Skender Temali – blog

blogu i shkrimtarit Skender Temali

VEHBI BALA – NJE ZË I VEÇANTË DHE GJITHPËRFSHIRËS

Nuk qënka dhe aq e lehtë të shkruash për një njeri me të cilin ke ndejur e biseduar kushedi sa herë ndër vite dhe, kur ai është larguar nga kjo botë, e ke kuptuar se nuk e paske arritur ta njohësh. E kam fjalën për Vehbi Balën, njeriun, profesorin, poetin, studiuesin , mbi të gjitha, Njeriun.
Jam njohur me profesor Vehbiun kur unë isha një letrar i ri gjimnazist dhe ai kryetar i degës së lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shkodrës. Që në takimin e parë e kuptova se mbi të gjitha ai ishte njeri në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ia pata dhënë me ndrojtjen e fillestarit disa poezi që të m’i lexonte dhe të më jepte mendim nëse ia vlenin apo jo për t’i dërguar në ndonjë organ letrar. E takova rastësisht në rrugë, shikoi orën, tha “po” me vete dhe më mori për krahu e më futi diku në një klub të piacës së Shkodrës. Ndofta tek “Bar imperio”. Impresioni im që po rrija në një kafe me të ishte i madh dhe ai u rrit edhe më shumë kur nisi të flasë për poezitë e mia. Qenë fjalë zemre. Të thjeshta, të qarta, të kuptueshme, inkurajuese. Kisha nevojë për to. I nxorri nga çanta dhe m’i ktheu. Aty-këtu kishte bërë ndonjë shënim, ndonjë redaktim.
Thellësinë e thjeshtësinë e një njeriu të mirë nuk e sheh vetëm në një rast. Rast pas rasti jo vetëm unë, por edhe plot vërsnikë të mi krijues, e ndjenin përkujdesjen e tij. Madje ajo i kalonte edhe kufinjtë e detyrimit që ai kishte ndaj nesh, si kryetar dege shkrimtarësh që ishte për të mbajtur afër e nxitur talentet e rinj. E ku ta dija unë asokohe se Vehbi Bala, kur kishte punuar në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, si mësues letërsie i sapo diplomuar në Rumani, në rrethin letrar të asaj shkolle kishte afruar nxënësit e tij më të talentuar si Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë e të tjerë, që shpejt do të bëheshin zëra të përveçëm të letërsisë shqipe.
Qershor 1964. Takohem me profesorin në shkallët e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës. “Oh, sa mirë që të pashë, – më thotë. – Urime për hartimin! E lexova tek “Mësuesi”. Të lumtë!”.
Sapo kisha dhënë provimin me shkrim të letërsisë në maturë. Hartimi im qe vlerësuar dhe pas dy ditësh gazeta “Mësuesi” kishte botuar një pjesë të tij.
Por hartimi mund të botohej në gazetën “Mësuesi”, organ i ministrisë së arsimit të kohës dhe të ndodhte absurdi, që të drejtën e studimit për në universitet po kjo ministri të ma nxirrte jo për letërsi, madje as në fakultetin filologjik të Tiranës, por në Ekonomik, edhe pse në shkencat e natyrës si nxënës nuk kisha pasë kurrfarë shkëlqimi, madje isha nxënës nën mesatar.
U trondita sa s’ka! Ngaqë s’kisha miq që të ma ndrronin degën, mora nga shtëpia e profesor Vehbiut. “Si dreqin, – tha me atë ngurrimin që kishte hera-herës në të folur, ndofta më të theksuar kur diçka nuk shkonte. “Si dreqin e kanë bërë këtë?!”, përsëriti. Më vuri dorën në sup dhe më tha: “Mos u mërzit, do ta rregullojmë, ti do të shkosh të studiosh për letërsi. Nesër nisu në Tiranë. Unë po të jap një letër për zëvendësministrin e arsimit, Bedri Dedjen e do t’ia çosh. Sonte, e shumta deri nesër në mëngjes, pa mbrritë ti në Tiranë, unë do të lidhem në telefon me të…Ai është shkrimtar dhe do të na kuptojë. Ka për të na ndihmuar”.
Ngjarjet ndodhën ashtu siç profesor Vehbiu kishte menduar, shpirti i tij njerëzor e poetik gjeti të njëjtin akord me atë të Bedri Dedjes, një tjetër njeri i mirë i kulturës shqiptare.
Më pas, kontaktet e mia me profesor Vehbiun kanë qenë më të shpeshta, por gjithnjë përmes një respekti të ndërsjelltë, aq sa më dukej pak që në 50-vjetorin e ditëlindjes së tij, që ne shkrimtarët e artistët shkodranë ia patëm festuar në shtëpinë e kulturës e të krijimtarisë popullore, unë nuk diskutova për vlerat e Vehbi Balës si krijues, por recitova një poezi që ia kushtova atij, me titullin “Monologu i Vehbi Balës në 50-vjetorin e lindjes”, të cilën, natyrisht e kam të plotë dhe e kam ruajtur, ashtu siç e kishte ruajtur në kujtesë edhe poeti Visar Zhiti, asokohe student në Shkodër, që ma përmendi kur u takuam pas gati tri dekadash. Po sjell për lexuesit strofën e fundit:
                                    “Eh, çdo desha unë kësaj nate,
Kur dritë e shpirtit zë e flet:
Në çdo hap që të hedh në jetë
Të jem ky që jam: njeri dhe poet!”
Shkodra, në veçanti dhe kultura shqiptare, në përgjithësi, e kanë të fiksuar në memorien e tyre historike figurën komplekse të Vehbi Balës: atë të antifashistit, të poetit me shpirt të ndjeshëm, më shumë lirik se sa epik, të monografit të disa prej figurave më të spikatura të kulturës shqiptare të Rilindjes e të Pavarësisë, të historianit e të studiuesit të letërsisë shqipe, si autor e bashkëautor në shumë tekste mësimore të arsimit të mesëm e të lartë, si një nga themeluesit e arsimit të lartë në Shqipëri, të Institutit të Lartë 2-vjeçar në Tiranë e më pas, më 1957 të Institutit Pedagogjik në Shkodër, duke drejtuar për disa vite katedrën e gjuhës shqipe e të letërsisë tok me emra të tjerë të ndritur të arsimit e të shkencës shqiptare si Jup Kastrati, Kolë Kamsi, Kolë Ashta, Fadil Podgorica, Neki Lezha etj.
Unë, si krijues, e çmoj Vehbi Balën për thjeshtësinë e brishtësinë e ndjenjës poetike që nga vëllimi i parë i tij “Shtigje drite”, botuar në vitin 1946 e deri tek “Përsiatje” e “Vallja e luleve”, e botuar katër dekada pas vëllimit të parë. T’i rezistosh poezisë deri në moshën e tretë, madje poezisë lirike, është shprehje e një shpirti të ndjeshëm, të një bote që ka hapsira rudine me lule gjithfaresh poetike, të një poeti melankolik e vizionar, herë përfaqësues besnik i traditës poetike e herë modern në figuracion.
Kam ndejtë kushedi sa herë me profesor Balën, sidomos kur isha redaktor në Radio Shkodra e në gazetën “Jeta e re”, por asnjëherë nuk ishte mburrur për kontributin që kishte dhënë në shtypin ilegal e sidomos në atë letrar gjatë luftës kundër nazifashistëve, edhe pse mua për profesionin që ushtroja e emisionet e rubrikat që përgatisja tema e episode nga ajo periudhe më interesonin e më kërkoheshin për pasqyrim, ndaj edhe me të drejtë studiuesi i huaj Robert Elsie, në veprën e tij “Historia e letërsisë shqiptare” (fq.327) “ndër shumë poetë para ardhjes në pushtet të komunistëve, krahas Kristaq Cepës, Vedat Kokonës, Petro Markos, etj., rendit edhe Vehbi Balën”.
Tani atë e gjejmë në enciklopeditë e vlerave të mirëfillta, siç është “Fjalori enciklopedik” i vitit 2002 (Shtëpia Botuese “Baechus”, Tiranë, fq.65) e po kështu me foto e tekst edhe tek “Fjalori enciklopedik” i gazetarëve e publicistëve shqiptarë (Botim i Entit Botues “Gjergj Fishta”, 2005).
Mes gjithë botimeve për të vjen e konfigurohet portreti i profesor Balës: që në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër ai fillon të shkruaj e të botojë. Nisi studimet e larta në Universitetin e Barit (1943), por i ndërpreu dhe mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në vendlindje. Pas luftës, studioi në degën e filozofisë në Universitetin e Zagrebit (1946-48) dhe vijoi e përfundoi studimet në degën e gjuhëve dhe letërsive neolatine në Universitetin e Bukureshtit në vitet 1948-1952.
U shfaq si poet me 8 vëllime. Veçanërisht pati jehonë poezia e tij “Doli nana në çardak”, e përfshirë në mjaft antologji dhe e muzikuar nga Çesk Zadeja. Fëmijët e kohës domosdo nuk kanë se si ta harrojnë për krijimet që u adresoi atyre. Monografitë për Elena Gjikën, Pashko Vasën, Nolin, Migjenin, Viktor Eftimiun e Gjergj Fishtën (kjo e fundit e shkruar në vitin 1961 dhe e botuar pas vdekjes së V.Balës, në vitin 1998). Kontributi i tij spikat edhe në studimin e marrëdhënieve shqiptaro-rumune e në përkthimet nga letërsia rumune.
Qe me titull profesor, i lauruar me çmimin e Republikës së shkallës së parë, por mbi të gjitha qe njeri i klasit të “zotnive” të Shkodrës. Vënia tani e një rruge të qytetit me emrin “Vehbi Bala” duhet çmuar, edhe pse të një rrugëze, por them se është ende pak për gjurmën e pashlyeshme që ai ka lënë në kulturën shqiptare.
  

Miliardierja ime

Miliardierja ime

Nga miliarda nëna që ka patur kjo botë,
Padyshim nëna ime është më e mira në tokë,
Dhe në pastë miliarda nëna në planete të tjerë,
Nëna ime do të jetë më e mira miliarda herë!

Vargje të tjera nuk kanë asnjë vlerë…

(Botuar ne gazeten letrare “Muzgu”, mars 2014
nga Skender Temali

  

UNË, BALLKANI DHE EUROPA

SKENDER TEMALI
-Shkodër-

UNË, BALLKANI DHE EUROPA

Ballkani – vullkani,
Homeri – Skenderi,
Ylberi, shtërngata,
Dhe dita e nata,
Dhe kripa e mjalta
Dhe pena e shpata!

Ballkani – zhegani,
Stuhia – kallkani,
Fuçi e barotit
Dhe pika e lotit.

Qyq mbeta me shekuj
Tek portë e Europës,
Porsi muhaxhir
Unë biri i Shkodrës,
I lashtë sa ç’është
Çdo bir i Romës.

Dhe për ty Europë
Gjëmova n’beteja,
Se kur Azia
T’afrohej si reja,
Kur përtej detit
Do t’ishe ti preja,
Mburojë t’u bëra,
T’mos binte n’ty ploja,
T’mos kishe at fat
Që pat dikur Troja!

Kush erdhi më la
T’zharitur, t’përgjakun,
Po n’shekuj Europa
S’ma dha mua hakun!
Se haku është gjaku,
Është praku, oxhaku,
Është fisi, është lisi
Është bari dhe plisi,
Është Drini dhe Buna,
Qeleshja dhe guna,
Është A-ja dhe B-ja,
Dhe S-ja dhe Zh-ja,
Buzuku, De Rada
Është pena dhe shpata!

Eca e eca
Mes territ e natës
Në shekuj kryelartë
Mbi tehun e shpatës,
Në shkallë të mjerimit
Që njohën veç zbritje,
Me zjarret e ndezur
Në treqind kryengritje!

I mbrapshti Ballkan,
I miri Ballkan,
E keqja, e mira
Na mblojnë me jorgan,

Në epin tënd
Përkundet gjith’ bota,
Ç’i dhe ti asaj
Krenohet Europa,
Por shpesh Shqipërinë
E la n’dorë të Zotit,
Fishtjanja e njohur
E bukura e motit!
Se t’pau deri vonë
Me syrin e njerkës!
Më ndau me vëllain,
Me vllain tim dardan,
Andej më ndau
Me vëllain tim çam,
Liqenin e Shkodrës
Ma ndau me shpatë,
M’i vrau agimet,
Më la vetëm natë!
Rrojta, s’u shova
Ashtu i përgjakur,
Me shpatë e me hutë,
Me flamur t’përflakur,
Një pllëmbë qiell
Një pllëmbë dhé,
I mbrojta me jetë
Se quhej atdhe!

U treta, por mbeta
N’shkëmbinjtë e thepisur,
Me ftyrën nga deti
E kokën në male,
Me hutën e mbushur
E torbën me halle!
Kaptova sa shekuj,
U enda mbi dete,
M’u shprish gjak i arbrit
Në pesë kontinente,
Një ditë të bukur
Në jetë nuk e pashë,
Ku vllezër e motra
Të mblidheshim bashkë.

Tek portë e Evropës
Kam ardhur, trokas,
Se jam europian
Asaj i përkas,
Kam flakur tej torbën,
At torbë lypsari,
Hej, bëjini zë,
Ka ardhur shqiptari!

Po s’jam i vetëm,
Me plot shtatqind breza,
Na prin Skenderbeu,
Na ndrin Nënë Tereza,
Luftarë, shkenctarë,
Puntorë, shkrimtarë,
Me duart e bardha
E zemrën si ar.

Kjo rrugë e Evropës
T’tatpjeta, t’përpjeta,
kjo rrugë e Evropës
e shtrenjtë sa jeta,
në shekuj e humba,
në shekuj e gjeta,
unë Arkimedi
që thirra Eureka!

Trokas e trokas,
Në der’ të Evropës,
I lashtë sa ajo
Unë biri i Shkodrës,
Trokas edhe pres
T’ma çelin ktë portë,
Të rrjedh
Ashtu vrullshëm
Si gjaku n’aortë.

Jetoj n’ Europë,
N’Ballkan jetojmë ne,
N’ktë tokë të stërlashtë
Që quhet atdhe,
Fuçinë e barotit
Që shekujt përgjaku,
E ruaj fort,
Ta çoj në muze.

Ballkan-djepi im,
Atdhe-varri im,
Ti s’shitesh as blihesh,
As ndahesh më dysh,
Tapi e përgjakur,
Me gjysh, katragjysh
Të dua pa pytur
Si edhe qysh.

Shqipëri e lashtë,
E lashtë sa bota,
Rrethuar me mite,
Stuhi edhe shqota,
Me rrënjë futur thellë
Ku nisin vargmalet,
Pranverën paç stinë,
Dhe shtrat paç petalet!

  

Në pazar të Zdrales

(Pak histori, satirë e humor)

Zdralja është një lagje e vjetër në kërthizë të Shkodrës. Në kërthizë të lagjes është pazari më i madh që ka qyteti ose “bezisteni” i kohëve moderne! Këtu shitet gjithçka: që nga kastravecat sa të hajdaragës e deri tek rrenat e barcoletat, që nga njalat sa krahu e deri te ushujzat për derman, që prej rrakelave të penit e deri tek çentrot e enduna me grep e të ngrime me niseshe, që nga salca që shesin nepër kavanoza gratë me degërmija të Oblikës e deri tek mandate e tokës që shet një miku im nga rrethinat.

Në krye të rrugës që përshkon tej për tej Shkodrën, (e kuptohet edhe Zdralen e Shkodrën që nga Bregu i Bunës e deri ku merr rruga për malësitë) pat themelet “Shtëpia e mushkajave”! Qe një godinë e vogël ku liheshin dikur pesticidet kundër mushkajave, bartëse të sëmundjes së malarjes. Ndofta nuk e besoni, por të hollat për ndërtimin e saj e pesticidet për gjithë qytetin i pat dhënë Rokfeleri, industrialisti i madh amerikan, që nga njeri i varfër u bë një nga më të pasurit e botës e një nga filantropët më të zëshëm që ka njohur njerëzimi! Por, paradoksi qëndron se askush asokohe e as sot nuk u kujtua të përjetësonte miliarderin amerikan, por mushkojat!!! Toponimi “Shtëpia e mushkojave” është sa absurd, aq dhe qesharak!

Tash të vijmë edhe njëherë tek emërtimi tjetër absurd, Zdrale!

Shekuj më parë, në Zdrale ka pas kenë shtegu i dhenve, që kalonte përmes një pylli, pasi, siç e dijmë, qyteti qe i shtrimë me lagje rreth kalasë Rozafa. Qe një vend ku çobanët në shtegtimet e tyre të dimnimit apo verimit të mijëra kokëve bagëti, teksa po vinte nata, këtu banin një ndalesë, se në pyll bagëtitë i priste ndonjë egërsinë, hajn a cub. Çobanët këtu thernin keca e rrapullitë i hidhnin tej, bagëtitë po bajga, shurrë e kokërdhija e vendi ndotej aq shumë sa vinte era stërc me javë. Nga kjo pat mbetë edhe emni zdrale, fjalë që “Fjalori i gjuhës shqipe” na e spjegon si “Lerë në trup a në rroba, që bëhet nga të palarët, zhul”. Po ec e hiqe këtë toponim!!! S’pat pushtim, pushtet a diktaturë ta hiqte! Ven e çven emra emra heronjsh e prap Zdrale se Zdrale! Kjo është një çudi më vehte, se çudija tjetër është se mund të pish edhe një “Zdrale”, dmth të blesh një pako kafe me emërtimin “Zdrale”!!! Se edhe bashkia e ka fort të lehtë të heqë emra heronjsh të Luftës Nacionalçlirimtare nga rrugët e sheshet, po pa një e pa dy ia ven jo një rruge, por sheshit më të madh, “Sheshi Zdrale”. E ku, bash aty ku çobanët shekuj ma parë piqnin kecat! Aty ku sot rrah krapi në trotuar e livron njala në akuarium, kur fort kollaj mund t’ia vinte emrin e një tregtari të ndershëm shkodran.

Fjala vjen, sa i mirëpritur do të ishte emri i tregtarit të dikurshëm Idriz Gjoka, jo vetëm se e kish shtëpinë e dugajën e manifaturës në Zdrale, por edhe sepse u bante pajën për martesë pa asnjë metelik vajzave të familjeve të varfna shkodrane!

Shetis nëpër Zdrale…I njoh shumë e shumë familje autoktone! Secila ka histori e ka bërë histori. Sa të pakujdeshëm që jemi, por edhe mosmirënjohës: bash këtu, pra në Zdrale e bash në zemër të saj është një rrugicë qorre kund me nja dhjetë shtëpi që mban emrin e gjuhëtarit e bibliografit më të shquar shqiptar, Jup Kastrati! Paradoks tjetër: Jup Kastrati i madh në një rrugicë qorre!!!

Ndërkohë që unë endem sa poshtë e përpjetë, edhe Zdralja lëviz. Karroca me kuaj me zile të mbushuna me pambuk që të mos tingëllojnë e t’i vidhen policisë mos t’i gjobisë, dum-duma, kamionçina, “Bensa” katundarësh gjithë pluhur, motoçikletat e qumështit, biçikletat e dikurshme kineze, të larta për shalgjatë e që përballojnë deri dy kuintal, me të zotët e tyre e zgjojnë këtë qytezë në mes të qytetit. Dikush me tangarllëk e që ka të punësuar ndonjë hallexhi në dyqan e pi një fërnet duke ba me tavolinat kojshi llogje kavaje, kujt s’ia qet xhepi ban demek se nuk ka nge për një kafe, pasi malli duhet shkarkue e sistemue që kur të zgjohet Shkodra gjithçka të jetë si s’ka më mirë. Pra lëvizin tarabat metalike me disa kajnaca, spërkatet vendi para dyqanit në formë të shatërvanit me shishe plastike të shpueme, vihet një çmim me një shkrim pulash (por dhe me kartuça me çmime rezervë, ma nalt apo ma poshtë, se mund të lëvizë “kursi i dollarit” në Tokio!), shahet me libër shtëpie një stacion radiojeje ilegale që pa hangër sorra m…transmeton këngë që s’u merr vesh asnjë fjalë, tregohet se kujt iu dogj shtëpia mbrëmë e kujt iu shpue lodra e veshit, shpërthen gazi pas një barcalete me fjalë të ndyta…E kështu pazari i Zdrales bahet gati me të thanë “Nadja e mirë” e “Urdhno zotni”!

Këtu ke ç’ka po don! Të serviruna me zotnillëk sa nuk e din se çfarë ju tej ble, mallin apo zotnillekun, se tash edhe të ardhunit me ba tregti nga rrethinat kanë fitue mjaft nga qytetaria e traditës tregtare shkodrane. Bile thonë se mos paçin mësue gjuhë të huej sa qenë në emigrim, po e mësojnë tash njeni me tjetrin, në kohën kur nuk ka klientë e vrasin miza. Se s’ka ditë që në dyqanet e para tezgave përpushen edhe të huaj, që habiten sa s’ka me freskinë e zarzavateve e të frutave, por dhe me çmimet ku e ku me ato të vendeve të tyre, se, për fat, tash e parë e përditë vijnë me dhjetra e me qindra që vizitojnë muzeun historik të Shkodrës, në shtëpinë e “Oso Kukës”, që është kaq pranë tregut të Zdrales. Ulqinakët që vijnë këtu përditë me ba pazar unë s’po i përziej me turistët e huaj, se janë shqiptarë.

E ndërsa shetis, dy tregtarucë si kacagjela, po zihen me njëri-tjetrin se ai më përpara ia kishte ba me hile atij që vinte mrapa me shporta e zymyla të mbushuna me mandandoz, pasi tri tuba nisi t’i shiste 20 lekë, kur ai mbrapa e shiste një tubë 10 lekë! “Ke qenë e mbete karabush, – i gërmushet i pari! – Hala se more vesh se çka don me thanë tregti me shumicë e me pakicë!!!”

Sa dyqane ka gjithsejt ky pellg tregtar? Qindra! Të sistemuar e të pasistemuar, ndonjë modern e higjenik, si “Qendra tregtare”, përbri një kaçorre pulash, ma ndej një tavolinë ku të mbyt era e uthit të ullinjve, djathë me erë e pa erë, batanije leshi e çarçafa shtretërish dopjo, detergjente origjinale, por dhe me afate të korigjueme, radio kineze që bahen memece pas një viti, bateri të skadueme, grepa për peshkim, kamardare tajlandeze, tezga me mollatarta si po i don, kertolla Vermoshit, patlixhana që shkëlqejnë e mandandoz që dikur e patën përdorë me tuba në çorbë dudumët në vend të viagrës, kumbulla bardalike, kunguj për fërgesë e për laknuer, qershia pa tortë, bamje në varg, bishtaja pa fije, rrush, fiq, bostan, fidana specash e laknash, zerdelia e pjeshka, qepë prej Postribe…Ia kanë marrë dorën rrenës…Tanë të thonë se i kanë këputur nga zbardhë drita në tokat e tyre…në serat e Lushnjes!…Janë thuajse tanë njësoj, si konviktorët e dikurshëm…Se s’kam pa ende fiq shnjinza e llapadana, melacakë e tivaras, aq të shijshëm që s’u munguan kurrë bahçeve të Shkodrës! Si s’e pashë një dymlek e ta ruaja për dimër! Pa le pastaj ndonjë gjelltore përreth që të ngopë me pilaf e tasqebap, me makarule e paçë plancash, me ndonjë ëmbëlsirë që e gjen gjithkund, po nuk pamë nëpër meny njëherë sazerm, aksude, tespixhe, haxhimakulle e sa e sa të tjera, që nënat tona i patën mësue nga vjehrrat e tyre.

E ndërsa shetisja poshtë e përpjetë Zdrales, m’u kujtua se pata shkrue para disa vitesh një poezi. Me të po e mbyll dhe këtë refleksion:

Në tregun e rrenave
gjeta të vërtetën,
E bleva,
Domosdo,
Dhe e pësova…
gjithë jetën.

S’u bëra pishman,
më mirë një ditë me të vërtetën
se sa gjithë jetën
rrenen ta kisha jorgan…

  

DISA FJALË PËR VEPRËN “TANAGRA”, HISTORIA E GENIT DHE E GJUHËS E DR.NAIM LAÇEJ

Si shkrimtar e kam të lehtë të rendis disa fjalë për të, siç e kam edhe të vështirë të jap mendime të pakontestueshme rreth vlerave të tij, pasi, që të jem realist, në këtë që po them e në ato që do të parashtroj, kjo vepër të kërkon që të jesh edhe gjuhëtar, edhe historian, edhe gjeograf, edhe arkeolog, edhe folklorist, edhe sociolog, edhe etnolog e biolog, me një fjalë të kesh atë kurajo që pat autori për të eksploruar deri në embrion, vetëkuptohet edhe me ndihmën e njëmijë e sa referimeve e të një shumësie bibliografie vendëse e të huaja, që do të lakmonte çdo studiues. Për mua, kjo vepër, veçse e një rëndësie krejt të veçantë shkencore, është edhe një vepër atdhetare, që më bën të rikujtoj një strofë timen: “Tani jam plak e më kanë rënë dhëmbët/ S’hyp dot tek degët, por preferoj rrënjët”. E thënë ndryshe kjo vepër shkencore e mirëfilltë nuk është një vështrim horizontal i prejardhjes sonë e pozicionimit tek rrënja e evropianizimit, por një sondim vertikal, duke sjellë argumente e kundra argumente, me ftohtësinë që i sheh studiuesi serioz, duke shmangur fluturimet që mbesin në erë, pa lënë gjurmë e pa ta ngrohur zemrën. Kur them se ai gjykon me ftohtësi, nënkuptoj atë se autori ka punuar shumë për të na bindur për ato që thotë, se kush jemi e pasi e thotë këtë me bindjen e tij të palëkundur, lexuesi e padyshim edhe autori e ndjejnë krenarinë e të qënit shqiptar në kontinentin e vjetër të botës.

Sot, kur pseudoshkencëtarë të huaj, apo shkencëtarë me qëllime të mbrapshta, më shumë të huaj e më shumë komshinj, bëjnë çmosin me veprat e tyre të na largojnë sa më shumë nga rrënjët e civilizimit europian, “Tanagra-Historia e genit dhe e gjuhës”, hedh dritë të plotë rreth një problemi shumë të debatuar, siç është ai i etnogjenezës së shqiptarëve. Lexuesi i vëmendshëm i kësaj fushe nuk ka se si të mos kujtojë librin e parë të Naim Laçejt “Pellazgët flasin”, të botuar vite më parë e që pat zgjuar jo pak polemika për tezat që hedh e mbron. E nëse, në librat e tjerë, artistikë apo të fushave të tjera, ka plot dedikime për prindër, motra e vëllezër, për mësues e shokë e kudi unë, Naimi në faqen e parë të librit të tij të parë ka këtë dedikim domethënës: “Ja kushtoj atyne që më trashëguan genomën bio-sociale të shqiptarëve”. “Pellazgët flasin” qe si parathënie e “Tanagrës”, ose, e shprehur në mënyrë metaforike, ky libër qe prolog, ndërsa “Tanagra-Historia e genit dhe e gjuhës”, është epilog shkencor i një niveli të tillë që do ta ëndërronte çdo kush që udhëton edhe shekuj para Krishtit, duke zbritur deri tek rrënjët e së vërtetës. Kjo është një vepër që të bën të mendosh thellë për të vërtetat e të pavërtetat rreth genit tonë e të gjuhës.

Pasi e lexova veprën “Tanagra”, impresionet e para i hodha në letër e më pas edhe në një paraqitje të shkurtër në adresen time të facebook-ut. Klikimet dhe komentet, jo vetëm në adresën time, por edhe faqen elektronike ëëë.albacenter.it, që fatmirësisht e kuron motra ime, Albana Temali-Stanzanni, me një jetëgjatësi disa vjeçare e që ka mijëra vizitorë, shqiptarë e të huaj, pasi paraqitet në tri gjuhë: shqip, italisht e anglisht, qenë edhe më impresionuese, sepse autori kishte arritur jo vetëm të zgjonte interes shkencor, por edhe të linte gjurmë, sa shumë shqiptarë janë shprehur se presin që kjo vepër të njohë edhe përkthim në anglisht, që bota shkencore ta marrë vesh se kush është te rrënjët e kush te degët.

Përmes një aparati shkencor e bibliografisë, atë që thotë e shtron, tek “Tanagra” autori e argumenton. Për të bërë më bindës hulumtimin e tij disavjeçar, po sjell një shembull: Vetëm kapitulli “Dardanët”, me 100 faqe, ka 322 referime nga vepra të ndryshme të autorëve tanë e të huaj. “Në këtë studim, dardanët përbëjnë elementin më të rëndësishëm gjenetik dhe filologjik dhe në të njëjtën kohë studimi tregon se ata ishin ura lidhëse në mes të civilizimit perëndimor dhe atij lindor… “Tek kjo racë pellazgësh, siç pohon autori, mbështetet ky studim për të provuar edhe origjinën monogjenetike të gjuhëve, si dhe lashtësinë e genomës biosociale të shqiptarëve”.

Ky libër, me 420 faqe, hapet me “Harta e foto” dhe mbyllet me “Tregues të njerëzve dhe vendeve”. Mendoj se zemrën e veprës e përbën kapitulli “Dardanët”, edhe për faktin se autori dardanët i konsideron si kolonën vertebrore të kombit të sotëm shqiptar, duke argumentuar se ata kanë qenë banorë të rajonit të Mesdheut e më gjërë, të dëshmuara nga historiografia pesëmbëdhjetë shekuj para Krishtit, njëri nga fiset kryesore pellazge, gjuha e gjenezës të të cilëve ishte dhe është pellazgjishtja njërrokëshe, ndryshe gegërishtja e sotme e shqipes.

Dr. Naim Laçej, na ka dhënë një vepër që të bën të mendosh thellë për hapat që ka hedhur njerëzimi që nga gjeneza dhe për rolin e dorës së parë që kanë luajtur të parët tanë, pellazgët e veçmas dardanët, në themelimin e civilizimit europian.

SKENDER TEMALI

  

Lagja ime

Lagja ime

Dërguti është një lagje aq e qetë
Sa në shekuj s’ka patur asnjë dramë,
Nënat me degërmia qenë zonjat vetë
Dhe patën për zot ca burra hijerëndë.

S’pat shtëpi pa kopësht, pa pus e pa oborr,
E s’pat një konak pa hysmeqar,
Burrat në kushtrime e nxirrnin një taborr,
Po qenë kryelartë se s’nxorrën një tradhtar!

Ec në ato rrugë ku m’rrodhi fëminia,
Pas një rreth teli a një kafaz bylbyli,
N’xhami ku jepte vasë Hafiz Sabria
A n’bibliotekë ku m’priste Teufik Gjyli!

Sa hyja në shkollë, thonin shihni njishin,
Se pesat me yje sa s’më dilnin nga çanta,
Se kisha mësuese Meliha Dervishin,
Nga gjithë ç’kam pasur, ajo më e veçanta!

Tani shkolla fillore është shtëpi banimi,
Dhe shumë rrugë në lagje kanë ndryshuar,
Po nën çdo strehë më zgjohet kujtimi
I një kohe që kurrë s’ka për t’prenduar!

Dërgut, djepi im, me flatra kujtimesh,
E Shkodrës së lashtë ti lagja parajsë,
Petale pranvere e vatër agimesh,
Një det dashurie i thellë, i pamasë…!

Skender Temali
Shkrimtar
Dërgut | Shkodër 2013

  

E PAGUAJ UNË KËTË TAVOLINË…

SKENDER TEMALI

E PAGUAJ UNË KËTË TAVOLINË…
-tregim-

Edhe atë ditë qershori, si përditë nga ora dhjetë, u ula në tavolinën e Kafes së Madhe e me të njëjtit shokë. Kafeneja, si brenda dhe në verandë ishte dinga, si çmos kurrë. Trazimet e mars-prillit të 97-ës po ia linin vendin ditëve të zakonshme, edhe pse sa binte errësira, njerëzit kyçeshin brenda. Krisnin automatikët në qiell, aman o zot! Tre veta deri atë ditë kishin shkuar në parajsë nga plumbat qorr. Në banka hynin minjtë e thyenin kokat. Pronarët e hoteleve e kabinave të plazhit të Velipojës po përgatiteshin të shpallnin falimentin. Askush s’shkonte atë verë në plazh, e cila, si për inat, erdhi me temperaturë të lakmueshme për det.
Në këto kushte, ato që morën frymë më shpejt qenë lokalet. Sot një tavolinë, nesër dy e kështu erdhi çasti që, ngase plazhet bënin pushim, dyndja më e madhe ishte në rrugët kryesore të Shkodrës e sidomos në pijacën e saj, pasi këtu e ndjenim vehten më të sigurt.
Jeta qe e ambullt. Koncertet mbanin zi. Diskutohej të shtyheshin vadat e dasmave.
Si jeta edhe bisedat. Aq sa, me Luigjin e Dullën, që njiheshim si një treshe simpatike qytetare, atë që ia thonim sot njëri-tjetrit, e përsërisnim nesër, madje zumë të qisnim edhe fall për të vrarë kohën. Kjo më shumë për humor. E pinim kafenë, e linim të kullonte pak, përmbysnim filxhanët dhe ia nisnim trillimit, sa kjo na zhvilloi edhe imagjinatën. Gjithnjë parashikimet i kishim rozë, me shumë lumturi vetiake e familjare, edhe pse asnjëri prej nesh në ato muaj s’qemë pa ngjarje aspak të këndshme, fjala vjen, siç e pata edhe unë ditë më parë e për të cilën Dulla, tek më hidhte fall, më pat thënë “Shiko, se të pret një ngjarje e pakëndshme…”.
I pari atë ditë në kafene mbrrita unë e pas meje Luigji e Dulla.
-E morët vesh? – na pyeti Dulla.
-Çfarë?
-Sulë Taraboshit sot pa zbardhë drita i dolën dy me maska dhe e bane trokë.
-O, ç’ka po më vjen keq! – thashë unë që më mirë se dy shokët e mij e kisha provuar atë sherbet.
-S’ka asgjë për t’u habitur! S’ka shtet! S’ka polici!
Me atë që tha, Luigji më doli në shteg, e më dha të drejtën t’u ritregoja edhe njëherë vjedhjen e të hollave në shtëpinë time nga njeriu me maskë. Sakaq pranë tavolinës sonë u afrua një djalë rreth të tridhjetave, i cili, edhe pse s’durohej as këmisha në shtat nga të nxehtit, mbante të veshur një xhaketë dhe bënte kujdes që ajo të mos i hapej. Meqë s’kish as karrike bosh në tavolinat e tjera, na kërkoi leje të ulej tek ne.
-Të më falni, – kërkoi ndjesë ai, – po kam lënë një takim këtu me një shok e ai vjen nga Përmeti. Shkodrën e njeh shumë pak. I thashë se po e pres në qendër të qytetit, bash këtu në Kafen e Madhe, se s’ka zog shqiptari që të mos e dijë se në botë tri janë të mëdhatë: Kina e Madhe, Britania e Madhe dhe Kafja e Madhe…
Edhe pse një humor të tillë e kishim dëgjuar me kohë, për politesë a korrektësi, si të doni quajeni, vumë buzën në gaz, sikur të mos e dinim se ai po rendiste gabim, pasi ajo bëhej kështu: Kafja e Madhe, Britania e Madhe dhe Kina e Madhe.
Ndërkohë kamarieri solli kafetë që kishim porositur.
-Po ju, çfarë dëshironte të pini, zotëri?!
Ai refuzoi, me argumentimin se priste përmetarin dhe me të do të shkonin për një urim e ku me siguri do i qerasnin me gjithë të mirat.
-Po ndofta ai vonohet, mirr diçka, – këmbëngula unë, duke treguar në kavaljerllëk ADN-në e shkodranit. Pranoi një freskuese.
-Këto i keni prej meje, – tha ai.
-As mos të shkojnë ndërmend, – u hodha unë si kacagjel. – Na gjete.
-Jemi në kafe publike, – nxitoi të thoshte ai. – S’të kam ardhur në shtëpi…
-S’qënke shkodran! – konkludova unë.
-Jam dhe s’jam!
-S’të kuptoj!
-Unë prej vitesh jetoj këtu.
-Dmth i ramë! – gjuajti Luigji me nënteks.
-Si ta marrësh! Tanë shkodranët janë të ramë. Dikush më heret, dikush më vonë.
Heshta, pasi e dija fort mirë se shekuj më parë shkodranët jetonin në lagjet rreth kalasë, pas pushtimit turk iu qepën maleve e si erdh duke u fashitë zemërimi i tyre, çpyllëzuan çka merr nga Çinari i Tophanës, nga fushë Çela në Serreq e përtej, ndërtuan shtëpi e hapën rrugë.
Dulla, si Dulla. E nisi një muhabet do ta çojë deri në fund:
-Sulë Taraboshi qe zgjuar pa rënë drita të shkonte të mirrte vizën në ambasadën italiane në Tiranë. Maskat i dolën diku tek rruga e gjërë e stadiumit. Pistoletën në kokë dhe…E takova para një ore. S’kishte aq hallin e parave të grabitura, sa të pasaportës që ia kishin marrë.
-Mirë që paska pshtue me kry!
-Kohë e keqe! – tha dikur Luigji, i cili, për të treguar më shumë nivelin e tij intelektual në sytë e të sapoardhurit, shtoi: -Kohë e Diogjenit. S’e gjen më një njeri të vetëm.
-Uf, -ia bëri Dulla, – pse, për shembull ne nuk jemi njerëz?
-Dullë, thënia ime e ka një mesazh. Kjo botë u shprish. Veç tuej ia futë njeni-tjetrit nenkamcen e për ta rrxye kryepicingul.
-Hajnit i ka borxh mbreti, – plotësova unë që e kisha vuajtur në kurriz dorën e tij edhe pse s’qeshë as princ e as mbret, po një copë pensionisti…Ju e dini, zotëria jo, se unë e kam një bahçe. Përvit e kam mihur vetë me një bel, po sivjet s’ndihesha mirë nga kolona e një pesëmijë lekësh ia bëja hallall një punëtori krahu. Shkova tek “Omonia” e Shkodrës, tek Isa Boletini, po askush nuk më pranoi nën një Bogdan.
-Bogdan? Ç’është ky Bogdan? – pyeti Dulla
-O Dullë, se po më çmend, po ti e ke në xhep një bogdan, – thashë unë, ndërkohë që Dulla kishte nxjerrë një dhjetëmijshe si për të vërtetuar atë që thashë.
-Dreq, kurrë s’e kam pa. Po pse, ky qënka më i madh se Naim Frashëri e Ismail Qemali?
Luigji, që gjithnjë e mbante veten superior në dije ndaj Dullës, s’humbiste rast ta thumbonte e ta tregonte vehten:
-Pjetër Bogdani jo se është më i mirë se Naimi si poet, por se është poeti i parë i madh shqiptar! As këtë s’e ke mësuar tash njëzet vjet që pijmë kafenë bashkë?
Dulla sikur e ndjeu vehten ngushtë dhe kaloi një hurth kafeje.
-…Kur do ti, – vazhdova unë, – duke ardhur në shtëpi shoh një burrë me një lopatë në krah. Ecte në këmbë për shtatë palë qejfe, më duket se edhe këndonte. I dal përpara me biçikletë dhe tani kuptohet prej jush se ai e pranoi pesëmijëshen që i propozova, se një përçik bahçe kam unë. E ai, para se të më thoshte po-në, më pyeti nëse mbaja qen dhe kur unë i thashë se i kisha zët, pranoi dhe u vu pas meje. Shkuam bashkë në shtëpi dhe ai pa një e pa dy nisi të mihte tokën. I jepte fort këmbës së majtë, e përmbyste plisnin e ndante me tehun e belit dhe me bythën e tij e shkriftonte, siç edhe dëshiroja unë, aq sa po më bindte që kurdoherë të mos kërkoja tjetër e nëse e çonte punën ashtu deri në fund t’ia shtoja edhe një Naim…Ime shoqe, si sojnike që është, nxitoi me tabaka t’i nxirrte një teke raki dhe një kafe.
-E kisha dashtë edhe një lugë sheqer, – i tha ai gruas dhe si më uroi e ktheu me fund puturin.
Gruaja solli kupën e sheqerit.
U ula në një stol druri që t’i jepja muhabet, ndërsa ai pa teklif në një bucë bari.
Fjalë pas fjale, ai më tregoi se punën e bënte që të mbante trupin në formë e jo se kishte nevojë, pasi tash e parë djemtë, emigrantë në Angli, i dërgonin lumë parashë. Fjala sjell fjalën dhe i tregova se fatmirësisht edhe unë e kisha marrë vehten pas një hiseje disa milionëshe që i kishte rënë sime shoqeje nga pronat e gjyshit të saj.
Nuk m’u duk me interes për tavolinën e aq për djaloshin që të hyja në detaje të panevojshme, si për shembull të një aksenti krejt të veçantë në mënyrën se si i shqiptonte disa fjalë e që e padiste se duhej të ishte i ramë vonë në Shkodër e aq më shumë për një të prerë në pjesën e djathtë të qafës, të cilën nuk ia kisha vërejtuar kur e takova.
Bëra një pauzë. Dulla dëgjonte me një kuriozitet të tepruar, sikur të mos ishte e pesta apo e gjashta herë që e dëgjonte, ndërsa Luigji si gjithnjë, me një dozë indiferentizimi.
-Si kreu punë, i dhashë hakun. Iku duke vërshëllyer.
-Këtë na e ke treguar edhe dje, – tha me zë të ulët Luigji, po tani qe djaloshi i cili këmbënguli ta vazhdoja atë histori.
-Pas një jave, andej nga mesnata, ndërsa po kthesha sa në njërin krah në tjetrin, dëgjoj një krrak. Më dogji. Të ishte në shtëpi ime shoqe, do ta pyesja nëse dëgjoi gjë apo jo, por ajo kishte shkuar të flinte tek e motra në Lezhë…Bëj të ngrihem nga shtrati, por nuk qe nevoja…
-Mos luaj prej vendit se t’i nxorra trutë në erë, – dëgjova të më kërcënonte dhe në gjysmë errësirën e dhomës pashë një njeri me maskë në kokë që më kishte drejtuar një pistoletë.
-S’kam asnjë kryq leku në shtëpi, – thashë unë. – Edhe pensionin e marr pas një jave.
-Ke, ke ti, se s’ka shkodran pa prona – hakërroi ai.
-Të betohem që s’kam patur kurrë në jetë…Jam rritur në shtëpinë e fëmijës…
-Mos paç ti, ke nga gruaja! – preu shkurt ai. – Hajde, ngrihu e trego vendin ku i mbani se t’i hodha trurë në erë…
-Epo gëzuar! – na uroi djaloshi me xhaketë!
Dulla më shikoi dhe me atë shikim sikur më thoshte t’i jepja një tegel bisedës e të mos e mërzisja mysafirin.
-Jo, jo, – shprehu sërish kuriozitet djaloshi, – le ta vazhdojë zotëria, edhe pse unë tashmë e mora vesh se kush ishte hajduti.
-Si, si është e mundur? – pyeti Luigji si më impulsiv.
-Po unë me këtë punë mirrem, zotëri! Jam punonjës policie. Njeriu me maskë që të kërkonte para, nuk kishte si të ishte dikush tjetër, veçse argati i bahçes…Të pyeti për qen, qen nuk mbaje…Të tregoi se s’kishte nevojë për para se lundronte në ato që i çonin djemtë nga Anglia dhe ti, si për të mos qëndroje pas tij, iu mburre se kishe trashëguar disa miliona nga hisja e gruas tënde…Ai këtë donte, të ta zgjidhte gjuhën.
Tha kështu djaloshi me xhaketë të fryrë nga pas dhe nxitoi të ngrihej si ta kish pickuar zekthi. Drejt tavolinës sonë po vinte një burrë apo më mirë të themi djaloshi po nxitonte t’i dilte atij përpara. Do ti që tjetri as desh t’ia dinte veprimit të djaloshit, po me hap të gjatë iu afrua tavolinës.
-Njatjetani burra! – uroi ai, i hodhi shpejt e shpejt një sy tavolinës tonë, po nuk pranoi të ulej.
-Shoku yt nga Përmeti na doli në telefonin e shtëpisë dhe tha se nuk vjen dot…Të kisha dëgjuar se ku po e prisje dhe erdha të ta thoja.
Nga mosha e afiniteti kuptohej se ai duhej të ishte i ati.
-Po urdhëro e ulu! – e ftoi Dulla, me naivitetin e tij, edhe pse nuk kishte karrike bosh, ndërsa mua desh më ra pika. Ishte ai që kisha pajtuar për të më thyer tokën në bahçe…E njoha nga shenja në qafë dhe nga zëri, nga aksenti…Ishte ai që një javë më parë më kishte bërë “inventarin” e shtëpisë me pistoletë në dorë…mbase me atë që mbante i biri nën xhaketë…
-Ah, jo, – iu rritë ndera! – tha ai tanë burrni dhe ndërkohë futi dorën në xhep dhe nxorri që andej një bogdan, të cilin ia hodhi në tabaka kamarierit.
-Këtë tavolinë e paguaj unë! – tha ai me kapadaillëk, dhe sakaq na ktheu shpinën pa e zgjatur, por ama duke më shikuar mua. Besoj se më pa. Besoj se edhe më njohu.
Qeshë i bindur se kartmonedha që ai i hodhi kamarierit në tabaka qe një ndër bogdanët e macetës së grabitur në shtëpinë time.
E çfarë bëra unë? Ju do të mendoni se vajta menjëherë në polici e të bëja denoncimin përkatës. Po kush do më dëgjonte në ato ditë të turbullta? Me siguri i biri ose një shoku i tij.
S’bëra asgjë tjetër veçse ula sytë dhe pashë nga fundi i filxhanit të kafesë. Vijëzat në të tregonin se të ardhmen do ta kisha të lumtur!

  

Shënime për librin poetik “Curriculum Vitae”

Nga Fatmir Minguli / (Shënime për librin poetik të shkrimtarit Skënder Temali “Curriculum Vitae…” )

Ndeshem për herë të parë me një libër të shkrimtarit shkodran Skënder Temali. Por duke u njohur me botimet e tij mëson se është autor i dhjetra librave me poezi, tregime ,novela, romane . Tek i bëj një shikim të shpejtë këtyre botimeve vërej se me këtë shkrimtar ndogh një parabolë ndryshe nga shumë të tjerë. E ka filluar me poezi krijimtarinë e tij ,ka vazhduar me prozë dhe përsëri i është “vënë “ poezisë. Eshtë pikërisht dhe libri i tij i fundit me poezi që po analizoj dhe që titullohet “Curriculum Vitae”. Një titull zyrash, do të thonte dikush. Për nga forma ashtu duket, por po të hysh brenda mureve të udhës së jetës të këtij shkrimtari do mendosh ndryshe. Do mësosh pak a shumë për jetën e një shkrimtari shkodran që nuk i ka lëvizur themelet nga qyteti i tij , themele të forta do të jenë e që nuk lëvizin kollaj. Kanë fryer erëra edhe të forta për t’a çuar atë drejt Tiranës, kryeqytetit të letrave shqipe,”aty ku bëhet emër” por nuk kanë mundur të trondisin shkrimtarin, ashtu si dhe adashin e tij Skënder Drinin, shkrimtarin tjetër shkodran. Një parathënie e Skënder Temalit në këtë libër midis të tjerave thotë “ Se sa ia kam arritur në këtë gjysmë shekulli krijimtari , dyshoj.Dyshoj tek vetvetja, dyshgoj tek krijimtaria ime dhe, më në fund, dyshoj edhe tek dyshimi im.” Shumë pak shkrimtarë thonë kështu, prandaj ai është kundër Narcisëve poetë e prozatorë. Poezitë e këtij libri i kushtohen fisit të tij, një argument më shumë për të besuar në sinqeritetin maksimal të Skënder Temalit shkrimtar. Një modesti reale, një vetmohim i denjë për njerëzit me të kaluar, ku më të vërtetë rendësi ka emri , por më shumë rëndon mbiemri. Poezitë e tij janë fletë e një ditari sa intim aq dhe i hapur ndaj shoqërisë ditar që e fillon me poezinë themelore “Takim me lexuesit” :

S’kam për t’ua thenë kurrë atë që doni,
Se përse shkruaj e kam pyetur kaq herë vehten
E ka 50 vjet
Që s’e kam marrë përgjigjen!

Skënder Temali është tejet i guximshëm në poezitë e tij sepse flet hapur ndaj shumë negativiteteve në shoqërinë e sotme shqiptare, duke filluar me poetët që veshin akoma kostumet e e pandryshueshme të Pushkinit, Eseninit, Kadaresë ,Agollit etj. Ai komenton bestsellerat duke perifrazuar figurën poetike që është perlë në guackë e që peshon sa njëqind bestsellera bashkë… Në poezinë “ Pa çmime” ai trajton maninë e çmimeve të pafund të festivaleve si panaire ku luftohet nga disa për t,i përlarë e për të mbushur muret e dhomave të gjumit plot me korniza. Prandaj me të drejtë ai krijon poezinë leitmotiv “Pse” ku filozofia e “pse” –së është evidente në shoqërinë e sotme dhe jo vetëm në poezi , ku analizohet pasoja dhe jo shkaku. Libri “Curriculum vitae.. “ i Skënder Temalit është një pyetsor denoncimesh por tejet intelektual, një pyetsor që në radhë të parë I drejtohet vetes, duke e vënë atë , veten e tij në peshore e më tej duke parë pasqyrimin në reagimin e shoqërisë , ambjentin rrethues e gjithçka tjetër rreth tij. Skënder Temali me këtë libër të kujton Danten që merr përdorë Virgjilin e që e shoqëron nëpër rrathët e “ Komedisë Hyjnore”, por ndryshe Skënderi ka marrë përdorë ndërgjegjen e tij dhe kërkon pozicionin ku ndodhet në shkallët e kësaj shoqërie. Eshtë kjo maksima më e lartë që poeti e kërkon dhe e ndërton me ngulm shpirti. I gjithë libri është një biografi me strukturë të shpirtëzuar poetikisht duke vënë dorën e djathtë të zemrën e tij. Kjo duket fare bukur në poezinë “Pak biografi” ku rendësia e të kaluarës duhet envidentuar nga kushdo shqipatrë që e ka një të kaluar sepse ajo është pjesë e historiesë së vërtetë dhe jo ajo që shkruajnë persona ndoshta pa të kaluar. Dhe Shkodra ngrihet krenare ,symbol i atdheut dhe fisit të tij.

Çdo fis
E ka një lis
Por ç’e do,
E ka edhe një pis,
Që si kalinë
Bythën pushtetarëve ua lëpinë.
“Lisat dhe pisat “

Kësisoj libri me poezi “Curriculum vitae “ tejkalon udhën e jëtës së autorit e vjen e shndrohet në një vademekum atdhetar, duke trajtuar edhe Bogdanin, De Radën , kalanë e Rozafës, Tano Banushin, Bunë e Drinin e kështu me radhë. Në libër gjinden një larmi temash të ndryshme që kanë elasticitet që xhirojnë me një lehtësi të çuditshme nga një vend në tjetrin nga një lloj njeriu të tjetri. Këto poeti I bën pa u mërzitur duke ndjerë një kënaqësi supreme të shpirtit çka tregon jo vetëm pjekuri të plotë jo vetëm poetike. Në shumë poezi , një ven të posaçëm , madje një vend nderi zenë hokatarët me fame shkodranë si tek poezia “ Gaztorët e qytetit tim” , një poezi hymn për poetët popullorë shkodranë ku “ SHkodra ka patur gastorë përjetë/më pijetarët e pijetarëve,/për meze kishin një barcoletë/me spec djegës ndaj pushtetarëve.” Dhe çuditërisht po t’i shohësh me vëmendje nga ana teorike poezitë gjen aty një aromë të këngëve popullore shkodrane, një kombinim intersant të rimes më vargun e lire. Kjo e thekson më teëpr origjinalitetin e këtij shkrimtari.

  

Biçikleta e parë në Shqipëri, më 1907 nga konsulli suedez

Mbase jo të gjithë ju që po lexoni këtë shkrim e dini se në Europë jeton një qytet që lëviz mbi dy rrota: është Shkodra, një qytet verior në Shqipëri. Shumë i lashtë, sa daton XXV shekuj më parë. Ka qenë kryeqytet i mbretërisë ilire, por që kur lindi e u zhvillua, unë do të thosha, edhe kryeqytet i mrekullive natyrore: ka fusha, kodra e male, ka tre lumenj Drini, Buna e Kiri që i qëndrojnë si brerore. Kështjella me gurë ciklopik e që sundon tërë relievin, që nga bregdeti Adriatik e deri në Alpe, ka në “themel” një legjendë impresionuese të nënës që muroset në mënyrë që të mos shembet kurrë! Mbase këto burime natyrore patën shtuar në rrjedhë të shekujve edhe lakmitë e pushtuesve. (more…)