“Halla” ime dhe heroi i popullit Tom Kola

Skënder Temali*

Ngjarja që do u rrëfej nuk është e stisur. Në të nuk ka asnjë fantazi shkrimtari, por vetëm një realitet të hershëm, gati në kufijtë e të pabesueshmes.

Përse e rrethova me thonjëza hallën? Thjeshtë sepse ajo nuk ish tamam halla ime, por kushërirë e parë nga babai, të cilën, për arsye të moshës e përballimit të jetës në vehte, të gjithë e thërrisnim hallë-halla Feta, se Fetije e kish emrin.

Me Heroin e Popullit Tom Kola atë nuk e lidhte asgjë dhe gjithçka. E pra halla Feta gjatë Luftës Nacionalçlirimtare as e dinte fare se si e kish emrin kjo luftë, as dinte fare se ç’ish partia komuniste e qind për qind as se kush e udhëhiqte atë.

Në jetë pat një tragjedi: papritmas, i vdiq djali 18 vjeç dhe mbet e vetme me të shoqin, Mollá Muho Krajën. Pra, me një besimtar me titullin islamik “mollá”, i cili shumë kohë më parë pat zbritur nga Kraja. Bënin një jetë normale burrë e grua, në një shtëpi dykatëshe në lagjen Dërgut në meze të qytetit të Shkodrës, me një kopsht plot pemë që rrallë kush e kishte, si sipërfaqe e varietete.

Halla Feta rrallë e kalonte parkun e shtëpisë, edhe për një cen trupor në të ecur që kishte. Madje dhe kur e ftonin të vinte e të kalonte disa ditë në shtëpinë tonë, xhaxhai dhe babai, herë njëri e herë tjetri, shkonin dhe e merrnin dhe e kthenin me ndonjë pajton, edhe pse banonim në një lagje.

Ngjarjet gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë ajo o s’i  mirrte vesh fare, ose, më e shumta kur vinte në shtëpinë tonë, pasi atë e patën shndërruar në bazë të rëndësishme të luftës kushërinjtë e tjerë, Haki e Shuaip Temali, në portën e së cilës kishte trokitur disa herë edhe Vasil Shanto, fakt historik i pohuar nga Myslim Islami në librin kushtuar këtij militanti disa dekada më parë.

Shkurt asnjë lidhje të saj me luftën e as me një militant, as me kushërinjtë e lartpërmendur.

Lidhja e saj u bë më 22 shkurt të vitit 1942. Në mesnatë.

Po para se t’u rrëfej atë, jam i detyruar të bëj një rrëfim mes meje dhe halla Fetës, për një ngjarje të ndodhur diku nga vitet 80’ të shekullit të kaluar kur pata shkruar një radiodramatizim kushtuar Tom Kolës, të inskenuar nga aktorët e teatrit “Migjeni”, të transmetuar nga Radio Shkodra e më pas dhe nga Radio Tirana në emisionin “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”.

Pas humbjes edhe të të shoqit, gjatë sistemit të kaluar, Halla Feta, lidhjet me botën i mbante përmes një radioje kineze. Dëgjonte këngët që transmetonin ose radioja lokale, ose radio Tirana. Rrallë e tek ndonjë emision tjetër, sa për të mbytur kohën. Qëlloi të kish dëgjuar dhe radiodramatizimin kushtuar Tom Kolës. Asokohe bëhej dhe anunçimi i autorit të radiodramatizimit, Skender Temali.

Pasi e kish dëgjuar, më çoi fjalë të shkoja e ta takoja.  Gjeta kohën dhe shkova.

Qe shumë mikpritëse. Në çdo kohë të qeraste nga prodhimet e bahçes, që i bënte me duart e saj e disi të harruara: kumbulla të thata, pekmez, hurma e ftonj, madje deri në pranverë, pasi dinte si pak kush t’i ruante dhe era e tyre mbushte gjithë shtëpinë.

Preferova dy-tri lugë pekmez nga manat e saj kokërrmëdhenj.

Më la t’i shijoja e më pyeti: “E di pse të kam thirrë?”.

“Po”, iu përgjigja, “të më shash që kam tri javë pa ardhur të të shoh”’.

Sa qe e mirë në të tëra drejtimet, fjalën e kish pak të rëndë e s’ta çonte për kënd:

“Medemek kishe shkrue për jetën e Tom Kolës! Në disa gjana mirë, në disa të tjera ia ke futë kot.”

Mbeta shtang. Halla Feta me Tom Kolën?!

Desha t’i dal “lakut”.

“Epo unë nuk e kam jetuar atë kohë dhe e kam ndërtuar radiodramatizimin mbi pak fakte që gjeta në muzeun e qytetit dhe ç’më tha një shoku i tij”.

“S’kam punë me ta! Kam punë me ty. Mirë ç’vole (sikur po vilja prodhimet nga bahçja e saj) prej tyne, po ti me kaq shkollë a s’ja bane vedit nji pvetje: ku e çuen Tom Kolën pasi u plagos randë nga italianët?”

Sërish u shtanga. Më flakëronin kushedi sa mendime. Ç’lidhje kish Halla Feta me Tom Kolën?

“Do të besoj diçka, për të cilën edhe Kapisyzët më kanë dhanë besën se s’do ta përmendin kurrë sa të jem gjallë”.

“Hej, dreq, mendova vetmevedi, ja ku më dolën në skenë edhe Kapisyzët, prej të cilëve kisha njohur nga larg ish-gjeneralin Qazim Kapisyzi.”

“Betohu! Se sa të jem gjallë s’do ia thuesh askujt”.

Nxitova t’i betohesha.

-Im shoq kishte shkue për 2-3 ditë në Krajë, në pronat e të afërmit e tij. Si e vetme e meqë errej heret, dola me mundim e mbylla derën e shtëpisë. Ndejta sa ndejta dhe rashë të merrja nji sy gjumë. Po kur s’kish ba as gjumin e parë, dëgjoj nji za diku nga bahçja e shtëpisë që thërriste emnin e të zotit të shtëpisë: “O Muho, o Muho!”. Dikur dola në penxhere. “Çka asht zani?”. “Dil pak te gardhi, Fetije, Kapisyzët jemi”.

Jemi edhe sot me bahçe komshi me Kapisyzët. Kisha ndigjue diçka kur vija tek ju se qenë vu kundër pushtuesve italianë. Kaq. Jo ma shumë e as më duhej  ma shumë. Kisha boll bahçen teme që më delte e më tepronte. Kapisyzët qenë komshinj të mirë dhe kurrënjiherë nuk na kish ardhë nji e keqe prej tyne, përkundrazi.

Molla Muhja nuk asht në ship. Ç’ka asht zani?

Hë për he nuk u përgjegjen. Mandej prap: “A kishte pritue zotnia jote me dalë deri te gardhi i bahçes?

Qe natë e ftohtë. Me mundim dola te gardhi. Në errësinë pashë dy persona që mbanin në krah nji të tretë.

“Fetije, jena në dorën tande. Italianët na kanë plagosë nji shok. E kena marrë me mundim që të mos e arrestonin dhe e sollëm në shtëpinë tonë, po sapo na erdh një sinjal se do na kontrollojnë shtëpinë. Asht i ri, i ka a s’i ka 21 vjeç. Te ju nuk dyshojnë.

Sa më tha moshen ma përshkoi trupin një e dridhun që aman o zot! M’u kujtue im bir. Edhe ai do të ishte 21 vjeç. Po a mund ta fusja në shtëpi nji mashkull pa izën e tim shoqi? Se si më erdhi me e pyet: “A dihet i kujt asht?”. Kapisyzët u përtypën. “Se i kujt asht nuk e dijmë, por asht shoku jonë e s’kemi pse ta fshehim, asht i kshtenë”.

Zjerm këndej e zjerm andej. Përderisa shok i Kapisyzëve, edhe komunist. Por katolik. Kur im shoq qe mollá e që falte pesë vaktet.

Po ju hapi gardhin, u thashë dhe të tre e futën djalin e plagosun në oborrin e shtëpisë. Po ku ta shtroja? Ti e di, kështu ka kenë edhe atëhere shtëpia, dy katëshe. Në bodrum, patëm ndërtue nji odë të vogël, që e përdornim në verat e nxehta, se qe e freskët. Në dimën e ngrohtë. Me një minder, sa për ta xanë djalin e plagosun. Aty vendosa dhe aty e çuem. Nuk do guxoja t’ia tregoja tim shoqi as kur te kthehej; edhe se si grua e vetme në shtëpi kisha futë nji mashkull, edhe si katolik që ishte e im shoq musliman i thekun, edhe pse veç sherrin do të kishim mbrapa po të diktoheshim.

Djali nuk përmendej. Si shumëkush në Shkodër që kish bahçe e jerevi, e mbante nji lopë. Kështu që qumësht, djathë, tlyn e mazë kishe sa të duesh. Në fillim ia njoma buzët me pak ujë. Mandej mora nji gotë tamël e nisa t’ia mkoj me nji lugë. Kapisyzët më shikonin. “Ndigjo Fetë, më tha Qazimi, pas nja nji ore kam me të sjellë nga bahçja nji doktor tonin. Zahmet me ndejtë çuet deri sa t’ia mjekojë plagen!”. Kemi me e sjellë prap natën, deri sa të bahet me u çue në kambë”.

Ashtu u ba. Tri ditë e netë. E mëkova si me kenë im bir. Erdh në vedi e nisëm me kuvendë. Po më hiqte mallin e djalit tim. E mbaj mend se më tha se pat zbritë prej Dukagjinit, se pat ndjekë gjimnazin, por e kishin arrestue e dërgue në internim në Itali.

Kur u kthye im shoq nga Kraja, nuk ma mbajti me ia tregue se kisha futë një të plagosun në shtëpi, tashma e mora  vesh se qe edhe komunist, edhe katolik. Molla Muhja në bodrum nuk zbriste kurrë në dimën. Veç unë shkoja e vija aty, sepse mbanin ç’ka na jepte bahçja e lopa. As Toma nuk gjimonte nga dhimbja, po vshtirë e kisha në mesnatë kur vinte doktori me ia ndrrue plagen. Vidhesha nga shtroja e pas tri vishkllimave, si hajdutë hynim në shtëpinë time. Derisa një natë, në të errun, Kapisyzët erdhën dhe e morën, të cilëve unë u bëzana sapo im shoq shkoi me falë akshamin në xhami. Para se të nisej Tom Kolën e kam puthë në ballë. Më kanë thanë, pas çlirimit të Shqypnisë, se në ballë e pat marrë edhe plumbi. Më hyni aq shumë në zemër sa shumë herë më vinte nji si pvetje: a kam pasë nji a dy djem?

Ky qe rrëfimi i Halla Fetës.

“Po përse don ta mbash të fshehtë, hallë, ç’paske ba ti pak kush e ka ba, Kapisyzët janë gjallë e mund ta dëshmojnë, mund të lidhin edhe ndonjë pension lufte…”

“Kapisyzët dhe ti më jeni betue se sa të jem gjallë nuk do ta tregoni. Mandej në daç tregojeni e si t’u vijë ma për mbarë…”.

“Po pse hallë të heshtim, këmbëngulja unë. Ti me ndihmë ekonomike që të jep shteti  je. Një pension lufte do të forconte disi.”

“Ndigjo bir! Të thirra që ta dije, që kur të shkruesh, gjanave t’u shkosh në fund. Nuk due as me i shtue e as me i hjekë gja atij teatri në radio. As me e përmendë sa të jem gjallë. Se asht e para herë në jetë që kam ba diçka pas shpinës së burrit tim. Zoti më faltë, por e bana për Shkodrën, për Shqypninë e për lirinë. Në ato pak ditë që i qindrova mbi krye Tom Kolës botën e pashë me tjetër sy. Qe djalë xhevahir!”.

Betimin unë e Kapisyzët ia mbajtëm Halla Fetës sa qe gjallë. Më pas e treguam. Në vëllimin “Portrete dëshmorësh të LANÇ të Shkodrës” (2004, fq.51-52), autori Vehbi Fishta e përmend, ndaj dhe po ia përcjell lexuesit tekstualisht: “Tom Kola merr pjesë aktive në demonstratën antifashiste të 22 shkurtit 1942 në Shkodër, ku edhe plagoset. Shokët e morën për të mos rënë në dorë të fashistëve dhe e strehuan në lagjen “Dërgut”, fillimisht në shtëpinë e Kapisyzëve. Duke qenë se vëllezërit Kapisyzi kishin aktivitet revolucionar e shtëpia e tyre mund të kontrollohej, ata iu drejtuan një familjeje të thjeshtë, që e kishin komshi. E zonja e shtëpisë, Fetija, e shoqja e Mollá Muho Krajës, edhe pse nuk e kishte të shoqin në shtëpi, si burrneshë e pranoi Tom Kolën, i shtroi jatakun e i njomi buzën me ujë dhe, në mesnatë, pa e ditur askush, u çelte derën vëllezërve Kapisyzi, që sillnin mjekun për t’i ndërruar plagën”.

Ndjehem krenar që kam patur një “hallë” të tillë!

*Shkrimtar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *