• Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • Mainbody Dark Theme
  • Mainbody Light Theme
  • Layout: 2 Left columns + Mainbody
  • Layout: Mainbody + 2 Right columns

Poezi

Që të mbes

E-mail Print PDF

Dhe një rrugë që shtrohet në një katund,
Ka inaugurime:
Një në fillim
Dhe një në fund!

Çdo libër që botoj ka promovime:
Një në Tiranë,
Tjetra n’vendlindjen time!

Për rrugët,
Ka opozitë,
Për librat
Nuk ka kritikë!!!

Veç lëvdata,
Lëvdata,
Lëvdata,
Ngrihu nga varri
Një bejte ma thur
O Molla Sali Pata!1)

Se sa del
Prej portës së promovimit,
Hyn në Hadin
E botës së harrimit!

Vëllezër kritikë
Që të mbes
Më kritikoni nga mbrëmja në mëngjes!

 

1 ) Bejtexhi i njohur nga Shkodra.
 

Ninulla e celularit

E-mail Print PDF

Nina-nana, bir mos fli,
Zgjuar rri si n’ministri,
Cërr-cërr-cërr deri n’mesnatë,
Andej shefat, këndej gratë,
Gratë e botës domosdo,


Do një tender?  Po-po-po!
Derci-merc me sekretaren
Që përditë ia lidh kollaren
Ndryshe s’ka si të ngjitë shkallën
Pa e ngrënë në darkë ngjalën!

Nina-nana, bir mos fli
Tash që s’je në ministri,
S’ka cërr-cërr, po ku-ku-ku,
Ku të shkuan shokët, ku?

Ke një javë t’u mpak firoma,
Ke një javë që gjindesh n’koma,
Me cërr-cërre zgjohu bir,
Të ka nëna xhevahir!

Ka një javë që s’po t’përkundi,
T’mos na shkojë n’fund t’pusit mundi,
Cërr-cërr-cërret bëji vota
Sa t’përulet e gjithë bota!

Nina-nana, më mos fli,
Cërr-cërr-cërret me regjistër,
Ti ke lindë për ministri,
Nesër nëna t’paftë ministër!

 

Pronar

E-mail Print PDF

Ti quhesh kalorës zotëri
Meqë  hipën gjithnjë mbi kalë,
Po s’e di se si quhet ai
Që hipën përditë mbi gomar?!

Ngaqë askush përgjigje s’më dha
Trokita në derë të gjuhtarit,
Mendoi se po tallem e me mllef më tha
“Thyej qafën, o zog gomarit!”

M’përplasi derën n’fytyrë
E klithi “Sikter, këndej parit!”,
Atëhere s’gjeta rrugë tjetër
Trokita në derë të shkrimtarit.

O bir, ka dy emra, sinonimikë,
Në rruzull nuk ka kaq shumë simpatikë,
Njëri Sanço Panço,  është në Perëndim,
Tjetri në Lindje me emrin Nastradin!

Dola në rrugë, takova një fshatar,
Më thuaj zotëri, si t’quajnë mbi gomar?
Më pa e më tha, si s’e di, ti dukesh dhe shkollar,
Kur i je gjasë përsipër quhesh veç pronar…!

 

Monumenti i dyshekut

E-mail Print PDF

Kam parë në botë shumë monumente,
Kushtuar deri këpucëve, organeve e Shvejkut,
Po askund syri s’më ka zënë
Një monument kushtuar dyshekut.

Ai të pret e të përcjell si askush,
Të sheh të veshur e të çveshur,
Kur bashkë me gruan digjesh prush
Deri që të përcjell kur ke vdekur.

Po s’kam parë më gomar se ai, në çdo moment,
Sa nënshtrimit të tij s’ia dija kuptimin,
Po, o zotërinj, për të është pak një monument
Se ai mbi shpinë mba gjithë njerëzimin!

 

Çfarë nuk pashë

E-mail Print PDF

Dr. Neyyir Tuncay Eren (Turqi)
dhe Dr. Indrit Temali e Dr.Sabjan Memishaj


Në spitalin amerikan në Tiranë
Ku zemrën time në dorë mjekëve ua lashë,
Në pavione amerikanë kund nuk pashë,
Epo do shfaqen në operacion, thashë.

Eh, këta amerikanët sa demokratë,
Na bëjnë të besojmë se kripa është mjaltë,
Mjafton të shkruajnë “Jam amerikan”,
Ai mund t’jetë liliput e don t’i them vigan!

Atë ditë prilli, në spitalin amerikan,
Prej mjekëve shqiptarë e turq
E ndjeva vehten
Sovran!

Tiranë-Shkodër, prill-maj 2012

 

Amaneti i gjahtarit

E-mail Print PDF

Nëse mirrni vesh se jam duke vdekë
Më sillni çiften me fishekë,
Se zagari
Nxiton e vjen vetë
Dhe do të shihni
Po s’erdha prap në jetë!

Pemët do i mbushin shpendët që s’kam vrarë,
Pyjet do të nisin  përgjimet e agimeve,
Ketrat, lepujt e drerët do vijnë duke qarë
Bashkë me shkrimtarët për shterrjen e tregimeve.

Më lutej familja, shoqëria, një fis: Mos vdis,
S’ke përse shkon kaq shpejt në yje,
Je heret të të bëjë shoqëri një qiparis,
Se ka ende ujqër e derra në pyje.

Atëhere vendosa t’i bindem pasionit tim
Hodha çiften në krah dhe u nisa në pyje,
Nga pas më ndiqte zagari i im
Mbi kokë më ndiqnin miliona yje!

 

Po iki…

E-mail Print PDF

Po iki.
Ku?
S’e di, por përpara do rend,
Qëndrimi në vend
Më çmend!

 

Geisha ime

E-mail Print PDF

Ndërsa ju prisni ministra,
Kryeministra
E me tapete rrugën nga avioni ua shtroni
Dhe unë dola të prisja si ju,
Kë thoni?

Unë një geisha dola të prisja
Një geishë yll nga Japonia,
Që të më mësonte ta doja jetën
Se nga shpirti më ish arratisë dashuria!

 

U bëfsh 101 vjeç!

E-mail Print PDF

Shoku im
Remigjio Laca
Për pronat ka bërë
Plot 200 seanca!

Sot pat ditlindjen,
E urova në 65-vjetor:
U bëfsh 101 vjeç
Me tapi në dorë!

Shkodër, 1 tetor 2012

 

Kopil

E-mail Print PDF

Ka kohë që në xhiro
Dy vëllezër s’sheh bashkë pijaca,
Se i sheh salla e gjyqit
Për pronat nepër seanca.

Fjalori më i ndyrë i rrugës
Për atë që Shkodra e njihte xhentil,
Pa lë n’gjuhë t’avokatit
Që në ferra mbetesh kopil!!

Kopil
Se erdh koha e rruspive
Në perendim të kohës së zotnive!

 

Kujt i besoj

E-mail Print PDF

Unë u besoj ngjarjeve që s’kanë ndodhur,
Se ata që kanë ndodhur janë në histori,
Kush ra si hero a mbet si qen i ngordhur,
Në pata mik a armik kë kisha përbri.

I besoj së nesërmes e vesës së mëngjesit,
Më shumë se çdo banke që të josh me kreditë,
As orëve me kuarc më shumë se këndezit
Që do m’lajmojë fitoret që do arrij çdo ditë!

 

Mitomani

E-mail Print PDF

Ai është atje ku s’ka qenë kurrë,
Merr pjesë në një ngjarje që s’ka ndodhur,
Në kuvende të pambledhura është burrë
Dhe ku s’ka punë,
Punëtori më i palodhur!

I lumi ti per vehte,
I mjeri ti,
Oi, oi, oi!!!!

 

Blegërimë…

E-mail Print PDF

Në një konferencë shkencore
Gjysma e sallës flë,
Gjysma tjetër
U klith lektorëve
“Rezyme, rezyme…”,
Jashtë pas shiut mungullon bari
Dhe delet blegërijnë
“Be-be-be”.

Doni të dini
Cila kumtesë na shastisi ne?
Se delet  në gjithë botën
Bëkan: “Be-be-be”…

 

Milingona dhe gjinkalla

E-mail Print PDF

S’kam pikë respekti për ata që punojnë veç në mbledhje
E me llap-llap-llap në mitingje e zgjedhje;
E di,
Se pas kësaj, shefa, deputetë, ministra
Do më hakërrehen
“Lëri këto përralla!”
E pranoj sfidën,
Unë jam milingona
E ju
Gjinkalla…

 

Sot bëra një krim

E-mail Print PDF

As kisha në brez kobure,
E as në dorë një kamë,
Megjithatë sot u bëra kriminel
Se bëra një krim të randë!

Të tillë shkodranët kurrë s’më njohën:
O miq,
Unë sot kam vrarë KOHËN!

E vrava me një kafe  tek “Zig-zaku”,
Me një gotë tek “Rrumbullaku”,
Me rrëfime gjahtarësh tek “Baku”4)
Dhe aty më zu gjaku,
E eca kuturu,
S’di se ku,
Gjersa një familjar më gjeti,
Të zhgramë tek biblioteka “Marin Barleti”.

Dhe aty far e fisi im u zhgreh në vaj,
Mua,
Që kohën e vrisja
Më dënuan
Që kafenesë-giotinë
Të mos ia shkelja më prakun e saj!

Sigurisht kjo qe ëndërr
Në një natë të nxehtë,
Kush do ta besojë
Se është e vërtetë!

 

Punoj si i papunë

E-mail Print PDF

Jam në punë si i papunë,
Fiks në tetë tek “Omonia” e Shkodrës jam unë,
Desha të them tek sheshi “Isa Boletini”,
Ndaj mos bëni sikur nuk më njihni!

Emër s’kam, s’e di ku më ka humbur,
Thjeshtë jam numër,
Mbase i një milionti i papunë,
Bark bosh
E pa një lek në xhep jam unë!

Rrallë e më rrallë bëj punë në të zezë,
Po jam i ndershëm e s’bëj punë të pista,
Se punë të tilla i kanë zënë me kohë
Drejtorë, deputetë e ministra.

Aty, tek ai shesh më keni ditë për ditë,
Për ditë e pyes Isën,
A të më shije kështu luftove dhe ti, o bacë,
Kalojnë një grup të rinjsh që më qestisën


Ndërsa një pëllumb mbi kokë
Më lëshoi një glasë.
Ajo më thotë se do të jetë me fat kjo ditë
Ndaj s’më mbetet gjë tjetër
Veç të bie në gjunjë e të lus perenditë!...

 

Majtas-djathtas

E-mail Print PDF

Çdo njeri e di që ka dy duar,
Të majtë,
Të djathtë,
Po s’e di mirë se përse është i majtë a i djathtë,
Që njëra prej tyre të mos e lërë në baltë.

Thotë “jam i djathtë”,
Po djathë s’ka në shtëpi,
Thotë “jam i majtë”,
Ndërkohë që fërkohet me mjaltë.

Ah,
Mos gaboj:
Me zemër jam i majtë,
Me sy jam i djathtë!

 

Komod

E-mail Print PDF

Nën strehë të patriotizmit
Kaq komod vehten e ndjej,
E bëj vetë historinë
Rrëfej, rrëfej, rrëfej…

Paçka se rëndshëm gënjej,
Kujt s’ia mba bytha t’më kundërshtojë,
Aq sa dhe vetë heronjtë
Si fakirët i lë pa gojë…

 

Liria

E-mail Print PDF

I burgosuri
Veç një ëndërr sheh: Të jetë i lirë!
I shtypuri
Të mos ketë në shpinë vampirë!

Po ka asosh që paguajnë ta humbin lirinë
Se kinse e falin atë për njerëzinë!

O, mos kujtoni se ata janë poetët,
Po ministrat, kryeministrat, presidentët!

Dhe një pordhë të bëjnë kanë bodigardët pas
Që japin alarmin, çojnë detin me tallaz,
Se n’daç president a kryeministër
Je zog në kafaz.

 

Galop

E-mail Print PDF

Dhe rrena rend në Albanistan me galop,
Në skakierën politike më të pistë,
Qënkemi në mirëqënie të parët në botë,
Kur ka mijëra që bukën e marrin me listë.

Kanë mbetur nordikët me gisht në gojë,
Gjermanët, francezët, belgjianët,
Ndrek Luca nga varri thërret “Kjo është lojë”,
Se të parët mund të jenë veç pushtetarët!

Po dielli i së vërtetës s’mbulohet me shoshë,
Se buka me listë të vret si pushka,
Në sofër t’mirëqënies ço e shtro groshë
E u del statistika  zero me plot xhufka!

Dhe rrena sërish rend e rend me galop,
Në rrena ne qënkemi të parët në glob!

 

Në pazar

E-mail Print PDF

Kam pantallona pa xhepa,
Xhepat nuk kanë astar,
Që të thithja një cigare
I shita ato në Pazar!

Meqë i papunë si zyrtar
S’ka pse të mbaja kollar,
që të pija një kafe me shokët
E shita atë në Pazar!

Kostumin e zyrës e shita,
Qe qepur me copë të rrallë,
Dhe kmishën me kopsa sadefi
I shita çëk-fëk në Pazar!

Ç’ju them, o miq, s’është përrallë,
Përrallat nuk shiten n’Pazar!...

Maj, 2013

 

Tani këtu është zot një fshesar

E-mail Print PDF

Sheshi i metingut është bosh,
Qyq si plazhi n’janar,
Jashtëqitjet e tij i mblodhi një kosh,
Tani këtu është zot një fshesar!

Me fshesë ai mbledh rrenat, premtimet,
Ylberet e jetës, urratë, mashtrimet,
Flamuj të grisur, më tej banderola,
Ca pisa rivalë të shndrruar n’gogola.

I ka dëgjuar gjithë ç’thanë në tribunë,
Njësoj si shumë vite më parë,
“Thanë e ç’nuk thanë, askund isha unë...”
Mendon vetmevedi në shesh një fshesar…

21 qershor 2013

 

Vota

E-mail Print PDF

Hodha firmë tek shefi
Dhe shkova n’kuadratin tim,
Aty isha unë  vërtetë,
Po nuk ishte shpirti im!

Një foto aty n’kuadrat
Me shefin do bëja patjetër,
T’mendonte ai s’kishte takat
Se t’djelën do kisha votë tjetër.

Unë kurrë në jetë s’kam tradhtuar
Një shok, një mik a koleg,
Por votën kam shpirt të trazuar
Që s’shitet as blihet me lek!

20 qershor 2013

 

Dje, sot, nesër…

E-mail Print PDF

Dje në dyqan një dry kushtonte shtatë lekë,
Aq sa kushtonte dhe një cfurk,
E nëse komunizmit i bëje karshillëk
Të rrumbullakosnin fiks shtatë vite burg!

Me cfurk në galera djajtë e ferrit
Të shtynin drejt magmës së vullkanit
Dhe me mësimet e ndritura të Enverit
Të bënin të mos i ngjisje as insanit!

Sot s’ka më dryj, as cfurk e as burg,
S’të shfytyron kush të mos i ngjasësh insanit,
Ti shaji pushtetarët n’daç grek e n’daç turk,
Me grup tatimor t’pret n’derë të dyqanit!

E n’se në një zyrë je nëpunës civil
Provo n’miting të partisë të mos shkosh,
Provo të mos jesh urë e servil
Se pllakat e rrugës shpejt do numrosh!

E llap prap po deshe e shaj qeverinë,
Bëhu Sokrat e thuaj të vërtetën,
Do gjëndet dikush ta nxjerrë alltinë
Me plumba tinzarë ta zbukurojë jetën!...

 

Berberët e kohës

E-mail Print PDF

Mes dallgëve të krizës, një tjetër hata,
Në tregun shqiptar brisqe rroje nuk ka,
Tronditet bursa, leku vetëm bjen,
As në tregun e zi një brisk nuk e gjen.

Horoskopistët dhe opinionistët
Nxituan për në debate të parët,
Të vërtetonin nëse vërtetë
Gjithë vendin e kishin rrue pushtetarët.

Nëse ndër magaze brisqe kish me turra,
Gjersa pushtetarët të kryenin mandatin,
O berberë, bëhuni njëherë burra
Se këta pushtetarë ua vodhën zanatin.

E kruan e rruan këtë vend para-mbrapa,
Mjerë ai që n’karrike  ka për t’i ndjekë,
Zili atyre ua ka edhe Ali Baba,
Se hyri në shpellë e asgjë nuk ka gjetë…

 

Fshesar

E-mail Print PDF

Edhe pse denbabaden zog qytetarit
Me zorile mora diplomën e fshesarit,
Kur të tjerët me shkop magjik merrnin  liçensa,
Mua bukën në sofër ma shtronte vetëm fshesa!


Ndërsa fshesarët punojnë kur hëna ngjitet në qiell,
Unë i hyra punës me turr ditën për diell.
Me shisën rrumeçe hyra nepër zyra
Ku nëpunës rushfeti qelbeshin nga zgjyra.

I mblodha zhumilet me degë e me fis,
Si rriqnat  hoqa çdo ndyç e çdo pis.
Kështu e ngrita prestigjin e emrit fshesar
Sa sus para meje më rrinte çdo zyrtar.

Oh, qe ëndërr që pashë në këmbë unë qyqari
Ndërsa prisja me orë pas derës së një zyrtari…!

 

Nudo

E-mail Print PDF

Në plazhin nudo veç unë isha i veshur,
Me sy nudistët më pyesnin “Çdo këtu, ky idiot?”
Në vendin tim Tano Banushi me të qeshur
Do u përgjigjej: “Për fjalë të nderit kot, krejt kot!”

Në fakt atje kërkoja deputetin tim, Xhoden,
E pashë rrethuar me mikesha e miq,
Taman si më kish thënë kur ma kërkoi votën
Se para nesh do ishte gjithnjë lakuriq…

Por unë s’kuptoja se ishin ndrruar rolet,
S’ish më kandidat, por zoti deputet,
Ndaj mes nudistëve qeshte, tundte bolet,
E ta takoja më duheshin fiks katër vjet…

 

Sot shava me nënë…

E-mail Print PDF

Deri dje kurrë s’kisha sharë me nënë,
Se prindërit s’ma dhanë këtë edukatë,
Zonjë grua ishte ime më
Dhe zotni burrë ishte im atë!

Po me nënë sot shava ministrin e kulturës
Që në Ditën e Librit foli për futbollin,
Se ia ktheu shpinën Dantes e Shekspirit,
De Radës, Migjenit, Agollit!

E si mos të shaja një tjetër ministër,
Që ditën për diell bën kokrren e skandalit,
Kur nga Sheshi i Flamurit në Vlorë
“Shkon” n’Itali të sjellë eshtrat e Ismail Qemalit!!!”

Si gjuhën e rrugaçit të mos ma zgjidhte,
Dhe sharjet të mos m’i nxirrte vistër,
Kur një vajze mbërtheckat ia zgjidhte
Një kodosh që na quhej ministër!!!

Po do të kthehet dhe kjo fletë kalendari, do kthehet,
Ndërsa ju, zotëri ministra do ktheni nga askundi,
Se kur një ministër kulture s’ka librin nën jastek,
Është honi i jetës, është fundi.

 

Kjo s’është përrallë

E-mail Print PDF

Në Muzeun Ateist
Bëri kryq një turist.

Vdiq në këmbë ciceroni
Dhe përdhe i ra biberoni.

“Mos, zotëri, i tha n’anglisht,
Ne të dinim për marksist!”

Nën mustak qeshet  turisti,
Plazh më plazh bridhte “marksisti”,
Nepër Lindje shtegëtonte,
Porse Zotin nuk e lshonte!

S’është përrallë,
Kështu ka ngjarë,
Plot njëzet vjet më parë…

 

Harmoni

E-mail Print PDF

Mjeda në Kukël pat shokë,
“Shokë” që në botë kish pak kush,
Nja njëzet mace e maçokë,
Pula, pata dhe…një arush!

Dhe gjithsecilit i vuri emër,
Një emër mbreti a padishah,
E natyrisht, asnjë prej tyre
S’e thirri Krisht e as Allah!

Se kur ndonjëri bënte prapësi,
Bënte  glasa a vidhte si hajdut,
E kish më lehtë t’i shante fort,
O edepsëz Çezar, o maskara, Mahmud!

Thonë se kur vdiq arush i vogël,
Thirri një hoxhë t’i kndojë talkinen,
Dhe për një muaj atje në Kukël
E harroi krejt ritmin dhe rimën.

Besoj tani ju e kuptuat,
Se ndonjë enigmë këtu nuk ka,
Arush i vogël që aty vdiq
I pat ngjitë emrin Hasan Pasha!

 

Klithmë shekullore

E-mail Print PDF

Pas gardhit të Mjedës
Një thikë në bri ma rrasi,
Klitha
“Jam yt vëlla,
Ç’ka bane, o idiot?!”
Ma tej, në prak të shtëpisë
Zemra e lokes plasi,
Mbi djep të jetës
Helm u bë një pikë lot!

Kam një shekull
Që kështu jam duke klithë,
Pylli i kohës,
Pas gardhit
Tem vëlla e shndrroi në bishë…

 

Në rrugën e Mesjetës

E-mail Print PDF

Në lagjen Kiras ku mësova ABC-në tash 60 vjet
Mesjeta ka shtruar rrugën e ngujimit,
Në metropolin verior shteti pa pushtet
Gëlltit përditë turpin e gjunjëzimit.

Ku jeni deputetë e ministra, ku?
Ku jeni pushtetarë e shkencëtarë, ku?
Ku jeni misionarë e gazetarë, ku?
Ku jeni prokurorë e gjyqtarë, ku?

Dhe si përgjigje “S’jemi këtu…”
E një klithmë ngjethëse “Ku-ku, ku-ku”
Këtu ku Mesjeta na sfidon me rrugën e ngujimit,
Të ngrihemi sup më sup në rrugën e Pajtimit!

 

Dje dhe sot

E-mail Print PDF

Me bukën e “kripur” me sheqer shumë shokë,
(Më të kamurit me një copë djathë e domate),
E kalonim gjithë ditën në plazhin në Shirokë,
Në krahët e dallgëve e të një serenate.


Tani shkojmë  klubeve të liqenit me “Bensa” çdo javë,
Na njeh me libër shtëpie çdo kamarier,
Ne, që sot i bëjmë naze dhe krapit në tavë,
Ne, që dje e gjithë ditën shtynim me bukë e me sheqer!

 

Mbrëmjet tona të vallzimit

E-mail Print PDF

I bënim pasdreke “mbrëmjet” tona të vallzimit,
Që vajzat
Kur të kthenin në shtëpi
Të mos i zinte e zeza natë,
Se nepër shtëpi momenti i kthimit
Shpesh shoqërohej me flakaresha e shamatë.

Niste  kërcim i fundit
Sa muzgu zbriste
Oh, ky vallzim s’kish mbarim,
Një nënëshkretë
Pas derës së mbrëmjes priste
Vajzën që mes kofshëve pat si rastësisht gjurin tim.

Pastaj vajzat nxitonin me turrin që ka në Shkodër era,
Sa shuli nuk iu vu derës së shtëpisë;
Qe dimër i rëndë,
Po këto mbrëmje-pasdrekeve qenë pranvera
Edhe më të bukura se petalet e kajsisë…!

 

Prag dimri…

E-mail Print PDF

Ja tani dhe vjeshta ikën shtegut
Me një krah gjethe përmbi shpinë,
Pishat krrusin shtatin përtej bregut,
Zogjtë e vonë po marrin arratinë.
Thonë se vjen një dimër borë e brymë,
Prrenj e pyje i mbush gjithë kristale,
Troftat hedhin valle nepër rrymë,
Të pastrehët i ngrin rrugë e madhe.
Unë lë hapur portën e shtëpisë,
Le të vijë kushdo dhe pa trokitur,
Kam bërë gati shishen e rakisë,
Një mezè të ngrohtë për ta gostitur…

 

Në qoftë se u rastis në Shkodër të vini...

E-mail Print PDF

Nëqoftëse u rastis në Shkodër të vini,
Në bedena të kalasë a bregut në Bunë,
Nëqoftëse kush është më i pasuri këtu doni të dini,
O miq,
Mos u lodhni,
Ai jam unë!
Se zotëroj me tapi mijëra mëngjeze
E si margaritarë, miliarda pikla vese,
Dhe ndjehem i trishtuar, si një murg,
Kur më humb një perëndim, kur më humb një muzg.
Atje ku të tjerët kanë plantacione të tëra hardhishë
Dhe biznes bëjnë me raki e verë Kallmeti,
Unë kam mbjellë plantacione dashurishë
Dhe kam miq e shokë sa rërë ka deti.
Nëqoftëse u rastis në Shkodër të vini…

 

Gastorët e qytetit tim

E-mail Print PDF

Shkodra ka patur gastorë përjetë,
Më pijetarët e pijetarëve,
Për meze kishin një barcoletë
Me spec djegës ndaj pushtetarëve.

Në Serreq e në mejhane ndër magjypë,
N’Kiras e në Han të Salo Kalit,
N’vend të sheqerit të jepnin një grusht krypë,
E shpesh të vinin dhe veshët e gomarit…

 

Gjurmë

E-mail Print PDF

Burrë i nderuar qe Ragip pinuci
Me shtat sa një nxënës i klasës klasë së parë,
As kërkoi,
As i dha kush nuse,
As shteti e mori ushtar!

Sa dilte në rrugë të gjithë e nderonin
Burrin me frak e këpucët me majuc,
Kur Shkodra kish gjashtëdhjetë mijë banorë,
Kish vetëm një Ragip pinuc!

Moshatar me të qe Lem katallani,
Që në një vakt rrufiste një kosh me fiq,
Po ku ai e ku Ragip pinuci
Që në çdo familje kish shokë e miq!

 

Ku flë pagjumësia

E-mail Print PDF

Liqeni i Shkodrës flë…
Jo, ai nuk flë,
Me Bujanën përqafuar rendin drejt detit…
Po Drini a flë?
Jo, nuk flë kurrë, si shpirti i poetit!

Për ta nata është tjetër
E tjetër është gjumi,
Ndaj s’do doja tjetër fat
Veç si ata të flija në një shtrat lumi!

 

Dita e tetë e javës…

E-mail Print PDF

Kur të vdes, s’dua të bjerë shi,
Përse të qajnë retë për mua,
Mjaft qava unë për  to në poezi.

S’do desha të vdisja ditën e hënë,
Si fillim javë njerëzit plot punë kanë lënë.

As t’martën e zezë nuk dua, domosdo,
Nuk gjej tjetër fjalë për të, veç jo, jo, jo!

Ditën e mërkurë të gjithë bëjnë pazar
Pra as ktë ditë s’e dua, se jam qytetar!

Të enjten, o Zot, m’a fal, aman,
Mos më kthe duarbosh se jam mysliman!

As t’premten s’do vdes, këtë mirë e di,
Shumica e botës shkon t’falet n’xhami!

Do thotë dikush, të shtunën, s’do mend,
As t’shtunë e as t’djelë, se është uikend!

Kur t’shpallet se java do ketë tetë ditë,
Atë ditë të vdekjes plot gaz kam me pritë!...

 

U flas nga galaktika

E-mail Print PDF

Ndofta shpejt do u flas nga galaktika,
Siç nuk u fola asnjëherë,
Se ç’dritë qiellore ka lirika
Që gjitha stinët bën pranverë!

Po qënkan të tjera ylbere në yllësi,
M’u desh të endem, gjersa i gjeta,
Tek ecja nën to, më bënë shoqëri
Liria, o miq, liria dhe jeta!

Atëhere u ndjeva zot në galaktikë,
Zot dhe rob i lirikës, jetës e lirisë,
Drejt yjesh të rinj rend pa droje e frikë,
Unë, biri i Shkodrës dhe i poezisë…

 

Tani…

E-mail Print PDF

Tani
Rrethe letrare në gjimnaze ka
Sa ka në dimër petale molla e dardha,
Do qisja pushkë nga gëzimi
Nëse një maturant
Më thotë se cili rilindas
Nga Anakreonti
Zgjoi një tufë me lumbaardha!1)

E di se poet s’të bëjnë dot rrethet,
Por ato si vatrat e mbajnë gjatë prushin,
E si pyllin në behar mbushin gjethet,
Ashtu me dashamirës të letrave na mbushin.

N’një vatër të tillë pat mbledhë Vehbi Bala
Edhe Agollin, edhe Kadarenë,2)
Që pas festivalit folklorik të poezisë
Në skenën letrare  të sillnin të renë.

Tani
E di,
Rrethe letrare në gjimnaze ka,
Sa ka në dimër petale molla e dardha….

 

1 ) “…Por lumbaardh (pëllumbi) i Anakreontit (poet lirik grek)… është ndër vargjet e para të poemës “Këngë të Milosaut” të De Radës, botuar në Napoli më 1836.
2) Poeti Vehbi Bala nga Shkodra në rrethin letrar të gjimnazit “Asim Zeneli” të Gjirokastrës,  kishte afruar nxënësit e tij më të talentuar, si Dritëro Agollin,  Ismail Kadarenë e plot të rinj të tjerë.

 

Jam “Don Kishot”

E-mail Print PDF

Si Don Kishotin librat kalorsiakë,
Mua më mori në qafë poezia,
Për një figurë unë hidhesha në flakë,
Pas një lirike më humbi krejt rinia!

Kur bashkëmoshatarët e mi bënin prokopi,
Mua më sillej ferra në shtëpi,
Tek gjeja krahasimet për një belkëputur
Dhe metaforën për vajzën e paputhur!

Kështu, pas poezisë mbeta Don Kishot,
Si dje
Njëzet vjeçar,
Dhe flokbardhë që jam sot!

 

Nën një kulm

E-mail Print PDF

Kështu e kishte shkruar për mua Fati,
Të isha burri më i poshtër i këtij planeti,
T’i vidhesha çdo natë gruas nga shtrati
E të puthja buzët e Vetmisë në një orgji poeti!!

S’e kam për turp po të më pyesin
Se nën një kulm mbajta dy kurorë,
Një me Afërditën,
Tjetrën me Vetminë,
Me njërën pata Dean e Gysin,
Me tjetrën,
Poezinë…

 

Dje dhe sot

E-mail Print PDF

Një herë në jetë kam rënë në gjunjë
Dhe kjo ka ngjarë kohë më parë,
Rashë në gjunjë para flamurit
Kur bëra betimin si ushtar!

Kam puthur shumë vajza gjer u bëra burrë,
Gjer kur u thinja e në fytyrë jam rrudhur,
Po atë çast s’do ta harroj kurrë
Kur flamurin tim në gjunjë e kam puthur!

Ai më ndezi të tërin, më bëri flakadan,
Krahët m’i bëri flatra shqiponje,
Po pse tash ma bën gjoksin kallkan
I grisur nga erërat e i dalë boje!

Tani, para tij bijnë në gjunjë, si përhera,
Ata që Shqipërinë e grabitën, pushtetarët,
Por sa karriken ua merr era,
Bythën flamurit ia sjellin të parët!

Jazëk për ju, kushdo qofshi,
Në mbretërinë e Hadit mbretërofshi!

 

Stoli i pleqvëve

E-mail Print PDF

Tek stoli i pleqve në pedonale u ulëm me Zyhdinë.
Erdhën pleqtë:
Dhe “Na e paskan zënë”, thanë.
Kështu ne morëm vizë për pleqërinë,
Ndërsa ata vazhduan xhiron
Dhe pleqërinë e tyre
Si dopjo gjashtën në  stol na e lanë…

 

Pa titull

E-mail Print PDF

E pagëzova “Klubi i zotnive”
Kafenenë time
Rrëzë kodrës,
M’i mbushën tavolinat me shpejtësinë e stuhive
Gjithë horat e… Shkodrës!!!

O hora,
Mbretër hipokrizie,
Këtu nuk merr kush pasaportë zotnie!

 

Zot e rob, rob e zot

E-mail Print PDF

Grua,
Jemi zbardhur krejt e më shumë të dua
Se ti më lidh me dashurinë njerëzore
Siç lidh një urë dy brigje,
Pa çka se si çdo grua
Dhe ti je një shkencë pa ligje.

Tash para teje e ndjej vehten zot,
Tash urdhërat e tua zbatoj si robot,
E kështu zot e rob, rob e zot do të mbes
Para teje gjersa të vdes…

 

Letër Albanës në Itali

E-mail Print PDF

Çdo javë dekadë më parë të shkruaja një letër,
Javë për javë përgjigjen tënde sillte postjeri,
Tani rezes së derës s’i bie njeri tjetër,
Në vend të tyre vjen Facebook-u dhe emeili.

Ç’na shprishi kështu kjo kohë, moj motër,
Gjithë fiset i mbledhin veç dasmat e mortet,
Dashnia njerzore s’na ngroh më në votër,
Dashnia numuron me dhimbje, abortet.

Ndaj sot po të nis si dikur një letër,
Le të më quaj kushdo anakronik të ri,
Brenda zarfit do rrahë zemra ime patjetër,
Të puth me mall,
Skender Temali, Shkodër, Shqipëri!

 

Plot

E-mail Print PDF

Me tim vëlla, Beqirin, s’kam bërë fjalë kurrë,
As gruaja me Majlindën, kunatën, kurrë s’është zënë,
Mirë se si im vëlla në Shkodër s’ka një burrë,
Po me kunatën, time shoqe, mos e lindi një nënë?!

Këtë strofë që në kafe e shkrova dikush e kishte parë
E kish thënë për mua “naiv mbeti gjithë jetën,
Të shkretët, s’paskan prona për të ndarë
Dhe siç duket bosh paskan kuletën”.

E mëshiroj për çfarë tha e fale ti, o Zot,
Se me dashni njerëzore e kemi shpirtin plot!

 

Halla me përralla

E-mail Print PDF

Në çdo ditëlindje,
Motra e madhe, Nezi,
Më bën dhuratë një libër,
Se për mua kanë vlerë
Më shumë se një kravatë a këmishë,
Parvjet,
Më solli “Marinën”,1)
Vjet
Një përmbledhje poezishë.

Po sivjet?
Edia, mbeska, del tek dera e thotë,
Diçka, të bukur të ka sjellë halla…
E di,
Jam bërë dy herë gjysh
E do më ketë sjellë një libër të madh me përralla!

 

1 ) Roman i Carlos Ruiz Zafón, autor spanjoll i përkthyer në më shumë se 50 gjuhë.
 

Kostumi i servilit

E-mail Print PDF

Kostumin e servilit dhe unë një çast e vesha,
E vesha dhe u pashë në pasqyrë,
Pastaj vehtes në surrat me grusht ia ngjesha
Se si kisha arritur të vishesha me zgjyrë!

Këtë kostum kush më thotë se një çast s’e ka veshur,
Thjeshtë luan estradë
E më bën për të qeshur…

 

Kokëulur

E-mail Print PDF

Unë shpesh gjeja monedha, unaza, inxhi,
Në rrugët e lagjes gjithë pluhur,
Jo se pata fat,
Por thjesht se gjithë jetën eca kokëulur…

 

Në rrjetë

E-mail Print PDF

Në rrjetën e peshkatarit bie një krap,
Ndërkohë
Rrjeta e kohës dhe mua më kap.

E çuditëshme kjo jetë,
Të më bëhet qeli një rrjetë,
Ca kutiza filispanje të më bëjnë zap,
E pra,
Nuk jam krap!!!

 

Çeta e profetëve

E-mail Print PDF

Në çetën e profetëve s’më pranuan,
S’të pranojmë më thanë
Se s’je profet,
Ne as vetë Bogdanin s’e pranuam,
Thjesht
Se qe poet!

Po atë ditë
Poetët e poezitë
Unë i desha
Aq sa perenditë!

 

Linja e parë

E-mail Print PDF

I them sportelistes në aerodrom të Bolonjës
Më jep një biletë…
Më pyet
Për ku do të udhëtosh, zotëri?!
Habitem sa e pazonja qe kjo koketë
Që s’shihte se ku shkoja në sytë e mi!

Me linjën e parë, në Shqipëri!

 

Lisat dhe pisat

E-mail Print PDF

Çdo fis
E ka një lis,
Por ç’e do,
E ka edhe një pis,
Që si kalinë
Bythën pushtatetarëve ua lëpinë.

Lisit
I bie rrufeja – qëndron!
Kalina
Nga shkreptima – urinon!

Me këtë rast pyeta rrufenë e shkreptimën
Pse ka kaq shumë njerëz
Që e pëlqejnë kalinën?

 

Dërgut, 2013

E-mail Print PDF

Dërguti është një lagje aq e qetë
Sa në shekuj s’ka patur asnjë dramë,
Nënat me degërmia qenë zonjat vetë
Dhe patën për zot ca burra hijerëndë.

S’pat shtëpi pa kopësht, pa pus e pa oborr,
E s’pat një konak pa hysmeqar,
Burrat në kushtrime e nxirrnin një taborr,
Po qenë kryelartë se s’nxorrën një tradhtar!

Ec në ato rrugë ku m’rrodhi fëminia,
Pas një rreth teli a një kafaz bylbyli,
N’xhami ku jepte vasë Hafiz Sabria
A n’bibliotekë ku m’priste Teufik Gjyli!

Sa hyja në shkollë, thonin shihni njishin,
Se pesat me yje sa s’më dilnin nga çanta,
Se kisha mësuese Meliha Dervishin,
Nga gjithë ç’kam pasur, ajo më e veçanta!

Tani shkolla fillore është shtëpi banimi,
Dhe shumë rrugë në lagje kanë ndryshuar,
Po nën çdo strehë më zgjohet kujtimi
I një kohe që kurrë s’ka për t’prenduar!

Dërgut, djepi im, me flatra kujtimesh,
E Shkodrës së lashtë ti lagja parajsë,
Petale pranvere e vatër agimesh,
Një det dashurie i thellë, i pamasë…!

 

Rrënjët

E-mail Print PDF

Natyrisht,
Tani që jam plak e më kanë rënë dhëmbët,
S’hyp dot tek degët,
Po preferoj rrënjët…

 

Foleja

E-mail Print PDF

Unë jam dallandyshe që s’kthehem në vendet e nxehta
Thjeshtë se në një strehë të Shkodrës  kam le,
Me krande të livadheve të liqenit
E me ca re puplore
Në kalanë e Shkodrës kam bërë një fole.

Këtu e kam krejt afër qiellin,
Këtu legjenda përditë më mëkon gjirin,
Dhe një ditë nëse vdes,
Do vdes në fluturime,
Në gjoksin e Rozafës,
Si n’gjoks të nënës sime!

 

Pak biografi

E-mail Print PDF

Katragjyshi im ka qënë i sërës, beg,
Si kundërshtar sulltani e ndoqi shteg më shteg.

Dhe që t’i shpëtonte dhëmbëve të ujkut
Bëri strehë në Temal ku s’shkeli këmbë e turkut.

Po shkoi ai sulltan, shkoi dhe një tjetër
E zemërimi sulltanor siç duket u fashit,
Zbritën në qytet e stërgjyshi, burrë dy metër,
Në betejë me shkjetë mbeti shehit.

Një tjetër gjysh qe djalë dishirit,
Vendosën t’i mësonin e jepnin zanat,
Thonë se u bë terzibash i vezirit
Gërshërë e gjëlpërë pat pushkë e shpatë.

Babai e xhaxhai më të mirët në klasë…
S’arritën dot të ngjisnin të përpjetën,
I futën shegertë, nën thundër t’parasë,
Dhe pse dinin përmendësh plot sure e Mjedën!

Për vete s’do flas asnjë fjalë, natyrisht,
Se për poetët flet vetë poezia,
Ajo qe për mua Muhamet e Krisht,
E shtrenjtë si gjuha, Shkodra e Shqipëria!

 

Nanë

E-mail Print PDF

Unë,
Biri i Sadetes dhe i Mustafës,
E kam pirë qumështin e legjendës së Rozafës,
Ku kam ndjerë fuqinë e emrit “Nanë”,
Se kush s’e ka pirë këtë tamël
Nuk ka si të quhet shkodran!

 

Ortek

E-mail Print PDF

Jam një ortek,
Vendlindja e katragjyshëve të mi:
Një qafë mali,
Ndaj,
Jo rastësisht
Llagapi  im është: Temali.

Jam një ortek,
Vendlindja ime:
Ku qielli puth retë,
Kam lindur nga miliona kristale
Nga bubullimat dhe rrufetë!

Jam një ortek
Rastësisht
Me mbiemrin Temali,
I destinuar të vdes ku nuk linda,
Në një shtrat malli.

 

S’u bëra pishman

E-mail Print PDF

Në tregun e rrenave gjeta të vërtetën,
E bleva,
Domosdo,
Dhe e pësova...
gjithë jetën.

S’u bëra pishman,
Më mirë një ditë me të vërtetën
Se sa gjithë jetën
Rrenen ta kisha jorgan...

 

Në labirinthet e shpirtit

E-mail Print PDF

Në labirintet e shpirtit tim hyj përditë
Por kurrë s’e mësova rrugën për të dalë,
Troshitem si trofta në rrjedhë
Kur shumëkush rrëshqet si ngjalë.

O Zot,
Në qofsh kund e mëkate ke për të më falë,
Mos më fal
Nëse rrëshqas e bëhem ngjalë!

 

Çfarë dua dhe çfarë s’dua

E-mail Print PDF

Erën gjithë jetën e kam dashtë
Se më vinte në lëvizje gjithësinë,
Erën e fatit e kam drashtë,
Ia kam drashtë pas shpine pabesinë.

Në raste të tilla s’e ndjeja vehten burrë,
Po as pa erëra s’e desha jetën kurrë!

 

Pse-ja

E-mail Print PDF

Mua s’më ka ndjekur hija ime,
Pse-ja më ka ndjekur përjetsisht,
Porsi fëmijë qëndroja para saj,
Si  idiot e doja, marrëzisht.

Dhe kur ndonjë herë ajo nuk vinte
Ëndrrat me mantel m’i mblonte nata,
Vehtja m’dukej si një pyll i dendur,
Si një pyll ku kurrë nuk ra sopata.

Pse-ja fort më fuste në mendime,
Në ktë shekull – dilemë hamletiane,
S’dija nga të shkoja, më besoni,
Si në piramidat egjyptiane.

Herë më jepte n’dorë gjithësinë,
Herë m’përbuzte, m’thoshte je askushi,
Herë m’i çonte ëndrrat n’giotinë,
Herë më thoshte gjurmë lë dikushi.

Pse-ja qe për mua rrënjë lisi,
Fllad i ngrohtë e zemër e stuhive,
Ndaj m’ka hyrë në çdo ind të shpirtit,
Pse-ja, kjo mbretreshë e mrekullive.

Se t’mos ish ajo, çdo isha unë
mbi ktë dhè? Një kafshë, sigurisht,
Si nuk rron zgalemi pa furtunë,
Unë pa Pse-në nuk rroj përfundimisht!

 

Dallgë dhe shkumë

E-mail Print PDF

Në botë ka pak poetë,
Poetucë ka shumë,
Poetët janë dallgë
Poetucët shkumë…

 

Pa çmime

E-mail Print PDF

Askush s’do ma pranojë
Se Jorgos Seferis, nobelist, fqinji im,
Është më i madh se Homeri
Që s’e ka këtë çmim,
Jo thjesht se Nobeli donte shekuj të lindte,
Po thjesht se me çmime
“Iliada” s’të bindte!

Të isha i gjithpushtetshëm në botën letrare
Me ligj çmimet i kisha hequr,
Se kujtoj qindra vepra me çmime
Që pas një viti kanë vdekur…

 

De facto

E-mail Print PDF

Po ngutem të vdes.
De facto kam vdekur kaherë,
atë ditë e atë mot
që me trastë pas krahut me librat e mij
nepër librari trokas derë më derë…

De facto…

 

Pas xhamit të librarisë

E-mail Print PDF

Në vetrinën e librarisë ku kam jetën,
(Ku kam vëllimin tim që më sheh si fukara),
“Dhjetë kopje solle,
Dhjetë mbetën”,
Më thotë librári,
Po blerës s’ka…

Ka rënë poshtë poezia, sikur s’ka më vlerë,
Në shitje në fund i mbrriti radha,
Më vjen keq, por ka kohë, thotë ai,
Blerësit poetikë janë sorra të bardha.

Ja, shikoje këtë roman dashurie,
Bet seller, si dikur “Ura e psherëtimave”,
Unë nënqesh e sërish ec në rrugën time
Nën shtjellat e figurave, të ritmeve e rimave…

Lamtumirë bet seller fitimesh,
Goodbye, best seller mashtrimesh,
Një figurë poetike është perlë në guaskë,
Peshon sa njëqind betsellara bashkë…

 

Thyerja e kufirit

E-mail Print PDF

Ka njerëz që s’ma pëlqejnë vargun,
Thonë s’ka klas, metafora, epitete,
Kështu ngjet kur metrika të hedh lakun
E s’sheh kur vargu  ka djep një magje jete!

Mos merrni mundimin as metrin të mirrni,
Unë mendimin kam metër të vargut,
E ju sa të doni teorira tirrni,
Që ndodh kështu, fare s’kërkoj shkakun.

Veç diçka di: metri është kufi
Dhe ku ka kufi
O miq, nuk ka liri!

 

Krehër dhe gërshanë

E-mail Print PDF

Ky art i të shkruarit sa magjik,
Por si i tillë
Dhe atij  ia gjeta rrëfanen,
Ndaj në duar do të mbaj çdo ditë:
Krehërin dhe gërshanen.

 

Pa titull

E-mail Print PDF

As mundem,
As dua të jem Pushkin,
As Kadare, as Dritëro, as Esenin,
Thjesht dua të jem ai që jam
Të shkruaj e të këndoj me zërin tim!

 

Takim me lexuesit

E-mail Print PDF

S’kam për t’ua thënë kurrë atë që doni,
Se përse shkruaj e kam pyetur kaq herë vehten
E ka 50 vjet
Që s’e kam marrë përgjegjen!

E di se çfarë kërkoni,
Të thyej lëvozhgen
Se s’jeni budallenj
Thelbin të mos doni,
Që të mos kem se ku ta ngul gozhdën
E ku t’i var tregimet e pabotuara si Londoni.

Thyerja e lëvozhgës ngjet si arkaike
Ndaj për ju do gjej diçka më “kontemporane”,
Do ta çvesh lëkurën pas kuintave
Me elegancë, siç çvesh një banane.

Po si ta kuptoj se s’u pëlqeu as ky nudizëm
E as jetësimi nga Xhek Londoni
Po u them se jam përkundër në djepin realizëm,
Po s’më besuat,
Më lexoni!

 

UNË, BALLKANI DHE EUROPA

E-mail Print PDF

(Poemë )

Ballkani
Vullkani,
Homeri,
Skenderi,
Ylberi,
Shtërngata,
Dhe dita,
E nata,
Dhe kripa,
Dhe mjalta,
Dhe pena,
Dhe shpata!

Ballkani
Zhegani,
Stuhia, kallkani,
Fuçi e barotit
Dhe pika e lotit,
Gadishull pa ujë
E keqja e kërkujë,
E keqja e vetes,
Greminë e ndërgjegjes!

Qyq mbeta me shekuj
Tek portë e Europës,
Porsi muhaxhir
Unë biri i Shkodrës,
I lashtë
Sa ç’është
Çdo bir i Romës.

Read more...
 

OH, Ç’MË BËRE, NATALI!

E-mail Print PDF

“ Fort të desha, lirë të shita...”
-Nga një këngë ahengxhinjsh-


N’një mejhane ku s’ka gra
Unë po pi një gotë raki,
Fitova një thes para,
Se një thes të shita ty,
Natali, Natali!

Eks nga t’gjithë ktu kthehet gota,
Nuk është burrë kush duhan s’pi,
Jashtë rreh shiu e fryn shqota,
Tek unë pi një gotë mërzi,
Natali, Natali!

Dallga rreh klubin në shkallë,
Shpirti im shfren si furtuna,
Më kuptojnë, se s’janë të marrë,
M’qasen pranë katër burra,
Më ofrojnë një gotë raki,
Natali, Natali!

Unë në hon të shpirtit zbres,
S’ka ç’më duhen kto para,
Burrat mbajnë sytë në thes,
Dhe zgërdhihen ha-ha-ha,
Me kto pare që ke ti
T’sjellim njëqind Natali!

Kur të kisha nuk të çmova,
Si pulbardhë ike ti,
Shkoi gomonja, u pendova,
Më mbet shpirti, zift i zi,
Natali, Natali!

Me thas n’shpinë dal nga klubi
Dhe nga ura n’ujë e flak,
U rrek pak e mandej humbi
Unë u ndjeva dhe më plak,
Ike larg në Itali
Natali, Natali!

 

XHAMBAZI

E-mail Print PDF

Kuaj shes, ndaj jam xhambaz,
Jeta ime vaj e gaz,
Njëmijë herë gruan tradhtoj,
Por për të jetën flijoj.

Se kur mbes krejt fillikat
Mrekullinë ma sjell në shtrat,
Dhe pse djall e sarahosh,
Djepin kurrë nuk ma lë bosh.

Ç'fitoj ditën, ma merr nata,
Me një gotë, saraga të thata,
Me dashnore që më buzqeshin
Lakuriq xhepash më çveshin.

Në shtrat të pistë, oh hark ylberi
Dy dollarë ktu shitet nderi,
Unë me këtë mut karakteri
Jam sheqer e mal zeheri!

Në mejhane, buzë lumi,
Në cica të kuçkës më zë gjumi,
Edhe vehtja më duket mbret
Sa s'më tund asnjë tërmet!

Porse shpesh më dikton gruaja
Plas shamata dhe rrëmuja,
Klithin vajzat, vrrasin djemtë,
Hingllijnë kuajtë nga përrenjtë.

Komshinjtë qeshin, hedhin spilca,
Lakuriq më zbon kurvica:
Para fmijve, krejt njomishte,
Bythjasht’ fshihem n’ kallamishte.

E ashtu vjen gruaja, më merr,
Me çarçafë më mbështjell,
Dhe të dy, si zogj të truar,
Për në shtëpi ecim në terr.

I betohem, përgjërohem,
Njëmijë herë i gjunjëzohem,
Ditve, netëve pa hënë,
Fëmijët thrrasin: “Boll, moj nënë!
Mjaft më, fute prap në shtrat,
Fute dreqin, mos e zgjat!

Kuajt e mij s'kanë yzengji,
Yzengji s'ka as i zoti,
Jam njeri që s'njeh kufi,
Që s'njeh kishë e s'njeh xhami.
S'jam i pari, s'jam as n’ bisht,
Kam dëftesë, firmë hedh me gisht.

S'më gjunjëzoi kurrë varfëria,
Më gjunjëzon veç dashuria,
Dy sy të shkruar, një belhollë,
Dy gjinj të fryrë, erë mollë
M’ bëjnë të harroj fëmijë e grua,
Shtrat e sofër, mish e thua.

Jam rebel, cigan, xhambaz,
Jeta ime vaj e gaz,
Nëpër fushat pa kufi
Shpirtin tim si kuajt ngas!


1994

 

NJË GLLËNKË UJË

E-mail Print PDF

Vapë. Gusht. Tokë e çarë,
Tokë e çarë, buzë e çarë,
Në pagure s’ka më ujë,
Një gëllënk’ për pesë ushtarë.

Dhe burimet kanë shterruar,
Krojet s’rrjedhin si më parë,
Në pagure s’ka më ujë,
Një gëllënk’ për pesë ushtarë.

Ecën toga përmes gushtit,
Ecën toga, udh’ e gjatë,
Duhen plot edhe tri orë
Për t’arritur në repart.

Edhe pak ta ruaj ujin
Ka vendosur e gjithë toga,
Ja së paku, të kaptojnë
Këtë breg e këto kodra.

Vapë. Gusht. Tokë e çarë,
Tokë e çarë, buzë e çarë,
Në pagure s’ka më ujë,
Një gëllënk’ për pesë ushtarë.

Ndanë udhe, bri një shtegu,
Nën një rrap që hije lshon,
I mbështetur mbi një shkop,
Një fshatar plak qëndron.

E ka lodhur vap’ e rëndë
Dhe andej s’bën një hap dot,
Vapë e tillë nuk ka bërë
Asnjë vit si gjer më sot.

Dhe ushtarët ç’e shikojnë
Njëri-tjetrin sy më sy,
Dhe ia zgjaten paguren
Plakut t’etur shpejt aty.

Pi, o bacë, nuk është shumë,
Neve pimë e na teproi,
Dhe e pimë dhe s’e pimë
Në pagure dëm do shkojë...

Nën at’rrap një gllënkë ujë         
Shpejt pi plaku, e freskon,
Pesë ushtarët ngrihen, nisen,
Ku detyra ata fton.

Vapë. Gusht. Tokë e çarë,
Tokë e çarë, buzë e çarë,
Në pagure s’ka më ujë,
Po ka hymn për pesë ushtarë!...


1977

 

SHKODRA TË MOS VDESË!

E-mail Print PDF

-Kushtuar Sheh Shamisë-

Nepër rrugë të Shkodrës
Si qen rend uria,
Tamel s’ka n’gji nëna,
Qan’ e s’pranë fëmija.

Furrat nuk u ndezën,
Tavat u lanë bosh,
Fërkohet tregtari,
Lëpihet si kodosh.

Dinga i ka depot
Me misër dhe grurë,
Do e mbush’ kuletën
Siç s’i mbushi kurrë![1])

Bien fort këmbanat ,
Tej shkon një tabut,
Kndej qahet një Kolë,
Andej një Maksut.

Një fe seç i ndanë,
Tjetra i bashkon,
Janë të dy shqiptarë,
E kjo fe sundon.

Para sofrës n’shpi,
Mendon Sheh Shamia,
Ç’i bashkon të gjithë?
I bën grusht uria.

Porsi gji i nanës,
Shterri Drini, Buna,
Ha, i thotë, i ati
Simite, samuna.

Ha e pi, Hasan,
Ndrro e shtro sahan,
Zoti kshtu ka nda,
Zot e fukara.

Sofrën e përmbys,
Rrugve del me turr,
Vdekjen ndesh n’çdo hap,
Djelli djeg si furrë.

Nepër rrug’ të Shkodrës
Kos’ e vdekjes pret,
Shehu majë kodrës
Vikat: “O milet!”.

Tundet bezisteni,
Kallfë edhe çirakë,
Kovaçë, terzi,
Qënkan shpuz’ e flakë.

Ngrihuni, vllezër,
Thërret Sheh Shamia,
Turruni të parët
Mbi depot e mia!

T’më mallkojë babai,
Shkodra të mos vdesë,
Djali n’gji të nënës
T’ndjejë një rreze shpresë.

Bini me vare,
Bini me qysqia,
Mbi kal’ të urrejtjes
Rend ky Sheh Shamia!

Depot bëhen trokë,
Trokë nga vegjëlia,
Tregtarët vistër
I zuri zjarmia.

I luten pashait,
Dreqit e të birit,
T’i bëj’ zap qafirët,
Deri dhe Vezirit!

Tamli iu kthy gjirit,
Gazi iu kthy votrës,
Sheh Shamia ecë
Rrugëve të Shkodrës.

Ato rrugë e deshën
Dhe e bënë burrë,
Shekuj lëmë pas
Dhe s’e harrojnë kurrë.


Shkurt, 1990

 

[1] ) Më 8 gusht 1854 në Shkodër shpërtheu një revoltë e masave popullore kundër spekulatorëve të drithit e autoriteteve osmane, ku Hasan Alia, i njohur si Sheh Shamia, u bë një nga protagonistët e udhëheqësit e saj.

 

 

balada / VAJZA DHE PASHAI

E-mail Print PDF

Bjen muzika pa ja nda,
Rrjedhin këngët popullore,
Hasan Pasha në kala
Feston sonte një fitore.

U therën njëqind ogiça,
Vera rridhte në gurmaze,
Fresk i bënin dy robina
Hasan Pashës mbi atllase.

Në një sofër alla turka
Porsi gjel ngrihet ai,
Rreh shuplakat, lihet buka:
“Bukuroshen, silleni!”

Dy zabitë sjellin vashën,
Thua dielli ra n’kala,
Flak’ e trupit mbulon pashën
Perri t’tillë kurrë s’ka pa!

“Fol robinë, ç’ke për të thënë,
Do të bëhesh gruaja ime?”
Mehen në kala muzikat,
Mbi shilte ranë tespijet!

“Do të mbush me xhevahire,
Princeshë bëhesh në kto ana...”,
Ajo heshtëte si statujë,
Vera ngriu në domixhana.

“Fol robinë, më s’mund të pres,
Do të bëhesh gruaja ime?”
Leht’ pulit ajo qepallat,
Mbushet oda plot shkëlqime.

Flok i gjatë si pend e korbit
I mbulon një gjoks të bardhë,
Merr një kupë e mbush me verë
N’kupë të pashës gjysmën shprazë.

Turbullohet Hasan Pasha,
S’e kupton at’ marifet,
Po, përgjigje i dha vasha,
T’shkojë në tendë po e pret.

Pasha rreh prap shuplakat,
Doli jashtë kush qe brenda,
Dy zabitët marrin vajzën
Dhe e çojnë gjer tek tenda.

Mandej ikën, e lanë vetëm,
Ajo shpejt kamën e nxjerr,
Një kandil me gjuhë të tij
Rrekej t’zbonte atë terr.

Po s’e di e gjora vajzë,
Se pas tendës feksi thika,
Një lulkuq iu çel në gjoks,
Në kala ra prap muzika.

Shtrat i pashës n’pupla pllumbi,
Ku ra vajza u përgjak,
Kupë e verës që piu pasha
Pse i erdhi si farmak?!

Ah, moj kuçkë arnaute,
Pikn’ e helmit m’hodhe n’verë,
S’të mjaftoi kama që fshehe,
Ti më vrave plot dy herë.

Dhe pishtarët nepër mure
Iu bënë zjarre, flakadan...
Thonë një tyrbe diku ka,
Hasan Pasha me ferman!


1973

 

KA ARDHË PRANVERA

E-mail Print PDF

Ka një shekull,
Ka një shekull që bie
Borë e zezë mbi Prishtinë,
Ka një shekull
Që korbat për rreth krrakëllijnë…

Një shekull që bora nuk shkrinë…

Dimri – një shekull,
Fati – si shtregull…

Po do ta hedhim dhe këtë dimër, oj loke,
Ja do tronditen rranjët e ksaj bote!

Ja Isë Boletini do zbresë nga peidestali,
Dhe si me gjeth, me djem do mbushet mali !

Le të fryjë nga stepat llohë e borë,
Pas dimrit është pranvera me dasmorë,
Krushqit janë nisë e n’Lugje t’Verdha kush s’i ngrinë,
Si nuse me duvak do sjellin Pavarsinë !

Dhe në dasëm një minutë do mbajmë heshtje,
Për mijra djem të rënë në përleshje,
Do biem në gjunjë ne, bijtë e lirisë,
Që n’aortë na rrjedh gjak’ i shqiptarisë !

Mandej rrugës kryesore të Prishtinës
Do i vemë emrin Adem Jashari,
Dhe rrugës me fytyrë nga Perendimi,
Mati Ahtisari…

Po bie prap borë mbi Prishtinë, si përhera,
Jo, qenkan petale,
Paska ardhë pranvera!

Dhjetor 2007 – 17 shkurt 2008

 

KOSOVA, ZEMRA E TIJ

E-mail Print PDF

Aty ku unë piva kafe vjet,
Këtë pranverë ty të vranë.

Mos ishe ti që në klub më servire kafenë,
Ai që përmendësh dinte Kadarenë,
Mos qe poet që më pe thellë në sy
Tek mbrëmja e kaltër na mblonte aty?

S’e di këtë, po tjetrën e di
Se për lirinë ti e fale jetën,
Se kur të vranë e gjoksin ta çanë,
Në vend të zemrës, Kosovën të gjetën.


1999

 

UÇK

E-mail Print PDF

Frëngjisht – Rambuje,
Shqip – UÇK !

Në këtë muzg shekulli
Vjen e më shfaqet si triumf i agimit,
UÇK-ja,
Koburja e Isë Boletinit !

Frëngjisht – Rambuje,
Shqip – UÇK !


1999

 

ANTON ÇETA

E-mail Print PDF

Anton Çeta!
Anton Çeta s’është perendi,
Është njeri!
Ku është Anton Çeta
Qaty, or mik, vdes vdekja,
Qaty, or mik, nis jeta,
Qaty, or mik, është burrëria,
Qaty, or mik, është liria,
Është besa e shpresa,
Është plaku e fëmija,
O Anton Çeta
Anton bukuria,
Ku je ti
Është Shqipëria!


1998

 

PËRGJIGJE DJALIT

E-mail Print PDF

Kur u ktheva nga Kosova
Im bir më pyeti
Për njerëzit, për fushat e malet,
për cirqet, dyqanet.

Si ishte Kosova, o atë?

Dëgjo, bir!
Shetita shumë, shetita pak,
Kosovën e pashë në sy, në çdo prak,
Po askund një pëllëmbë fushë s’e pashë,
Gjithkund ishte mal,
Me gjoks nga era,
Me ballë të gurtë nga era.

Kosova ishte gur e unur,
Ish gjak e flamur!

Ti më thua se në hartë ke parë Fushë Kosovën.
Kështu ishte dje, o bir!
Fushë Kosova më s’mbillet me grurë,
Është mbjellë me lisa.
Mbillnin grurë e mbinin lisa.
Ua vrisnin djemtë,
Ua vrisnin çikat,
Edhe ato bëheshin lisa.
Muranë këtu, muranë atje,
Pranë çdo murane një lis,
Mbi çdo lis një shqiponjë.
Fushë Kosova u bë mal me murana,
U bë bjeshkë me lisa.

E tash s’e di, ka ra dielli e ka ra gjaku mbi plisa?

25 qershor 1988

 

TEK GRYKA E KAÇANIKUT

E-mail Print PDF

Ndanë rruge,
Në një dyqan,
Me pronarin
Ndrrojmë duhan.

Ai më jep “Lord”,
Unë “Tarabosh”,
Pyesim sho-shoqin
A jemi shndosh.

Kam qenë thot’ n’Shkodër
Tek thith cigarë,
Ti Shkodrën sot
M’solle, o djalë!

Ky duhan burrash,
Prej burrash vjen,
Dhe n’Kaçanik
Ai burra gjen.

I lashë paqetën
Si mal me mallë,
“Ti prap sot Shkodrën,
M’sollë, o djalë!...”


Qershor, 1988

 

NË BOZHURE

E-mail Print PDF

-Mikut tim, Dedë Mirditës-


Të kërkova...
Më thanë se je nisur shumë larg...
Dikush se në Këln
A se në Shtutgard.

Takova njerëz,
Mirë se erdhe, o Shkodër, më thanë!

Takova mbrëmjen mbi Prishtinë,
Me retë që shtegtonin nga Fushë Kosova,
Takova mëngjesin në Prishtinë,
Mëngjesit – mirëmëngjes i thashë,
Në bozhuret që çelnin
të pashë!

Prishtinë, 22 qershor 1988

 

SI E PASHË FUSHË KOSOVËN

E-mail Print PDF

Bari zhar e kallza plot,
zemra zjarr e sy pa lot.

Një grusht dhè mora, e putha,
m’u skuq balli, m’u skuq buza.

Fushë Kosovë, të qofsha falë
Ti lind çikë, të bëhet djalë!

Edhe fmija t’bëhet burrë
Për at’ shqipe në flamur!

Ke kaq grurë, më shumë trimëri,
Fushë Kosova, kuq e zi!

Prishtinë, qershor 1988

 

RUGOVASIT E PEJËS

E-mail Print PDF

Rugovasit e Pejës dhanë një shfaqje në Shkodër.
Në kokë mbanin 12 kut qefin.

Në kokë tetë metra qefin.
Tetë metra mjaftojnë për të mbështjellë një rugovas,
Tetë kilometra s’mjaftojnë për të mbështjellë hallet e tij,
dertet e tij,
Tetë mijë kilometra s’mjaftojnë për të mbështjellë
fyerjen që i është bërë gjatë jetës.

Në kokë tetë metra qefin të bardhë,
Me të endet në Stamboll, Gjermani, Amerikë,
Grataçielet i rrinë mbi krye,
Vdekja i rri mbi krye,
Pranvera i rri nën këmbë.

Jeta e tij është vetëm tetë metra,
Vetëm tetë metra rreth tij mund të lulzojë pranvera,
Tetë metra larg tij ngrë kosën vdekja.

Tetë metra është toka e tij,
Tetë  kilometra është votra e tij,
Tetë mijë kilometra është shpirti i tij,
E gjithë toka e gjithë Rugovës është e lashtë sa ç’është jeta,
Brenda saj lulëzon
edhe dashuria,
edhe urrejtja !


Shkodër, 1972

 

NDANË SENËS, MBI SHARKI

E-mail Print PDF

Unë jam miku më i ngushtë i shtegtimit të reve,
Jam bir i kësaj toke, që quhet Kosovë,
Unë jam këngëtari më i rrallë i mallit të mërgimtarëve,
Që tok me këngët
Kam futur shtëpitë,
të dashurit,
të vrarët,
në një torbë.

Ndanë Senës, mbi sharki, nga dhimbja bulojnë këto këngë,
Nën minaretë e Stambollit diç thonë gishtërinjtë e mi,
Rendin retë e zeza në horizontet e mbyllura të këngëve
Dhe dhimbja rend mbi tela,
Rend dhimbja mbi sharki.

Vë kokën mbi sharki, si mbi një trung të stërlashtë,
(sharkinë e pata bërë nga një trung,
atje larg, në Kosovë),
Më rrahin brinjët valët e Senës, erërat e forta të kurbetit,
Mbeta pa atdhe,
pa grua,
pa vatër,
pa të dashur,
Si një plep që e fshikullojnë mallkimet e anëdetit.

Dhe në bel të plepit lëkundet e lëkundet një torbë,
një torbë,
një torbë…


1971

 

MOTIVE KOSOVARE - SHOTA

E-mail Print PDF

Ra një shkëmb nga malet
Dhe në të gdhendëm trimërinë tënde,
Me fytyrën e ëmbël dhe të ashpër si të Kosovës,
Me duart mbi dhjetëshe si të Kosovës,
Me dashurinë dhe urrejtjen si të Kosovës,
Me kokën lart si të Kosovës,
Shote Galica!

1971

 

ELEGJI

E-mail Print PDF

Dy shokëve të mi,
inxhinierëve të pyjeve, Lulzim Mandisë
dhe Zef Shporit

I kisha shokë,
Tani s’janë më,
Takim për një kafe
Me ta më nuk lë.

Rininë ia falën,
Një lisi, një pishe,
Se si do t’jetonin,
Si t’jetonin ndryshe?

Për ta një varg,
Një poemë është pak,
Kush mbjell një fidan,
Jeton në çdo prak.

Jeton në çdo rrënjë
Në çdo fletë jeton,
Në gryka e hone,
Ku pylli gjelbron.

Në dheun e ftohtë
Domosdo s’janë mirë,
Po duart drejt rrënjve
Të dy  kanë shtrirë.

Njëri nën një rrap,
Tjetri nën një lis,
Sikur i thonë pyllit,
Vdes unë, ti mos vdis!

Se ta dhamë rininë,
Ta dhamë një jetë,
Ndaj jetojnë n’çdo lis,
Pishë e në çdo fletë.

2005

 

SI NJË MUZG

E-mail Print PDF

Më 12 mars 1965 vdiq në kopështin e shtëpisë
së tij, Fan S.Noli
-Nga shtypi i kohës-


Ti s’mund të vdisje në shtrat!


Në kopështin e shtëpisë mbylle sytë
e humbe si muzg,

Edhe vigan,
edhe njeri,
edhe poet,
edhe murg.

Lulet ulën kokat-
Lamtumirë!
Bari uli kokën-
Lamtumirë!
Zogjtë lanë cicërimin-
Lamtumirë!
Oqeanet ngritën kreshtat e dallgëve e rritën gjëmimin
Lamtumirë!


Mars, 1990

 

ËNDËRR

E-mail Print PDF

E pata një ëndërr
Të mbillja ulli,
Tokën e kisha,
Po s’kisha liri.

Pata një ëndërr
Të mbillja dafinë,
Tokën e kisha,
Po s’kisha lirinë.

Atëherë u nisa
Në luftë të shkoj,
Pa ullinj, dafina
Ktë jetë si ta rroj?

Në luftë në u vritsha
Gjithë njerëzit le ta dinë,
Dëshmor rashë për ullirin,
Hero për një dafinë.


2003

 

TRIPTIK TRISHTIMI

E-mail Print PDF

-Nga ditari i një studenteje shqiptare në ditët e
pushtimit të Çekosllovakisë nga sovjetikët-

Vençesllav, 1958

Të kujtohet?
Në këtë shesh takoheshim çdo ditë
Ne,
Tre shokët në trolejbus:
Unë, ti Mari dhe shoku ynë rus.

Nga ky shesh ti më përcolle për në atdhe, pas studimesh,
Shaminë si një copë qiell të kaltër e tundje në dorë,
Praga përshkohej tek ky shesh i zhurmshëm
Me studentë, gjyshe, dashnorë...

Vençesllav, 1968

Mari!
Të thirrën shokët, mos!
Nënë!
Të thirri fort, yt bir!
Ti si shqiponjë nën të tankut zinxhirë re
Dhe gjaku rrodhi mbi Vençesllav, i dlirë!

Aty kapakun e tankut çelën tankistët,
Aty ku qe stacioni, ku qe një trolejbus,
Dhe kokën nxorri që andej tankisti që të shkeli,
Shoku ynë, shoku ynë rus.

Vençesllav, 1998

Nuk ka trolejbus, nuk është as stacioni,
Qoftë as emri yt, Mari, në një pllakë,
Më rrjedhin lotë, tund kokën polici,
Mendon se ç’hall të fortë ka kjo plakë!

Ndërkohë me sirena një eksortë
Gjarpëron ku dje përshkohej një trolejbus,
Mban qëndrim gatitu polici
Kalonte shoku ynë, ambasadori rus...

1998

 

LETËR NËNËS

E-mail Print PDF

-Mikut dhe fqinjit  tim Qemal Zeneli,
refugjat në Itali


E dij se letrën time, nënë,
Ti në dritare rri e pret,
Teksa kjo natë kaq tinzare
Këtu mbi Romë nis e zbret.

Letrën tënde sapo e mora,
Përse ta fsheh, me lotë e lava,
Po ç’dreq jam, burrë a fëmijë
Që përmbi të kaq shumë qava?

Se m’u kujtuan rrugët e shokët,
Skami që rendte shtëpi n’shtëpi,
O nënë Ije, flokbardha ime,
Që me thonj duarve na rrite ti!

Ja pse, sa mora sot letrën tënde
Lotët si breshër aty më ranë,
Se Roma mund t’bëhet imja,
Po çfarë më duhet pa ty, o nanë?

Se vjen nata,
Kush s’më mbulon,
Se vjen mëngjesi,
Kush nuk më zgjon,
Se më shtyp lodhja,
Kush s’më freskon,
Vjen dreka, darka,
Kush nuk më shtron.

Po mos kij frikë,
Në drrasë të kalbur
S’kam për të shkelur
Se jam yt bir,
Edhe gjithë Romën
Për mua t’pyesësh
Ka për t’më njohur
Shqiptar të mirë!

Se përtej Romës
Je ti, o nënë,
Se përtej Romës
Është Shqipëria,
Se nqoftëse s’rron
Njeriu pa zemër,
Ashtu s’rroj unë
Pa ju të dyja!

Aty n’dritare
Ku pret ti mbrëmjesh
Për ditë me mendje
O nënë kam ardhë,
E jam mbështetë
Mbi prehërin tënd
E t’i kam puthur
Flokët e bardhë!

Porse një ditë
Do vij patjetër
Edhe plot gjëra
Kam për të thënë,
Tash po e mbyll
Edhe ktë letër,
Të puth duart
Përjetë, o nënë!

1992

 

PAS NATËS

E-mail Print PDF

-Mësuesit tim të letërsisë, Nexhmi Bushati-

Tani që nxënësit kanë hartim
Unë nisa, shkrova këtë vjershë,
E vehten ndjeva gjimnazist
Plot me ëndrrime, gaz e shpresë.

Po komentojnë ata Bajronin,
Se “Çajld Haroldin” temë kanë,
Dikush zë flet me tamburxhinë,
Një tjetër me Ali Pashanë.

Ç’mu kujtua mësues Nexhmiu
Kur këtë temë na dha n’gjimnaz,
Ndaj Çajld Harold në çast u bëra
E çava detin me tallaz.

Se n’cilat brigje do të përplasem
Sot sigurisht atë s’e di,
Po që diku do të arrij
Këtë e them me siguri.

Nuk pashë vise si Çajld Haroldi,
Për sulme kënd nuk ngrita peshë,
Unë një poet stuhishë mbeta
E jetën gzova si një murgeshë.

Porse pas natës mëngjesi vjen
E dita shpraz si shend fëmije,
Mbase në këmbë ajo më gjen,
Ose t’përplasur si zog stuhie.

...Derdhen mendimet tallaz-tallaz,
N’fletore hidhen mendime t’mëdha,
Gjithçka do jepja unë këtë çast
Veç që të isha sot si ata!


1999

 

KËSHTU NA SHKOFTË JETA!

E-mail Print PDF

Flautit të dimrit i bie veriu,
Qielli shkund lulebore mbi këngët e mia,
Mes kësaj dashurie të bardhë ne ecim të shkujdesur,
Mes njerëzish,
Mes rrugëve të zhurmshme ku s’flë dashuria.

Kështu na shkoftë jeta,
mes fluturave të borës,
e dashur,
Le t’i bjerë flautit të dimrit veriu sa të dojë,
Ne jemi bij të pranverës
Dhe s’ka ç’na bën dimri i ashpër,
Ne jemi bij të pranverës
dhe mes petalesh rrojmë!


1971

 

DRURËT E DASHURISË

E-mail Print PDF

Lëkunden e lëkundën pa mbarim
në peizazhet e kujtesës sime,
Herë krejt të gjelbërt,
herë krejt të verdhë,
herë si t’plagosur nepër muzgje,
Dhe më kujtojnë gjethet
që më ranë mbi lirika,
Si puthje.

Ju desha kaq shumë,
E pra në këngë u lashë kaq pak vend,
Ju drurë dashurie, ju foleja ime,
Ku vija e ikja si shpend!


1981

 

S’U BËRA PISHMAN

E-mail Print PDF

Në tregun e rrenave
gjeta të vërtetën,
E bleva,
Domosdo,
Dhe e pësova...
gjithë jetën.

S’u bëra pishman,
më mirë një ditë me të vërtetën
se sa gjithë jetën
rrenen ta kisha jorgan...

2008

 

MOSMIRËNJOHËSI

E-mail Print PDF

Ktë njeri  sa  herë e ndesh në rrugë
Kokën “frrap” e kthen ai mënjanë,
Sikur unë këtij, diku pas krahësh
T’i kem vrarë nënën a babanë.

Nder të “vockël” dje i pata bërë,
Një litar s’është pak t’heqësh nga qafa,
Se mos t’isha unë, çfarë t’u them,
Qafa do i qe bërë si xhirafa!

Buzëqesh e kokën s’kthej mënjanë,
Buzëqesh, por ndjej edhe pështirë,
S’i kam vrarë nënën as babanë,
Veç në jetë i bëri një të mirë…


Maj, 2003

 

ETYD PA FIQ E MIQ

E-mail Print PDF

Një kopsht e kisha
E mbolla me fiq,
Dhe pata shumë shokë,
Dhe pata shumë miq.

E kisha një kopësht,
Një pjergull gjithë rrush,
E pata shumë shokë,
Kaq miq si askush.

Por një ditë fiku
E vreshti u tha,
As shokë, as miq
Tashti më nuk ka.

Dhe n’pjalm të dimrit
Nuk ka më fiq puca,
As arra, kullana,
Veç shokë ladruca.


1993

 

VAJZË

E-mail Print PDF

Ti ke nxjerrë kokën në dritare të maternitetit
Dhe mbi pishat e rrugës zbret jehona,
Kur më thua fort nga kati i tretë, aq fort:
“Më e bukur nga gjithë çupat që lindën...
është e jona!”


Të gjegjem.
Ti me shenja ma bën s’dëgjoj,
Veç kupton se gëzimi im ka sinonim petalet,
Të them:
Po shkoj me shokët në Kafe të Madhe
Ku shkuma e birrës do derdhet si ujëvaret...

 

ETYD PËR GRUAN TIME, AFËRDITËN

E-mail Print PDF

Vetëm ti ma di shpirtin,
vetëm ti!

Ke hyrë aty e kërkund labirnth s’ke gjetur,
E as rrugë pa krye,
Bardhësinë ma ke parë gjithkund,
Si shkumë e si dallgë,
Si kreshtë e si çetinë!

E kur mbi tavolinë,
Mes letrash për një gjimnaziste gjen një vjershë,
(Eh ç’do i ngjiste dikujt tjetër, vaj medet!)
Ajo me buzëqeshjen si petale pjeshke
Ta pushton zemrën, kur thotë:
“E po ndryshe s’do ishte  poet!”.

Vetëm ti ma di shpirtin,
vetëm ti!


1998

 

DEA E BUTRINTIT

E-mail Print PDF

Mes gëzimit të arkeologëve-Dea e Butrinit,
Dea e bukur, e dashuruar,
Si një nimfë e ndrojtur, e sinqertë,
Me bukurinë e saj të pafajshme.

Flenë arkeologët.
Gjumi i tyre s’është si i gjithë njerëzve,
është tjetër gjumë,
Në gjumë ata hapin dyert e shekujve
Hyjnë në dhoma mbretërore
E pushtojnë kohërat pa britma,
pa bujë!

Dea mes tyre.
Prap ka frikë mos vijnë ata që çmendeshin pas saj
e ta grabisin,
Dea pret të vijë i dashuri ta marrë në kalë,
si i kishte thënë,
Ka frikë se mos ia vrasin rrugës e vetë robinë e nisin...
Po hesht qyteza arkeologe,
Veç ëndërrat pshpërisin
Këtë natë mesjete pa yj’ e pa hënë.

Diç pëshpërisin dhe arkeologët,
E dashurojnë që të gjithë këta njerëz të thjeshtë, hijerëndë,
Mes tyre ajo ka hyrë si mes këngëve të aedëve
Që çmendeshin pas saj dhe e fusnin në këngë.

Po nata arkeologe qënke e gjatë, shumë e gjatë,
Për këta profesorë që në gjumë kokën kanë mbështetur
tek Dea, në gjoks,
Që thënë troç, në ëndrra me Dean i tradhtuan gratë,
Dhe s’kuptonin se ç’ish në shekuj ky kaos!!
Se turbullirë kishin meridianë e paralele, gjithë bota,
Se s’ish kund as trupi, as gjoksi, as krahët,
veç koka....


Mes arkeologëve – Dea e Butrintit,
Dea e bukur, e dashurueme,
Me dlirësinë e bukurinë e saj të rrallë,
të pa restaurueme!

 

SHAMIA E NËNËS

E-mail Print PDF

Kur mora rrogën e parë nënës i bleva një shami,
Një shami ku vajzat e kombinatit kishin hedhur pranverën,
Ku kishin qëndisur ëndrrat e tyre në trajtën e luleve,
Me një harmoni të çuditëshme,
me diell.


Vrapova me të në duar drejt dashurisë tënde,
Erërat ma morën shaminë dhe e ngritën në horizont,
Ma morën nga duart dhe e hodhën
Mbi kokat e zbardhura të gjithë nënave shqiptare,
Mbi shpirtin e tyre hodhën lulet e fushave,
të rudinave
e maleve!


Kur mora rrogën e parë, nënës i bleva një shami!


1968

 

EJA

E-mail Print PDF

Çvendosi këto blloqe mjegulle dhe eja,
Eja përmes pyllit të shqetësimeve të mia,
Ashtu si të ndodhesh,
Me flokët e shpleksura nga ërërat,
Me sinqeritetin tënd si një lulkuqe mes një fushe me grurë,
Me bukurinë tënde si një pikël vese,
Eja!

 

TI I NGJET AQ SHUMË ASAJ QË DESHA

E-mail Print PDF

Ti i ngjet aq shumë asaj që desha,
Asaj që iku me një tjetër,
Të zënë dorë më dorë hynë mes vjeshtës së pyllit,
Në ca lugina e kreshta,
Dhe që andej nuk dolën më,
I mbajti përgjithnjë vjeshta!

Ti më pyet shpesh pse kam kaq shumë vjeshtë në vargje,
Pse kam kaq shumë vesë e  gjethe kaq shumë,
E re që rendin në brigje,
Ti s’e kupton,
Ajo banon në muzg, në një vjeshtë...

Besoj s’do më kërkosh më përgjigje...


1986

 

GRETA

E-mail Print PDF

Dikush
Mbi parmakun e hekurt të urës së Lanës
Kish salduar një emër; Greta,
Me një saldim gërme siç thuren dy gërsheta,
Kish salduar aty dashurinë më të madhe nga jeta,
Pagjumësinë dhe tallazet që ngrihen në detra,
Greta!

Kalojnë njerëzit mbi urë
Dhe me duar, si padashje, përkëdhelin emrin tënd, Greta,
Sikur përkëdhelin baluket e tua të arta,
Sikur përkëdhelin që të gjithë dy gërsheta,
Si ti do kesh pasur patjetër dy gërsheta,
Greta!

Sonte kjo këngë emrin tënd shpejt e mori,
Mbi parmakun e urës mes meje dhe teje
Unë vura emrin tënd,
Greta,
Në vjeshtë, në një kantjer malor iku saldatori,
Dhe më la mua në këngë dy gërsheta,
Se ti patjetër duhet të kesh pasur dy gërsheta,
Greta!


1977

 

LIRIKË MBI TASTIERË

E-mail Print PDF

S’ka më të  bukur në Tiranë se rruga e liceut artistik në vjeshtë,
Kur ti kalon nepër tunelin e artë të gjitheve të pemëve,
Nën dashuritë e zogjve, si një lirikë e thjeshtë,
Duke mbartur në sytë e kthjellët,
Tingujt e mijëra këngëve.

Kur gjethet bien e ar’ i tyre ndrit vjershave të poetëve,
Me tingujt e pianos ti më kujton,
Më thërret papushim,
Në tastierën e shpirtit tënd s’e di se ç’notë jam në pentagram,
Furtunë, puhizë, natë apo agim?

Po ti bjeri pianos, pianistja ime,
Dhe thirrmë e kujtomë në mbrëmjen e fundit të vjeshtës,
Unë jam duke të pritur nën parvazin e liceut,
Të kthesh fletën e pentagramit të dimrit
Dhe t’i biesh  sonatës së pranverës!
S’ka më të  bukur në Tiranë se rruga e liceut artistik në vjeshtë...


1976

 

PUTHJET

E-mail Print PDF

Redaktor,
Në ke dashuruar ndonjëherë,
Mos ma hiq këtë puthje nga vjersha,
Se zemërohet pranvera e s’më sjell petale,
E ndofta më merr mëri edhe vjeshta.

Për atë puthje nuk prisha pesë palë këpucë,
Me Anilën u putha ndaj muzgu në vjeshtë,
Kur pastrueset vjeshtën e mblidhnin në rrugë,
Kur shove ti abazhurin e re për të fjetë.

Redaktor, në ke dashuruar ndonjëherë
Mos ma hiq nga vjersha këtë puthje,
Lëre lapsin, në djall të vejë,
Dhe mos e kthe poetin në një lutje!

Mundet nga puthja të më lindë vajzë,
ty djalë,

E ndofta, kur të rriten, do bëjnë dashuri,
Po vallë, do mundesh t’u redaktosh ti puthjet
Me lapsin tënd të kuq a të zi?

Po ti kryq i bie puthjes sime në vjershë
E unë i nevrikosur iki nga redaksia,
Vet’ i dytë shetis parqeve të vjeshtës
Për inatin tënd
Me puthje më mbulon Anila!

Redaktor,
Në ke dashuruar ndonjëherë,
Mos ma hiq këtë puthje nga vjersha,
Se zemërohet pranvera e s’më sjell petale,
E ndofta më merr mëri edhe vjeshta...



1971

 

SYRI MAGJIK

E-mail Print PDF

Në derën e shtëpisë
Nuk kam sy magjik,
Në jetë,  vëllezër,
Nuk pata armik.

Më thanë gabim,
Armik do të keshë,
Prandaj  në treg
Një sy shpejt ta gjeshë.

E vuri mjeshtri,
Oho, bukuri!
Tak-tak e tak tak,
“Nuk jam në shtëpi!”…


1995

 

PRAG DIMRI…

E-mail Print PDF

Ja tani dhe vjeshta ikën shtegut
Me një krah gjethe përmbi shpinë,
Pishat krrusin shtatin përtej bregut,
Zogjtë e vonë po marrin arratinë.

Thonë se vjen një dimër borë e brymë,
Prrenj e pyje i mbush gjithë kristale,
Troftat hedhin valle nepër rrymë,
Të pastrehët i ngrin rrugë e madhe.

Unë lë hapur portën e shtëpisë,
Le të vijë kushdo dhe pa trokitur,
Kam bërë gati shishen e rakisë,
Një mezè të ngrohtë për ta gostitur…

1997

 

NËQOFTËSE U RASTIS NË SHKODËR TË VINI…

E-mail Print PDF

Nëqoftëse u rastis në Shkodër të vini,
Në bedena të kalasë a bregut në Bunë,
Nëqoftëse kush është më i pasuri këtu doni të dini,
O miq,
Mos u lodhni,
Ai jam unë!

Se zotëroj me tapi mijëra mëngjeze
E si margaritarë, miliarda pikla vese,
Dhe ndjehem i trishtuar, si një murg,
Kur më humb një perëndim, kur më humb një muzg.

Atje ku të tjerët kanë plantacione të tëra hardhishë
Dhe biznes bëjnë me raki e verë Kallmeti,
Unë kam mbjellë plantacione dashurishë
Dhe kam miq e shokë sa rërë ka deti.

Nëqoftëse u rastis në Shkodër të vini…

Shkodër, 2002

 

ROZAFA

E-mail Print PDF

Pikon qumështi yt i bardhë nga gjinjtë e bardhë të legjendave
Dhe mbushen bedenat e kullat nga thirrjet e fëmijëve
Kur ti ngjit kaq lart, Rozafë, dashurinë e nënave.

...Pikon qumështi yt i bardhë nga gjinjtë e bardhë të legjendave...


1971

 

PSE-ja

E-mail Print PDF

Mua s’më ka ndjekur hija ime,
Pse-ja më ka ndjekur përjetsisht,
Porsi fëmijë qëndroja para saj,
Si  idiot e doja, marrëzisht.

Dhe kur ndonjë herë ajo nuk vinte
Ëndrrat me mantel m’i mblonte nata,
Vehtja m’dukej si një pyll i dendur,
Si një pyll ku kurrë nuk ra sopata.

Pse-ja fort më fuste në mendime,
Në ktë shekull – dilemë hamletiane,
S’dija nga të shkoja, më besoni,
Si në piramidat egjyptiane.

Herë më jepte n’dorë gjithësinë,
Herë m’përbuzte, m’thoshte je askushi,
Herë m’i çonte ëndrrat n’giotinë,
Herë më thoshte gjurmë lë dikushi.

Pse-ja qe për mua rrënjë lisi,
Fllad i ngrohtë e zemër e stuhive,
Ndaj m’ka hyrë në çdo ind të shpirtit,
Pse-ja, kjo mbretreshë e mrekullive.

Se t’mos ish ajo, çdo isha unë
mbi ktë dhè? Një kafshë, sigurisht,
Si nuk rron zgalemi pa furtunë,
Unë pa Pse-në nuk rroj përfundimisht!

2008

 

DIELLI I FJALËS

E-mail Print PDF

Me fjalën  kurrë,
Në vargje nuk loz,
Se ndryshe do isha
Poet karagjoz.

Prej shpirtit  rrëke
Më rrjedh mua fjala,
Se ndryshe do m’ngelej
Si n’fyt të ngel hala.

Po të tjerët, o mik
Çfarë thonë për mua?
Poet folklorik
Që mbeti në krua?!

Kakaris një tjetër:
Ky mbeti n’furrik,
Mes pleshtash e kashtës
Kaposh prozaik!

O miq të fjalës,
Ju thoni ç’të doni,
Po rob i saj mbeta,
Në daçi m’besoni!

Po luajta me fjalën,
Me vehten unë loz,
Se s’jam kumarxhi,
Të luaj bixhoz!

Nën diell të fjalës
E dua një rreze,
Në rrugë të mehallës,
Në shpirtin pa reze.

M’kuptuat besoj,
Të hyj pa trokitur,
Dhe kur tej të shkoj
N’një zemër t’kem zbritur!

2009

 

NDANË SENËS, MBI SHARKI...

E-mail Print PDF

Unë jam miku më i ngushtë i shtegtimit të reve,
Jam bir i kësaj toke, që quhet Kosovë,
Unë jam këngtari më i rrallë i mallit të mërgimtarëve
Që, tok me këngët,
Kam futur shtëpitë,
të dashurit,
të vrarët,
në një torbë.

Ndanë Senës, mbi sharki, nga dhimbja bulojnë këto këngë,
Nën minaretë e Stambollit diç thonë gishtërinjtë e mi,
Rendin retë e zeza në horizontet e mbyllura të këngëve,
Dhe dhimbja rend mbi pesë tela,
Rend dhimbja mbi sharki.

Vë kokën mbi sharkl, si mbi një trung të stërlashtë,
(Sharkinë e pata bërë nga një trung atje, larg, në Kosovë),
Më rrahin brinjët valët e Senës, erërat e forta të kurbetit.

Mbeta pa atdhe,
Pa vatër,
Pa të dashur,
Si një plep i vetëm që e fshikullojnë mallkimet e anëdetit...

Dhe në bel të plepit lëkundët e lëkundet një torbë,
një torbë,
një torbë.