Tre shokët

Vjersha për fëmijë nga Skënder Temali

Janë 7 vjersha dhe një poemë për fëmijë, botuar në vëllimin “Tre shokët”, që ka për redaktor shkrimtarin e mirënjohur për fëmijë Xhahid Bushati dhe për piktor-ilustrator, Piktorin e Merituar, Agim Faja. Thuajse të gjitha poezitë kanë subjekt dhe kjo rrit interesimin e fëmijëve për t’i lexuar. Gjuha e tyre është e thjeshtë, e kapshme për parashkollorët dhe vargu i rimuar e i rrjedhshëm shijohet menjëherë pre tyre. Një kopësht fëmijësh në Shkodër e ka mësuar përmendësh këtë vëllim, ndërsa Flaka Zhaveli nga Gjakova, që është protagoniste e poezisë “Mirënjohje”, me këtë poezi ka fituar çmim të parë si recituese në konkursin kombëtar të vitit të parë të lirisë në Kosovë. Veç kënaqësisë estetike, poezitë dhe sidomos poema përcjellin edhe mjaft mesazhe edukative. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Camaj-Pipa” në Shkodër, në vitin 2007.

Please wait while flipbook is loading. For more related info, FAQs and issues please refer to documentation.

Miq tek rojtari plak

Në një shtëpi atje në pyll
Ku banon rojtari plak,
Dy voglushë shkuan miq
Dhe po ngrohen në oxhak.

Ishte dimër, frynte erë,
Ndizej zjarri bubulak,
Kur në der’ dikush trokiti
Rraka-trak e traka-trak.

U trëmb Ela, gjaku i ngriu,
U struk Miri nën mangall,
A mos vallë është derr’ i egër,
Apo ujku dhëmbçatall?

Është ariu – zemërnjeriu,
N’pyll i ka shokët e rrallë,
Për t’gostitur vogëlushët
Ai nga strofka sot ka dalë.

Në një shportë u ka sjellë
Luleshtrydhe, mana toke,
Mollë e dardha, hoje mjalti,
Më të ëmblat e ksaj bote.

N’der’ del Ela edhe Miri,
Del edhe rojtari plak,
Po kish ikë shpirt-xhevahiri,
Kish lënë shportën mu në prak.

…Më besoni, s’është përrallë,
Pyesni rojtarin plak,
Një natë dimri kjo ka ngjarë
Rreth një zjarri bubulak!…

Dy vogëlushët dhe gënjeshtra…

Dy vogëlushë
Rrapatushë,
Na u fshehën
Në gëmushë.

Në tryezë
U shtrua dreka,
Po s’erdh Titi,
Nuk erdh Gjeka.

Ngrihet babi
Del tek praku,
Babagjyshit
Iu ngri gjaku.

Thirri nëna
Bu-bu djemtë,
Mos kanë shkuar
Nga lumenjtë?!

Qau gjyshja,
Daja, halla,
Na u mblodh
E gjithë mëhalla.

Se tek ne
Ka shumë lumenj,
Lera uji
Dhe liqej.

Erdhi qeni,
Ham-ha,-ham,
Dy voglushët
Ku i kam?

Gënjeu macja:
– Dy voglushë,
Unë i pashë
Në një fushë.

Pata tha:
– Shko në liqen,
Dy voglushët
Mos i gjen.

Ketri tha
Shko në cirk,
Sepse cirkun
E kanë mik.

Po ju vetë
A mund ta gjeni,
Mos vallë
U gënjye qeni?

Jo, se qeni
Të nuhat,
Pas gëmushës
Fap të kap.

Të gënjejë
Kush provon,
Qenit tonë
S’i shpëton.

Dy kotelet

Gëzim i madh, një të djele
Macja lindi dy kotele.

Një me topa, një zezake,
Njëra e butë, tjetra zemrake.

Çfarë nuk bëjnë në shtëpi,
gjithë kuzhinën lesh e li.

Laradash përmbi poltron,
Bobo gjyshja seç gjëmon:

Ky i vogli, krymaleshi
Më ka marrë topin prej leshi.

Tjetra m’mori një çorap,
Ngas pas saj po nuk e kap.

Qeshet babi, qeshet mami,
Në shtëpi u dha alarmi.

Vetëm unë i mbroj kotelet,
S’ju kursej përkëdheljet.

S’ju kursej as dhuratat,
Çimçakezat, çokollatat.

Po s’harroj, jo, as kordelet
Se pa to nuk bëjnë kotelet.

Se kush tha dy zilka bleju
Në kordele lehtë mbërtheju!

Oh, ti qënke budalla
Asnjë mace zilkë s’ka.

Se pastaj i dëgjon miu
Dhe “fap” ikën si veriu.

ZEZAKU DHE ROSAKU

NË NJË RRUGË TË MILANOS
UNË TAKOVA NJË ZEZAK,
MBANTE N’DORË DHE THËRRISTE
QË TË SHISTE NJË ROSAK.

– BLIJE, BLIJE, ZOTËRI,
N’BOTË S’KA SI KY ROSAK,
EDHE PSE S’ ËSHTË PREJ VËRTETI
GJITHË DITËN BËN MAK-MAK!

JA, TE QAFA SA E NDESH
TË NXJERR GJUHËN, TË PËRQESH,
TË PËRQESH E BËN MAK-MAK –
THRRISTE, THRRISTE NJË ZEZAK.

– BLIJE, ËSHTË LIRË FARË
S’BËN MË SHUMË SE PESË DOLLARË,
– JA, E ULA EDHE DY,
KY ROSAK ËSHTË VEÇ PËR TY!

– O ZEZAK, MOS M’MERR GOMAR,
NJË ROSAK PËR TRE DOLLARË?
JO, S’TA BLEJ, KAQ S’E KA HAK,
E MBAN SHTRENJTË KËTË ROSAK!

KAQË SHUMË M’PËLQEU ROSAKU,
KUR MË N’FUND FOLI ZEZAKU:
– JA, T’A ULA EDHE PAK,
SE ME NJË NUK BËN MAK-MAK!

…KUSH MË THOTË, SA DOLLARË
MË KUSHTOI MUA ROSAKU,
PESË E MBAJTI, TRE E ULI,
SA DOLLARË MORI ZEZAKU?…

 

Milano, 9 prill 2000

Mirënjohje

Unë e njoha në “Kopështin e luleve”. Trëmbej e qante, se kishte parë me sytë e saj mizoritë e serbëve në Kosovë.
Edukatore Drita dhe shoqet e shokët e kopshtit e bënë shpejt të buzëqeshë.
Këtë vjershë e shkrova atëherë dhe ia kushtova
asaj, Flaka Zhavelit nga Gjakova.

Unë jam Flaka nga Gjakova,
N’flakë u kall e gjith’ Kosova,
Por na priti neve Shkodra,
U hap zemra, u hap porta.

Qeni serb na zboi nga votra,
Na vrau prindër, vllezër, motra,
Na dogj shkollat e zabelet,
Por atje mbetën themelet.

Mbi themele, mami thotë,
Ne do ngremë tjetër botë,
Ty, Kosovë, me plag’ të forta,
Do të bëjmë si Evropa.

Do ngrëmë cirqe, kopshte plot,
Edhe lotë t’mos ketë hiç,
Në lëndinat e Kosovës
T’mos “kullosw“ asnjë viç.

Shqipëri, të qofsha falë,
Nënë mbi nënë ti na ke dalë,
Nesër, kur n’Kosovë të shkoj,
Shkodrën kurrë s’do ta harroj!

 

Shkodër, 11 maj 1999

Dasëm në bjeshkë

Seç po zbresin nga një kodër
Me gërnetë dhe me lodër,
Kafshët e pyllit gjith’ sa janë
Se një dasëm t’madhe kanë.

Dreni i malit zbret në fushë
Nuse t’marrë një drenushë,
Ndaj pas vetes ka dasmorë
Që nga malet me dëborë.

Kutullumba kcen arushi,
Valle dyshe lepurushi,
Ndërsa n’ degë të selvisë
Cirk bënte ky ketrushi.

Dhi e egër, sqap me mjekër
Mes dasmorësh janë patjetër,
Ca skifterë, lauresha
T’bukura si perëndesha.

Po shqiponjat vallë ku janë
Në mes krushqish pse s’u panë?
Që nga malet vigjëlojnë
Se mos ujqit i sulmojnë.

Në kasollen e drenushës
Mu atje në zemër t’fushës,
Krahëhapur seç i pritën
Oh, me çfarë s’i gostitën,
Pasta, torta plot u qitën,
Çokollata, ëmbëlsira
Fruta ku qenë më të mirat!

Kur nga ksolla duel drenusha
Plot me dritë seç u mbush fusha,
Si kjo nuse, të gjithë thanë,
Nuk kanë parë këto anë!

I përcollën gjer tek kodra
Me dhurata dhe me shporta,
Oh, ato brënda ç’kishin,
sa të ëmbla t’gjitha ishin!

Ec e ec me këngë e lodër,
Kapto mal e kapto kodër,
ja u shfaq kasolla e drenit,
më e bukura e gjithë vendit!

Nëna e drenit duel te porta,
muer dhurata e muer shporta,
por asgjë më shumë s’e gzoi
se kur nusen përqafoi.

Hidhej ketri, hidhej breshka,
nuse t’tillë s’kish parë bjeshka,
dhe derrkuci, barkaleci
Kcente si kcen karkaleci!

Oh, ç’tu them në atë dasëm
Edhe unë i ftuar isha,
kemi ngrënë e kemi knduar
nën një ah e nën ca pisha.

Po edhe rojtari i pyllit
N’krye të sofrës, domosdo,
pulat edhe gjelat ishin
me ki-ki e ko-ko-ko!

S’më besoni se kam qënë,
pyesni drenin nëse shkoni,
edhe ju, bashkë më mua,
Jetë të lumtur i uroni!

 

2006

Natë gjahtarësh

Fqinji im është gjahtar
Ka një çifte dhe zagar.

Ky zagari quhet Lordi,
ndër zagarët më i zoti!

Kur çiftja “Bam” gjëmon
Lordi ynë fluturon!

Sepse larg qëllohet rosa,
në kënetë ku kndon bretkoca.

Është atlet e është notar,
n’botë s’ka si ky zagar!

Dhe një ditë me vehte m’morën
Ku gjahtarët kanë kasollen.

Atje gjetëm shumë gjahtarë,
sa gjahtarë, aq zagarë.

N’një shpat mali, në një krua,
se ç’më panë sytë mua:

Ca kaproj e dhi të egra,
cjepët naaa, tri pash me mjekra,
një shqiponjë dhe një skifter,
tej një dosë dhe një derr.

Porse jo, gjahtarët tanë,
asnjë prej tyre s’vranë,
ata vrasin vetëm ujq,
bam-bam-bam i bëjnë palmuç.

Derrn’ e egër që shkatrron,
Lordi ynë e gjurmon,
e gjurmon e thrret gjahtarët
që të lshojnë gjithë zagarët!.

Ham-ham-ham e hum-hum-hum,
ndiq në mal e ndiq në lum,
Kapto kodër, kapto breg,
sa e fusin në një shteg.

Dhe aty çiftet buçasin,
derrn’ e egër seç e vrasin,
brohorasin gjithë gjahtarët,
ham-ham-ham gëzojnë zagarët.

Eh, mandej, kur vjen nata,
ndizet kënga e vlon spata,
bëjnë dru e ndezin zjarr
që si yll shkëlqen në mal.

Dikush derrin shpejt e rjep
Dhe lëkurën var në plep,
mandej me verë e raki
T’gjithë shijojnë mishin e tij.

Xha Ariu nga shpella del
Dhe ca hoje mjalte sjell,
një gomar, një turihollë,
sjell një kosh plot me mollë,
Ky xha derri, barkaleci,
fllup nga pesha n’llucë ngeci,
rëndojnë shportat plot me fiq
se gjahtarët kanë plot miq.
Xha ariu shkoi si buldoz
Dhe nga lluca, frap e hoq.

Seç këndojnë gjithë gjahtarët,
kafsht’ e mira dhe zagarët,
sa të nesërmen, më thanë,
u dëgjuan gjer n’Tiranë!

2007

Tre shokët

Në pallat,
Në kat të shtatë,
Janë tre shokë
Që lozin bashkë.

Njëri quhet
Bob Vigani,
I ka muskujt
Si Van Dami.

Po i dyti?
Nin Shkodrani,
Është i hollë
Si kallami,
Veç n’ mësime
Është i zoti,
Na vetquhet
Gjel Kokoti.

Ky i treti
I vërteti,
Ëmbëlsira
dhe lezeti
M’thoni emrin
Si e ka?
Hi-hi-ha
Dhe Ha-ha-ha!!!

Që të tre
I njohin në lagje,
Në lulishta
Dhe në parqe.

Ja, trokasin
Në një derë,
Edhe fiu,
Bëhen erë!

Zhgarravisin
Mbi një mur,
Fjal’ të pista,
një figurë.

 

N’ashensor
Ngjiten, zbresin,
Pleqtë e plakat
I përqeshin.

N’një dyqan
Hynë serbes,
Morën çoko,
Çimçakëz,
Edhe ikën
Pa paguar,
Lanë shitësin
E hutuar.

Dhe një vajzë
Që quhet Greta
Na e kapën
Në gërsheta,
Aq sa
Nin Shkodrani
Hyja i tha
Si t’qenë
Frerë kali!

Çfarë nuk bën
Ky Hi-hi-hija,
Dhe gjurmë lë,
Sa lë gjurm’ hija.

Bob Vigani
Kurr’ nuk qesh,
Veçse kund
Po i re ndesh,
Vlon porsi
Krater vullkani
Dhe surratin
T’a bën pshesh!

Nin Shkodrani
Syze mba,
Po dhe kokën
Plot e ka,
Veç kur rri
Me shokë tjerë
Mendt’ e tija
Bëhen erë,
Edhe frrap
Ky tip shkenctari
Futë në kokë
Tru gomari.

Po dikush
Se ç’bënin n’lagje,
Në lulishte
Dhe në parqe
I pa mirë,
prindve iu tha,
Gjëmë e zezë
Tek ata ra.

Erdh një plakë,
U ankua,
Erdhi shitësi
Që u hutua,
Erdhi Greta
Me gërsheta…
Bo-bo-bo
Thonin nënat,
Kur mësonin
T’gjitha bëmat.

Dhe nga turpi
Bobi qau,
Nin shkenctarit
Lot’ i shkau,
Hi-hi-hija
Ulte kokën
Dhe me këmbë
Gërmonte tokën.

Po më pas,
Ç’bënë ata,
Që u ra
Gjithë kjo hata?

Që të tre
Një të djele,
Furçë e kovë
Me gëlqere,
seç i morën
Nepër duar,
Nisën punën
Pa vonuar.
Muret krejt
Zhgarravitur
Furçë e bardhë
Ç’i ka ndritur.

Në dyqan
Tek shitësi shkuan
Me shpirt
T’ falur
I kërkuan,
Nepër xhepa
Seç rrëmuan
Edhe “borxhin”
Ia paguan.

I qesh fytyra
Shitësit t’ngratë
u fal nga një
Çokollatë!

Që të tre
Në rrugë dalin
Dhe një plakë
Shpejt e ndalin.
“T’ndihmojmë ne”,
Bobi i thotë,
“Në shtëpi
Ta çojmë ktë shportë”.

I uron
E mira gjyshe,
Djemtë s’mund
T’vepronin ndryshe.

Ç’ka kjo shportë
Që rëndë peshon,
Bob Vigani
Po mendon?

Dhe arrijnë
Tek një portë,
Ku shtëpinë
Gjyshja ka,
Oh, kjo gjyshja
Zemër mirë,
nga një mollë
Dhuratë u dha!..

…Kush s’i njeh
Ata në lagje
Në pallate
Dhe në parqe.
Janë tre shokë,
Shokë për kokë,
Djem më t’mbarë
Nuk gjen mbi tokë.

Bob Vigani,
Nin Shkodrani,
Ha-ha-haja,
Hi-hi-hija,
Edhe pse
Jetojnë në Shkodër,
Tash i njohu
Gjithë Shqipria!
Sa me gojë
Të gjith’ thanë
Lum prindrit
Që i kanë!