UNË, BALLKANI DHE EUROPA

SKENDER TEMALI
-Shkodër-

UNË, BALLKANI DHE EUROPA

Ballkani – vullkani,
Homeri – Skenderi,
Ylberi, shtërngata,
Dhe dita e nata,
Dhe kripa e mjalta
Dhe pena e shpata!

Ballkani – zhegani,
Stuhia – kallkani,
Fuçi e barotit
Dhe pika e lotit.

Qyq mbeta me shekuj
Tek portë e Europës,
Porsi muhaxhir
Unë biri i Shkodrës,
I lashtë sa ç’është
Çdo bir i Romës.

Dhe për ty Europë
Gjëmova n’beteja,
Se kur Azia
T’afrohej si reja,
Kur përtej detit
Do t’ishe ti preja,
Mburojë t’u bëra,
T’mos binte n’ty ploja,
T’mos kishe at fat
Që pat dikur Troja!

Kush erdhi më la
T’zharitur, t’përgjakun,
Po n’shekuj Europa
S’ma dha mua hakun!
Se haku është gjaku,
Është praku, oxhaku,
Është fisi, është lisi
Është bari dhe plisi,
Është Drini dhe Buna,
Qeleshja dhe guna,
Është A-ja dhe B-ja,
Dhe S-ja dhe Zh-ja,
Buzuku, De Rada
Është pena dhe shpata!

Eca e eca
Mes territ e natës
Në shekuj kryelartë
Mbi tehun e shpatës,
Në shkallë të mjerimit
Që njohën veç zbritje,
Me zjarret e ndezur
Në treqind kryengritje!

I mbrapshti Ballkan,
I miri Ballkan,
E keqja, e mira
Na mblojnë me jorgan,

Në epin tënd
Përkundet gjith’ bota,
Ç’i dhe ti asaj
Krenohet Europa,
Por shpesh Shqipërinë
E la n’dorë të Zotit,
Fishtjanja e njohur
E bukura e motit!
Se t’pau deri vonë
Me syrin e njerkës!
Më ndau me vëllain,
Me vllain tim dardan,
Andej më ndau
Me vëllain tim çam,
Liqenin e Shkodrës
Ma ndau me shpatë,
M’i vrau agimet,
Më la vetëm natë!
Rrojta, s’u shova
Ashtu i përgjakur,
Me shpatë e me hutë,
Me flamur t’përflakur,
Një pllëmbë qiell
Një pllëmbë dhé,
I mbrojta me jetë
Se quhej atdhe!

U treta, por mbeta
N’shkëmbinjtë e thepisur,
Me ftyrën nga deti
E kokën në male,
Me hutën e mbushur
E torbën me halle!
Kaptova sa shekuj,
U enda mbi dete,
M’u shprish gjak i arbrit
Në pesë kontinente,
Një ditë të bukur
Në jetë nuk e pashë,
Ku vllezër e motra
Të mblidheshim bashkë.

Tek portë e Evropës
Kam ardhur, trokas,
Se jam europian
Asaj i përkas,
Kam flakur tej torbën,
At torbë lypsari,
Hej, bëjini zë,
Ka ardhur shqiptari!

Po s’jam i vetëm,
Me plot shtatqind breza,
Na prin Skenderbeu,
Na ndrin Nënë Tereza,
Luftarë, shkenctarë,
Puntorë, shkrimtarë,
Me duart e bardha
E zemrën si ar.

Kjo rrugë e Evropës
T’tatpjeta, t’përpjeta,
kjo rrugë e Evropës
e shtrenjtë sa jeta,
në shekuj e humba,
në shekuj e gjeta,
unë Arkimedi
që thirra Eureka!

Trokas e trokas,
Në der’ të Evropës,
I lashtë sa ajo
Unë biri i Shkodrës,
Trokas edhe pres
T’ma çelin ktë portë,
Të rrjedh
Ashtu vrullshëm
Si gjaku n’aortë.

Jetoj n’ Europë,
N’Ballkan jetojmë ne,
N’ktë tokë të stërlashtë
Që quhet atdhe,
Fuçinë e barotit
Që shekujt përgjaku,
E ruaj fort,
Ta çoj në muze.

Ballkan-djepi im,
Atdhe-varri im,
Ti s’shitesh as blihesh,
As ndahesh më dysh,
Tapi e përgjakur,
Me gjysh, katragjysh
Të dua pa pytur
Si edhe qysh.

Shqipëri e lashtë,
E lashtë sa bota,
Rrethuar me mite,
Stuhi edhe shqota,
Me rrënjë futur thellë
Ku nisin vargmalet,
Pranverën paç stinë,
Dhe shtrat paç petalet!

  

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *