NJË VIT PA MEDIN ZHEGËN

Si sot një vit më parë ndrroi jetë futbollisti i madh shqiptar, Medin Zhega.

Kemi qenë një grup shokësh të lagjeve Dudas e Dërgut, të pandarë deri që morëm maturën: Bamirësi, Muhameti, Zyhdia, Hasani, Ruzhdia dhe unë. Gjithsecili kish prirjet e veta, por ai që na mblidhte tok qe Dini, engjëlli fluturues i futbollit shqiptar, pasi që gjimnazist ai arriti të futej në formacionin e “Vllaznisë” e më pas edhe në kombëtaren shqiptare.

Kanë kaluar dekada, por kush e ka jetuar atë kohë, edhe pse pak e aspak episode janë filmuar nga operatorët e kinostudios “Shqipëria e Re”, e kujtojnë mjeshtrinë, forcën e elegancën në triblime e shpërthime, shutin e fuqishëm e të saktë, palosjet e tij në ajër në goditjet e forta e të sakta me kokë, duke nënshkruar kushedi sa gola si futbollist i “Vllaznisë” së Shkodrës, të “Dinamos” e të kombëtares shqiptare.

Jeta e tij është shembull i gjallë i një sportisti shembullor. Duke e pasë pranë shtëpisë stadiumin “Vojo Kushi” (sot “Loro Boriçi”), shkoja shpesh edhe të shihja stërvitjet e ekipit, padyshim se aty ishte edhe shoku im, Dini. E kujtoj fare mirë, pasi tranieri i binte bilbilit për përfundimin e stërvitjes së radhës, Dini qëndronte jo më pak se gjysmë ore duke u endur para portës, herë me top e herë pa top, duke gjuajtur nga pozicione të ndryshme, duke bërë rroveshqata e triblime në një metër katror, herë vetëm e herë me ndonjë shok që donte të ecte në gjurmët e tij.

Si nxënës qe shembullor. Nuk u ngjiste disa futbollistëve-nxënës që shfrytëzonin qënien në formacionin e “Vllaznisë” për të kaluar pa djersë apo për të marrë një notë plus. Jo, Dini studionte dhe shquhej për një kujtesë fenomenale, që u shpreh jo vetëm në notat e larta të maturës, por edhe në përvetësimin e gjuhëve të huaja: të rusishtes e të gjermanishtes, por edhe të rumanishtes, kur u trajtua për dy muaj në një klinikë mjekësore në Rumani. Nuk do ta harroj kurrë dasmën e Dinit me Valin. Pasi ikën gjithë dasmorët nga dasma, andej nga mengjesi, kishim mbetur ne, shokët e maturës. Edhe pse gota e lodhja kishin bërë të tyren, ende mbaheshim esëll. Se kujt iu shkrep që secili ose të këndonte një këngë, ose të recitonte një poezi. E Dini, kujtoj që tha përmendësh një hartim që i qe vlerësuar më i miri i klasës nga mësuesi Nexhmi Bushati, edhe pse në klasë ishim edhe unë e Zija Çela me prirje letrare të vlerësuara, edhe pse koha qw e ndante nga ai hartim ishte dekadë.

Edhe diçka: Qëllonte që “Vllaznia” për ndeshjet e kampionatit të udhëtonte në qytetet e jugut të Shqipërisë. Dihet se sa të gjata kanë qenë në vitet 60 të shekullit të kaluar këto udhëtime. Pra ai nisej që të premten (e shtuna në shkolla ka qenë ditë mësimi) dhe kthehej të martën në shkollë. Më porosiste t’ia mbaja shënim gjithë temat e reja që zhvilloheshin kur ai mungonte dhe, në asnjë rast, e theksoj, në asnjë rast, ai nuk u justifikua e të thoshte se ishte i papërgatitur, kur jo vetëm mësuesit, por kur një Shkodër mbarë i hiqte “kapelën” për klasin e lartë të interpretimit të atij që quhet futboll. E një vlerësim të tillë ai e meritonte plotësisht, si qytetar, si njeri, si mjeshtër i futbollit shqiptar.

Nuk e di nëse bashkia e Shkodrës ia ka dhënë (pas vdekjes) titullin “Qytetar Nderi” dhe Presidenti “Mjeshtër i Madh”. Nëse jo, të hedhin këtë hap janë të mirëpritur.

SKENDER TEMALI

Shkrimtar

13 Qershor 2013

  

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *