Të pathënat

Poezi nga Skënder Temali


Pas “Metamorfozës së inxhinier Brunos”, autori Temali po brënda vitit 2016 paraqitet para lexuesit me vëllimin poetik “Të pathënat”. Ka gjithsejt 75 poezi. Është i ndarë në dy kapituj “Dialog me kohën” dhe “Dialog me vetveten”, çka na lë të kuptojmë se përmes tyre do të rrezatojë koha që jetojmë dhe përthyerjet e saj në unin poetik. Në ballinën e dytë të këtij vëllimi ka dhe disa konsiderata të personaliteve të fushave të ndryshme të krijimtarisë, nga Veriu në Jug të Shqipërisë, të cilët e kanë ndjekur në vijimësi krijimtarinë e poetit e që shërbejnë edhe si sintezë e poezisë së tij. Mjeshtri i Madh, Fadil Kraja (Shkodër), shkruan: “Vargje që të duket se gurgullojnë. Poezia e Skender Temalit i ka brënda të katër stinët, por më shumë lulëzon pranvera dhe besimi i thekur i autorit tek virtyti, mirësia, jeta”. Ndërsa tregimtari i njohur Shefqet Tigani (Vlorë), mes tjerash deklaron se “Libri yt me poezi ishte një befasi e mrekullueshme…”, ndërsa dr. Agim Nelaj (Sarandë) se “Poezia juaj është ujëvarë që rrjedh lirshëm”.

Ky vëllim është pritur mjaft mirë nga lexuesit dhe studiues e kritikë letrarë kanë botuar në organe të ndryshme shtypi, duke vënë në dukje vlerat dhe origjinalitetin e tij.

 

Please wait while flipbook is loading. For more related info, FAQs and issues please refer to documentation.

Dialog me kohën

E PATHËNA

Më kanë braktisur të gjithë:

Më kanë braktisur yjet, rimat,

Më kanë braktisur retë,

rrufetë, vetëtimat,

Dielli dhe hëna,

Babai, ndjestë pastë,

Më pas më braktisi dhe nëna,

Të gjithë,

Të gjithë më braktisën,

Më braktisi dhe e thëna

Po mbi të gjitha

Trembem të më braktisë

E PATHËNA!

 

14 dhjetor 2015

DIMËR

Qyrkun e bardhë të dimrit e hodhi në supe Shkodra,

Qielli me miliona petale shndriti,

Interesant,

Nga gjithë gjërat që bien e s’dëgjohen është dëbora

Dhe nga gjithë gjërat që s’shihen

Është shpirti!

 

Një korb mes petaleve të borës

Si shpirt i keq mbi supe më zbriti,

Si për të më kujtuar se është e pamundur

Që një korb të mos krrakërrijë nga shpirti.

 

2016

LLUM

N’ktë breg llum e n’at breg llum,

Përmes llumrash rrjedh një lum.

 

Vjen një  çast, kridhem në lum,

Po kur dal bëhem më llum!

 

Dal si dal e n’at moment

I bëj llumit – monument!…

 

2015

LËVOZHGA

Thjesht jam lëvozhgë,

Pa sy, pa veshë, pa gojë,

Edhe pse thelbit ç’se lindi

Iu bëra mburojë.

 

Më thyejnë, më shkelin, më flakin

n’kazane, në gropa, në baltë,

O njerëz të marrë ju s’e dini

Se ai thelb ka helm e jo mjaltë!

 

Vërtetë unë thjeshtë lëvozhgë jam

Por e di fort mirë se ç’thelb brënda kam!…

 

2014

AJO DITË MOS ARDHTË!

Në arat e botës ka qingja të bardhë,

Pas tyre çmendet çdo njeri,

Nuk shohin se nën një molla a dardhë

Kullosin e blegrojnë dhe qingja të zi.

 

O njeri!

Ajo ditë mos ardhtë

Që e zeza t’u vijë nga qingjat e bardhë!

 

2016

KORNIZA

Kisha vite që kaloja para punishtes së tij,

As e ftoja,

As më ftonte për një kafe.

Kaq.

I thoja “Puna e mbarë!”,

Më përgjigjej: “Mirë paç!”

 

Hyrjes në punishten e tij

I pata hequr një vizë,

Trembesha se po të hyja

Më fuste çëk-fëk në kornizë.

 

Dhe që të shpëtoja një herë e mirë

Ndrrova rrugë

Po ai më doli përpara papandehur

Si të del surpriza,

“Dëgjo, o bir, më tha,

Ke dhe njëmijë rrugë të tjera

Që të shpëtosh nga korniza!”.

 

2016

HIÇËT 

Një hiç unë jam në kozmos,

Mbase kështu dhe mbi tokë,

Jo, kjo s’më shqetëson aspak,

Se hiçër kam miliarda shokë!

 

Hiçi ka djep, por s’ka varr

Se gjallë e mba injoranca,

Dhe kurrë mes dikushëve e tij

E drejtë do vendoset balanca.

 

Dhe ky fakt më ka çmendur, më çmend

Se si ti kozmos njerëzor hiçëve u lë kaq vend!!!

FRIKA

E dini pse nuk flas?

Se kam gojë!

E dini pse nuk shoh?

Se kam sy!

Sigurisht as që dëgjoj,

Sepse kam veshë!

Se kam hundë

Dhe nuk nuhas…

 

I vdekur mes të gjallëve,

Gjersa frikën ta vras!

 

2014

UNË DHE IM BIR 

Babain kam në të përjetshmin gjumë,

Tim bir e kam pas,

Përpara më mbet një gjurmë,

Mbrapa më vjen një tallaz!

 

Pa datë

PREJARDHJA E KAFSHËVE

Nga kafshët

Vetëm majmuni arriti të bëhej njeri,

Nga njerëzit

Miliona u bënë kafshë në histori.

 

Zoti sociolog

A s’më thua përse zotëri

Përditë përsëritet kjo dukuri?

 

Mendimi im është ndër më të vrazhdët,

Se nga njeriu sot po rrjedhin kafshët…?!

 

2015

ÇFARË JAM?! 

E di,

Pulë nuk jam,

Po as për gjel s’kam staturë,

E di,

As grua nuk jam,

Por shpesh herë s’qeshë as burrë!

 

Po çfarë jam?

Këtë s’e mësova kurrë!

 

2014

EC!

Ec

Se dikund do të mbrrish,

Vendnumroja të shton streset e rrudhat,

Ditët e zymta të bëhen kaf

Të mbijnë si pas shiut këpurdhat.

 

Ec,

Edhe një hap, edhe një hap,

Je flokëbardhë e s’të kërkojmë vrap,

Se më mirë të vdesësh duke ecur

Se sa një jetë të kalosh si eunuk, i tredhur!

 

2015

TRISHTIMI

Trishtimi,

Është padroni  i gëzimit,

Se a do të kishte trishtim,

Nëse s’do kishte gëzim?

 

Trishtim,

Mos më humb,

Të përgjërohem,

Se po s’qe ti

Si do të gëzohem?!

 

2015

NË KËRKIM

Kërkoj njeriun që s’e gjeta askund,

Ta kërkoja

Ku s’u ngjita e ku nuk zbrita,

Por s’e gjeta as në galaktikë,

As në ferr, purgator a parajsë

Dhe as kam për ta gjetur kurrë,

Kam gjasë!

 

Më njoftoni,  ju lutem,

Kush e takon

Edhe pse Diogjeni ka shekuj e shekuj që e kërkon!

 

Se ai ekziston i gjallë vetëm në mite

E t’a arrijmë

Na duhen shekuj drite!

 

2015

PA TITULL

Aministi-zemërgjërësi,

Burg-as mëngjes, as mesditë, vetëm muzg,

Dënim me kusht – as verë, as raki, pak musht,

Dënim për jetë,

Një ditë kur varrin e hap vetë…

 

2016

QYTETI IM

Qyteti im s’ka semaforë

Edhe pse me dyqind mijë banorë,

Qyteti im është qytet pa dëshmitarë

Edhe pse s’ka muaj pa një të vrarë.

 

Qyteti im ka shumë pasunarë,

Biznesmenë, deputetë,

Pushtetarë,  gjyqtarë,

Por dhe dy burgje përplot me gjynahqarë.

 

E dini për çfarë?

Thjeshtë se në këto dy burgje s’ka vend për pasunarë,

Për pasunarët-kusarë!

 

2016

FJALORI IM FILLON ME GËRMEN D

Unë jam një poet i thjeshtë,

Që qysh i ri m’i mori mendtë poezia,

Ca më quajnë lirik,

Kam dimër e  vjeshtë

Verë e pranverë vargjeve të mia,

S’më gjunjëzon dot asnjë kritik,

Po më gjunjëzon vetëm dashuria.

 

Një puthje e vajzës më kthehet në varg,

Një vështrim i beftë-yll në çdo natë,

Një shelg që ia kreh flokët puhiza

Më bëhet vjershë, poemë a baladë.

 

Mua kurrë dashuria s’më tha lamtumirë,

Se fjalori im i jetës fillon me gërmën D,

Se dashuria për mua do të thotë zog i lirë,

Që as kam jetuar e as rroj pa të!

 

2016

MILIARDIERJA IME

Nga miliarda nëna që ka patur kjo botë,

Padyshim nëna ime është më e mira në tokë,

Dhe në pastë miliarda nëna në planete të tjerë,

Nëna ime është më e mira miliarda herë!

 

Vargjet e tjera s’kanë asnjë vlerë!

 

2014

NARCISTI DHE UNË

I thashë: Ti je djali më i bukur që kam parë,

Sigurisht linde atë ditë që lindi bukuria,

Më pau vëngër dhe më shau “Plagjat!”,

Të shkoj jeta duke më vjedhur mendimet e mia!

 

2016

SPECIE E RRALLË NË SHUMIM

Jam ku s’kam qenë,

Bëra atë që s’kam bërë,

Piva një domixhan me verë,

Ngrita kështjella në rërë.

Do thoni mitoman, sigurisht,

Jo, se kam diplomë e s’hedh firmë me gisht!

 

Isha ku kurrë nuk qeshë,

N’Paris e Tokio njëkohësisht,

Takova gomarin pa veshë

Dhe zonjën dhelpër pa bisht!

 

Takova një ish president,

N’rezidencën e tij n’një katund,

Tek ushqente me fazanë qentë

Në shtetin e njohur Askund!

 

Miq të mij kjo s’është përrallë,

As lajthitja ime, sigurisht,

Në botë është zgjuar një specie e rrallë

Që rrjedh nga rrena me bisht!

2015

HIJE

Hija ime

Më ndjek si fantazmë nga pas,

S’ka shqisa

Trazime

As gaz

Thjesht më ndjek e më ndjek pa shkas.

 

Që rrjedh nga majmuni

Ma ka thënë Darvini,

Po hija ime

Nga vjen,  doni ta dini?

 

Kam një shekull që e kërkoj këtë të vërtetë,

Rragvime poshtë e përpjetë

Dhe në fund një pyetje:

A mos hija jam vetë?

 

2015

TREGTARË FLAMUJSH

S’është e thënë që çdo shqiptar

Të dijë heroizmin e dikurshëm të Milosh Kopiliqit,

Madje as të gjithë gjimnazistët letrarë

Tregimin “Tregtarë flamujsh” të Ernest Koliqit.

 

Po sot të gjithë, të dijnë të gjithë mbarë

Se s’ka aso burrash që për atdhe jetën bëjnë fli,

Dhe të mos e dijnë se nga tre milion shqiptarë

Tregtarë flamujsh ka njëqind e një mijë!

 

As mos t’u shkojë ndër mend për hiperbolën zmadhuese,

Si “patriot” përdora hiperbolën zvogluese…

 

2016

 DIALOG MES DY “SHOKËSH”
 (Satirë)

-Kam para sa s’di se sa,

Jam pashá përmbi pashá!

Ti ke libra, bibliotekë,

Porse libri s’prodhon lekë!!!

 

-Pashá mbi miliona je

Po mend sa gomari ke!

 

-O, kush po më flet për mend,

Ndryshe s’jam i par’ n’ktë vend!?

 

-Po vërtetë, ti je i parë

Në karvanin me gomarë!

-S’di se kush është gomar,

Unë xhep plot a ti shkrimtar?

 

2015

NËQOFTËSE…

Nëqoftëse më doni të vdekur

Më shtroni qilimin e lavdërimeve,

Ngrini në qiell tollumbacet e brohorimave

Dhe ngrini dollinë e ngazëllimave!

 

Nëqoftëse më doni përjetësisht të gjallë

Më thoni kush jam në të vërtetë,

Që të më keni në krah kur jeni në hall,

Kur rreh furtuna e zjarr ndizen retë!

 

Nëqoftëse….

 

2016

 MOS RRI VENDNUMRO!

Giotinë e padrejtësive është revolucioni,

Tsunam që s’e përballon asnjë breg,

Po giotinë e revolucioneve është evolucioni

Që në natën e shekujve gjeti gjithnjë shteg!

 

Pas përmbysjeve përherë ka ndryshim,

Ku ngrihen kodrat e bien malet,

Po s’di se ç’dreqin ka në vendin tim

Ku kërkojnë të nxjerrin mjaltë nga fekalet!

 

Po gjithnjë jam i “dënuar” të të dua,

Po ti, Atdheu im, a më do mua?

Dhe nëqoftëse po

Bashkë me mua mos rri vendnumro!

 

2016

KUR KRASITNI…

Duke krasitur, një hardhi

Filloi të qajë me pika loti:

“Po çfarë më bëre, o njeri

Që më shkurton ç’më fali Zoti?!”

 

Nuk di se pse, më shkuan lotë,

Lotë që buronin nga dhëmbshuria,

Se edhe mua, në këtë botë,

Më kishin krasitur vitet e mia!

 

O vëllezër, para se të krasitni

Pse-të

Dhe vetëm pse-të

Në ndihmë i thërritni!

 

1 mars 2016

JEP DHE MERR

Kush jep-merr.

Jepi një lypësi dhe merr urimin e tij,

Jep një puthje dhe merr një drithërimë,

Jep një besë dhe do marrësh shqiptarinë,

Jep një shkëndi se merr një vetëtimë,

Po dhe në e paç

Mos e jep kurrë ligësinë!

 

2016

SI SHELG LOTUES

Trokita në dyer që m’rrejti shpresa  të hapen,

Mashtruesit diplomatikë më rrahën shpatullat,

Menduan se u besova,

Nën syprinën e këtij shekulli rrodhën ujëra të turbullta

E unë

Edhe pse s’jam shelg lotues,

Lotova!

 

Lotova jo pse s’arrita e as s’jam më shpresues,

Por pse Europa,

Më ktheu në shelg lotues!

 

2015

ENDACAK

 

Nën strehë të shtëpisë gjeta një endacak,

Me një kapotë të grisur, mbështjellë krruspull,

Në fytyrë s’i kish mbetur një pikë gjak

Dhe kundërmonte erë raki e uthull.

 

Ta lija jashtë, jam poet, s’e bëja kurrë,

Ta fusja në shtëpi do më mbushte me morra,

Po t’i bëja ballë time shoqeje s’qeshë aq burrë,

Ndaj të mesmen e artë e gjeta dhe me vehte e mora.

 

Më ndoqi nga pas, si zagari gjahtarin në pyje

Dhe i pagova dhomën në një hotel me tri yje.

 

Dhe të nesërmen, në agim, pa rënë mirë vesa

I çova një pallto të re, një triko dhe një palë ndrresa…

 

Në mbrëmjen tjetër e gjeta sërish nën strehë,

Mendova të më falnderonte, të më kërkonte ndjesë,

Po sërish me kapotën e vjetër, mbledhur krruspull,

Pa një pikë gjak në fytyrë e prapë erë uthull.

 

O njeri, më tha, në çarçafat bilur s’fjeta dot një minutë

Dhe u zgjova pa zbardhur ende drita,

Kapotën që më solle e ndërresat për dy grosh i shita.

 

Me lekët që mora u deha, tapë,

Endacak qeshë e endacak jam prapë.

 

Më rrodhën lotë, as vetë pse s’e di,

Nxorra çelësat dhe hyra në shtëpi…

 

10 mars 2016

 HIPOTEKIM

Si piva në një mejhane dy gota,

Dhe pa pyetur fare për radhën e miletit,

E se të marrë do më mirrte bota

Hyra të hipotekoja dështimin e shtetit.

 

Dorëzova ca letra me vula noterësh,

Një akt dhurimi, vendime gjyqsore,

M’i morën me elegancë-çaponj skifterësh,

Ca djem si marinsa të luftës botërore.

 

Më thanë i arshivuam, shko i qetë

Sapo dolën duke qeshur nga një nevojtore!!!

 

2015

1 GRAM MEND…

(satirë)

Jetoj në një qytet që ka shumë tregje:

Një për fruta-zarzavade,

Një për rroba e këpucë,

Një ku shiten bagëti e shpend,

E tash së fundi,

Në Parrucë,

U çel tregu që blen e shet mend!

 

1 gram mend = një on ar,

Po dhe këtu racistët shfaqen fytyrën

Se më lirë mendt i blejnë në katundarë!

 

Rradha për të shitur mend më ngjante porsi rrshaja,

Me bisht deri në Tarabosh,

Në magazinat e mendve u bë hataja

Aq sa gjithë shkodranëve u mbetën kafkat bosh!

 

U hap dyqani i shitjes

Të hënën gjer të shtunen,

Po askush s’e uli hundën

E të hidhte këmbë në atë vend,

Kalonin kafkat bosh

Po falimentoi dyqani:

S’u shit një gram mend!!!

 

2015

 MORATORIUM

Në historinë shqiptare,

Më së pari,

moratoriumi u ra për hise gjahtarëve,

por më shtrenjtë ai u kushtoi zagarëve.

 

Se mirë gjahtarët

Varën në gozhda çifte e vezme,

Po zagarët

Pse u dënuan dhe humbën reflekset?

 

Morëm moratorium dhe për skafistët e drogës,

Që në prehër u ulnin dhe vajzat tona botës,

Por si shqiptarë nuk e patëm atë fat

Të vendosnim një moratorium për partitë,

Pa AFAT!

 

 2014

PAS ÇEPIMIT

Nëqoftëse në hapat e hedhur në jetë

Rrugës sime të mos kisha çepuar,

Ju siguroj

Se më pas

Kurrë s’do kisha fituar!

 

2016

 RRËNJËT

Plep, i dashur plep,

Kokën a s’ma ul,

Edhe pse ke shkuar lart

Lis nuk bëhesh dot,

Ty dhe një fllad të bën pendul

Ndërsa lisin as shqota s’e lot!

 

S’ka më sekrete pse-shë,

Sekretet janë zbuluar

Ç’se kreshnikët u kyçën në shpellë,

Shpejt, o plep, në këmbë të lisit ke për t’u rrëzuar

Thjeshtë se ai ka rrënjët thellë, shumë thellë.

 

2016

ZERO!

Tek klubi “Kilometri Zero”

E pi shpesh kafenë;

Ky lokal ka klientë shumë,

Kushedi sa herë

Vehten e kam pyetur

A mos jam zero dhe unë?

 

2015

MODESTËT!!!

(Satirë)

Shtoi dy parcela në varreza qyteti,

Në njërën për pordhacët,

Modestët në tjetrën pjesë,

Po pas prenotimesh

Në njërën parcelë s’mbeti vend bosh

Qyteti kish

Qind për qind modestë!

 

2016

MURET DHE URAT

Të dy ndërtues jemi,

Ai ndërton mure,

Unë ura ndërtoj,

Se të dy një diplomë kemi,

Por ai ndan

E unë bashkoj!

 

2014

NËNË TEREZA

Nga që këto vargje ia kushtoj asaj

Mbase mendoni të jem:

Katolik,

Mysliman,

Orthodoks,

Protestan,

Pagan

A kushedi se çfarë,

Po mos u lodhni, miq të mij:

Jam Shqiptar!

 

Do desha të jem dhe Mikelanxhelo

Ta ngjallja nënën e Botës në mermer,

Po s’jam,

Bethoven, ta ngjallja me një hymn në pentagram,

Po s’jam,

Ta bëja të hynte e të dilte

Nga çdo kishë, xhami a sinagogë

Si një luledielli në penelin Van Gog,

Po s’jam,

Thjesht u thashë: Jam Shqiptar,

Si ajo një gjak kam

Ndaj jam krenar!

 

Po ç’pres nga kjo shenjtore në të vërtetë?

Vargjeve të mija të m’i japin jetë!

 

16 mars 2016

MURET DHE URAT

Të dy ndërtues jemi,

Ai ndërton mure,

Unë ura ndërtoj,

Se të dy një diplomë kemi,

Por ai ndan

E unë bashkoj!

 

2014

DIALOG

Qe nxehtë dhe ai tha:

“Diell i keq”,

Iu përgjigja:

“S’ka diell të keq!”

Gdhiu ditë e vranët

E ai vazhdoi

“Ditë e mbrapshtë!”,

Iu përgjigja:

“Po sheh vehten në pasqyrë!”

Me siguri desh të nxinte dhe  muzgun,

Por i ktheva shpinën e ai fjalën e paku,

Isha në pritje të mëngjesit

Ku nga Cukali do të zbriste agu…

 

2015

PIROMAN

A quhem piroman se vehtes zjarrin ia vë

Në natën sterrë njerëzve t’u bëhem pishtar?!

Sigurisht që për këtë ideal jetën e lë

Si n’Komunë të Parisit e la çdo komunar!

 

S’kam rrjedhur ende,

Qeshë në ëndërr,

Piromanë të tillë

S’gjen sot një në zhgjëndër!

 

2015

VETMIA

Vetmia është shoqja ime më e ngushtë

Asaj dhe vetëm asaj

I besoj edhe ato që s’ia them as vehtes sime,

Besnike si ajo s’ka një të dytë

Mbretëreshë në mbretërinë

Me një million mendime!

 

Një kokërr misri ma shndrron në glob,

Ka raste dhe flatrat në pendë korbi,

Mbi dallgë deti të rend me galop,

Madje më fton në fronin ku rri Zoti!

 

Ajo më bën t’arratisem nga provinca e pësh-pësheve,

Nga shoqëria e superlativave,

Në vargje të zbres kostelacionet e yjeve

Dhe të hedh vallen e luleve të sibilave.

 

O vetmia ime, mbretëreshë e gjithkundit

Të lutem mos më braktis

Gjer në frymëmarrje të fundit!

 

12 shkurt 2016

FITIMTARI

Rrugica ku banoja unë kish pesë shtëpi,

Kuptohet, në njërën banoja dhe unë,

Dy qenë me parti, dy pa parti

Dhe në mes një spiun.

 

Qumështin e mirrnim pa zbardhë të gjithë me radhë,

S’revoltohej askush se më pas të vlonte huni,

Kjo që them për mbesën time është përrallë,

Madje se nga të gjithë më shumë llapte spiuni.

 

Dhe rrodhën vitet, rrugica mbet rrugicë,

Të papartitë të papunë e me jetën në zgrip,

Të partive mbetën pa patericë,

I vetmi që fitoi qe spiuni:

Hyri në SHIK!

 

2014

ATA QË BËJNË SIKUR…

Në verë dashuroj dimrin,

Në vjeshtë-pranverën,

Dashuroj atë që më mungon gjithandej,

Po më shumë dashuroj vehten

Se nuk urrej!

 

E di fort mirë se pat që s’më deshën

Se një arsye e patën, domosdo,

Edhe ata që pas shpine më përqeshën

Edhe ata që në vend të po-së më thanë jo!

 

Kam falur shumë, shumë, shumë

Sa me dallgët e tyre formohet një lumë:

Fala hileqarët, lajkatarët, gënjeshtarët, borxhlinjtë,

Edhe ata që si palaço pas shpine m’u ngërdheshen,

Po s’fala

As do të fal

Ata që bënë sikur më deshën!

 

22 mars 2016

JASHTË BIE SHI…

Jashtë bie shi,

Unë pas dritares rri

I ngrysur sa s’ka nga ndarja prej teje,

Më bubullon shpirti më shumë se horizonti

Sa duket se qetimin e pres përmes një reje.

 

Po reja nxihet, nxihet, nxihet,

Diku larg e kaq pranë shkarkon mërzi

N’shoqëri me shtjella t’llahtarshme stuhie,

Ato më hyjnë dhe më thellë në shpirt,

Se s’ka dashuri

Pa shtjella dashurie!

 

Ku je tani?

Sigurisht nën një tjetër çadër,

Sup më sup më dikë që s’pyet se bjen shi,

Tani që dhe zjarri u shua në vatër

Që hirit të shpirtit t’mi bëjë shoqëri!

 

Jashtë bie shi…

2016

JETOJ

Unë dashuroj,

Përditë dashuroj,

Kjo do të thotë

Se çdo ditë jetoj!

 

Jetoj se dashuroj!

 

2015

UNË DHE TI

Unë nuk e di ku je kte mbrëmje

Dhe kush në prehër ty të merr,

Vehten e di se jam i vetëm

Dhe se rreth meje ka veç terr.

 

Unë nuk e di se kush t’i puth

Buzët e tua porsi qershi,

I vetëm jam me një gotë para

Me lot që rrjedh si helm i zi.

 

Unë nuk e di se kush po pi

N’thithkat e tua si çep burimi,

Eh, kjo natë shtrigë se ç’mu qep sonte,

Një shekull larg qenka agimi.

 

Në prehër ty le t’marrë kushdo,

Kushdo mes gjinjve kokën t’mbështesë,

Ti mirë e di se kush të do,

kush me imazhin tënd do të vdesë!

 

2014

Dialog me vetvehten

JAM 17 VJEÇAR

Jam a s’jam poet

S’e mora vesh kurrë,

As shtatmbëdhjetë vjeçar,

As sot që jam burrë!

 

Shtatëmbëdhjetë e nisa,

Shtatëdhjetë po mbush,

Por si poezia

S’më përpush askush!

 

Dreq o punë si vete,

Krejt fëmijë mbeta,

I thinjur mbi vargje,

Bosh për nga kuleta!

 

As vilë kam n’bregdet,

As veturë të thjeshtë,

Shpirtin e kam det,

Krenarinë si kreshtë!

 

Në guackë të shpirtit

Perlën e mbaj fshehur,

Pa pirë, përmbi vargje,

ndjehem krejt i dehur!

 

Kush tha jam shtatdhjetë,

Jam plot shtatmëdhjetë,

Shtatmëdhjetë vargu

Do më mbajë përjetë!

 

2016

SHKRUAJ E GRIS

Para s’kam humbur kurrë,

Thjeshtë se për të humbur nuk kisha,

E as për t’i grisur,

Se i marrë nuk isha.

Po pse më thonin të gjithë,

Gruaja, fëmijët, një fis:

Këtij vëri përpara një letër

E pas pak e gris!

 

Atëhere po u flas më konkretisht:

Si do blesh këpucë të reja

Nëse ato që ke mbathur s’i prish?

 

Shkrova gjysmë shekulli,

E çfarë s’shkrova

Për njerëzit, puthjet,

Të dashurit që prehen nën qiparisa,

Dhe nga që kërkoja të pathënën

Një mal me letra e grisa!

 

2016

KAOSI DHE POEZIA

Kaosi ka rregulla të çrregullta,

Ka ligje të rrepta,

Është fushë pjellore për fantazinë,

Nga kaosi kozmik u ngjall jeta,

Dhe jeta,

Mes kaosit

Krijoi njerinë!

Po s’e mora vesh kurrë

Se si kaosi shpirtëror

Krijoi poezinë!?

 

Ah, po, e gjeta:

Një shpirt i qetë

Kurrë s’e krijon poezinë e vërtetë!

 

Shkurt 2016

FALL

Fallxhores për mua nuk i doli falli,

Shqiponjë s’u bëra

Se më mungonte mali,

As për nuse nuk mora një vajzë mbreti,

E as pulbardhë s’u bëra,

Se më mungonte deti.

 

Atëhere, moj fallxhore, ç’mister më ke gjetë?

Asnjë!

Atëhere vendosa të bëhem poet!

 

12 mars 2016

VRASËSIT

Banoja n’një kasolle,

Diku në bregdet,

Pulbardhat dhe dallgët

Më bënë poet.

 

Po erdhën me dhunë,

Që andej më nxorën,

Buldozët pa mëshirë

Ma zhdukën kasollen.

 

Më dhanë një hyrje

Diku në pallat,

Përballë dritares

Tash shihja një shpat.

 

Më ikën pulbardhat,

Më iku dhe deti

Dhe bashkë me ta

Iku poeti!

 

2016

DITA E POEZISË

Thonë se sot është Dita e Poezisë,

Me siguri nesër do të jetë Dita e Vejushave,

Pasnesër për lypësin e shkretë…

O Zot!

Ditë e poezisë është çdo ditë

Për poetët e vërtetë,

Pasi nëse s’krijoj çdo ditë

Dijeni

Se kam ndrruar jetë!

 

21 mars 2016

NUK JAM PENSIONIST

Kam humbur ditët,

Dhe datat sigurisht,

Por vitin jo.

Jam pensionist!

 

S’kam epror,

S’jam as vartës,

Thjeshtë kam çelësat e kashtës!

 

Por mbase s’e shihni,

Kam një pasuri,

Një vandak me letra,

Një mijë poezi!

 

Se pension nuk ka

Kurrë për poetët,

Aq sa ka gjumë

Për lumenjtë e detet!

 

2015

DALLGËT MBI MAL

Dua të zbres nga mali i pleqërisë

Ku bora ka mote që nuk shkrinë,

Po më mban peng dallgë e poezisë

Që me stërkala në majëmale mbrrinë.

 

E unë mes mijëra rubinësh-stërkala,

E marr vesh  s’ka për mua mal të pleqërisë,

Se rininë në varg mua ma mban fjala,

Fjala-mesazh, thelb i poezisë!

 

Shkurt, 2016

MISS BROÇKULLA

Një ditë zhgarravita një broçkull poetike,

U binda më pas se shkrova në rërë,

Se fjalët m’u sollën në mënyrë kaotike,

Ndryshe në ujë e hapa një vërë.

 

E bëra shuk letrën, e hodha vërtik,

I bindur se vendin e kishte në kosh,

Se qe si një arrë pa thelb e krejt bosh.

 

Dikush e kish marrë,

E nxorri n’gazetë,

Një mjeshtër promovimesh

E ngriti  tek retë!!

 

Vehtes i thashë, ku vajte, medet,

Një kosh mbeturinash të bëka dhe mbret!

 

2016

MBRETËRIA IME

Mbretëria ime nuk ka cak,

Çuditërisht nuk ka as mbret,

As princ,

As maxhordom,

Sherbëtorë aspak,

Se secili është poet!

 

2014

PËR POETËT

E dini se ç’është partia?

Vepër e djallit.

Për dikë-majë e malit

Por për poetët e vërtetë,

Bira e fundit e kavallit!

 

2014

BRENDA VEHTES TIME

Rrugica ime është brenda vehtes time,

Nga ajo shkoj në shtëpinë e shpirtit,

Aty janë strehët që pikojnë herë gëzim,

Herë trishtim

Herë dhe lotë burri,

Aty janë portat e mëdha me qemer guri,

Kalldremi ku shekujt kanë ecur,

Portat e lulevileve,

Oborret e trendafilave,

Gurët ku kam vrarë gjunjët sa herë në to kam ngecur.

 

Nga kjo rrugicë, më e hershmja që ka qyteti

Kam përcjellë nanalocet e katragjyshët tek Zoti,

këtu ka hyrë edhe Krishti edhe Muhameti

se i buronte shpirti margaritarë loti.

 

Te kjo rrugicë i vogël putha një vajzë për të parën herë,

Kjo rrugicë s’ka emër heroi

Që ndrron sa herë ndrrojnë pushtetet,

Dikush e quan dimër,

Dikush pranverë

Se më shumë se princër e mbretër ka pritur poetët.

 

Se vinin tek unë dhe të hapur e gjenin portën

Vinte edhe ai që një ditë përpara u grindëm për një epitet,

Se për atë figurë s’e ndrronim gjithë botën

Se ai që s’fal s’e ka emrin poet!

 

2015

ÇETA E POETËVE

Në Parrucë, mëngjeseve e pi kafenë përditë,

Në Shkodër, në lokalin më të thjeshtë,

Kushdo që e pi kafenë në pranverë

Do t’i mbetet në gojë deri në vjeshtë.

 

S’ka këtu kamarier me papion,

As cohë të kuqe për shtrojë s’ka si të ketë,

Por një tavolinë pronari rezervon

Ku i vijnë më të urtit, një çetë me poetë.

 

Këtu në verë dëgjohet se bie borë,

Se babagjyshi ynë pellazg paska qenë,

Këtu zihen e puthen për një metaforë,

Se poezinë të gjithë e kanë nënë.

 

Se liriku më i madh rus qe Esenini,

Kadareja në Shqipëri – Everesti letrar,

Se gur themeli në prozë është Skender Drini

E se kush si poet facebooku pëllet si gomar!

 

Këtu ku unë pi kafenë përditë

As të kthen kush resto e as të jep kush bakshish,

Pronarit të lokalit shtegu i ballit i ndritë

Se dikur-varfanjak dhe ai poet na ish!

 

Kur dalim tubë s’na e hap derën kush,

Se s’jemi krushq e as dasmorë,

Jemi thjeshtë një çetë me zemrat prush

Që n’Shkodër kanë sinonimin-luleborë!

 

Shkodër,  2014

GJË A GJËZË ME PËRGJIGJE

Ç’është Poezia?

Një Parlament Poetësh.

Po vetë parlamenti?

Një koshere bletësh…

 

2016

SHOKËT E MI GJENERALË!

Në lidhje te shkrimtarëve dje qemë të lidhur,

Sot

Në shoqërinë e shkrimtarëve

Jemi të zgjidhur.

 

E dini çdo të thotë

Në këtë shoqëri të jesh kryetar,

Thjesht

Një “gjeneral” që s’ka asnjë ushtar.

 

Se të gjithë janë gjeneralë!

 

2014

SINQERITET

Nëna më priste tek portë e shqetësimit,

Se kthehesha vonë nga kafenetë,

E pyeste një fqinje e ajo përgjigjej:

“Ka shumë, shumë punë në gazetë”!

 

Po erdh një ditë e ndrrova zanat,

E si për dreq s’mu ndanë kafenetë,

Nëna pat shkuat tek baba Zoti

Po fqinja përgjigjej:

“Ka shumë, shumë punë ky djalë në gazetë”!

 

2015

PROMOVIMET E LIBRAVE

Më erdhën në maje të hundës promovimet,

Më erdhën në maje të hundës lavdërimet,

Ndaj një ditë u shmanga,

Sajova një sebep

Gjezdisa në pazar

Të blija një grep.

 

Ç’e doja grepin kur s’do peshkoja?

Oh, me kallam në promovime do shkoja,

Dyshues e plot frikë

Që atje

Ta zija një kritikë!

 

2016

RRUAZAT E BARDHA

Kur një ditë nuk shkruaj një varg

Dijeni: rruazat e bardha më kanë rënë në gjak,

Ndryshe: nuk ka më zjarr në oxhak!

 

Dhe nëse shkruaj një skarco varg

Do më kenë rënë më shumë këto rruaza në gjak,

Jo zjarr, po as hi do  ketë në oxhak!

 

2016

SHOKU

Kam një shok poet që e dua shumë,

Ai është i djathtë,

Unë i majtë,

Si kacagjela për një varg shpesh bota na pau

Por as e djathta,

As e majta na ndau!

 

Se përmbi kahun kemi Shqipërinë

E si poetë

Kemi poezinë!

 

2015

NJË EZOP NË SHEKULL

Një fabuluc klithi: Stop,

Po zhdukemi ngadalë që në gen,

Në mos qoftë, ta shpikim një Ezop,

Një Ivan Krylov apo La Fonten!

 

Sakaq zonja dhelpër doli nga strofka,

Mjaft, o i gjorë shpërndave mjergull,

Ezop e La Fonten lind veç epoka,

Shumë-shumë e lindë një në shekull.

 

Ndaj eja hyr në strofkën time

I tha zonja dhelpër duke qeshur,

Se për fabulat tuaja e gjen ndonjë thërrime

Po kurrë lëkurën time s’ke për ta veshur.

 

2015

PËRTEJ NJË MALI

U nisa nga një rrugicë e thjeshtë e Shkodrës

T’arrija sa më parë në maje të kodrës.

 

Gjer n’maje të kodrës kush turrin s’ma ndali,

Por përmbi kodër pashë të ngrihej Cukali.

 

Shtigjesh eca me torbën me vjersha,

Ku më zinte dimri, nuk më zinte vjeshta.

 

Po eca pa u ndalë, u pushtua dhe Cukali,

Sa mbrrita  pashë se kish më tej një majë mali.

 

Më thinjën e më plakën ngjitjet,

Po s’do më gjunjëzojnë kurrë arritjet!

 

2016

SUFLERËT E SHEKSPIRIT

Sufler i Shekspirit unë jam

Edhe pse anglisht s’di një fjalë,

Sufler Shekspirin thotë epoka kam

Që dhe të vdekurit i ngjallë!

 

Fjala e tij-diell që çanë retë

Ka katër shekuj që globit ndriçon,

Që na bën të gjithve Rome e Zhuljetë

Dhe Hamlet që pavdeksinë e zgjon!

 

2015

MIRËNJOHJE

Jam një Rubinson Kruzo pa ishull,

Mefistofel që s’lidh asnjë pakt,

Që zonjën poezi kam idhull

E cila një rrëkezë ma shndrron në katarakt.

 

Prej kohësh asaj i kam rënë në gjunjë,

Asaj që më mësoi se mbi çdo gjë është fjala,

Që  në shkretëtirë të shpirtit më dha një grusht ujë

Në një det të trazuar më bëri zgalem

Përmes tramundanës, me dallgë e stërkala!

 

2016

AUTOELEGJI

Dje ai shkruante për heronjtë balada,

Për komunistët që prinin të parët,

Por sot kundër tyre i pret shpata,

Shkruan e shkruan pa fund për pushtetarët:

Balada, poema, romane, poezi,

Siç ç’mos kurrë provoi n’dramaturgji,

Pa e kuptuar se ngriti

Monument me një autoelegji,

Që fillon dhe mbaron me vargun

“Mjeri ti, mjeri ti, mjeri ti!”.

 

2015

FANTAZI APO REALITET!?

Përpara dyerve të hapura, vjedhësi kalon pa u ndalur.

                                                                              Seneka

E dija ç’kish thënë Seneka në vite rinie

Dhe si më kot thashë po bëj një “numur shpejtësie”,

Jo për të vërtetuar Senekën,

Por për të vërtetuar të vërtetën.

 

E ktheva një dyqan në librari

Dhe kur qyteti u nis për të fjetur

Ia hapa derën kanatesh qëllimisht

Ku çdo kalimtar mund t’hynte për të vjedhur.

 

Mendova do bëhet hataja, po gjer në mëngjes

Veç një njeri,  kish hyrë serbes,

Dhe mbi banak kish lënë një letër të shkruar:

“Po e vjedh një libër

Po sa ta lexoj

A s’më thoni: sa keni për të më paguar!?”

 

2015

TOKA

Më dëgjo mirë, or mik:

Ti je pilot,

Do të thotë se kryen një punë,

Po s’mund të më quash zvarranik

Se ngjitesh çdo ditë më lart se unë!

 

S’dua të jem modest

E të shtirem si poet rebel,

Se toka që më lindi e më dha emër

Më tepron e më del!

 

Moralit poetik i ranë pendët,

Megjithatë dëgjomë miku im se ç’të thotë një poet:

Për ty lartësia më e madhe

Është toka që të nis

E toka që të pret!

 

2015

DY PORTAT

Më erdh një ditë një letrareshë,

“Shikoma, më tha, këtë vjershë,

Me rimat është a-a-a”,

E hi-hi-hi e tra-la-la…

 

Për mirësjellje i hodha një sy,

Po askund poezinë s’e vrejta aty,

Atëherë e pashë mirë letrareshën,

O zot s’i s’e pashë më parë perendeshën!

 

I thashë se në shpirtin tim kam dy porta,

Nga njëra hyn si pa u ndjerë poezia,

Kjo s’është porta yte,

Po deshe,

Hyr nga porta ku hyn miss bukuria!

 

2014

NËN URË

Të gjithë poetët e botës, që i kam aq shokë

Shkruajnë për vjeshtën në Nju Jork,

Thojnë se si ajo s’ka stinë mbi tokë,

po s’thonë se dimrin e ka të ftohtë.

 

Thonë se ka urat më të bukura në botë,

E di, se për to janë shkruar dhe uvertura,

Habitem se si nuk shohin që poshtë tyre

Flejnë e zgjohen mijëra gra e burra !

 

2015