E PAGUAJ UNË KËTË TAVOLINË…

SKENDER TEMALI

E PAGUAJ UNË KËTË TAVOLINË…
-tregim-

Edhe atë ditë qershori, si përditë nga ora dhjetë, u ula në tavolinën e Kafes së Madhe e me të njëjtit shokë. Kafeneja, si brenda dhe në verandë ishte dinga, si çmos kurrë. Trazimet e mars-prillit të 97-ës po ia linin vendin ditëve të zakonshme, edhe pse sa binte errësira, njerëzit kyçeshin brenda. Krisnin automatikët në qiell, aman o zot! Tre veta deri atë ditë kishin shkuar në parajsë nga plumbat qorr. Në banka hynin minjtë e thyenin kokat. Pronarët e hoteleve e kabinave të plazhit të Velipojës po përgatiteshin të shpallnin falimentin. Askush s’shkonte atë verë në plazh, e cila, si për inat, erdhi me temperaturë të lakmueshme për det.
Në këto kushte, ato që morën frymë më shpejt qenë lokalet. Sot një tavolinë, nesër dy e kështu erdhi çasti që, ngase plazhet bënin pushim, dyndja më e madhe ishte në rrugët kryesore të Shkodrës e sidomos në pijacën e saj, pasi këtu e ndjenim vehten më të sigurt.
Jeta qe e ambullt. Koncertet mbanin zi. Diskutohej të shtyheshin vadat e dasmave.
Si jeta edhe bisedat. Aq sa, me Luigjin e Dullën, që njiheshim si një treshe simpatike qytetare, atë që ia thonim sot njëri-tjetrit, e përsërisnim nesër, madje zumë të qisnim edhe fall për të vrarë kohën. Kjo më shumë për humor. E pinim kafenë, e linim të kullonte pak, përmbysnim filxhanët dhe ia nisnim trillimit, sa kjo na zhvilloi edhe imagjinatën. Gjithnjë parashikimet i kishim rozë, me shumë lumturi vetiake e familjare, edhe pse asnjëri prej nesh në ato muaj s’qemë pa ngjarje aspak të këndshme, fjala vjen, siç e pata edhe unë ditë më parë e për të cilën Dulla, tek më hidhte fall, më pat thënë “Shiko, se të pret një ngjarje e pakëndshme…”.
I pari atë ditë në kafene mbrrita unë e pas meje Luigji e Dulla.
-E morët vesh? – na pyeti Dulla.
-Çfarë?
-Sulë Taraboshit sot pa zbardhë drita i dolën dy me maska dhe e bane trokë.
-O, ç’ka po më vjen keq! – thashë unë që më mirë se dy shokët e mij e kisha provuar atë sherbet.
-S’ka asgjë për t’u habitur! S’ka shtet! S’ka polici!
Me atë që tha, Luigji më doli në shteg, e më dha të drejtën t’u ritregoja edhe njëherë vjedhjen e të hollave në shtëpinë time nga njeriu me maskë. Sakaq pranë tavolinës sonë u afrua një djalë rreth të tridhjetave, i cili, edhe pse s’durohej as këmisha në shtat nga të nxehtit, mbante të veshur një xhaketë dhe bënte kujdes që ajo të mos i hapej. Meqë s’kish as karrike bosh në tavolinat e tjera, na kërkoi leje të ulej tek ne.
-Të më falni, – kërkoi ndjesë ai, – po kam lënë një takim këtu me një shok e ai vjen nga Përmeti. Shkodrën e njeh shumë pak. I thashë se po e pres në qendër të qytetit, bash këtu në Kafen e Madhe, se s’ka zog shqiptari që të mos e dijë se në botë tri janë të mëdhatë: Kina e Madhe, Britania e Madhe dhe Kafja e Madhe…
Edhe pse një humor të tillë e kishim dëgjuar me kohë, për politesë a korrektësi, si të doni quajeni, vumë buzën në gaz, sikur të mos e dinim se ai po rendiste gabim, pasi ajo bëhej kështu: Kafja e Madhe, Britania e Madhe dhe Kina e Madhe.
Ndërkohë kamarieri solli kafetë që kishim porositur.
-Po ju, çfarë dëshironte të pini, zotëri?!
Ai refuzoi, me argumentimin se priste përmetarin dhe me të do të shkonin për një urim e ku me siguri do i qerasnin me gjithë të mirat.
-Po ndofta ai vonohet, mirr diçka, – këmbëngula unë, duke treguar në kavaljerllëk ADN-në e shkodranit. Pranoi një freskuese.
-Këto i keni prej meje, – tha ai.
-As mos të shkojnë ndërmend, – u hodha unë si kacagjel. – Na gjete.
-Jemi në kafe publike, – nxitoi të thoshte ai. – S’të kam ardhur në shtëpi…
-S’qënke shkodran! – konkludova unë.
-Jam dhe s’jam!
-S’të kuptoj!
-Unë prej vitesh jetoj këtu.
-Dmth i ramë! – gjuajti Luigji me nënteks.
-Si ta marrësh! Tanë shkodranët janë të ramë. Dikush më heret, dikush më vonë.
Heshta, pasi e dija fort mirë se shekuj më parë shkodranët jetonin në lagjet rreth kalasë, pas pushtimit turk iu qepën maleve e si erdh duke u fashitë zemërimi i tyre, çpyllëzuan çka merr nga Çinari i Tophanës, nga fushë Çela në Serreq e përtej, ndërtuan shtëpi e hapën rrugë.
Dulla, si Dulla. E nisi një muhabet do ta çojë deri në fund:
-Sulë Taraboshi qe zgjuar pa rënë drita të shkonte të mirrte vizën në ambasadën italiane në Tiranë. Maskat i dolën diku tek rruga e gjërë e stadiumit. Pistoletën në kokë dhe…E takova para një ore. S’kishte aq hallin e parave të grabitura, sa të pasaportës që ia kishin marrë.
-Mirë që paska pshtue me kry!
-Kohë e keqe! – tha dikur Luigji, i cili, për të treguar më shumë nivelin e tij intelektual në sytë e të sapoardhurit, shtoi: -Kohë e Diogjenit. S’e gjen më një njeri të vetëm.
-Uf, -ia bëri Dulla, – pse, për shembull ne nuk jemi njerëz?
-Dullë, thënia ime e ka një mesazh. Kjo botë u shprish. Veç tuej ia futë njeni-tjetrit nenkamcen e për ta rrxye kryepicingul.
-Hajnit i ka borxh mbreti, – plotësova unë që e kisha vuajtur në kurriz dorën e tij edhe pse s’qeshë as princ e as mbret, po një copë pensionisti…Ju e dini, zotëria jo, se unë e kam një bahçe. Përvit e kam mihur vetë me një bel, po sivjet s’ndihesha mirë nga kolona e një pesëmijë lekësh ia bëja hallall një punëtori krahu. Shkova tek “Omonia” e Shkodrës, tek Isa Boletini, po askush nuk më pranoi nën një Bogdan.
-Bogdan? Ç’është ky Bogdan? – pyeti Dulla
-O Dullë, se po më çmend, po ti e ke në xhep një bogdan, – thashë unë, ndërkohë që Dulla kishte nxjerrë një dhjetëmijshe si për të vërtetuar atë që thashë.
-Dreq, kurrë s’e kam pa. Po pse, ky qënka më i madh se Naim Frashëri e Ismail Qemali?
Luigji, që gjithnjë e mbante veten superior në dije ndaj Dullës, s’humbiste rast ta thumbonte e ta tregonte vehten:
-Pjetër Bogdani jo se është më i mirë se Naimi si poet, por se është poeti i parë i madh shqiptar! As këtë s’e ke mësuar tash njëzet vjet që pijmë kafenë bashkë?
Dulla sikur e ndjeu vehten ngushtë dhe kaloi një hurth kafeje.
-…Kur do ti, – vazhdova unë, – duke ardhur në shtëpi shoh një burrë me një lopatë në krah. Ecte në këmbë për shtatë palë qejfe, më duket se edhe këndonte. I dal përpara me biçikletë dhe tani kuptohet prej jush se ai e pranoi pesëmijëshen që i propozova, se një përçik bahçe kam unë. E ai, para se të më thoshte po-në, më pyeti nëse mbaja qen dhe kur unë i thashë se i kisha zët, pranoi dhe u vu pas meje. Shkuam bashkë në shtëpi dhe ai pa një e pa dy nisi të mihte tokën. I jepte fort këmbës së majtë, e përmbyste plisnin e ndante me tehun e belit dhe me bythën e tij e shkriftonte, siç edhe dëshiroja unë, aq sa po më bindte që kurdoherë të mos kërkoja tjetër e nëse e çonte punën ashtu deri në fund t’ia shtoja edhe një Naim…Ime shoqe, si sojnike që është, nxitoi me tabaka t’i nxirrte një teke raki dhe një kafe.
-E kisha dashtë edhe një lugë sheqer, – i tha ai gruas dhe si më uroi e ktheu me fund puturin.
Gruaja solli kupën e sheqerit.
U ula në një stol druri që t’i jepja muhabet, ndërsa ai pa teklif në një bucë bari.
Fjalë pas fjale, ai më tregoi se punën e bënte që të mbante trupin në formë e jo se kishte nevojë, pasi tash e parë djemtë, emigrantë në Angli, i dërgonin lumë parashë. Fjala sjell fjalën dhe i tregova se fatmirësisht edhe unë e kisha marrë vehten pas një hiseje disa milionëshe që i kishte rënë sime shoqeje nga pronat e gjyshit të saj.
Nuk m’u duk me interes për tavolinën e aq për djaloshin që të hyja në detaje të panevojshme, si për shembull të një aksenti krejt të veçantë në mënyrën se si i shqiptonte disa fjalë e që e padiste se duhej të ishte i ramë vonë në Shkodër e aq më shumë për një të prerë në pjesën e djathtë të qafës, të cilën nuk ia kisha vërejtuar kur e takova.
Bëra një pauzë. Dulla dëgjonte me një kuriozitet të tepruar, sikur të mos ishte e pesta apo e gjashta herë që e dëgjonte, ndërsa Luigji si gjithnjë, me një dozë indiferentizimi.
-Si kreu punë, i dhashë hakun. Iku duke vërshëllyer.
-Këtë na e ke treguar edhe dje, – tha me zë të ulët Luigji, po tani qe djaloshi i cili këmbënguli ta vazhdoja atë histori.
-Pas një jave, andej nga mesnata, ndërsa po kthesha sa në njërin krah në tjetrin, dëgjoj një krrak. Më dogji. Të ishte në shtëpi ime shoqe, do ta pyesja nëse dëgjoi gjë apo jo, por ajo kishte shkuar të flinte tek e motra në Lezhë…Bëj të ngrihem nga shtrati, por nuk qe nevoja…
-Mos luaj prej vendit se t’i nxorra trutë në erë, – dëgjova të më kërcënonte dhe në gjysmë errësirën e dhomës pashë një njeri me maskë në kokë që më kishte drejtuar një pistoletë.
-S’kam asnjë kryq leku në shtëpi, – thashë unë. – Edhe pensionin e marr pas një jave.
-Ke, ke ti, se s’ka shkodran pa prona – hakërroi ai.
-Të betohem që s’kam patur kurrë në jetë…Jam rritur në shtëpinë e fëmijës…
-Mos paç ti, ke nga gruaja! – preu shkurt ai. – Hajde, ngrihu e trego vendin ku i mbani se t’i hodha trurë në erë…
-Epo gëzuar! – na uroi djaloshi me xhaketë!
Dulla më shikoi dhe me atë shikim sikur më thoshte t’i jepja një tegel bisedës e të mos e mërzisja mysafirin.
-Jo, jo, – shprehu sërish kuriozitet djaloshi, – le ta vazhdojë zotëria, edhe pse unë tashmë e mora vesh se kush ishte hajduti.
-Si, si është e mundur? – pyeti Luigji si më impulsiv.
-Po unë me këtë punë mirrem, zotëri! Jam punonjës policie. Njeriu me maskë që të kërkonte para, nuk kishte si të ishte dikush tjetër, veçse argati i bahçes…Të pyeti për qen, qen nuk mbaje…Të tregoi se s’kishte nevojë për para se lundronte në ato që i çonin djemtë nga Anglia dhe ti, si për të mos qëndroje pas tij, iu mburre se kishe trashëguar disa miliona nga hisja e gruas tënde…Ai këtë donte, të ta zgjidhte gjuhën.
Tha kështu djaloshi me xhaketë të fryrë nga pas dhe nxitoi të ngrihej si ta kish pickuar zekthi. Drejt tavolinës sonë po vinte një burrë apo më mirë të themi djaloshi po nxitonte t’i dilte atij përpara. Do ti që tjetri as desh t’ia dinte veprimit të djaloshit, po me hap të gjatë iu afrua tavolinës.
-Njatjetani burra! – uroi ai, i hodhi shpejt e shpejt një sy tavolinës tonë, po nuk pranoi të ulej.
-Shoku yt nga Përmeti na doli në telefonin e shtëpisë dhe tha se nuk vjen dot…Të kisha dëgjuar se ku po e prisje dhe erdha të ta thoja.
Nga mosha e afiniteti kuptohej se ai duhej të ishte i ati.
-Po urdhëro e ulu! – e ftoi Dulla, me naivitetin e tij, edhe pse nuk kishte karrike bosh, ndërsa mua desh më ra pika. Ishte ai që kisha pajtuar për të më thyer tokën në bahçe…E njoha nga shenja në qafë dhe nga zëri, nga aksenti…Ishte ai që një javë më parë më kishte bërë “inventarin” e shtëpisë me pistoletë në dorë…mbase me atë që mbante i biri nën xhaketë…
-Ah, jo, – iu rritë ndera! – tha ai tanë burrni dhe ndërkohë futi dorën në xhep dhe nxorri që andej një bogdan, të cilin ia hodhi në tabaka kamarierit.
-Këtë tavolinë e paguaj unë! – tha ai me kapadaillëk, dhe sakaq na ktheu shpinën pa e zgjatur, por ama duke më shikuar mua. Besoj se më pa. Besoj se edhe më njohu.
Qeshë i bindur se kartmonedha që ai i hodhi kamarierit në tabaka qe një ndër bogdanët e macetës së grabitur në shtëpinë time.
E çfarë bëra unë? Ju do të mendoni se vajta menjëherë në polici e të bëja denoncimin përkatës. Po kush do më dëgjonte në ato ditë të turbullta? Me siguri i biri ose një shoku i tij.
S’bëra asgjë tjetër veçse ula sytë dhe pashë nga fundi i filxhanit të kafesë. Vijëzat në të tregonin se të ardhmen do ta kisha të lumtur!

  

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *