• Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • Mainbody Dark Theme
  • Mainbody Light Theme
  • Layout: 2 Left columns + Mainbody
  • Layout: Mainbody + 2 Right columns

Poezi

U flas nga galaktika

E-mail Print PDF

Ndofta shpejt do u flas nga galaktika,
Siç nuk u fola asnjëherë,
Se ç’dritë qiellore ka lirika
Që gjitha stinët bën pranverë!

Po qënkan të tjera ylbere në yllësi,
M’u desh të endem, gjersa i gjeta,
Tek ecja nën to, më bënë shoqëri
Liria, o miq, liria dhe jeta!

Atëhere u ndjeva zot në galaktikë,
Zot dhe rob i lirikës, jetës e lirisë,
Drejt yjesh të rinj rend pa droje e frikë,
Unë, biri i Shkodrës dhe i poezisë…

 

Tani…

E-mail Print PDF

Tani
Rrethe letrare në gjimnaze ka
Sa ka në dimër petale molla e dardha,
Do qisja pushkë nga gëzimi
Nëse një maturant
Më thotë se cili rilindas
Nga Anakreonti
Zgjoi një tufë me lumbaardha!1)

E di se poet s’të bëjnë dot rrethet,
Por ato si vatrat e mbajnë gjatë prushin,
E si pyllin në behar mbushin gjethet,
Ashtu me dashamirës të letrave na mbushin.

N’një vatër të tillë pat mbledhë Vehbi Bala
Edhe Agollin, edhe Kadarenë,2)
Që pas festivalit folklorik të poezisë
Në skenën letrare  të sillnin të renë.

Tani
E di,
Rrethe letrare në gjimnaze ka,
Sa ka në dimër petale molla e dardha….

 

1 ) “…Por lumbaardh (pëllumbi) i Anakreontit (poet lirik grek)… është ndër vargjet e para të poemës “Këngë të Milosaut” të De Radës, botuar në Napoli më 1836.
2) Poeti Vehbi Bala nga Shkodra në rrethin letrar të gjimnazit “Asim Zeneli” të Gjirokastrës,  kishte afruar nxënësit e tij më të talentuar, si Dritëro Agollin,  Ismail Kadarenë e plot të rinj të tjerë.

 

Jam “Don Kishot”

E-mail Print PDF

Si Don Kishotin librat kalorsiakë,
Mua më mori në qafë poezia,
Për një figurë unë hidhesha në flakë,
Pas një lirike më humbi krejt rinia!

Kur bashkëmoshatarët e mi bënin prokopi,
Mua më sillej ferra në shtëpi,
Tek gjeja krahasimet për një belkëputur
Dhe metaforën për vajzën e paputhur!

Kështu, pas poezisë mbeta Don Kishot,
Si dje
Njëzet vjeçar,
Dhe flokbardhë që jam sot!

 

Nën një kulm

E-mail Print PDF

Kështu e kishte shkruar për mua Fati,
Të isha burri më i poshtër i këtij planeti,
T’i vidhesha çdo natë gruas nga shtrati
E të puthja buzët e Vetmisë në një orgji poeti!!

S’e kam për turp po të më pyesin
Se nën një kulm mbajta dy kurorë,
Një me Afërditën,
Tjetrën me Vetminë,
Me njërën pata Dean e Gysin,
Me tjetrën,
Poezinë…

 

Dje dhe sot

E-mail Print PDF

Një herë në jetë kam rënë në gjunjë
Dhe kjo ka ngjarë kohë më parë,
Rashë në gjunjë para flamurit
Kur bëra betimin si ushtar!

Kam puthur shumë vajza gjer u bëra burrë,
Gjer kur u thinja e në fytyrë jam rrudhur,
Po atë çast s’do ta harroj kurrë
Kur flamurin tim në gjunjë e kam puthur!

Ai më ndezi të tërin, më bëri flakadan,
Krahët m’i bëri flatra shqiponje,
Po pse tash ma bën gjoksin kallkan
I grisur nga erërat e i dalë boje!

Tani, para tij bijnë në gjunjë, si përhera,
Ata që Shqipërinë e grabitën, pushtetarët,
Por sa karriken ua merr era,
Bythën flamurit ia sjellin të parët!

Jazëk për ju, kushdo qofshi,
Në mbretërinë e Hadit mbretërofshi!

 
Page 9 of 24