• Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • Mainbody Dark Theme
  • Mainbody Light Theme
  • Layout: 2 Left columns + Mainbody
  • Layout: Mainbody + 2 Right columns
Krijimtaria e shkrimtarit Skender Temali Print Email
CURRICULUM VITAE

Vëllimi i ri poetik i Skënder Temalit, cili për nga mesazhet që përcjell e vlerat artistike që mbart, duket sikur është vazhdim i librit të mëparshëm me motive filozofike “Kur vuaj, shkruaj” dhe përkon me 50-vjetorin që ai boton krijime në shtypin letrar të kohës. Edhe pse një pjesë e krijimeve të vëllimit janë rrugëtimi poetik i autorit i shprehur në marrëdhëniet e tij shoqërore e familjare, përthyhen me ngjarje reale të kohës. Këto poezi janë shkruar në dimër-pranverën e vitit 2013. Drejt tyre ka shtegtuar edhe ndonjë poezi e botuar më parë, për të gjetur strehë këtu. Qëllimisht autori ua ka hapur derën, pasi pa to, siç është shprehur në parathënie, nuk skicohesha siç doja as unë e as koha që jetoj.

Kur vuaj, shkruaj...
Kur vuaj, shkruaj...

Doli nga shtypi vëllimi poetik "Kur vuaj, shkruaj..." i shkrimtarit Skender Temali.
Ndryshe nga vëllimet e tjera poetike të këtij autori, ai ndahet në tre pjesë.
Për herë të parë ai lëvron poezinë me motive filozofike, përmes të cilave u qaset ideve të ndryshme, përcjell mesazhe dhe i lë hapësirë edhe lexuesit për interpretime të ndryshme nga çfarë ai i ka ofruar.
Me interes janë gjithashtu edhe ciklet "Motivet e Jugut" dhe "Përkushtime".

Vëllimi është botim i shtëpisë botuese “Rozafat” në Shkodër. 2012

Lirika të hershme dhe të vona
Lirika të hershme dhe të vona

Në këtë libër autori ka përmbledhur poezi të shkruara në afro gjysmë shekulli. Ashtu siç thotë dhe në parathënie, ka përfshirë ato poezi që ka pasur më për zemër, duke u thënë lamtumirë shumë të tjerave.

Vëllimi është i ndarë në ciklin e lirikave, të motiveve kosovare, të baladave dhe të poemës “Unë, Ballkani dhe Europa”, e cila e mbyll edhe vëllimin e 12-të të shkrimtarit.

Në këtë libër të ri spikat çiltërsia e ndjenjës, mendimi i pjekur e shpesh edhe meditativ e filozofik, çka shpreh edhe shkallëzimin e pjekurisë artistike të poetit Skender Temali.

Vëllimi është botim i shtëpisë botuese “Rozafat” në Shkodër.

3 Shokët
3 Shokët

Janë 7 vjersha dhe një poemë për fëmijë, botuar në vëllimin "Tre shokët", që ka për redaktor shkrimtarin e mirënjohur për fëmijë Xhahid Bushati dhe për piktor-ilustrator, Piktorin e Merituar, Agim Faja.
Thuajse të gjitha poezitë kanë subjekt dhe kjo rrit interesimin e fëmijëve për t'i lexuar. Gjuha e tyre është e thjeshtë, e kapshme për parashkollorët dhe vargu i rimuar e i rrjedhshëm shijohet menjëherë pre tyre. Një kopësht fëmijësh në Shkodër e ka mësuar përmendësh këtë vëllim, ndërsa Flaka Zhaveli nga Gjakova, që është protagoniste e poezisë "Mirënjohje", me këtë poezi ka fituar çmim të parë si recituese në konkursin kombëtar të vitit të parë të lirisë në Kosovë.
Veç kënaqësisë estetike, poezitë dhe sidomos poema përcjellin edhe mjaft mesazhe edukative.
Libri është botuar nga shtëpia botuese "Camaj-Pipa" në Shkodër, në vitin 2007.

Askushi
Askushi

"ASKUSHI" i SKENDER TEMALIT,
ROMAN I RRUGËS SË LIRISË SË INDIVIDIT


Romani "Askushi" i Skender Temalit, i veçantë në llojin e tij, përmes personazheve të skalitur, sjell të djeshmen në agoninë e saj, ku e drejta e individit ishte nën thundrën e dhunës. Diktatura kishte tjetërsuar shumë nga tiparet e njeriut.

Autori e njeh mirë kohën për të cilën shkruan. Personazhet e romanit janë realë, të ngjan se diku i ke takuar dje, ata nuk janë të stisur, por pjesë e një realiteti tronditës.

Faqe pas faqeje lexuesi futen në vorbullën e ngjarjeve  të fundit të viteve ‚80 të shekullit të kaluar. Shpesh herë kjo jetë e dhënë me dritë-hijet e saj, të rrëmben, bëhesh pjesë e rrjedhës së kohës, jeton me shqetësimet, ëndërrat e dramat e njerëzve.


Trajtimi që autori i bën lirisë së individit mbase përbën një nga vlerat kryesore të këtij romani, madje ai mund të quhet pa droje roman i luftës për liri e të drejta njerëzore. Këtë autori S.Temali e bën thjeshtë, pa rënë në deklaratizëm apo prozë të thatë, më tepër duke zbërthyer konstruksionin shpirtëror të Cen Shkrelit, i cili mbart edhe tragjizmin, edhe lirizmin, edhe shpresën për një jetë më të mirë, pa diktaturë e pa diktatorë.

Gjuha e romanit është e punuar, e pasur me me frazeologjizma, çka ia shton më shumë vlerat romanit. Ajo ndihmon shumë në individualizimin e personazheve.

Romani është botuar nga shtëpia botuese "Idriz Seferi" në Maqedoni, 2006

STUDENTJA E BOLONJËS
STUDENTJA E BOLONJËS

Në vitin 2004, shkrimtari Skender Temali u paraqit para lexuesve me novelën "Studentja e Bolonjës", e cila ka për redaktor shkrimtarin e mirënjohur, Skender Drini.
Tema që trajton autori në këtë novelë është e marrë nga ditët tona dhe tregon odisenë e Ketit, një maturanteje që me të dashurin e saj Arsenin, do të kaptojnë detin, ajo për të studiuar, ndërsa ai…Ai ka të tjera plane…I lidhur me qindra fije sa me mafiozë italianë e shqiptarë, ai do të arrijë ta hedhë Ketin në krahët e një bosi plak, zotit Karlo, Serzhios e të tjerëve. Në novelë, faqe pas faqeje shpalosen përpjekjet e jashtëzakonshme të Ketit për të mos rënë pre e joshjeve marramendëse të kapove bolonjezë dhe për të shpëtuar prej thonjve të tyre. Monologjet e brendshme të Ketit nuk ia ulin intensitetin aksionit e as e zbehin dramacitetin, por përkundrazi e lidhin me botën e brendshme të lexuesit duke shërbyer si një urë ku do të hedhë hapa të tjerë

SHTEPIA PA PASQYRA
SHTEPIA PA PASQYRA

tregime

Shtepia Botuese "Shtjefni", Shkoder, 2006

Në vëllimin me tregime “Shtëpia pa pasqyra” autori Skender Temali vijon sërish të trajtojë temën e preferuar të tij, atë të intelektualit dhe të shoqërisë shqiptare në këtë periudhë tranzicioni të pa cak. Një inxhinier dhe një shkrimtar, në tregimet “Metamorfoza” dhe “Ftesa”, tregojnë se si kushtet ekonomike dhe ato sociale ndikojnë në shprishjen e në ngritjen e konstruksionit shpirtëror të njeriut, në përgjithësi, dhe të intelektualit shqiptar, në veçanti.

Në tregimet e tjera, autori ka ardhur duke e zgjëruar rrethin tematik. Përmes tyre, sidomos tek tregimi “Shtëpia pa pasqyra” dhe “Muri” ai i thur hymne dashurisë së pastërt e të sinqertë.

Të shtatë tregimet shquhen për një sondim në botën e brendshme shpirtërore të personazheve, për dialogun ekspresiv dhe frymën e kohës që i karakterizon.

Libri me tregime “Shtëpia pa pasqyra” është botim i shtëpisë botuese “Shtjefni” në Shkodër. Ai ka për redaktor shkrimtarin Skender Drini.

Ballo në mbrëmjen e maturës
Ballo në mbrëmjen e maturës

"BALLO NE MBRËMJEN E MATURËS"

Pas gati dy dekadash që nuk kishte publikuar asnjë libër, shkrimtari Skender Temali i jep lexuesit në vitin 2001 vëllimin me novela "Ballo në mbrëmjen e maturës".

Në 172 faqet e librit janë përfshirë tri novela: "Ballo në mbrëmjen e maturës", "S'kishte si të ndodhte ndryshe" dhe "Shkretëtira e shpirtit".

Në të tri novelat bie në sy përpjekja e shkrimtarit për të dhënë lëvizjet e kohës që jetojmë përmes lëvizjeve shpirtërore, pasurimit e varfërimit të botës së brendshme të njeriut, me tendencë-lirinë e individit.

Analiza psikologjike që shkrimtari i bën tek novela e parë "Ballo në mbrëmjen e maturës", Zhulit, tregon se shkrimtari ka arritur të depërtojë në botën e brendshme shpirtërore të një gruaje, e cila duke mbrojtur dashurinë e saj kërkon të mbrojë familjen. Ndonëse titulli duket se ka të bëjë me maturantët, në të vërtetë, në festën e pasprovimeve të tyre, provim ka dhënë ndërgjegja e bashkëshortit të Zhulit-kësaj mësuesje model morali, që tradhtitë e të shoqit i beson dhe s'i beson, i përjeton thellë deri në pejzat e shpirtit të saj të ndjeshëm. Më pas...lexojeni këtë novelë e dy të tjerat, me besimin se do të gjeni ngjarje e përjetime të ngjashme nga jeta juaj e përditshme.