Pak fjalë që s’duhen lënë pa thënë

(Rreth vëllimit poetik “MA GJENI NJE DIELL” të Edlira Llukaçajt)

SKENDER TEMALI

Mbyll së lexuari librin e një poeteshe të re, Edlira Llukaçaj dhe, si krijues më lind një dëshirë të hedh në letër mendimet rreth tij, të rreshtoj disa fjalë që s’duhen lënë pa thënë. Mbase ky veprim imi plotëson edhe atë të mjeshtrit të lirikës, mikut tim Petrit Ruka, i cili në parathënien e këtij vëllimi ka pohuar se duke e  lexuar atë, nata i ishte bërë e bukur.

Poetesha e re emrin e ka Edlira. Mbase dhe rastësisht poezia e saj është e dlirë, e tejdukshme, me nerv, pasuruar me figura të pa kërkuara, hera-herës duke ecur me guxim dhe në shtigje teknike poetike të pashkelura ose pak të shkelura, ku brishtësia e ndjenjës bashkëjeton me mesazhin e frymën e kohës, larg disa poezive shabllone e që s’të zgjojnë asnjë ndjenjë estetike.

Kemi në një shumësi poezish që ngërthejnë 200 faqe libër ku shfaqet Edlira Llukaçaj, me një individualitet të spikatur, individualitet, që pa as më të voglin dyshim, do të vijë duke u pasuruar e kristalizuar.

Më ka ndodhur shpesh këto kohët e fundit që të kaloj nëpër duar shumë libra poetikë që më ngjanin si konviktorët dikur, thuajse identikë e ku kultura e të shkruarit as ka fare gjë të përbashkët me poezinë bashkëkohore. Diku kam hasur autorë rob të rimës po jo të ritmit, diku të metrit e diku tjetër të vargje të errëta, ku s’ka as imazh e as mesazh. Edlira e ka kapërcyer fillesën, e njeh poezinë. Ajo edhe pse shkruan në gegërisht e për të cilën unë që mendoj si gegë e shkruaj sipas standardit letrar kam rezervat e mia,  arrin që të na imponohet jo vetëm ne, gegëve, por edhe autorit lab të parathënies, i cili nuk e lëshon një fjalë për një tjetër.

Çfarë e bën të veçantë poezinë e Llukaçajt? Kthjelltësia e mendimit, më së pari. S’ka poezi që nuk të bën të mendosh, që s’të krijon shtjella, që nuk është binjake e tjetrës që vjen pas. Ka risi në ndërtim e figuracion, ka vargje që të bëjnë t’u rikthehesh, se të rrëmben jo vetëm mendimi, por edhe gjuha poetike e shprehur. E si mund të mos u kthehesh vargjeve të tilla nga poezia “Nji shekull qët’pres”:

Nji shekull që t’pres!

Nepër kafe artistash vjedh fjalza

Me t’shpjegu ma bukur si pritet

E kafen e ftofun,

Vazhdoj e lodhun, e vetme me e pi.

Sorollatem peizazhesh,

Zhbiroj rrugë e shtigje

Që ndoshta m’sjellin te ti.

Pa e  miklue aspak autoren, dua të pohoj se kozmosi i saj poetik është i pamatshëm,  nepër rreshtat e poezive mund të ndërtosh nisje dhe mbërritje, një ragvim nëpër pore të jetës, një tis filozofik që i mbështjell e që hera-herës të bën të abstragosh për plus-minuset e të përditshmes e të ardhmënisë, për të zakonshmen e të jashtëzakonshmen, për të thjeshtën e të ndërlikuarën.  Aty do të gjesh vajzën çapkëne që rrëzohet e çohet, që përgjërohet për prindërit, ku Rozafa e Shkodra me shkodranishten e saj i mëkojnë frymëzim, aty do të gjesh shumë ëndrra rinore e pikla vese nën diellin që ajo e kërkon dhe e gjen e që kush të mos ia prekë qiellin e saj greminave është e gatshme të shndërrohet në Argjiro. Një dashuri e humbur në këtë qerthull poetik e gjen rrugën e shpresës për ta gjetur, nuk të zgjon pesimizëm, edhe pse nga trajtesa optimizmi në atë vjershë për një moment të duket i arratisur, se siç dhe pohon në një varg të poezisë “Njisoj”:

Kam shpikë hartën

E dashnis s’amshueme

Kam xan mend

S’rrehem ma me dashni që perendojn

Sa herë dita mbaron

Vëllimi ka shumë, shumë dashuri. Çdo poezi kushtuar asaj të fut në një botë që kushdo e ka përjetuar se çdo të thotë dashuri, ripërtërihet, e beson, ndjen një afsh, krijon retrospektivë, siç krijova edhe unë pavarësisht moshës. Kjo dashuri të kujton enët komunikuese, e shprehur poetikisht nga Edlira:

Labirinte  ku shpirti përplaset,

Shkon e vjen

Prej teje te un, prej meje te ti…

Cikli për Irisin jeton përmes ndjeshmërisë, përmes figuracionit, ku uni poetik  zbret e ndriçon çdo skutë të shpirtit.

Një dukuri mjaft pozitive në këtë përmbledhje poetike unë do të klasifikoja sinqeritetin e vargut, spontaneitetin e ndjenjës e të figurës, të cilën shpesh edhe e bën fli për hir të mendimit e të mesazhit që do t’i përcjellë lexuesit. Kjo dukuri e bën atë të mos i ngjasë as këtij e as atij poeti a poeteshe, e shprehur ndryshe t’i ngjasë vetvetes, në regjistrin poetik ajo të ketë tingullin e saj.

Që në rrugën poetike Edlira nuk është rastësore, bindesh si ke mbyllë dhe faqen e fundit. As rastësore e as sipërfaqësore. Ardhja e saj në poezinë shqipe përbën risi. Qoftë edhe me një poezi, qoftë edhe me këtë vëllim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *