• Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • Mainbody Dark Theme
  • Mainbody Light Theme
  • Layout: 2 Left columns + Mainbody
  • Layout: Mainbody + 2 Right columns

Poezi

Fshesar

E-mail Print PDF

Edhe pse denbabaden zog qytetarit
Me zorile mora diplomën e fshesarit,
Kur të tjerët me shkop magjik merrnin  liçensa,
Mua bukën në sofër ma shtronte vetëm fshesa!


Ndërsa fshesarët punojnë kur hëna ngjitet në qiell,
Unë i hyra punës me turr ditën për diell.
Me shisën rrumeçe hyra nepër zyra
Ku nëpunës rushfeti qelbeshin nga zgjyra.

I mblodha zhumilet me degë e me fis,
Si rriqnat  hoqa çdo ndyç e çdo pis.
Kështu e ngrita prestigjin e emrit fshesar
Sa sus para meje më rrinte çdo zyrtar.

Oh, qe ëndërr që pashë në këmbë unë qyqari
Ndërsa prisja me orë pas derës së një zyrtari…!

 

Nudo

E-mail Print PDF

Në plazhin nudo veç unë isha i veshur,
Me sy nudistët më pyesnin “Çdo këtu, ky idiot?”
Në vendin tim Tano Banushi me të qeshur
Do u përgjigjej: “Për fjalë të nderit kot, krejt kot!”

Në fakt atje kërkoja deputetin tim, Xhoden,
E pashë rrethuar me mikesha e miq,
Taman si më kish thënë kur ma kërkoi votën
Se para nesh do ishte gjithnjë lakuriq…

Por unë s’kuptoja se ishin ndrruar rolet,
S’ish më kandidat, por zoti deputet,
Ndaj mes nudistëve qeshte, tundte bolet,
E ta takoja më duheshin fiks katër vjet…

 

Sot shava me nënë…

E-mail Print PDF

Deri dje kurrë s’kisha sharë me nënë,
Se prindërit s’ma dhanë këtë edukatë,
Zonjë grua ishte ime më
Dhe zotni burrë ishte im atë!

Po me nënë sot shava ministrin e kulturës
Që në Ditën e Librit foli për futbollin,
Se ia ktheu shpinën Dantes e Shekspirit,
De Radës, Migjenit, Agollit!

E si mos të shaja një tjetër ministër,
Që ditën për diell bën kokrren e skandalit,
Kur nga Sheshi i Flamurit në Vlorë
“Shkon” n’Itali të sjellë eshtrat e Ismail Qemalit!!!”

Si gjuhën e rrugaçit të mos ma zgjidhte,
Dhe sharjet të mos m’i nxirrte vistër,
Kur një vajze mbërtheckat ia zgjidhte
Një kodosh që na quhej ministër!!!

Po do të kthehet dhe kjo fletë kalendari, do kthehet,
Ndërsa ju, zotëri ministra do ktheni nga askundi,
Se kur një ministër kulture s’ka librin nën jastek,
Është honi i jetës, është fundi.

 

Kjo s’është përrallë

E-mail Print PDF

Në Muzeun Ateist
Bëri kryq një turist.

Vdiq në këmbë ciceroni
Dhe përdhe i ra biberoni.

“Mos, zotëri, i tha n’anglisht,
Ne të dinim për marksist!”

Nën mustak qeshet  turisti,
Plazh më plazh bridhte “marksisti”,
Nepër Lindje shtegëtonte,
Porse Zotin nuk e lshonte!

S’është përrallë,
Kështu ka ngjarë,
Plot njëzet vjet më parë…

 

Harmoni

E-mail Print PDF

Mjeda në Kukël pat shokë,
“Shokë” që në botë kish pak kush,
Nja njëzet mace e maçokë,
Pula, pata dhe…një arush!

Dhe gjithsecilit i vuri emër,
Një emër mbreti a padishah,
E natyrisht, asnjë prej tyre
S’e thirri Krisht e as Allah!

Se kur ndonjëri bënte prapësi,
Bënte  glasa a vidhte si hajdut,
E kish më lehtë t’i shante fort,
O edepsëz Çezar, o maskara, Mahmud!

Thonë se kur vdiq arush i vogël,
Thirri një hoxhë t’i kndojë talkinen,
Dhe për një muaj atje në Kukël
E harroi krejt ritmin dhe rimën.

Besoj tani ju e kuptuat,
Se ndonjë enigmë këtu nuk ka,
Arush i vogël që aty vdiq
I pat ngjitë emrin Hasan Pasha!

 
Page 6 of 24