VEHBI BALA – NJE ZË I VEÇANTË DHE GJITHPËRFSHIRËS

Nuk qënka dhe aq e lehtë të shkruash për një njeri me të cilin ke ndejur e biseduar kushedi sa herë ndër vite dhe, kur ai është larguar nga kjo botë, e ke kuptuar se nuk e paske arritur ta njohësh. E kam fjalën për Vehbi Balën, njeriun, profesorin, poetin, studiuesin , mbi të gjitha, Njeriun.
Jam njohur me profesor Vehbiun kur unë isha një letrar i ri gjimnazist dhe ai kryetar i degës së lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shkodrës. Që në takimin e parë e kuptova se mbi të gjitha ai ishte njeri në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ia pata dhënë me ndrojtjen e fillestarit disa poezi që të m’i lexonte dhe të më jepte mendim nëse ia vlenin apo jo për t’i dërguar në ndonjë organ letrar. E takova rastësisht në rrugë, shikoi orën, tha “po” me vete dhe më mori për krahu e më futi diku në një klub të piacës së Shkodrës. Ndofta tek “Bar imperio”. Impresioni im që po rrija në një kafe me të ishte i madh dhe ai u rrit edhe më shumë kur nisi të flasë për poezitë e mia. Qenë fjalë zemre. Të thjeshta, të qarta, të kuptueshme, inkurajuese. Kisha nevojë për to. I nxorri nga çanta dhe m’i ktheu. Aty-këtu kishte bërë ndonjë shënim, ndonjë redaktim.
Thellësinë e thjeshtësinë e një njeriu të mirë nuk e sheh vetëm në një rast. Rast pas rasti jo vetëm unë, por edhe plot vërsnikë të mi krijues, e ndjenin përkujdesjen e tij. Madje ajo i kalonte edhe kufinjtë e detyrimit që ai kishte ndaj nesh, si kryetar dege shkrimtarësh që ishte për të mbajtur afër e nxitur talentet e rinj. E ku ta dija unë asokohe se Vehbi Bala, kur kishte punuar në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, si mësues letërsie i sapo diplomuar në Rumani, në rrethin letrar të asaj shkolle kishte afruar nxënësit e tij më të talentuar si Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë e të tjerë, që shpejt do të bëheshin zëra të përveçëm të letërsisë shqipe.
Qershor 1964. Takohem me profesorin në shkallët e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës. “Oh, sa mirë që të pashë, – më thotë. – Urime për hartimin! E lexova tek “Mësuesi”. Të lumtë!”.
Sapo kisha dhënë provimin me shkrim të letërsisë në maturë. Hartimi im qe vlerësuar dhe pas dy ditësh gazeta “Mësuesi” kishte botuar një pjesë të tij.
Por hartimi mund të botohej në gazetën “Mësuesi”, organ i ministrisë së arsimit të kohës dhe të ndodhte absurdi, që të drejtën e studimit për në universitet po kjo ministri të ma nxirrte jo për letërsi, madje as në fakultetin filologjik të Tiranës, por në Ekonomik, edhe pse në shkencat e natyrës si nxënës nuk kisha pasë kurrfarë shkëlqimi, madje isha nxënës nën mesatar.
U trondita sa s’ka! Ngaqë s’kisha miq që të ma ndrronin degën, mora nga shtëpia e profesor Vehbiut. “Si dreqin, – tha me atë ngurrimin që kishte hera-herës në të folur, ndofta më të theksuar kur diçka nuk shkonte. “Si dreqin e kanë bërë këtë?!”, përsëriti. Më vuri dorën në sup dhe më tha: “Mos u mërzit, do ta rregullojmë, ti do të shkosh të studiosh për letërsi. Nesër nisu në Tiranë. Unë po të jap një letër për zëvendësministrin e arsimit, Bedri Dedjen e do t’ia çosh. Sonte, e shumta deri nesër në mëngjes, pa mbrritë ti në Tiranë, unë do të lidhem në telefon me të…Ai është shkrimtar dhe do të na kuptojë. Ka për të na ndihmuar”.
Ngjarjet ndodhën ashtu siç profesor Vehbiu kishte menduar, shpirti i tij njerëzor e poetik gjeti të njëjtin akord me atë të Bedri Dedjes, një tjetër njeri i mirë i kulturës shqiptare.
Më pas, kontaktet e mia me profesor Vehbiun kanë qenë më të shpeshta, por gjithnjë përmes një respekti të ndërsjelltë, aq sa më dukej pak që në 50-vjetorin e ditëlindjes së tij, që ne shkrimtarët e artistët shkodranë ia patëm festuar në shtëpinë e kulturës e të krijimtarisë popullore, unë nuk diskutova për vlerat e Vehbi Balës si krijues, por recitova një poezi që ia kushtova atij, me titullin “Monologu i Vehbi Balës në 50-vjetorin e lindjes”, të cilën, natyrisht e kam të plotë dhe e kam ruajtur, ashtu siç e kishte ruajtur në kujtesë edhe poeti Visar Zhiti, asokohe student në Shkodër, që ma përmendi kur u takuam pas gati tri dekadash. Po sjell për lexuesit strofën e fundit:
                                    “Eh, çdo desha unë kësaj nate,
Kur dritë e shpirtit zë e flet:
Në çdo hap që të hedh në jetë
Të jem ky që jam: njeri dhe poet!”
Shkodra, në veçanti dhe kultura shqiptare, në përgjithësi, e kanë të fiksuar në memorien e tyre historike figurën komplekse të Vehbi Balës: atë të antifashistit, të poetit me shpirt të ndjeshëm, më shumë lirik se sa epik, të monografit të disa prej figurave më të spikatura të kulturës shqiptare të Rilindjes e të Pavarësisë, të historianit e të studiuesit të letërsisë shqipe, si autor e bashkëautor në shumë tekste mësimore të arsimit të mesëm e të lartë, si një nga themeluesit e arsimit të lartë në Shqipëri, të Institutit të Lartë 2-vjeçar në Tiranë e më pas, më 1957 të Institutit Pedagogjik në Shkodër, duke drejtuar për disa vite katedrën e gjuhës shqipe e të letërsisë tok me emra të tjerë të ndritur të arsimit e të shkencës shqiptare si Jup Kastrati, Kolë Kamsi, Kolë Ashta, Fadil Podgorica, Neki Lezha etj.
Unë, si krijues, e çmoj Vehbi Balën për thjeshtësinë e brishtësinë e ndjenjës poetike që nga vëllimi i parë i tij “Shtigje drite”, botuar në vitin 1946 e deri tek “Përsiatje” e “Vallja e luleve”, e botuar katër dekada pas vëllimit të parë. T’i rezistosh poezisë deri në moshën e tretë, madje poezisë lirike, është shprehje e një shpirti të ndjeshëm, të një bote që ka hapsira rudine me lule gjithfaresh poetike, të një poeti melankolik e vizionar, herë përfaqësues besnik i traditës poetike e herë modern në figuracion.
Kam ndejtë kushedi sa herë me profesor Balën, sidomos kur isha redaktor në Radio Shkodra e në gazetën “Jeta e re”, por asnjëherë nuk ishte mburrur për kontributin që kishte dhënë në shtypin ilegal e sidomos në atë letrar gjatë luftës kundër nazifashistëve, edhe pse mua për profesionin që ushtroja e emisionet e rubrikat që përgatisja tema e episode nga ajo periudhe më interesonin e më kërkoheshin për pasqyrim, ndaj edhe me të drejtë studiuesi i huaj Robert Elsie, në veprën e tij “Historia e letërsisë shqiptare” (fq.327) “ndër shumë poetë para ardhjes në pushtet të komunistëve, krahas Kristaq Cepës, Vedat Kokonës, Petro Markos, etj., rendit edhe Vehbi Balën”.
Tani atë e gjejmë në enciklopeditë e vlerave të mirëfillta, siç është “Fjalori enciklopedik” i vitit 2002 (Shtëpia Botuese “Baechus”, Tiranë, fq.65) e po kështu me foto e tekst edhe tek “Fjalori enciklopedik” i gazetarëve e publicistëve shqiptarë (Botim i Entit Botues “Gjergj Fishta”, 2005).
Mes gjithë botimeve për të vjen e konfigurohet portreti i profesor Balës: që në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër ai fillon të shkruaj e të botojë. Nisi studimet e larta në Universitetin e Barit (1943), por i ndërpreu dhe mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në vendlindje. Pas luftës, studioi në degën e filozofisë në Universitetin e Zagrebit (1946-48) dhe vijoi e përfundoi studimet në degën e gjuhëve dhe letërsive neolatine në Universitetin e Bukureshtit në vitet 1948-1952.
U shfaq si poet me 8 vëllime. Veçanërisht pati jehonë poezia e tij “Doli nana në çardak”, e përfshirë në mjaft antologji dhe e muzikuar nga Çesk Zadeja. Fëmijët e kohës domosdo nuk kanë se si ta harrojnë për krijimet që u adresoi atyre. Monografitë për Elena Gjikën, Pashko Vasën, Nolin, Migjenin, Viktor Eftimiun e Gjergj Fishtën (kjo e fundit e shkruar në vitin 1961 dhe e botuar pas vdekjes së V.Balës, në vitin 1998). Kontributi i tij spikat edhe në studimin e marrëdhënieve shqiptaro-rumune e në përkthimet nga letërsia rumune.
Qe me titull profesor, i lauruar me çmimin e Republikës së shkallës së parë, por mbi të gjitha qe njeri i klasit të “zotnive” të Shkodrës. Vënia tani e një rruge të qytetit me emrin “Vehbi Bala” duhet çmuar, edhe pse të një rrugëze, por them se është ende pak për gjurmën e pashlyeshme që ai ka lënë në kulturën shqiptare.
  

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *