SKENDER TEMALI -Shkrimtar-
Zdralja është një lagje e vjetër në kërthizë të Shkodrës. Në kërthizë të lagjes është pazari më i madh që ka qyteti ose “bezisteni” i kohëve moderne! Këtu shitet gjithçka: që nga kastravecat sa të hajdaragës e deri tek rrenat e barcoletat, që nga njalat sa krahu e deri te ushujzat për derman, që prej rrakelave të penit e deri tek çentrot e enduna me grep e të ngrime me niseshe, që nga salca që shesin nepër kavanoza gratë me degërmija të Oblikës e deri tek mandate e tokës që shet një miku im nga rrethinat.Në krye të rrugës që përshkon tej për tej Shkodrën, (e kuptohet edhe Zdralen e Shkodrën që nga Bregu i Bunës e deri ku merr rruga për malësitë) pat themelet “Shtëpia e mushkajave”! Qe një godinë e vogël ku liheshin dikur pesticidet kundër mushkajave, bartëse të sëmundjes së malarjes. Ndofta nuk e besoni, por të hollat për ndërtimin e saj e pesticidet për gjithë qytetin i pat dhënë Rokfeleri, industrialisti i madh amerikan, që nga njeri i varfër u bë një nga më të pasurit e botës e një nga filantropët më të zëshëm që ka njohur njerëzimi! Por, paradoksi qëndron se askush asokohe e as sot nuk u kujtua të përjetësonte miliarderin amerikan, por mushkojat!!! Toponimi “Shtëpia e mushkojave” është sa absurd, aq dhe qesharak!Tash të vijmë edhe njëherë tek emërtimi tjetër absurd, Zdrale!Shekuj më parë, në Zdrale ka pas kenë shtegu i dhenve, që kalonte përmes një pylli, pasi, siç e dijmë, qyteti qe i shtrimë me lagje rreth kalasë Rozafa. Qe një vend ku çobanët në shtegtimet e tyre të dimnimit apo verimit të mijëra kokëve bagëti, teksa po vinte nata, këtu banin një ndalesë, se në pyll bagëtitë i priste ndonjë egërsinë, hajn a cub. Çobanët këtu thernin keca e rrapullitë i hidhnin tej, bagëtitë po bajga, shurrë e kokërdhija e vendi ndotej aq shumë sa vinte era stërc me javë. Nga kjo pat mbetë edhe emni zdrale, fjalë që “Fjalori i gjuhës shqipe” na e spjegon si “Lerë në trup a në rroba, që bëhet nga të palarët, zhul”. Po ec e hiqe këtë toponim!!! S’pat pushtim, pushtet a diktaturë ta hiqte! Ven e çven emra emra heronjsh e prap Zdrale se Zdrale! Kjo është një çudi më vehte, se çudija tjetër është se mund të pish edhe një “Zdrale”, dmth të blesh një pako kafe me emërtimin “Zdrale”!!! Se edhe bashkia e ka fort të lehtë të heqë emra heronjsh të Luftës Nacionalçlirimtare nga rrugët e sheshet, po pa një e pa dy ia ven jo një rruge, por sheshit më të madh, “Sheshi Zdrale”. E ku, bash aty ku çobanët shekuj ma parë piqnin kecat! Aty ku sot rrah krapi në trotuar e livron njala në akuarium, kur fort kollaj mund t’ia vinte emrin e një tregtari të ndershëm shkodran.Fjala vjen, sa i mirëpritur do të ishte emri i tregtarit të dikurshëm Idriz Gjoka, i cili u bante pajën për martesë pa asnjë metelik vajzave të familjeve të varfna shkodrane!Shetis nëpër Zdrale…I njoh shumë e shumë familje autoktone! Jo vetëm unë. Është Shkodra që këtu njohu Memejt, pronarë të shumë dyqaneve, Kashejt, Kastratët, Brocejt, Mukejt, Golemët, etj. Secila ka histori e ka bërë histori. Sa të pakujdeshëm që jemi, por edhe mosmirënjohës. Bash këtu, pra në Zdrale e bash në zemër të saj është një rrugicë qorre kund me nja dhjetë shtëpi që mban emrin e gjuhëtarit e bibliografit më të shquar shqiptar, Jup Kastrati! Paradoks tjetër: Jup Kastrati i madh në një rrugicë qorre!!! “Po të paktën këtu qënkan dhjetë shtëpi, – më thotë Ferid Bala, – po një rruge qorre pa asnjë shtëpi tek Çinari i Tophanës ia kanë vënë emrin e tim vëllai, Vehbi Balës, Mësues i Popullit, profesor e poet!…Ndërkohë që unë endem sa poshtë e përpjetë, edhe Zdralja lëviz. Karroca me kuaj me zile të mbushuna me pambuk që të mos tingëllojnë e t’i vidhen policisë mos t’i gjobisë, dum-duma, kamionçina, “Bensa” katundarësh gjithë pluhur, motoçikletat e qumështit, biçikletat e dikurshme kineze, të larta për shalgjatë e që përballojnë deri dy kuintal, me të zotët e tyre e zgjojnë këtë qytezë në mes të qytetit. Dikush me tangarllëk e që ka të punësuar ndonjë hallexhi në dyqan e pi një fërnet duke ba me tavolinat kojshi llogje kavaje, kujt s’ia qet xhepi ban demek se nuk ka nge për një kafe, pasi malli duhet shkarkue e sistemue që kur të zgjohet Shkodra gjithçka të jetë si s’ka më mirë. Pra lëvizin tarabat metalike me disa kajnaca, spërkatet vendi para dyqanit në formë të shatërvanit me shishe plastike të shpueme, vihet një çmim me një shkrim pulash (por dhe me kartuça me çmime rezervë, ma nalt apo ma poshtë, se mund të lëvizë “kursi i dollarit” në Tokio!), shahet me libër shtëpie një stacion radiojeje ilegale që pa hangër sorra m…transmeton këngë që s’u merr vesh asnjë fjalë, tregohet se kujt iu dogj shtëpia mbrëmë e kujt iu shpue lodra e veshit, shpërthen gazi pas një barcalete me fjalë të ndyta…E kështu pazari i Zdrales bahet gati me të thanë “Nadja e mirë” e “Urdhno zotni”! Këtu ke ç’ka po don! Të serviruna me zotnillëk sa nuk e din se çfarë ju tej ble, mallin apo zotnillekun, se tash edhe të ardhunit me ba tregti nga rrethinat kanë fitue mjaft nga qytetaria e traditës tregtare shkodrane. Bile thonë se mos paçin mësue gjuhë të huej sa qenë në emigrim, po e mësojnë tash njeni me tjetrin, në kohën kur nuk ka klientë e vrasin miza. Se s’ka ditë që në dyqanet e para tezgave përpushen edhe të huaj, që habiten sa s’ka me freskinë e zarzavateve e të frutave, por dhe me çmimet ku e ku me ato të vendeve të tyre, se, për fat, tash e parë e përditë vijnë me dhjetra e me qindra që vizitojnë muzeun historik të Shkodrës, në shtëpinë e “Oso Kukës”, që është kaq pranë tregut të Zdrales. Ulqinakët që vijnë këtu përditë me ba pazar unë s’po i përziej me turistët e huaj, se janë shqiptarë.E ndërsa shetis, dy tregtarucë si kacagjela, po zihen me njëri-tjetrin se ai më përpara ia kishte ba me hile atij që vinte mrapa me shporta e zymyla të mbushuna me mandandoz, pasi tri tuba nisi t’i shiste 20 lekë, kur ai mbrapa e shiste një tubë 10 lekë! “Ke qenë e mbete karabush, – i gërmushet i pari! – Hala se more vesh se çka don me thanë tregti me shumicë e me pakicë!!!”Sa dyqane ka gjithsejt ky pellg tregtar? Qindra! Të sistemuar e të pasistemuar, ndonjë modern e higjenik, si “Qendra tregtare”, përbri një kaçorre pulash, ma ndej një tavolinë ku të mbyt era e uthit të ullinjve, djathë me erë e pa erë, batanije leshi e çarçafa shtretërish dopjo, detergjente origjinale, por dhe me afate të korigjueme, radio kineze që bahen memece pas një viti, bateri të skadueme, grepa për peshkim, kamardare tajlandeze, tezga me mollatarta si po i don, kertolla Vermoshit, patlixhana që shkëlqejnë e mandandoz që dikur e patën përdorë me tuba në çorbë dudumët në vend të viagrës, kumbulla bardalike, kunguj për fërgesë e për laknuer, qershia pa tortë, bamje në varg, bishtaja pa fije, rrush, fiq, bostan, fidana specash e laknash, zerdelia e pjeshka, qepë prej Postribe…Ia kanë marrë dorën rrenës…Tanë të thonë se i kanë këputur nga zbardhë drita në tokat e tyre…në serat e Lushnjes!…Janë thuajse tanë njësoj, si konviktorët e dikurshëm…Se s’kam pa ende fiq shnjinza e llapadana, melacakë e tivaras, aq të shijshëm që s’u munguan kurrë bahçeve të Shkodrës! Si s’e pashë një dymlek e ta ruaja për dimër! Pa le pastaj ndonjë gjelltore përreth që të ngopë me pilaf e tasqebap, me makarule e paçë plancash, me ndonjë ëmbëlsirë që e gjen gjithkund, po nuk pamë nëpër meny njëherë sazerm, aksude, tespixhe, haxhimakulle e sa e sa të tjera, që nënat tona i patën mësue nga vjehrrat e tyre.E ndërsa shetisja poshtë e përpjetë Zdrales, shkrova edhe një poezi:Kam pantallona pa xhepa,Xhepat nuk kanë astar,Që të thithja një cigareI shita ato në Pazar! Meqë i papunë si zyrtarS’ka pse të mbaja kollar,që të pija një kafe me shokëtE shita atë në Pazar! Kostumin e zyrës e shita,Qe qepur me copë të rrallë,Dhe kmishën me kopsa sadefiI shita çëk-fëk në Pazar! Ç’ju them, o miq, s’është përrallë,Përrallat nuk shiten n’Pazar!…