Monthly Archives: November 2013

Meditim tek pedonalja

Ka javë që tek pedonalja e Urës së Bunës, sidomos mbrëmjeve, ka një popullim të jashtëzakonshëm, njerëz që shkojnë e vijnë si dikur në pijacën e Shkodrës. Fryn lehtë një erë nga liqeni, që dallgëzon po lehtë Bunën e paqtë, për t’u përqafuar pastaj me Drinin idhnak.
Shumë prej tyre atyre që kryqëzohen këtu janë moshatarë të mij, thënë ndryshe të moshës së tretë. Gjyshe flokë e shpirtbardha që shetisin nipat e mbesat, gra të rrenuara që ende i bëjnë vehtes me sy, taravola që kurrë s’kanë ditur as nga nga vijnë e as se ku shkojnë, bullica që shpresojnë të ulin tulet në atë ecejake, atletë pa rezultate të vrapimeve të gjata, aktorë pa role, azmatikë, peshkatarë që shpresojnë të zënë peshkun e artë dhe që kënaqen me ndonjë skortë, punëtore 5-mijë lekshe të fabrikave, çiklistë me goma të shfryme, borxhlinj pa asnjë kryq leku në xhep, shkrimtarë që me krijimet e tyre s’kanë arritur ta kalojnë asnjëherë Urën e Bahçallekut, njerëz që flasin me vehte, i vetmi lypës i bardhë që ka qyteti, me një kartuç në qafë ku shkruan se është jetim, edhe pse mbi 50 vjeç.
Këtu, në këtë pedonale, nuk mungojnë zotërinjtë e vërtetë, por pasunarët e rinj. Ata kësaj mbrëmjeje, meditojnë në vilat e Velipojës e të Razmës, për t’u shtrirë nesër sa në bark e sa në shpinë në rërën gjithë jod e për t’u nisur në një ekskursion familjar tek Shpella e Pëllumbave. Janë, mes tyre, jo pak të përgojuar si hajdutë të bankave në 97-tën e gjobëvënës të tregtarëve, vrasës me pagesë, vagabondë e ndyça, bluza të bardha të mbuluara nga bloza, toga të zeza gjyqtarësh që s’kanë për t’u bërë kurrë të bardha, drejtorë drejtorishë arsimore që pasi u hiqet karrika s’punojnë më asnjë ditë si mësimdhënës, karabusha që s’kanë marrë shkolla, por pronat e gjyshave të tyre me tapitë me myhyre nga turku, nëpunës, ofiqarë e deputetë gjithfaresh, që janë banka pa liçensa.
Unë shetis e meditoj në pedonalen e Urës së Bunës. Jo në pedonalen e pijacës së qytetit që është shndrruar në një mejhane gjigande e ku më së fundi falimentoi edhe një nga libraritë më të zëshme. Marr përshëndeje aristokratike nga ata që më njohin e që i njoh. Herë herë, ndalem e pi një kafe. Nëqoftëse nuk pi kafe, shkoj tek bregu i Bunës e pyes ndonjë peshkatar se a po i bjen. Se a po xen gja.
Harroj se mua më ka zënë koha me grepin e saj. Edhe pse nuk i kam thënë “Qëllofsh!”.
Natën e mirë! Po kthehem në shtëpi, me biçikletën për dore.

  

NJË VIT PA MEDIN ZHEGËN

Si sot një vit më parë ndrroi jetë futbollisti i madh shqiptar, Medin Zhega.

Kemi qenë një grup shokësh të lagjeve Dudas e Dërgut, të pandarë deri që morëm maturën: Bamirësi, Muhameti, Zyhdia, Hasani, Ruzhdia dhe unë. Gjithsecili kish prirjet e veta, por ai që na mblidhte tok qe Dini, engjëlli fluturues i futbollit shqiptar, pasi që gjimnazist ai arriti të futej në formacionin e “Vllaznisë” e më pas edhe në kombëtaren shqiptare.

Kanë kaluar dekada, por kush e ka jetuar atë kohë, edhe pse pak e aspak episode janë filmuar nga operatorët e kinostudios “Shqipëria e Re”, e kujtojnë mjeshtrinë, forcën e elegancën në triblime e shpërthime, shutin e fuqishëm e të saktë, palosjet e tij në ajër në goditjet e forta e të sakta me kokë, duke nënshkruar kushedi sa gola si futbollist i “Vllaznisë” së Shkodrës, të “Dinamos” e të kombëtares shqiptare.

Jeta e tij është shembull i gjallë i një sportisti shembullor. Duke e pasë pranë shtëpisë stadiumin “Vojo Kushi” (sot “Loro Boriçi”), shkoja shpesh edhe të shihja stërvitjet e ekipit, padyshim se aty ishte edhe shoku im, Dini. E kujtoj fare mirë, pasi tranieri i binte bilbilit për përfundimin e stërvitjes së radhës, Dini qëndronte jo më pak se gjysmë ore duke u endur para portës, herë me top e herë pa top, duke gjuajtur nga pozicione të ndryshme, duke bërë rroveshqata e triblime në një metër katror, herë vetëm e herë me ndonjë shok që donte të ecte në gjurmët e tij.

Si nxënës qe shembullor. Nuk u ngjiste disa futbollistëve-nxënës që shfrytëzonin qënien në formacionin e “Vllaznisë” për të kaluar pa djersë apo për të marrë një notë plus. Jo, Dini studionte dhe shquhej për një kujtesë fenomenale, që u shpreh jo vetëm në notat e larta të maturës, por edhe në përvetësimin e gjuhëve të huaja: të rusishtes e të gjermanishtes, por edhe të rumanishtes, kur u trajtua për dy muaj në një klinikë mjekësore në Rumani. Nuk do ta harroj kurrë dasmën e Dinit me Valin. Pasi ikën gjithë dasmorët nga dasma, andej nga mengjesi, kishim mbetur ne, shokët e maturës. Edhe pse gota e lodhja kishin bërë të tyren, ende mbaheshim esëll. Se kujt iu shkrep që secili ose të këndonte një këngë, ose të recitonte një poezi. E Dini, kujtoj që tha përmendësh një hartim që i qe vlerësuar më i miri i klasës nga mësuesi Nexhmi Bushati, edhe pse në klasë ishim edhe unë e Zija Çela me prirje letrare të vlerësuara, edhe pse koha qw e ndante nga ai hartim ishte dekadë.

Edhe diçka: Qëllonte që “Vllaznia” për ndeshjet e kampionatit të udhëtonte në qytetet e jugut të Shqipërisë. Dihet se sa të gjata kanë qenë në vitet 60 të shekullit të kaluar këto udhëtime. Pra ai nisej që të premten (e shtuna në shkolla ka qenë ditë mësimi) dhe kthehej të martën në shkollë. Më porosiste t’ia mbaja shënim gjithë temat e reja që zhvilloheshin kur ai mungonte dhe, në asnjë rast, e theksoj, në asnjë rast, ai nuk u justifikua e të thoshte se ishte i papërgatitur, kur jo vetëm mësuesit, por kur një Shkodër mbarë i hiqte “kapelën” për klasin e lartë të interpretimit të atij që quhet futboll. E një vlerësim të tillë ai e meritonte plotësisht, si qytetar, si njeri, si mjeshtër i futbollit shqiptar.

Nuk e di nëse bashkia e Shkodrës ia ka dhënë (pas vdekjes) titullin “Qytetar Nderi” dhe Presidenti “Mjeshtër i Madh”. Nëse jo, të hedhin këtë hap janë të mirëpritur.

SKENDER TEMALI

Shkrimtar

13 Qershor 2013

  

Dërgut

Dërgut

Dërguti është një lagje aq e qetë
Sa në një shekull s’ka patur asnjë dramë,
Nënat me degërmia qenë zonjat vetë
Dhe patën për zot ca burra hijerëndë.

S’pat shtëpi pa kopësht, pa pus e pa oborr,
E s’pat një konak pa hysmeqar,
Burrat në kushtrime e nxirrnin një taborr,
Po qenë kryelartë se s’nxorrën një tradhtar!

Shpesh ec në ato rrugë ku m’rrodhi fëminia,
Pas një rreth teli a një kafaz bylbyli,
N’xhami ku jepte vasë Hafiz Sabria
A n’bibliotekë ku m’priste Teufik Gjyli!

Sa hyja në shkollë, thonin shihni njishin,
Se pesat me yje sa s’më dilnin nga çanta,
Se kisha mësuese Meliha Dervishin,
Nga gjithë ç’kam pasur, ajo më e veçanta!

Tani shkolla fillore është shtëpi banimi,
Dhe shumë rrugë në lagje kanë ndryshuar,
Po nën çdo strehë më zgjohet kujtimi
I një kohe që kurrë s’ka për t’prenduar!

Dërgut, djepi im, me flatra kujtimesh,
E Shkodrës së lashtë ti lagja parajsë,
Petale pranvere e vatër agimesh,
Një det dashurie i thellë, i pamasë…!

  

Puthjet

PUTHJET

Redaktor,
Në ke dashuruar ndonjëherë,
Mos ma hiq këtë puthje nga vjersha,
Se zemërohet pranvera e s’më sjell petale,
E ndofta më merr mëri edhe vjeshta.

Për atë puthje nuk prisha pesë palë këpucë,
Me Anilën u putha ndaj muzgu në vjeshtë,
Kur pastrueset vjeshtën e mblidhnin në rrugë,
Kur shove ti abazhurin e re për të fjetë.

Redaktor, në ke dashuruar ndonjëherë
Mos ma hiq nga vjersha këtë puthje,
Lëre lapsin, në djall të vejë,
Dhe mos e kthe poetin në një lutje!

Mundet nga puthja të më lindë vajzë,
ty djalë,

E ndofta, kur të rriten, do bëjnë dashuri,
Po vallë, do mundesh t’u redaktosh ti puthjet
Me lapsin tënd të kuq a të zi?

Po ti kryq i bie puthjes sime në vjershë
E unë i nevrikosur iki nga redaksia,
Vet’ i dytë shetis parqeve të vjeshtës
Për inatin tënd
Me puthje më mbulon Anila!

Redaktor,
Në ke dashuruar ndonjëherë,
Mos ma hiq këtë puthje nga vjersha,
Se zemërohet pranvera e s’më sjell petale,
E ndofta më merr mëri edhe vjeshta…

Skender Temali
shkrimtar
1971

  

OH, Ç’MË BËRE, NATALI!

OH, Ç’MË BËRE, NATALI!

“ Fort të desha, lirë të shita…”
-Nga një këngë ahengxhinjsh-

N’një mejhane ku s’ka gra
Unë po pi një gotë raki,
Fitova një thes para,
Se një thes të shita ty,
Natali, Natali!

Eks nga t’gjithë ktu kthehet gota,
Nuk është burrë kush duhan s’pi,
Jashtë rreh shiu e fryn shqota,
Tek unë pi një gotë mërzi,
Natali, Natali!

Dallga rreh klubin në shkallë,
Shpirti im shfren si furtuna,
Më kuptojnë, se s’janë të marrë,
M’qasen pranë katër burra,
Më ofrojnë një gotë raki,
Natali, Natali!

Unë në hon të shpirtit zbres,
S’ka ç’më duhen kto para,
Burrat mbajnë sytë në thes,
Dhe zgërdhihen ha-ha-ha,
Me kto pare që ke ti
T’sjellim njëqind Natali!

Kur të kisha nuk të çmova,
Si pulbardhë ike ti,
Shkoi gomonja, u pendova,
Më mbet shpirti, zift i zi,
Natali, Natali!

Me thas n’shpinë dal nga klubi
Dhe nga ura n’ujë e flak,
U rrek pak e mandej humbi
Unë u ndjeva dhe më plak,
Ike larg në Itali
Natali, Natali!

Skender Temali
shkrimtar