e Zi”, diku pranë fakultetit të bujqësisë, Çimi e zvogëloi shpejtësinë, çfarë bëri dhe një tjetër taksist, i cili mbase i vetmi në qytet e mbante ende taksinë e tij me xhama të errët. Nxorri kokën nga xhami dhe zu të llafosej me një koleg.

-Sa vonë? – e pyeti xham errëti.

-Po ja, kështu më erdhi, – u përgjegj tjetri.

Pastaj duke ia shkelur syrin, i tha lehtë, si në koinfidencë, sa të mos e dëgjonin ata që kishte brenda: “Kam tre nga aksionerët e hotel “Pionierit”…”.

Vlora, si vesh pipëz, e mori sinjalin. S’kish mbetur mbase askush pa lëvizur. Po seç e kish një bindje se liçensa do të ish e tyrja dhe e askujt tjetër. E ndërsa po e bindte vehten për këtë, imagjinoi ardhjen e tyre sërish të nesërmen, po kësaj here me verdhushkat e Njërit. Iu shfaq parasysh kartmonedha e dikurshme ku shkruhej: “I paguhen prurësit më të parë”. Do të jepnin kaparin. Ai do të ishte lokomotiva.

-Kam një mendim, – tha ashtu si më kot Njëri.

-Sikur të kërkonim bashkëpunim edhe me një tjetër, psh me Salvator Palin, që të rrisnim besueshmërinë, pasi njihet si njeri i sinqertë e mirëfilli i dënuar politik…

Por nuk arriti ta mbarojë propozimin, kur Vlora ia priti:

-Sekretin e mbajnë dy vetë, i treti është tradhtari, – tha ai me profecinë e një njeriu që i di të gjitha.

Ndërkohë “Benci” po i afrohej Lezhës.

-Si thua, ta pijmë edhe një kafe? – pyeti më shumë në formë propozimi Vlora.

Hynë në një klub pranë vendvarrimit të Skenderbeut.

-Ç’na solli këtu ky Çim trapi! – tha Njëri, pasi gjithçka mund të shihte, edhe të vdekurit në arkivol, po jo varret. Varret ia kallnin datën. Edhe ai i heroit. Aq sa i dukej se në këtë klub kishin hyrë për kryeshëndosh.

-S’kishte vend tjetër për parkim, – u përpoq ta zbuste pak zemërimin e tij Vlora, edhe për faktin se donte t’i lëshonte pè, përderisa të vringëllonte verdhushkat për deputetin dhe zëvendësministrin.

-Shkojmë tek një klub në breg të Drinit, – propozoi Njëri dhe Vlora, pa ia prishur, e ndoqi si manar.

Bar-kafeja qe disi, edhe pse ata u ulën në të vetmen tavolinë që gjetën bosh. Për çudi, sapo hodhën hapat e para në lokal, kokat e klientëve u sollën nga ata dhe buzët nuk artikuluan asnjë tingull. U kuptua se të gjithë ata ishin lezhjanë dhe ai ishte klubi i tyre. Megjithatë as i priti kush te dera e as erdhi kush t’u mirrte porosinë, derisa Vlora i bëri me shenjë një kamarieri-kokërr dembeli, që mezi lëvizte bythët.

Kafeja u erdhi e ëmbël në gojë, ndryshe nga ajo që pinë në Tiranë, edhe si rrjedhojë e shkarkimit të emocioneve të atjeshme.

Sa hynë, për pak sekonda ra një heshtje mortore. Mandej gumëzhimi qe aq i shpejtë e i mërzitshëm, sa mund të dëgjoje jo vetëm bisedat e tavolinave pranë, por edhe atë në qoshe, e cila, siç dukej, rezervohej për parinë e këtushme, që ta kishin sa më intime ndenjen.

Gjithsesi edhe ato biseda e kishin bukurinë e tyre, megjithëse të fragmentizuara.

Fragmenti i parë: Ke qenë e mbete koqe kandari, në kala nuk lejohen klubet e aq më shumë pijetoret…

Fragmenti i dytë: Klubit të futbollit “Besëlidhja”, t’ia shndrrojnë e t’ia bëjnë “Besëprerja” pasi na e shitën ndeshjen me “Veleçikun”…

Fragmenti i tretë: Nëpunësi i hipotekës për një mbivendosje trualli iu mbivendos gruas së Lushit…Hi,hi,hi….

Fragmenti i katërt: As një çerek ore më parë u ndava me dy miq…Po shkonin për një licencë universiteti në Tiranë…

Kafeja sërish iu bë helm. Nuk mund të bënin më shumë se të shikonin njëri-tjetrin, të nxitonin të paguanin dhe të niseshin me shpejtësinë e erës drejt vendlindjes, të mirrnin ato që duheshin e të ktheheshin, të ktheshin në Tiranë pa pushuar asnjë minutë. Pasi edhe floriri që do të ofronin do të shndrrohej në soldë italiane nëse nuk vepronin më përpara se të tjerët. Kishin avancë e atë nuk duhej ta humbisnin.

Çimi qe zhdukur dhe ata për një çast mbetën si kukuthë në sheshin pranë vendvarrimit, në breg të Drinit. Dikur Vlora u kujtua dhe pyeti një djalë të ri se ku kishte pranë ndonjë klub lotosporti. Djaloshi ua tregoi dhe Njëri gati vrapoi drejt lotosportit, sikur ta ndiqte kush nga pas. Nuk u gabuan. Çim Qeni rrasi disa kartmonedha në xhepin e pasmë, pasi qeni i tij në garën e fundit doli i pari.

-Zotëri, provojeni edhe ju, ky bishtpreri qënka erë, vini edhe ju…me pesë dollarë e fitoni njëzet…

Vështrimi i dy klientëve të tij qe i rreptë dhe ai nuk e zgjati po nxitoi të dilte si qen i rrahur nga lokali e të ndizte makinën.

-Çim Qeni, të jetë hera e fundit që na zhdukesh kur je në dispozicionin tonë, – iu hakërrua Njëri. – Dhe shiko, ora është dy e gjysmë, andej nga ora 5 ne do të kthehemi sërish në Tiranë se ashtu është puna e mund të flejmë në ndonjërin nga motelet e periferisë. Ti mund të flesh edhe në “Benc”, si i mësuar që je.

Qyteti i tyre qe larg, Tirana më afër se kurrë.

Kapitulli i gjashtë

Shembja e ngrehinës

 

Ndërkohë që çiftet eksploruese s’rreshtnin veprimtarinë e tyre në drejtim të licencës në Tiranë, edhe në qytetin e aksionerëve të hotelit “Pionieri” kishin ndodhur zhvillime që duheshin marrë në konsideratë. Dorëheqja e Xhevat Drinit, e njërit nga zotërinjtë më të spikatur aksionerë, për gjithë të tjerët të cilët e morën vesh qe i barabartë me magnitudën e një tërmeti. Dorëheqja tjetër e Salvator Palit-pasgoditje. Xhevat Drini kish hedhur një gur mbi syprinën e lumit të hotelit dhe rradhët e saj nga nëntokësore të tërmetit, tani shiheshin sipërfaqësore. Kush kishte sy i shihte, kush nuk kishte-ëndërronte.

Por edhe vepronte. Që të mos shembej ngrehina e disa viteve.

I pari qe e mori vesh dorëheqiet e Drinit e të mikut të tij të ngushtë, Salvator Palit, qe, padyshim, Suat Kordha. Edhe pse mosha e përjashtonte nga veprimet energjike, nisi të lëvizë. Më përpara, risolli në kujtesë çfarë kishte ngjarë një javë më parë, të zhbirilonte rrënjën e propozimit për ta shndrruar hotelin e tyre në universitet larg asaj që shfaqi publikisht Zyhdi Çeku nën hijen e prof.Kotit, mbështetësit, abstenuesit, kundërshtuesit e heshtur, mes të cilëve edhe Xhevat Drini, i pastër si ujërat e lumenjve alpinë. Nisi edhe të ndërtojë strategjinë e tij për të vepruar, por ndërkohë që po hidhte hapin e parë, i ra zilja e telefonit. Ia mori mendja se duhet të ishte patjetër një  e lidhur me zhvillimet e reja. Po cili nga aksionerët të ishte?

-Me zotin Suat Kordha flas? – pyeti tjetri.

-Po, po, urdhëroni, familja Kordha jemi, – u përgjegj, ndërkohë që mendoi edhe kurthin. – Babai momentalisht nuk ndodhet në shtëpi, – gënjeu ai, me shpresën se tjetri do ta hante atë kokërr ulliri e ai në një moment të dytë të kishte kohë të kthente një përgjigje që të mos pendohej.

-Edhe më mirë, zoti Bahri, – ia ktheu tjetri. – Përcillja babait një këshillë miqësore që të heqë dorë nga aksionet siç e hoqën zotërinjtë Drini e Pali…Nesër do të jetë vonë…Dhe aksionet që ka s’do t’i vlejnë, me nder jush, as për…

Suat Kordha e mbylli telefonin. Në jetë ai kish pasë kushedi sa kërcënime, mashtrime, sfida dhe përgjithësisht kish arritur të dilte në breg. Po më së shumti ato kishin qenë të lidhura me fijet e padukshme te legalit që i shërbente, si në kohë të naltmadhnisë e tash sa vjet. Jo nga hallet se sa nga mosha, me atë kërrusje, qe kthyer në një pikëpyetje lëvizëse e që nga ata që e shihnin nga afër shihej si një mister me njëmijë e një të panjohura.

Propozimi në formë kërcënimi i erdhi në momentin më të papërshtatshëm, kur kish orë që punonte të fitonte terren, kur qe lidhur në telefon me një mik të tij të oborrit në Tiranë, i cili i kish hyrë garant për të luajtur të gjithë gurët për të marrë licencën e universitetit e ku emri i tij dhe i Din Plakut, si më i afërt me pushtetin e kohës, do të ishin në vendimin që firmosej nga ministri e që shndrrohej në VKM. Duke e ditur këtë rrugëtim, sikur iu ngjallën shpresat.

Por dhe ato ia shoi një tjetër telefonatë, jo e bërë nga të tjerët, por nga ai. Formoi numurin telefonik të Dhori Dhimitrit. Po s’kish arritur të bënte prezantimin, kur nga ana tjetër u ndje zëri i një frikacaku të vërtetë:

-Zoti Suat, çdo gjë e ka një fillim, por e ka edhe një fund e zotëria juaj këtë e di më mirë se unë…

Suat Kordha e mori mesazhin. Qe mjeshtër në të tilla raste dhe ajo që urrente më shumë, ishin komentet. Po dhe ashtu, memec nuk mund të qëndronte:

-Domethënë edhe juve iu bë propozimi për tërheqje?…

Pat një pauzë, pas së cilës erdhi edhe përgjigja:

-Të them të drejtën e zotit, sa isha bërë gati të tërhiqesha…pemë pa kokrra, zoti Suat…Mandej i pari që e çeli këtë rrugë qe vetë zoti Xhevat Drini. Mos unë jam më i ditur se ai? E ndoqi Salvator Pali, Maksut Mehmeti…Ajka e zotnive…Madje më duket se edhe Alush Begzadi e Bato Ahmetaga…

Suat Kordha s’po u besonte veshëve dhe vehten e ndjeu të plakur sa s’ka. Si të ishte e mundur që Dhori Dhimitri, që s’e mirrnin as për osh e as për balosh, të kishte vjelë një informacion të tillë që atij i mungonte.

-Thonë se aksionet po i mbledh një koç i tregtisë. Burrë i ndershëm dhe nga një fis i fjalës. I krahut tonë…

Suat Kordha e kuptoi se rrokopuja kishte nisur dhe çdo rezistencë e tij apo dhe e disave prej aksionerëve mund të quhej aventurë. Ai s’kish moshë për një gjë të tillë. Tek e fundit, të birit, i kish siguruar një pasuri, që krahasuar me të tjerët, nuk ish që nuk mund të mirrej në konsideratë.

I tha a s’i tha natën e mirë Dhori Dhimitrit nuk e kujtonte mirë, po se si i erdhi parasysh Mu-Muja, gazetari. Ai duhet të ishte magneti që thithte informacione të tilla.

E mori në telefon.

-Unë sapo përcaktova në program dhe intervistën me pronarin e ri?…

-Pronarin  e ri? – se si nxitoi Suat Kordha.

-Po kjo është tashmë punë e kryer, zoti Kordha, – tha çuditërisht Mu-Muja, pa iu mbajtur goja, ngase dhe fjalët që shqiptoi qenë dyrrokëshe. – Bile unë po habitem se si zotëria juaj e të mos e dinit një fakt të tillë…mbase je edhe i fundit…

Suat Kordha desh të mirrte në telefon më pas edhe Din Plakun, por ndrroi mendja, u vesh dhe nxitoi të shkonte njëherë andej nga hoteli, mbase të ecte dhe ai në atë shteg ku kishin ecur aksionerët e tjerë, që si skutha, i kishin ikur vështrimit të tij aq të stërvitur. Nxitoi, me shpresën se Mu-Muja s’i kishte thënë të vërtetën që ai të ishte i fundit…

Kapitulli i fundit

Kanë kaluar tre muaj. Ngjarje të ndryshme precipituan. Njëri la ndezur televizorin dhe pret emisionin e lajmeve.

VKM:

Me propozim të Ministrisë së Arsimit i jepet licencë universiteteve Iks, Ypsilon, Zeta… në Tiranë. Çuditërisht spikeri shton: Në thembër të vendimit, është shkruar shënimi: për mungesë dokumentacioni të plotë dhe pretendimit të disa ish-pronarëve të truallit e të sekteve fetare, licenca për universitetin “Univers” shtyhet në një kohë të përshtatshme.

Qe lajmi i parë i të gjitha stacioneve radiofonike e televizive. Kardiologët u thirrën me urgjencë në spital. Madje u thirrën edhe ata të rretheve të afërta. S’kish ndodhur ndonjëherë qëkur qe ngritur spitali të kishte një bum të tillë pacientësh me kriza nga më të ndryshme zemre, tensione të larta e të ulta, arreste kardiake, aritmi, dhimbje të padurueshme në gjoks.

Njëri u bë verdh, si verdhushkat e kaparit. Po sakaq në shtëpi hyri e shoqja, Ljuba. Fytyra i shndriste. Nuk ecte, por fluturonte.

-Shpirt! Shpirti im! – klithi ajo. – Jam me barrë! Jam me barrë, tre muajshe! Ma konfirmoi edhe doktor Xhela, edhe testi që më dha për të bërë…

Njëri u ngrit në këmbë. E kapi hopa të shoqen, e puthi në çdo cep të fytyrës, e hodhi në shtratin dopjo.

E në atë çast nuk iu kujtua askush, as Vlora, as Tjetri, askush…Iu kujtua një i rrjedhur që ecte me një shkop nepër rrugët e qytetit duke thënë tash e parë “S’ka një të keqe pa një të mirë”, “S’ka një të keqe pa një të mirë”… “S’ka një të keqe pa një të mirë”…

Pas vendimit e reklamave, si zakonisht, TV Pasnesër jepet lajmërimet e vdekjeve. U trondit kur mësoi se kishte ndrruar jetë njëri nga burrat më fisnikë të qytetit, zotëria Xhevat Drini. Shumë bashkëqytetarë e bashkëvuajtës që e njihnin e dinin se ai nuk vdiq nga motet, as nga vuajtjet e djeshme e mos hapja e universitetit, por  se ai kishte vdekur nga Ndershmëria.

 

Shkodër, qershor 2019-janar 2021