• Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • Mainbody Dark Theme
  • Mainbody Light Theme
  • Layout: 2 Left columns + Mainbody
  • Layout: Mainbody + 2 Right columns

Publicistike

DISA FJALË PËR VEPRËN “TANAGRA”, HISTORIA E GENIT DHE E GJUHËS E DR.NAIM LAÇEJ

E-mail Print PDF

Si shkrimtar e kam të lehtë të rendis disa fjalë për të, siç e kam edhe të vështirë të jap mendime të pakontestueshme rreth vlerave të tij, pasi, që të jem realist, në këtë që po them e në ato që do të parashtroj, kjo vepër të kërkon që të jesh edhe gjuhëtar, edhe historian, edhe gjeograf, edhe arkeolog, edhe folklorist, edhe sociolog, edhe etnolog e biolog, me një fjalë të kesh atë kurajo që pat autori për të eksploruar deri në embrion, vetëkuptohet edhe me ndihmën e njëmijë e sa referimeve e të një shumësie bibliografie vendëse e të huaja, që do të lakmonte çdo studiues. Për mua, kjo vepër, veçse e një rëndësie krejt të veçantë shkencore, është edhe një vepër atdhetare, që më bën të rikujtoj një strofë timen: “Tani jam plak e më kanë rënë dhëmbët/ S’hyp dot tek degët, por preferoj rrënjët”. E thënë ndryshe kjo vepër shkencore e mirëfilltë nuk është një vështrim horizontal i prejardhjes sonë e pozicionimit tek rrënja e evropianizimit, por një sondim vertikal, duke sjellë argumente e kundra argumente, me ftohtësinë që i sheh studiuesi serioz, duke shmangur fluturimet që mbesin në erë, pa lënë gjurmë e pa ta ngrohur zemrën. Kur them se ai gjykon me ftohtësi, nënkuptoj atë se autori ka punuar shumë për të na bindur për ato që thotë, se kush jemi e pasi e thotë këtë me bindjen e tij të palëkundur, lexuesi e padyshim edhe autori e ndjejnë krenarinë e të qënit shqiptar në kontinentin e vjetër të botës.

Sot, kur pseudoshkencëtarë të huaj, apo shkencëtarë me qëllime të mbrapshta, më shumë të huaj e më shumë komshinj, bëjnë çmosin me veprat e tyre të na largojnë sa më shumë nga rrënjët e civilizimit europian, “Tanagra-Historia e genit dhe e gjuhës”, hedh dritë të plotë rreth një problemi shumë të debatuar, siç është ai i etnogjenezës së shqiptarëve. Lexuesi i vëmendshëm i kësaj fushe nuk ka se si të mos kujtojë librin e  parë të Naim Laçejt “Pellazgët flasin”, të botuar vite më parë e që pat zgjuar jo pak polemika për tezat që hedh e mbron. E nëse, në librat e tjerë, artistikë apo të fushave të tjera, ka plot dedikime për prindër, motra e vëllezër, për mësues e shokë e kudi unë, Naimi në faqen e parë të librit të tij të parë ka këtë dedikim domethënës: “Ja kushtoj atyne që më trashëguan genomën bio-sociale të shqiptarëve”. “Pellazgët flasin” qe si parathënie e “Tanagrës”, ose, e shprehur në mënyrë metaforike, ky libër qe prolog, ndërsa “Tanagra-Historia e genit dhe e gjuhës”, është epilog shkencor i një niveli të tillë që do ta ëndërronte çdo kush që udhëton edhe shekuj para Krishtit, duke zbritur deri tek rrënjët e së vërtetës. Kjo është një vepër që të bën të mendosh thellë për të vërtetat e të pavërtetat rreth genit tonë e të gjuhës.

Read more...
 

NJË VIT PA MEDIN ZHEGËN

E-mail Print PDF

Si sot një vit më parë ndrroi jetë futbollisti i madh shqiptar, Medin Zhega.

Kemi qenë një grup shokësh të lagjeve Dudas e Dërgut, të pandarë deri që morëm maturën: Bamirësi, Muhameti, Zyhdia, Hasani, Ruzhdia dhe unë. Gjithsecili kish prirjet e veta, por ai që na mblidhte tok qe Dini, engjëlli fluturues i futbollit shqiptar, pasi që gjimnazist ai arriti të futej në formacionin e “Vllaznisë” e më pas edhe në kombëtaren shqiptare.

Kanë kaluar dekada, por kush e ka jetuar atë kohë, edhe pse pak e aspak episode janë filmuar nga operatorët e kinostudios “Shqipëria e Re”, e kujtojnë mjeshtrinë, forcën e elegancën në triblime e shpërthime, shutin e fuqishëm e të saktë, palosjet e tij në ajër në goditjet e forta e të sakta me kokë, duke nënshkruar kushedi sa gola si futbollist i “Vllaznisë” së Shkodrës, të “Dinamos” e të kombëtares shqiptare.

Jeta e tij është shembull i gjallë i një sportisti shembullor. Duke e pasë pranë shtëpisë stadiumin “Vojo Kushi” (sot “Loro Boriçi”), shkoja shpesh edhe të shihja stërvitjet e ekipit, padyshim se aty ishte edhe shoku im, Dini. E kujtoj fare mirë, pasi tranieri i binte bilbilit për përfundimin e stërvitjes së radhës, Dini qëndronte jo më pak se gjysmë ore duke u endur para portës, herë me top e herë pa top, duke gjuajtur nga pozicione të ndryshme, duke bërë rroveshqata e triblime në një metër katror, herë vetëm e herë me ndonjë shok që donte të ecte në gjurmët e tij.

Read more...
 

Në pazar të Zdrales

E-mail Print PDF

(Pak histori, satirë e humor)

Zdralja është një lagje e vjetër në kërthizë të Shkodrës. Në kërthizë të lagjes është pazari më i madh që ka qyteti ose “bezisteni” i kohëve moderne! Këtu shitet gjithçka: që nga kastravecat sa të hajdaragës e deri tek rrenat e barcoletat, që nga njalat sa krahu e deri te ushujzat për derman, që prej rrakelave të penit e deri tek çentrot e enduna me grep e të ngrime me niseshe, që nga salca që shesin nepër kavanoza gratë me degërmija të Oblikës e deri tek mandate e tokës që shet një miku im nga rrethinat.

Në krye të rrugës që përshkon tej për tej Shkodrën, (e kuptohet edhe Zdralen e Shkodrën që nga Bregu i Bunës e deri ku merr rruga për malësitë) pat themelet “Shtëpia e mushkajave”! Qe një godinë e vogël ku liheshin dikur pesticidet kundër mushkajave, bartëse të sëmundjes së malarjes. Ndofta nuk e besoni, por të hollat për ndërtimin e saj e pesticidet për gjithë qytetin i pat dhënë Rokfeleri, industrialisti i madh amerikan, që nga njeri i varfër u bë një nga më të pasurit e botës e një nga filantropët më të zëshëm që ka njohur njerëzimi! Por, paradoksi qëndron se askush asokohe e as sot nuk u kujtua të përjetësonte miliarderin amerikan, por mushkojat!!! Toponimi “Shtëpia e mushkojave” është sa absurd, aq dhe qesharak!

Tash të vijmë edhe njëherë tek emërtimi tjetër absurd, Zdrale! 

Read more...
 

Meditim tek pedonalja

E-mail Print PDF

Ka javë që tek pedonalja e Urës së Bunës, sidomos mbrëmjeve, ka një popullim të jashtëzakonshëm, njerëz që shkojnë e vijnë si dikur në pijacën e Shkodrës. Fryn lehtë një erë nga liqeni, që dallgëzon po lehtë Bunën e paqtë, për t’u përqafuar pastaj me Drinin idhnak.
Shumë prej tyre atyre që kryqëzohen këtu janë moshatarë të mij, thënë ndryshe të moshës së tretë. Gjyshe flokë e shpirtbardha që shetisin nipat e mbesat, gra të rrenuara që ende i bëjnë vehtes me sy, taravola që kurrë s’kanë ditur as nga nga vijnë e as se ku shkojnë, bullica që shpresojnë të ulin tulet në atë ecejake, atletë pa rezultate të vrapimeve të gjata, aktorë pa role, azmatikë, peshkatarë që shpresojnë të zënë peshkun e artë dhe që kënaqen me ndonjë skortë, punëtore 5-mijë lekshe të fabrikave, çiklistë me goma të shfryme, borxhlinj pa asnjë kryq leku në xhep, shkrimtarë që me krijimet e tyre s’kanë arritur ta kalojnë asnjëherë Urën e Bahçallekut, njerëz që flasin me vehte, i vetmi lypës i bardhë që ka qyteti, me një kartuç në qafë ku shkruan se është jetim, edhe pse mbi 50 vjeç.
Këtu, në këtë pedonale, nuk mungojnë zotërinjtë e vërtetë, por pasunarët e rinj. Ata kësaj mbrëmjeje, meditojnë në vilat e Velipojës e të Razmës, për t’u shtrirë nesër sa në bark e sa në shpinë në rërën gjithë jod e për t’u nisur në një ekskursion familjar tek Shpella e Pëllumbave. Janë, mes tyre, jo pak të përgojuar si hajdutë të bankave në 97-tën e gjobëvënës të tregtarëve, vrasës me pagesë, vagabondë e ndyça, bluza të bardha të mbuluara nga bloza, toga të zeza gjyqtarësh që s’kanë për t’u bërë kurrë të bardha, drejtorë drejtorishë arsimore që pasi u hiqet karrika s’punojnë më asnjë ditë si mësimdhënës, karabusha që s’kanë marrë shkolla, por pronat e gjyshave të tyre me tapitë me myhyre nga turku, nëpunës, ofiqarë e deputetë gjithfaresh, që janë banka pa liçensa.
Unë shetis e meditoj në pedonalen e Urës së Bunës. Jo në pedonalen e pijacës së qytetit që është shndrruar në një mejhane gjigande e ku më së fundi falimentoi edhe një nga libraritë më të zëshme. Marr përshëndeje aristokratike nga ata që më njohin e që i njoh. Herë herë, ndalem e pi një kafe. Nëqoftëse nuk pi kafe, shkoj tek bregu i Bunës e pyes ndonjë peshkatar se a po i bjen. Se a po xen gja.
Harroj se mua më ka zënë koha me grepin e saj. Edhe pse nuk i kam thënë “Qëllofsh!”.
Natën e mirë! Po kthehem në shtëpi, me biçikletën për dore.

Read more...
 

Biçikleta e parë në Shqipëri, më 1907 nga konsulli suedez

E-mail Print PDF

Nga: SKËNDER TEMALI


Mbase jo të gjithë ju që po lexoni këtë shkrim e dini se në Europë jeton një qytet që lëviz mbi dy rrota: është Shkodra, një qytet verior në Shqipëri. Shumë i lashtë, sa daton XXV shekuj më parë. Ka qenë kryeqytet i mbretërisë ilire, por që kur lindi e u zhvillua, unë do të thosha, edhe kryeqytet i mrekullive natyrore: ka fusha, kodra e male, ka tre lumenj Drini, Buna e Kiri që i qëndrojnë si brerore. Kështjella me gurë ciklopik e që sundon tërë relievin, që nga bregdeti Adriatik e deri në Alpe, ka në "themel" një legjendë impresionuese të nënës që muroset në mënyrë që të mos shembet kurrë! Mbase këto burime natyrore patën shtuar në rrjedhë të shekujve edhe lakmitë e pushtuesve. 

Por ne në këtë shkrim nuk do të merremi me aspektin historik e gjeografik, por dhe të asnjë fushe tjetër gjurmëlënëse; do u paraqesim një dukuri të rrallë, mbase dhe në Ballkan, pasi Shkodra është një qytet që lëviz mbi dy rrota. E kuptueshme tani për lexuesin, një qytet që lëviz mbi biçikletë, edhe falë faktit se ku ai popullohet është i sheshtë, 12 km i gjatë dhe rreth 6 km i gjerë, e kështu mjaft praktik për pedalim, aq sa jo pak kronistë, shkrimtarë e gazetarë e kanë quajtur atë "Qyteti i biçikletave", një model i transportit ekologjik, sidomos tani kur mbi qytete nuk enden retë që sjellin shi, por retë e smogut që të asfiksojnë. 

E ka kaluar shekullin që kur në Shkodër u pa të lëvizte rrugëve të saj, sa me kalldrëm e sa gjithë pluhur, një i huaj me një mjet që s'e kishte parë asnjë vendali i padalë jashtë shtetit. Kalendari fiksonte vitin 1907. Ai qe konsulli i nderit i Suedisë, ndaj edhe kush e dëgjoi, u dynd andej nga rruga kryesore ku ai lëvizte që ta shihte me sy atë mjet që ecte mbi dy rrota pa u tërhequr nga kafshët. Me kaq, kurioziteti u shua, po s'u shua lakmia për ta pasur një mjet të tillë udhëtimi dhe kush qe më i kamur e më i dalë jashtë Shqipërisë, nuk ngurroi të sillte biçikleta të markave të ndryshme, më së shumti italiane. Por në kuadrin historik na duhet të përmendim edhe një foto të dy burrave me biçikleta, të nxjerrë nga fototeka "Marubi" e vitit 1897, me veshje kombëtare shqiptare, por që nuk janë të evidentuar se kush janë për t'i dhënë më vërtetësi kohore asaj. Fillimisht biçikleta në qytetin tonë u quajt "Velisipet", por edhe dyrrotullake. 

Read more...
 

Poezi te autorit

Sample image
Kur vuaj-shkruaj

Kur vuaj
shkruaj;
Shkruaj
kur vuaj.
E nëse Kamja
më mbështjellë si zhguall,
do më gjeni në llucë,
si buall.

3 shtator 2010

Who's Online

We have 55 guests online