TË PATHËNAT

Pas “Metamorfozës së inxhinier Brunos”, autori Temali po brënda vitit 2016 paraqitet para lexuesit me vëllimin poetik “Të pathënat”. Ka gjithsejt 75 poezi. Është i ndarë në dy kapituj “Dialog me kohën” dhe “Dialog me vetveten”, çka na lë të kuptojmë se përmes tyre do të rrezatojë koha që jetojmë dhe përthyerjet e saj në unin poetik. Në ballinën e dytë të këtij vëllimi ka dhe disa konsiderata të personaliteve të fushave të ndryshme të krijimtarisë, nga Veriu në Jug të Shqipërisë, të cilët e kanë ndjekur në vijimësi krijimtarinë e poetit e që shërbejnë edhe si sintezë e poezisë së tij. Mjeshtri i Madh, Fadil Kraja (Shkodër), shkruan: “Vargje që të duket se gurgullojnë. Poezia e Skender Temalit i ka brënda të katër stinët, por më shumë lulëzon pranvera dhe besimi i thekur i autorit tek virtyti, mirësia, jeta”. Ndërsa tregimtari i njohur Shefqet Tigani (Vlorë), mes tjerash deklaron se “Libri yt me poezi ishte një befasi e mrekullueshme…”, ndërsa dr.Agim Nelaj (Sarandë) se “Poezia juaj është ujëvarë që rrjedh lirshëm”.

Ky vëllim është pritur mjaft mirë nga lexuesit dhe studiues e kritikë letrarë kanë botuar në organe të ndryshme shtypi, duke vënë në dukje vlerat dhe origjinalitetin e tij.