KUR VUAJ, SHKRUAJ

Është një vëllim poetik me një kompozim disi të veçantë: ndahet në tri pjesë, “Poezi me motive filozofike e të tjera”, “Motivet e Jugut” dhe “Kushtime”. Janë mbi 70 poezi, disa prej të cilave edhe shkurtima, por që në vetvete, edhe pse me pak vargje, hapin shteg për meditime filozofike, mbase dhe jo ashtu siç e ka perceptuar artistikisht autori. Në hullinë e pjesës së parë hasen ngjarje bashkëkohore, të cilat i japin freski, duke e lidhur autorin me lexuesin dhe me kohën plot shtjella.

Mbase është ndër të rrallët poetë që në një vëllim ka poezi të ngrohta për Jugun e Shqipërisë, çka për një poet të lindur e që jeton në Veri, në Shkodër, shpreh atë lidhje shpirtërore e atdhetare mes dy trevave.

Duke e mbyllur vëllimin me kushtime, lexuesi do të gjejë të përjetësuar figura të tilla madhore si Migjeni e deri tek mbeska e tij e vogël, Edia.